Kryeministri Rama, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe aleancës transatlantike. Ky takim vjen në një moment kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, fokusi i diskutimeve u vu dhe tek roli i Shqipërisë në misionet e NATO-s. Të dy liderët theksuan angazhimin e përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte: Mirëmëngjesi! Është një nder i vërtetë që të kem mikun tim të ngushtë, Edi Rama, Kryeministrin e Shqipërisë, që na viziton.
Shqipëria është një aleate e palëkundur. Shqipëria do të mbërrijë 2% e shpenzimeve ushtarake këtë vit, që është një angazhim i madh.
Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale, përfshi edhe përmes ndërmarrjeve të veta shtetërore, çka është e rëndësishme, sepse na duhet një bazë më e fortë industriale në mbarë NATO-n.
Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën, për shembull, përmes komandës tonë në Wiesbaden, ku kemi një mision shqiptar, por po kështu, përmes trajnimit gjuhësor për partnerët në luftime, për teknikët, kështu që po bëni shumë kur vjen fjala për Ukrainën. Edhe jashtë Shqipërisë ju po merrni pjesë në Forcat Atlantike në Letoni, në Bullgari jeni aktiv në Kosovë përmes KFOR-it, kështu që vërtetë po bëni shumë më tepër, përtej madhësisë tuaj.
Në fakt, ju jeni shumë i gjatë, megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh i ynë dhe Shqipëria po bën shumë. Dua të falënderoj shumë që jeni aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO-ja mund të mbështetet tek Shqipëria dhe ju e dini që gjithmonë Shqipëria mund të mbështetet tek NATO-ja. Kështu që edhe një herë, faleminderit për vizitën tuaj.
Faleminderit që jeni një mik kaq i ngushtë personal dhe për gjithçka që ju po bëni për NATO-n.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit!
Është afërmendsh që është përherë një kënaqësi, jo vetëm falë miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të një fakti të thjeshtë që ka gjithmonë diçka për të mësuar prej jush.
Jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që ju thatë dhe më shumë. Duam të bëjmë më shumë. Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë, jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri në Porto- Romano dhe sigurisht jemi këtu edhe për të folur së bashku për mënyrat me të cilat mund të qasemi në programin “Safe” të BE, i cili sa i takon sigurisë, shkon përtej perimetrit të vendeve të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm dhe për vendet e NATO-s në Europë.
Kështu që faleminderit për mikpritjen tuaj gjithmonë të hijshme dhe besoj që jeni njësh, se keni gjithmonë energji në mëngjes dhe jemi këtu që të bëjmë më të mirën për gjithçka. Faleminderit!