Në një konferencë ndërkombëtare u prezantua projekti i ri i Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame, i cili do të vendoset në godinën e famshme të Sarajeve në qendër të Tiranës. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitet, e cilësoi këtë muze si një “vlerë të shtuar për kryeqytetin” dhe një dëshmi historike që plotëson boshllëkun në interpretimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore islame në Shqipëri. Projekti synon të shërbejë si një “gjerdan arti” bashkë me Teatrin dhe Galerinë, duke pasuruar ofertën kulturore të Tiranës dhe duke riafirmuar lidhjen e trashëgimisë islame me kulturën evropiane dhe mesdhetare.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Besoj që kjo nismë shumë e bukur nuk ka nevojë për shumë fjalë nga ana ime, aq më tepër pas prezantimit interesant edhe të mirë studiuar nga ana e arkitektit. Unë kam bindjen që këtu është krijuar sinergjia e duhur me djemtë e koleksionit, me arkitektin, nga ana tjetër me Bashkinë e Tiranës dhe me Ministrinë e Kulturës, kështu që janë të gjitha forcat e nevojshme për të ndërtuar më në fund një hapësirë të munguar në Tiranë, të artit dhe kulturës islame.
Është një hapësirë e munguar edhe për një arsye shumë të bukur që e shpjegoi arkitekti, që kultura dhe arti islam janë pjesë integrale e kulturës së Mesdheut, e kulturës së Evropës dhe pavarësisht se ky muze në përmasën e vet është modest, krahasuar me shembujt që i patë aty të muzeve shumë pompozë të artit dhe kulturës islame, por besoj që është i nevojshëm dhe është i mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi që përndryshe, për shumëkënd, është një dëshmi e munguar dhe madje është dëshmi e pamundur sepse në mendjen dhe në idenë e shumëkujt, kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Evropën, nuk kanë lidhje me këtë pjesë të kontinentit ku ne jemi dhe madje këtë pasuri kaq të çmuar të traditës dhe kulturës sonë, shumëkush e sheh si një trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë. E vërteta është krejt ndryshe dhe dëshmia e kësaj të vërtete, përmes një muzeu të tillë, është një nevojë, është një domosdoshmëri dhe është një vlerë e shtuar për kryeqytetin.
Nga ana tjetër besoj që jemi me fat që janë bashkuar këto forca dhe na jepet mundësia që këtë nismë ta materializojmë në këtë, pikërisht godinën, si bërthamë e muzeut të ri që siç e shtroi arkitekti, do të përbëhet nga kjo godinë dhe nga një godinë tjetër bashkëkohore, e për më tepër jemi me fat sepse jo vetëm që do të kthejmë në identitetin e vet të plotë edhe do të restaurojmë ashtu siç duhet godinën e Sarajeve, por e kemi mundësinë ta kemi këtë muze, mu në zemër të Tiranës.
Praktikisht ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar me Teatrin e Ri Kombëtar, me Galerinë Kombëtare, me Muzeun e ri Kombëtar, me muzeun ‘’Besa’’ që është fare ngjitur dhe që do t’i bëjë jehonë historisë së lavdishme të shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët, ku pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët morën në mbrojtje një popull tjetër me një besim tjetër.
Dhe më tutje akoma, besoj që edhe lidhja e gjithë kësaj pjese me pjesën tjetër ku kemi Piramidën e më pas muzeun tjetër që është në ndërtim e sipër me koleksionin unikal të të ndjerit Artan Lame, na japin mundësi që ta shohim të nesërmen e Tiranës, të pasur me ‘’stacione’’ arti, me ‘’stacione’’ kulture, me ‘’stacione’’ historie, të cilat do të shkojnë duke u shtuar.
Ajo që është e rëndësishme në këtë rast, është se ky është një ‘’stacion’’ kyç i historisë sonë, i historisë sonë si komb, i historisë së qytetit tonë, të kryeqytetit të Shqipërisë. Kështu që unë besoj që talenti i padiskutueshëm i arkitektit që është edhe autori i një tjetër muzeu shumë të bukur tanimë edhe që vizitohet shumë, muzeu Kombëtar i Fotografisë në Shkodër, që është edhe projektuesi i Muzeut të Ri Kombëtar në godinën ekzistuese por me ndryshime të rëndësishme, me ndërhyrje të rëndësishme arkitektonike, është një garanci dhe më vjen shumë mirë që Hernandes po punon paralelisht edhe për një tjetër muze në Shkodër, muzeun që praktikisht i dedikohet martirizimit të klerit katolik dhe kështu në një farë mënyre plotësojmë pak nga pak dhe një mozaik të munguar të historisë së fesë në Shqipëri që do të ketë vendin e vet pa diskutim, edhe në Muzeun e Ri Kombëtar.
Ju faleminderit shumë për ftesën, sinqerisht dhe dua të falenderoj në mënyrë të veçantë djemtë e Institutit ‘’Konak’’. Tani mund të ketë dhe vajza aty po unë vetëm djemtë njoh për momentin. I falenderoj për dashamirësinë dhe për kurajon për ta nxitur këtë nismë, edhe për të vënë në dispozicion të kësaj nisme koleksionin e tyre. Është shumë e rëndësishme kjo pjesëmarrje e tyre sepse një sfidë e madhe me këto godina të reja, është pastaj jeta e tyre më pas, është administrimi i tyre, është organizimi i të përditshmes së tyre, sepse siç e tha dhe Hernandes, nuk është çështja thjesht të bëjmë një muze statik që do të ketë objektet e veta dhe do të mbetet aty i pandryshuar asnjëherë, ku njerëzit do të hyjnë dhe do të dalin pa pasur mundësinë të shohin asgjë të re.
Fjala është për të pasur një muze të gjallë, ku krahas koleksionit të përhershëm, i cili dhe ai lëviz, të ketë edhe aktivitet ekspozitash, aktivitet performancash, aktivitet diskutimesh dhe prania e institutit në këtë iniciativë për mendimin tim është garanci për jetëgjatësinë e muzeut si një muze i gjallë.
Këto janë të gjitha, pastaj janë të gjitha aspekte që do të trajtohen edhe institucionalisht për t’i dhënë formën e duhur këtij bashkëpunimi dhe për ta bërë atë të qëndrueshëm edhe afatgjatë. Dua të falenderoj edhe miqtë që kanë ardhur nga Italia. Jam mirënjohës për praninë e tyre. Edhe më vjen shumë mirë që së bashku ta çojmë përpara këtë nismë edhe t’i vëmë qëllim vetes që deri në Shqipërinë 2030, se unë me atë e kam fiksimin, ju e keni me shekujt e kaluar, ta kemi të çelur derën e këtij muzeu. Shumë faleminderit!