Fjala e Kryeministrit Edi Rama, sot, në prezantimin e Akademisë Fiskale, ku nis dhe cikli i trajnimeve për administratën doganore dhe tatimore:
“Është ditë e shënuar kjo, e fillimit të këtij rrugëtimi, që në njëfarë mënyre është një kurs kundër analfabetizmit fiskal. Analfabetizmi fiskal, që ka krijuar kaq shumë probleme mes shtetit dhe sipërmarrjes, sigurisht e ka dëmtuar seriozisht ekonominë dhe për përpjekjen tonë të përbashkët për mirëqenie. Në një anketë të bërë me investitorët e huaj, për të kuptuar se cilat janë pengesat kryesore që ata shohin në përpjekjen apo në synimin për të investuar në Shqipëri, të cilën ne e kryem gjatë verës së shkuar, përpara sesa ta fillonim formalisht punën në drejtimin e vendit, patëm disa përgjigje, në dukje befasuese, por në fakt aspak befasuese. Askush nga investitorët e huaj, të anketuar, nuk vendosi taksat si problemin kryesor, por thuajse unanimisht, problemi kryesor ishte administrata, pastaj gjyqësori, pastaj siguria e titujve të pronësisë, pastaj kualifikimi i krahut të punës dhe në fund fare, niveli i taksave.
Nga ana tjetër, në një sondazh global të kryer vitin e shkuar, rezultati lidhur me ecurinë e kompanive që kanë pjesë të punës së tyre të përditshme edhe trajnimin dhe kompanive që nuk e kanë pjesë të punës së tyre të përditshme trajnimin, ishte se të gjitha kompanitë, globalisht, që investojnë në kapitalin e tyre njerëzor dhe që trajnojnë në mënyrë sistematike ekipet e tyre, janë rritur botërisht me 42 %. Ndërsa të gjitha kompanitë që nuk e kanë investimin te kapitali njerëzor pjesë të buxhetit të tyre, kanë rënë me 22 %. Në një konferencë për inovacionin, ku kam pasur fatin të marr pjesë, njëri nga folësit e nisi duke pyetur sallën sesa njerëz disponojnë një telefon Nokia. U ngritën shumë pak duar. Dhe pas kësaj pyetje dhe marrjes së asaj përgjigje, folësi filloi duke nxjerrë influencën e Nokia-s në hartën e botës 6 vjet përpara. 6 vjet përpara Nokia zotëronte më shumë se 60% të tregut botëror. Sot, Nokia është në 7 % të tregut botëror. Dhe rritjen eksponenciale të Samsung-ut, të Apple-it dhe të kompanive të tjera e të marrjes së influencës në treg, folësi e lidhi dhe e shpjegoj me investimin eksponencial në kapitalin njerëzor.
Ne besojmë që kapitali njerëzor është pjesa më e pa investuar në Shqipërinë e gjithë këtyre viteve, në funksion të forcimit dhe konsolidimit të një administrate realisht në shërbim të ligjit, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të sipërmarrjes. Shqipëria, si shoqëri, do të hynte në vendet që, falë dëshirës për dije të prindërve, investon në përqindje me të ardhurat e përvitshme shumën më të madhe për arsimim. Ndërkohë që shteti shqiptar, padyshim, do të renditej i fundit në çdo lloj klasifikimi, ku do të analizoheshin përpjekjet institucionale për ta kthyer investimin te kapitali njerëzor në një pjesë të qenësishme dhe të pandashme të investimit në çdo fushë të jetës. Sikur t’i kishim dedikuar kapitalit njerëzor në Shqipëri po atë pasion dhe po atë vëmendje që i kemi dedikuar asfaltit në gjithë këto vite, me siguri do të kishim shtruar sot dyfishin e rrugës sonë drejt Bashkimit Evropian. Sikur t’i kishim dedikuar trurit të funksionimit të institucioneve tona po atë vëmendje që i kemi dedikuar xhepit të sipërmarrjeve, sigurisht do të kishim pasur një funksionim shumë më logjik të institucioneve dhe shumë më tepër të ardhura nga sipërmarrjet.
Në një prej librave më të shitur në botë sot, që titullohet “Why nations fail?”, “Pse dështojnë kombet?”, ka një shpjegim tërësor dhe shterues lidhur me dhënien e një përgjigje shumë të thjeshtë dhe të qartë të kësaj pyetje. Libri fillon me një shembull konkret të kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që ndan jo dy popuj, por ndan diku të njëjtin komunitet, me të njëjtën prejardhje, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtat zakone, në të njëjtin territor, gjysma jetojnë në njërën anë të kufirit, gjysma tjetër jeton në tjetrën anë të kufirit. Dhe të dy anët e kufirit dallojnë si nata me ditën, për nga infrastruktura, për nga siguria, për nga shërbimet sociale, për nga niveli arsimor, për nga përkujdesja shëndetësore, për nga trajtimi i të moshuarve, për nga problematikat me drogën dhe me veset e tjera të të rinjve e kështu me radhë. Pyetja që shtrohet është – pse?! Dhe përgjigja që jepet është e qartë: “Ky është vetëm një shembull ndër mijëra shembujt që mund të marrim kudo të hartën e botës. Jo historia, jo gjeografia, jo kultura, jo e jo etnia apo klima definojnë pozicionin ekonomik dhe mirëfunksionimin e një komuniteti apo të një shteti, por institucionet”.
Libri ka dhe një shembull tjetër, – unë nuk do të vijoja me të gjithë shembujt e librit, por do t’ju inkurajoja të gjithëve që ta lexonin, – një fotografi satelitore, natën, mbi të dyja Koretë. I njëjti vend, i njëjti popull, e njëjta histori deri në një moment të caktuar, gjeografia po ashtu, kultura po ajo, etnia po ajo. Gjysma e hartës është e ndriçuar, gjysma e hartës është errësirë. Pjesa e ndriçuar është Korea e Jugut, pjesa në errësirë është Korea e Veriut. Ajo që i dallon, i bën këto dy pjesë të hartës të jenë dy botë të ndryshme në një fotografi, janë institucionet, është sistemi. E, ne jemi të bindur se nuk janë njerëzit që korruptojnë një sistem, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Nuk janë njerëzit që e bëjnë sistemin jofunksional edhe në drejtim të rritjes së kapitalit njerëzor, por është sistemi që e degradon kapitalin njerëzor. Nuk janë agjentët tatimorë dhe doganorë të Shqipërisë, si persona, problemi ynë në këtë fazë të zhvillimit, por është sistemi ynë i doganave dhe i tatime, organizimi dhe mbi të gjitha vëmendje zero që i është kushtuar në gjithë këto vite kapitalit njerëzor, që bën që ne sot të jemi përpara kësaj sfide madhështore. Është një sfidë madhështore dhe secili prej jush, çdonjëri nga drejtuesit, – që nga dy drejtoret që sot janë bërë modeli i asaj që ne duam të jenë nesër të gjithë punonjësit e tatimeve dhe doganave, – e deri tek punonjësi më i fundit apo punonjësja më e fundit mund të bëjnë histori. Mund të bëjnë histori duke bërë një ndryshim thelbësor. Kushtet janë, qëllimet janë të qarta, vullneti është i plotë dhe dijet nuk na mungojnë, sepse nuk jemi vetëm, për të bërë atë kapërcim të domosdoshëm që dallon lirinë nga demokracia dhe që e bën të qartë edhe dallimin se çdo të thotë të jetosh në liri dhe çdo të thotë të jetosh në demokraci.
Në vitin ’90, kur Shqipëria vendosi të ndryshojë sistem, unë kam pasur fatin të kem mik shumë të shtrenjtë, një shqiptar të madh, një ndër njerëzit që, sipas meje, përbëjnë kurorën e xhevahireve të këtij vendi, Isuf Vrionin, i cili njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata që kanë njohur atë vetë dhe historinë e tij, është shumë më tepër se kaq.
Dhe nuk e harroj kurrë, që mes entuziazmit për shembjen e një sistemi që Jusufit i kishte marrë një pjesë të madhe të jetës në një qeli burgu, mes torturash çnjerëzore dhe optimizmit pa cak të gjithë gjeneratës së re për atë që vinte të nesërmen, Isuf Vrioni më ka thënë: “Nuk do të jetë aspak kështu siç mund ta shikoni sot. Sot jemi të lirë, por Shqipëria do të dojë kohë që të jetë demokraci. Liria është mundësi për të gjithë, demokracia është siguri marrëdhëniesh mes individit dhe shtetit”. Këto ishin fjalët e Isuf Vrionit dhe sot, ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që njerëzit në Shqipëri, përgjithësisht, nuk vuajnë se u mungon liria, por vuajnë se u mungon siguria në marrëdhëniet e tyre si individ me shtetin. Këto vuajtje mund t’i përshkruajnë, nëse do të investoheshin për të shkruar historitë e tyre, në mijëra libra sipërmarrësit shqiptarë. Secili prej tyre, secila prej tyre do të ishte në gjendje të tregonte një histori që do të na jepte një shembull të qartë, konkret, jetësor, se pse dështojnë kombet dhe se pse është siguria e marrëdhënieve mes individit dhe shtetit që përcakton suksesin e një individi dhe suksesin e një shteti. Është siguria në marrëdhënien mes individit dhe shtetit që përcakton vlerën e një Kushtetute dhe vlerën e një tërësi ligjesh. Pa këtë siguri, Kushtetuta është një libër dhe ligjet janë letra. Kushtetutën si libër që nuk i ka ndihmuar dot me vite dhe ligjet si letra që u janë grisur përpara syve, sipërmarrësit shqiptarë i kanë parë rregullisht; I kanë parë të shkelen e të grisen në dyert e doganave; I kanë parë të shkelen e të grisen në dyert e tatimeve; I kanë parë të shkelen e të grisen në sjelljet harbute të shtetit, në të gjitha format, nga ato të hapura, brutale, të injorancës së përkthyer në masa dhe në veprime që e kanë dëmtuar dhe nuk e kanë ndihmuar ekonominë, në ato më të mbyllurat, të babëzisë dhe të përpjekjes për të përfituar gjithçka, thjesht duke rrëmbyer paratë e mundit të tyre.
Mjafton të shohësh sot të gjithë kalendarin e programit të kësaj nisme të re, për të kuptuar sesa shumë mund të ndryshojë kjo administratë brenda jo 3 vjetësh, por brenda 3 muajsh. Ambicia jonë është që në prill, maj dhe qershor të gjithë inspektorët e doganave, të gjithë inspektorët e tatimeve, po sigurisht edhe gjithë inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, të gjithë inspektorët e strukturave të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me sipërmarrjen, të kalojnë nga ky proces, të zhvillojnë intensivisht këtë kurs që unë po e them, ndoshta pak brutalisht, por i tillë është, kundër analfabetizmit fiskal. Në mënyrë që jo një Drejtor i Përgjithshëm, as pak drejtorë në qendër dhe as vetëm ndonjë drejtor në ndonjë rajon, por çdo inspektor tatimor e doganor të mos jetë analfabet fiskal, por të jetë në gjendje të kuptojë, të gjykojë dhe zgjidhë brenda parimësisë kushtetuese dhe ligjore problemet e një sipërmarrësi. Të jetë në gjendje të mishërojë sigurinë e marrëdhënieve mes sipërmarrësit dhe shtetit, në mënyrë që ankesat “lumë” që “rrjedhin” përmes sms-ve, përmes thirrjeve telefonike apo përmes çdo rruge, që në dëshpërim sipërmarrësit gjejnë për të arritur tek veshët e Drejtores së Përgjithshme të Doganave apo Drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, të shkojnë duke rënë dhe mundësisht të bëhen zero; Në mënyrë që çdo inspektor doganash dhe tatimesh, çdo inspektor i cilitdo shërbim të natyrës ligjore dhe fiskale në çdo sektor përfaqësojë shtetin dhe të mishërojë vullnetin tonë të palëkundur për të qenë garantët e sigurisë së marrëdhënieve mes sipërmarrjes dhe shtetit.
Dhe jo rastësisht, as pa qëllim, ne kemi dashur të përfshijmë në këtë kurs intensiv jo vetëm “Crawn Agents”, që e konsiderojmë një nder dhe një fat që gjenden pranë nesh në këtë moment historik për transformimin e doganave të Shqipërisë, por edhe sipërmarrja. Personalisht, së bashku me disa ministra, së bashku me të gjithë drejtorët e këtyre agjencive shtetërore që kanë të bëjnë me sipërmarrjen kemi shkuar dhe kemi vizituar një Akademi të krijuar brenda një sipërmarrje, – është një rast unik sot, jo vetëm në Shqipëri, por në dijeninë time edhe në Ballkan, – dhe kemi kërkuar që kjo Akademi të bëhet pjesë e trajnimit. Sikundër, sot, jo rastësisht, jo pa qëllim dhe as për dekorin e takimit, kemi ftuar këtu disa përfaqësues të rëndësishëm të botës së sipërmarrjes shqiptare, të cilëve do t’u kërkojmë të njëjtën gjë, që të bëhen pjesë e këtij kursi. Sepse, siç e tha Ministri i Financave, ne duhet me çdo çmim të ndahemi njëherë e mirë nga një epokë e marrëdhënieve të dhunës, të superioritetit të dhunshëm, të arbitraritetit të dhunshëm, të brutalitetit të pakuptimtë të administratës fiskale me sipërmarrjen. Nga ana tjetër, si shoqëri, duhet të ndahemi nga një epokë e të kuptuarit të sipërmarrësit si një person i dyshuar; e të kuptuarit të njeriut që merret me biznes, si dikush që ka me siguri diçka për të fshehur; e të kuptuarit të botës së sipërmarrjes si bota e punëve të pista. Dhe duhet, ne të parët, të jemi zëdhënësit e një kulture të re, e një kulture perëndimore, e një kulture evropiane, e një kulture që është baza e këtij sistemi që kemi zgjedhur. Kultura e respektit për çdo sipërmarrës si një krijues i mirëqenies, i mirëqenies jo vetëm për vetë, por edhe për shumë të tjerë. Kulturës së respektit për çdokënd që është i zoti të bëjë para me nismën e tij të lirë, që është i zoti të rrezikojë paratë e tij me nismën e tij të lirë, që është i zoti që përmes marrjes në sy të rrezikut të krijojë vende të reja pune dhe të paguajë më shumë nga xhepi i tij, që shoqëria të ketë më shumë në xhepin e saj.
Është turpi më i madh për shtetin tonë, por sigurisht është edhe një dëm i jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë, që sot dhe kushedi prej sa vitesh, nuk shohim një sipërmarrës të vetëm në një kopertinë, nuk shohim një sipërmarrës të vetëm në një emision televiziv apo radiofonik, nuk shohim një ngjarje të vetme ku sipërmarrësi të shihet dhe të paraqitet përpara shoqërisë si shembulli i suksesit. Përkundrazi, çdo sipërmarrës i ikën si djalli temjanit dritës së skenës, i ikën si djalli temjanit çdo rasti kur fytyra e tij, kur puna e tij, kur aktiviteti i tij mund të dalë në sytë e të tjerëve, sepse është i tmerruar nga fakti se kjo dalje në dritë do të sjellë të nesërmen në derë tatimorët, xhandarët, madje edhe krimin e organizuar, për të vendosur, secili në qejf të vetë, gjoba arbitrare dhe për t’ia “marrë shpirtin” deri në fund atij apo asaj që, në fakt, duhet të jetë në të njëjtin piedestal që shoqëria vendos, përmes rrugëve të ndryshme, sportistët, këngëtarët e me radhë artistët e të tjerët.
Unë e kuptoj edhe buzëqeshjen e një doganieri të vjetër, aty në radhën e fundit dhe jam i bindur që ky kurs kundër analfabetizmit fiskal do të jetë shumë i dobishëm, në radhë të parë për doganierët më të vjetër dhe për tatimorët më të vjetër, sepse ka shumë kohë që, jo për faj të tyre, janë futur në qerthullin e një kulture abuzive dhe ndoshta pa e kuptuar as vetë, janë bërë pjesë e një abuzimi të madh shtetëror me sipërmarrjen. Sikundër, jam shumë krenar që kam parë disa raste vetë, konkretisht, që pasi kanë bërë çdo përpjekje për t’u bërë pjesë e tatimeve apo doganave, kanë filluar të largohen, sepse kanë parë që nuk u fitohet ndonjë gjë. Kjo do të thotë që diçka ka ndryshuar seriozisht në dogana dhe në tatime. Nuk dua të zgjatem më shumë me këtë pjesë.
Dua të shfrytëzoj këtë rast për pjesën tjetër. Duke filluar me një falënderim jo formal, – unë nuk kam zakon të falënderoj ministrat formalisht, – për Ministren e Integrimit, e cila jo rastësisht, jo pa qëllim ishte këtu sot, në hapjen e këtij takimi. Sepse, nga njëra anë, kjo që po bëjmë është realisht një përpjekje për Shqipërinë Evropiane. Shumë trajnime figurojnë nëpër letra, në historinë e Shqipërisë së këtyre 20 viteve. Në Shqipërinë e këtyre 20 viteve mund të jenë bërë aq shumë seminare, sa po të kishim qenë një aktivitet tjetër, kushedi se ç’të ardhura do të kishin sjellë për këtë vend. Por, në fakt, thjesht kanë marrë të ardhurat e këtij vendi dhe pak gjë kanë sjellë mbrapsht. Sepse kanë qenë trajnime dhe seminare që përgjithësisht janë karakterizuar nga mungesa e vullnetit, nga mungesa e vëmendjes, madje edhe nga mungesa e besimit se njeriu mund të fitojë ndonjë gjë nëpër trajnime dhe seminare.
Ministrja e Integrimit, – e cila e udhëheq gjithë këtë proces, që shtrihet jo vetëm në këtë anë të shtetit, që është ana që ka të bëjë me shërbimin ndaj sipërmarrjes drejtpërdrejtë, por edhe në anën tjetër të shtetit, që ka të bëjë me administratën, që nga administrata e Kryeministrisë tek administrata e çdo ministrie, – tha sot këtu disa gjëra që meritojnë shumë vëmendje. Sepse pa këtë proces dhe pa këtë përpjekje, ne nuk e bëjmë dot Shqipërinë Evropiane. Shqipëria Evropiane nuk është një udhëtim nga Tirana në Bruksel dhe nuk është as një certifikatë që do të na e japin në Bruksel për ta marrë e për ta varur në mur. Shqipëria Evropiane është tek marrëdhëniet e individit, e qytetarit shqiptar me shtetin shqiptar. Shqipëria Evropiane është tek shërbimet e shtetit shqiptar për qytetarin shqiptar. Shqipëria Evropiane është pikërisht tek shkrirja e atij kufiri mes Shteteve të Bashkuar dhe Meksikës që ndan dysh, në gjithçka, të njëjtin komunitet. Ne jemi evropianë, ia themi vetes këtë vazhdimisht dhe e përsërisim këtë pa fund, – zakonisht kur një gjë përsëritet pa fund, ajo mungon, në fakt, – pikërisht, sepse ne për një kohë të gjatë nuk jemi investuar tek të bërit evropianë, duke bërë në radhë të parë shtetin evropian. Për këtë arsye, ne do të investojmë gjatë gjithë këtyre muajve edhe në kapitalin njerëzor që disponojmë në Kryeministri dhe në ministritë. Në mënyrë që çdonjëri që merr pjesë në këtë grup të madh njerëzish që quhen nëpunës të shtetit, të mos e ndjejë veten thjesht rrogëtar apo të mos shkojë në punë thjesht për të qenë formalisht prezent gjatë 8 orëve, por ta ndjejë veten pjesë të një misioni. Dhe kjo është plotësisht e mundur.
Në Akademinë ku ne patëm fatin të ndjekim gjithë paraqitjen e programit që kompania shqiptare bënte për të trajnuar njerëzit e vetë, njëri nga modulet e trajnimit ishte pikërisht sensi i të qenit pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për një mision të përbashkët. Sa nga ju e ndjejnë këtë kur shkojnë për në punë? Sa nga ju e ndjejnë këtë gjatë punë? Sa nga ju e ndjejnë këtë kur ikin nga puna? Dhe në tërësi, sa nga njerëzit që punojnë në administratën shtetërore e ndjejnë këtë? Shumë pak! Dhe jo për fajin tuaj, jo për faj të tyre, por për përgjegjësinë e madhe të një drejtimi në rrugën e gabuar, në raport me kapitalin njerëzor. Ju këtu dhe të gjithë ata që hyjnë dhe dalin nga zyrat e shtetit dhe paguhen nga taksat e shqiptarëve, janë kapitali njerëzor i shtetit shqiptar për një administratë serioze, për një administratë në shërbim të shqiptarëve. Ne së bashku, duhet të bëjmë çmos që secili prej jush dhe secili prej atyre që sot është në radhët e administratës publike të Shqipërisë të ndjehet krenar për këtë. Shumë anketa, shumë intervista, shumë studime botërisht kanë treguar se një nga elementët kryesor që përcakton suksesin ose mossuksesin e një kompanie apo të një administrate, sepse ligjësitë janë të njëjta, është pikërisht sa anëtarët e asaj kompanie apo të asaj administrate e ndjejnë veten pjesë të një misioni të përbashkët për të realizuar një qëllim të përbashkët. Ky është edhe shpirti i gjithë kësaj aventure të përbashkët, që fillon sot me këtë Akademi Fiskale dhe që do të vazhdojë intensivisht përgjatë gjithë këtyre tre muajve. Për të vazhduar pastaj, nga shtatori e më tutje, në formën e një mekanizmi që do të jetë i pandashëm për tatimorët, për doganierët, për të gjithë inspektorët e këtij vendi dhe për gjithë administratën publike. Nga njëra anë kemi Akademinë Fiskale, nga ana tjetër kemi Shkollën e Administratës Publike. Të dyja këto institucione do të marrin çdo muaj e më shumë një rëndësi të veçantë. Dhe çdokush që do të jetë pjesë e administratës së këtij shteti do të duhet të jetë rregullisht pjesë edhe e kurseve të trajnimit në këto dy institucione, sipas profilit. Çdo tatimor, çdo doganier dhe çdo inspektor tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejtë me sipërmarrjen do të duhet të ndjekë rregullisht, çdo vit, në një kohë të caktuar, Akademinë Fiskale. Dhe e fundit fare, çdokush do të duhet të japë provim. Çdokush do të duhet të japë provim, për të pasur një ide të qartë të cilësisë së kapitalit njerëzor që kemi në dispozicion; për të pasur një ide të qartë të progresit të kapitalit njerëzor, sepse trajnim pas trajnimi do të ketë progres për të gjithë; për të pasur edhe një ide të qartë të aftësisë sonë për të qenë në lartësinë e çdo sfide.
Kodi Doganor që hyn në fuqi në 1 janar të vitit tjetër është një sfidë e jashtëzakonshme. Nuk na e ka kërkuar Bashkimi Evropian, por e kemi marrë përsipër vetë. E kemi marrë përsipër të futemi në një kuadër krejt të ri, që niset nga prezumimi i kundërt me prezumimin nga i cili është nisur puna e përditshme e doganave të Shqipërisë në këto 20 vjet, që sipërmarrësi të shfaqet te dera e doganës për të marrë shërbim dhe jo për të dhënë haraç. Në Kodin Doganor evropian është sipërmarrësi arsyeja pse ka dogana, nuk është e kundërta. Nuk është dogana arsyeja pse ka sipërmarrës.
Me këtë fjalë, unë ju falënderoj shumë për vëmendjen. Falënderoj në mënyrë të posaçme, edhe një herë tjetër Ministren e Integrimit. Jam i bindur se do të kemi një rezultat shumë pozitiv nga kjo përpjekje e përbashkët. Falënderoj Ministrin e Financave, Ministrin e Ekonomisë. Falënderoj përfaqësuesit e sipërmarrjes, këtu të pranishëm, të cilëve edhe një herë u shpreh gjithë vullnetin që ne së bashku ta ndryshojmë historinë e marrëdhënieve mes shtetit dhe sipërmarrjes, si dhe dëshirën që të jenë pjesë e trajnimeve, duke dëshmuar secili historinë e vetë të torturave dhe të suksesit. Falënderoj edhe përfaqësuesit e “Crawn Agents”, prej të cilëve, sigurisht, kemi mundësinë të marrim shumë në një kohë të shkurtër dhe të mos humbasim kohë për të kuptuar gjëra që janë kuptuar nga bota me kohë. Dhe falënderoj të gjithë dyja drejtoret, Drejtoreshën e Doganave dhe Drejtoreshën e Tatimeve që me punën e tyre, me integritetin e tyre, me mençurinë dhe mbi të gjitha me vullnetin e tyre të hekurt po japin një shembull të shkëlqyer sesi mund të transformohet pamja dhe përmbajta e një administrate kaq të rëndësishme për sigurinë e marrëdhënieve mes individit dhe shtetit.
Shumë faleminderit!