Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në një takim me mësues e drejtues shkollash, të organizuar nga Ministria e Arsimit, u prezantuan  sot rezultatet e Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënit TALIS, e cila sjell në focus evidenca ndërkombëtare për perceptimet, përvojat dhe nevojat e mësuesve dhe ku për herë të parë Shqipëria u bë pjesë mes 55 sistemeve arsimore të OECD, duke arritur në disa prej parametrave tregues shumë pozitive, shpesh edhe mbi mesataren e vendeve të OECD.

Kryeministri Rama e cilësoi rezultatin si një lajm shumë të mirë për prindërit, në radhë të parë dhe një motiv krenarie për performancën e mësuesve shqiptarë. “Duke qenë se në të gjitha shkallët e anketës, rezultatet kryesore për Shqipërinë reflektojnë motivim të mësuesve, reflektojnë dëshirë për profesionin, reflektojnë besim në zhvillimin e aftësisë së nxënësve dhe patjetër reflektojnë në shkallën e formimit fillestar, në zhvillimin e vazhduar profesional, – sigurisht nuk kemi asnjë arsye pse të ndihemi në vështirësi për të qenë krenarë, përkundrazi ndjehemi krenarë për ju, ndjehemi krenarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë.” – u shpreh ai.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Për hir të vërtetës erdha sot këtu me një kënaqësi të veçantë sepse është një lajm shumë i mirë për prindërit në radhe të parë që një anketim prestistigjoz ndërkombëtar për mësimdhënien dhe të nxënit, mes 55 sistemeve arsimore në Bashkimin Europain, në Europën përtej Bashkimit Europian përfshirë dhe vende jashtë Bashkimit Europian, mësuesit tanë kanë dalë mirë. Kanë dalë mirë dhe patjetër që kjo është në radhë të parë merita e tyre, merita juaj, por nga ana tjetër, është si të thuash edhe një pasqyrë e përpjekjes që kemi bërë së bashku dhe besoj unë edhe e mbështetjes që ne jemi përpjekur t’i japim mësuesve në vazhdimësi në të gjitha drejtimet.

Kjo anketë është një anketë shumë sfiduese, e cila e thënë në mënyrë “banale” po themi është anketa “Pisa”, por për mësuesit, ndërkohë që “Pisa” është për nxënësit dhe duke qenë se në të gjitha shkallët e anketës rezultatet kryesore për Shqipërinë reflektojnë motivim të mësuesve, reflektojnë një dëshirë për profesionin, reflektojnë besim në zhvillimin e aftësisë së nxënësve dhe patjetër reflektojnë edhe konkretisht pastaj të gjitha këto në shkallën e formimit fillestar, në zhvillimin e vazhduar profesional, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye pse të ndjehemi në vështirësi për të qenë krenarë, përkundrazi, ndihemi krenarë për ju, ndihemi krenarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, ndihemi krenarë për faktin që në një anketim kaq sfidues kemi dalë me rezultat domethënës pozitiv dhe në një grup vendesh që nuk janë vende të dorës dytë, siç edhe ju e dini, dhe siç edhe ministrja e prezantoi.

Nga ana tjetër, ka disa të dhëna pozitive, shumë inkurajuese, edhe përsa i përket objektivave që kemi, duke pasur parasysh nevojën për të nxitur më tutje teknologjinë, patjetër që është shumë inkurajuese që mesatarja e mësuesve tanë që kanë lidhje me përdorimin e teknologjisë është më e lartë se sa mesatarja e të gjithë sistemeve të marra së bashku në këtë anketim.

Po ashtu, na vjen mirë të shohim që përpjekja që kemi bërë bashkarisht për partneritetin mes shkollës, prindërve dhe nxënësve, duke nxitur modelin e shkollës qendër komunitare, po duke nxitur edhe ndërveprimin mes shkollës dhe prindërve në të gjitha shkollat e Shqipërisë reflektohet si një element më pozitiv sesa mesatarja e sistemeve të anketuara.

Po ashtu është vërtet diçka shumë motivuese për ne, po patjetër duhet të jetë dhe një burim krenarie për ju dhe për gjithë trupën e mësuesve që mësuesit tanë rezultojnë të kënaqur me profesionin e tyre, gjë që me sa duket nuk është rasti në të njëjtin nivel në një sërë sistemesh arsimore të tjera që janë anketuar dhe të kënaqur me profesionin e tyre, do të thotë që nuk e bëjnë punën nga halli ose thjeshtë dhe vetëm se duhet të kenë një pagë e duhet të jetojnë, por e bëjnë, si një punë që, ashtu sikundër reflektohet edhe në anketim 85% e mësuesve e kanë zgjedhur mësimdhënien si vokacion, edhe profesion.

Tani thënë të gjitha këto dhe nuk dua të zgjatem me pjesën e gjetjeve të këtij anketimi, dua të shtoj se mbështetja e mësuesve të rinj, ulja e ngarkesës së punës, në funksion të rritjes së mundësisë për të marrë frymë, edhe për të punuar më cilësisht, si dhe integrimi gjithnjë e më i madh i teknologjisë përfshirë dhe inteligjencën artificiale në praktikat e klasës janë objektiva që duhet t’i ndjekim bashkërisht.

Po ashtu, ka një shqetësim që ne nuk na gjen, si të thuash, të papërgatitur në sensin që e dimë dhe e kemi këtë shqetësim, por që reflektohet edhe në anketim që një pjesë e mësuesve të rinj dhe posaçërisht ata nën 30 vjeç raportojnë që mund ta lënë profesionin nëse nuk do të ndjehen të mbështetur mjaftueshëm dhe nuk do ndjehen të motivuar mjaftueshëm dhe ky është një sinjal që ne e marrim shumë seriozisht.

Balancimi pastaj i kohës në mësimdhënie mes vetë mësimdhënies dhe detyrave administrative është një tjetër element që duhet bashkërisht të adresojmë përderisa shprehet edhe si një shqetësim nga ana e mësuesve dhe patjetër që zhvillimi profesional, edukimi në vazhdim i mësuesve, pjesëmarrja e tyre sistematike në trajnime për të përmirësuar cilësinë dhe për të rritur ndikimin e mësuesve në procesin mësimor është objektiv që konfirmohet edhe nga anketimi, ne jemi të vetëdijshëm për këto.

Sot, natyrisht, është një ditë e bukur për të celebruar gjithçka pozitive që raporti i këtij anketimi e nënvizon dhe patjetër që është një ditë për t’ju falënderuar në mënyrë të veçantë juve dhe përmes jush, gjithë mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë, ose më saktë, mësueset dhe mësuesit, se janë më shumë mësuese se mësues, lavdi Zotit, që jeni këta që jeni dhe që keni nderuar dhe Shqipërinë në këtë proces.

Nuk dua të hyj në sa gjëra kemi bërë ose sa gjëra po bëjmë, po dua të them që jemi shumë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë edhe të disa hapave të tjerë që duhen bërë, duke filluar nga reforma kurikulare, arsimi parauniversitar që natyrisht, është diçka që lidhet me ju dhe që garantohet përmes ndërveprimit me ju, theksi i fortë që do t’i vëmë gjithmonë e më shumë bashkërisht shkencës, teknologjisë me një mirëkuptim të madh për domosdoshmërinë gjithmonë e më evidente që të nxisim më shumë inxhinierinë, të nxisim më shumë matematikën dhe të integrojmë sa më shumë AI në procesin mësimor.

Nga ana tjetër, është e domosdoshme që të punojmë së bashku për të vetëdijësuar nxënësit për atë që sot është kryefjala e BE dhe do të jetë kryefjala e qënies sonë si pjesë e BE-së, – shumë më shpejt se ç’mund ta mendojmë sot, pasi koha kalon me shpejtësi dhe fundi i 2027 është njësoj si nesër, – që është tranzicioni i gjelbër brenda sfidës së madhe të ndryshimit të klimës dhe që nënkupton rritje të përgjegjësisë individuale, qytetare, në raport me mjedisin, në një sërë aspektesh, apo toleranca dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me tjetrin, me të tjerët, duke u përpjekur bashkërisht që ta nxisim përmes lehtësimit sa më të madh të mundshëm të të gjithë asaj ngarkese të tashme, që fëmijët,  të rejat e të rinjtë, nxënësit marrin nga rrjetet sociale  në formën e urrejtjes, në formën e brutalitetit, në formën e vulgaritetit që janë ndikime të mëdha, shumë të mëdha me të cilat ju përballeni në pjesën e parë të ditës dhe pastaj prindërit përballen në pjesën tjetër të ditës.

Gjithësesi, ne besojmë shumë tek ju, kemi besuar tek ju edhe përpara sesa ky anketim të tregonte në mënyrë shkencore që ju meritoni të gjithë besimin dhe të gjithë respektin e shoqërisë, ndryshe nga çfarë mund të duket nga larg ose ndryshe nga çfarë në mënyrë të përsëritur, sidomos deri disa vite më parë, mund të jetë thënë dhe mund të jetë propaganduar nga rrjetet sociale për figurën e mësuesit dhe ne jemi shumë krenarë për këtë, për hir të së vërtetës sepse rivënia në vend e autoritetit të mësuesit është një sfidë shumë e madhe e kësaj kohe, një autoritet që e gjetëm shumë të lënduar nga koha, shumë të lënduar nga politizimi i i tejskajshëm i sistemit, shumë të lënduar nga fakti qe mësuesit nuk kishin asnjë garanci për vendin e tyre të punës, nuk kishin asnjë garanci për vlerësimin sipas meritës, nuk kishin asnjë garanci për asgjë dhe të gjitha i kishin të lidhura me teserën e partisë ose me lidhje të një natyre tjetër.

Ndërkohë që sot është praktikë e konsoliduar, që jeni të paprekshëm në vendin tuaj të punës, pavarësisht se çfarë bindjesh politike mund të keni apo pavarësisht se si mund t’i shprehni ato dhe ndërkohë është praktiktë e konsoliduar që nuk ka më lëvizje mësuesish nga një vend në një vend tjetër, ose marrje në punë të mësuesve për shkaqe të tjera jashtë testit dhe jashtë strukturës tanimë të ligjëruar nga parlamenti i Shqipërisë, të portalit ‘’Mësuesit për Shqipërinë’’, ku të gjithë vendosin përmes aplikimit kandidaturën e tyre për të qenë pjesë e trupës suaj dhe pastaj sipas meritës të vlerësohen dhe ky që në dukje, duket një fakt, që as nuk duhet të diskutohet ndonjëherë, është një fakt i një kohe përpjekjesh dhe përtej këtij fakti pastaj, janë dhe faktet e tjera të përmirësimit të situatës suaj financiare, të përmirësimit të kushteve të punës, që janë shumë të rëndësishme, investimeve të bëra në shkolla, mbështetjes për nxënësit me libra falas etj dhe duam të bëjmë më shumë, sidomos përmes programeve jashtëmësimore në mënyrë që t’i mbajmë nxënësit sa më shumë të lidhur me aktivitete dhe me praktika, që zhvillohen jashtë pasqyrës së “shejtanit’’ që na rri në xhep, – nuk e di, unë e kam lënë në makinë kur erdha këtu sepse është e domosdoshme – dhe ashtu sikundër programi i sportit po na jep sodisfaksione dhe mbi 12 mijë fëmijë tanimë janë të inkuadruar  në një lëvizje sportive në shkollë dhe po zgjerojmë dhe numrin e disiplinave sportive, përtej basketbolllit dhe përtej volejbollit për vajza dhe për djem, të zhvillojmë edhe programin e arteve dhe zejeve.

E kam folur edhe me ministren, që i duhet dhënë një shtysë e mëtejshme atij programi, por që t’i japim një shtysë të mëtejshme atij programi, duhet të organizohemi më mirë edhe duhet të kemi një sistem më të qëndrueshëm pune dhe natyrisht që duhet të mendojmë edhe për shpërblimin ekstra të atyre që do merren me këtë program, se nuk mund t’i themi mësuesve tani, që ‘’mbasi mbaroni orët e mësimit,duhet të rrini dhe pasdite për të bërë këtë pjesën tjetër dhe ndërkohë të paguheni njësoj si ata që mbarojnë orët e mësimit dhe shkojnë në shtëpi’’.

Në mbyllje edhe një herë ju falenderoj shumë për gjithçka, sinqerisht. Besoj që e kam idenë deri diku,jo plotësisht, të vështirësisë që keni për t’u përballur me gjithë ata “çerrat” që janë një gjë komplet tjetër nga çfarë kemi qenë ne, domethënë unë që kam qenë në këtë shkollë po e po, por edhe të gjitha ju e të gjithë ju që jeni më të rinj se unë, se tani koha kalon, vitet kalojnë dhe nga koha kur kërkoja nëpër sallë bashkëmoshatarë të rinj si puna ime, për të luftuar me të vjetrit, tani ka ardhur koha që të kërkojmë nëpër sallë ndonjë bashkëvuajtës si puna ime që numëron fijet e flokëve, të cilave u ka humbur dhe ngjyra, kështu që, jo vetëm përsa më përket mua, por dhe sa përsa ju përket juve, krahasimi me çerrat sot është shumë i vështirë sot ,se çerrat sot kanë informacion shumë më tepër por shumë më të pakontrolluar dhe shumë më të paorientuar edhe vijnë në shkollë me një “shok në xhep” që e mçefin si të munden e sa të munden, ndërkohë që sa të dalin nga shkolla direkt me atë shokun fillojnë edhe bëjnë një jetë tjetër që s’ka lidhje fare me çfarë i thoni ju, ose me çfarë ju themi të gjithë bashkë, kur na futen nëpër shtëpia, se ai shoku i thotë që ne jemi të gjithë pa lidhje, ndërkohë që jeta e vërtetë është ajo aty ke ekrani me “lloj-lloj qensh”, e “me lloj-lloj budallenjsh” që i argëtojnë “çerrat”.

Megjithatë, kjo është sfida, ne besoj që fakti që e dimë është gjysma e punës dhe sa më shumë që të përpiqemi së bashku dhe sa më shumë të kuptojmë njëri-tjetrin, në mënyrë që ju të keni gjithë mbështetjen që ju duhet dhe të keni gjithë mirëkuptimin që ju duhet për të bërë si duhet punën tuaj, po dhe ne të kemi gjithë atë qartësinë që na duhet, për si ne mund t’ju ndihmojmë për të bërë punën tuaj aq më shumë, do jemi një ndihmë konkrete për “çerrat”.

Shumë faleminderit, shumë respekt, edhe çdo të mirë, nerva të forta, shëndet, motivim dhe patjetër që ne jemi në mbështetjen tuaj.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.