Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Petrelë po zhvillohet finalja e garës ndërkombëtare për Parkun e Besimit (Faith Park), një projekt unik që synon të ndërtojë një hapësirë publike kushtuar harmonisë ndërfetare, përmes natyrës dhe simbolikës shpirtërore. Dymbëdhjetë ekipe finaliste të përzgjedhura nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia prezantojnë në kryeqytetin shqiptar konceptet e tyre për këtë park inovativ.

Arkitektët më të njohur ndërkombëtarë do të paraqesin idetë e tyre përpara një jurie të specializuar, me synimin për të përzgjedhur projektin fitues që do të formësojë këtë hapësirë të veçantë. Parku i Besimit do të mishërojë elemente nga shkrimet e shenjta – pemë, lule e fruta me simbolikë të thellë – për të ofruar një përvojë reflektimi, bashkëjetese dhe dialogu ndërkulturor, në përputhje me traditën e tolerancës fetare në Shqipëri.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Pikë së pari faleminderit shumë që jeni të gjithë këtu si miq, si ndërtues urash, si rojtarë të kujtimeve, si bashkudhëtare në këtë tokë.

Më lejoni ta nis duke thënë se për mua personalisht është një moment fantastik, sepse qysh prej shumë kohësh flas e pres padurim që kjo nisëm të gjejë hapësirë e të nisë të gjallojë.

Sot jemi mbledhur në këtë vend që dikur formësohej nga gjuha e ashpër e urdhrave, e divizione të kazermave ushtarake, një vend ku uniformiteti marshonte shumë më fort sesa uniteti dhe ku po bëjmë një transformim falë talentit të Kengo Kumas dhe këmbënguljes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Me shpresë së shpejti do të kemi mundësi që ta hapim, të çelim këtë hapësire për një qëllim krejt të ndryshëm e për aktivitete krejt të tjera, për njerëz krijues të talentuar e për këdo që na viziton e kërkon ta ndajë këtë hapësirë.

Por më shumë se kaq, po rrekemi sot të nisim diçka më të butë, po nisim të mendojmë në terma konkrete përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zone të tërë përreth, që do të bëhet parku i besimit. Ky është shumë më tepër sesa ndryshimi i një hapësire, besoj që është një transformim kuptimplotë dhe nuk ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por me marrjen e saj, me shërbimin e saj, duam tw mbjellim pemë, duam të mbjellim shpresë e vazhdimësi.

Parku i Besimit nuk është simbol i fesë, krejt tjetër është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, vetëm ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve të ullirit në erë dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte vetëm thjesht një sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë, dhe në fakt dua që t’ju them diçka nga ato ku thotë: “Zoti mbolli kopshtin e Edenit në lindje dhe pastaj vendosi njeriun”. Dhe këto pemë që janë fik, shegë, hurma nuk u zgjodhën thjesht për bukuri, por ishin bashkudhëtarë profecie, qëndruan në hije të zbulimit, u rritën në dëshirën e përgjërimin e kohës dhe u kthyen në strehë për ekzil, për mëshirë, e kështu me radhë.

Kurani thotë: “Ai rrit bimësinë për kafshët dhe gjithashtu edhe pemët e bimët për tu përdorur nga njerëzit”. Ndërkohë që Matthew na kujton që çdo pemë që nuk jep frut e pritet dhe hidhet në zjarr, kështu që përmes frutave të tyre do t’i njihni”, ndaj ky park nuk është aspak një muze besimi, është një skripturë e gjallë, që nuk shkruhet me bojë, por me rrënjë, jo me doktrina, por me hije, pemë e tokë, një hapësirë që heshtja nuk është mungesa e zërit, por prania e vëmendjes dhe natyrisht, është një park që ngërthen besime, përkatësi, e ky park në përmasat e veta mjaft modeste, po në një deklaratë shumë të fortë ofron një kundër-argument, një vend ku askush nuk pyetet në ç’anë qëndrojnë, po e vetmja pyetje është: A mundesh ende të mrekullohesh nga jeta?

Dhe ne shqiptarët, me që ra fjala nuk kemi nevojë ta shpikim tolerancën, sepse prej kohësh kemi lindur në të, jemi rritur prej saj. Qytetet tona janë rritur me xhami, kisha, teqe e manastire krah për krah. Ajo çfarë ka ndodhur me të gjithë ato në atë periudhë të errët, ku me dinamit u kërkua që feja të çrrënjosej nga kjo tokë kishte dhe një mësim shumë më i madh i arsyes përse kemi nevojë për tolerancën. Dhe sigurisht, siç e thashë, trashëgimia jonë nuk ka qenë përherë e lehtë, por ka qenë e urtë, me urti deri në pikën ku me të drejtë Papa Françesku e pagëzoi si vëllazëri fetare. Urtia e të jetuarit së bashku që fitohet, e po kështu është edhe inerci.

Ndaj ky park e nderon edhe këtë trashëgimi, por po kështu na bën thirrje të gjithëve të ecim përpara. A mundemi ende ta nderojmë këtë trashëgimi? A mund ta njohim të shenjtën, jo vetëm në lutje, por edhe në rritjen me durim të një pemë? Është po kështu përgjigje ndaj dhunës që bëhet në emër të së shenjtës, ndaj një kulture që harron të dëgjojë, ndaj një brezi që gjendet përpara një rreziku të madh të humbjes së dijes shpirtërore dhe këtu thuhet: “Kur pushtoni një qytet, mos i prisni pemët, duke iu rënë me sëpatë, mund të hani prej tyre, por nuk duhet t’i pritni. A janë pemët në fushë njerëz që ju duhet t’i prisni. Kjo është deuteronomia dhe në fakt nuk do ketë simbole, as statuja krenarie a fuqie e pushteti këtu në këtë park, vetëm pemë dhe ujë sepse uji po kështu është i shenjtë. Ai rrjedh prej Edenit, ai lan duart, përdoret për pagëzim. Lan duart përpara faljes. Uji na lidh së bashku shumë, shumë më tepër seç mendojmë. Çdo gjë e gjallë është bërë prej uji, thotë Kurani. Dhe në fakt të qenit pranë ujit të qetë ringjall shpirtin. Ja pse ne kërkuam nëpër botë dhe falë kësaj ushtrie të mrekullueshme bota u përgjigj nga Danimarka, Portugalia, Britania, nga Belgjika dhe nga Holanda deri në Meksikë, pa harruar gjermanët e italianët që erdhën jo për tu imponuar, por për të dëgjuar.

Një ushtri e cila nuk kërkon të pushtojë por të imagjinojë dhe të na ndihmojë të gjithëve të imagjinojmë. Sollën këtu zejen e tyre, artin, kulturën e tyre, ndoshta edhe pa e vënë re edhe të tjera gjëra.

Pra, le të shijojmë një ditë të bukur krijimtarie dhe më lejoni t’ju kujtoj diçka që e adhuroj vërtetë në të gjitha shkrimet e shenjta. Është një hadith i profetit Muhamed paqja e Zotit qoftë mbi të, që thotë “nëse ora, dita e gjykimit vjen ndërsa një prej jush ka një fidan palme në duar dhe nëse ende është i mundur ta mbjellë përpara se ajo të vijë, atëherë ta mbjellë”.

Pra edhe nëse bota mbaron, merr fund sot, që nuk është rasti, të mendosh sesi të mbjellësh pemë është mënyra më e mirë për t’i shkuar e kaluar kësaj ore të fundit. Faleminderit shumë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.