Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama do të mikpresë ditën e hënë më 13 tetor Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila vjen në Tiranë, në kuadër të zhvillimit të Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Kryeministri Rama dhe Presidentja Von der Leyen do të zhvillojnë një takim në Kryeministri dhe më pas do të mbajnë për mediat e pranishme një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në vijim, në Pallatin e Kongreseve do të çelet Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku Kryeministri Rama dhe Presidentja e KE Ursula von der Leyen do të adresohen me një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e nënshkrimit të Letrave të Qëllimit (LOI), të cilat i paraprijnë marrëveshjeve të ardhshme në fusha me interes të ndërsjellë, do të vijojë axhendën e ditës së parë të Forumit, diskutimet e të cilit janë konceptuar në dy panele kryesore: “Mundësitë e investimeve në Ballkanin Perëndimor 6 në kontekstin e ri gjeopolitik” dhe “Investimet në Ballkanin Perëndimor 6 si burim i ri i konkurrueshmërisë dhe potencialit të rritjes.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.