Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e punës në terren të Crown Agents:

Jam shumë i kënaqur që më në fund, mbas një përpjekjeje jo të vogël dhe një kohe relativisht të gjatë përgatitjesh, sot fillon në terren veprimtaria e përbashkët e doganave shqiptare me Crown Agents, një trupë që ne e kemi kërkuar me shumë dëshirë dhe me shumë besim se do të rrisë në mënyrë shumë të ndjeshme, qoftë për sipërmarrjet, për eksportuesit dhe për importuesit shqiptarë, qoftë për arkën e shtetit, sigurinë, në gjithë cilësinë e veprimtarisë së doganës shqiptare.

Siguria në marrëdhëniet e eksportuesve dhe importuesve me shtetin është edhe një çështje prioritare. Siguria në marrëdhëniet e çdo sipërmarrjeje me çdo doganier apo doganiere të Shqipërisë është një çështje prioritare dhe siguria e publikut se në arkën e shtetit nga ku pastaj dalin të gjitha paratë për të financuar shkollat, për të financuar spitalet, për të financuar të gjitha shërbimet e shtetit, për të financuar  rritjen e rrogave dhe pensioneve garantohet nga ky ndërveprim dhe garantohet nga Dogana e re e Shqipërisë. Them Dogana e re e Shqipërisë, sepse realisht jemi në procesin e një transformimi rrënjësor dhe historik për doganat e Shqipërisë dhe çdo pikë doganore.

Drejtimi i ri i doganave, ashtu si drejtimi i ri i Tatimeve, ashtu si drejtimi i ri në tërësi i shërbimeve të vendit, bazohet tek filozofia e re se shteti është në shërbim të qytetarit; se doganat e tatimet janë në shërbim të sipërmarrjes; se nuk janë presioni, nuk janë gjobat, nuk janë shtrëngesat, të cilat sipërmarrja i ka vuajtur në vijimësi, nuk është asnjë mënyrë, arbitrariteti dhe brutaliteti ndaj sipërmarrjes që do të rrisë të ardhurat dhe do të rrisë mirëqenien përmes rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, por është një marrëdhënie transparente, një marrëdhënie e ndershme, një marrëdhënie e drejtë, e bazuar në besimin reciprok, tek Kushtetuta, tek ligji dhe tek detyrimet reciproke, nga njëra anë, të shërbëtorëve të shtetit në dogana e tatime dhe nga ana tjetër të krijuesve të mirëqenies, të eksportuesve dhe importuesve, që janë partnerët tanë strategjikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe nuk janë një kundërpalë, me të cilët ne jemi ballë për ballë dhe në një lojë “macja me miun”.

E pra, për të shkuar më tutje dhe për të forcuar themelet e kësaj politike të re që ka filluar të marrë jetë në doganat e Shqipërisë, që ka filluar të marrë jetë në tatimet e Shqipërisë, por që është ende larg së qenit fuqia e ndryshimit që ndjen çdo qytetar dhe që ndjen çdo sipërmarrës në raport me këto shërbime, ne ia kemi besuar partneritetit me Crown Agents, ndarjen e barrës së kësaj sfide.

Crown Agents ka një histori të gjatë suksesi. Një histori të gjatë suksesi të ngritur në një prej territoreve më demokratike të botës, Britaninë e Madhe dhe të shtrirë pastaj në shumë anë të borës; Ka një histori suksesi në vende dhe realitete ekonomike dhe sociale të ngjashme me Shqipërinë; Ka një histori suksesi në vende që përpara nesh kanë ndërmarrë reforma të thella të doganave, në përpjekje për të ecur më shpejt në rrugën e integrimeve; Ka një histori suksesi në përpjekjen për të kaluar nga një fazë marrëdhëniesh dhe sjelljesh primitive, në një fazë të re ku siguria në marrëdhënien mes sipërmarrjes e shtetit garantohet përmes inovacionit, garantohet përmes progresit të vazhdueshëm dhe të ndjeshëm, qoftë nga sipërmarrja, qoftë nga shteti, qoftë në formën e rritjes së besimit të sipërmarrjes tek shteti, qoftë në formën e rritjes së të ardhurave të shtetit përmes një marrëdhënie të qëndrueshme, strategjike, me sipërmarrjen.

Të ardhurat në dogana në këtë gjashtëmujor të parë të qeverisjes së re kanë shënuar rritje të ndjeshme. E, të mos harrojmë, rritje të ndjeshme në kushtet kur drejtimi i ri i doganave ka nisur si marrje në dorëzim e një gjendjeje të rrënuar morale, e një gjendjeje të rrënuar infrastrukturore, e një gjendjeje të rrënuar strukturore në të gjithë shërbimin tonë doganor.

Në një gjendjeje që do më lejoni ta ndaj me ju, e përshkruan më së miri, njësoj sikur të kishte kaluar në doganë vetëm pak kohë më parë, as më shumë e as më pak, Faik Konica, i cili tek “Doktor Gjilpëra” e shënjon qysh kur nuk mbahet mend, atë që sipërmarrësit e qytetarët kanë mundur ta përjetojnë në doganë, deri shumë pak kohë më parë. “Ai mori valixhen në dorë… Në doganë i doli përpara një turmë e errët, njerëz të verdhë, me fytyra të lodhura, dy policë brutalë i shtynin me të mëngjër e me të djathtë dhe udhëtarët hynin në binanë e doganës… Këtu, doganierët, me fytyra të palara e të thartuara, nisnin gërvishtnin plaçkat. Dr. Gjëlpëra kishte kapërcyer shumë kufij, po asgjëkund nuk kishte gjetur një tërbim kërkonjës aq të madh.”

“Tërbimi kërkonjës” është i pari që e ka shoqëruar doganën shqiptare në shumë vite. “Tërbimi kërkonjës” është i pari që e ka shoqëruar shërbimin e tatimeve në Shqipëri në shumë vite. “Tërbimi kërkonjës” në xhepat e çdo biznesmeni, “Tërbimi kërkonjës” në xhepat e çdokujt që fati, puna, detyra, detyrimi, rruga e sjell dhe e ka sjellë në vite, qysh nga kohët e vjetra e deri në kohët më të reja në dyert e doganave dhe tatimeve.

“Keni për të paguar pesë napolona”, thanë doganierët. “Pesë napolona? Po pse?” “Se keni shumë çorape, keni shumë shami, keni shumë këmishë dhe keni shumë jaka. Një njeriu të vetëm nuk i duhen as çereku i atyre që ju keni në valixhe.”

Shumë çorape, shumë shami, shumë këmishë e shumë jaka, besoj se mund ta thotë nga eksperienca personale çdo importues, çdo eksportues, çdo njeri i interesuar të investojë në këtë vend.

E pra, marrëdhënie jonë me Crown Agents, ndërveprimi ynë i ri mes doganave të Shqipërisë dhe Crown Agents është një shtysë e re përpara kundër “tërbimit kërkonjës” tradicional në xhepat e njerëzve dhe në xhepat e sipërmarrësve. Është një shtysë përpara kundër “tërbimit kërkonjës” që ka mjeruar, kur thotë populli, ekonominë dhe financat tona. Është një shtysë përpara kundër “tërbimit kërkonjës” për t’u mbushur arkën e shtetit, atëherë kur ministri duhet të dalë që të tregojë se realizoi planin përmes gjobave dhe përmes kërkimeve brutale në çdo kontenier dhe në çdo tra, vetëm e vetëm me një qëllim për të nxjerrë lekët dhe për t’i thënë ministrit bëmë planin.

Kjo histori ka marrë fund! Por që të fillojë të konsolidohet historia e re na duhet një punë kolosale.

Na duhet një punë kolosale, që unë dua ta nënvizoj, nuk është vetëm puna që sot po bëjnë doganat e Shqipërisë, që sot po bëjnë doganierë dhe doganiere që ka punuar këtu prej kohësh apo të reja e të rinj që kanë ardhur, natë-ditë në terren, por është edhe puna për të rritur cilësinë e kapitalit njerëzor që ne kemi në doganë. Bashkë me Crown Agents, ne do të nisim shkollën, në kuptimin më të mirë të fjalës, të doganierëve dhe doganiereve të Shqipërisë, kurset e paspunës, të përjavshme, për të rritur kapacitetin e dijeve dhe për të rritur kështu mbi eksperiencën e shumë doganierëve, edhe besimin e madh se përmes dijes, një marrëdhënie e re do të fuqizohet mes doganave dhe sipërmarrjes.

Nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Nuk janë ata që kanë punuar e vazhdojnë të punojnë këtu që e kanë nxitur “tërbimin kërkonjës”, apo që janë përgjegjësit për korrupsionin dhe për degjenerimin e doganave. Por është sistemi i ndërtuar që e ka bërë të pamundur që të jetë ndryshe. Është sistemi i ri që ne do të ndërtojmë që do e bëjë të mundur që çdo një nga doganieret apo çdo një nga doganierët e Shqipërisë të jetë aty me dinjitet dhe t’i shërbejë me krenari vendit dhe familjes së vet, duke hequr damkën e “kërkonjësit të tërbuar”, që fatkeqësisht, çdonjëri e merr në kurriz, jo domosdoshmërish për faj të vet, por për shkak të një sistemi të kalbur dhe të korruptuar ku është përfshirë.

Merita jonë të nesërmen do të jetë që së bashku me Crown Agents të ndërtojmë një sistem të ri. Në prill-maj-qershor të gjithë doganierët, të gjithë doganieret, të gjithë strukturat e doganave do t’i nënshtrohen këtij procesi të rritjes së kapacitetit njerëzor, të rritjes së kapacitetit të dijes mbi gjithë praktikat dhe njëkohësisht, mbi gjithë strukturën e re të qasjes dhe sjelljes që kërkon dogana shqiptare, bazuar në filozofinë e re. Dhe në fund, gjithë do t’i nënshtrohen një provimi. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe punonjësit e tatimeve në gjithë Shqipërinë. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe punonjësit e agjencive kombëtare në gjithë Shqipërinë. Të njëjtën gjë do të bëjnë me radhë të gjithë punonjësit e këtij shteti që kanë detyrimin t’u shërbejnë qytetarëve.

Nuk është vetëm vullneti i mirë, por është vetëdija e mjaftueshme që na ndihmon të ndërtojmë marrëdhënie të sigurta, marrëdhënie progresive me sipërmarrjen. Nuk është vetëm ndershmëria, por është edhe kapaciteti intelektual i çdokujt që ka në dorë fatin e një procedure dhe për këtë Crown Agents do të jetë një ndihmë e shkëlqyer se një nga virtytet e kësaj trupe të shkëlqyer është pikërisht rritja dhe fuqizimi i kapitalit njerëzor.

Jam i bindur që pas tre muajsh, në fund të qershorit, secili, secila do të ndjehet shumë më mirë me veten e vet, me profesionin e vet, me punën e vet, me vendin e vet të punës, se do të jetë shumë më i kualifikuar apo e kualifikuar, falë kësaj shkolle. Ndërkohë dua të përfitoj nga rasti t’ju them se ne do të vëmë në funksion, edhe Akademinë Fiskale të Shqipërisë. Akademia Fiskale do të jetë një shkollë permanente dhe të gjithë punonjësit e doganave dhe tatimeve, gjatë gjithë karrierës së tyre, ashtu siç e kanë të gjitha vendet normale të Evropës ku ne duam të integrohemi, për të përditësuar dijet, për t’u njohur me masat, me vendimet, me ligjet e reja dhe për të qenë në gjendje që gjithçka që ndryshon në legjislacion të mund të zbatohet menjëherë dhe pa u kthyer në kosto për sipërmarrjen dhe qytetarët. Po ashtu për t’u njohur me teknologjitë e reja, për të qenë pjesë e një procesi inovacioni dhe për të garantuar progres të vazhdueshëm.

Më besoni jam shumë optimist, shumë besimplotë dhe shumë i kënaqur sot, që, më në fund, ky ndërveprim do të fillojë me fuqi të plotë, 24 orë në 24 dhe grupet e përbashkëta të Crown Agents dhe të Doganës së Shqipërisë do të fillojnë jenë syri i publikut shqiptar në çdo pikë doganore, për t’i dhënë fund qoftë procedurave të tejzgjatura pa qëllim, qoftë një tërësie defektesh sistemike që i kanë humbur shumë besueshmërinë doganave.

Unë dëgjova fjalët më të mira edhe për pjesën shqiptare që është përfshirë në këtë ndërveprim, drejtpërdrejtë gjithë gratë e burrat, vajzat e djemtë që janë këtu të pranishëm, si dhe i uroj t’i gëzojnë me sukses uniformat e reja, edhe më të reja e më të bukura do të jenë uniformat pas muajit prill, falë ndryshimit që do të sjellë një proces që ka shumë rëndësi, sepse ka shumë rëndësi edhe ajo dukje që e bënte Faik Konicën t’i përshkruante doganierët ashtu siç i përshkruan, apo që i bën doganierët kudo në Evropë të jenë kaq të respektuar dhe kaq lart të vendosur në hierarkinë e njerëzve me vlera të një vendit.

Jam i bindur se pas këtij ndërveprimi të gjithë doganierët tanë do të jetë vetiu mësuesit dhe trajnerët e atyre të tjerëve, për të mundur që në fund të kontratës me Crown Agents, për të cilën unë jam i bindur se do jetë i suksesshëm. Shpresoj të jetë sa më e shkurtër dhe se Crown Agents do të dojë të jetë sa më e gjatë, por po ishte sa më e gjatë, unë mund të them se ne nuk po punojmë ashtu siç duhet, po ishte sa më e shkurtër, unë them se këta e bënë me sukses punën. Të mundemi që siç kemi sot këtë trupë ekselence, t’ju kemi juve, gjithë shqiptarët e angazhuar në këtë ndërveprim të parë, trupën e ekselencës që do të kalojë eksperiencën tek tjetri. Kjo do të jetë prova e asaj ë kam thënë gjithmonë, shqiptarët nuk janë më të korruptueshëm sesa anglezët apo se gjermanët apo se suedezët e norvegjezët, se i ka bërë Zoti më të korruptueshëm, por sepse u ka qëlluar të punojnë në një sistem që korrupton.

Duke ndërtuar një sistem që mbyll shtigjet e korrupsionit, ju e provoni se pavarësisht se anglezët do të ikin, bashkë me të tjerët se këtu s’janë vetëm britanikë, do të mbeteni ju dhe asgjë nuk do të ndryshojë nga pikëpamja e transparencës dhe integritetit. Çka do të tregojë që është sistemi që bën të mundur që doganat, pavarësisht se janë në Britani apo është në Shqipëri funksionojnë njësoj, si pjesë e të njëjtës hapësirë evropiane, si pjesë e të njëjtave standarde, si pjesë e të njëjtës vijë sjelljeje.

Kjo është ambicia jonë. Unë janë i bindur se të gjithë së bashku do ta realizojmë dhe jam i bindur që kushdo ndër doganierët tanë që po më dëgjon tani dhe po thotë se mbase ky po e ekzagjeron pak me optimizmin, do të më japë të drejtë në fund të këtij ndërveprimi. Kjo është arsyeja që Crown Agents ka ardhur këtu. Ka ardhur këtu jo thjesht që të rrisim të ardhurat, por kanë ardhur këtu që të na ndihmojmë të kalojmë nga një epokë në një epokë, nga një sistem në një sistem, nga një sjellje në një sjellje dhe praktikisht, të bëjmë integrimit evropian të doganave. Nëse sot dogana jonë nuk integrohet dot në Evropë kështu siç është, falë ndihmës së Crown Agents nesër të jetë një doganë si në çdo vend të Evropës. Jam i bindur që integriteti britanik i pengon që mos na i tregojnë të gjitha menjëherë që të shtyjnë kontratën.

***

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, nisi sot punën në terren, ekipi i kompanisë britanike, “Crown Agenst”, e kontraktuar nga qeveria shqiptare për të asistuar në reformimin e sistemit doganor shqiptar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.