Fjala e kryeministri Rama, mbajtur në çeljen e Zyrës së re të punës në qytetin e Kavajës:
Përshëndetje të gjithëve!
Është kënaqësi sot, që këtu në Kavajë, vijmë për të çelur këtë zyrë të re të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, falë mbështetjes dhe madje, jo vetëm mbështetjes, por dhe iniciativës së Kryetarit të Bashkisë dhe deputetit të Kavajës që kaluan përtej planit të paraparë nga ministria dhe mundësuan me ndihmën e biznesit, çeljen në një kohë rekord, të kësaj zyre.
Sigurisht, nuk është më surprizë për ne që drejtuesit politikë, këtu në Kavajë, qoftë kryetari i bashkisë, qoftë deputeti, qoftë edhe grupi drejtues, janë në pararojë e përpjekjeve për të përmirësuar në vijimësi dhe intensivisht cilësinë e jetës së këtij komuniteti, dhe në pararojë të përpjekjeve për të hapur vende te reja pune.
Dua të përgëzoj dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për këmbënguljen dhe faktin se të gjitha zyrat e punës, po ndërtohen dhe po çelen njëra pas tjetrës, sipas planit dhe afateve të parashikuara.
Këtu në Kavajë është një ditë e shënuar, sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm për papunësinë që si gjithandej e gërryen këtë qytet dhe këtë komunitet njerëzish, ku pa asnjë dyshim ka një vullnet për punë dhe sapo krijohen mundësitë e reja, menjëherë këto komunitete dhe njerëzit në nevojë për punë, i shfrytëzojnë.
Sot, duhet thënë që Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, kanë dhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm, që është mbështetja dhe fuqizimi i sipërmarrjes, përmes vënies në dispozicion të sipërmarrjes; përmes vënies në dispozicion të atyre që duan të bëjnë investime të reja; që kanë në dispozicion vende të reja pune, të një kapitali njerëzor, që është i regjistruar dhe është i skanuar me kategori, me kualifikim, me të gjitha të dhënat e nevojshme, që biznesi të mos humbasë kohë dhe të mos humbasë mundësitë për të bërë përzgjedhjen më të mirë.
Ne këtu, e përmendi pak më parë dhe ministri, jemi në një proces, edhe njëherë tjetër, falë deputetit, falë Kryetarit të Bashkisë, për të krijuar së shpejti një zonë industriale pranë qytetit të Kavajës, e cila do të shërbejë si një platformë për ndërtimin e kapanoneve, për të zhvilluar investimet në industrinë e fasonëve dhe pastaj sigurisht për të qenë në dispozicion dhe në investime të tjera, në drejtime të tjera, por me natyrë prodhuese.
Nga ana tjetër, po përgatisim një paketë shumë të rëndësishme mbështetëse për industrinë fason, e cila ka një tipar shumë karakteristik që zhvillohet shpejt dhe krijon shpejt vende të reja pune, çka ne na intereson në mënyrë të posaçme. Këtu në Kavajë, ne kemi dhe një të dhënë tjetër që është e rëndësishme të nënvizohet, 2555 gra dhe vajza që janë pa punë dhe që kërkojnë punë, pra janë persona të regjistruar si punëkërkues.
Nga ana tjetër, është koha që të shpjegojmë me durim dhe të gjithë ta kuptojmë se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh, shteti nuk mund të jetë as punëdhënësi kryesor. Punëdhënësi më i madh pa dyshim është sipërmarrja private. Prioriteti kryesor, rritja e punësimit është domosdoshmërisht e lidhur me krijimin e kushteve optimale për të nxitur sipërmarrjen që të zgjerohet dhe për të nxitur investimet e reja vendase dhe të huaja.
Nga ana tjetër, zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ne i shikojmë si pikëtakime mes sipërmarrjes që kërkon të zgjerohet dhe kërkon që të rrisë cilësinë e asaj që realizon dhe shtetit që i vë në dispozicion nga njëra anë sipërmarrjes dhe nga ana tjetër punëkërkuesve, këtë pikë takimi, duke i lehtësuar ndërmjetësimin. Ka një fakt shumë të thjeshtë; Ky është vetëm fillim, por është një fillim mjaft i mbarë, nisur nga fakti se vetëm në një muaj tre zyra të sapoçelura pune kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar punësimin e 1055 personave. Ndërkohë që i gjithë rrjeti kombëtar i punësimit në Shqipëri, vitin e kaluar ka arritur të ndërmjetësojë për rreth 600 vetë. Pra, është bërë në një muaj me tre zyra, dyfishi i punës së bërë nga i gjithë Rrjeti Kombëtar i Punësimit në një vit. Ky është një tregues i mjaftueshëm për të kuptuar se jemi në një rrugë të mbarë, për të kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një infrastrukturë të re, tërësisht moderne e bashkëkohore dhe për një staf të kualifikuar me trajnime apo me ekspertë të huaj, brenda këtyre zyrave, por këtu bëhet fjalë për një politikë tërësisht të re dhe për një shërbim tërësisht të ri kombëtar të punësimit. Shifra që ju thashë është vetëm për muajin janar, por ne kemi një zhvillim të vazhdueshëm në këto tre zyra pune.
Të tjera do të hapen mbas kësaj të Kavajës, në Elbasan, në Korçë, pastaj në Shkodër. Kështu hap pas hapi, do të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, brenda këtij viti. Ndërkohë që vijnë oferta të reja nga sipërmarrja dhe të tjerë punësohen falë këtyre zyrave të punës.
Kemi një mesatare të përditshme prej 3000 vende pune në dispozicion në këto tre pikëtakime, të cilëve iu shtohet dhe ky pikëtakim i katërt.
Dua të shtoj se ka dhe një të dhënë tjetër që na inkurajon edhe pse përsëri është shumë pak dhe ky është vetëm fillimi. Fatkeqësisht, tradita e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, është një traditë aspak inkurajuese. Një Shërbim Kombëtar Punësimi që arrinte të ndërmjetësonte në vit, më pak njerëz se sa ç’kishte shërbimi vetë. Shteti paguante me rroga më shumë njerëz, sesa njerëzit me të cilët këta merreshin për t’u gjetur punë. Kjo ka bërë që, nga njëra anë, me të drejtë, njerëzit në nevojë për punë, të mos trokasin në zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe nga njëra anë sipërmarrja të mos i referohej zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Është kjo që ne kemi filluar të ndryshojmë. Për këtë dua të falënderoj, -është bërë ritual tashmë që duhet të falënderojmë sa here hapim një zyrë pune,- zotin Luan Bregasi që po asiston me shumë pasion dhe thënë të drejtën është njeriu kyç në lidhjen mes nesh si qeveri dhe komunitetit të biznesit, për t’i bërë të mundura këto mjedise dhe për t’i vënë në dispozicion të qytetarëve.
Por sot dua ta falënderoj për diçka tjetër, për faktin që qoftë nëpërmjet “Bussines Albania”, qoftë nëpërmjet disa strukturave të tjera, po na ndihmojnë për të sensibilizuar biznesin që t’i drejtohet zyrave të punës dhe t’i japë në dispozicion çfarë kërkesash ka, për çfarë lloj kualifikimesh, për çfarë lloj pune dhe sa më shumë sipërmarrja t’i drejtohet zyrave të punës, aq më shumë vende pune do të bëhen të ditura për punëkërkuesin. Vende pune që sot ekzistojnë, ose që nesër do të shtohen, por që nuk janë të ditura për shkak të mungesës së këtij rrjeti që do të ngrihet me shumë shpejtësi.
Edhe këtu shifra që tregon se diçka ka ndryshuar, është shumë e qartë; Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin vetëm 1490 perona të regjistruar me shpresën se do të gjenin një punë, ndërsa në këtë periudhë që ka filluar kjo përpjekje dhe janë çelur këto zyra të para, tanimë ka kaluar 4000 numri i personave që interesohen, që trokasin dhe që regjistrojnë emrat e tyre.
Këto përurime shërbejnë, në radhë të parë, për të sensibilizuar të dy palët, për të informuar të dy palët, për të nxitur punëkërkuesit që t’u drejtohen zyrave të punës, të regjistrojnë të dhëna e tyre dhe që punëdhënësit t’u drejtohen zyrave të punës dhe të regjistrojnë ofertat e tyre.
Duke e mbyllur, më lejoni që t’u falenderoj të gjithëve që jeni këtu, të falenderoj përzemërsisht Kryetarin e Bashkisë, të falenderoj përzemërsisht deputetin e Kavajës, i cili nuk ndodhet me ne për arsye se e kishte të domosdoshme për të shkuar në një takim pikërisht për të negociuar dhe nxitur një investim në fushën e bujqësisë, me një kompani të huaj.
Ju faleminderit të gjithëve! Me siguri dhe në Kavajë, këto zyra pune, do të tregojnë se janë një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të rritur punësimin në vendin tonë dhe për të rritur cilësinë e kapitalit tonë njerëzor.
Sigurisht, këto nuk janë zgjidhja e vetme. Nuk janë as kryefjala e përpjekjes për nxitjen e punësimit, nxitjen e investimeve, nxitjen e një rritje të qëndrueshme ekonomike, por janë pa asnjë dyshim, një instrument i pazëvendësueshëm për të lehtësuar shkuarjen përpara në një proces që nuk është as i lehtë, as i shpejtë, por që me siguri me vizionin e duhur, me programin e duhur dhe me projekte dhe njerëzit e duhur, – e të gjitha këto ne fatmirësisht i kemi, – pa asnjë dyshim përbejnë një objektiv madhor dhe plotësisht të realizueshëm.
Mirupafshim shumë së shpejti në çeljen e zyrës në Elbasan, e pastaj në Korçë, ku do të hapë dyert një godinë shumë qendrore që deri dje ishte dhënë me qera për bixhoz, e tani kthehet në një hapësirë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit për punësimin real të gjithë atyre që duan dhe meritojnë të jetojnë me një pune të ndershme.
***
Një zyrë e re e pune, moderne e bashkëkohore, iu shtua sot, rrjetit të ri të zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që po instalohet në mbarë vendin. Kavaja, është qyteti i katërt, që nëpërmjet Zyrës së çelur sot, ofron për qytetarët punëkërkues dhe ata punëdhënës, një shërbim cilësor, të denjë dhe efikas, për kërkesat e tyre.
Elbasani, Korça e Shkodra janë qytetet, ku zyrat e reja të punës do të hapin dyert së shpejti për qytetarët.