U përkujtua sot 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, në një mbrëmje solemne në Pallatin e Kongreseve, në nderim të vlerave tona kombëtare, dhe në vlerësim të njerëzve që frymëzojnë të tashmen dhe sendërtojnë të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
Në mbrëmjen, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, si dhe personalitete të tjera të shquara të fushave të ndryshme, u shfaq fillimisht dokufilmi “Urdhri i Skënderbeut në Qindvjetshin e tij – Rilindja e një shenje dalluese të Shqipërisë Europiane” shoqëruar me parakalimin dhe vendosjen në qendër të skenës të Urdhrave shqiptarë të para një shekulli dhe të këtij shekulli, të prirë nga Gjerdani i nderit të Shqipërisë, i vitit 1925.
Më pas, u zhvillua ceremonia e dekorimit të 22 personaliteteve me të tre urdhërat kombëtarë: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Zoti President i Republikës, Zonja dhe Zotërinj, Të nderuar të pranishëm,
Në çdo kthesë të historisë, kur shqiptarët janë mbledhur a janë gjendur bashkë, për të vendosur një gur të ri në rrugën e gjatë të përpjekjes kombëtare, apo për të ngritur një shtyllë të re të shtetësisë sonë të brishtë, ata i kanë kthyer sytë, me vetëdije apo pa vetëdije, nga figura që qëndron në zemër të qenies sonë si subjekt kombëtar e shtetëror: Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ai ishte pajtori i historisë sonë, shqiptari që hodhi farën e shtetit në tokën e lirisë; burri që zgjodhi luftën e drejtë në një epokë të fundosur në padrejtësi; prijësi që mbrojti atdheun me gjenialitet ushtarak e diplomatik; pagëzori i identitetit tonë kombëtar dhe i përkatësisë sonë europiane, që mu ashtu siç shkruan Ismail Kadareja, “Një emër Gjergj e kish si diellin… Tjetrin si hënën, Skënderbe.”
Sot, emri i tij na mbledh sërish këtu, njëqind vjet pas krijimit të Urdhrit të Skënderbeut, jo vetëm për të risjellë në kujtesë një akt shtetformues nga agimi i jetës republikane të Shqipërisë, por për të mbrojtur dhe nderuar idenë e meritës, me dinjitetin e rilindur të sistemit tonë të urdhërave dhe medaljeve, të vetëdijshëm se, siç thoshte Montesquieu, “Nderi është parimi që vë një popull në lëvizje” dhe kur nderohet merita, kombi e njeh më mirë vetveten.
Në dhjetor të vitit 1925, Shqipëria ishte ende një shtet i lindur mes vështirësive, nga barku i hapur mes dy tërmeteve të mëdha historike; një republikë e re, pothuajse pa institucione, por me një aspiratë të dukeshme dhe zëshme: të bëhej pjesë e Europës duke adoptuar me zell krijesat e kulturës politike të kontinentit të vjetër.
Dhe bash atëherë, republika foshnjare adoptoi edhe krijesën europiane të urdhërave e të medaljeve, duke themeluar Urdhrin e Skënderbeut, me këtë tekst:
“Për kujtim të shpalljes së Republikës në Shqipëri, më 31 janar 1925, themelohet Urdhni dhe Medalja e Skënderbeut, si i vetmi urdhën shqiptar.”
Nuk është rastësi që një republikë e sapodalë nga pelenat zgjodhi për të lartësuar, jo thjesht një shpërblim monetar për të dalluarit e vet, por një urdhër të mbështetur në meritë.
Lejomëni t’ju sjell në vëmendje këtu fjalët e Napoleon Bonapartit, i cili kur themeloi Urdhrin e Legjionit të Nderit, ishet një republikan I bindur dhe tha tha:
“Ka një qeveri, ka pushtete, por gjymtyrët e tjera të kombit çfarë janë? Kokrriza rëre. Duhet të hedhim masa graniti. Duhet t’i japim popullit një drejtim, dhe për këtë na duhen instrumente.”
Urdhri i Skënderbeut ishte pikërisisht një “masë graniti” e hedhur në themelet e Shqipërisë së re, për të vlerësuar meritën e për të nxjerrë në pah forcën e shembullit; një instrument
në shërbim të një sistemi vlerash, ku nuk është titulli që të bën të nderuar, por është nderimi që e bën meritën të përjetshme.
Fati, ose më mirë, madhështia e emrit që kishte, e desh që ky urdhër t’i mbijetojë dallgëve të njëpasnjëshme, të cilat gërryen shumëçka nën këmbët e ngrehinës së shtetit shqiptar.
Urdhri i Skënderbeut i mbijetoi shpatës së monarkisë, zjarrit të diktaturës dhe baltës së tranzicionit drejt demokracisë, ku sistemi i urdhërave e medaljeve u kthye nga një sistem nderimi e lartësimi i shërbëtorëve të atdheut, në një sistem vlerësimi për përuljen ndaj pushtetit të një njeriu të vetëm, e pastaj degradoi krejt, në një farsë teneqexhinjsh që ia përulën shtetin injorancës së tyre.
Nëse dikur të dekoruarit ishin ata që ndihmonin kombin të ngjitej lart, më pas u bënë ata që ndihmonin pushtetin të mbahej fort dhe në fund nuk e mori më vesh i pari të dytin, aq sa edhe të vdekurit u thirrën në mungesë, për të marrë dekorata të zhveshura nga çdo kuptim e e lëre më pastaj hijeshi.
Keshtu urdherat e medaljet, humbën simbolikën, humbën bukurinë, humbën kuptimin në hapësirë e në kohë dhe humbën dhe çdo kontakt me konstelacionin europian të urdhërave dhe medaljeve, duke u katandisur në shembëlltyra metalike të degjenerimit të thellë institucional.
Kjo katandisje e gjatë dhe e dhimbshme, na shtyu të ndërmerrnim një reformë të thellë të sistemit të urdhërave e medaljeve, jo si një retushim formal, por si një akt themelor, për të rivendosur Republikën në kontakt me simotrat e veta europiane dhe për të rivendosur në lartësinë e saj të vlerësimit të meritës, duke u mbështetur në traditën dhe praktikat e konsoliduara europiane.
Ashtu siç ka thene nje i mençur, “Shpërblimi më i madh i virtytit është të nderohesh për të.”
Kështu edhe nderimi publik për meriten, si një akt i spikatur institucional, bart një përgjegjësi të dyanshme morale, për kë e bën atë në emër të Republikës dhe për këdo që e merr atë prej Republikës.
Krijimi i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve ishte hapi i parë për të ndalur devijimin e mëtejshëm dhe për të hapur rrugën e ribashkimit me Europën.
Kjo Kancelari është shtëpia e munguar e kujtesës dhe kujdesit për vlerat e larta të qytetarisë e të shtetësisë, të mishëruara ndër urdhra e medalje.
Ajo do të jetë arkivi i gjallë i kontributeve që e bëjnë Shqipërinë më të mirë, një muze i meritës së lartësuar në nderim dhe vatër frymëzuese për shoqërinë e për gjeneratat e reja.
Kancelaria do të kujdeset po ashtu për emetimin e medalioneve me vlerë, kur evokimi i ngjarjeve e i datave historike kërkon, jo vetëm përkujtime të veçanta, por edhe dëshmitarë të veçantë që kthehen në ruajtës e trashëgimtarë të kujtesës.
Dhe me këtë rast, me propozim të Kancelarisë, do i dorëzojmë sonte dy medalionet e para të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, familjeve të dy shërbestarëve të papërtuar të kësaj reforme kuptimlotë: Artan Lames dhe Filip Rrumbullaku.
Dy burra që nuk janë më, por që me pasionin dhe dijen e tyre mbi fushën e urdhërave, medaljeve e shenjave dhe zakoneve të tjera tështetit, do të kujtohen si bartës besnikë të një amaneti shtetëror, që dukej i varrosur përgjithmonë nën këmbët e injorancës me pushtet.
Sonte, Republika u shpreh familjeve të tyre mirënjohjen e saj për të ndjerët.
Në këtë 100-vjetor, ne nuk po kremtojmë thjesht një ngjarje shtetformuese.
Ne po rindezim një dritë.
Po rilindim një institucion.
Dhe, mbi të gjitha, po risjellim në jetë një mesazh 100-vjeçar:
Që Shqipëria e nesërme nuk mund të ndërtohet pa njerëz që e duan meritën më shumë se çdo pasuri dhe respektin më shumë se çdo shpërblim.
Një mesazh të ngjashëm bart si arsye të qenies së vet, i gjithë sistemi europian i urdhërave dhe medaljeve, sipas të cilit, Atdheu që duhet të lemë pas nuk është një vend ku pasuria bëhet kriter respekti, por një hapësirë bashkëjetese ku respekti fitohet me kontribut dhe me përgjegjësi ndaj tij, mu ashtu siç thoshte Jean-Jacques Rousseau:
“Do të doja që një i pasur që është veç i pasur, të mos gjejë shkëlqim në atdheun e tij, përveçse duke ndjerë detyrimin për t’i shërbyer atij.”
Dhe pikërisht për këtë arsye, Republika e Shqipërisë i bashkohet sot atij sistemi, pas 80 vjetësh ndarjeje e endjeje në rrugën qorre të diktaturës dhe të banalitetit nëpër shtigjet pa rrugë të tranzicionit me të gjithë banalitetin e vet.
Urdhri i Skënderbeut lindi si një krijesë plot hir e Republikës në vitin 1925 dhe rilind sot, në 2025, me hirin e rifituar të një amaneti europian më në fund të vënë në vend.
Këtu do ta lexoj siç ma ka sugjeruar mbylljen Kancelari
Rroftë Urdhri i Skënderbeut!
Rroftë Republika e Shqipërisë!
Rroftë merita së bashku me të gjithë shqiptarët që e mishërojnë atë.
Faleminderit.