Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një dialogim i hapur u zhvillua sot mes komunitetit të biznesit dhe Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Ekonomisë & Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Ministrit të Financave Petrit Malaj për nisjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi, që synon formalizimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Takimi, i cili shërbeu si një mundësi komunikimi dhe dëgjese mes palëve për të forcuar urat e bashkëpunimit mbi sfidat dhe prioritetet përsa i përket zhvillimit të vendit – u përqendrua tek paqja fiskale dhe shanset që ajo ofron për biznesin për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që keni marrë kohë nga koha juaj për të qenë këtu me ne sot, për të ndarë disa pikëpamje tonat dhe tuajat, duke patur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale.

Paqja Fiskale është një zotim i yni i fushatës elektorale dhe sot është ligj, pavarësisht disa debateve të cilat nuk e adresuan dot thelbin e kësaj nisme. Ne sot jemi në kushtet kur duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, mund ta zbatojmë këtë nismë. Është një nismë në radhë të parë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Nuk është një shpikje e jona. Vetë togfjalëshi ‘’paqja fiskale’’ ka lindur në Romën e vjetër dhe është një instrument i përdorur me mijëra vjet tanimë.

Së dyti, është një instrument për t’i dhënë mundësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin natyrisht, që nuk janë në procese hetimore apo gjyqësore të natyrave të ndryshme dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitimë që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara. Ky rishikim i jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen, të vetëkorrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke pasur si motivim, si incentivë një tatim shumë më të ulët mbi fitimin sesa tatimi qe paguani rregullisht, pra, për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5 %.

Kjo rrit formalizimin, nuk cenon integritetin ligjor të të gjithë këtij ndërveprimi dhe ndihmon sigurisht, një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë tek puna dhe tek sfidat e veta, pa pasur barrën e të metave, po i quajmë, të të shkuarës. Kjo shkon në paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave, të cilat sipas periudhave dhe sipas vjetërsisë së tyre shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes disa kësteve prapë me lehtësira.

Ashtu sikundër, sigurisht, në themel paqja fiskale ka marrëveshjen me sipërmarrjen mbi përcaktimin e tavanit të ri të fitimit, që do të thotë që bazuar në një projeksion shkencor të fitimit mbi fitimin e viteve të shkuara, plus mbi rritjen ekonomike të pritshme dhe mbi propozimin për të pranuar si fitim të vitit një shifër X, administrata dhe sipërmarrja bien dakord dhe nuk ka më asnjë lloj inspektimi, asnjë lloj kontrolli, asnjë lloj problematike administrative dhe burokratike që rëndon shpesh herë shumë më tepër sesa vetë barra fiskale.

Kjo është në thelb në mënyrë të përgjithshme, korniza e Paqes Fiskale, nga ku ne presim një energjizim të mëtejshëm të sipërmarrjes, nga ku ne presim një formalizim të mëtejshëm të ekonomisë dhe nga ku ne presim një lehtësim të mëtejshëm të proceseve të punës për sipërmarrjen që duke u çliruar nga barra e këtyre të metave të së djeshmes, por edhe duke u projektuar në të ardhmen me një marrëveshje mirëkuptimi me administratën, do të ketë shumë më tepër energji për t’u marrë me punën e vet dhe për të mos u konsumuar me procedura burokratike apo me inspektime dhe kontrolle qe kanë ngarkesën e tyre jo të vogël dhe shpesh herë edhe të rëndësishme për qetësinë, edhe për psikologjinë e punës në sipërmarrje. Kjo është pak a shumë gjëja që është në themelin e kësaj nisme, ndërkohë që sigurisht për çfarëdo gjëje tjetër që ju do të dëshironi të ngrini apo të pyesni, së bashku më të dy ministrat, do të përpiqemi t’ju japim përgjigje.

* * *

–  Përshëndetje zoti kryeministër. Ju keni deklaruar që kjo nuk është amnisti fiskale. Nëse nuk është e tillë si do të përfitojnë bizneset?

Kryeministri Edi Rama: Atëherë dallimi është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë. Siç e thashë edhe në hyrjen time këtu bëhet paqe me të gjithë ata, të cilët nuk janë në konflikt aktualisht me ligjin në Republikën e Shqipërisë. Pra, nuk janë në procese penale të hapura, nuk janë në procese gjyqësore të hapura, të cilat afektojnë legjitimitetin e të ardhurave, kaq e thjeshtë është. Dhe për gjithë pjesën tjetër është siç tanimë shkruhet në ligjin e miratuar. Nëse sipërmarrja dëshiron t’i rikthehet pasqyrave të deklaruara në vitet e mëparshme dhe të paraqesë pranë administratës tatimore pasqyra të reja, ku ka vetëkorrigjim të të ardhurave, atëherë do të paguajë vetëm 5% të fitimit të ri. Dhe kështu do të formalizojë atë pjesë të të ardhurave që nuk e ka në pasqyra. Është shumë e thjeshtë, nuk ka fare asnjë komplikim.

 

–  Përshëndetje. Atëherë përveç bizneseve që s’kanë këto problemet ligjore po themi, të gjithë subjektet e tjera do përfitojnë nga kjo Paqe Fiskale dhe fshirja e detyrimeve  tatimore doganore  dhe çfarë kriteresh duhet të plotësojnë këto, nëse ka ndonjë kriter specifik.

 

Kryeministri Edi Rama: Asnjë kriter në kuptimin të posaçëm. Në rast se nuk janë në konflikt me ligjin aktualisht, pra në rast se nuk kanë procese të hapura ligjore apo në rast se nuk janë, nuk kanë rekorde ligjore që vënë në dyshim legjitimitetin e sipërmarrjes, pra 99.99 % e sipërmarrjeve përfshihen në këtë që thashë, që nuk i kanë këto probleme do të përfitojnë nga Paqja Fiskale. Natyrisht që këtu jemi duke folur për sipërmarrjen e mesme dhe të madhe, sepse kur vjen puna te biznesi i vogël, biznesi i vogël nuk ka fare tatim fitimi. Kemi të vetmin vend në këtë kontinent ku biznesi i vogël nuk paguan tatim fitimi dhe do të vazhdojë të mos paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029, sikundër ne e kemi premtuar.

Kjo e ka ndihmuar biznesin e vogël të fuqizohet, shifrat e tregojnë këtë, është shumë e qartë dhe nga ana tjetër, sigurisht që është sfida e administratës tatimore është që të mos lejojë që ato biznese, të cilat janë mbi kufirin e 140 mijë eurove xhiro në vit të qëndrojnë nën kufi për t’u sjellë me ligjin si biznese të vogla, ndërkohë që në fakt janë biznese të mesme ose të mëdha dhe në këtë aspekt, sigurisht që nuk do të ketë asnjë tolerancë në të gjitha rastet kur kjo gjë do të verifikohet.

Pra, duhet të jetë shumë e qartë që të gjitha ato biznese që janë pranë atij kufiri do të jenë target i veçantë i administratës tatimore dhe mbi ato biznese, administrata tatimore do të ketë një plan të veçantë për të verifikuar legjitimitetin e deklaratave të tyre. Ndërkohë që për të gjitha bizneset që janë mbi atë kufi të deklaruara, interesi i Paqes Fiskale është shumë i madh. Është shumë i madh sepse krijon një hapësirë, shumë të favorshme vetëkorrigjimi për të formalizuar veten deri në fund dhe në këtë aspekt, nuk ka asnjë pasojë përveçse pozitive. Kuptohet shumë qartë që ajo që thashë është vija e kuqe në rast se nuk ke probleme të hapura me ligjin, në rast se nuk je në konflikt me ligjin, në konflikt të shpallur me ligjin je plotësisht i legjitimuar që të nënshkruash Paqen Fiskale me qeverinë. Dhe tjetra që paraprakisht, ti si biznes të dakordësohesh me administratën tatimore për nivelin e fitimit të vitit është shumë e favorshme, është shumë e favorshme. Kështu që e gjitha kjo, siç e thashë në fillim, nuk është një shpikje, është një instrument i përdorur që në kohën e Romës dhe një instrument që jep rezultat për të gjithë ata që e përdorin, duke besuar në dobinë e tij.

 

– Unë jam Erion Harizi nga shoqata e ndërtuesve. Duke qenë se po flasim për paqen fiskale, ne si shoqatë në disa shkresa që ju kemi dërguar, ju kemi kërkuar që të paktën në mos ta shohim atë shkallën e taksës së infrastrukturës, të paktën a ka ndonjë plan për 2026 e ne vijim që qeveria ta ndajë më këste këtë pjesë pasi është shumë e konsiderueshme, është e menjëhershme, parapaguhet në fillim dhe kjo sigurisht, e vë shumë në vështirësi sektorin tonë. Faleminderit.

 

Kryeministri Edi Rama: Tani këtu hapet një diskutim më vete. Problemi me ndërtuesit është kompleks, nuk është thjesht çështje marrëdhëniesh financiare dhe fatkeqësisht vetëdijesimi i ndërtuesve për ligjin dhe për përgjegjësinë e tyre shumë të madhe, në raport me shoqërinë dhe në raport me vendin, është ende në shkallë shumë të ulët, sepse vazhdohet të punohet më veshë, kur i thonë fjalës, pa partitura. Edhe pse ka një ndryshim, prapë standardet e zbatimit të projekteve janë ende larg asaj që duhet të jenë dhe dëmet që shkaktohen si dëme kolaterale, vazhdojnë të jenë prezentë, kështu që në kemi kaluar një bllok të ri masash ligjore lidhur më ndërtimin. Shpresoj që të ndihmojë për të rritur cilësinë. Njerëzit paguajnë jo pak për të marrë një shtëpi dhe jo vetëm paguajnë jo pak, por është ëndrra e tyre. Janë paratë e një jete ose janë kredi që duan një jetë që të shlyhen dhe nuk ka dëm më të madh sesa të paguajnë për një produkt të cilësisë së parë dhe të marrin një produkt të cilësisë së tretë.

Ndërkohë që përsa i përket pagesës së taksës së infrastrukturës, është diçka që po diskutohet, nuk kemi marrë ende një vendim, është diçka që po diskutohet dhe në të gjitha rastet duhet të jetë gjithmonë e lidhur, përsëri dhe kjo, me performancën e kompanive. Në të kundërt ne nuk mund të marrim dot përsipër aventura që të lejojmë këste dhe pastaj të gjendemi përballë kompanish që e kanë hapur gropën dhe ngrenë duart lart dhe thonë “nuk paguajmë dot, se kështu është një muhabet’’. Ne nuk marrim dot përsipër këtë rrisk. Gjithsesi është diçka që po e diskutojmë, por për momentin nuk kemi një ndryshim imediat domethënë të gjësë.

Po unë them mos shkojmë te garancia se po u vu garancia, do kërkohet, do thuhet që “ku t’i gjejmë ne lekët e garancisë’’. Kështu që është diçka komplekse. Ajo që ndërtuesit duhet të kuptojnë, është që ky vend iu ka dhënë shumë më tepër sesa çfarë ata po japin mbrapsht në aspektin e cilësisë dhe këto ndërtime që bëhen, do të jenë aty për dhjetëra e dhjetëra vite. S’po them qindra e qindra se nuk di ç’do të ndodhë pas 200 vjetësh, por do të jenë aty për një kohë shumë të gjatë dhe nuk mund dot të tolerohet, që ndërkohë që ne miratojmë projekte që janë të cilësisë së parë kur i sheh, atje në terren, shpesh nuk ngjajnë fare. Nuk mund të tolerohet që siç ndodhi para ca kohësh me një zonjë që e kishte blerë apartamentin me ballkon dhe kur vajti, i kishte ‘’ikur’’ ballkoni dhe ia kishin hapur me derë në rrugë, në kat të parë.  I kishte venë derën ai se nuk i kishte dalë mirë llogaria. Tani këto gjëra janë kriminale. Ashtu sikundër, është kriminale që njerëzit paguajnë për të marrë një shtëpi dhe pastaj të mos marrin dot hipotekën sepse ndërtuesi luan me lejen dhe e nxjerr. Megjithatë besoj që tani gjërat do të ndryshojnë edhe për shkak se ne tani kemi vendosur me ligj listën e zezë, kështu që kush hyn në listë të zezë, nuk do të mund dot të marrë më leje për, nuk e di më se sa vite dhe kriteret do të jenë shumë, shumë rigoroze për të garantuar që njerëzit që paguajnë, të marrin atë për të cilën paguajnë, jo diçka tjetër.

Kjo është gjëja që ne duam të garantojmë dhe që projekti mbetet aty si një shenjë e bukur për atë vend ku ndërtohet, jo si një gungë që tregohet me gisht gjithë jetën.

Ajo “lista e bardhë” është çështje se si e shohim, se ajo mund të nxihet menjëherë. Kam 20 vjet e kusur që merrem me “racën tuaj” dhe e di mirë se çfarë lloj mënyre keni që funksiononi. Ajo lista e bardhë është e bardhë për sa kohë s’është e zezë.

Unë besoj që asnjë shqiptar që blen dhe investon, e thashë kursimet e jetës, ose merr një kredi që do duhet gjithë jeta për ta shlyer, nuk ju ka ju borxh të lëvizni 1 milimetër nga gjëja që ju pretendoni që po i shisni. Ja u tregoni projektet, kur ata fillojnë paguajnë, që janë projekte që ne miratojmë, kur i sheh thua “sa bukur”. Nuk meriton askush që të surprizohet dhe nuk është 1 e 2. Se të ishin 1 e 2, do isha dakord me ty.

Ju duhet të ngrini nivelin i dashur dhe mos e kërkoni te “pasqyra” fajin. Fajin kërkojeni te “fytyra”, është shumë e thjeshtë kjo. Nuk ka absolutisht askush, asnjë borxh që ndërtuesit të mos i qëndrojnë korrekt ligjit, të mos i qëndrojnë korrekt atyre që i paguajnë dhe mos i qëndrojnë korrekt shoqërisë dhe të ardhmes. Nuk është një kafe, që po jep një kafe dhe nuk ka cilësinë e mirë.

Është një gjë që ti e vendos në mes të mexhlisit dhe mbetet aty për 100 vjet. Si mund të jetë kjo, që të rrijë atje një gjë e shëmtuar kur në fakt, ty s’të është dhënë e drejta të ndërtosh një gjë të shëmtuar. Të është dhënë e drejta të ndërtosh një gjë të bukur, siç thotë projekti.

Çfarë taksirati kanë kalamajtë që të shohin një shëmtirë atje dhe të deformohen nga mënyra se si shohin botën, se këto janë të gjitha impakte që ka arkitektura dhe ndërtimi. Më fal, keni parë ju vende të bukura që janë të varfra? Ka. Keni parë ju ndonjë vend të shëmtuar që është i pasur? Nuk ka, nuk keni për ta gjetur dot. Shkoni kërkoni në të gjithë globin, një vend të shëmtuar, që është i pasur nuk keni për ta gjetur. Vende të bukura, që mund të jenë të varfra, për 1001 arsye ka dhe këtë punë e ndan arkitektura, që të jemi të qartë. E ndan vendi ku njerëzit jetojnë së bashku. Është shëmtuar Shqipëria në shumë pjesë të saj, që nga ato katrahurat që janë bërë në Golem, denbabaden e të tjera. Përsa na takon, po bëjmë maksimumin që të ngremë nivelin pikërisht për këtë arsye. Vjen merr një leje për të bërë një godinë spektakolare dhe bën atje një kafaz pëllumbash, ku lejohet kjo?! Ku lejohet kjo?! Si mund të lejohet kjo?!

Kështu që, nuk jam unë problemi. As nuk jemi ne problemi, mbase s’je as ti problemi, se nuk e di se çfarë ndërtimesh bën. Dëgjomë mua, po të them shkoi gruaja e botës bleu apartament me ballkon, dhe kur shkoi atje, kishte ikur ballkoni, ishte bërë derë dhe dilte në rrugë nga dera, domethënë futej nga rruga në shtëpi, dhe ai atje thoshte “jo se është zonë kodrinore”. Në zonë kodrinore, lejen e ke marrë ti bësh ballkon.

Paqe me ndërtuesit nuk ka. Paqe fiskale me të gjithë, po. Paqe për standardet me ndërtuesit, nuk ka. Më keni mbrapa, këmba-këmbës, mua dhe gjithë çfarë janë që varen nga unë. Pastaj, keni disa bashki që mund të bëni lodra sa të doni, vazhdoni bëjini, po u kapët, s’ju ka fajin njeri. Dakord!

U morëm vesh, jo plotësisht, pjesërisht, por tek ajo pjesërisht fute mirë në mendje: Paqe me ndërtuesit nuk ka, nuk ka për të pasur. Pikërisht se është sektori kryesor dhe duhet të performojë me maksimumin e përgjegjshmërisë. Çfarë mbështetje doni ju? E para e punës njëherë, se e kapa nga ana e klientit, tani po e kap nga ana e punëtorëve. Mbështetje ju, që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë, kur e dimë shumë mirë dhe ti, dhe unë, dhe jam i bindur që po të shkojmë të pyesim peshqit e liqenit artificial, do na e konfirmojnë që nuk ekziston punonjës me 500 mijë lekë, me pagë minimale në ndërtim, nuk ka. Jo në Tiranë, po askund. Nuk të vjen me 500 mijë lekë të të shtrojë një pllakë burri i botës, jo të marrë rrogë 500 mijë lekë në muaj dhe ju vazhdoni të keni në sektor deklarim, por nuk keni faj ju. Na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese e para disa viteve që ka vendosur që ne nuk mundet dot t’ju vendosim ju tavan, dhe ju lozni.

Por bëni deklarimet dhe jo vetëm paguajni njerëzit, por deklarojini ato paga dhe pastaj kërkoni. Çfarë mbështetje kërkoni ju? Jeni sektori me më shumë fitim në Shqipëri. Çfarë mbështetje kërkoni? Ju duhet të na mbështesni ne, jo t’iu mbështesim ne ju. Për çfarë duhet t’iu mbështesim ne ju se nuk ju kuptoj. Jeni sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se çdo sektor tjetër në Shqipëri, dhe tani keni filluar ta kuptoni, pak si vonë, por keni filluar ta kuptoni që nuk luhet me punonjësin, se pastaj nuk gjen punonjës. Tani që mos ju ngelin ndërtimet pa bërë, shkundini mirë ato xhepa se i keni të fryrë shumë, dhe paguani punonjësit 1500 dhe 2000 euro rrogën që të bëni punët, ndryshe do ngelni dhe më keq. Bëni ato gjëra që keni për të bërë dhe jepini njerëzve atë që ju takon dhe mos kërkoni asgjë fare, fare. Zero! Kërkoni vetëm që të mos jeni në listën e zezë.

 – Pyetja ime ka të bëjë me faktin nëse bizneset që sipas vlerësimit tuaj duhet të marrin pjesë në Paqen Fiskale, nuk marrin pjesë, cilat janë pasojat?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka pasoja kur nuk do paqe, kur nuk do paqe, pasojat i ke vetë, nuk është puna se do të themi ne, pse nuk do ti paqe.

– Pyetja ime është këto pasoja do të fillojnë të ndihen pas përfundimit të afatit apo përpara?

Kryeministri Edi Rama:  Paqja është marrëveshje vullnetare. Ne ju ofrojmë paqe, ju s’doni paqe është e drejta juaj çfarë problemi ka. Kjo është marrëveshje vullnetare, pra është për të gjithë bizneset që duan të rishikojnë,  – Ti mund të thuash: – “Unë s’dua të rishikoj asnjë faturë, se unë jam në rregull”. Po të erdhën pastaj dhe të gjetën jo në rregull,  është temë tjetër. S’ka pasojë, kjo nuk është me detyrim. Paqja është për këdo që do paqe. Kushdo që do të vetëkorrigjohet paqja i ofron që ta bëjë këtë gjë në paqe, mos konsiderohet shkelës, mos konsiderohet fshehës etj, etj. Pra ti për shembull. Unë të shoh që në distancë se ti nuk i ke deklaruar të gjitha sepse ke qenë shumë i zënë. Tani ti mund t’i kthehesh asaj të vjetshmes, e ta rishikosh pasqyrës dhe të thuash: – “Shiko këtu kam gabuar me ku di unë 5 lekë dhe paskam fituar 5 lekë më shumë, por nuk kam dhe nuk i kam numëruar si duhet”  dhe paqja të jep mundësinë që këtë 5 lekësh ta kontabilizosh dhe për këtë 5 lekëshin të paguash 5% të fitimit, jo 15% siç paguan normalisht për pjesën tjetër. Nuk do ta bësh, është e drejta jote s’ka asnjë pasojë, nuk është me zor. Thjeshtë që do kesh kontrolle, do kesh situata burokratike, ngarkesa etj, etj. Neqoftëse do t’i eliminosh të gjitha këto, se nuk është vetëm korrigjimi, fillon me deklarimin, pra, – Ti thua: “Shiko, unë do vij, do ulem me administratën tatimore, do i them parashikoj këtë fitim për këtë vit”. Administrata Tatimore sipas formulës që ka, që e lidh me rritjen ekonomike etj., etj. dhe e bën dhe projeksionin se i ka ato që ke deklaruar ti në tre vite pesë vite. Të thotë, “shiko, ky parashikim yt është pak më pak se sa ne mendojmë, kështu që a biem dakord që ti do fitosh 100 lekë këtë vit? Po biem dakord për këtë 100  lekësh do paguhesh 15 %” dhe pastaj ti vazhdo. Kjo ty të jep avantazhin që po fitove në një gjë më shumë ti nuk je në konflikt me ligjin. Ndërkohë që, përsa i përket të djeshmes, ti mund t’i korrigjosh, mund mos t’i korrigjosh është puna jote, pra është vullnetare. Nuk ka asnjë detyrim, jemi të qartë.

 

– Për t’u fokusuar tek paqja fiskale besoj se ka shumë biznese që janë në procese gjyqësore civile në momentin që këto biznese tërhiqen nga ankimimi, apelimi janë në afate dhe kanë hapësira për të përfituar nga Paqja Fiskale. Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Unë them normalisht, po. Kur fola për konflikt me ligjin, nuk kisha parasysh proceset gjyqësore të natyrës administrative që keni. Se e përmenda, jo për ata, flas për çështjet gjyqësore që mund të jenë të lidhura me problematika që janë përtej kësaj, nuk flas nëqoftëse je në një proces, sepse të kanë hetuar edhe prokuroria po të ndjek për X gjë, aty nuk mundet dot të kemi asnjë lloj paqe. Ndërkohë që, për këto administrativet që janë problematika të kësaj fushe, sigurisht në qoftë se tërhiqeni nga procesi, tërhiqeni nga lufta, bëni paqe. Kjo është shumë më e thjeshtë. Doni luftë, vazhdoni luftë me gjykatën atje.

 

– Përshëndetje, këtu përfaqësoj shoqatën e energjive të rinovueshme. Në lidhje me temën kryesore, që është Paqja Fiskale, ndoshta anëtarët e shoqatës tonë dhe në përgjithësi i prodhuesit e energjive të rinovueshme nuk kapen, sepse për shkak edhe të transparencës dhe formalitetit të plotë 100% që ato kanë, për arsye se kanë vetëm një faturë. Por do të thoja, jam këtu për të kërkuar vëmendjen tuaj në lidhje me sigurinë juridike të këtyre investimeve, që do thoja nga viti 2020, është në një kërcënimpersistent. Të dy ministrat aty janë, ndoshta ia kanë paraqitur edhe më përpara problemet që kemi. Gjithashtu tarifa, nga agjenci, që nuk kanë lidhje fare me zbatimin apo me prodhimin e energjisë elektrike, siç janë tarifat për zonat e mbrojtura, që i dedikohen ndotësve të energjisë gjatë operacioneve të ndërtimit apo për turizëm e gjëra të tjera, po jo prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, e cila është prodhimi i pastër.

Apo së fundi tarifa e AKBN-së ku e drejta që ka ministria si autoritet kontraktues për të monitoruar këto kontrata gjatë ndërtimit dhe gjatë prodhimit është kthyer tashmë në një tarifë për prodhuesit, megjithëse ne nuk kemi absolutisht të kontratë me AKBN, por AKBN është një agjenci apo një entitet i qeverisë, i cili në mënyrë të njëanshme, pa kontratë, na çon një faturë, që është fatura e monitorimit. Pra, është njësoj, do thoja, sikur ti ke një shpi me qira, edhe ia jep dikujt me qira dhe ky personi pronar thotë që unë do ta kontrolloj herë pas here me anë të një agjencie imobiljare që ti po e mban mirë shpinë apo jo? Pra, punësohet nga pronari për të kontrolluar qiramarrësin, dhe tashmë ai vjen për të më kontrolluar mua si qiramarrës dhe më le dhe një faturë dhe është e njëjta gjë, është 100% e njëjta gjë.

 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk besoj që çfarë ju thatë, kërcënon sigurinë juridike. Është e drejtë e pushtetit vendor të vendosë tarifa, e ka me ligj. Është e drejtë e AKBN t’ju çojë fletën për koston e monitorimit dhe ju përmendet qiradhënësin që kontrollon qiranë e shtëpisë. Unë kam pasur mundësinë të kem një përplasje me një qiradhënës që kontrollonte qiranë e shtëpisë, që unë kisha marrë me qira  në Francë dhe aty mësova nga ai dhe nga ligji francez, që duhet të paguaja unë shpenzimet e kontrollit që bënte ai, për shtëpinë në Francë.

Kështu që, meqë ma sollët si shembull, desha t’ju them që po, kur qiradhënësi të kontrollon, të vë dhe faturën dhe nëqoftëse ti s’e paguan, ai të bën dhe një gjë tjetër pastaj, të rrit qiranë, kështu që jemi në kushte që nuk flasim për një shtëpi, flasim për shfrytëzim burimesh natyrore dhe flasim, që ta themi të gjithën deri në fund, për një sektor ku kush është i mençur të investojë, e ka fitimin edhe më të madh sesa ndërtuesit që foli këtu. Apo jo? Këta të energjisë fitojnë më shumë se ju, apo jo? Prandaj keni filluar të gjithë të bëni panele. Hap, gjej tokë për panel. Megjithatë e kuptova shqetësimin dhe gjithsesi për detaje do ta ndjek, por në thelb mos u shqetësoni kaq shumë kur ky shtet merr dhe ndonjë gjë më shumë prej jush, sepse ndërkohë falë burimeve natyrore të këtij shteti, të këtij vendi, ju merrni shumë më tepër se ç’ merr shteti nga ju. Mendoj unë.

-Ne këtu në fakt po bëhemi si dy palë, por biznesi dhe qeveria në fakt janë në simbiozë dhe unë e kam kuptuar më mirë se kushdo këtë simbiozë. 10 vjet më parë, pesha e kompanisë time ishte 2- 3 miliuonë euro, sot është dhjetëfish.  Kështu që kjo performancë e kompanive tona, vjen nga performanca e qeverisë. Këtë ne e kuptojmë kur dalim përballë bankave, institucioneve bankare, dhe kjo vjen si rezultat i politikave të shtetit. Bankat vlerësojnë qëndrueshmërinë e shtetit. Kjo ka rritur vlerën e kompanive tona, por kjo ka shtuar dhe kërkesat tona në lidhje me shtetin. Këtu do ngrija një problem. Shteti ka shumë sipërfaqe të mëdha dhe këto janë pa frut, janë pyje, po s’janë pyje; këto janë kullota po vetëm kullota nuk janë dhe mendoj se kjo duhet rishikuar nga ana e shtetit. Mbi këto prona që janë në inventar të bashkive dhe ministrisë, duhet doemos të ndryshohet ligjit dhe këto të zhvillohen por ligji pengon shumë investimin në këto toka.

 

Kryeministri Edi Rama: Viktor të falënderoj, por edhe ti je jashtë teme, pavarësisht se fole mirë për qeverinë, po jashtë teme, kështu që do t’i shikojmë këto gjëra dhe ti e di shumë mirë që të gjithë ju e keni derën të hapur në qeveri, kështu që do t’i shikojmë këto gjëra. Sigurisht që, duhet të jemi të kujdesshëm sepse siç ka të mira, ka edhe sfida të lidhura me peizazhin, me natyrën, ndërtimi pa kriter dhe pa karar i paneleve, gjithsesi do ta shikojmë. Jemi duke u marrë me ketë. Tani mesa duket të gjithë duan të flasin jashtë teme, po unë them që ta mbyllim me temën , kështu qe dua t’ju them dhe dy fjalë meqë besoj nuk do të takohemi më për këtë vit, lidhur me ju, me punën. Nuk e kam me ndërtuesit këtë, juve jeni të përjashtuar nga kjo që do them, por e kam me gjithë të  tjerët. Po ju nuk jeni vetëm ndërtues, ju çfarë s’bëni. Bëj shaka.

Dua të them që në fund të ditës të gjitha shifrat qe ne themi me krenari; rritja e prodhimit të brendshëm që po i shkon drejt trefishit qysh se ne jemi në detyrë; e morëm Shqipërinë me më pak se 10 miliardë, sot jemi 27; rritja e të ardhurave për frymë, që dhe ajo është më shumë se trefishuar dhe ne besojmë që ne do të arrijmë në 15 mijë euro për frymë, në fund të këtij mandati, janë të gjitha të lidhura me punën tuaj në fund të ditës. Dhe janë të lidhura me sakrificat tuaja, me përkushtimin, mundin dhe janë të lidhura dhe me familjet tuaja që ju mbështesin në këtë përpjekje, ku njerëzit e shohin nga jashtë punën tonë këtu, por dhe tuajën, mendojnë që ‘’lum si këta’’, ndërkohë që ju e dini shumë mirë që në fakt, që pa u ankuar, por puna është shumë sfiduese, kur shkon në nivele të tilla. Dhe ju jeni biznese të tilla; e keni nisur siç tha dhe Viktori, me pak, sot jeni bërë të fuqishëm, por kjo fuqi kërkon në të njëjtën kohë energji të jashtëzakonshme që merren nga jeta e përditshme. E them këtë për t’ju uruar vërtetë çdo bekim dhe çdo të mirë familjeve tuaja dhe për t’ju uruar që të keni shëndet familjarisht dhe mos ju duhet asnjëherë të përballeni me probleme shëndetësore në familje. Edhe patjetër për t’ju uruar edhe sukses të mëtejshëm. Suksesi juaj i mëtejshëm është suksesi ynë sepse ju do fitoni më shumë, ne do marrim më shumë taksa, më shumë të ardhura dhe kështu bashkërisht do bëjmë punë më të mira shpresoj.

Në fund do ta mbyll me një episod interesant qe më është kujtuar këto ditë; një kolege që u bë ministre duke qenë deputete, pas nja 3 muajsh thotë “sa herë ulem në atë pjesën lart të parlamentit më vjen turp nga vetja se kur isha aty poshtë mendoja “lum si këta që janë aty lart’’, por në fakt nuk paska qenë kështu.

Kështu që edhe për ju, vlen e njëjta gjë. Shumëkush ju sheh si kulakë, si gjakpirës, si oligarkë, se kanë mësuar këtë fjalën oligark, por ju e dini vetë në fakt që jeta është më e ngatërruar se kaq dhe unë uroj që jetën ta keni kaq të ngatërruar dhe jo më të ngatërruar.

Kështu që gëzuar Vitin e Ri! Vitin e paqes fiskale edhe paçi paqe, por mos harroni kurrë një gjë; të gjithë janë të rëndësishëm, por më të rëndësishëm janë ata që punojnë për ju edhe çdo gjë që ju hiqni prej tyre, e keni në “llogarinë e ferrit” ku do përfundoni.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.