Kryeministri Edi Rama zgjodhi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, për t’i uruar ngrohtësisht, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, të gjithë mësuesve shqiptarë, atyre që aktualisht japin kontributi e tyre në arsim, por edhe të gjithë brezave të arsimtarëve që ndër vite kanë edukuar gjenerata të tëra.
I rikthyer në klasat e Liceut ku edhe vetë ka studiuar, Kryeministri Rama u mikprit nga Drejtori dhe mësues. Një moment i veçantë ishte takimi me mësuese që i kanë dhënë dikur mësim. Bashkë me ta dhe i shoqëruar edhe nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryeministri ka vizituar klasat e artit pamor, të grafitit e të skulpturës. Më pas, në një shprehje të hapur mendimesh me stafin mësimdhënës, Kryeministrit iu ngrit shqetësimi i ambienteve të papranueshme për zhvillimin e mësimdhënies, mungesën e bazës materiale, por edhe problematikën me kurrikulën e kësaj shkolle të artit. Ndërsa Drejtori i Liceut ngriti problemin e lidhjes së institicionit arsimor që drejton me tregun e punës.
Pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet, Kryeministri i ka ftuar ata të bëjnë jo vetëm një listë ankesash, por edhe një listë sugjerimesh e propozimesh. Nga ana e tij, Kryeministri shprehu bindjen se si Liceu dhe Universiteti i Arteve, si pjesë të rëndësishme të zinxhirit të edukimit artistik, duhet të fuqizohen si nëpërmjet reformimit, një përshtatje më të madhe me tregun dhe rishikim të kurrikulës, ashtu edhe mbështetjes financiare.
“Do të bëjmë çmos që këtë zinxhir të edukimit artistik, që fillon nga Liceu tek Akademia, ta fuqizojmë me aq sa kemi mundësi; Qoftë nëpërmjet ndërhyrjeve në legjislacion, çfarë janë të nevojshme, – sepse është një zinxhir i edukimit që nuk është vetëm edukim i përgjithshëm, por është një edukim i posaçëm që është i lidhur me një hapësirë shumë të madhe lirie dhe njëkohësisht, sfidash të mëdha për çdo individ që hyn në këtë zinxhir. Qoftë nëpërmjet mbështetjes financiare të posaçme, për projekte të caktuara që mund të diskutohen në vijim dhe të artikulohen në bashkërendim me Ministrinë e Kulturës, në bashkërendim me Ministrinë e Arsimit. Qoftë edhe nëpërmjet këtij burimi të ri mundësie që është fondi evropian” – u shpreh Kryeministri, ndërsa kërkoi bashkëpunimin mësuesve për të bërë një plan të përbashkët për ndryshim në këto shkolla të artit.
“Çfarëdo ndryshimi, qoftë në pikëpamje të sistemit, infrastrukturës, bazës materiale apo e programeve, duhet të vijë si një rezultat i një dialogu, me tre komponentë: me trupën arsimore këtu, me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Kulturës. Nga ky dialog duhet të marrë jetë në një kohë të shpejtë një projekt. Një projekt mbi të cilin duhet të punojmë bashkërisht dhe me disa prioritete. Pa humbur kohë, ju organizohuni në këtë drejtim dhe ne do t’ju mbështesim,” – nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri Rama inkurajoi të rinjtë që jenë në kontakt të vazhdueshëm me hapësirën e edukimit artistik në Evropë.