Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedimi i Kryeministrit, Edi Rama, me mësuesit me rastin e 7 Marsit:

 

Besoj që ka qenë një kohë e mjaftueshme, për të provuar se ajo çka ka qenë zotimi ynë kryesor, për të nisur punë sëbashku për transformimin e  sistemit arsimor, që do të thotë që respekti për vlerat profesionale dhe për dinjitetin e mësuesit, pavarësisht simpatisë apo përkatësisë politike, është afirmuar edhe në këtë periudhë.

Besoj, po ashtu, se procesi i nisur me konkursin për të përcaktuar Drejtorët e Drejtorive Arsimore Rajonale, ku pati një pjesëmarrje shumë të madhe, ka qenë një fillim mjaft i mirë. Edhe pse s’ka proces të përsosur dhe padyshim, thellimi i këtij procesi me degët arsimore dhe pastaj deri në nivelin e drejtorëve të shkollave do të kërkojë kohën e vet, për t’u ngritur në standardet që ne dëshirojmë në çdo rast.

Besoj, që me fillimin e projektit të “Shkollës, Qendër Komunitare” përmes 60 shkollash pilot, hapim sëbashku një fazë të re në këtë aspekt, ku qëllimi është ai që kemi shpallur publikisht, për të rivendosur lidhjet mes trupës arsimore e qeverisë, qoftë kombëtare, qoftë vendore, nga njëra anë dhe prindërve nga ana tjetër. Për të ndërtuar një aleancë shumë të fortë në funksion të arsimit dhe edukimit të fëmijëve, por edhe në funksion të transformimit të shkollës në një qendër graviteti për komunitetin.

Besoj po ashtu se, dhe këtu dua ta mbyll këtë hapje të këtij bashkëbisedimi, kemi vendosur një bazë solide, duke mbajtur atë që në këndvështrimin tim është edhe zotimi ynë kryesor në raport me mësueset dhe mësuesit drejtpërdrejtë, që ka të bëjë me vënien në jetë të reformës së taksave me kalimin në sistemin e taksimit të ndershëm, përmes të cilit, praktikisht, për këtë vit kemi një rritje reale të pagës në 4% si mesatare për afro 40 mijë punonjësit e arsimit dhe sportit, dhe njëkohësisht kemi dhe mundësi reale të indeksimit, sipas fashave.

Ndërkohë që falë taksimit të ndershëm, në këtë 7 mars të parë, mësuesit e arsimit të mesëm përfitojnë në muaj 20 mijë lekë, mësuesit e arsimit 9-vjeçar përfitojnë në muaj 22 mijë lekë dhe pastaj më tutje, edukatorët në arsimin parashkollor përfitojnë 23 mijë lekë dhe të tjerët, punonjësit, ndihmësit, pastrueset përfitojnë në muaj 29 mijë lekë. Që do të thotë se ata që fitojnë më pak, paguajnë më pak taksa dhe sigurisht, në fund të muajit kanë një përfitim më të madh, duke kompensuar në një farë mënyrë pagën e tyre më të ulët.

Duke i thënë të gjitha këto dhe duke ju uruar edhe njëherë mirëseardhjen këtu në kryeministri, unë jam shumë i kënaqur që të ndaj me ju të gjitha këndvështrimet tona mbi këtë fazë shumë fillestare të procesit të transformimit të arsimit, ku gjithmonë kam menduar dhe jam shumë i kënaqur të shoh se procesi është një proces, në të cilin qeveria është vetëm një palë dhe pala tjetër jeni ju, qoftë mësueset e mësuesit, qoftë dhe pedagoget e pedagogët, kur vjen fjala për arsimin e lartë.

 

Në këtë bashkëveprim mes të dy palëve është vendosur një dialog konstant, për të hapur kantieret e reformave tona, qoftë për maturën shtetërore, qoftë për tekstet shkollore, qoftë për arsimin e lartë e me radhë, për të ndërtuar të gjithë mekanizmat e domosdoshëm që të kemi atë transformim rrënjësor e të munguar të arsimit, që praktikisht e ka sjellë në vite, situatën, në një gjendje absolutisht të papranueshme.

Fjala është për ju dhe unë do të përgjigjem me gjithë sa di.

 

Përshëndetje zoti Kryeministër! Faleminderit për ftesën. Unë jam mësuese e edukimit fizik. Pyetja e parë, si do organizohet rivotimi i mëtejshëm i mësuesve dhe drejtuesve të shkollave? Pyetja e dytë, çfarë është menduar për ndryshimin e statusit ekonomik të mësuesit?

Faleminderit! Shpresoj që edhe në aspektin e mësuesve të edukimit fizik, ne të bëjmë progresin e dëshiruar. Para se t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve, dua ta nënvizoj edhe këtu, se çka kemi trashëguar është një gjendje në kufijtë e të paperceptueshmes dhe përtej kufijve të qesharakes, me gjithfarë personazhesh që nuk kanë asnjë lidhje me edukimin fizik, që janë vendosur mësues të edukimit fizik dhe me një sistem të edukimit fizik tërësisht të rrënuar. Ne kemi gjithë përkushtimin që duke filluar nga viti i ardhshëm ta çojmë në një stad tjetër edukimin fizik në shkolla dhe ta kthejmë shkollën në një qendër ku promovohet sporti për të gjithë.

Ndërkohë që përsa i përket përzgjedhjes, e thashë pak në hyrje, plani ynë është shumë i qartë. Sigurisht, është një plan që nënkupton një transformim rrënjësor të procesit. Një reformë rrënjësore në ndërtimin e marrëdhënieve mes shtetit si punëdhënës dhe njerëzve të arsimit si punëmarrës, pasi është një proces që synon të shkojmë tek një përzgjedhje demokratike e drejtuese, por edhe e mësuesve. Një përzgjedhje demokratike që do të thotë një përzgjedhje e bazuar tek vlerat profesionale dhe te integriteti i çdokujt, qoftë në vlerësimin e mësuesve, qoftë dhe në rekrutimin e mësuesve të rinj. Ju jeni dëshmitarë të faktit që bordet e shkollave, praktikisht, u kthyen në trupa tërësisht pa asnjë ndikim tjetër, përveç ndikimit të dëshiruar nga drejtori i shkollës.

Ndërkohë që “Shkolla, Qendër Komunitare”, që është projekti ynë i madh në arsimin 9-vjeçar e të mesëm, do të thotë që të jetë në të njëjtën kohë edhe hapësira e një vendimmarrjeje, ku sigurisht, shteti përmes Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të saj ka zërin e vet, po ku prindërit kanë zërin e tyre dhe sigurisht ku vetë mësuesit kanë zërin e tyre. Ky është një proces që do të ndahet me ju të gjithë dhe duke shkuar do të shtjellohet dhe shtrihet hap pas hapi, pasi siç e thashë, do kërkojë kohën e vet.

Ndërkohë që përsa i përket aspektit ekonomik, në kushtet jashtëzakonisht të vështira që ne e gjetëm vendin, në aspektin e financave dhe në kushtet kur duhet të përballeshim me një gjendje financiare shumë të rënduar dhe me një borxh të fshehur, që u zbulua kur ne erdhëm në qeveri, ne e kishim të pamundur të bënim më shumë. Por nga tjetër e kishim të pamundur që të mos bënim hapin e parë të rëndësishëm, që ishte kalimi nga taksa e sheshtë tek taksimi i ndershëm, që solli ato rritje të ardhurash që unë fola.

Ndërkohë që, ndryshe  nga ç’është thënë krejt gabimisht, me qëllim ose nga padija, ne nuk kemi marrë asnjë angazhim me Fondin Monetar Ndërkombëtar,- me të cilin kemi nënshkruar programin e ri të bashkëpunimit dhe të rritjes ekonomike të vendit, përveçse të daljes së vendit përfundimisht nga kriza,- për të ngrirë rrogat e mësuesve apo në tërësi të njerëzve që shërbejnë në sistemin publik. Kjo është absolutisht e pavërtetë! Sigurisht, çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm do të varet nga çfarë do të arrijmë këtë vit, në të gjithë treguesit, që përsa i përket dy muajve të parë janë shumë pozitivë, sepse kemi kaluar mbi parashikimet e vendosura edhe përgjithësisht me një ambicie shumë të lartë, nga dialogu me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ju siguroj se nuk do të reshtim asnjë vit, pa pasur në qendër të vëmendjes mësuesit dhe pa rritur fuqinë ekonomike të familjeve tuaja, përmes, kuptohet, mbështetjes financiare për ju.

Desha të shtroja shqetësimin shumë të madh që kemi ne si mësues, si prindër dhe si nxënës në lidhje me tekstet. Gjatë këtyre dy vjetëve, për ne është shumë shqetësuese, për mos të thënë që është një makth midis prindërve, nxënësve, mësuesve… Çfarë risie do të ketë në drejtim të altertekstit?

Ju falënderoj për pyetjen! Është një makth, që në fakt ju siguroj, se përmes njohjes nga afër të gjithë problematikës së arsimit gjatë periudhës kur ne ishim në opozitë, e ndajmë të gjithë me ju.  Ndryshimi është se ne e ndajmë këtë makth me ju duke menduar se çfarë është, kurse ju këtë makth e jetoni përditë, duke punuar me burimet e makthit, që janë moria e teksteve të prodhuara nga një e ashtuquajtura reformë. E cila në fakt, nuk e përmirësoi cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënies, por e degradoi më tutje, në tërësi raportin e nxënësit me tekstin dhe padyshim edhe marrëdhënien e mësuesit me vetë nxënësin për shkak të teksteve.

Ne kemi hapur një dialog me ju në të gjithë territorin, përmes Ministrisë, Drejtorive Arsimore Rajonale dhe gjithë strukturave të tjera drejtuese, për të marrë mendimin tuaj për këtë gjendje. Jo thjesht konstatimin, sepse nga sa kemi arritur të mbledhim deri tani, masa dërrmuese e juaja, për të mos thënë 100 %, është e bindjes se kjo gjendje është e papranueshme dhe alterteksti nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në formën që ka sot, por edhe për të marr idetë dhe sugjerimet tuaja. Jo sepse ne nuk kemi një ide tonën të qartë, të ndërtuar nga analiza që kemi bërë dhe nga marrja e modeleve të tjera, por sepse ne besojmë që çdo reformë, e në mënyrë të veçantë një reformë në arsim, është shumë e rëndësishme që të ndërtohet si një proces dialogu dhe si një proces ku qoftë vendimet, qoftë edhe implementimi i reformës kanë pronësi të përbashkët mes qeverisë dhe mësuesve.

Nga ana tjetër, ju e dini shumë mirë që ne kemi marrë edhe një zotim tjetër, që besoj është i rëndësishëm jo thjesht për atë që duket, por edhe për vetë cilësinë e sistemit të arsimit, për të njësuar sistemin me Kosovën. E, sa me kënaqësi aq edhe me keqardhje e them, me kënaqësi për Kosovën, me keqardhje për ne, edhe pse në shumë pak vite që ka pasur në dispozicion, Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem shumë më solid dhe shumë më të besueshëm në arsim. Padyshim edhe në mënyrën sesi është ndërtuar procesi i hartimit dhe i kalimit të teksteve në dispozicion të sistemit.

Arsimi parauniversitar gjatë kësaj periudhe ka kaluar shumë reforma, që nga lëndët me zgjedhje, me profilet natyrore, me profilet shoqërore, tani lëndët me zgjedhje, lëndë të detyruara… Ka kaluar shumë dallgë.  A do t’i jepet një drejtim kësaj pune që të mos ketë më nga këto lloj reformash që arsimi parauniversitar të shkojë në rrugët që i takon atij.

Pyetja e dytë, puna e mësueseve të rinj që dalin tani dhe e mësuesve që kanë një vjetërsi afërsisht 10 vite punë matet me kredite. Puna jonë më parë matej me kualifikimet 5 – vjeçare, 10 – vjeçare, me vjetërsinë në punë e me radhë. Kur vjen puna për vendin e punës, më shumë preferohen këta me kredite, që mund t’i gjejnë në trajnime të ndryshme, sesa ne që kemi një vjetërsi të madhe pune dhe një eksperiencë shumë më të madhe sesa këta.

Pyetja – “si t’ia bëjmë të mos ketë më dallgë” është tipike për një durrsak. Unë duke pasur një lidhje me Durrësin, për shkak të njërës anë të familjes, e di shumë mirë që durrsakët edhe pse janë afër detit nuk i kanë qejf dallgët. Ndërkohë që ata që janë pak më në jug, nuk e kuptojnë dot detin pa dallgë. Këtu është që “si t’ia bëjmë të mos ketë më dallgë” në këto procese dhe në procesin e çuarjes përpara të punëve për sistemin e arsimit. Është, të kërkosh në fakt më shumë sesa na nevojitet. Sepse në të gjitha rastet, besoj që asnjë reformë, sado e spikatur që të jetë, nuk mund të jetë përgjigja përfundimtare për shumë breza. Një reformë e suksesshme do të jetë përgjigje solide për problemet e një periudhe të caktuar historike dhe të një gjenerate të caktuar. Pastaj, sigurisht, vjen një tjetër gjeneratë dhe i rishikon gjërat.

Së dyti, të mos harrojmë që jetojmë në një kohë kur gjerat ndryshojnë me shpejtësi marramendëse. Është një shpejtësi marramendëse që me siguri do të na imponojë në vijimësi. Nuk flas për këtë qeveri, por flas për shumicën ndër ju, që do të jeni gjatë në këtë sistem për të rishikuar gjerat. Por një gjë është e sigurt, që nuk kemi asnjë lloj detyre të jashtëzakonshme për të shpikur ndonjë gjë. Mjafton që të lexojmë mirë eksperiencën, të analizojmë mirë gjerat që kanë funksionuar, të kuptojmë mirë gabimet e bëra dhe pasojat e këtyre gabimeve dhe të identifikojmë mirë eksperiencat më të përshtatshme për ne, qoftë në rajon, qoftë në Evropë dhe të bëjmë ndërhyrjet e duhura. Asnjë shpikje nuk do të bëjmë. Do të normalizojmë procesin e rekrutimit dhe  të vlerësimit, qoftë të mësuesve, qoftë të shkollave, sepse ashtu si mësuesit edhe shkollat do të kenë një kartë të performancës së tyre. Çdo shkollë do të ketë vlerësimin e vet, në mënyrë që edhe prindërit ta dinë se ku po e çojnë fëmijën, jo thjesht te shkolla me emrin filan apo filan, por me çfarë kapacitetesh dhe me çfarë performance. Do të normalizojmë Maturën Shtetërore. Ka filluar procesi i reformës, është kapërcyer faza e parë e dialogut me mësuesit, po përvijohen trajtat përfundimtare. Do të kemi një Maturë Shtetërore ku besoj do të kapërcejmë ato hendeqe që janë shfaqur në të shkuarën. Këtë vit me një pjesë të masave dhe vitin e ardhshëm me masat e plota.

Për sa i përket çështjes së eksperiencës dhe të prurjeve të reja, unë besoj që në arsim ne duhet të jemi absolutisht shumë, shumë, shumë të vëmendshëm për të vlerësuar çdo mësues me eksperiencë pune. Nuk e them për konformitet me ata që këtu kanë më shumë eksperiencë, por e them sepse nga ana tjetër, cilësia e prurjeve të reja është jashtëzakonisht e dyshimtë, për shkak të shumë krediteve, masterave, doktoraturave, diplomave që nuk janë ato që duken. Për më tepër pastaj, nëse ne duam dhe ne duam që të vëmë në jetë një nga qëllimet e mëdha të politikës sonë arsimore, që t’i japim autoritetin e humbur mësuesit si figurë qendrore në komunitet, këtë mund ta bëjmë, pa i mbetur hatri më të rinjve, në një aleancë të fortë me mësuesin më me eksperiencë. Aleancë e fortë me mësuesin më me eksperiencë do të thotë në radhë të parë, që të ruajmë me përkushtim mësuesit me eksperiencë si burime njerëzore. Të mos lejojmë që këto burime njerëzore të cenohen nga lëvizje të pamenduara, apo nga të tjera arsye që i bëjnë lëvizjet krejtësisht të pajustifikueshme.

Së dyti, në proces të shohim edhe sesi të vlerësojmë eksperiencën, konkretisht. Ndërkohë që, shumë shpejt, ju do të njiheni dhe me një masë tjetër që ne po e përgatisim dhe prapë do e diskutojmë me ju, që të kemi vlerësime specifike për mësuesit që kanë rezultate më të larta. Sigurisht, të ketë një rrogë të përcaktuar për çdo nivel, siç është sot, por ama për mësuesit që kanë rezultate më të larta të ketë edhe një bonus specifik. Sepse nga njëra anë është shumë e rëndësishme, e domosdoshme që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë, – kemi filluar ta bëjmë dhe pse nuk përjashtoj që mund të ketë raste, –  të kurseve private, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që nevoja e mësuesve për të pasur më shumë mundësi financiare është aty, është reale. Pavarësisht se për momentin ulja e taksave është një e ardhur aspak për t’u nënvlerësuar, sepse e rrit fuqinë blerëse dhe të dhënat që kemi të janarit dhe të shkurtit për konsumin flasin ekzaktësisht për rritje të konsumit në këtë që mund ta quajmë shtresa e mesme, nuk mund të themi se me kaq ne e kryem detyrën. Përkundrazi, ky është vetëm fillimi në një proces që duhet të ketë rritje të përgjithshme dhe pastaj bonuse për ata që janë më të dalluar. Kuptohet, që kjo më të dalluar duhet të përcaktohen me kritere të qarta që bazohen tek produkti që do të dalë nga mësuesit. Produkti që del nga mësuesit është sa nxënësit e një shkolle apo një shkolle tjetër, e një klase apo një klase tjetër përparojnë në rrugën e tyre, në lëndët përkatëse të mësuesve përkatës.

Cila është strategjia e qeverisë suaj në lidhje me sigurinë e nxënësve në shkolla?

Ju falënderoj për pyetjen se në fund të fundit, ju jeni jo një gjë, por jeni shumë gjëra bashkë, sepse jeni edhe mësuese, jeni edhe prindër, jeni edhe protagonistë në komunitetet ku jetoni dhe është jo vetëm normale, por është edhe i vlefshëm bashkëbisedimi, që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të folur edhe për tema që mund mos jenë drejtpërdrejt, në dukje, të lidhura. Jo se siguria në shkolla nuk është, përkundrazi, por se është rasti për të theksuar se përtej sigurisë në shkolla, se siguria në tërësi dhe kur flas për sigurinë, lufta me krimin dhe kriminalitetin, krimin e organizuar apo kriminalitetin e rrugës në veçanti, janë baza e përpjekjes sonë në këtë periudhë.

Jam shumë i vetëdijshëm për një shqetësim të posaçëm që ka krijuar shfaqja e përsëritur e shpërthimeve me tritol, e cila pengon leximin me qetësi të rezultateve të arritura në këtë fushë, në aspektet e tjera. Por, dua ta nënvizoj nga njëra anë, ajo që jemi zotuar, rikthimi i Policisë së Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para, është një proces i pandalshëm, që po ecën me shumë shpejtësi dhe siguri. Shifrat e kriminalitetit, ato që matin kriminalitetin, flasin qartë se ky proces, jo vetëm si rritje e cilësisë së burimeve  njerëzore dhe e integritetit të policisë, por edhe si rezultat konkret, ka filluar të japë rezultate konkrete. Kemi një ulje mbi 30% të vrasjeve. Sigurisht, natyra njerëzore është e prirur ta harrojë atë që ndodhi dje dhe të impresionohet nga ajo që ndodh sot, por mbi 30% është ulur numri i vrasjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kemi një rritje jashtëzakonisht të madhe, mbi 180%, të personave në kërkim ndërkombëtar, kriminelë me damkë, të arrestuar gjatë kësaj periudhe, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë; kemi shumë më tepër sasi të drogës të kapur dhe grupe kriminale të përfshira në trafik droge, të arrestuar, sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Dhe padyshim kemi gjithë arsyet të besojmë se ky është vetëm një fillimi i mbarë.

Nga ana tjetër, përsa i përket specifikisht atij fenomeni që krijon shumë shqetësim, qoftë emocionalisht, qoftë në perceptimin e përgjithshëm pastaj të gjendjes, që janë këto shpërthimet,  po bëhet një punë jashtëzakonisht intensive. Por është shpërthimi i një të keqeje të akumuluar në një kohë të gjatë, për shkak të një shpartallimi të policisë dhe të një kapilarizimi të krimit. Dhe në këtë aspekt, janë të lexueshëm qoftë elementi i larjes së hesapeve mes njerëzish me precedentë penalë, a thua se ka një ngut për të mbaruar punë përpara sesa gjithçka të vendoset nën kontroll dhe nga ana tjetër, edhe elementi i frymëzimit të këtij fenomeni nga një propagandë, le të themi shqetësuese. Por nuk dua të zgjatem më tej këtu, sepse asnjëherë nuk do më dëgjoni që të flas për qeveri dhe opozitë, kur flas me mësuesit, kur flas me nxënësit, kur flas me studentët dhe kur flasim për arsimin, jo kur jemi në një takim politik apo në një miting, ku secili është i lirë të shkojë qoftë te njëra palë, qoftë te pala tjetër dhe tanimë ka mbaruar edhe koha, kur juve ju merrnin me lista dhe ju thoshin paraqituni aty, se përndryshe do humbësh vendin e punës, apo kur po t’ju shikonin në një miting të opozitës, ju hiqnin nga puna.

Siguria në shkollë është e lidhur patjetër me kontekstin përgjithshëm, por është e lidhur me gjendjen morale të shkollës që nuk është e mirë, për të gjithë këto arsye që ne flasim, me cilësinë e mësimit që nuk është e mirë, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë vetë mësuesit, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë prindërit, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë një pjesë e nxënësve; Me shembujt që fëmijët kanë në televizor, që nuk janë më të mirët e mundshëm, pa hyrë tani se kush janë e si janë, por duke filluar që nga politika që nuk jep shembullin më të mirë, me agresivitetin dhe energjinë negative që prodhon në mënyrë të përditshme, po e them me një fjalë të përgjithshme, pastaj secili bën ato hamendjet e veta. Sigurisht edhe me mungesën e kësaj lidhjeje që ne duam ta vendosim një orë e më parë, mes shkollës dhe prindërve. Mësuesit nuk mund të zëvendësojnë prindërit; Prindërit nuk mund të zëvendësojmë mësuesit. Prindi pa mësuesin është pak; Mësuesi pa prindin është shumë pak. Në qoftë se nuk ka bashkëpunim dhe bashkërendim mes të dyve gjatë gjithë ditës dhe në qoftë se edhe komuniteti nuk është pjesë si një i tërë në këtë proces, sigurisht që mund të kërkojmë llogari mësove, s’mësove, por nuk mund të pretendojmë     që po rrisim qytetarë dhe po rrisim njerëz që kanë sensin e komunitetit dhe të bashkëjetesës në komunitet.

 

Doja të ndalesha tek mësuesit e rinj, të sapodalë nga bankat e shkollës, që japin mësim sipas modelit të mësuesve të tyre apo të praktikantit kur kanë bërë mësim dikur. Do të doja të dija, nga qeveria a ka një plan afatgjatë për kualifikimin e këtyre mësuesve, por edhe për të update-imin e mësuesve aktualë, që të ecin me hapin e kohës. Si do të jetë ky kualifikim, institucional apo privat, mbi bazën e qendrave që janë ngritur?

Më ka bërë shumë përshtypje në periudhën e fushatës, sepse është periudha kur, për arsye të kësaj pune që ne bëjmë, takojmë shumë njerëz, që nuk kishte rast që kur organizonim këndin e fjalës të mos çoheshin një apo dy të rinj, të paktën, kryesisht vajza, por edhe djem, që kishin mbaruar mësuesi dhe që gjendeshin të përjashtuar nga mundësia për të pasur një punë. Më ka bërë jashtëzakonisht shumë përshtypje. Një numër shumë i madh.

Nga ana tjetër, gjëja që gjithmonë mendoj dhe mendojmë është se çfarë ndodh me mësuesit më me eksperiencë, në raport me të rejat që futen në procesin e këtyre reformave; sa shoqërohen këto reforma me trajnimin e mësuesve, me dhënien të paktën të idesë se për çfarë bëhet fjalë; për çfarë e bëjmë këtë reformë; ku duam të dalim; çfarë përmbajtje ka dhe çfarë të rejash mendojmë që sjell dhe që duhet t’i njihni. Gjëra që qoftë në rastin e parë, qoftë në rastin e dytë kanë mbetur pa përgjigje.

Ne, pa asnjë dyshim, jo vetëm që gjithë procesin e reformës, qoftë për maturën shtetërore, qoftë për altertekstin, qoftë për vetë sistemin si është i organizuar dhe si do të riorganizohet dhe qoftë për të gjithë mekanizmat e tjerë, do ta bëjmë bashkë me ju. Në këtë proces janë parashikuar që të bëhen edhe trajnimet. Të bëhen trajnimet që janë të domosdoshme. Të marrin një aspekt. Ne kemi dy elementë të rinj, ndër të tjera. Regjistrin elektronik që duam ta fusim në shkolla. Me gjithë respektin për zyshën, është e pamundur. Unë e shikoj, shikoj veten time, në raport me fëmijët tanë në shpi, por jo sot, edhe më parë, apo në raport me kalamaj të vegjël. Sa më të vegjël, aq më të shpejtë me këto historitë e telefonave, të tabletave, të kompjuterëve. Ne, sa më të mëdhenj, aq më të menduar përpara këtyre “kafshësh” të panjohura të zhvillimit teknologjik. Që do të thotë që kemi nevojë të bëjmë trajnime, që regjistri elektronik të jetë funksional.

Apo tabletat. Do të fillojmë që vitin e ardhshëm me një projekt pilot për të futur në shkollë tabletat elektronike dhe për të hequr librat, por edhe kjo kërkon trajnim. Këtu s’është meraku aq te fëmijët që i mësojnë shumë shpejt, por është tek mësuesit që kanë nevojë të përgatiten për të kaluar nga librat tek tabletat.

Kështu që e gjithë kjo, padyshim që është e lidhur edhe me trajnim dhe sigurisht nuk bëhet fjalë për trajnime private. Bëhet fjalë për një proces të strukturuar, në mënyrë që jo ca t’i trajnojmë e ca të mos i trajnojmë, por, në rast se do t’u themi mësuesve që do t’ju vlerësojmë sipas rezultateve, atëherë duhet t’u krijojmë kushtet që të gjithë të kenë edhe asistencën që duhet t’u japim. Nuk mund t’ua japim disave dhe disave jo.

 

Përshëndetje. Do të doja t’ju pyesja në lidhje me punësimin e mësuesve. Në fakt është mirëpritur punësimi me konkurrim i mësuesve, kjo si shprehje e meritokracisë. Por çfarë duhet bërë për ta mbajtur larg politikën nga kjo meritokraci?

Unë e kam thënë dhe tani që nuk jemi më thjesht për të thënë, por jemi për të bërë atë që themi, se s’jemi në opozitë, e mendoj edhe më shumë. Sado predispozitë të jemi të ndershëm dhe të sinqertë, sado predispozitë të kemi ne që kjo gjë të ndodhë, shpëtimi i vërtetë i shkollës nga politizimi mund t’i vijë vetëm nga përfshirja e prindërve në këtë proces dhe sigurisht, edhe nga rritja e standardeve, qoftë të performancës, qoftë të matjes së performancës së çdo mësuesi. Pra, sa më shumë ta objektivizojmë procesin, aq më pak politika apo politizimi mund të bëjë dëmet që ka bërë dhe sa më shumë të përfshijmë prindërit në proces, aq më pak politizimi mund të bëjë dëmet që ka bërë. Sepse çfarëdo qoftë një prind, në radhë të parë kur duhet të gjykojë një mësues, gjykon mësuesin e fëmijës, nuk gjykon as partinë e mësuesit, as pëlqyeshmërinë apo sa komshi e ka mësuesin, apo sa kushëri e ka mësuesin. Dhe kjo nuk është përgjigja që e kemi shpikur ne. Kjo është përgjigja që i kanë dhënë të tjerët në vende të tjera dhe që jep rezultat.

Ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin në këtë drejtim. Do të isha tërësisht  i pasinqertë, në qoftë se do të thosha ia kemi dalë. Ashtu sikundër jam i bindur që jo kudo kjo gjë funksion ashtu si duhet. Jam i bindur që jo gjithmonë merita është njësia matëse që vendos, por duhet të bëjmë progres. T’i japim siguri mësuesve tek vetja e tyre, në kuptimin që e ka secili në dorë vendin e vet të punës, e ka secili në dorë cilësinë që ofron, bazuar tek energjitë që shpenzon, bazuar tek përkushtimi që ka. Dhe fatin e mësuesit nuk e ka në dorë as drejtori, as ministri, as partia që ka radhën për të qeverisur, apo partitë që kanë radhën për të qeverisur. Dhe paralelisht me përpjekjen për t’i dhënë siguri, të shënojmë muaj pas muaji, vit pas viti, progres, duke e ulur vazhdimisht numrin e rasteve, kur kjo nuk ndodh dhe duke rritur vazhdimisht besimin brenda në sistem. Gjë që do të rrisë shumë edhe krenarinë e mësuesve, do të rrisë shumë autoritetin e mësuesve, do të rrisë shumë pastaj, kontributin që do marrim nga mësuesit.

 

Referuar shndërrimeve që do të pësojë shkolla, besoj ka interes të dihet, cili është vizioni i qeverisë për shndërrimin e shkollave në qendra komunitare? Çfarë cilësish kanë këto shkolla?  

Faleminderit për pyetjen. Sot, ne e kemi dëgjuar nga thuaj të gjithë mësuesit që kemi takuar në vitet e fundit, është e qartë që mësuesi është vetëm dhe bashkëveprim komunitar thuajse nuk ka. Por edhe prindi është vetëm. Ne kemi marrë përsipër që të fillojmë fare thjesht, duke ndërtuar një sistem komunikimi me prindin, me shkrim. Periodikisht. Pra, çdo prind të marrë me shkrim, nga shkolla, një raport për ecurinë e fëmijës. Regjistri elektronik do të bëjë që çdo prind, përmes telefonit të marrë në kohë reale, dijeni, për  mungesat dhe për notat e fëmijës.

Nga ana tjetër, procesi përzgjedhjes së mësuesve, drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, me pjesëmarrje do të garantojë afrimin mes mësuesve dhe prindërve. Ashtu sikundër, gjithë politika jonë për “Shkollën, qendër komunitare”, që shkon përtej thjesht mësimit, por kalon tek orët e lira, kalon tek nxitja e organizimeve të brendshme në shkollë, për të promovuar, për të nxitur, për të mbështetur talentin e nxënësve në fusha të ndryshme, do të sjelli që të kalojmë nga një shkollë që sot është një vend ku mësuesit shkojnë se po shkojnë në punë, duhet të marrin rrogën, bëjnë aq sa munden, nxënësit shkojnë se po shkojnë në shkollë, rrinë, s’rrinë, hyjnë, dalin, mësojnë, s’mësojnë, prindërit ca i marrin vesh, ca s’i marrin vesh se çfarë ndodh, qeveria po me të vetën, bëj një reformë, hidhe atje, nxirr një udhëzim, çoje atje, thuaj tjetër, bëj tjetër, fol për maturën shtetërorë që do jetë transparente, që do jetë e kontrolluar, do jetë e sekretuar, pastaj shpërnda ato tezat nëndorë, etj. etj., të gjithë këta aktorë, “Shkolla, qendër komunitare” i bashkon bashkë. Secili ka rolin dhe pjesën e vet. Nga ana tjetër, përpjekja për të vlerësuar qoftë mësuesit, qoftë shkollat do të sjellë që të fusim edhe konkurrencën mes shkollave, të fusim edhe konkurrencën mes mësuesve, të fusim edhe konkurrencën mes nxënësve. Pastaj siç është normalisht në të gjitha vendet normale, mes komuniteteve të ndryshme, mes qyteteve të ndryshme, duke ndërtuar kështu, një mjedis krejt tjetër.

 

Duke qenë se shumica e gjimnazistëve tentojnë të shkojnë të gjithë në universitete, publike ose jo publike dhe në qoftë se ne njohim tregun që është ky që është. A mendon qeveria ndonjë projekt apo ide për shkollat profesionale apo do të vazhdojmë me këtë sistem që kemi?

Ne kemi folur pak, por është diçka që do të shtjellohet në muajt dhe javët në vijim, për Maturën Plus Dy, që është alternativa profesionale e ecurisë akademike. Flasim shumë me të drejtë për punësimin. Flasim shumë me të drejtë për nevojën për investime të huaja. Flasim shumë me të drejtë për krimin. Por të gjitha këto në dukje pa lidhje me njëra-tjetrën, kanë ndër të tjera një emërues të përbashkët, aftësinë për punë. Në qoftë se ne sot jemi vendi me numrin më të madh të juristëve për km katrorë në botë, në Evropë nuk diskutohet, kjo nuk na ndihmon që të jemi një vend me rritje konstante të punësimit. Në qoftë se ne sot kemi doktorë shkencash, profesorë, njerëz të diplomuar me tonelata ose miliona tonelata, kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër e medaljes është sa njerëz me zanate kemi. Për investime në energji, kompanitë nuk gjejnë njerëz me zanate. Detyrohen të hapin aty kurse për të marrë njerëz të patrajnuar, për ti trajnuar dhe për ti kthyer nga krah i pakualifikuar pune, në krah të kualifikuar pune. Bëhen investime ne naftë. Tekniket tanë të naftës kanë kohë që kanë ikur nga Shqipëria dhe teknikë të rinj nafte nuk ka, e me radhë në shumë sektorë të tjerë. Mungesa e krahëve të kualifikuar të punës, që do të thotë mungesa e zanateve dhe jo e diplomave është një nga problemet themelore që shtrojnë njerëzit që duan të investojnë në Shqipëri, por është dhe  një  nga problemet themelore të tregut sot.

Nga ana tjetër, politika e bërë ka qenë fare e qartë, për të mos u përballur me papunësinë e të rinjve, hajde ti çojmë të gjithë në universitet, blejmë kohë, blejmë qetësinë në karrige dhe vazhdojmë të qeverisim dhe flasim për suksese, për vendin me njerëz me më shumë diploma në botë. Nuk besoj se të tjerët janë më pak të mençur se ne, në qoftë se nuk kanë preferuar as që të shqyejnë dyert e universiteteve, as që kush del nga e mesmja të shkojë të futet në universitet, pavarësisht se universitet publike mund të jenë të stërmbushura, po hajde të shtojmë numrin e universiteteve private sa të mundemi dhe nga universiteti ti kthejmë në fabrikë që prodhojnë diploma të cilat ti shesim, por ta ndjekë një politikë shumë më racionale. Një hap tjetër që ne do të bëjmë është ndarja e arsimit të përgjithshëm me pjesën e arsimit të mesëm, mes Ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe futja e njerëzve në rrugën e shkollës me dy alternativa; jo o universitet, o s’ka tjetër, por universitet për ata që duan dhe mund ta ndjekin; dhe zanat për ata që s’duan ose që nuk kanë më mundësi ta ndjekin. E njëjta gjë me kalueshmërinë. Pse duhet me patjetër te garantojmë një kalueshmëri artificiale në maturë? Kush është arsyeja? E pse duhet me patjetër që jo vetëm të garantojmë kalueshmëri artificiale të lartë, por dhe të gjithë këta ti marrim ti çojmë në universitetKush është arsyeja? Për ti krijuar njerëzve iluzione se do të jenë nesër doktorë shkencash dhe në fakt ata janë të papunë që kur punësohen kamerierë e quajnë fat dhe nuk punësohen dot në një punë tjetër se s’ kanë zanat. Apo për ti futur prindërit nëpër investime kolosale të kursimeve të tyre, me iluzionin që do ta bëjnë fëmijën jurist dhe e bëjnë fëmijën ekonomist dhe  pastaj e kanë fëmijën në shtëpi të papunë, mbasi kanë investuar të gjithë paratë e tyre. Ndërkohë që ato para mund të investoheshin më pak dhe më me cilësi në arsimin profesional dhe fëmija të kishte një zanat, e me atë zanat të kishte një punë, me te cilën të jetonte ose të bënte një biznes të vetin. Një nga arsyet të lulëzimit më shumë se kushdo tjetër të biznesit të vogël, e dini se kush është? Është ajo që ai është vendi me arsimin profesional më të fortë në Evropë. Është vendi me standarde që s’jemi ne që i diskutojmë, megjithatë është vend që e ka ndërtuar bazën e suksesit të vet ekonomik dhe të punësimit tek arsimi profesional. Sigurisht nuk besoj se s’do ishin të zot të bënin dhe ata 10 mijë universitet private. Nuk kanë preferuar këtë rrugë. Kjo është gjëja që ne do të bëjmë. Sigurisht kjo kërkon kohën e vet për të dhënë rezultate, por duhet ta fillojmë. Nëse do ta kishim filluar 20 vjet më parë, 10 vjet më parë, sigurisht sot do të ishim në të tjera kushte krejtësisht përballë sfidës së punësimit.

 

Pyetja ime ka të bëjë me përfshirjen e prindërve në administrimin e shkollës. Si e keni menduar ju se mund të përfshihen prindërit në administrim në mënyrë sa më objektive. Sepse vihet re diçka, megjithë respektin ndaj tyre, shpeshherë vihet re mungesë interesi në lartësinë e duhur të tyre. Si do të jetë shkolla?

Është mirë që të jemi shumë të ndershëm në bisedë, mungesë interesi kanë edhe mësuesit, kur shohin që gjerat që nuk i takojnë mësuesit ti bëjë, i takojnë shtetit ti bëjë, nuk bëhen. Në qoftë se mësuesi shkon në një shkollë, që është  e braktisur nga shteti, jo në kuptimin që nuk ka çati e s’ka dritare, por nuk duket asgjëkundi asgjë tjetër, përveç një drejtori që është pronari “de fakto” i shkollës dhe që bën çfarë të dojë, shteti nuk duket gjëkundi. Plus siç e thashë ato reformat vijnë e hynë nga dritaret, nga dyert, papritur, bien nga lart dhe kuptohet që në kushtet e kësaj lloj anarkie dhe mësuesit nuk janë të interesuar. Çfarë mund të presim ne që në këto kushte sot kur flasim për prindërit. Si mund të besojnë prindërit sot që mund të kenë një peshë në vendimmarrje. Sot nuk e besoni ju, që jeni këtu, që po flisni e po dëgjoni, nuk besoj që thellë-thellë e besoni se këto që po ju them unë do të bëhen kështu, pa i parë njëherë që të bëhen, se boll keni besuar dhe pastaj jeni zhgënjyer. Tani e keni më të vështirë të besoni dhe kjo është e vërteta. Imagjinoni prindërit, si mund të besojnë prindërit se do ti pyesë kush çfarë mendojnë për mësuesit apo se do tu kërkojë kush mendje përfaqësive të tyre, madje dhe me votë në konkurset për mësuesit. Humbja brenda  sistemit është problemi më i madh që ka sot sistemi arsimor. Humbja  e besimit të mësuesve, humbja  e besimit të prindërve, humbja e besimit të nxënësve. Ata që dallohen qoftë mes mësuesve, qoftë mes nxënësve, janë ata që janë heronj në këtë histori. Pjesa më e madhe preferon të shtyjë dhe nuk ka faj. Besoj që kjo situatë ka filluar të japi shenjat e para të shpresës tek mësuesit se mund të dëgjohen, se do të respektohen dhe do të vlerësohen. Po këto janë vetëm shenjat e para.

Unë jam i bindur se do të bëjmë gjithçka dhe do të japim vijimësisht provën se ne jemi serioz dhe vërtetë e mendojmë atë që themi dhe duam ta bëjmë atë që themi, por bashkarisht duhet të bindim prindërit dhe nuk duhet ti bindim vetëm me fjalë, por edhe me prova. Bashkarisht duhet të bëjmë të mundur që ato raporte që u çojmë prindërve të jenë cilësore, të mos jenë letra bakalli për të larë gojën. Bashkarisht duhet të ndezim tek prindërit interesin për të ndjekur procesin. Jo se ata nuk kanë interes për fëmijën, por se kanë humbur besimin që shkolla mund të bëjë më shumë se ç’bën. Maksimumin e kënaqësisë e kanë kur të paktën fëmija rri në shkollë dhe nuk ka ikur. Ky është realiteti.

Vij nga gjimnazi “Qemal Stafa, një gjimnaz me përvojë dhe me arritje në të gjitha drejtimet, por në mënyrë të veçantë në maturën shtetërore. Megjithatë përshëndesim nismën e qeverisë për të bërë një ndryshim në Maturën Shtetërore sepse ajo ka të metat e saj. Gjithashtu përshëndesim nismën tjetër të qeverisë për të bërë një ndryshim rrënjësor në sistemin arsimor. Kjo është domosdoshmëri. Ju thatë pak më parë se në periudhën në vazhdim do të bëni edhe kartën e performancës për shkollat. A është menduar që brenda kësaj karte të përfshihen edhe ndryshimi i koeficienteve për Maturën Shtetërore? Në qoftë se po, a janë menduar pasojat se ç’mund të sjelli për një pjesë të nxënësve që studiojnë në shkolla që nuk janë elitë apo shkolla me performancë shumë të lartë, që mund të jenë shumë të mirë, në se ndryshojnë koeficientet? Ata penalizohen. Pyetja tjetër është se a do na sjell kjo në një mbipopullim të shkollave me performancë më të lartë, sepse prindërit do të kërkojnë që fëmijët  e tyre të shkojnë në shkollat më të mira?

 

Padyshim të ndërhysh sot në sistem dhe ta bësh këtë në mënyrë frontale siç duam ta bëjmë ne në të gjitha aspektet, do të thotë të trazosh keq një ujë të ndenjur prej shumë vitesh. Një ujë të ndenjur ku reformat nuk kanë shtuar mundësinë për kthjellim, por kanë trashur turbullirën e ujit. Kanë rritur përgjumjen dhe indiferentizmin brenda sistemit dhe kanë krijuar një kulturë mosbesimi tek sistemi të lidhur pastaj edhe me një standard të gjithëpranuar, në daç ta quajmë korrupsioni nga njëra anë, në daç ta quajmë anashkalimi të ligjit nga ana tjetër, në daç ta quajmë edhe shkelje të Kodit Etik, qoftë edhe të pashkruar të mësuesit, kur vjen fjala tek kurset private. Besoj se gjëja që i mungon në përgjithësi sistemit tonë në këtë vend dhe që i mungon sistemit arsimor është konkurrenca dhe merita. Po tkurrëm konkurrencën sigurisht do hapim telashe. Konkurrenca, në qoftë se është konkurrencë reale, ka të mirën e madhe që i bënë vete seleksionimet, por ka dhe problemin tjetër që nuk të jep mundësinë pastaj që të rrafshosh gjërat dhe ti bësh të gjithë siç e kemi ne shprehjen si këmbët e dhisë, sic ndodh shpesh dhe siç ka ndodhur në sistemin arsimor.  Prandaj dhe ne do të ecim me faza dhe në këtë proces.

Por unë besoj dhe ne besojmë se karta e performancës do të bëjë që të stimulohet shumë qoftë mësuesi i aftë, qoftë dhe çdo shkollë, për të dhënë maksimumin dhe do të stimulohet shumë, patjetër edhe konkurrenca mes nxënësve. Pastaj atë ndarjen se kush shkon në universitet dhe kush shkon në zanat nuk do ta bëjë as partia, as edhe një politikë qorre e radhës e qeverisë, as drejtori, por do e bëj konkurrenca dhe do ta bëjë merita. Unë nuk jam naiv që të besoj se ne mund të kalojmë nga kjo gjendje knock doën-i, ku e kemi trashëguar sistemin arsimor, në një gjendje ideale. Por, me siguri, ne mund të bëjmë as më shumë e as më pak, por atë që bëjnë shkollat, që bëjnë mësuesit, që bëjnë prindërit, që bëjnë nxënësit në pjesën më të avancuar të rajonit tonë. Këtë me siguri mund t’ia lejojmë vetes si ambicie dhe duhet të punojmë të gjithë bashkë që ta realizojmë.

 

Cila do të jetë politika që do të ndiqni ju dhe qeveria juaj lidhur me degët e mësuesisë, ku nëse me të vërtet kërkohet cilësi dhe këtë e kërkojmë gjithmonë,  lipset që të dërgojmë maturantët më të mirë, për të mos më të thënë disa nga më të mirët. Cila është përqasja e qeverisë në këtë drejtim, sepse cilësia prodhon cilësi. Unë kam 37 vjet punë dhe meraku për cilësinë ka qenë dhe do vazhdojë deri sa ta mbyllim këtë mision që kemi.

Në qoftë se ne nuk stimulojmë degët ku ne kemi nevojë për interesin publik dhe që sot, janë degë ku njerëzit nuk afrohen, sepse nuk janë degët më të preferuara, ne e kemi humbur përfundimisht trenin e kohës. Si të kemi mësues anglishteje në çdo shkollë? Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, në vend më të varfra, në vendet më të izoluara të Shqipërisë, që jo për meritën time, por për arsye të punës më ka çuar herë pas here rruga, kam takuar komunitete prindërish që kishin të gjitha nevojat, rrugë, ujë, drita, treg për të nxjerrë ato pak prodhime që kishin, ambulancë dhe nuk ka qenë asnjëra nga këto kërkesa, e para. Madje, jo vetëm në një rast kam dëgjuar këtë shprehje: Ne kemi nevojë këtu për gjithçka, por s’ka për të na ardhur radha neve për këto, se jemi larg, të paktën mësues anglishteje për kalamajtë. Kur e dëgjon të duket si absurde, si mund të jetë kështu, por është në fakt shumë e thjesht dhe shumë praktike. Mësues anglishteje për kalamajtë. Anglisht për kalamajtë, domethënë një palë krahë  që të fluturojnë e të dalin nga ky kurth ku ne të tjerët kemi ngecur. Po si mund të kemi mësues matematike? Kush do të jenë ata që do shkojnë të studiojnë matematikën, që do bëhen mësues matematike nesër, në kushtet kur tregu dhe në kushtet kur shkuarja pas një rruge që të jep siguri se do kesh të ardhura, nuk ta krijon këtë ide. Apo mësues kimie. Pra, gjithë këto degë që janë absolutisht jetike për të rritur ashtu siç duhet dhe për të edukuar ashtu siç duhet fëmijën dhe që sot po braktisen në masë, ka vetëm një mënyrë. E këtë, ne e kemi në fokus si një nga elementet e reformës së arsimit të lartë, që ne t’i stimulojmë këto degë, duke stimuluar financiarisht ata që i marrin përsipër këto studime dhe duke ju dhënë atyre një garanci paraprake që të tjerët nuk e kanë kur shkojnë për studime. Sepse në fakt, kur shkon për jurist apo dhe për mjek, të duket sikur e ke të sigurt më mbrapa, por nuk e ke të sigurt më mbrapa. Përkundrazi.

Këtu dua të vij tek reforma në arsimin e lartë që fillon nga një prezumim shumë i thjesht, nuk ka arsim shtetëror apo arsim privat. Ka arsim publik. Arsim publik që financohet nga shteti dhe arsim publik që financohet nga privati. Duke u nisur nga kjo, pastaj vazhdohet duke vënë të qartë një gur themeli. Arsimi publik duhet të ketë këto standarde dhe të gjitha universitetet, qofshin ato që i financon shteti, qofshin ato që financojnë privatët duhet të akreditohen në bazë të të gjithë kritereve të akreditimit. Edhe aty konkurrenca duhet të vendosë.

Përse them arsim publik, edhe për privatët? Nuk mund të kemi universitete private me qëllim fitimi. Universitete private me qëllim fitimi janë fundi, kemi prekur fundin dhe kemi tradhtuar një gjeneratë të tërë apo aq gjenerata, për aq kohë sa ne do pranojmë këtë koncept. Hap universitet privat, fito lekë. Jo! Nuk mund të jetë kështu! Nuk mund të jenë ndërmarrje fitimprurëse! Duhet të jenë shërbim publik i financuar nga privatët dhe të ardhurat duhet të riciklohen brenda përbrenda sistemit, për të përmirësuar sistemin. Kush do, kush nuk do nuk ka vend në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

 

Çfarë keni menduar ju për universitetin publik? Sepse ju thoni universiteti pritat, domethënë po ta marrim si “delja e zezë”, po Universiteti Publik? Nga përvoja ime personale, unë e kam lënë universitetin shtetëror dhe ika në kurbet për shumë vite. U ktheva përsëri dhe e rifillova në moshë relativisht të vonë dhe kjo nuk më pengoi të vazhdoja edhe masterin dhe të jem doktorantë. Po flas për gjithë ata që nëse i përgjithësojmë do t’u vinte keq.

Unë i kam prekur të dy universitet, edhe atë në atë kohë që keni bërë edhe ju universitetin, edhe në universitetin e sotëm. Unë them se ka shumë probleme Universiteti Publik. Pedagogët më shumë nuk japin mësim sesa japin. Sidomos edhe për sa i përket komunikimit të studentëve. Studentët duhet ta marrin komunikimin nga pedagogut. Por pedagogët nuk japin llogari askund.

Unë s’jam fare dakord me faktin që ju përmendët dy herë që jeni moshë e madhe, sepse unë kur ju pashë mendova se paskan sjellë edhe studente këtu në sallë. Edhe në qoftë se ju jeni moshë e madhe, atëherë na tregoni recetën e shkëlqimit në moshë të madhe, se me siguri do jetë magjike.

Së dyti, në qoftë se e keqja e komunikimit vjen nga lart, atëherë unë shkoj më lart se Universiteti, te Parlamenti.  Aty fillon modeli i parë i komunikimit. Fatkeqësisht, aty merren edhe mësimet e gabuara për mënyrën sesi njerëzit flasin me njëri – tjetrin kur nuk janë dakord. Se kur janë dakord… Dhe ka një shprehje që mua më pëlqen shumë, që vlen për një shtet, vlen për një komunitet dhe vlen edhe për një familje: “Cilësia e bashkëjetesës mes nesh, nuk varet nga sa shumë jemi dakord, por nga mënyra sesi ia shprehim njëri – tjetrit mosdakortësinë”. Kur mosdakortësia shprehet në një mënyrë civile është pasuri, është shkëmbim energjish pozitive dhe këndvështrimesh që të pasuron. Kur mosdakortësia shprehet në mënyrë barbare është brutalitet, është dhunë, është degradim. Thënë këto, unë dua ta përsëris, fola për universitetet shtetërore dhe private duke thënë që duhet të jenë të gjitha publike. Dhe u përqendrova tek privatet, por arsyeja pse ne besojmë tek baza e reformës që duam të bëjmë, që të gjithë universitetet të jenë publike, pavarësisht se nga kush financohen, është jo vetëm për të vendosur në rrugën e duhur financimet private, nga të cilat arsimi i lartë ka përfituar jashtëzakonisht shumë në Shqipëri në ato raste kur financimet janë adresuar siç duhet dhe strukturat e financuara janë ngritur siç duhet, por nga ana tjetër, për të thënë edhe që universitet sot, siç janë publiket, nuk e justifikojnë as besimin, as shpenzimin, në tërësi. Siç ka private që kanë një cilësi më të mirë, ka edhe publike që kanë cilësi më të mirë. Por, në tërësi sistemi ynë universitar është një piramidë, qoftë te privati, qoftë te publiku, nga pikëpamja e asaj që jep dhe asaj që merr. Nga pikëpamja e produktit të fundit. Kemi inflacion masterash, doktoratash, diplomash, etj., etj., dhe po ta shohësh i binte që ne të eksportonim kapital njerëzor dhe t’i jepnim asistencë juridike francezëve, gjermanëve, anglezëve me gjithë këta juristë që kemi; të asistonim kompanitë e mëdha me gjithë këta Doktorë Shkencash që kemi në ekonomi, korporata në Amerikë dhe të furnizonim spitalet më të mëdha të botës me gjithë këta mjekë që kemi.

Por s’është kështu. Shumica e këtyre diplomave janë njësoj si letra pavlerë që u kanë ngelur në dorë atyre të cilët janë gënjyer, qofshin të rinj, qofshin prindër. Kanë bërë një investim në kohë të rinjtë dhe në para prindërit, me idenë që në fund të kësaj rruge do të kenë mbrapsht një Doktor Shkencash, me një punë të respektuar. Kaq mbrapsht është futur në mendësinë shoqërore kjo ide, saqë kur hapen vende pune për në call center, shumë të rinj thonë – “po pse, në call center do të punoj unë?!” Po je i pa punë. Po të shohim rezultatet e para që kemi nga Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, tregojnë se janë në Zyrën e Punësimit në Tiranë mbi 3 mijë vende pune në dispozicion. Janë të paktën të dhënat e para 2 javëve, sepse shkojnë duke u rritur, pasi shtohet numri i sipërmarrjeve që i bëjnë të ditura këto. Çfarë problemi ka? Një pjesë e madhe janë zanate, dhe vijmë edhe te ajo që folëm; një pjesë tjetër, ato që praktikisht zihen, pjesa më e madhe janë shqiptarë, vajza e djem që kanë ardhur nga emigracioni, nga Italia ose Greqia. Pse?! Sepse vijnë nga një realitet ku punës nuk mund t’i bësh naze, se ndryshe nuk jeton dot. Vijnë me zanat dhe vijnë të gatshëm për të jetuar me punë. Ndërsa një pjesë jo e vogël e të rinjve këtu, për shkak iluzionit që i është krijuar, jo për faj të tyre, se do të mund të bëhen menjëherë njerëz të niveleve të larta drejtuese, nuk e kuptojnë dot sesi mund të fillojnë tani, pasi kanë bërë gjithë ato mastera apo pasi kanë blerë doktoratën, të mund të shkojnë të punojnë në një call center apo të shkojnë të punojnë në një punë që nuk është drejtor apo shef.

 

Me gjithë ecurinë e punës në arsim, ka ardhur momenti që të trajtohet me cilësinë e duhur Kodi i Etikës, i cili, fatkeqësisht, është drejtuar vetëm në kërkesat ndaj mësuesit. Po komuniteti i shkollave a do të ketë Kod Etike? Dhe në çfarë forme?

Besoj që autoritetin shkollës ia jep vetja. Edhe autoritetin mësuesit ia jep prapë vetja, në kushtet kur qoftë shkolla, qoftë mësuesi vihen në mundësinë për ta pasur këtë autoritet. Se kur nuk vihen në këtë mundësi, s’kanë nga ta kenë. Dhe, vetvetiu pastaj, autoriteti i shkollës dhe mësuesja e “Qemal Stafës” e preku nga një këndvështrim tjetër pjesën që prindërit e dinë kush është shkolla “Qemal Stafa” dhe kush është një shkollë tjetër. Vetë fakti që ka shumë më tepër prindër që synojnë t’i çojnë fëmijët atje, flet për autoritetin e shkollës. Dhe, me siguri, edhe në marrëdhëniet e ndërsjella mes shkollës dhe komunitetit, tjetër marrëdhënie në nivelin etik është në shkollën “Qemal Stafa”, tjetër është në një shkollë tjetër. Them që Kodi Etik i mësuesit, që ne do ta bëjmë pjesë të marrëdhënies së mësuesit me profesionin dhe me shkollën, është një domosdoshmëri, por është vetëm baza. Mbi të është vetë autoriteti që krijon shkolla, që i jep komunitetit mundësinë për t’u zhvilluar edhe në planin etik.

 

***

Unë ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj, ju falënderoj nga zemra për gjithçka keni bërë dhe bëni, dhe ju falënderoj nga zemra edhe për gjithë pyetjet apo shqetësimet që ngritët, duke ndihmuar që këto fjalë që shkëmbyem t’i ndajmë bashkarisht edhe me shumë më tepër njerëz, përmes televizionit.

Dëshirova shumë të takoheshim sot, një ditë përpara 7 Marsit, – nesër është festa juaj dhe e drejta juaj të festoni dhe të ndjeheni krenar për këtë punë, që nuk është thjeshtë punë, por është mision qytetar, mision shoqëror, mision patriotik, –  dhe t’ju siguroj se në 7 Marsin tjetër do të keni, me siguri, më shumë gjëra për të thënë lidhur me rezultatin që do të kemi arritur bashkarisht. Edhe pse jam i bindur që as 7 Marsin tjetër dhe në asnjë 7 Mars, për sa ne do jemi mbi këtë tokë, problemet e shkollës, shqetësimet e mësuesve dhe mbi të gjitha ambicia e përbashkët e shkollës dhe e shoqërisë për t’i bërë gjërat më mirë, nuk do kenë shteruar.

Shumë faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.