Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në shëtitoren bregdetare të qytetit të Durrësit po vijojnë ndërhyrjet paralelisht me zgjerimin e brezit të ri ranor, me qëllim krijimin e një zone të re rekreative dhe gjelbërimi midis shëtitores dhe pjesës së rërës. Projekti synon transformimin e kësaj hapësire në një ambient multifunksional, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe rekreative për qytetarët dhe pushuesit.

Gjatë inspektimit në terren ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve dhe u njohën me detajet teknike të projektit

“Këtu investimi ka filluar paralelisht, si nga pjesa e fundit tek Kavalishenca, ashtu edhe nga pjesa e fillimit. Janë dy kompani të ndryshme që po punojnë. Mbushja është bërë nga vija e shëtitores rreth 75 metra deri tani. Ka qenë kjo periudha që ne kemi parë dhe materialin me projektuesin, nëse është sipas projektit apo jo”, – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

Zona e ndërhyrjes shtrihet në një gjatësi prej rreth 2.1 kilometrash, nga pika e pistës deri në fund të segmentit të projektuar. Vija e re e bregdetit po ndërtohet sipas projektit të miratuar, duke krijuar pjerrësinë e nevojshme për pjesën e plazhit. Distanca nga shëtitorja deri te vija e re e bregdetit arrin në 100 metra, ndërsa mbushja ranore varion nga 30 deri në 50 metra.

“Jemi në fazën përfundimtare të lidhjes së kontratës për projektin e ri, i cili do të zgjerojë pjesën e shëtitores dhe do të krijojë një sërë facilitetesh dhe shërbimesh publike, kënde lojërash dhe hapësira sportive, duke e kthyer shëtitoren e Durrësit në një nga shëtitoret më të bukura”, – tha Dritan Agolli, drejtor i FSHZH.

Projekti parashikon gjithashtu mbjelljen e një numri të madh pemësh dhe krijimin e një brezi të gjelbër midis shëtitores dhe plazhit, duke rritur ndjeshëm cilësinë e hapësirave publike dhe përvojën e qytetarëve dhe turistëve.

“Tani do të bëhet e jashtëzakonshme. E para, do të ketë një sipërfaqe ranore fantastike. Pastaj, me të gjitha ndërhyrjet e reja dhe me pemët që do të mbillen, do të krijohet një brez i gjelbër shumë i bukur.” – theksoi Kryeministri Rama.

Synimi final i projektit është krijimi i një “ishulli gjelbërimi” mes shëtitores dhe brezit ranor, ku do të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore dhe festive, duke ofruar më shumë hapësirë dhe shërbime për komunitetin dhe vizitorët e qytetit bregdetar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.