Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në fazën finale të Konkursit Ndërkombëtar për përzgjedhjen e projektit fitues për “Vijën Bregdetare të Vlorës”:

Përshëndetje të gjithëve.

Më lejoni që në emrin e gjithë qytetarëve vlonjatë, këtu të pranishëm, t’ju uroj mirëseardhjen arkitektëve që janë përzgjedhur për këtë finale që zhvillohet sot dhe njëkohësisht i uroj mirëseardhjen të gjithë anëtarëve të jurisë, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për t’u bërë pesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët, që shënon edhe hapin e parë të madh drejt Vlorës së shekullit të ri.

Mirëserdhët që të gjithë dhe jam i bindur se kjo ditë do të jetë me mbresa pozitive për të gjithë ju dhe se do doni të riktheheni përsëri në Vlorë, bashkë me të tjerë miq, sepse Vlora është një vend i bukur, të cilin ne të gjithë, sëbashku, do ta bëjmë botërisht të njohur si një nga portat më të bukura të Mesdheut.

Ky është një konkurs që na ndihmon t’i japim jetë idesë së transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, që njëkohësisht do të jetë edhe një shembull transformues për t’u ndjekur më pas, në segmente të tjera të vijë bregdetare të Shqipërisë, por edhe një shembull transformues për sa i përket në tërësi politikës së qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimin e integruar turistik, ekonomik, e padyshim, edhe social, të vendit tonë.

Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm që ka qyteti, jemi të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm turistik që mbetet për t’u eksploruar e për t’u zhvilluar më tutje, me një vizion të ri, me forca të reja dhe kapacitete të bashkuara mes njerëzish të vendit tonë dhe njerëzish të Evropës e botës ku jetojmë.

Është shumë e rëndësishme që ky projekt është në të njëjtën kohë, edhe shprehje e kësaj vetëdije, se përmes dialogut të vizioneve, dialogut të ideve, dialogut të qasjeve të ndryshme, ne mund të bëjmë zgjedhjet më të mira dhe mbi zgjedhjet më të mira ne mund të bëjmë më të mirën për vendin tonë të përbashkët e natyrisht, qytetin tonë të dashur, Vlorën.

Pa ju marrë më shumë kohë dhe jashtëzakonisht i interesuar e kurioz si të gjithë ju, për të parë këtë finale kaq të rëndësishme, që hap një kapitull të ri për qytetin e Vlorës, i uroj sukses të gjithëve pjesëmarrësve. Natyrisht do të fitojë vetëm njëri, por në të njëjtën kohë, jam i bindur se gjithë të tjerët, me idetë e tyre do të na kenë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Padyshim, çdo ide e vlefshme do të jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor për qytetin tonë, në projektin që hap siparin e Rilindjes për Vlorën.

Faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.