Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministri Edi Rama, mbajtur në seancën e sotme parlamentare:

Zoti kryetar, nuk e kam replikë, e kam diskutim. Nuk kam replikë sepse parafolësit nuk meritojnë replikë. Kam diskutim sepse sot, më shumë se sa në një ditë të zakonshme, meritojnë të dëgjojnë ata që na ndjekin dhe që në fillim dua të them se fjalët e mia sot i drejtohen në mënyrë të veçantë, atyre që ju ndjekin.

Kur ju dëgjoj të flisni për rregullore, ndërkohë që qysh në vitin e parë të eksperiencës sime këtu, në këtë sallë, jam dëshmitar, se kalëroni mbi rregulloren, në çdo seancë. Është vërtetë. Edhe një herë tjetër rasti për të bërë një pyetje; Si ka mundësi që shqiptarët vazhdoni t’i merrni për budallenj? Si ka mundësi që vazhdoni të besoni se shqiptarët mund t’ju besojnë sa herë që merrni këtu fjalën dhe flisni nga pozitat e dikujt që sapo ka rënë nga qielli? Nga pozitat e dikujt që nuk ka qenë këtu, në këtë parlament, kur ky parlament u bë, jo vetëm pengesa  e madhe, serioze  e opozitës për të luajtur rolin e vet, por edhe gazi i botës.

Është i vetmi rast në historinë e integrimit në BE, që një parlament futet në një Progres-Raport, si një institucionin problematik. Është i vetmi rast, në historinë e integrimit evropian, që drejtuesi i një parlamenti me emër dhe me mbiemër, bëhet personazh i një Progres-Raporti, si instrument i shumicës për të shkelur pakicën. Ky është rasti juaj. Sepse nuk keni rënë nga qielli, thjesht keni rënë nga pushteti. Keni rënë nga pushteti dhe keni rënë jo përpara 20 vjetësh, por përpara pak muajsh. Keni lënë pas, një të atillë rrëmujë në Shqipëri, që dukeni akoma më qesharakë, se sa çdo të dukej në fakt gjithkush që menjëherë sapo e largojnë me votë nga pushteti, fillon e kërkon llogari, -kur na kërkoni ne llogari, për të gjitha gjërat që i keni bërë ju. E për më tepër akoma, kur fyeni inteligjencën e këtij populli duke i thënë – çohu se erdhi ora, të bësh atë që bëre o popull, atëherë kur u ngrite për të shembur një regjim. Atëherë, përgjigjen e keni marrë të plotë në 23 qershor dhe sa më shumë të vononi ta lexoni atë përgjigje, aq më të fortë do ta merrni përgjigjen kur të vijë radha tjetër.

Sot këtu, ngritët një alibi; sikur kjo që po ndodh, që nuk është absolutisht e paparalajmëruar, por është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që ka ndodhur në këtë sallë, kur është shkelur pikërisht rregullorja për të cilën ju flisni. E, janë shkelur pikërisht ato liri dhe të drejta, të cilat ju keni marrë përsipër t’i mbroni, -thoni se është hakmarrje. Si gjithmonë nxirrni këtu letra, i tundni pa lexuar dhe pa ia lexuar njerëzve.

Dy gjera kam unë për këtë.

E para, ndër ata që janë marrë me politikë në këtë vend, besoj jam njeriu më i hetuar në Shqipëri. Keni ngritur tre, se as nuk më kujtohen më sa ishin, komisione hetimore posaçërisht për personin tim, – as për çështje, as për fenomene, as për probleme, as për skandale, për personin tim. -Mbi çfarë i keni ngritur? Mbi të njëjtin instrument, me të cilin keni vepruar 20 e kusur vite. Instrumentin që ai, që ju ka kequdhëhequr 20 e kusur vite, e ka marrë në shkollën e Partisë së Punës. Në shkollën e Partisë së Punës, instrumenti ishte ai i gjithë shkollës komuniste, ku; Ngri një shpifje, bëje shpifjen botërisht fakt, mbi atë shpifje ndërto një akuzë. Mbi atë akuzë, ngri një gjyq. Me atë gjyq, pushkato, dëno, syrgjynos.

Ky është instrumenti që nga Partia e Punës e morët në Partinë Demokratike. E morët në Partinë Demokratike nëpërmjet, ekzaktësisht, shërbëtorëve të Partisë së Punës. Folët për vullnetarë të Enverit dhe unë dua thjesht të them se fizikisht këtu ka një, vullnetar të Enverit të vetëm dhe nuk është në këtë krah, por në atë krah. Vullnetar i Enverit, sapo erdhi. Ashtu sikundër nuk është në këtë krah, por është në atë krah, edhe një, që sot vërtetë do na vinte në pozitë të vështirë, po ta kishim akoma në këtë krah. E keni pak më mbrapa. Po, padyshim, që të dy këta s’vlejnë asgjë, sepse ju keni mes jush karikaturën e gjallë të Enverit. E keni mes jush. Nuk është Enveri, është karikatura e tij. Se kush rrinte si gjynah mbrapa mureve nuk e di, di kush rrinte si gjynah në majë të varkës. Këtë e di. Mbrapa mureve nuk e di.

Kjo histori ka vazhduar shumë gjatë dhe është historia e dhimbshme e transformimit të lëvizjes antikomuniste në partinë e marrë nën kontroll nga më i keqi i komunisteve që, e thotë Vaslav Haveli dhe jo unë, është antikomunisti komunist. Nuk ka më keq! Komunist antikomunist, domethënë ke hatanë mbi kokë. Këtë hata populli shqiptar e zgjidhi, tani e keni mbi kokë ju.

E dyta, që dua t’ju them konkretisht, është; Mirë deri në shtator, po mbas shtatorit, tetori, nëntori, dhjetori, janari, shkurti, kjo zonja që, sipas jush, paska qenë e kërcënuar atëherë kur unë isha kryetar i opozitës, pse nuk kërkoi hetimin sipas ligjit, sepse në atë letër ia kam thënë shumë qartë, duhet të prisni që unë të jem subjekt i deklarimit dhe nuk isha subjekt i deklarimit dhe më thoni. Mirë nuk e bëri deri më sot dhe për zonjën, unë personalisht s’kam asgjë, në asnjë mënyrë, madje, deri ditën e fundit kam qenë në bashkëpunim institucional. Ka vetëm një problem që ia krijuat ju zonjës, se ajo korrespondencë është e institucionit,  nuk është e Partisë Demokratike. Si është e mundur që ajo korrespondencë shfaqet sot këtu dhe shfaqet nga Partia Demokratike!?

Megjithatë, unë po jua përsëris; Jam njeriu më i hetuar në Shqipëri. Jam gati t’i nënshtrohem çdo lloj hetimi, sepse kam besuar gjithmonë dhe vazhdoj të besoj që pavarësisht se instrumenti i trashëguar nga Partia e Punës, që e ka  mbajtur peng Partinë Demokratike dhe vazhdon ta mbajë peng akoma sot, por që ka mbajtur peng Shqipërinë dhe jo pak kohë, por shumë, 20 vjet, nuk ka asnjë gjasë që të cenojë integritetin tim. Siç nuk e ka cenuar dot përpara, nuk do të cenojë dot as sot, as nesër, as kurrë.

Ajo që ka cenuar dhe vazhdon të cenojë, është populli shqiptar, është kultura e bashkëjetesës së këtij populli, është edukata elementare që çdo prind i jep fëmijës së tij në çdo familje shqiptare, pavarësisht e majtë apo e djathtë, që këtu, në këtë foltore, përmes këtij instrumenti ka 20 e kusur vite që goditet, duke ju dhënë fëmijëve të këtij vendi shembullin më të ulët të komunikimit me tjetrin, shembullin më të ulët të raportit me të vërtetën dhe me gënjeshtrën, shembullin më të ulët të cilësisë së përfaqësimit të këtij populli.

Përfytyrojeni dhe është shumë e thjeshtë,  se çfarë u thotë fëmijëve të këtij vendi, çfarë u thotë prindërve të këtij vendi, ky parlament, ku nga kjo foltore derdhet gjithë ai lumë i përjavshëm, prej kaq shumë vitesh, fjalësh që nuk kanë lidhje me etikën, nuk kanë lidhje me edukatën, nuk kanë lidhje me normat më elementare të mirësjelljes. Por, kanë lidhje vetëm me Partinë e Punës dhe jo me Partinë e Punës si e tërë në këtë rast, po vetëm me atë instrument të Partisë së Punës që shkallmoi raportin me të vërtetën në këtë vend dhe shkallmoi jetë njerëzish të këtij vendi, duke i futur në rrethin vicioz, shpif, shpif, shpif, ktheji shpifjet në akuzë zyrtare, nga akuza zyrtare ngri një gjyq, nga gjyqi çoji njerëzit nëpër pushkatime, nëpër dënime, nëpër syrgjynosje, pa asnjë të vërtetë tjetër, veç të vërtetës së një pushteti që nuk e pranonte, madje, e përjashtonte egërsisht çdo alternativë  ndaj vetes së vet.

E kjo është ajo që sot, ju sjell ju deri në këtë pikë, sa t’ju thoni shqiptarëve do të protestojmë se nuk u bënë legalizimet falas. I fyeni shqiptarët në inteligjencën e tyre në këtë farë feje, sa t’i merrni për aq budallenj, që të besojnë se në 5 muaj duhet që kjo qeveri të kishte bërë atë që në 8 vjet, ju, “kampionët e anarkisë” në të gjithë territorin dhe njerëzit e votuar në shumicë nga zonat informale të Tiranës jo nuk e bëtë.

Jo! E bëtë vetëm 5 %. Por, e kthyet në një industri korrupsioni dhe përfitimesh aq marramendëse, sa që faktet, aq pak fakte sa kanë dalë sot në dritë, do të mjaftonin që këtë term të mos e ceknit më me gojë, minimalisht. Për të mos thënë më pastaj që duhet të kërkonit ndjesë lidhur me ketë temë, ku jeni përgjegjës jo përpara shqiptarëve sot, por jeni përgjegjës përpara historisë së këtij vendi. Sepse nuk zhbëhen më ato shkatërrime. Gjithçka mund të rikuperohet, por nuk rikuperohen më qindra e mijëra hektarë tokë buke. Nuk rikuperohen më pasuri të tëra në plazhe, në qytete, në kodra, në fusha, pranë lumenjve e kështu me radhë, që nën udhëheqjen qorre të Partisë Demokratike dhe të Qeverisë së Partisë Demokratike janë shkatërruar njëherë e mirë.

Thoni, si ka mundësi që nuk u bë shëndetësia falas për pak muaj? Ndërkohë që keni 23 vjet që udhëhiqeni nga një mjek, që vetëm për katandinë ku është sot sistemi i shëndetësisë nuk duhet të guxonte më ai dhe gjithë partia të flisnin për shëndetësinë.

Thoni, që u rritën taksat. Po me kë talleni?! Kë merrni ju për budalla?! Kujt iu rritën taksat? Iu rritën taksat infermiereve?! Iu rritën taksat mësuesve?! Iu rritën taksat policëve?! Iu rritën taksat mjekëve?! Iu rritën taksat rrogëtarëve?! Kujt iu rritën taksat? Taksat u janë rritur juve, siç na janë rritur dhe ne. Taksat u janë rritur atyre që u është thënë se ne do t’jua rrisim taksat.

E dëgjova instrumentin e Partisë së Punës rastësisht te kafja e Parlamentit, – se herë pas here del dhe bërtet te penxherja aty, – të ngrihemi për doganat. Për cilat dogana të ngrihemi? Për doganat që sot i janë rikthyer popullit shqiptar?! Për doganat që sot po arrijnë rezultate që përmbysin të gjithë grafikun negativ të rënies në humnerë të të ardhurave publike, pikërisht për shkak të doganave dhe tatimeve të korruptuara?! Për cilat dogana do ngrihet sot Shqipëria?!

Dhe, ndërkohë flisni ju, që i latë Shqipërisë në fyt një lak borxhesh 720 milionë dollarë, punësh dhe shërbimesh që nuk pranuat që t’ia paguanit as kompanive dhe as një pale të tretë në këtë vend.

Por, në fund të fundit, ju keni një të drejtë. Keni një të drejtë, sepse në një vend demokratik, që funksion normalisht, ka dy drejtësi;

Ka një drejtësi politike, që e bën populli me votë dhe ajo drejtësi u bë më 23 qershor;

Ka një drejtësi tjetër, Kushtetuese, që e bëjnë prokuroritë dhe gjykatat.

Ju keni shumë të drejtë, sepse sot, zëdhënësit më të zjarrtë të kësaj marrëzie, që i thotë shqiptarëve nuk u bë kjo, nuk u bë kjo, nuk u bë kjo prandaj erdhi dita që të vini ju prapë në pushtet, nuk do të ishin duke folur këtu, do të ishin duke folur përpara prokurorit dhe përpara gjykatës. Po! Këtu keni të drejtë. Këtu nuk keni faj, sepse ndërkohë që ne kemi ardhur në Qeveri, ju vazhdoni të kontrolloni pushtetin gjasme të pavarur të drejtësisë, me instrumentet e politikës tuaj të bashkëfajësisë, me ata që i keni vendosur atje si gurë shahu, të cilëve u keni marrë garancinë se nuk do t’ju prekin në gjithë ato vite dhe ndërkohë u keni lënë fushë të lirë për të bërë çfarë të duan me njerëzit e thjeshtë. Kjo është e vërteta.

Për këtë arsye, unë them që ka ardhur koha që duke filluar që nga 21 janari, që ju e keni për shumë zemër ta përmendni, të biem dakord që një prokuror i pavarur, i huaj, të vijë dhe të drejtojë hetimin e çështjes. Ka ardhur koha që në qoftë se ju e keni kaq për zemër luftën ndaj korrupsionit, ta shtrijmë këtë praktikë, që nuk është praktikë ekskluzive e shqiptarëve, e kanë bërë edhe vende të tjera edhe më tej, dhe pastaj le të shohim çfarë rezultatesh do të nxjerrë një hetim real, i bazuar jo mbi shpifjet që ju i përsërisni pa pushim për t’i kthyer në të vërteta botërisht të njohura dhe mbi to të ngrini akuza dhe mbi këto akuza pastaj të bëni gjyqe, por mbi prova dhe mbi fakte.

Jeni në opozitë, s’keni absolutisht asgjë për të fshehur apo jo? Kështu thoni ju, se unë them ndryshe. Edhe këtë ngut të madh për të shkuar në një rrugë që është e drejta juaj, por që në fakt është shprehja më e qartë e të vërtetës se jeni të mbërthyer nga dhimbje të mëdha për humbjen e atij pushteti, e keni ndërmarrë pikërisht për këtë, se keni shumë për të fshehur. Jo të gjithë ju, por ata të cilët këtu janë më të zjarrtët dhe sigurisht masha e tyre, që ka 23 vjet që e tund zjarrin dhe që nuk ka dashur t’ia dijë kurrë as për Shqipërinë, as për shqiptarët, as për qytetarët, as për fshatarët, as për të rinjtë, as për të rejat, por ka dashur t’ia dijë vetëm për një gjë, të paktën, për ushtrimin e  pushtetit të tij stalinist, – mbi PD nuk diskutohet, por kjo është një gjë që është puna juaj, – sa herë që  i është dhënë mundësia për të qeverisur këtë vend. Të paktën për këtë. Sot ka edhe më shumë arsye të bëjë këtë që po bën. Ndërsa ne i kemi të gjitha arsyet për të bërë këtë që po bëjmë. Sepse nuk po bëjmë asgjë që nuk e kemi thënë, por thjesht dhe vetëm po bëjmë ditë pas dite atë për të cilën jemi zotuar.

Në fund, sigurisht, vendos populli dhe më shpejt se vonë do të vendosë edhe drejtësia.

***

Replikë e Kryeministrit Edi Rama:

Nuk kam kohë për t’i marrë Parlamentit, vetëm pak fjalë. Edhe një provë tjetër e asaj që thashë më parë. Përsëri instrumenti i Partisë së Punës- Sulmoje kundërshtarin, shpif, shpif, shpif dhe mos harro që gjithmonë të fusësh familjen, bashkë me kundërshtarin, në shënjestër. – S’kam asgjë për të thënë për këtë, se jo vetëm se nuk e di se kush ka qenë babai i parafolësve, por kushdo qoftë, ka gjithë respektin tim. Në qoftë gjallë – jetë të gjatë, në pastë ikur – i ndrittë shpirti atje ku është dhe le të shërbejë shpirti i tij që të lehtësohet shpirti juaj.

Që ke qenë vullnetar i Enverit, ke qenë. Që ke ngritur bustin e Enverit për antimiting, e ke ngritur. Nuk të vë njëri faj për këtë. I ri ke qenë, larg ke qenë, në Tiranë doje të vije. Ke menduar se të erdhi radha se këta të tjerët ikën me PD-në dhe e ngrite bustin. S’ke pse më kthehesh mua dhe na kthehesh ne për një gjë që e ke bërë. Ashtu e ke menduar, krim nuk është. E ke ngritur në krahë bustin, i ke dalë për Zot, pastaj edhe t’i bashkë me të tjerët. Kështu që unë nuk ta thash për të të fyer, ta thashë sepse na u tha puna e vullnetarëve të Enverit, por zotrote ishe në kafenë e parlamentit pluralist. Dhe thashë vetëm kaq: Një vullnetar të Enverit kemi këtu. Ti erdhe, ja e ku e kemi thashë. Se ti je i vetmi vullnetar i Enverit këtu, për hir të së vërtetës. Vullnetar.

Por, nuk mund të them tani që se ke qenë vullnetar i Enverit, je i krahasueshëm me këtë që ke në krahë, që u ngrit në këmbë tani, që flet për Bllokun me kompetenca të mëdha, që na fut të gjithëve në Bllok ne, ndërkohë që vetë nuk hyri dot që të shikonte që ne nuk ishim aty. Por na fut tani, postfaktum, se çnuk bëri për të hyrë. Këtë e dëshmon e shoqja e një udhëheqësi të lartë komunist, anëtar byroje. S’po ia përmend emrin për respekt. Vdiq i shoqi edhe gruaja e shkretë e kujton sot e gjithë ditën, thotë “s’dija ç’të bëja, të qaja burrin apo të mbaja Saliun. Se më iku burri, Saliu qante më shumë se ne të gjithë”. Mos të ta them dhe emrin se pastaj ngatërrohet më shumë biseda dhe do të dalin dhe gjëra të tjera.

Edhe diçka tjetër, se sot është 20 shkurti.  Në homazh të 20 shkurtit do të them edhe diçka tjetër për ato që the, që janë botërisht të njohura. – Kamerat janë ndezur, ato që fike ti në 21 janar, më mbrapa. –  Kur e kam takuar këtë zotërinë në atë takimin që përmendi, kam qenë me 2 burra të ndritur që nuk janë; Njëri nuk është në Shqipëri, ka marrë arratinë prej kohësh, tjetri është ndarë nga jeta, Kasem Trebeshinën dhe Ardian Klosin.  Ky, e dini çfarë tha? “Ju, – tha, – nuk mund të flisni në mitingun e Partisë Demokratike, se doni të nxirrni nga burgjet llumin e shoqërisë dhe keni guximin edhe t’i quani të burgosur politikë”. Ky! Dhe kaq e vërtetë është kjo, saqë kur ne bëmë peticionin kundër atit shpirtëror të këtij dhe timit,  RD-ja nuk e botoi. “Ne, – thoshte ky, – nuk kemi gjë me shokun Enver”. Ky, ky. Se s’po flas për Ramizin, se me Ramizin ishte online. Jo vetëm këtë, por merreni intervistën e parë të zotërisë, – të shohësh Gencin, se Genci e di mirë historinë, ai dëshmon, se ti s’ke qenë fare, – në intervistë tha “Enver Hoxha bëri gabime me aleancat që bëri pas viteve ’60, se deri në ’60 ishte në rregull”. Ky!

Prandaj ta mbyllim me kaq, se ia kam thënë edhe më parë një njeriu ndër ju, që unë e respektoj, ne kemi dy probleme të ndryshme; Ne e kemi me enverizmin që ju e mbollët në sistemin pluralist përmes farëhedhësit këtu. Ju e keni me Enverin e vdekur se ju mban peng ky i gjalli, karikatura e tij.

Merreni karikaturën në krahë edhe shkoni të kremtoni atë që nuk kremtohet kështu, por kremtohet ndryshe. Kremtohet duke mbajtur një raport tjetër me të vërtetën, tjetër me historinë, tjetër me gjeneratën tjetër dhe tjetër me Shqipërinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.