Deklaratë e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito:
Ka një problem me opozitën e Partisë Demokratike sot. Kur i ftojmë në takim në Kuvend për të diskutuar, nuk vijnë, kur i shkruajmë për ti informuar dhe kërkuar mendim, nuk përgjigjen. Në parlament nuk e kanë mendjen tek rendi i ditës e në fund ankohen pse nuk u pyetën.
E vërteta është se ndryshimet që Qeveria ka propozuar në ligjin për Nëpunësin Civil janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, edhe është tentuar të diskutohen me opozitën në Shqipëri. Por, opozita e PD tenton të bllokojë e të mos dëgjojë, me shpresën se gjërat në Shqipëri do të ngecin.
Ne jemi të vendosur për të ndërmarrë reformat e nevojshme, brenda kornizës ligjorë, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në konsultim me partnerët e huaj, e për aq sa mundemi, në konsultim edhe me opozitën.
Falënderojmë me këtë rast një pjesë të opozitës, PDIU, që ju përgjigj pozitivisht ftesës dhe nuk u fsheh pas arsyesh absurde, për të mos pranuar as të ulej në tryezën e bisedimeve.
Institucionet, sipas kërkesave ligjore, kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet që Qeveria propozon në projektligjin për Nëpunësin Civil; ekspertë vendas dhe evropianë janë konsultuar prej disa javësh tashmë.
Kujtojmë gjithashtu që çështjet që qeveria propozon te rishikohen, janë çështje që nuk u diskutuan në komisionet e kuvendit para miratimit te këtij ligji në maj të vitit 2013.
Padyshim, për këtë arsye Ligji i miratuar në maj 2013 kishte një të mete serioze; nuk parashikonte asnjë rregullim të pasojave që sjell ristrukturimi apo mbyllja e një institucioni, duke i nxjerre nëpunësit në rrugë, pa asnjë mbrojtje.
Ndryshimet e propozuara kanë vetëm një qëllim: garantimin e mbrojtjes edhe në rastin e daljes nga shërbimi civil.
Qeveria gjen edhe njëherë rastin për të shprehur qëndrimin e saj të palëkundur për të respektuar dhe zbatuar Kushtetutën dhe ligjshmërinë në vend.
Projektligji i propozuar është krejtësisht në respektim te vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili saktëson që ndërhyrjet në Ligjin për Nëpunësin Civil, nuk duheshin bërë me akt normativ por vetëm me procedurën parlamentare.
Pikërisht këtë bën projektligji i propozuar, i cili do të diskutohet në Kuvendin e Republikës.
Mirëpresim kontributin konstruktiv të deputeteve të PD në komisionet përkatëse.
Ju faleminderit!