Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

 

Së pari, do dëshiroja që të kërkoj ndjesë për mungesën e disa ministrave, të cilët kishin arsye të veçantë sot për mosprezencën, pasi janë pjesë e programit të përbashkët në ekipin e ngritur në Universitetin e Harvardit, posaçërisht për të asistuar Qeverinë shqiptare në çështje të veçanta të ekonomisë dhe të shërbimeve sociale. Mosprezenca në seancën e parlamentit nuk është në vijën e sjelljes së kësaj qeverie. Deri më sot, unë vetë, jo vetëm nuk kam qenë, pa arsye, asnjëherë mungues, por si rregull hyj në këtë godinë në 10 pa një çerek dhe bashkë me Kryetarin e Parlamentit presim që të mblidheni ju. E pastaj, pasi mblidheni me një orë vonesë, e shpërdoroni kohën dhe vendin këtu, duke mos respektuar asnjë rregull, asnjë procedurë, asnjë lloj standardi etik dhe mbi të gjitha asnjë fije logjike që mund të lidhë bashkë njerëz që ulen nën të njëjtën çati. Siç duhet të lidhë bashkë këtu, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, një fije logjike edhe debatin mes nesh dhe jush.

Kështu që, dakord me vërejtjen për rregullat, në rastin konkret për mosprezencën, por ju lutem përpara se të më kërkoni llogari, para se të më kërkoni llogari për çfarëdo qoftë, sigurohuni që të  paktën për atë që kërkoni llogari të jeni në rregull vetë. Në fakt ky është problemi juaj i madh; Kërkoni llogari, për çka jo vetëm rëndom, nuk dini fare se cfarë flisni, por edhe kur jeni të vetëdijshëm për atë që kërkoni, bëni sikur nuk e dini. Që si rregull kërkoni diçka që keni patur 8 vjet kohë për ta bërë. E jo vetëm nuk e keni bërë, por ose e keni lënë të degjenerojë në rënie të lirë, ose e keni shkatërruar me dorën tuaj.

Rasti i transportit publik është shumë domethënës, sepse i tregon fare qartë të gjitha këto bashkë. Tregon që  kur flisni këtu, nuk dini se ç’flisni fare. Se në 8 vjet as që e keni çarë kokën ndonjëherë, ta ktheni ndonjëherë kokën nga qytetarët, nga pleqtë, nga fëmijët, nga gratë, nga të sëmurët që udhëtojnë përditë nëpër Shqipëri. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, janë vrarë në rrugët  e “Shqipërisë, vend i zhvilluar”, 2952 vetë dhe janë plagosur mijëra e mijëra të tjerë. Por ju çfarë keni bërë? E di përgjigjen ”rrugë, rrugë, rrugë’. Keni bërë dhe disa shfaqje, duke dalë nëpër ato rrugë për të vendosur të famshmit policë, në çdo  kilometër. I keni bërë dhe këto. E vërtetë është në fakt, keni hedhur lumenj parash në infrastrukturën rrugore dhe keni ndërtuar sot në Shqipëri, sistemin më të pasigurtë, më jocilësor, më të varfër në sisnjalistikë, më antimjedisor. E sigurisht, si gjithmonë kur vjen fjala për shijen tuaj, sistemin më të shëmtuar edhe estetikisht, të rrugëve në Europë dhe në rajon. Sigurisht, edhe me korsinë marramendëse të korrupsionit në çdo rrugë, edhe me gropa të llahtarshme borxhesh, në çdo segment ku keni lënë rrugëve një kantier rrugor. Sot, ju keni gojë dhe flisni dhe nuk pushoni, kur na shihni ne, të merremi me sistemimin e rrugëve, që keni lënë rrugëve, si puna e kësaj këtu, më e afërta, të rrugës dalëse, Tiranë-Elbasan. I keni bërë parkut një mur të trashë betoni sa trotuari dhe keni bërë një trotuar të gjerë, sa trashësia e murit. Tamam,- burri para, gruaja mbrapa, kalamajtë mbi mur,- familja shkon në park.  Ky është vizioni që keni ju për këmbësorin. Por ta lëmë këmbësorin se çështja e këmbësorit është çështje më vete, të merremi me udhëtarin. Të kthehemi tek familjet që sot, në shekullin e 21, në vitin 2014, në mes të Evropës, udhëtojnë nëpër Shqipëri. E qartë që ata, të cilët i latë në rrugët  e mbijetesës për kaq vite, pa rend ligjor, sepse ligjet janë; pa konkurrencë të ndershme; pa kontroll teknik të besueshëm; pa stacione; pa drejtime,- ju duken si mitingashë që papritur ju ranë nga qielli, – për atë të javës tjetër, ku do të bëni atë ritualin e përshpirtjes në luftën me një komunizëm që mbijeton vetëm në kokën e njërës nga kokave tuaja.

E latë transportin publik në Shqipëri, në ditën më të zezë.

E sot, doni të nxirrni tani edhe përfitime politike, nga gropa ku i keni zhytur njësoj, siç zhytët në gropë, ata që ju thonin: “ndërtoni tek Lana, se Lana është arteria e parë e Zvicrës ballkanike, sipërmarrës të mëndhenj apo të vegjël në këtë sektor”. Por cfarë ju thoni? Kush është oferta juaj? Cilën rrugëdalje tregoni ju, që ndërkohë dilni e mallkoni qeverinë për çdo aksident, në rrugët që i keni lënë rrugëve? Zero! Zero, zero, argumente. Madje as logjikë. Ju ndërtuat një sistem transporti publik sikur të ishte Shqipëria një periferi, jashtë kontrollit, e Bangladeshit.

Kjo fushë, zonja e zotërinj, nuk është thjesht një nga të shumtat e realitetit të këtij vendi. Fusha e transportit publik është fusha mbështetëse me influencën më të lartë të imagjinueshme në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Nëse jemi sot në këtë derexhe, në transportin publik, një nga arsyet më kryesore, është padyshim derexheja ku ju e latë këtë vend në të gjitha aspektet. Nëse jemi sot në këtë derexhe në ekonomi dhe në jetën sociale të vendit, një nga arsyet është derexheja ku latë transportin publik. Ne, as do t’i mbyllim sytë, as do rrimë duarkryq dhe as do të ngurojmë të ndërmarrim masat e duhura për ta transformuar rrënjësisht transportin publik në Shqipëri, urban, ndërurban dhe ndërkombëtar.

Arsyeja themelore e transportit publik, në radhë të parë, është udhëtari. Apo jo? Ë bëj këtë pyetje retorike, po e bëj për t’jua kujtuar juve, sepse kur flisni duket qartë që s’e keni mendjen fare, pikërisht tek kjo arsye themelore, te udhëtari. Cila është cilësia e shërbimit për udhëtarin, sot? Udhëtari sot kërkon siguri. Është i sigurt sot transporti publik në Shqipëri? E pra, ne duam siguri në këtë sektor. Udhëtari sot kërkon inovacion. Është i inovuar sot transporti publik në Shqipëri? E pra, ne duam inovacion në këtë sektor. Udhëtari sot kërkon progres. A mundëson ky lloj transporti publik në Shqipëri ndonjë farë progresi? E pra, ne duam progres në transportin publik, sepse duam progres në Shqipëri.

Më lini t’i marr me radhë; – Ka vetëm një njeri këtu që e ka të sigurt rilindjen, por varet nga një njeri tjetër. Dhe kur mungon ai nuk ka rilindje. Kur të vijë ai, rilind njeriu në sallë. Ne të tjerët e kemi rilindjen pak më afatgjatë.

E para, transporti publik qytetas. Shembulli është shumë i thjeshtë për ata që kanë qenë në Tiranë në vitin 2000. Ju kujtohet Tirana në vitin 2000? Jua kujtoj unë. Mijëra furgonë që rrotulloheshin në çdo rrugë dhe në çdo arterie. Mijëra furgonë. E shikoni Tiranën sot? Sot, në fakt, keni të drejtë që s’e shikoni. Mos e shikoni. Por, ajo që ndodhi në Tiranë, që shërbimi i mjeteve 8+1 nuk u konsiderua më një shërbim urban, por u kthye në një shërbim taksi, siç është sot e gjithë ditën, krijoi hapësirën për të ndërtuar shërbimin urban me standarde evropiane. Sot ka një çështje të hapur. Një çështje të hapur që ne, ky Parlament, do ta zgjidhë besoj në seancën e radhës, ose kur vjen, sipas procedurës këtu në Parlament, projekti i qeverisë për të bërë atë që ne kemi kërkuar kur ishim në opozitë, apo kur drejtonim bashkinë e Tiranës, lidhur me çmimin e biletës. Çmimi i biletës duhet të jetë një përgjegjësi e të zgjedhurve vendorë, sipas çdo bashkie dhe sipas standardeve, mundësive, standardeve që ofron ai shërbim, mundësive që ka ai shërbim për t’u zhvilluar dhe marrëdhënies në të cilën bashkia vendoset në atë shërbim. Nuk mundet dot, që të gjithë procesin e vendimmarrjes për natyrën e atij shërbimi, bashkiak apo me operatorë privat, ta ketë bashkia dhe pastaj çmimin e biletës ta përcaktojë qeveria. Ka qenë e padrejtë atëherë. E kemi kërkuar atëherë, e mbanit ju peng. Sot do ta çlirojmë dhe çdo bashki do të marrë vendimin e vetë.

Tjetra, që lidhet përsëri me sistemin e transportit qytetas. Do të vijë edhe tek interurbani, por kini durim. Unë ju dëgjoj, çfarë nuk dëgjoj dhe prapë ju dëgjoj dhe prapë do t’ju dëgjoj. Por kini durim, sepse është në një proces zbritje në tokë për ju. Unë e kuptoj. Jeni rrugës për të zbritur në tokë.

Shtresat në nevojë; Keni lënë pas një katrahurë që nuk ka lidhje me asnjë vend evropian, në asnjë vend të rajonit. Keni të regjistruar numra apokaliptikë invalidësh dhe keni regjistruar për invalidë gjithfarëlloj militantësh, të cilëve nuk keni mundur t’u gjeni vend pune, pasi gjithë administratën e rrafshuat dhe e kthyet në zyrë pune. Atëherë, riregjistrimi, që ka filluar, pastrimi i skemës për të ndarë ata që janë realisht në nevojë nga ata që marrin paratë e atyre në nevojë, në mënyrë të padrejtë, dhe po ashtu për të regjistruar të gjithë ata që janë realisht invalidë, ka filluar. Kjo do të bëjë që në sistemin e ri të transportit publik, politika për shtresat në nevojë, për studentët dhe me radhë për të gjithë ata që janë  kategori të veçanta, të funksionojë jo në letër dhe jo si një tjetër burim shpërdorimi i parasë, por në realitet.

E, sigurisht tjetra; Është shumë skandaloze që ju i drejtoheni atij grupi, që sot përsëri i’u drejtuat, duke e gënjyer. Sepse askush, as ka dhënë urdhër dhe as ka ndaluar, deri në sekondën që po flasim, dhe as ka ndërmend të ndalojë deri në momentin kur do të ristrukturohet gjithë sektori, asnjë mjet 8 + 1 të licencuar. Asnjë! Por problemi këtu, në këtë rast, është i qartë; juve nuk mund t’i referoheni dot Tiranës si shembull. S’e keni të mundur, se s’dini ku keni kokën vetë, ngaqë një kokë e keni në një anë të qytetit, një kokë e keni në anën tjetër dhe nga ana tjetër edhe Tiranën e latë pa kokë, duke përdorur dy koka për PD-në.

Kur vjen puna tek furgonët, tek mjetet 8 + 1, ka tre aspekte;

Aspekti i parë është me licencë apo pa licencë? Aksioni i policisë që ka nisur dhe që nuk do të ndalet është për të ndaluar përdorimin e mjeteve pa licencë.

Problemi i dytë është problemi i vajtje-ardhjes. Jo të gjitha nuk i dini, por dini shumë më pak seç kujtoni dhe ju se dini, prandaj dëgjoni që ndonjë gjë ta dini. Problemi i vajtje-ardhjes. Furgonët, mjetet taksi, janë të licencuara nga bashkia apo nga komuna. Bashkia dhe komuna nuk kanë tagër të licencojnë mjete për shërbim urban ndërqytetës, apo jo? Kjo është e qartë. Ndërkohë që, nga ana tjetër është e qartë në ligj, nuk është një gjë që unë e them dhe e mendoj, është një gjë që thjesht e thotë ligji dhe mbi këtë bazë ngrihet gjithë ky proces. Është e sigurt se çdo mjet, sot, furgon 8+1, lëviz dhe mund të lëvizë siç lëvizin përditë shumë, nga një qytet në tjetrin dhe është po kaq e sigurt që ligjërisht e ka të ndaluar që të shkojë në qytetin tjetër, të lërë pasagjerët që merr dhe të marrë të tjerë e t’i sjellë në qytetin e origjinës, sepse atëherë shkel një kornizë që e përcakton licenca. Çka do të thotë se, – ju jeni gati, s’e keni problem t’i fusni në konflikt, – nëse furgonat e Korçës vijnë deri në Tiranë dhe sjellin pasagjerë dhe këtu ndalojnë e marrin pasagjerë, po furgonat e Tiranës, për të shkuar në Korçë, ç’duhet të bëjnë? Nuk mund të shkojnë dot. Kjo është diçka që e ka gjithë bota, është diçka që e ka ligji shqiptar dhe është e kotë ta diskutojmë. Vajta është plot, ardhja është bosh, sepse ky nuk është shërbim ndërurban. Ky është shërbim taksi.

Sigurisht, duke qenë se ju nuk bëtë asgjë që të vendosnit rend ligjor mbi kuadrin ligjor ekzistues në këtë sistem dhe gjithçka bëtë për transportin, e bëtë duke parë nga ajri, që do të bllokonit qiellin për një monopol, sot jemi në këtë situatë, kur furgonët kanë praktikisht marrë jashtë ligjit rolin e shërbimit ndërurban dhe shërbimi normal ndërurban si në të gjithë botën nuk zhvillohet dot. Madje, kompani të tëra autobusësh kanë falimentuar. Është normale në këto kushte.

Çfarë duhet? Duhet të riorganizohet gjithë ky sistem. Si do riorganizohet? Së pari, ata pa licencë, kudo ku do kapen, do ndëshkohen sipas ligjit dhe kjo është një kërkesë e këtyre me licencë, por këtë kërkesë ju nuk e dëgjoni, sepse thoni po humbasim ndonjërin për miting. Për ju, ata janë mish për top, si gjithmonë. Normal, këta jeni ju. Shtohet mishi që të kërcasë topin. Problemi është se ju s’keni as top edhe s’ka më mish për ju. Ky është problemi, ndaj bërtisni ju.

Atyre me licencë, do t’ju jepet kohë që të bëjnë një zgjedhje. Në rastin kur duan të bëjnë shërbimin taksi, pra, shërbimin ndërurban taksi dhe jo shërbim urban ndëryqtatas, që janë dy gjëra të ndryshme, por nuk mund t’ju shpjegoj sot të gjitha këto, atëherë, mbi bazën e kësaj zgjedhjeje do të përmbushin standardet, siç janë në të gjithë Evropën ku duam të integrohemi. Ndërkohë që të tjerët që do të bëjnë zgjedhjen tjetër, do të mund të qarkullojnë me licencë dhe me standarde, brenda zonës ku kanë licencën.

Sigurisht, do ta bëjmë me dy faza, transformimin e transportit publik rrugor, për arsye se nuk mund t’i themi atyre që jetojnë nëpër komuna që të hiqen furgonët dhe të vijë autobusi, sepse “Shqipëria vend i zhvilluar” që latë ju nuk e garanton këtë infrastrukturë për autobusë në çdo komunë. Ama, nga ana tjetër, cilido që do të qarkullojë brenda një territori ku është licencuar do mund ta bëjë këtë për një periudhë të caktuar dhe afatmesme, – besoj 10 vjeçare a nuk e di. Kjo, do të varet pastaj, nga mënyra si do të përputhet infrastruktura e përgjithshme me sistemin e transportit, – por nuk mund të dalë jashtë territorit ku është licencuar.

Në këtë aspekt, në qoftë se ju vërtet i doni të mirën, gjithë këtyre njerëzve, që unë nuk e besoj, t’ju them të drejtën, nuk e besoj, se s’kam si ta besoj se kishit 8 vjet kohë për ta bërë, pra, në qoftë se i donit të mirën, nuk i linit si mish për top nëpër rrugë, që të shkatërronin veten, të shkatërronin jetë njerëzish dhe të ishin një kërcënim konstant edhe për të tjerët, për arsye sigurie.

Reforma territoriale është ndër të tjera, një reformë pikërisht për të modernizuar edhe shërbimin e transportit, për të mos krijuar gjithë ato konflikte që janë të përditshme midis njësive vendore. Njësive vendore kufitare, që licencojnë kompani të ndryshme dhe përplasen pastaj me njëri-tjetrin. Këto konflikte nuk ekzistojnë në vende normale. Përplasen me njëri-tjetrin si interesa dhe jo mekanikisht. Mekanikisht është tjetër gjë, apo jo?

Reforma territoriale do të bëjë të mundur që shërbimi i transportit urban, jo ndërqytetas, të jetë një shërbim i integruar, të jetë një shërbim që përfshin interesin e shumë më tepër qytetarëve dhe që është i projektuar dhe i monitoruar nga njësi shumë më të forta dhe shumë më kompetente për të bërë këtë shërbim. Kjo është eksperienca ndërkombëtare. Kjo është eksperienca e rajonit. Nuk ka, sepse për ndryshe duhet të tregoni një vend. Një! Një vend që ka këtë sistem që kemi ne. Duhet të më tregoni një vend ku keni shkuar ju, gjatë fluturimeve dhe ecjes në këmbë të diplomacisë parlamentare, ku keni parë që shërbimi urban ndërqytetas të garantohet me furgon. Ka mundësi të keni parë, kur diplomacia parlamentare ju ka çuar në vende shumë të largëta, por nuk besoj se rruga jonë e integrimit është drejt atyre.

Prandaj, e para dhe e fundit, kush e ndjek këtë debat duhet të jetë i qartë për një gjë;

Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të pa licencuara.

Qeveria do t’i japë kohë për t’u riorganizuar, të gjithë atyre që sot e kanë një licencë të rregullt dhe që do të bëjnë një zgjedhje, bazuar në kushtet e tyre, nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal, apo nëse do të bëjnë shërbimin urban brenda rrethit, të përcaktuar nga autoriteti që jep licencën për ta.

Së treti, qeveria do të ndërmarrë pikërisht projektin për inovacionin dhe transformimin e të gjithë sistemit tonë të transportit publik, për të bërë të mundur që të mos kemi autobusë të standardeve evropiane vetëm në ato linja të Tiranës ku u vunë, në kohën kur ju bëtë të njëjtën protestë, të njëjtën rezistencë, ishit prapë kundër.

Nga ana tjetër, do të formalizojmë sektorin. Është sektor i mbytur nga informaliteti, është sektor i mbytur nga konkurrenca e pandershme, është sektor i mbytur nga kthetrat e pamundësisë për t’u zhvilluar. Nuk ka asnjë mundësi që sektori të zhvillohet. Ne duhet të formalizojmë sektorin dhe duhet të hapim perspektiva të reja, për të gjithë ata që në këtë sektor kanë investuar deri më sot dhe për të gjithë të tjerët që duan të investojnë në këtë sektor. Nuk kemi shpikje për të bërë. Është shumë e thjeshtë.

Normalisht, ata që kanë qenë 8 vjet në qeveri. E, të kesh qenë 8 vjet në qeveri, të mos ta kesh bërë këtë gjë dhe pastaj të rrish e të pyesësh si, si, si, domethënë, i mjeri ky popull, kë ka pasur në qeveri! Fatkeqësisht, mjerë ata që besojnë ndryshe nga ne, në një rrugë tjetër dhe në krye të kësaj rruge, ju kanë ju! Mjerë ata, se është rrugë pa rrugë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.