Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, inspektuan Qendrën Rinore të këtij qyteti. Kjo qendër e cila presupozohet t’ju shërbejë të rinjve korçarë është në kushte të papranueshme për të kryer misionin e saj. Mureve të rëna e lagështirë në çdo ambient, asnjë pajisje apo sallë për të pritur të rinjtë, por si të mos mjaftonte kjo gjendje e renduar, drejtoria pyjore strehonte aty sasitë e drurit të sekuestruar. Për ministrin Veliaj duhet një ndryshim radikal, kjo gjendje nuk mund të tolerohet më.

“Kjo është gjithçka që ofronte qeveria e kaluar për argëtimin rinor, një firzamonikë, një organo, një kaluç”, shpjegoi ministri Veliaj.

Ndërkaq, zv. Kryeministri Peleshi informoi se Bashkia e Korçës në vite vazhdimisht ka kërkuar që ky institucion të menaxhohej prej saj, ndërsa siguroi se ekziston një potencial shumë i madh që ajo me investimin e duhur të shndërrohet në një qendër të jashtëzakonshme rinore. “Bashkia vazhdimisht e ka kërkuar që ky institucion të menaxhohej prej saj. Një qendër kulturore fëmijësh e menaxhuar nga drejtoria arsimore, pa asnjë lloj vëmendje të duhur. Siç e shikoni është katandisur në një relike, që duket sikur i ka ndaluar ora që në vitin ‘90. Nuk i ishte njohur asnjëherë bashkisë si një e drejtë. Por ekziston një potencial shumë i madh që duke e çliruar edhe nga zyrat e pyjores, të kthehet në një qendër të jashtëzakonshme rinore.”, u shpreh Peleshi.

* * *

Më pas, Kryeministri Edi Rama vizitoi Zyrën e Punës së qytetit të Korçës, mjediset e së cilës, ashtu si dhe zyrat simotra, në qytete e tjera ofronin pamje të një godine të rrënuar, jashtë funksionit dhe misionit të saj, në periferi të qytetit, e  mbivendosur me disa institucione të tjera.

Ministri Veliaj tha se kjo zyrë duhet të afrohet më pranë qendrës së qytetit, në mënyrë që të jetë e aksesueshme për qytetarët, duke ia lënë mjediset e saj aktuale, Qendrës së Formimit Profesional. “Këtu janë bërë si sandwich disa shërbime: Qendra e Formimit Profesional që nuk ka mjaftueshëm hapësirë; zyra punës nuk është afër qytetarëve por është këtu në periferi. Ideja është që Qendra e Formimit Profesional ta përdori këtë godinë për kurse 24 orë, kurse Zyra e Punës të dalë në një ambient publik që të jetë e aksesueshme nga qytetarët. Këtu asnjë ambient nuk funksionon siç duhet. Ndërtesa është komplet e rrënuar.” tha Veliaj

Teksa vërejti me keqardhje kushtet e papranueshme në të dyja këto godina, Kryeministri u shpreh se shtrohet me emergjencë nevoja e shndërrimit të tyre në funksion të misionit për të cilin edhe janë ndërtuar.

* * *

Shtëpia e të moshuarve, ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit, zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale, e vlerësuar si një model për t’u ndjekur, për sa i përket menaxhimit dhe shërbimeve që ajo siguron për banorët e saj. Ngritja e saj është konceptuar si një bashkëpunim i Bashkisë së Korçës dhe i fondacioneve dhe organizatave jo qeveritare, duke e shndërruar atë në një strehë me shërbime cilësore e bashkëkohore për të moshuarit korçarë.

Duke vlerësuar frytet e një bashkëpunimi të tillë, zv. Kryeministri Peleshi u shpreh se modeli i këtij institucioni duhet të promovohet dhe të kthehet në shembull edhe për qytete të tjera. zv. Kryeministri tha gjithashtu se duhen shfrytëzuar godinat e lëna në degradim dhe të shndërrohen në institucione Evropiane.

“Kemi organizuar një model bashkëpunimi, nga njëra anë qeveria, nga ana tjetër fondacionet dhe shoqata të ndryshme. I gjithë qyteti, është krenarë që kemi qendrën më të mirë të të moshuarve në të gjithë Shqipërinë. Do t’i shërbejë të gjithë Shqipërisë, ky shembull si një model. Ku nga njëra anë qeveria, e nga ana tjetër fondacionet e shoqatat e ndryshme, mund të bashkojnë forcat për të ndërtuar këtë standard. Qeveria, shteti ka shumë institucione në gjendje të degraduar që rrinë kot, që janë në gjendje të mjeruar, e që në qoftë se vihen si asete nëpërmjet këtë bashkëpunim, ne mund ti sjellim në standardet e duhura.” u shpreh Peleshi.

Kryeministri Edi Rama vijon vizitën inspektuese në qytetin e Korçës

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.