Kryeministri Edi Rama, inspektoi mesditën e sotme punimet në rrugën Milot-Lezhë. Investimi prej afro 380 milion lekësh i Autoritetit Rrugor shqiptar përfshin riveshjen dhe sistemimin me asfalt të këtij segmenti të rëndësishëm rrugor.
Kryeministri u takua e bisedoi me punonjës dhe drejtues të punimeve, prej të cilëve kërkoi angazhimin maksimal për të përfunduar sa më parë dhe me cilësi këtë vepër. Kryeministri vuri theksin tek rëndësia e pajisjes me sinjalistikën rrugore përkatëse, pa të cilën, çdo projekt rrugor, do të kthehej në burim aksidentesh për qytetarët dhe mjetet.
“E para, patjetër duhet ta plotësojmë me sinjalistikë. Një projekt i bërë pa sinjalistikë është: ‘Shtro asfalt për aksidente’. Ta plotësojmë me sinjalistikë urgjentisht. Ndërkohë me kryetarin bashkisë të bëjmë një projekt që aty ku është e mundur të fillojmë të vendosim gjelbërim. Pastaj të shikojmë të gjithë këto ndërhyrjet anësore, të fillojmë t’i reduktojmë aty ku është e mundur dhe ka plot mundësi të reduktohen dhe të disiplinohen. Këto uniformat, mos i mbani vetëm për vizitat e Ministrit dhe të Kryeministrit. Këto kaskat nxirrini përditë e përnatë, siç e keni orarin e punimeve. Ne duam punën.”, u shpreh kryeministri.
Në këtë inspektim, Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.
Për të përmirësuar shtresat e dëmtuara, projekti për këtë aks rrugor parashikon ndërhyrjet në shtresat asfaltike duke filluar nga fundi segmentit të rikonstruktuar Thumanë – Kryqëzim Milot deri në rreth rrotullimin e qytetit të Lezhës.