“Parku Retro”, në Bulqizë, është një projekt inovator me sipërfaqe rreth 11 hektarë, i cili synon të transformojë hapësira publike të degraduara të periudhës së regjimit të kaluar në një destinacion unik turistik dhe social.
Parku, i cili po jetësohet në kantier, pritet të shërbejë si një motor i ri zhvillimi ekonomik për Bulqizën, duke reflektuar një qasje të re për të ardhmen e saj, përmes promovimit të potencialeve natyrore dhe turistikë që ofron zona përreth.
Në këtë kuadër, “Parku Retro” do të ofrojë një gamë funksionesh të integruara, duke përfshirë mjedise për treg dhe minipunishte artizanale, park lojërash për fëmijë, info point, qendër mikpritjeje, struktura hotelerie dhe hapësira parkimi për vizitorët. I pozicionuar përgjatë Rrugës së Arbrit, projekti synon të shërbejë si një pikë ndalimi dhe atraksion për fluksin në rritje të turistëve drejt Dibrës.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bulqizë, ku e nisi vizitën me inspektimin e ecurisë së punimeve në kantierin e “Parkut Retro”.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, prezantoi komponentët kryesorë të projektit, duke theksuar se kompleksi përfshin një qendër mikpritjeje me info point dhe shërbime bar-restoranti, një zonë të dedikuar për kamperat me të gjitha facilitetet përkatëse, si dhe një treg turistik ku produktet vendase do të prodhohen dhe tregtohen në vend nga vetë banorët. Në vijim, ai shpjegoi se projekti parashikon edhe ndërtimin e një hoteli me rreth 22 dhoma në stil retro, si dhe krijimin e hapësirave të integruara për komunitetin lokal.
“Këtu jemi në Parkun Retro të Bulqizës, një nga projektet inovatore i lançuar kohë më parë, i cili është një kompleks që ka brenda disa funksione. Këtu ku jemi aktualisht, është godina ‘’Qendra e mikpritjes’’ që do ketë infopoint-in, do ketë shërbime bar-restoranti, do ketë shërbime për zonën e kamperave. Mbrapa kemi një zonë kamperash që do ketë dushe, tualete për zonën e kamperave, së bashku me një ambient shplodhës përpara. Ndërkohë godina në vijim është godina e tregut turistik, i cili do të jetë një treg, jo vetëm për produktet ditore, por brenda tregut do ketë edhe disa minipunishte që janë dhe punishte dhe dyqane, që banorët e zonës bëjnë jufkën, bëjnë reçelin, bëjnë produktet e tyre artizanale në mini punishtet e tyre dhe i tregtojnë aty, duke e kthyer në jo thjesht një treg ditor, por në një treg turistik.
Dhe godina e tretë do të jetë një hotel i stilit retro, i cili do të ketë rreth 22 dhoma dhe ajo që ju e keni kërkuar që në fillim, është mënyra se si kjo do të menaxhohet si një projekt komunitar, pra një projekt i përbashkët midis FSHZH-së, bashkisë dhe komunitetit të zonës, komunitetit të grave për të krijuar një organizëm të përbashkët që do të menaxhojë, duke kthyer të gjithën këtë në vlerë të shtuar për banorët.” – shpjegoi Agolli.
Kryeministri Rama vuri theksin tek përfshirja e grave të zonës në menaxhimin e projektit, duke vlerësuar kontributin e tyre në këtë drejtim.
“Gratë e Dibrës janë flori e shkuar floririt, dhe sidomos këtu, gjithë ato gratë që bëjnë mrekullira me duart e tyre, duhet të jenë zot të kësaj pune. Pastaj bashkia dhe FSHZH-ja duhet t’i mbështesin” – tha Kryeministri.
Projekti parashikon gjithashtu integrimin e banesave dhe hapësirave përreth në funksione mikpritëse, si mini-bujtina dhe restorante tradicionale, duke krijuar një përvojë autentike për vizitorët dhe duke gjeneruar të ardhura të drejtpërdrejta për komunitetin.
“Parku Retro” synon të shndërrohet në një pikë referimi për zhvillimin e turizmit në zonë, duke nxitur interesin e vizitorëve dhe duke promovuar potencialin natyror dhe kulturor të Bulqizës dhe gjithë rajonit të Dibrës.