Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, inspektoi sot në mesditë edhe Zyrën e Punës në qytetin e Durrësit. Kryeministri shprehu shqetësimin se si është e mundur që një Zyrë Pune, e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, vendoset në një apartament të blerë nga shteti, në katin e dytë të një pallati, në fund të një rruge dytësore.
Gjatë inspektimit të mjediseve të brendshme të kësaj Zyre, Kryeministri Rama dhe Ministri Veliaj panë më nga afër kushtet e papranueshme në të cilat u shërbehet punëkërkuesve dhe punëmarrësve durrsakë.
Ministri Veliaj nënvizoi se kushtet e kësaj Zyre Pune, por edhe mënyra se si ajo është konceptuar të promovohet tek qytetarët nuk ka të bëjë fare me atë çfarë duhet të jetë në të vërtetë një Zyrë që ofron punësim. “‘Pa formim, nuk ka punësim!’ Janë komplet formate të realizmit socialist. Kjo nuk është ofertë për punë, këto janë slogane. Këto janë reklama për Zyrën e Punës, të cilën fillimisht duhet ta gjesh, pastaj të lexosh reklamën, se si reklamohet kjo Zyrë e Punës”, theksoi Veliaj.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama theksoi vendosmërinë për hapjen sa më parë të një Zyre të re të Punës në këtë qytet. “Në një qytet, që është qyteti i dytë më i madh, për nga ekonomia dhe për nga rrugët e zhvillimit të sipërmarrjes private, na duhet me urgjencë një Zyrë Pune e denjë për njerëzit që kërkojnë punë, që të stimulojë energji pozitive dhe të stimulojë shpresa. Kjo është një katastrofë dhe kjo duhet mbyllur një orë e më parë. Ne na duhet një orë e më parë Zyra e Punës, ashtu siç duhet, aty ku e keni identifikuar, me shpejtësi të madhe, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit”, theksoi Rama.
Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë për të identifikuar vendet aktuale të punës, të cilat janë të lira, dhe të vihen në dispozicion të qytetarëve. “Të fillojmë menjëherë të mbledhim gjithë çfarë ka informacion, kërkesa, për vende të lira pune dhe t’ia vëmë në dispozicion të rinjve, t’ia vëmë në dispozicion të të papunëve, t’ia vëmë në dispozicion njerëzve që duan të punojnë. E, realisht të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ekzistuese që janë, ndërkohë që të hapim vende të tjera pune, kudo dhe në vazhdimësi. Vendet aktuale të punës, që janë të lira, duhet të vihen në dispozicion të njerëzve. Këtu s’ka kush vjen dhe ku e gjen Zyrën e Punës, jo më të besojë se këtu mund të gjesh punë”, tha më tej Kryeministri.
Turi i inspektimeve të Kryeministrit Edi Rama në institucionet e varësisë ka nisur nga e shtuna e djeshme në qytetin e Shkodrës.