Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U prezantua sot “Albanian Digital Solutions” (ADS), shoqëria e re publike e krijuar për të çuar në një fazë të re transformimin digjital të Shqipërisë dhe modernizimin e shërbimeve publike. Në aktivitetin e zhvilluar me praninë e përfaqësuesve të institucioneve dhe sektorit të teknologjisë, Kryeministri Edi Rama e cilësoi krijimin e ADS si një hap strategjik në forcimin e kapaciteteve shtetërore në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe inovacionin e sistemeve digjitale, me synimin për ta kthyer kompaninë në një qendër ekselence për talentet shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Shumë faleminderit!

Është një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit përmes teknologjisë sepse sot ne bëjmë publike një kompani të re, një shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit të qeverisjes elektronike.

AKSHI është një histori e jashtëzakonshme suksesi, e cila ka kaluar përmes një rruge aspak të lehtë, një rrugë që ka nisur me një grusht shërbimesh dhe që pastaj ka kulmuar në 1200 e kusur shërbime publike online; një rrugë që ka nisur me një grusht njerëzish që përdornin platformën dhe pastaj ka kulmuar me mbi 3 milionë përdorues si rezultat edhe i momentit dramatik të pandemisë, ku faktikisht platforma “e-Albania” u bë shpëtimtare për shëndetin e shqiptarëve të cilët përmes saj, mundën njëkohësisht që të zbatojnë edhe masat e domosdoshme kufizuese. Një rrugë ku sigurisht nevoja për financim ka ardhur duke u rritur, pasi sistemet e ndërtuara kërkojnë financim qoftë për tu ndërtuar, qoftë dhe për tu mirëmbajtur dhe një rrugë ku qartësisht lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektronike, përcaktimin e standardeve, orientimin e arkitekturës digjitale, koordinimin e forcave të përfshira dhe kontrollin e cilësisë dhe përputhshmërisë me gjithë nivelin operacional, për ta ndarë jo më mes sektorit publik dhe sektorit privat, por në radhë të parë brenda për brenda sektorit publik, për ta ndarë duke krijuar kështu një kompani të re, “Albanian Digital Solutions”, që do të zhvillojë sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit, por përkundrazi, me ambicien që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe të mirëmbajtjes së tyre; kompaninë më të suksesshme në treg, një kompani e cila të ketë kapacitetin të kthehet në një hapësirë për të gjithë talentet, një kompani e cila të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve digjitale, një kompani e cila të ketë kapacitetin që talenteve, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë vendit, tu ofrojë mundësinë që të bëhen pjesë e saj duke kombinuar qoftë punën në zyrë, qoftë punën në distancë në funksion të qëllimeve; një kompani që të jetë garanci për institucionet e vendit të cilat nuk mund të mbeten asnjëherë peng i privatëve në mirëmbajtjen e sistemeve të tyre, një kompani që të garantojë të gjithë vazhdimësinë teknike, por edhe të ofrojë përgjegjshmërinë më të lartë institucionale dhe qytetare në raport me publikun, duke garantuar njëkohësisht matshmërinë e shërbimit. Kjo është ambicia.

Kjo është ambicia e cila ka edhe një faturë, një faturë shumë domethënëse, shumë kuptimplotë, e shkruar në bazë të një projeksioni, të pikërisht shifrave që ndryshojnë, me ndryshimin e qasjes së qeverisë dhe të qeverisjes elektronike ndaj marrësve të shërbimit, që do të thotë. Në rast se sot ne shpenzojmë një shumë X për vetëm mirëmbajtjen e sistemeve, një shumë e konsiderueshme e cila i shkon kompanive private, brenda një harku 3-vjeçar, ne do t’i kursejmë shtetit dhe do t’i kursejmë vetë qeverisjes elektronike një shumë të barabartë me shumën që sot shkon për mirëmbajtjen, e cila faktikisht do të mund të kthehet në një kapacitet të ri investimesh nga ana e AKSHI-t përmes ADS. Është kaq e thjeshtë. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë me një aritmetikë të thjeshtë, se s’është as matematikë.

Në ndërkohë, qeveria duke marrë këtë rrugë, do të kthejë sytë e kompanive nga sektori privat, pasi ADS patjetër që do të bëhet një superfuqi në treg, por do të jetë një superfuqi e përqendruar tek shërbimet publike. Nuk do të jetë një kompani, të paktën në fazën e parë, që do të synojë të hyjë edhe në sektorin privat, i cili sot është në kontrast dramatik me sektorin publik në këtë fushë, ku Shqipëria sa ç’shkëlqen në të gjitha klasifikimet ndërkombëtare për shërbimet publike digjitale dhe për qeverisjen elektronike, aq edhe nxin kur vjen puna tek sa sipërmarrja dhe sektori privat janë të familjarizuar dhe të integruar në botën e re të teknologjisë digjitale. Kështu që kompanitë private do të duhet ri-imagjinojnë pozicionin e tyre në treg dhe të ri- konceptojnë rrugën e së ardhmes së tyre, ashtu sikundër dhe ne, ri-imagjinuam dhe ri-konceptuam rrugën e së ardhmes së shërbimeve publike, përmes krijimit të kësaj kompanie.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që përbën një favor për këtë zgjidhje është edhe kapaciteti që do krijojë në këtë mënyrë shteti, për të pasur përmes kësaj kompanie edhe zgjedhje të cilat mund të kthehen më pas në module apo në prototipe që mund të eksportohen.

Ministrja e preku zgjidhjen për të cilën po punohet intensivisht për modelin inovativ për prokurimet publike me inteligjencë artificiale. Inteligjenca artificiale ka hyrë në prokurimet publike kudo, por ka hyrë në segmente të caktuara të procesit ndërkohë që e jona është përpjekja e parë që synon të mbulojë me inteligjencë artificiale të gjithë procesin dhe në këtë përpjekje ne jemi të angazhuar, por edhe të koordinuar me shumë shtete. Me agjencitë apo strukturat që merren me shërbimet dhe me qeverisjen elektronike në shumë shtete. Është një përpjekje që ne besojmë shumë që do t’ia dalim me sukses ta kthejmë në një realitet dhe duke e kthyer në realitet do të thotë që të disponojmë një produkt të prodhuar në vendin tonë i cili të jetë i eksportueshëm. Ky është bekimi epokës së teknologjisë. Epoka e teknologjisë i jep mundësi gjithkujt, kudo. Nuk ka rëndësi nëse je i pasur apo nëse je i varfër, nëse je në qendër apo nëse je në periferi, nëse je në fushë apo nëse je në mal, nëse vë në punë ashtu si duhet talentin, teknologjia të jep mundësinë të besh kapërcime të cilat do të ishin të paimagjinueshme pa forcën e teknologjisë.

Kjo kompani duhet ta theksoj dhe këtë, shkon në të njëjtën linjë me një qasje të re të qeverisë e cila është një qasje që ka ardhur si rezultat i një kalimi në një fazë tërësisht të re të vetë Shqipërisë dhe të vetë shtetit shqiptar. Dua të them që qeveria e ka parë të udhës sepse ka parë të krijohen kushtet për t’i dhënë më tepër theks forcave që mund të vëri në terrenin e ekonomisë sektori publik.

Korporata Shqiptare e Investimeve është një realitet sot që flet qartësisht për epërsinë e kësaj qasjeje në raport me atë të mëparshme që ishte e kushtëzuar nga koha dhe nga mekanizmat e dobët që ne kishim në dispozicion.

Korporata Shqiptare e Investimeve sot ka krijuar një portofol me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar duke mos bërë asgjë tjetër përveçse pronat publike, duke i vënë në shërbim të zhvillimit për interesat edhe të shtetit. Jo më kudo dhe kurdo dhëniet e pronës publike për hiç asgjë në emër të zhvillimit, diçka që është bërë në të shkuarën dhe është bërë me të drejtë se s’ka pasur mundësi të tjera, se më vjen tani natyrshëm të them dhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë se shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, një pronë private denbabaden dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë investitorë tejet serioz të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët, që të jemi shumë të qartë. Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjese e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë aty, e shtetit shqiptar

Kompania tjetër që ne kemi krijuar, që është një kompani publike po ashtu, me partneritet privat është AlbTrace. AlbTrace sot ka marrë të gjitha ato që deri dje bëheshin me koncesione të dështuara. Koncesioni i markimit të naftës, koncesioni i pullave fiskale kanë qenë koncesione të dështuara. Sot nuk janë më koncesione, por janë aktivitete të ligj zbatimit të cilat i bën një kompani publike me përfshirjen e një partneri tjetër shtetëror, Emiratet e Bashkuara dhe me ekselencën që vjen pastaj nga privati duke mundësuar që markimi i naftës, gjurmimi i gjithë mallrave të akcizës, identiteti digjital, letrat me vlerë, të gjitha këto të jenë pjese e një “Holding”-u shtetëror dhe natyrisht këtu shteti merr dhe të ardhurat. Sot faktikisht nuk jemi më në kushtet e koncesionit për pasaportat edhe për kartat e identitetit. Sot karta e identitetit kushton më lirë dhe shteti shqiptar përmes kompanisë private IdentiTek përfiton para të cilat deri dje shkonin të gjitha në xhepin e një privati.

Kompanitë që po krijojmë në fushën e mbrojtjes janë të gjitha kompani të cilat lindin nga një përcaktim shumë i thjeshtë. Ne nuk duam të huaj që të vijnë në Shqipëri të marrin toka, të marrin kapanone, të marrin struktura dhe të prodhojnë. Ne duam që cilido që vjen në Shqipëri të bashkë prodhojë me ne, të bashkë prodhojë me shtetin shqiptar, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me kompaninë që ne kemi krijuar “Kayo”, e cila është një kompani tjetër publike e cila është pjesë e investimeve private që bëhen në fushën e mbrojtjes dhe kështu shteti, Ministria e Mbrojtjes, sektori i mbrojtjes, ushtria shqiptare fiton para nga ky aktivitet.

Vetëm kompania “Timak Defence” e cila ka lindur nga një bashkëpunim me shtetin i një start-up shqiptar i krijuar nga një vajzë që prodhonte në mënyrë artizanale makina, sot ka një portofol porosish për të eksportuar nga Shqipëria, ndodh sot, për te eksportuar nga Shqipëria makina, ambulanca, makina policie, zjarrfikëse, makina ushtrie mbi gjysmë miliardi. Dhe natyrisht duke qenë pjesë brenda shteti merr të ardhura.

Kompania tjetër e krijuar që së shpejti do fillojë të japë prodhimet e para është kompania “Guna” e cila do të prodhojë të gjitha uniformet e shtetit shqiptar, duke filluar nga të gjitha uniformat e ushtrisë shqiptare. Në Shqipëri prodhohen uniforma për ushtrinë suedeze. Ushtria suedeze i prodhon uniformat e veta në Shqipëri, në një zonë rurale të Shqipërisë, në një manifakturë modeste. Ushtria suedeze! Dhe ndërkohë shteti shqiptar rrokanisej lartë e poshtë me tendera, uniforma këtu, uniforma aty, kapelja e vogël, kapelja e madhe, këpuca e majtë, këpuca e djathtë, bam e bum nëpër prokurorira, e bam e bum nëpër kanale ankimimesh, se erdhi italiani, erdhi gjermani, se erdhi tjetri e tjetri, as italian, as gjerman, e asgjë. Të gjitha lojëra që përfundonin në turpe.

Sot ne kemi këtë kompani të përbashkët, e cila do të prodhojë uniformat për ne, për shtetin shqiptar, për ushtrinë shqiptare, për Policinë shqiptare, për zjarrfikëset, për Policitë Bashkiake dhe do të prodhojë uniforma, edhe për ushtritë e tjera të NATO-s. Kanë filluar që tani kontaktet sepse ne kemi krijuar një traditë në historinë e qepjes. Shqepjen e bënim kur merreshim me shtetin, qepjen kur merreshim privat, tani jemi në tjetër fazë dhe për të mos u zgjatur më tutje, sepse kjo është një temë që mua më pasionon shumë dhe ka shumë gjëra për të thënë, po unë dua të them që faza e parë e qeverisjes sonë ishte kalimi nga epoka e gurit dhe e drurit, se ishte dhe gurë dhe dru kur ne e morëm detyrën në epokën dixhitale me krijimin e platformave.

Faza e dytë ishte dixhitalizimi i shërbimeve.

Tani jemi në fazën e tretë që është faza e administratës inteligjente dhe nuk fola se çfarë komponentësh të inteligjencës artificiale kanë kompanitë që përmenda më lart. Nuk fola se çfarë komponentesh teknologjik kanë kompanitë që përmenda më lart, por dua të them që sot ne kemi nisur jo vetëm projektin e madh të transformimit revolucionar të procesit të prokurimeve, por kemi nisur edhe projektin e futjes së agjentëve me inteligjencë artificiale në nivelin e parë të qeverisjes. Kemi filluar me ministritë dhe me sektorët e financave dhe të shërbimeve juridike të ministrive, duke angazhuar një strukturë të posaçme për të kaluar në përdorimin e agjentëve të inteligjencës artificiale për t’i dhënë shpejtësi, për t’i dhënë integritet të lartë profesional dhe për t’i dhënë edhe një cilësi të padiskutueshme të gjitha akteve që lidhen me financat dhe me shërbimet juridike. Po e përdorim gjerësisht inteligjencën artificiale në përafrimin e legjislacionit tonë me legjislacionin e Bashkimit Europian, po e përdorim përditë e më shumë inteligjencën artificiale në tatime. Një nga arsyet pse të ardhurat rriten pa rritur taksat përveç administrimit të kësaj, kësaj, kësaj është edhe platforma e inteligjencës artificiale, e cila e ndihmon shumë administratën tatimore dhe doganore për të identifikuar ku janë problemet pa pasur nevojë që të lëshohen rrugëve për të sulmuar në dyert e të gjithë bizneseve për të gjetur ndonjë gjë.

Në mbyllje dua të them edhe atë që preku pak ministrja. E gjithë kjo është çfarë ka të bëjë me qeverisjen elektronike, çfarë ka të bëjë me një shtet i cili funksionon mbi teknologjinë dhe i cili duke funksionuar mbi teknologjinë bëhet një shtet shumë herë më i afërt dhe shumë herë më efikas për qytetarin, por nga ana tjetër që ne të shkëlqejmë në vijimësi duhet që gjithë ekosistemi i inovacionit të ngrihet në një nivel tjetër dhe për hir të vërtetës lidershipi dhe puna e ministres dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, po jep rezultate kuptimplota. Kemi një çelje, nëse mund ta quaj kështu, të luleve të para të fushës së startup-eve dhe dua t’ju them të gjithë atyre që merren me startup-e që për pak javë ne do të disbursojmë një fond tjetër pasi rritja domethënëse këtë vit e numrit të aplikimeve në “Startup Albania” e ka tejkaluar ndjeshëm fondin e parashikuar në raport me aplikimet me vlerë dhe ne nuk duam të lëmë aplikime me vlerë evidente që të presin vitin tjetër për të marrë financimin, prandaj duke u bazuar tek aplikimet ne do të vendosim të disbursojmë fondin dhe fondin për startup-et do ta rrisim në mënyrë domethënëse duke vazhduar vitin e ardhshëm, e vitin e ardhshëm, e vitin e ardhshëm. Në mënyrë që t’i japim mundësi të gjitha talenteve jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë që duke pasur një ndihmë financiare fillimisht të mund të transformojnë jetën e tyre, por të ndikojnë edhe në transformimin e jetës së vendit.

Shumë faleminderit dhe të gjithë ata që merren me elektronikë nga sot, nëse besojnë që janë talent i veçantë e kanë të hapur rrugën për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e Albanian Digital Solutions. E përsëris një kompani që lind sot, por që do të bëhet superfuqia e tregut të shërbimeve dixhitale publike dhe do të jetë në gjendje t’i paguajë punonjësit më mirë se çdo kompani tjetër sot në treg. Kështu që kjo le t’ju vlejë dhe kompanive të tjera të tregut të rrisin pagat akoma, por ta dinë që sa më shumë t’i rrisin ata, aq më shumë do t’i rrisim ne mbi ata.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.