Në kuadër të Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII) që po zhvillohet në Romë, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një bashkëbisedim me prezantuesen dhe korrespondenten e CNN, Eleni Giokos, ku trajtoi zhvillimet aktuale gjeopolitike, procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe perspektivat e investimeve strategjike në vend. Gjatë diskutimit, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e forcimit të rolit politik dhe vendimmarrës të Europës përballë sfidave globale, duke riafirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian si një objektiv strategjik dhe i pandryshueshëm.
***
– Zoti Rama, kënaqësi që ju kemi këtu me ne. Dua të flas për një lajm fantastik. Kemi një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar. Kemi disa detaje për këtë. Megjithatë po të kthehemi pak, duke qenë se ngushtica e Hormuzit është bërë si të thuash kjo pika kryesore. Mendonit që fuqitë europiane e të tjera duhet të ndërhynin për hapjen e ngushticës së Hormuzit? Sepse ju jeni anëtar i NATO-s. Mendoni që ishte gabim?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, më kërkuat të vij këtu si kampion i turizmit, doja të përqendrohesha tek ana e shndritshme e jetës. Ngushtica e Hormuzit është për këta djemtë këtu dhe për disa të tjerë,
– Po ju ndikon…
Kryeministri Edi Rama: … dhe për ca të tjerë të mëdhenj kur bëhet fjalë për ne, Shqipëria, për Shqipërinë, ne jemi miq shumë të mirë me të gjithë në Lindjen e Mesme me përjashtim të regjimit kriminal të Teheranit. Urojmë më të mirën për vëllezërit tanë në vendet e Gjirit. Megjithatë po mendoja në çfarë hoteli me 5 yje në Arabinë Saudite, Katar apo në Shqipëri do të të jepnin një shishe të tillë pa gotë dhe do të thonin “mirë se erdhe në konferencën tonë”.
Kështu po sillet së fundmi Europa për inerci, në një inerci që thotë: “i kemi të gjitha. Nuk na mungon asgjë. Ne do të jemi gjithmonë të mëdhenj pavarësisht ç’ndodh”. Në të njëjtën kohë, po humb pikërisht atë që të tjerët po e arrijnë me hapa të mëdhenj. Kur bëhet fjalë për Europën dhe rolin e saj, gjithçka thuhet me shumë qartësi: çfarë mungon, çfarë ka pasur Europa, por ka një gjë që në fakt është problemi numër një dhe që Europa nuk po ia del ta trajtojë, që është politika. Kapaciteti për të pasur një vizion të përbashkët, aftësia për të marrë vendime të përbashkëta, aftësia për të zbatuar në kohë gjithçka që është vendosur.
Pra, kur bëhet fjalë për atë që thatë për Ngushticën e Hormuzit, është e trishtë të shohësh se si Europa është brenda dhe jashtë, është aty, por nuk është aty. Edhe për krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, agresioni rus ndaj Ukrainës, Europa që qëndron krah Ukrainës është gjëja e duhur për t’u bërë, por Europa që nuk flet me Rusinë prej kaq shumë vitesh, kjo tregon serish problemin me të cilin Europa duhet të përballet, që është politika dhe kapaciteti politik, si dhe vendimmarrja.
-Ju jeni anëtar kandidat tani, gjithçka që përshkruat janë disa nga dobësitë me të cilat po përballet Europa. Vazhdon të jetë në harmoni me synimet tuaja?
Kryeministri Edi Rama: Fola për Europën dhe si një europian shumë i bindur, sepse mendoj që Bashkimi Europian është imagjinata më e mrekullueshme, më e mahnitshme e më guximshme e njerëzimit kur bëhet fjalë për politikën. Është një projekt i mrekullueshëm, i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe potenciali është absolutisht i jashtëzakonshëm.
Patjetër që ka probleme në Europë, por unë them gjithmonë që ne jemi të dashuruar me Europën. Kështu që jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë, që kur bie në dashuri të gjithë të thonë “mos nxito të martohesh sepse ne e dimë se ç’është”, po kjo nuk të ndalon të martohesh. Ti do të martohesh dhe ne duam “të martohemi” me Europën sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat pastaj, është tjetër histori, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë.
-Fantastike. Keni qenë ‘’të fejuar’’ për një kohë të gjatë.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo. Problemi është edhe më keq se kaq. Nuk kemi qenë të fejuar për një kohë të gjatë. Kemi qenë të dashuruar për një kohë të gjatë si Romeo nën dritaret e mbyllura të Zhulietës, dhe Zhulieta pastaj doli. Po pastaj prindërit e Zhulietës na thanë: “Ju jeni të mirë, po e mendojmë njëherë. Një ditë do mendojmë të fillojmë e të flasim.” Kështu që ne luftuam që të fillonim të flisnim. Tani po flasim dhe, ndërkohë që flasim pas tyre, shpresoj që do të martohemi.
– Fantastike! Le të flasim për investimet. Një që ka ndezur debate masive për ndikimin e politikës e kapitalin, e keni parë dhe të gjithë i kemi parë protestat në Shqipëri, në kryeqytet. Komisioni Europian është shprehur që Shqipëria duhet t’u rrijë rregullave rigoroze të mjedisit. Pra, shumë po ndodh. Zoti kryeministër, ku qëndroni tani? Cili është statusi i këtij investimi për resort luksoz me vlerë 4 miliard?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për këtë pyetje, sepse jam i sigurt që shumë njerëz këtu kanë interes për të, për shkak të gjithë indinjatës digjitale që është përhapur në mbarë botën. Më lejoni që, shumë shkurtimisht, t’ju jap pak sfond. Shqipëria, kur mora detyrën, ishte një vend me më pak se 10 miliardë euro Produkt i Brendshëm Bruto dhe me rreth 2 milion turistë, mes të cilëve llogariteshin edhe kryeministri e të gjithë të tjerët, sa herë që dilnin e hynin nga vendi pasi ishin kthyer nga diku. Vitin e kaluar, Shqipëria shënoi një PBB prej mbi 27 miliardësh dhe mbi 12 milionë turistë. Investimet tona direkte kanë qenë në gamën e 300 milionëve, këto kanë qenë kur unë mora detyrën, ndërkohë që vitin e kaluar u rritën në 1.6 miliard, që është me shumë peshë për një vend si tonin. Tashmë kemi kapërcyer në një ligë tjetër në shumë kuptime.
E, duke qenë se një vizionar i madh nga Lindja e Mesme, Mohamed Alabbar, erdhi në Shqipëri pati guximin t’i ofronte vendit tonë një vizion më të madh sesa investimet e zakonshme të vogla, Shqipëria u bë një vend që njerëzit nisën ta shihnin ndryshe, edhe në nivelin e biznesit e investimeve të mëdha.
Kështu që jemi tani në një moment në kohë kur mund të kemi investimin më të madh në turizëm në mbarë Europën, që vlen 4 miliardë euro. Një investim që është menduar qysh në fillim si një mënyrë për të treguar se natyra dhe njerëzit mund të bashkekzistojnë dhe se një jetë e mundshme rigjeneruese, qoftë për natyrën, qoftë për njerëzit, është mënyra për të ecur përpara.
Arkitektët më të mirë, peizazhistët më të mirë, inxhinierët më të mirë të ujërave janë përfshirë në këtë në këtë zhvillim, që do të jetë sigurisht shumë i dobishëm për Shqipërinë.
Dje më pyetën: “Çfarë po ndodh me ju njerëz? Të gjithë duan që ta kenë këtë gjë.” Por nga ana tjetër, më duhet të them këtë gjë. Për mua, fakti që ka njerëz në Shqipëri sot që dalin në rrugë dhe protestojnë në emër të natyrës, në emër të mbrojtjes së zogjve, është e jashtëzakonshme. Është e jashtëzakonshme për një vend që deri një dekadë më parë, ishte destinacion për gjueti barbare, për turistë me pushkë që vinin nga ku vend dhe vende të tjera perëndimore, për të bërë gjueti, për të gjuajtur kafshë apo zogj, pa asnjë lloj kontrolli.
Apo 10 vjet më parë, Shqipëria ishte një vend ku pyjet ishin të mbushura me zhurmën e makinerive që prisnin pemë. Kështu që vendosëm një moratorium 10 vjeçar për prerjen e pemëve dhe për gjuetinë. Kemi trefishuar popullatën e zogjve në Shqipëri, e kështu me radhë dhe do të vazhdojmë kështu, por dua të them një gjë këtu. Indinjata digjitale sigurisht që është provokuar më së shumti edhe për shkak të faktit që është Kushner e Trump e gjithë hijet pas janë mëse të mjaftueshme që mund t’i bëjë shumë njerëz nga të gjitha anët, nga të gjitha kontinentet e vendet që të hidhen menjëherë, por sasia e gënjeshtrave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të ndryshme dhe të shfaqura si video të protestave në Shqipëri, numri i BOT-ve të angazhuar dhe të përfshirë te armiku, sepse ne kemi një armik, kemi një armik të vetëm që është Republika Khomeiniste e Iranit, dhe ata kanë qysh prej tre vitesh të angazhuar në një sulm të pamëshirshëm kibernetik kundër Shqipërisë dhe kanë hyrë gjithashtu në këtë lojë.
Pra, gjithë kjo masë çmendurie është diçka që dua të të them, po gërryhen së brendshmi demokracitë tona. Po i çon europianët dhe perimetrin europian në disa rrugë që herët a vonë do të shkatërrojnë tërësisht ndjenjën e politikës, ndjenjën e vendimmarrjes, ndjenjën e kompromisit në këtë pjesë tonën të botës. Pra kjo është ajo çfarë kam parë unë nga e gjithë kjo dhe ka ardhur koha që demokracitë të rreshtin së besuari më se liria e shpërndarjes është zgjatim i lirisë së fjalës. Liria e shpërndarjes është ajo çka çdo regjim përmes çdo propagande ka bërë për të hyrë në çdo tru, në çdo mendje dhe për të mbjellë gënjeshtrat.
– Faleminderit për këtë kontekst. Po na mbaron koha. Në fakt do të bëj pyetje të shpejta. Po apo jo? Është blerë toka tashmë nga investuesit? A është blerë toka tashmë nga investuesit?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, mos hyni këtu sepse në fakt po më kujtoni tani që jeni nga CNN-i dhe më vjen keq të them që e kam mësuar në lëkurë që nuk jeni një burim objektiv, por duke qenë se ju jeni greke, më bën të ndihem i detyruar të mos hyj këtu. Po, toka është blerë nga investuesit. Po, është tokë private. Po, po kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, nuk ka një projekt të miratuar. Po, nuk ka ende një leje ndërtimi. Nuk ka asgjë për të shqetësuar asnjë ambientalist që mendon si duhet dhe po, Shqipëria do të ecë përpara dhe Shqipëria nuk e shpëton dot Europën për një gjë, median sociale. Në qoftë se media sociale do lejohet të bëhet ç’të dojë, Europa do të bjerë së brendshmi dhe pastaj të gjitha ato mburoja kundër raketave e kundër armëve do të jenë të pavlera sepse s’do të kenë asgjë për të mbrojtur.
– Kryeministër, shumë shpejt, Komisioni Europian ka paralajmëruar që duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe keni dhe problemin e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që të rezonojë me protestat dhe me protestuesit dhe për të siguruar që keni nga ana juaj Komisionin?
Kryeministri Edi Rama: Kam lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Aty ku do të zhvillohet projekti është një qytet, shumica dërrmuese mezi e presin projektin dhe nuk ka protestë. Komuniteti ku do të bëhet ky zhvillim e do projektin. Pra, ajo çfarë shihni nuk është saktësisht ajo çfarë po ndodh. Indinjatë ka, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it që të vijë për hapjen, të gjithë do të jenë të lumtur dhe jam i sigurt, jam i sigurt që do të jetë një shans i madh për CNN që të shlyej veten.
– Të shlyej veten? Puna jonë është të bëjmë pyetje.
Kryeministri Edi Rama: Po, po të shlyejë. Ju duhet t’ua shlyeni Shqipërisë, popullit shqiptar, madje edhe zogjve. Keni nevojë për një moment të shlyeni vetveten, sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka tjetër do të jenë shumë më mirë se ç’ është sot. Projekti synon të ketë një pozitive neto me 25% gjelbërim më shumë sesa sot. Sot ujërat e lagunës janë të ndotura dhe kemi në fakt po konceptojmë një sistem tjetër që ujërat të jenë të pastra sërish, siç thoni ju në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jo të mëdha sërish, por të pastra sërish!
– Faleminderit shumë që e sqaruat të gjithë këtë.
Kryeministri Edi Rama: Mendova se po më falënderonit për ftesën.
– Nuk e di do më ftoni thoni apo jo. Megjithatë puna jonë është të bëjmë pyetje.
Kryeministri Edi Rama: Po, po sigurisht
– …dhe natyrisht përgjigjet tuaja janë gjithmonë të gjëra.
Kryeministri Edi Rama: Problemi nuk janë pyetjet. Problemi është se si shtyhen e drejtohen këto pyetje dhe dua ta them sepse kam e them gjithmonë dhe kam mundësi ta them. Unë isha i ftuar në CNN për një intervistë dhe në fakt shumë e drejtë, të gjithë ata që mendojnë ndryshe kishin hapësirën e tyre kohore por që drejtuesja që më ftoi mua për intervistën të postonte në profilin e saj një deklaratë që ishte fyese, jo kritike po fyese karshi meje, është vërtetë diçka. Ja pse e mendoj që Shqipëria i detyrohet shpirtit të humbur detyrimin që të vijë, të puthë zogjtë dhe të pendohet dhe do ta bëjmë këtë gjë. Faleminderit!