Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2026:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE NË BASHKI DHE TË PROCEDURËS SË SHQYRTIMIT TË ANKESAVE NË FUSHËN E KUJDESIT ALTERNATIV NË FAMILJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 35, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim përcakton:
a) rregullat për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në fushën e kujdesit alternativ në familje në nivel bashkie;
b) procedurën administrative për shqyrtimin e ankesave në fushën e kujdesit alternativ në familje.
Neni 2
Ngritja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave
1. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ngrihet pranë çdo bashkie, si një organ kolegjial i qëndrueshëm administrativ për shqyrtimin e çdo ankese që lidhet me proceset e vendosjes në kujdes alternativ në familje dhe trajtimit në familjen kujdestare.
2. Fëmija i vendosur në kujdes alternativ në familje ka të drejtë të paraqesë ankesa për procesin e vendosjes në kujdes alternativ në familje dhe trajtimin në familjen kujdestare. Ankesa paraqitet nga vetë fëmija ose përmes një përfaqësuesi ligjor, punonjësi social, psikologu, mësuesi të fëmijës ose nga një përfaqësues i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë edhe vendimet për:
a) përzgjedhjen e familjes, që ofron kujdes alternativ në familje;
b) ndërprerjen ose heqjen e së drejtës për ofrimin e kujdesit alternativ në familje;
c) refuzimin e përzgjedhjes si familje kujdestare;
ç) masat ndaj familjes kujdestare.
3. Komisioni ushtron funksionet në mënyrë të pavarur dhe të paanshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Përbërja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave
1. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në fushën e kujdesit alternativ në familje krijohet me vendim të kryetarit/es të bashkisë dhe përbëhet nga 5 anëtarë, që nuk kanë marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve, të cilat kanë qenë të përfshira në procedurën administrative paraprake ose në marrjen e vendimit që ankimohet, si më poshtë vijon:
a) Një përfaqësues i strukturës përgjegjëse të shërbimeve shoqërore në bashki;
b) Një përfaqësues jurist nga njësia përgjegjëse për çështjet juridike në bashki;
c) Një psikolog ose specialist për mbrojtjen e fëmijëve;
ç) Një përfaqësues nga Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës (NJMF)/Njësia e Vlerësimit dhe Referimit të Nevojave (NJVNR);
d) Një anëtar tjetër me ekspertizë në fushën sociale.
2. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave drejtohet nga përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse të shërbimeve shoqërore në bashki.
3. Punonjësit e emëruar anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave nuk kanë të drejtë të delegojnë anëtarësinë e tyre apo të zëvendësohen nga një anëtar tjetër në ushtrimin e kësaj detyre. Ato ndryshojnë vetëm me vendim të kryetarit të bashkisë, në përputhje me këtë vendim. Në rastet kur një anëtar/e nuk e ushtron më detyrën, kryetari i bashkisë menjëherë emëron në këtë detyrë një anëtar tjetër. Në rastet e mungesave të përkohshme në detyrë, kryetari i bashkisë zëvendëson anëtarin/en me një tjetër zëvendësues të përkohshëm.
4. Anëtarët, që janë në konflikt interesi, sipas legjislacionit në fuqi, përjashtohen nga shqyrtimi i një çështjeje dhe zëvendësohen menjëherë me vendim të kryetarit të bashkisë me një anëtar tjetër.
Neni 4
Parimet e organizimit dhe funksionimit
1. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave organizohet dhe funksionon në bazë dhe për zbatim të të gjitha parimeve të veprimtarisë administrative, si Kodi i Procedurave Administrative dhe legjislacioni në fuqi.
2. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ushtron veprimtarinë në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës.
3. Procedura e ndjekur nga Komsioni respekton procesin e rregullt ligjor. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka detyrimin për të dëgjuar fëmijën sipas moshës dhe pjekurisë.
Neni 5
E drejta e ankimit
1. Çdo fëmijë i përfshirë në procesin e kujdesit alternativ në familje, përfaqësuesi ose përfaqësuesi ligjor i tij, si dhe anëtarët e familjes biologjike ose të familjes kujdestare kanë të drejtë të paraqesin ankim administrativ pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, të ngritur pranë bashkisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes dijeni për vendimin.
2. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave shqyrton çështjet vetëm me kërkesë të palëve të interesuara.
3. Fëmijët gëzojnë të drejtën e marrjes së ndihmës aktive dhe mbështetjes nga bashkia për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesës.
Neni 6
Paraqitja dhe verifikimi paraprak i ankesës
1. Ankesat drejtuar Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave duhet të shprehin qartë objektin e ankimit ose të kërkesës, identitetin e ankuesit, rrethanat e faktit mbi të cilin ngrihet ankimi. Ankesa paraqitet në formë shkresore, me shkrim ose elektronikisht (postë elektronike), apo edhe para Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave nuk pranon ankesa anonime, me përjashtim të rasteve kur ato përmbajnë pretendime që lidhen me dhunën, abuzimin, neglizhimin ose çdo formë tjetër cenimi të të drejtave dhe interesit më të lartë të fëmijës.
2. Për çdo ankesë krijohet një dosje e posaçme. Ankesat shqyrtohen sipas rendit të paraqitjes së tyre.
3. Çdo ankesë regjistrohet detyrimisht në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
4. Ankuesit pajisen me një vërtetim me shkrim që konfirmon marrjen dhe regjistrimin e ankesës.
5. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike nga regjistrimi i ankesës, verifikon kompetencën për shqyrtimin e saj, plotësimin e kushteve formale, të metat e ankesës, përfshirë edhe dokumentacionin shoqërues, dhe merr vendim për plotësimin e të metave apo mospranimin e ankesës.
6. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, pasi njihet me ankesën për një shkelje në procesin e ofrimit të shërbimit të kujdesit alternativ në familje, vendos:
a) ta pranojë ose jo ankesën për shqyrtim;
b) t’i kthejë përgjigje të interesuarit, duke i treguar arsyet e mospranimit të ankesës;
c) në rast se është e mundur, t’ia kalojë çështjen organit kompetent.
7. Në rastet kur vërehen mangësi apo të meta në paraqitjen e ankesës, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave kërkon me shkrim nga ankuesi plotësimin e të metave të ankesës, brenda një afati jo më shumë se 5 (pesë) ditë kalendarike nga dita e marrjes së ankesës.
8. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave njofton ankuesin/it dhe të interesuarit menjëherë, por jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike nga dita e regjistrimit të ankesës, marrjen e vendimit sipas pikës 6, të këtij neni. Brenda këtij afati palët njoftohen edhe për seancat dëgjimore që parashikohen të zhvillohen nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave.
9. Çdo shërbim lidhur me ankesat dhe shqyrtimin e tyre është pa pagesë.
Neni 7
Shqyrtimi i ankesës
1. Ankesa shqyrtohet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga regjistrimi i saj.
2. Komisioni përgjatë shqyrtimit të ankesës mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm dhe dokumentacionin përkatës, thërret dhe dëgjon palët, zhvillon seanca dëgjimore me fëmijën, në mënyrë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tij/saj. Palët njoftohen paraprakisht për zhvillimin e seancës/ave dëgjimore. Palët kanë të drejtën të përfaqësohen përgjatë procedurës së shqyrtimit të ankimit.
3. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave njofton palët me shkrim ose në rrugë elektronike për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të seancës dëgjimore, në mënyrë që të sigurohet prova e marrjes së njoftimit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë kalendarike përpara datës së caktuar. Njoftimi përmban objektin e seancës dëgjimore, si dhe të drejtat procedurale të palëve. Mosparaqitja e palës së njoftuar rregullisht, pa shkak të arsyeshëm, nuk pengon zhvillimin e seancës dëgjimore dhe shqyrtimin e mëtejshëm të ankesës.
4. Palët kanë të drejtë të marrin pjesë personalisht në seancën dëgjimore dhe/ose të përfaqësohen nga një përfaqësues ligjor gjatë gjithë procedurës së shqyrtimit të ankesës. Fëmija dëgjohet gjithmonë në mënyrë të përshtatshme me moshën dhe pjekurinë e tij/saj dhe ka të drejtë të shoqërohet nga një person i besuar/përfaqësuesi/ja, në përputhje me interesin e tij/saj më të lartë.
5. Gjatë seancës dëgjimore, palët kanë të drejtë të parashtrojnë pretendimet e tyre, të paraqesin prova e dokumente, si dhe të shprehen dhe të paraqesin kundërshtime lidhur me provat dhe pretendimet e paraqitura nga palët e tjera. Për zhvillimin e çdo seance dëgjimore mbahet procesverbal i veçantë, i cili pasqyron palët e pranishme, deklarimet, provat, pretendimet dhe kundërshtimet e paraqitura. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave shqyrton dhe merr në konsideratë të gjitha provat dhe pretendimet e paraqitura në vendimmarrjen e tij.
6. Pas pranimit të ankesës, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave kryen njërën nga veprimet e mëposhtme:
a) Ndërmerr një proces hetimi për mbledhjen e informacionit dhe dokumentacionit përkatës me qëllim marrjen e të gjitha rrethanave, fakteve, provave të lidhura me procesin për të cilin është paraqitur ankesa;
b) Kërkon shpjegime nga organet përkatëse të përfshira në procesin për të cilin është paraqitur ankesa;
c) Cakton, kur vlerëson të nevojshme, një datë për kryerjen e një seance dëgjimore me palët e përfshira në proces, si dhe dëgjon fëmijën, në mënyrë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tij.
7. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave kërkon dokumentacion dhe informacion për veprimin/mosveprimin nga çdo strukturë administrative veprimi/mosveprimi i së cilës është ankimuar, dhe, nëse është e nevojshme, mund të kryejë hetime administrative shtesë që kanë lidhje me çështjen që hetohet, përfshirë këqyrje të akteve, dokumenteve, kushteve, shpjegime nga organet kompetente të administratës qendrore dhe vendore, marrje informacioni nga çdo dosje apo materiali që ka lidhje me hetimin, marrje në pyetje të personave apo subjekteve të lidhur me çështjen, seanca dëgjimore me palët e përfshira në proces ose kryerjen e ekspertizave të nevojshme, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative në fuqi.
8. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor, të paanshëm dhe në interesin më të lartë të fëmijës, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë me të gjitha institucionet dhe strukturat përkatëse, përfshirë:
a) Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijës (NJMF) dhe Njësinë e Vlerësimit dhe Referimit të Nevojave (NJVNR);
b) Shërbimin Social Shtetëror;
c) strukturat përgjegjëse për shërbimet shoqërore në nivel vendor;
ç) institucionet e sistemit të drejtësisë, sipas rastit;
d) institucionet arsimore dhe shëndetësore;
dh) strukturat e policisë së shtetit;
e) organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.
9. Institucionet dhe strukturat e identifikuara dhe të përcaktuara gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesës nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, sipas këtij vendimi, janë të detyruara të vënë në dispozicion të Komisionit, brenda afateve të kërkuara, informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për shqyrtimin e ankesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Mosdhënia e informacionit pa shkak të arsyeshëm përbën shkak për paraqitjen e një kërkese nga Komisioni për fillimin e procedurave të shkeljeve ligjore ndaj subjekteve përkatëse.
10. Bashkërendimi ndërinstitucional realizohet nëpërmjet shkëmbimit të informacionit, pjesëmarrjes në mbledhje, dhënies së opinioneve profesionale dhe çdo forme tjetër bashkëpunimi, të nevojshme për shqyrtimin e plotë dhe të drejtë të ankesës.
11. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të cilat janë të dhëna personale apo janë konfidenciale. Anëtarët e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave ruajnë konfidencialitetin e informacioneve për të cilat vihen në dijeni si rezultat i hetimit.
Neni 8
Mbledhja dhe vendimmarrja e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave
1. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave thirret në mbledhje nga kryetari/ja i/e Komisionit menjëherë me regjistrimin e një ankese.
2. Secili anëtar i Komisionit ka të drejtën të aksesojë, të shqyrtojë dhe të trajtojë çdo akt të dosjes së shqyrtimit të ankesës.
3. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave përcakton hapat për shqyrtimin e ankesës, duke respektuar afatet sipas ligjit dhe këtij vendimi.
4. Kryetari/ja i/e Komisionit njofton anëtarët për çdo mbledhje, duke informuar për orën, vendin dhe çështjet për të cilat thirret mbledhja.
5. Çdo ndryshim i datës dhe kohës së mbledhjes u njoftohet menjëherë anëtarëve të Komisionit, por jo më vonë se 1 (një) ditë para datës së njoftuar të zhvillimit të mbledhjes.
6. Mbledhjet e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave janë të vlefshme kur janë të pranishëm të paktën 3 anëtarë të Komisionit. Vendimet e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave janë të vlefshme kur votojnë jo më pak se gjysma e anëtarëve të pranishëm të Komisionit. Vendimet merren me votim të hapur. Në rast barazimi votash, vota e kryetarit/es së Komisionit është vendimtare.
7. Çdo anëtar i Komisionit ka të drejtën e një vote.
8. Për çdo mbledhje mbahet procesverbal, në të cilin përfshihen të gjitha diskutimet, si dhe votat kundër të anëtarëve të Komisionit. Procesverbali nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit.
Neni 9
Vendimmarrja
1. Në përfundim të hetimit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga regjistrimi i ankesës, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave merr vendim të arsyetuar për ankesën, me shkrim, të qartë dhe të kuptueshëm, duke marrë parasysh moshën dhe zhvillimin e fëmijës.
2. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave përbën akt administrativ, të detyrueshëm për t’u zbatuar nga palët, të cilave u drejtohet, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative në fuqi. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative në fuqi, sipas rastit, refuzon ankimimin, lë në fuqi aktin e ankimuar, anulon, shfuqizon apo ndryshon, plotësisht apo pjesërisht, aktin e ankimuar, ose përkatësisht, duke nxjerrë aktin e kërkuar nga pala.
3. Vendimi përmban të gjitha elementet e një akti administrativ, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative në fuqi:
a) bazën ligjore;
b) analizën faktike;
c) përfundimet dhe vendimet;
ç) mjetet ligjore mbrojtëse.
4. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave i njoftohet menjëherë, por jo më vonë se brenda 3 (tri) ditëve kalendarike pas marrjes së vendimit, ankuesit/ve dhe palëve të interesuara. Njoftimi kryhet në formë shkresore ose elektronike, në mënyrë që të sigurohet prova e marrjes së tij.
5. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave i përcillet menjëherë me miratimin e tij strukturës përgjegjëse për ndjekjen e procedurave për zbatimin e tij.
6. Vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave hyn në fuqi pas njoftimit të ankuesit dhe regjistrohet në Regjistrin Elektronik.
Neni 10
Ankimi ndaj vendimit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave
Fëmija, prindërit e fëmijës, të afërmit e tij dhe palët që kanë një interes të ligjshëm kanë të drejtën e ankimit kundër vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në gjykatën administrative, në përputhje me legjislacionin për gjykimin administrativ në fuqi.
Neni 11
Sekretariati
1. Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki luan rolin e sekretariatit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
2. Sekretariati siguron mbështetjen administrative dhe teknike të veprimtarisë së Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave si dhe ndihmon në përgatitjen e dokumentimin e mbledhjeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
3. Në veçanti, sekretariati ka këto detyra:
a) Pranon dhe regjistron ankesat e paraqitura;
b) Administron dhe arkivon dokumentacionin përkatës për çdo çështje;
c) Përgatit materialet dhe dokumentacionin për shqyrtim nga Komisioni;
d) Njofton anëtarët e Komisionit dhe palët e interesuara për datën dhe rendin e ditës së mbledhjeve;
e) Mban procesverbalin e mbledhjeve dhe siguron dokumentimin e vendimmarrjes;
f) Ndjek zbatimin e vendimeve të Komisionit dhe komunikon me institucionet përkatëse;
g) Siguron regjistrimin e ankesave dhe vendimeve në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
4. Sekretariati ushtron funksionet e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe garanton ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit.
5. Sekretariati përgatit raportime periodike mbi ecurinë e ankesave dhe zbatimin e vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave. Raportet regjistrohen në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
Neni 12
Konfidencialiteti dhe mbrojtja e të dhënave
1. Të dhënat personale në procedurat e shqyrtimit të ankesave trajtohen, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Aksesi në të dhënat personale kufizohet vetëm për personat e autorizuar.
2. Anëtarët e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave ruajnë sekretin profesional për çdo informacion të marrë gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave. Shkelja e konfidencialitetit sjell përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 13
Organet zbatuese
Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, njësitë e vetëqeverisjes vendore, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes së fëmijës dhe strukturat inspektuese për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT E PROCEDURAT PËR PËRCAKTIMIN E LLOJIT TË KUJDESIT ALTERNATIV NË FAMILJE, OFRIMIN DHE PËRFUNDIMIN E SHËRBIMIT, FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT SHUMËDISIPLINAR DHE PËR VLERËSIMIN, PROCEDURËN E VENDIMMARRJEN PËR VENDOSJEN E FËMIJËS NË KUJDES ALTERNATIV NË FAMILJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 5, 12, pika 7, dhe 16, pika 3, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim përcakton:
a) rregullat për përcaktimin e llojit të kujdesit alternativ në familje;
b) kriteret, procedurat dhe standardet bazë për ofrimin e shërbimit të kujdesit alternativ në familje;
c) organizimin e funksionimin e komisionit shumëdisiplinar;
ç) procedurat për vlerësimin, planifikimin, vendimmarrjen, monitorimin dhe përfundimin e vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ në familje;
d) kriteret për identifikimin, vlerësimin, trajnimin, miratimin dhe regjistrimin e familjeve kujdestare;
dh) mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional ndërmjet strukturave përgjegjëse në nivel qendror e vendor.
Neni 2
Qëllimi
Ky vendim synon të garantojë një proces të standardizuar, transparent, të koordinuar e të bazuar në interesin më të lartë të fëmijës për ofrimin e kujdesit alternativ në familje, duke promovuar rritjen e fëmijës në mjedis familjar të shëndetshëm dhe mbështetjen e riintegrimit familjar, kur kjo është në interesin më të lartë të fëmijës.
KREU II
LLOJET E KUJDESIT ALTERNATIV NË FAMILJE
Neni 3
Format e kujdesit alternativ në familje
Kujdesi alternativ në familje ofrohet në dy format kryesore të mëposhtme:
a) Kujdes alternativ profesional në familje;
b) Kujdes alternativ vullnetar në familje.
Neni 4
Kujdesi alternativ profesional në familje
1. Kujdesi alternativ profesional ofrohet nga familje kujdestare profesioniste të trajnuara, të vlerësuara, të miratuara dhe të regjistruara sipas këtij vendimi.
2. Kujdesi alternativ profesional përfshin këto tipologji:
a) Kujdesin alternativ emergjent;
b) Kujdesin alternativ afatshkurtër;
c) Kujdesin alternativ afatgjatë ose të përhershëm deri në moshën madhore kur rikthimi në familjen biologjike ose birësimi nuk janë të mundur;
ç) Kujdesin alternativ të specializuar për fëmijët me nevoja komplekse, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, me trauma, me histori abuzimi, neglizhimi ose me nevoja të larta psikosociale;
d) Kujdesin alternativ për vajza nëna me fëmijë ose vajza shtatzëna, kur kjo masë vlerësohet si më e përshtatshme në interesin më të lartë të nënës e të fëmijës.
Neni 5
Kujdesi alternativ vullnetar në familje
Kujdesi alternativ vullnetar mund të ofrohet nga familje të vlerësuara dhe të miratuara si familje kujdestare, sipas legjislacionit në fuqi, si vijon:
a) Familje të të afërmve të fëmijës, si: gjyshi, gjyshja, motra ose vëllai në moshë madhore, ungji, emta, nipi apo mbesa, të të afërmve të tjerë me lidhje familjare me fëmijën;
b) Familje të të afërmve të fëmijës, të rrethit të ngushtë miqësor të familjes të njohur nga fëmija;
c) Familje që nuk kanë lidhje familjare me fëmijën, që shfaqin vullnetin e tyre për të ofruar vullnetarisht shërbimin e kujdesit alternativ.
Neni 6
Kriteret për përcaktimin e llojit të kujdesit
Në përcaktimin e llojit të kujdesit alternativ merren parasysh:
a) niveli i rrezikut dhe urgjenca e mbrojtjes së fëmijës;
b) mosha e fëmijës;
c) gjendja shëndetësore, emocionale, psikologjike dhe zhvillimore e fëmijës;
ç) prania e aftësisë së kufizuar ose e nevojave komplekse;
d) historia e traumës, abuzimit, neglizhimit ose shfrytëzimit;
dh) marrëdhëniet e fëmijës me familjen biologjike dhe rrjetin e tij social;
e) kohëzgjatja e pritshme e vendosjes;
ë) disponueshmëria dhe profili i familjes kujdestare;
f) mendimi i fëmijës, në përputhje me moshën dhe zhvillimin e tij/saj.
KREU III
KRITERET, VLERËSIMI DHE REGJISTRIMI I FAMILJEVE KUJDESTARE
Neni 7
Kriteret e përgjithshme për familjet kujdestare
1. Familjet kujdestare duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme, të cilat vlerësohen në mënyrë të dokumentuar nga strukturat përgjegjëse:
a) Kapaciteti ligjor dhe integriteti:
i. të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
ii. të jenë jo më pak se në moshë madhore dhe jo më shumë se në moshë pensioni, sipas legjislacionit në fuqi në vend, me përjashtim të rasteve të kujdesit alternativ vullnetar në familje nga të afërm;
iii. prindi aplikues të ketë shtetësi shqiptare ose leje të rregullt qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të ketë vendbanim të përhershëm dhe të jetojë në Republikën e Shqipërisë;
iv. të mos jenë në proces hetimi apo ndjekjeje penale;
v. të mos kenë asnjë anëtar të familjes të dënuar për një vepër penale me vendim të formës së prerë;
vi. të mos kenë asnjë anëtar të familjes, që rezulton i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, sipas ligjit nr.62/2022, “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”;
vii. të mos jenë dënuar me vendim penal të formës së prerë për vepra penale kundër fëmijëve, kundër personit, kundër familjes, kundër moralit, për dhunë në familje, trafikim, narkotikë, si dhe për çdo vepër tjetër penale të rëndë që cenon sigurinë dhe mirëqenien e fëmijës;
viii. të mos jenë të regjistruar në regjistrat përkatës për vepra penale, që lidhen me dhunën, abuzimin apo shfrytëzimin;
ix. familja nuk është përjashtuar më parë nga ofrimi i kujdesit alternativ në familje;
x. ka pëlqimin me shkrim të të gjithë anëtarëve në moshë madhore të familjes, sipas certifikatës familjare për të kryer kujdestarinë.
b) Të kenë gjendje të qëndrueshme shëndetësore:
i. të jenë në gjendje të mirë shëndetësore fizike dhe mendore, e vërtetuar me raport mjekësor;
ii. të mos kenë kushte shëndetësore, që pengojnë përmbushjen e përgjegjësive të kujdesit ndaj fëmijës;
iii. anëtarët e familjes të jenë në gjendje shëndetësore fizike ose mendore, që nuk rrezikojnë shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës.
c) Kushtet e banimit dhe mjetet e jetesës:
i. të disponojnë ambiente të sigurta, të shëndetshme dhe të përshtatshme për zhvillimin e fëmijës;
ii. të sigurojnë hapësirë të mjaftueshme jetese dhe kushte higjieno-sanitare, sipas standardeve në fuqi;
iii. të garantojnë akses në shërbime bazë (arsim, shëndetësi, transport);
iv. të sigurojnë mjete të mjaftueshme të jetesës;
v. të kenë të ardhura të qëndrueshme.
ç) Qëndrueshmëri familjare dhe shoqërore:
i. të kenë marrëdhënie të qëndrueshme familjare dhe mjedis mbështetës për fëmijën;
ii. të mos jenë të përfshirë në situata të përsëritura konflikti, dhune apo paqëndrueshmërie sociale;
iii. të kenë një rrjet minimal mbështetës (familjar apo komunitar).
d) Kapacitetet prindërore dhe motivimi:
i. të demonstrojnë aftësi për kujdes, edukim dhe mbështetje emocionale të fëmijës;
ii. të kenë motivim të qartë dhe realist për ofrimin e kujdesit alternativ në familje;
iii. të tregojnë aftësi për të respektuar individualitetin dhe nevojat specifike të fëmijës.
dh) Bashkëpunimi me institucionet:
i. të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar me strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës;
ii. të pranojnë e të zbatojnë planin individual të kujdesit alternativ në familje dhe rekomandimet profesionale;
iii. të respektojnë detyrimin për monitorimin, vlerësimin periodik, raportim dhe transparencë.
e) Të kryejnë trajnim fillestar dhe të vazhdueshëm, sipas ligjit dhe këtij vendimi.
2. Për familjet kujdestare profesionale, përveç kritereve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, kërkohet që të plotësojnë edhe këto kritere shtesë:
a) Të demonstrojnë aftësi për të ofruar kujdes të vazhdueshëm dhe intensiv për fëmijë me nevoja komplekse, përfshirë fëmijë me aftësi të kufizuara, trauma, histori abuzimi, neglizhimi ose shfrytëzimi, apo me nevoja të larta psikosociale;
b) Të jenë të gatshëm të ofrojnë shërbimin sipas profilit për të cilin janë miratuar, përfshirë rastet emergjente, kur është e aplikueshme;
c) Të angazhohen për bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës, ekipin multidisiplinar dhe ofruesit e shërbimeve mbështetëse;
ç) Të pranojnë pjesëmarrjen në supervizim profesional dhe trajnim të vazhdueshëm gjatë ofrimit të shërbimit;
d) Të jenë në gjendje të sigurojnë praninë dhe përkujdesjen e nevojshme për fëmijën gjatë gjithë periudhës së vendosjes.
3. Kriteret e përcaktuara në këtë nen janë pjesë e standardeve në fuqi të ofrimit të shërbimit të kujdesit alternativ në familje.
Neni 8
Ndihma aktive
Struktura përgjegjëse e shërbimeve shoqërore në bashki u ofron ndihmë aktive subjekteve të interesuara për të ofruar shërbimin e kujdesit alternativ në familje, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative në fuqi.
Neni 9
Aplikimi dhe vlerësimi paraprak
1. Subjekti i interesuar për të ofruar shërbimin e kujdesit alternativ në familje paraqet kërkesë nëpërmjet portalit “e-Albania”.
2. Familjet aplikuese shprehin interesin e tyre për të ofruar shërbimin e kujdesit alternativ në familje, sipas formularit të aplikimit në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki kryen verifikimin paraprak administrativ të dokumentacionit brenda 7 (shtatë) ditëve punë nga data e paraqitjes së aplikimit në portalin “e-Albania”. Në rast se vërehen mangësi në aplikim, dokumentacioni rezulton i paplotë ose i pasaktë, aplikuesi njoftohet menjëherë për plotësimin e tij.
4. Aplikuesi njoftohet me shkrim për kalimin në fazën e vlerësimit të aplikimit ose për mospranimin e aplikimit, të arsyetuar, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga përfundimi i verifikimit paraprak.
Neni 10
Vlerësimi i familjeve kujdestare
1. Vlerësimi i familjeve kujdestare është vlerësimi i të gjitha kritereve të parashikuara në nenin 7 të këtij vendimi dhe përfshin, pa u kufizuar në, sa vijon:
a) Intervistën individuale dhe familjare me të gjithë anëtarët e familjes, sipas certifikatës familjare;
b) Vizitat në banesë për vlerësimin e kushteve të jetesës;
c) Vlerësimin social e psikologjik të aplikuesit dhe anëtarëve të familjes;
ç) Raportin mjekësor të aftësisë për punë për prindin aplikues dhe të gjithë anëtarët e familjes;
d) Dëshminë e gjendjes gjyqësore, vërtetim që nuk ka pasur dhe nuk ka të regjistruar asnjë procedim penal;
dh) Referencat nga dy familje të komunitetit ku jeton;
e) Intervistën me ndërlidhësin komunitar, administratorin social, kryeplakun, inspektorin e zonës të Policisë së Shtetit;
ë) Informacion nga Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale, sipas legjislacionit në fuqi për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale;
f) Kushtet e banimit të familjes aplikuese, përmes vërtetimit që ka banesë nga portali “e-Albania” ose kontratën e qirasë, në të cilën të përcaktohen edhe kushtet e banesës;
g) Verifikim që nuk është përjashtuar më parë nga ofrimi i kujdesit alternativ në familje;
gj) Pëlqimin me shkrim të të gjithë anëtarëve në moshë madhore të familjes, sipas certifikatës familjare, për të ofruar shërbimin e kujdestarisë alternative në familje;
h) Verifikim për aftësinë për të punuar me fëmijë me nevoja komplekse, përfshirë trauma, aftësi të kufizuara apo sjellje sfiduese;
i) Përvojën e mëparshme me kujdestarinë alternative apo shërbime sociale, nëse ka;
j) Gatishmërinë për angazhim të plotë në ofrimin e shërbimit të kujdestarisë alternative në familje.
2. Vlerësimi përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga data e përfundimit të verifikimit paraprak të aplikimit, sipas këtij vendimi. Në raste të veçanta, me vendim të argumentuar, ky afat mund të zgjatet edhe me 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune.
3. Strukturat kompetente të bashkisë njoftojnë aplikuesit për dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqitet prej tyre, me qëllim shqyrtimin e aplikimit. Gjatë procesit të shqyrtimit të aplikimit, familjet aplikuese janë të detyruara të paraqesin vetëm ato dokumente, të cilat shërbimet sociale në bashki e kanë të pamundur t’i sigurojnë vetë si pjesë të dosjes.
4. Rezultatet e vlerësimit pasqyrohen në raportin social e psikologjik të strukturuar, sipas shtojcës nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, dhe përmbajnë rekomandimin për përzgjedhjen ose jo të familjes si familje kujdestare, si dhe llojin e kujdesit alternativ në familje, për të cilin ajo është e përshtatshme.
5. Dosja e përgatitur sipas këtij neni plotësohet me të gjithë dokumentacionin dhe vlerësimet e nevojshme, me qëllim që të paraqitet para komisionit shumëdisiplinar për vendimmarrje.
Neni 11
Trajnimi i familjeve aplikuese për të ofruar shërbimin e kujdesit alternativ në familje
1. Familjet, që vlerësohen pozitivisht, ndjekin programin unik bazë të detyrueshëm të trajnimit para marrjes së vendimit për t’u përfshirë në listën e familjeve që ofrojnë shërbimin e kujdesit alternativ në familje. Programi dhe modulet e trajnimit hartohen nga Shërbimi Social Shtetëror dhe certifikohen nga autoriteti përgjegjës për sigurimin e cilësisë së shërbimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Programi unik bazë i trajnimit për familjet kujdestare vullnetare dhe profesionale përfshin njohuri dhe aftësi mbi:
a) zhvillimin e fëmijës dhe nevojat sipas grup-moshave;
b) mbrojtjen e fëmijëve dhe kuadrin ligjor për kujdesin alternativ në familje;
c) rolin e përgjegjësitë e familjes kujdestare;
ç) disiplinimin pozitiv dhe mbrojtjen nga çdo formë dhune;
d) komunikimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve me fëmijën;
dh) bashkëpunimin me strukturat e mbrojtjes së fëmijës dhe familjen biologjike.
3. Për familjet kujdestare profesionale, programi i trajnimit përfshin edhe module të specializuara për:
a) traumën dhe sjelljet sfiduese;
b) përkujdesjen për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nevoja komplekse;
c) menaxhimin e situatave emergjente;
ç) komunikimin dhe ndërmjetësimin me familjen biologjike;
d) etikën profesionale dhe standardet e kujdesit alternativ në familje;
dh) bashkëpunimin ndërdisiplinor dhe menaxhimin e rasteve;
e) mbështetjen për zhvillimin social, emocional, arsimor e kulturor të fëmijës.
4. Përfundimi me sukses i programit të trajnimit dokumentohet me certifikatë, e cila është kusht për regjistrimin e aplikuesve si familje kujdestare.
5. Familjet kujdestare profesionale u nënshtrohen trajnimeve të vazhdueshme gjatë ofrimit të shërbimit.
6. Strukturat e shërbimeve sociale në bashki, vetë, në bashkëpunim me, apo me mbështetjen e organizatave jofitimprurëse ose të aktorëve të tjerë, planifikojnë dhe ofrojnë veprimtari të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve të familjeve, që ofrojnë shërbimin e kujdesit alternativ në familje.
Neni 12
Miratimi dhe regjistrimi i familjeve kujdestare
1. Dosja e përgatitur për shqyrtimin e aplikimit i paraqitet komisionit shumëdisiplinar menjëherë me mbarimin e afatit të përcaktuar në nenin 10, të këtij vendimi.
2. Komisioni shumëdisiplinar shqyrton dosjen dhe merr vendim për pranimin ose refuzimin e familjes si familje kujdestare ose për pushimin e shqyrtimit të rastit. Vendimi regjistrohet në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
3. Familjet e miratuara përfshihen në listën e familjeve kujdestare pritëse, e cila organizohet sipas llojeve të kujdesit alternativ në familje në nivel bashkie dhe është pjesë e Regjistrit Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
KREU IV
KOMISIONI SHUMËDISIPLINAR
Neni 13
Krijimi i Komisionit Shumëdisiplinar
Pranë çdo bashkie krijohet komisioni shumëdisiplinar për kujdesin alternativ në familje, si organ kolegjial vendimmarrës për shqyrtimin e aplikimeve për ofrimin e shërbimit të kujdesit alternativ në familje.
Neni 14
Përbërja e komisionit shumëdisiplinar
1. Komisioni shumëdisiplinar ngrihet pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe përbëhet nga këta anëtarë:
a) Drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki;
b) Drejtuesi i njësisë për mbrojtjen e fëmijës pranë strukturës përgjegjëse (NJMF) për shërbimet shoqërore në bashki;
c) Drejtuesi i njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit (punonjësi social) pranë bashkisë apo njësive administrative;
ç) Punonjësi i mbrojtjes së fëmijës pranë njësisë për mbrojtjen e fëmijës ose njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit;
d) Juristi;
dh) Psikologu;
e) Specialisti për çështjet e arsimit;
ë) Specialisti për çështjet e shëndetësisë;
f) Përfaqësuesi në nivel vendor nga Policia e Shtetit.
2. Komisioni shumëdisiplinar ngrihet me urdhër të kryetarit të bashkisë.
Neni 15
Kompetencat e komisionit shumëdisiplinar
Komisioni shumëdisiplinar ka këto kompetenca:
a) Shqyrton aplikimet e familjeve kujdestare dhe vlerësimet e kryera nga struktura e posaçme;
b) Vendos për miratimin e familjes kujdestare, refuzimin, pezullimin ose heqjen e së drejtës për të ofruar shërbimin e kujdesit alternativ në familje;
c) Shqyrton dosjet e rasteve të fëmijëve, për të cilët propozohet vendosja në familje kujdestare;
ç) Përcakton llojin e kujdesit alternativ në familje më të përshtatshme;
d) Propozon vendosjen e fëmijës në familje kujdestare;
dh) Shqyrton periodikisht ecurinë e vendosjes së fëmijës në familje kujdestare;
e) Rekomandon ndryshimin ose përfundimin e vendosjes së fëmijës në familje kujdestare, kur është e nevojshme.
Neni 16
Funksionimi i komisionit shumëdisiplinar
1. Komisioni shumëdisiplinar mblidhet jo më pak se 1 (një) herë në 2 (dy) muaj, si dhe sa herë që paraqitet nevoja për shqyrtimin e rasteve konkrete.
2. Mbledhja e komisionit shumëdisiplinar është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve. Vendimet e komisionit shumëdisiplinar merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.
3. Për çdo mbledhje të komisionit shumëdisiplinar mbahet procesverbal, në të cilin pasqyrohen pjesëmarrja, çështjet e shqyrtuara, diskutimet kryesore, vendimmarrja dhe, sipas rastit, mendimet kundër.
4. Vendimet e komisionit shumëdisiplinar hartohen sipas modelit të përcaktuar në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Sipas natyrës së çështjes që shqyrtohet, në mbledhjet e komisionit shumëdisiplinar, mund të ftohen specialistë të tjerë nga institucione publike, organizata të shoqërisë civile ose ofrues të licencuar të shërbimeve, të cilët marrin pjesë pa të drejtë vote.
6. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki ushtron funksionet e sekretariatit teknik të komisionit shumëdisiplinar dhe siguron përgatitjen e dokumentacionit, njoftimin e anëtarëve, mbajtjen e procesverbalit dhe administrimin e akteve të mbledhjes.
KREU V
VLERËSIMI, PROCEDURA DHE VENDIMMARRJA
PËR VENDOSJEN E FËMIJËS NË KUJDES ALTERNATIV
NË FAMILJE
Neni 17
Vlerësimi i rastit për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje
1. Vlerësimi i rastit për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje kryhet nga njësia për mbrojtjen e fëmijës dhe njësia e vlerësimit të nevojave dhe referimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e fëmijës, për kujdesin alternativ në familje dhe aktet nënligjore në fuqi për procedurat e referimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve në nevojë për kujdes alternativ në familje dhe kriteret, procedurat dhe instrumentet për vlerësimin dhe vlerësimin periodik të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje.
2. Komisioni shumëdisiplinar shqyrton dosjen e rastit brenda 5 (pesë) ditëve punë nga paraqitja e saj. Në rastet emergjente, shqyrtimi bëhet menjëherë, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga momenti i referimit.
3. Komisioni shumëdisiplinar vlerëson përputhshmërinë ndërmjet nevojave të fëmijës dhe profilit të familjes kujdestare të miratuar dhe të regjistruar në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, e cila ka përmbushur të gjitha procedurat e vlerësimit dhe trajnimit dhe është në pritje për vendosje.
Neni 18
Vendimi i komisionit shumëdisiplinar për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje
1. Vendimi i komisionit shumëdisiplinar për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje përmban:
a) të dhënat identifikuese të fëmijës;
b) llojin e kujdesit alternativ të përcaktuar;
c) familjen kujdestare të përzgjedhur;
ç) arsyetimin e përzgjedhjes, duke përfshirë vlerësimin e përputhshmërisë ndërmjet nevojave të fëmijës dhe profilit të familjes kujdestare;
d) kohëzgjatjen e vendosjes së fëmijës në familje kujdestare.
2. Vendimi i komisionit shumëdisiplinar u njoftohet familjes kujdestare të përzgjedhur dhe njësisë për mbrojtjen e fëmijës në bashki, si dhe strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki për ndjekjen e tij, sipas nenit 20 të këtij vendimi.
Neni 19
Miratimi nga gjykata dhe vendosja në kujdes alternativ në familje
1. Vendosja e një fëmije në një familje kujdestare realizohet vetëm në rastet kur ndaj fëmijës është aplikuar masa e mbrojtjes për vendosje në kujdes alternativ, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
2. Njësia për mbrojtjen e fëmijës në bashki i paraqet gjykatës kompetente vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje dhe, në çdo rast, jo më vonë se brenda 5 (pesë) ditë pune, së bashku me kërkesën për vlefshmërinë e masës së mbrojtjes për vendosje të fëmijës në kujdes alternativ, sipas legjislacionit në fuqi për të drejtat e mbrojtjen e fëmijës, edhe vendimin e komisionit shumëdisiplinar dhe dokumentacionin mbështetës për familjen kujdestare të identifikuar si të përshtatshme me nevojat e fëmijës.
3. Gjykatës i paraqitet dosja, e cila përfshin, të paktën:
a) vendimin e komisionit shumëdisiplinar për masën e mbrojtjes për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ;
b) vendimin e komisionit shumëdisiplinar për përzgjedhjen e familjes kujdestare në përputhje me nevojat e fëmijës;
c) planin individual të mbrojtjes sipas ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve;
ç) çdo dokument tjetër mbështetës, që vërteton nevojën për vendosje të fëmijës dhe përshtatshmërinë e familjes kujdestare.
4. Vendosja në familjen kujdestare realizohet pas vendimit të gjykatës. Në rastet emergjente, kur kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për mbrojtjen e fëmijës, njësia për mbrojtjen e fëmijës mund të realizojë vendosjen e përkohshme në një familje kujdestare profesionale të regjistruar në listën e familjeve kujdestare pritëse dhe i drejtohet menjëherë gjykatës për miratim. Vendosja e fëmijës në këtë rast është e përkohshme deri në vendimmarrjen e gjykatës.
Neni 20
Ndryshimi i vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ
1. Vendosja e fëmijës në kujdes alternativ mund të ndryshohet kur ndryshojnë nevojat e tij/saj shëndetësore, psikologjike, sociale, arsimore ose kur paraqiten rrethana të tjera, që e bëjnë të nevojshëm ndryshimin, në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës.
2. Ndryshimi i vendosjes së fëmijës në kujdes alternativ vendoset nga komisioni shumëdisiplinar, pas vlerësimit të rastit nga punonjësi për mbrojtjen e fëmijës dhe punonjësi i njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit në bashki.
3. Vendimi i komisionit shqyrtohet nga gjykata. Ndryshimi i vendosjes së fëmijës realizohet vetëm pas miratimit të vendimit të gjykatës, sipas nenit 19 të këtij vendimi.
KREU VI
KOHËZGJATJA DHE PËRFUNDIMI I SHËRBIMIT TË KUJDESIT ALTERNATIV
Neni 21
Kohëzgjatja e kujdesit alternativ në familje
1. Kohëzgjatja e kujdesit alternativ në familje përcaktohet në përputhje me tipologjinë e shërbimit, nevojat individuale të fëmijës dhe interesin më të lartë të tij/saj.
2. Për kujdesin alternativ profesional në familje, kohëzgjatja e vendosjes është si më poshtë:
a) Kujdesi alternativ emergjent ofrohet për një periudhë deri në 3 (tre) muaj, me qëllim garantimin e mbrojtjes së menjëhershme dhe stabilizimin e situatës së fëmijës;
b) Kujdesi alternativ afatshkurtër ofrohet për një periudhë deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim përgatitjen për riintegrimin e fëmijës në familjen biologjike/aktuale ose përcaktimin e një zgjidhjeje tjetër të përshtatshme;
c) Kujdesi alternativ afatgjatë ose i përhershëm ofrohet për periudha mbi 12 (dymbëdhjetë) muaj dhe mund të vijojë deri në moshën madhore të fëmijës, kur rikthimi në familjen biologjike ose birësimi nuk janë të mundur;
ç) Kujdesi alternativ i specializuar ofrohet për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm për përmbushjen e nevojave komplekse të fëmijës dhe rishikohet periodikisht, të paktën çdo 6 (gjashtë) muaj;
d) Kujdesi alternativ për vajza nëna me fëmijë ose vajza shtatzëna ofrohet për një periudhë deri në 24 (njëzet e katër) muaj, me mundësi rishikimi dhe zgjatjeje sipas nevojave të rastit dhe interesit më të lartë të nënës e të fëmijës;
dh) Kujdesi alternativ vullnetar në familje ofrohet për periudhën e përcaktuar në vendimin përkatës të vendosjes dhe rishikohet periodikisht, në përputhje me planin individual të kujdesit dhe situatën e fëmijës.
3. Afatet e përcaktuara në këtë nen mund të rishikohen ose të zgjaten në raste të veçanta, bazuar në vlerësimin periodik të situatës së fëmijës, nevojat për mbrojtje dhe interesin më të lartë të tij/saj. Rezultatet e rishikimit periodik dokumentohen në dosjen individuale të fëmijës, në planin individual të mbrojtjes, në planin individual të kujdesit dhe në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
Neni 22
Tërheqja e familjes kujdestare nga shërbimi i kujdesit alternativ
1. Familja kujdestare ka të drejtë të tërhiqet nga ofrimi i kujdesit alternativ, duke njoftuar me shkrim njësinë për mbrojtjen e fëmijës dhe strukturën përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki për kërkesën dhe shkakun e saj, menjëherë me lindjen e shkakut të tërheqjes.
2. Tërheqja e familjes kujdestare nga shërbimi i kujdesit alternativ nuk duhet të cenojë interesin më të lartë të fëmijës dhe vlerësohet nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijës dhe struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki. Vendimi për pranimin e tërheqjes së familjes kujdestare nga shërbimi i kujdesit alternativ miratohet nga komisioni shumëdisiplinar dhe pasqyrohet në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
3. Në rastet kur tërheqja kërkohet gjatë kohës që fëmija është i vendosur në familje, njësia për mbrojtjen e fëmijës merr masa të menjëhershme për:
a) vlerësimin e situatës së fëmijës;
b) garantimin e vijimësisë së kujdesit;
c) identifikimin e një zgjidhjeje alternative të përshtatshme.
Neni 23
Përfundimi i kujdesit alternativ në familje
1. Kujdesi alternativ në familje përfundon kur:
a) përfundon afati i përcaktuar në vendimin për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ;
b) fëmija rikthehet në familjen biologjike ose aktuale, kur kjo është në interesin më të lartë të tij/saj;
c) vendoset një formë tjetër më e përshtatshme e kujdesit alternativ;
ç) fëmija mbush moshën madhore, përveç rasteve kur legjislacioni në fuqi parashikon vijimin e mbështetjes;
d) gjykata vendos ndryshimin ose përfundimin e masës së mbrojtjes;
dh) familja kujdestare tërhiqet nga ofrimi i shërbimit dhe kjo tërheqje miratohet sipas procedurave të këtij vendimi;
e) konstatohet se vijimi i vendosjes nuk është më në interesin më të lartë të fëmijës.
2. Kujdesi alternativ në familje mund të ndërpritet menjëherë kur familja kujdestare:
a) neglizhon ose nuk plotëson nevojat bazë të fëmijës;
b) ushtron dhunë, abuzim, ndëshkim fizik, presion psikologjik ose çdo formë tjetër keqtrajtimi ndaj fëmijës;
c) nuk respekton planin individual të kujdesit dhe masat e përcaktuara nga strukturat përgjegjëse;
ç) pengon kontaktet e fëmijës me familjen biologjike/aktuale, kur këto janë të lejuara dhe në interesin më të lartë të fëmijës;
d) cenon privatësinë, dinjitetin ose të drejtat e fëmijës;
dh) refuzon bashkëpunimin me strukturat përgjegjëse për monitorimin e menaxhimin e rastit;
e) nuk njofton situata, që cenojnë sigurinë ose mirëqenien e fëmijës;
ë) përdor fëmijën për përfitime ekonomike, punë të papërshtatshme dhe/ose të ndaluar, sipas legjislacionit në fuqi, ose forma të tjera shfrytëzimi, ose lejon punësimin e fëmijës nën moshën e lejuar nga Kodi i Punës dhe legjislacioni në fuqi;
f) paraqet të dhëna ose dokumentacion të rremë;
g) shkel detyrimet ligjore dhe etike në ofrimin e kujdesit alternativ në familje.
3. Në rastet e përfundimit, të ndërprerjes ose të ndryshimit të kujdesit alternativ, njësia për mbrojtjen e fëmijës dhe strukturat përgjegjëse marrin menjëherë masa për vlerësimin e situatës së fëmijës, garantimin e sigurisë dhe vijimësisë së kujdesit, si dhe identifikimin e një alternative tjetër të përshtatshme kujdesi.
4. Çdo vendimmarrje dhe masë e marrë sipas këtij neni dokumentohet në dosjen individuale të fëmijës dhe në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 24
Raportimi
Bashkitë raportojnë periodikisht pranë Shërbimit Social Shtetëror, Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale për zbatimin e procedurave të përzgjedhjes, funksionimin e familjeve kujdestare, ecurinë e vendimmarrjeve të komisionit shumëdisiplinar dhe funksionimin e mekanizmave të kujdesit alternativ në familje.
Neni 25
Dispozita kalimtare
Familjet kujdestare të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi i nënshtrohen rishikimit të profilit dhe dokumentacionit, sipas dispozitave të këtij vendimi, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Neni 26
Institucionet dhe organet zbatuese
Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, secila sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 27
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË MONITORIMIT TË SITUATËS SË FËMIJËS SË VENDOSUR NË KUJDES ALTERNATIV NË FAMILJE, SI DHE PËR ORGANIZIMIN DHE ZBATIMIN E MONITORIMIT E TË INSPEKTIMIT TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, pika 7, e 25, pika 4, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Ky vendim përcakton rregullat dhe procedurat e monitorimit të situatës së fëmijës të vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe për organizimin dhe zbatimin e monitorimit e të inspektimit të zbatimit të standardeve dhe procedurave të kujdesit alternativ në familje.
2. Vendimi përcakton përgjegjësitë e strukturave vendore e qendrore, mënyrën e koordinimit ndërinstitucional, dokumentimin, raportimin, trajtimin e gjetjeve dhe përdorimin e instrumenteve standarde të monitorimit dhe inspektimit.
Neni 2
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij vendimi është garantimi i interesit më të lartë të fëmijës, sigurisë, mirëqenies dhe zhvillimit të tij gjatë vendosjes në kujdes alternativ në familje, si dhe sigurimi i cilësisë, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies në ofrimin e këtij shërbimi.
2. Monitorimi dhe inspektimi synojnë identifikimin në kohë të nevojave, rreziqeve, mangësive ose shkeljeve, përcaktimin e masave mbështetëse e korrigjuese, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit.
Neni 3
Instrumentet standarde
1. Monitorimi i situatës së fëmijës në familje kujdestare dhe ofrimi i shërbimit realizohet në përputhje me metodologjinë e monitorimit, e cila hartohet dhe miratohet nga Shërbimi Social Shtetëror.
2. Inspektimi i ofrimit të shërbimit kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin, duke përdorur instrumentet standarde.
3. Instrumentet standarde të monitorimit dhe inspektimit përfshijnë:
a) formularin e monitorimit të situatës së fëmijës dhe familjes kujdestare;
b) formularin e monitorimit të ofruesit të shërbimit;
c) formularin e raportit të inspektimit të shërbimit;
ç) planin e masave korrigjuese dhe formularin e verifikimit të zbatimit të masave.
4. Çdo informacion i mbledhur nëpërmjet instrumenteve standarde dokumentohet në dosjen e rastit dhe në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
KREU II
ORGANIZIMI DHE ZBATIMI I MONITORIMIT,
STRUKTURAT PËRGJEGJËSE DHE KOORDINIMI
Neni 4
Nivelet e monitorimit
1. Monitorimi realizohet në nivel vendor, rajonal e qendror, sipas përgjegjësive të përcaktuara në këtë vendim dhe në legjislacionin në fuqi.
2. Në nivel vendor, monitorimi kryhet nga punonjësi për mbrojtjen e fëmijës/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës, Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit dhe struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki.
3. Në nivel rajonal e qendror, Shërbimi Social Shtetëror monitoron zbatimin e standardeve të shërbimit, mbështet strukturat vendore metodologjikisht dhe evidenton problematikat sistemike.
4. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale ushtron rolin e drejtimit politik e mbikëqyrës, përmes miratimit të udhëzimeve mbi procesin e monitorimit dhe standardeve të shërbimit.
Neni 5
Përgjegjësitë e strukturave vendore
1. Punonjësi për mbrojtjen e fëmijës/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës është përgjegjës/e për monitorimin e drejtpërdrejtë të situatës së fëmijës, përfshirë vizitat në familjen kujdestare, takimet me fëmijën, familjen biologjike/aktuale, vlerësimin e nevojave, dokumentimin e gjetjeve dhe propozimin e masave të nevojshme.
2. Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit shqyrton ecurinë e rastit, vlerëson përmbushjen e nevojave të fëmijës, fuqizimin e familjes biologjike, kur kjo është e parashikuar, dhe, kur është e nevojshme, rekomandon rishikimin e planit individual, ndryshimin e masave mbrojtëse ose referimin pranë strukturave të tjera kompetente.
3. Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki siguron organizimin institucional të monitorimit, administron raportet, ndjek zbatimin e masave korrigjuese dhe koordinon bashkëpunimin ndërmjet strukturave vendore.
4. Në rastet kur shërbimi i kujdesit alternativ në familje ofrohet me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë me përvojë në fushën e mbrojtjes së fëmijës dhe shërbimeve shoqërore, këto subjekte bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse dhe vendosin në dispozicion informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e monitorimit, në përputhje me legjislacionin dhe marrëveshjen përkatëse.
Neni 6
Përgjegjësitë e Shërbimit Social Shtetëror
1. Shërbimi Social Shtetëror dhe drejtoritë rajonale në varësi të tij, përmes strukturave të posaçme, monitorojnë zbatimin e standardeve të shërbimit në nivel rajonal dhe/ose qendror, nëpërmjet vizitave periodike, verifikimeve të bazuara në risk, analizës së të dhënave dhe shqyrtimit të raporteve të strukturave vendore.
2. Shërbimi Social Shtetëror dhe drejtoritë rajonale në varësi të tij kryejnë vizita monitoruese jo më rrallë se një herë në gjashtë muaj për rastet dhe/ose ofruesit e përzgjedhur, si dhe më shpesh kur evidentohen ankesa, sinjalizime, risk i lartë ose problematika sistemike.
3. Shërbimi Social Shtetëror përgatit raporte periodike dhe rekomandime për përmirësimin e praktikave, standardeve dhe kapaciteteve të strukturave përgjegjëse.
Neni 7
Përgjegjësitë e ofruesit të shërbimit të kujdestarisë familjare
1. Familjet që ofrojnë shërbimin e kujdesit alternativ në familje mbajnë dokumentacion të plotë dhe të përditësuar për çdo rast, raportojnë çdo muaj pranë strukturës përgjegjëse vendore dhe njoftojnë menjëherë çdo rast, dyshim për abuzim, neglizhencë, shfrytëzim, dhunë ose rrethanë tjetër që mund të cenojë fëmijën, si dhe çdo ndryshim të rrethanave që mund të ndikojë në sigurinë, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës.
2. Familjet që ofrojnë shërbimin e kujdesit alternativ në familje bashkëpunojnë me strukturat monitoruese dhe inspektuese, japin informacion të plotë e të saktë, mundësojnë aksesin në dokumentacion dhe zbatojnë masat e përcaktuara përgjatë proceseve të monitorimit dhe inspektimit.
Neni 8
Koordinimi ndërinstitucional
1. Strukturat përgjegjëse bashkëpunojnë ndërmjet tyre për shkëmbimin e informacionit, harmonizimin e praktikave, ndjekjen e masave dhe trajtimin e problematikave, që lidhen me fëmijën, familjen kujdestare ose ofrimin e shërbimit.
2. Shkëmbimi i informacionit kryhet vetëm për qëllime të menaxhimit, monitorimit, inspektimit ose mbrojtjes së rastit dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Koordinimi ndërmjet Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Shërbimit Social Shtetëror, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe strukturave të mbrojtjes së fëmijës siguron analizën e të dhënave, mbështetjen metodologjike, identifikimin e problematikave sistemike dhe përmirësimin e shërbimit.
KREU III
MONITORIMI I SITUATËS SË FËMIJËS, FAMILJES KUJDESTARE
Neni 9
Monitorimi
1. Për çdo fëmijë të vendosur në kujdes alternativ në familje hartohet dhe zbatohet plani individual i kujdesit, pjesë përbërëse e të cilit është edhe plani individual i monitorimit.
2. Plani individual i monitorimit përmban objektivat e monitorimit, nevojat prioritare të fëmijës, elementet që do të vlerësohen, periodicitetin e vizitave dhe takimeve, përgjegjësit për zbatimin, si dhe masat që ndërmerren, në rast evidentimi të riskut ose mospërmbushjeje të nevojave.
3. Plani rishikohet sa herë ndryshojnë rrethanat e fëmijës, familjes kujdestare ose ofrimit të shërbimit dhe jo më rrallë se një herë në 3 (tre) muaj.
Neni 10
Periodiciteti i monitorimit
1. Monitorimi i situatës së fëmijës kryhet në mënyrë të planifikuar e periodike, si dhe në mënyrë të menjëhershme, kur lind nevoja.
2. Gjatë 3 (tre) muajve të parë nga vendosja e fëmijës në kujdes alternativ në familje, monitorimi në mjedisin familjar kryhet jo më pak se një herë në 2 (dy) javë.
3. Pas përfundimit të periudhës së parashikuar në pikën 2, të këtij neni, monitorimi kryhet jo më pak se 1 (një) herë në muaj ose më shpesh, në varësi të vlerësimit të nevojave dhe nivelit të riskut.
4. Rishikimi periodik i përgjithshëm i situatës së fëmijës kryhet brenda 6 (gjashtë) javëve nga vendosja dhe më pas, jo më rrallë se një herë në 4 (katër) muaj.
5. Pavarësisht periodicitetit të përcaktuar në këtë nen, monitorimi kryhet menjëherë kur raportohen ose evidentohen rrethana që mund të cenojnë sigurinë, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës.
Neni 11
Metodologjia e monitorimit
1. Monitorimi i situatës së fëmijës realizohet përmes vizitave në familjen ku është vendosur fëmija, takimeve individuale me fëmijën, takimeve me familjen kujdestare, familjen biologjike ose personat e tjerë të rëndësishëm për fëmijën, komunikimit me institucionet arsimore, shëndetësore dhe struktura të tjera të përfshira, si dhe verifikimit të dokumentacionit të rastit.
2. Në rast nevoje, monitorimi mund të realizohet në bashkëpunim me profesionistë të ndryshëm multidisiplinarë, sipas natyrës së problematikës së evidentuar.
3. Vizitat monitoruese mund të jenë të njoftuara ose të panjoftuara, në varësi të qëllimit të monitorimit, nivelit të riskut dhe nevojës për verifikim objektiv të rrethanave.
4. Gjatë monitorimit sigurohet, kur është e mundur dhe e përshtatshme, zhvillimi i bisedës me fëmijën në mënyrë të veçuar, në kushte që garantojnë privatësi, besueshmëri dhe liri shprehjeje.
5. Çdo vizitë monitoruese shoqërohet me dokumentim të gjetjeve, rekomandimeve dhe veprimeve të nevojshme për ndjekjen e rastit. Nëse gjatë një monitorimi ndërmerren veprime emergjente, ato dokumentohen menjëherë dhe pasqyrohen në dosjen e rastit dhe në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
6. Informacioni i mbledhur duhet të jetë i saktë, i plotë, i verifikueshëm, i përditësuar dhe i integruar me të dhënat e strukturave të tjera përgjegjëse.
Neni 12
Elementet e monitorimit të situatës së fëmijës
Gjatë monitorimit të situatës së fëmijës vlerësohen, të paktën:
a) siguria fizike dhe emocionale e fëmijës;
b) marrëdhënia e fëmijës me familjen kujdestare dhe me anëtarët e tjerë të mjedisit familjar;
c) gjendja shëndetësore, psikologjike dhe emocionale e fëmijës;
ç) vijimësia dhe ecuria në arsim, zhvillim e socializim;
d) respektimi i të drejtave të fëmijës, përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar;
dh) ruajtja e marrëdhënieve me familjen biologjike ose persona të tjerë të rëndësishëm për fëmijën, kur kjo është në interesin e tij;
e) përshtatshmëria dhe stabiliteti i vendosjes;
ë) zbatimi i planit individual dhe i masave të përcaktuara në dokumentacionin e rastit;
f) çdo rrethanë që mund të ndikojë në sigurinë, mirëqenien, zhvillimin ose të drejtat e fëmijës;
g) evidentimi i shenjave të neglizhencës, dhunës, abuzimit ose riskut;
gj) dokumentimi i çdo shqetësimi dhe ndjekja e masave korrigjuese;
h) përfshirja e mekanizmave të referimit emergjent;
i) ruajtja e konfidencialitetit dhe mbrojtja e të dhënave personale;
j) koordinimi ndërinstitucional;
k) marrja në konsideratë e mendimit të fëmijës.
Neni 13
Pjesëmarrja e fëmijës
1. Fëmija informohet, në mënyrë të kuptueshme dhe në përputhje me moshën dhe nivelin e zhvillimit, për qëllimin e monitorimit dhe për të drejtën e tij për të shprehur mendimin.
2. Mendimi i fëmijës dëgjohet, merret në konsideratë dhe dokumentohet në çdo rast, në përputhje me moshën, pjekurinë dhe gjendjen e tij.
3. Mospjesëmarrja ose pamundësia e fëmijës për të shprehur mendimin nuk pengon zhvillimin e monitorimit. Arsyet e mospjesëmarrjes së fëmijës përgjatë procesit pasqyrohen në dokumentacionin e rastit.
Neni 14
Monitorimi i familjes kujdestare
1. Familja kujdestare monitorohet periodikisht për të vlerësuar aftësinë, qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë e saj për të përmbushur nevojat e fëmijës.
2. Gjatë monitorimit të familjes kujdestare vlerësohen kushtet e jetesës dhe siguria e mjedisit familjar, marrëdhënia e fëmijës me kujdestarët, aftësia e familjes për të përmbushur nevojat fizike, emocionale, arsimore, shëndetësore e sociale të fëmijës, bashkëpunimi me strukturat përgjegjëse e nevoja për mbështetje shtesë. Gjatë procesit të monitorimit vlerësohet edhe kapaciteti i familjes kujdestare për vetëreflektim dhe përmirësim të vazhdueshëm të praktikave të kujdesit, si dhe gatishmëria e saj për të pranuar dhe për të zbatuar rekomandimet profesionale.
3. Kur evidentohen vështirësi në ushtrimin e kujdesit, struktura përgjegjëse përcakton masa mbështetëse për familjen kujdestare, përfshirë këshillim, orientim profesional, mbështetje psikosociale, trajnim ose referim pranë shërbimeve të tjera.
4. Kur familja kujdestare nuk bashkëpunon, nuk zbaton planin individual ose krijon rrethana që cenojnë interesin më të lartë të fëmijës, struktura përgjegjëse propozon rishikimin e vendosjes dhe ndërmarrjen e masave përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Shpeshtësia e monitorimit përcaktohet në varësi të llojit të familjes kujdestare dhe nivelit të nevojës së fëmijës. Familjet kujdestare profesionale i nënshtrohen monitorimit më të shpeshtë dhe më të strukturuar, për shkak të natyrës së specializuar të kujdesit që ofrojnë.
Neni 15
Dokumentimi dhe raportimi i monitorimit
1. Gjatë procesit të monitorimit mbahen procesverbalë dhe përdoren formularë përkatës për dokumentimin e informacionit lidhur me situatën e fëmijës, familjes kujdestare dhe zbatimin e planit individual të kujdesit.
2. Dokumentacioni i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përmban të dhëna për datën, vendin dhe formën e monitorimit, personat e përfshirë, burimet e informacionit, gjetjet e konstatuara, mendimin e fëmijës, kur ky është marrë, problematikat e evidentuara, nivelin e riskut, masat e propozuara ose të ndërmarra, si dhe afatet dhe përgjegjësit për ndjekjen e tyre.
3. Në përfundim të çdo monitorimi, formularët, procesverbalet dhe dokumentacioni mbështetës administrohen në dosjen e rastit dhe regjistrohen në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e kryerjes së monitorimit, përveç rasteve emergjente, të cilat dokumentohen menjëherë.
4. Kur nga monitorimi rezulton nevoja për ndryshim të masave mbrojtëse, të planit individual ose të kushteve të vendosjes, struktura përgjegjëse ndërmerr pa vonesë procedurat për rishikimin e rastit.
KREU IV
KLASIFIKIMI I RISKUT DHE MASAT KORRIGJUESE
Neni 16
Klasifikimi i nivelit të riskut
1. Monitorimi i situatës së fëmijës dhe i shërbimit bazohet në vlerësimin e nivelit të riskut, me qëllim përcaktimin e shpeshtësisë së monitorimit, llojit të ndërhyrjes dhe masave të nevojshme mbrojtëse ose korrigjuese.
2. Për qëllime të këtij vendimi, risku klasifikohet si i ulët, i mesëm, i lartë ose i menjëhershëm/emergjent, mbi bazën e instrumenteve standarde të vlerësimit të riskut.
3. Risku i ulët konstatohet kur situata e fëmijës është e qëndrueshme, nevojat bazë përmbushen dhe nuk evidentohen rrethana që cenojnë sigurinë, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës.
4. Risku i mesëm konstatohet kur evidentohen sjellje problematike apo vështirësi emocionale, vështirësi në përshtatje, në marrëdhëniet me familjen kujdestare, në ndjekjen e arsimit, në përmbushjen e nevojave psiko-sociale ose në zbatimin e planit individual, por pa rrezik të menjëhershëm për fëmijën.
5. Risku i lartë konstatohet kur evidentohen problematika serioze që mund të cenojnë sigurinë, mirëqenien, zhvillimin ose të drejtat e fëmijës, përfshirë konflikte të përsëritura, neglizhencë, mungesë bashkëpunimi, kur ka dyshim për dhunë apo abuzim, moszbatim të planit individual ose paqëndrueshmëri të vendosjes.
6. Risku i menjëhershëm/emergjent konstatohet kur ekzistojnë indicie ose rrethana, që tregojnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, shëndetin, sigurinë, integritetin fizik ose emocional të fëmijës.
7. Niveli i riskut dokumentohet në dosjen e rastit dhe rishikohet sa herë ndryshojnë rrethanat e fëmijës, familjes kujdestare ose ofrimit të shërbimit.
8. Çdo ndryshim i nivelit të riskut shoqërohet me rishikimin e planit individual të kujdesit e të planit të monitorimit, si dhe me marrjen e masave të përshtatshme mbrojtëse, referuese ose korrigjuese, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës.
Neni 17
Masat sipas nivelit të riskut
1. Në rastet me risk të ulët, monitorimi kryhet sipas periodicitetit të zakonshëm, të përcaktuar në këtë vendim.
2. Në rastet me risk të mesëm, monitorimi intensifikohet dhe struktura përgjegjëse rishikon planin individual, duke përcaktuar masa shtesë mbështetëse për fëmijën dhe familjen kujdestare.
3. Në rastet me risk të lartë, struktura përgjegjëse thërret pa vonesë shqyrtimin e rastit nga strukturat kompetente, harton ose përditëson planin e masave dhe kryen monitorim të intensifikuar deri në stabilizimin e situatës.
4. Në rastet me risk të menjëhershëm ose emergjent, struktura përgjegjëse ndërhyn menjëherë, referon rastin sipas procedurave të mbrojtjes së fëmijës dhe ndërmerr masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së fëmijës, pa pritur përfundimin e procedurave të zakonshme të monitorimit.
Neni 18
Shkalla e vlerësimit të përmbushjes së standardeve
Gjatë monitorimit ose inspektimit, përmbushja e standardeve vlerësohet në bazë të instrumenteve standarde dhe klasifikohet, si: “nuk përmbushet”, “përmbushet pjesërisht”, “përmbushet mjaftueshëm”, “përmbushet kryesisht” ose “përmbushet plotësisht”. Për çdo standard që vlerësohet si “nuk përmbushet”, “përmbushet pjesërisht” ose “përmbushet mjaftueshëm”, struktura përgjegjëse përcakton masat korrigjuese, afatin, përgjegjësin dhe mënyrën e verifikimit.
Neni 19
Masat korrigjuese
1. Për çdo problematikë, mangësi ose shkelje të konstatuar gjatë monitorimit, struktura përgjegjëse përcakton masat korrigjuese, afatin për zbatimin e tyre, personin ose strukturën përgjegjëse dhe mënyrën e verifikimit të përmbushjes.
2. Masat korrigjuese klasifikohen si:
a) masa urgjente, kur problematika cenon ose mund të cenojë menjëherë jetën, shëndetin, sigurinë, mirëqenien ose zhvillimin e fëmijës; këto zbatohen menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) deri në 48 (dyzet e tetë) orë nga konstatimi;
b) masa afatshkurtra, kur problematika kërkon ndërhyrje të shpejtë për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe zbatohen jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga njoftimi;
c) masa të zakonshme korrigjuese, kur problematika lidhet me mangësi në dokumentim, organizim, bashkëpunim, ndjekje të planit individual ose përmbushje të standardeve dhe zbatohen jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga njoftimi;
ç) masa strukturore, kur problematika kërkon ndryshime organizative, rishikim procedurash, forcim kapacitetesh, sigurim burimesh ose trajnim të stafit dhe zbatohen brenda 60 (gjashtëdhjetë) deri në 90 (nëntëdhjetë) ditëve, mbi bazën e një plani të miratuar masash.
3. Në rastet kur zbatimi i masave strukturore kërkon afat më të gjatë se 90 (nëntëdhjetë) ditë, subjekti përgjegjës paraqet arsyetimin me shkrim dhe planin e detajuar të zbatimit, i cili miratohet nga struktura përgjegjëse.
Neni 20
Monitorimi i përsëritur dhe referimi në organe më të larta
1. Zbatimi i masave korrigjuese verifikohet përmes monitorimit të përsëritur, shqyrtimit të dokumentacionit, vizitës në terren ose çdo forme tjetër të përshtatshme verifikimi, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Në rast të moszbatimit të masave korrigjuese, brenda afateve të përcaktuara, çështja i referohet strukturës përgjegjëse më të lartë për vlerësim të mëtejshëm dhe, sipas rastit, për kryerjen e monitorimit të përsëritur, inspektimit të paplanifikuar ose marrjen e masave administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Çdo referim dhe veprim i ndërmarrë dokumentohet dhe ndiqet deri në zgjidhjen e problematikës ose deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga organi kompetent.
KREU V
ORGANIZIMI DHE ZBATIMI I INSPEKTIMIT
Neni 21
Objekti i inspektimit
1. Inspektimi i shërbimit të kujdesit alternativ në familje kryhet për të verifikuar përputhshmërinë e ofrimit të shërbimit me kërkesat ligjore, standardet e miratuara, kushtet e certifikimit dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi.
2. Inspektimi i kujdesit alternativ në familje fokusohet në vlerësimin e mirëqenies, sigurisë dhe zhvillimit të fëmijës, zbatimin e planit individual të kujdesit, respektimin e kushteve të vendosjes dhe bashkëpunimin me strukturat përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 22
Struktura përgjegjëse inspektuese
1. Inspektimi kryhet nga struktura inspektuese përgjegjëse për shërbimet sociale, në përputhje me legjislacionin për inspektimin dhe me ligjin për kujdesin alternativ në familje.
2. Personat e përfshirë në monitorim ose inspektim nuk mund të marrin pjesë në proces kur ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit ose kur ekzistojnë rrethana, që cenojnë paanshmërinë e vlerësimit.
Neni 23
Procedura e inspektimit
1. Inspektimi i kujdesit alternativ në familje kryhet në format e mëposhtme:
a) Inspektim i planifikuar;
b) Inspektim i paplanifikuar;
c) Inspektim tematik;
ç) Inspektim i jashtëzakonshëm, në raste emergjente ose me kërkesë të organeve kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Inspektimi kryhet mbi bazën e planit vjetor të inspektimit, të miratuar nga struktura përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe prioritetet për mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës. Përzgjedhja e rasteve bazohet në analizën e riskut, të dhënat nga monitorimi, ankesat, sinjalizimet dhe informacionet e tjera të besueshme.
3. Gjatë inspektimit verifikohet përputhshmëria me legjislacionin, standardet e kujdesit alternativ në familje dhe zbatimi i planit individual të kujdesit, përmes shqyrtimit të dokumentacionit, vizitave në terren dhe intervistave me aktorët përkatës, në përputhje me parimet e mbrojtjes së fëmijës dhe legjislacionin për të dhënat personale.
4. Për çdo vizitë inspektuese mbahet procesverbal, i cili së bashku me vendimin e inspektimit, regjistrohen në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje.
5. Në përfundim të inspektimit hartohet raporti i inspektimit, i cili përmban gjetjet, vlerësimin e përputhshmërisë, rekomandimet dhe masat e propozuara, si dhe afatet për zbatimin e tyre.
6. Subjekti i përfshirë në kujdesin alternativ ka të drejtë të njihet me gjetjet dhe të paraqesë sqarime brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, përpara miratimit të aktit përfundimtar të inspektimit.
7. Zbatimi i masave të përcaktuara në aktin përfundimtar të inspektimit ndiqet nga struktura përgjegjëse dhe verifikohet përmes monitorimit ose inspektimit të mëtejshëm, sipas nevojës.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 24
Shkëmbimi i informacionit
1. Shkëmbimi i informacionit kryhet nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe vetëm për qëllime të përcaktuara nga ky vendim dhe legjislacioni në fuqi.
2. Strukturat përgjegjëse sigurojnë që informacioni i shkëmbyer të jetë i nevojshëm, proporcional, i saktë dhe i mbrojtur nga akseset e paautorizuara.
3. Çdo strukturë që administron ose përpunon të dhëna, në kuadër të këtij vendimi, është përgjegjëse për saktësinë, plotësinë, përditësimin dhe ruajtjen e tyre.
Neni 25
Raportimi periodik dhe analiza
1. Strukturat vendore përgatisin raporte periodike për monitorimin e situatës së fëmijëve, familjeve kujdestare dhe ofruesve të shërbimit, sipas afateve e formateve, të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
2. Shërbimi Social Shtetëror përgatit raporte trimujore dhe gjashtëmujore të konsoliduara, ku pasqyrohen të dhënat kryesore, problematikat, trendet, masat e ndërmarra dhe rekomandimet për përmirësimin e shërbimit.
3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale përdor raportet për planifikimin e politikave, buxhetimin, përmirësimin e standardeve, forcimin e kapaciteteve dhe vlerësimin e funksionimit të sistemit të kujdesit alternativ në familje.
Neni 26
Trajtimi i ankesave dhe sinjalizimeve
1. Kur gjatë monitorimit ose inspektimit evidentohen ankesa, sinjalizime ose informacione, që lidhen me cenimin e sigurisë, mirëqenies, zhvillimit ose të drejtave të fëmijës, struktura përgjegjëse i dokumenton dhe i referon menjëherë pranë strukturave kompetente.
2. Paraqitja e ankesës ose sinjalizimit nuk pezullon marrjen e masave të menjëhershme mbrojtëse, kur nga rrethanat rezulton se fëmija ndodhet në rrezik ose se interesi i tij më i lartë mund të cenohet.
3. Ankesat dhe sinjalizimet që lidhen me situatën e fëmijës, familjen kujdestare ose ofrimin e shërbimit trajtohen sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në aktin nënligjor të posaçëm për trajtimin e ankesave.
Neni 27
Ngarkimi për zbatim
Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, njësitë e vetëqeverisjes vendore, strukturat përgjegjëse të mbrojtjes së fëmijës, strukturat inspektuese dhe organizatat e shoqërisë civile, mbështetëse të shërbimit të kujdesit alternativ në familje për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE AKSESIN NË REGJISTRIN ELEKTRONIK PËR KUJDESIN ALTERNATIV NË FAMILJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 13, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
1. Ky vendim përcakton rregullat për organizimin, funksionimin, administrimin dhe aksesin në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, si dhe për përpunimin, mbrojtjen e përdorimin e të dhënave që përmban ky regjistër.
2. Regjistri synon:
a) garantimin e një sistemi të unifikuar për identifikimin, referimin, menaxhimin dhe monitorimin e rasteve të fëmijëve në kujdes alternativ në familje;
b) mbështetjen e vendimmarrjes, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;
c) sigurimin e gjurmueshmërisë së çdo mase të marrë për kujdesin alternativ;
ç) përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit të politikave e të shërbimeve.
Neni 2
Organizimi institucional
1. Regjistri Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje organizohet si pjesë përbërëse e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror dhe funksionon në përputhje me parimet dhe rregullat e kuadrit ligjor në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore, ndërveprimin e tyre, si dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Çdo subjekt, që përpunon të dhëna personale në kuadër të këtij vendimi, vetëm ose së bashku me kontrollues të tjerë, është përgjegjës për përpunimin e tyre në masën e nevojshme për ushtrimin e kompetencave përkatëse, sipas qëllimeve dhe mjeteve të përpunimit që përcakton, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, korrektësisë, transparencës, minimizimit të të dhënave, saktësisë, kufizimit të ruajtjes, integritetit, konfidencialitetit dhe llogaridhënies. Ai përgjigjet për ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, sipas kompetencave të tij dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale përpunon të dhënat personale në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje me qëllim hartimin e politikave për kujdesin alternativ në familje.
4. Shërbimi Social Shtetëror është përgjegjës për administrimin funksional të Regjistrit Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje, për garantimin e cilësisë, integritetit dhe përditësimit të të dhënave në këtë regjistër, si dhe për administrimin e profileve të përdoruesve dhe të niveleve të aksesit, në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.
5. Administrimi teknik i infrastrukturës hardware dhe software të sistemit, duke garantuar funksionimin, mirëmbajtjen, sigurinë kibernetike, kopjet rezervë, rikuperimin teknik të të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemit kryhet, në përputhje me legjislacionin në fuqi për qeverisjen elektronike.
6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës dhe shërbimet shoqërore, regjistrojnë dhe përditësojnë të dhënat për rastet në juridiksionin e tyre dhe përgjigjen për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin e tyre, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Struktura e regjistrit
1. Regjistri Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje shërben për:
a) ndërtimin dhe funksionimin e një mekanizmi të integruar për menaxhimin e rastit, monitorimin dhe vlerësimin e rasteve të kujdesit alternativ në familje;
b) identifikimin e rasteve, menaxhimin e tyre, këshillimin si dhe hartimin e planeve individuale të mbrojtjes dhe/ose kujdesit nga Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit/Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, në përputhje me ligjin për kujdesin alternativ në familje;
c) referimin e rasteve në strukturat përgjegjëse të nivelit vendor, rajonal apo kombëtar;
ç) lehtësimin e komunikimit, të verifikimit dhe bashkëpunimit me regjistrat e tjerë elektronikë;
d) unifikimin, administrimin dhe kompjuterizimin e të dhënave për rastet si dhe përmirësimin e cilësisë së statistikave të harmonizuara, të gjeneruara nga sistemi.
2. Regjistri përbëhet nga module të integruara që përfshijnë:
a) të dhëna dhe dokumentacion për referimin e fëmijës për kujdes alternativ, familjet kujdestare, vullnetare dhe profesionale;
b) të dhëna dhe dokumentacion për fëmijët e vendosur në kujdes alternativ në familje;
c) të dhëna për llojin, kohëzgjatjen dhe statusin e kujdesit alternativ në familje;
ç) vendime administrative dhe gjyqësore që lidhen me rastin;
d) planin individual të kujdesit dhe/ose të mbrojtjes;
dh) raportet e monitorimit, të vlerësimit dhe të inspektimit;
e) të dhëna për mbështetjen financiare dhe përfitimet përkatëse;
ë) historikun e plotë të rastit dhe statusin e tij.
3. Regjistri përmban dosjen elektronike të çdo rasti, në përputhje me modelin e Regjistrit Kombëtar të Shërbimeve Sociale.
4. Çdo përdorues i Regjistrit Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje pajiset nga institucioni administrues me “emrin e përdoruesit”, “fjalëkalimin” dhe me manualin për hedhjen e të dhënave në sistem, operimin dhe përdorimin e këtij regjistri.
Neni 4
Hedhja dhe përditësimi i të dhënave
1. Të dhënat në regjistër hidhen dhe përditësohen në kohë reale ose brenda afateve të përcaktuara nga aktet nënligjore në zbatim të ligjit për kujdesin alternativ në familje e, në çdo rast, jo më vonë se brenda 7 (shtatë) ditëve punë nga miratimi i tyre.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës dhe shërbimet shoqërore, janë përgjegjëse për saktësinë, plotësinë, përditësimin dhe integritetin e të dhënave të regjistruara.
3. Përditësimi i të dhënave në regjistër kryhet në mënyrë të detyrueshme pas çdo:
a) vendimi për vendosjen, ndryshimin ose përfundimin e kujdesit alternativ në familje;
b) procesi monitorimi ose vlerësimi të rastit;
c) ndryshimi në statusin e fëmijës ose të familjes kujdestare;
ç) vendimi për përfitime financiare, sipas të dhënave të ndërlidhura me regjistrimin për ndihmën ekonomike ose për masa të tjera mbështetëse;
d) zhvillimi tjetër me rëndësi për ecurinë dhe menaxhimin e rastit.
Neni 5
Ndërlidhja me sisteme të tjera
1. Regjistri Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje ndërvepron me bazat e tjera të të dhënave shtetërore dhe sistemet elektronike në fuqi, përfshirë portalin “e-Albania”, Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC), Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare (RQLLB) të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Kontributeve (CMIS), Regjistrin Tregtar/e-Register i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe baza të tjera shtetërore të të dhënave, vetëm në masën e nevojshme për verifikimin, shkëmbimin dhe përditësimin e të dhënave të nevojshme për administrimin e rasteve të kujdesit alternativ në familje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Ndërveprimi i sistemeve realizohet për të mundësuar qarkullimin dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet sistemeve përkatëse, për të shmangur dyfishimin e të dhënave dhe për të garantuar saktësinë dhe integritetin e tyre, si dhe për të rritur efikasitetin e proceseve administrative dhe të menaxhimit të rasteve.
3. Rregullat e ndërveprimit zbatohen, sipas modelit të përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për mënyrën e krijimit, administrimit dhe ndërveprimit të bazave të të dhënave shtetërore.
4. Ndërveprimi me baza të tjera të të dhënave shtetërore, që nuk janë të përcaktuara në këtë vendim, por që do të ngrihen me vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave, proceset elektronike të punës në baza të dhënash të tjera të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe procedurat përkatëse realizohen, në përputhje me rregullat e miratuara në zbatim të legjislacionit në fuqi për bazën e të dhënave.
Neni 6
Përgjegjësit në proceset e punës
1. Përgjegjës për proceset e punës të lidhura me Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje janë:
a) ministria përgjegjëse për çështjet sociale;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror;
c) Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës;
ç) drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror;
d) drejtoritë e shërbimeve të kujdesit shoqëror në bashki ose struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore;
dh) njësitë e vlerësimit të nevojave dhe referimit të rasteve në nivel vendor;
e) njësitë për mbrojtjen e fëmijëve;
ë) institucionet e përkujdesjes shoqërore;
f) inspektorati përgjegjës për shërbimet e kujdesit shoqëror.
2. Dhënës të informacionit në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje janë:
a) familjet aplikante dhe/ose familjet e miratuara si familje kujdestare;
b) prindërit biologjikë, nëse ka, dhe fëmijët;
c) punonjësi social i bashkisë/njësisë administrative/njësisë për mbrojtjen e fëmijëve;
ç) PMF-të/NJMF-të në njësitë vendore.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore:
a) regjistrojnë dhe përditësojnë të dhënat për rastet në juridiksionin e tyre;
b) sigurojnë dokumentimin e plotë të rasteve;
c) bashkëpunojnë me strukturat e tjera për verifikimin e të dhënave.
4. Shërbimi Social Shtetëror:
a) administron dhe konsolidon të dhënat në nivel kombëtar;
b) kryen analiza dhe harton raporte statistikore bazuar në të dhënat e plotësuara, sipas formatit të paracaktuar;
c) monitoron përdorimin dhe funksionimin e regjistrit.
5. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës përdor të dhënat e regjistrit për analizë dhe raporte, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 7
Përmbajtja e Regjistrit
1. Regjistri Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje përmban të dhënat personale dhe dokumentacionin e nevojshëm për administrimin, monitorimin dhe zbatimin e masave të kujdesit alternativ në familje, në përputhje me qëllimet e përcaktuara në këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Të dhënat e regjistrit ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.
3. Të dhënat parësore regjistrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmes strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës dhe shërbimet shoqërore dhe përfshijnë vetëm:
a) të dhëna për rastet e referuara për përfitimin e shërbimit të kujdesit alternativ në familje;
b) të dhëna për përfituesit e shërbimit të kujdesit alternativ në familje;
c) verifikimin dhe administrimin elektronik të të dhënave të rastit të unifikuar të referuar;
ç) dosjen elektronike të rastit, e cila përmban të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe dokumentet e skanuara nga formati fizik;
d) të dhëna mbi vendimmarrjen administrative dhe/ose gjyqësore për trajtimin e rastit;
dh)të dhëna mbi planin individual të kujdesit dhe/ose të mbrojtjes, si dhe zbatimin e tij, përfshirë, kur është e mundur dhe në interesin më të lartë të fëmijës, masat për mbështetjen e familjes biologjike, ruajtjen e kontakteve të sigurta me fëmijën dhe vlerësimin e mundësive për riintegrim familjar;
e) të dhëna mbi monitorimin, vlerësimin dhe ecurinë e rastit, nevojat sociale dhe psikosociale të fëmijës dhe familjes, si dhe mbështetjen e nevojshme për zbatimin dhe rishikimin e planit individual të kujdesit dhe/ose të mbrojtjes.
4. Të dhënat dytësore janë të dhëna që sigurohen përmes ndërveprimit me baza të tjera të të dhënave shtetërore dhe kufizohen në informacionin e nevojshëm për verifikimin e identitetit dhe administrimin e rastit, duke përfshirë të dhëna nga:
a) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si:
i. numri personal i identifikimit (NID);
ii. emri, atësia dhe mbiemri;
iii. gjinia;
iv. data e lindjes;
v. vendbanimi (në nivel bashkie);
vi. marrëdhënia me kryefamiljarin.
b) Sistemi i Regjistrit Tregtar/Regjistri i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas nevojës për verifikimin e të dhënave të lidhura me aktivitetin ekonomik të familjes kujdestare profesionale;
c) Sisteme të tjera shtetërore, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 5, të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregullat e ndërveprimit të bazave të të dhënave.
5. Përpunohen vetëm ato kategori të të dhënave personale që janë të domosdoshme dhe proporcionale për realizimin e qëllimeve të këtij vendimi. Nuk regjistrohen apo ruhen të dhëna që nuk lidhen drejtpërdrejt me administrimin, monitorimin dhe zbatimin e masës së kujdesit alternativ në familje.
Neni 8
Nivelet e aksesit
1. Aksesi në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje u jepet vetëm përdoruesve të autorizuar, sipas funksioneve dhe kompetencave të tyre, në përputhje me parimin e kufizimit të aksesit dhe të nevojës për njohje të informacionit, vetëm në masën e domosdoshme për ushtrimin e detyrave funksionale.
2. Çdo përdorues pajiset me kredenciale individuale identifikimi. Kredencialet janë personale, nuk transferohen dhe përdoren vetëm nga personi të cilit i janë caktuar.
3. Çdo hyrje në sistem, konsultim, regjistrim, ndryshim, shkarkim ose veprim tjetër mbi të dhënat regjistrohen automatikisht në sistem, duke garantuar gjurmueshmërinë, auditueshmërinë dhe identifikimin e përdoruesit që ka kryer veprimin.
4. Nivelet e aksesit në Regjistrin Elektronik të Kujdesit Alternativ në Familje janë, si më poshtë vijon:
a) Njësitë dhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve kanë të drejtë leximi, regjistrimi, përditësimi dhe modifikimi të të dhënave për rastet që administrojnë, si dhe kanë të drejtë të hartojnë, të përditësojnë dhe të rishikojnë planin individual të kujdesit dhe historikun e rastit, si dhe të plotësojnë, të përditësojnë e të modifikojnë planin individual të mbrojtjes dhe planin individual të kujdesit;
b) Drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror kanë të drejtë leximi, regjistrimi, përditësimi dhe modifikimi të raporteve monitoruese, si dhe analizimi e gjenerimi të raporteve statistikore dhe analitike, në nivel rajonal;
c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror ka të drejtë leximi dhe analizimi të të dhënave në nivel kombëtar, si dhe gjenerimi të raporteve statistikore e analitike;
ç) Ofruesit e shërbimit të kujdesit alternativ në familje kanë akses vetëm mbi të dhënat e rasteve që administrojnë, në masën e nevojshme për ofrimin e shërbimit;
d) Inspektorati përgjegjës për shërbimet e kujdesit shoqëror ka të drejtë leximi, regjistrimi, përditësimi dhe modifikimi të raporteve inspektuese, dhe gjenerimi të të dhënave, për qëllime inspektimi dhe raportimi;
dh) Ministria përgjegjëse për çështjet sociale ka të drejtë leximi dhe analizimi të të dhënave të agreguara dhe të të dhënave të nevojshme për hartimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave publike;
e) Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ka akses për monitorimin e zbatimit të procedurave të kujdesit alternativ në familje, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
5. Shërbimi Social Shtetëror siguron administrimin e profileve të përdoruesve, rishikimin periodik të të drejtave të aksesit, si dhe pezullimin ose revokimin e menjëhershëm të aksesit në rast të ndryshimit të funksionit, përfundimit të marrëdhënieve të punës ose përdorimit të paautorizuar të sistemit.
Neni 9
Mbrojtja e të dhënave personale
1. Përpunimi i të dhënave personale në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje kryhet vetëm për qëllimet e përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me ligjin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi.
2. Institucionet përgjegjëse për përpunimin e të dhënave personale, sipas këtij vendimi, janë të detyruara të respektojnë parimet e ligjshmërisë, korrektësisë, transparencës, kufizimit të qëllimit, minimizimit të të dhënave, saktësisë, kufizimit të afatit të ruajtjes, integritetit, konfidencialitetit dhe llogaridhënies.
3. Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, merr masa teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së përpunimit të të dhënave personale, duke përfshirë, sipas rastit:
a) identifikimin dhe autentifikimin e përdoruesve;
b) administrimin e profileve dhe niveleve të aksesit;
c) regjistrimin dhe gjurmueshmërinë e çdo veprimi të kryer në sistem;
ç) mbrojtjen e të dhënave nga aksesi, ndryshimi, humbja, shkatërrimi ose përpunimi i paautorizuar;
d) krijimin e kopjeve rezervë dhe rikuperimin e të dhënave në rast incidentesh;
dh)testimin periodik të masave të sigurisë dhe funksionimit të sistemit.
4. Çdo përdorues i autorizuar është përgjegjës për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, përdorimin e tyre vetëm për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe ndalohet t’ua bëjë të aksesueshme personave të paautorizuar.
5. Çdo incident, që cenon ose dyshohet se cenon konfidencialitetin, integritetin ose disponueshmërinë e të dhënave personale, trajtohet dhe raportohet në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Shkëmbimi i të dhënave personale ndërmjet institucioneve kryhet vetëm kur është i nevojshëm për ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore, në përputhje me qëllimin e përpunimit dhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
7. Përpunimi i kategorive të veçanta të të dhënave personale të fëmijëve kryhet vetëm në masën e domosdoshme për administrimin e kujdesit alternativ në familje dhe duke garantuar në çdo rast interesin më të lartë të fëmijës.
Neni 10
Raportimi
1. Shërbimi Social Shtetëror harton raporte periodike statistikore dhe analitike mbi bazën e të dhënave të regjistrit, në nivel vendor, rajonal dhe kombëtar.
2. Të dhënat përdoren për:
a) planifikimin dhe hartimin e politikave në fushën e kujdesit alternativ në familje;
b) planifikimin buxhetor dhe shpërndarjen e burimeve financiare;
c) monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë e të efektivitetit të shërbimeve;
ç) analizën e ecurisë së rasteve dhe rezultateve për fëmijët në kujdes alternativ;
d) mbështetjen e proceseve të deinstitucionalizimit dhe riintegrimit familjar;
dh) identifikimin e nevojave për zhvillim të shërbimeve dhe kapaciteteve institucionale.
3. Raportet hartohen në përputhje me formatet dhe afatet e përcaktuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale.
4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e përfshira në sistem janë të detyruara të sigurojnë të dhëna të sakta dhe të përditësuara për qëllime raportimi.
5. Të dhënat e publikuara janë të agreguara dhe nuk përmbajnë të dhëna personale identifikuese, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 11
Kontrolli
1. Kontrolli i Regjistrit Elektronik për Kujdesin Alternativ kryhet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit Social Shtetëror, si dhe nga struktura të tjera të autorizuara sipas legjislacionit në fuqi.
2. Kontrolli përfshin:
a) verifikimin e saktësisë, plotësisë dhe përditësimit në kohë të të dhënave;
b) verifikimin e përputhshmërisë së përdorimit të regjistrit me legjislacionin në fuqi dhe këtë vendim;
c) kontrollin e respektimit të niveleve të aksesit dhe të gjurmueshmërisë së veprimeve në sistem;
ç) identifikimin e mangësive dhe rreziqeve në funksionimin e sistemit dhe në menaxhimin e rasteve.
3. Në rast konstatimi të mospërputhjeve apo shkeljeve:
a) propozohet marrja e masave administrative, korrigjuese ose disiplinore, nga institucionet përgjegjëse brenda afateve të përcaktuara;
b) mund të kufizohet ose të pezullohet përkohësisht aksesi i përdoruesve që kanë kryer shkelje;
c) njoftohet pa vonesë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, kur mospërputhjet apo shkeljet lidhen me të dhënat personale.
4. Rezultatet e kontrollit dokumentohen dhe përdoren për përmirësimin e funksionimit të regjistrit dhe të cilësisë së shërbimeve të kujdesit alternativ në familje.
5. Publikimi ose shpërndarja e raporteve kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe garanton që të mos jetë i mundur identifikimi i personave fizikë.
Neni 12
Ruajtja, arkivimi dhe fshirja e të dhënave
1. Të dhënat personale të regjistruara në Regjistrin Elektronik për Kujdesin Alternativ në Familje ruhen sipas afateve të diferencuara, të përcaktuara në këtë vendim, në varësi të llojit dhe qëllimit të të dhënave, duke respektuar parimin e kufizimit të ruajtjes dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për arkivat.
2. Të dhënat me karakter administrativ dhe të menaxhimit të rastit, përfshirë të dhënat identifikuese, datat e fillimit dhe të përfundimit të shërbimit, vendimet dhe dokumentacioni i ndjekjes së rastit ruhen për një periudhë prej 30 vjetësh nga data e përfundimit të shërbimit të kujdesit alternativ, por, në çdo rast, jo më pak se 25 vjet nga data e mbushjes së moshës 18 vjeç nga fëmija. Kur këto dy afate prodhojnë data të ndryshme, zbatohet afati që skadon më vonë.
3. Të dhënat, që lidhen me origjinën, identitetin dhe historikun familjar të fëmijës, të nevojshme që personi të njohë prejardhjen e vet, ruhen për 100 vjet nga data e lindjes së fëmijës.
4. Të dhënat, që dokumentojnë masat e mbrojtjes, ngjarjet e rënda, denoncimet ose rastet e dyshuara të abuzimit ose keqtrajtimit, të nevojshme që personi të ushtrojë të drejtat e tij më vonë në jetë, ruhen për 100 vjet nga data e lindjes së fëmijës.
5. Pas përfundimit të afateve përkatëse të ruajtjes, të dhënat arkivohen ose fshihen, sipas legjislacionit në fuqi dhe rregullave për administrimin e dokumentacionit shtetëror. Kur pjesë të ndryshme të një dosjeje i nënshtrohen afateve të ndryshme, fshirja e të dhënave me afat më të shkurtër nuk cenon ruajtjen e të dhënave me afat më të gjatë.
6. Shërbimi Social Shtetëror merr masat e nevojshme për zbatimin e procedurave të ruajtjes, arkivimit, aksesit dhe fshirjes së të dhënave, duke garantuar që të dhënat e kategorive të ndryshme të jenë të veçueshme dhe të menaxhueshme sipas afateve përkatëse.
Neni 13
Dispozita të fundit
1. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet sociale, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet e tjera të përfshira në sistem për zbatimin e këtij vendimi.
2. Kërkesat dhe procedurat që preken nga ky vendim do të zbatohen pas realizimit të zhvillimeve teknike dhe funksionale të nevojshme në sistemin përkatës elektronik.
3. Personat përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi trajnohen nga Shërbimi Social Shtetëror për përdorimin teknik të sistemit, hedhjen dhe përditësimin e të dhënave, përpunimin e raporteve, dokumentimin profesional të rastit, mbrojtjen e të dhënave personale, ruajtjen e konfidencialitetit dhe përdorimin e regjistrit në funksion të menaxhimit të rastit dhe monitorimit të cilësisë së kujdesit alternativ në familje.
4. Administrimi dhe përditësimi i të dhënave kryhet nga Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me këtë vendim. Institucionet përgjegjëse (përdorues të sistemit), sipas roleve të tyre, janë të detyruara të hedhin dhe të përditësojnë të dhënat brenda afateve të përcaktuara, në përputhje me këtë vendim dhe aktet nënligjore në fuqi.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRMBAJTJEN DHE RREGULLAT E PLOTËSIMIT TË REGJISTRIT TË VULLNETARIZMIT, SI DHE RREGULLAT, AFATET E PROCEDURAT E RAPORTIMIT NË BAZËN E TË DHËNAVE TË SHËRBIMEVE TË PUNËSIMIT NGA OFRUESIT E VULLNETARIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 43, të ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton përmbajtjen dhe rregullat e plotësimit të regjistrit të vullnetarizmit si dhe rregullat, afatet e procedurat e raportimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit nga ofruesit e vullnetarizmit.
II. DOKUMENTACIONI, AFATET DHE PROCEDURAT
1. Regjistri i Vullnetarizmit administrohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe plotësohet nga ofruesit e vullnetarizmit nëpërmjet portalit “e-Albania”.
2. Të gjithë ofruesit e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë mbajnë dhe plotësojnë Regjistrin e Vullnetarizmit, me të dhënat e mëposhtme:
a) Të dhënat personale të vullnetarit: emri, mbiemri, atësia, data e lindjes, gjinia, nënshtetësia, arsimi, numri personal i ID-së, profesioni që ushtron si vullnetar, adresa, qyteti, numri i telefonit, e-mail-i;
b) Të dhënat e ofruesit të vullnetarizmit: emri i subjektit, NIPT-i, numri total i punonjësve, fusha e veprimtarisë së aktivitetit;
c) Objektivat e vullnetarizmit;
ç) Të dhënat për formën e vullnetarizmit, që kryhet sipas kategorizimit, të përcaktuar në ligjin nr.94/2025;
d) Data e fillimit të vullnetarizmit;
dh) Data e mbarimit të vullnetarizmit;
e) Data e ndërprerjes së marrëdhënies së vullnetarizmit;
ë) Data e regjistrimit të kontratës së vullnetarizmit në Regjistrin e Vullnetarizmit.
3. Ofruesi i vullnetarizmit është i detyruar të ruajë konfidencialitetin e të dhënave personale të vullnetarit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke marrë të gjitha masat e duhura organizative dhe teknike për ruajtjen e tyre.
4. Regjistri i Vullnetarizmit plotësohet nga ofruesi i vullnetarizmit, nga data e fillimit të aktivitetit të vullnetarizmit deri në datën e përfundimit të këtij aktiviteti.
5. Ofruesit e vullnetarizmit janë të detyruar të aplikojnë duke plotësuar të dhënat e formularit të Regjistrit të Vullnetarizmit, sipas pikës 1, të këtij kreu.
6. Raportimi kryhet në sistemin e shërbimeve të punësimit, përmes ngarkimit të të dhënave të Regjistrit të Vullnetarizmit. Raportimi për fillimin e vullnetarizmit bëhet brenda 7 (shtatë) ditëve nga fillimi i vullnetarizmit. Raportimi për përfundimin e vullnetarizmit bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i vullnetarizmit.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIM I RRUGËS ELBASAN – QAFËTHANË (FAZA VI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerim i rrugës Elbasan – Qafëthanë (faza VI)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 140 341 858.9 lekë (njëqind e dyzet milionë e treqind e dyzet e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë pikë nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 140 341 858.9 lekë (njëqind e dyzet milionë e treqind e dyzet e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë pikë nëntë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PASTRIMI I KOLEKTORIT NGA RRUGA “DEMOKRACIA” DERI TË RRUGA “VASIL PUKA”, BASHKIA VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Pastrimi i kolektorit nga rruga “Demokracia” deri të rruga “Vasil Puka”, Bashkia Vlorë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 732 845 (një milion e shtatëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e dyzet e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 732 845 (një milion e shtatëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e dyzet e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
10. Bashkia Vlorë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.317, DATË 6.5.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM RRUGA KASHAR – NYJA VAQAR, FAZAT I DHE II””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.317, datë 6.5.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Kashar – nyja Vaqar, fazat I dhe II””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “vreshtë”, “pemëtore”, “ullishte” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 129 829 726 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) lekësh.”.
b) Në pikën 4, vlera “… 126 284 521 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet e një) lekësh …” zëvendësohet me “… 129 829 726 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) lekësh …”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohet nënndarja me numër rendor 158, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.317, DATË 6.5.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIM RRUGA KASHAR – NYJA VAQAR, FAZAT I DHE II””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.317, datë 6.5.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga Kashar – nyja Vaqar, fazat I dhe II””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall”, “vreshtë”, “pemëtore”, “ullishte” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 129 829 726 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) lekësh.”.
b) Në pikën 4, vlera “… 126 284 521 (njëqind e njëzet e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e pesëqind e njëzet e një) lekësh …” zëvendësohet me “… 129 829 726 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e tetëqind e njëzet e nëntë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) lekësh …”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit shtohet nënndarja me numër rendor 158, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU