“Shkalla e meritës”, u prezantua sot si një komponent i ri i transformimit të administratës publike, që synon të forcojë transparencën, mundësitë e barabarta dhe vlerësimin e bazuar në meritë, si në proceset e rekrutimit, ashtu edhe në zhvillimin e karrierës së nëpunësve.
Kryeministri Rama i cili mori pjesë në takimin e organizuar me këtë rast tha se merita është thelbësore për motivimin e punonjësve, forcimin e ndjenjës së përkatësisë ndaj institucionit dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta të administratës publike.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Ky është një takim që është organizuar nga ministrja për të filluar një proces me një prezantim të përmbledhur që, pa dyshim, ka një përmbajtje më të gjerë sesa thjesht piketat që u vendosën përpara jush.
Lidhur me domosdoshmërinë për të kaluar në një tjetër nivel në raport me meritën në administratën publike, e vërteta është që, e kam thënë edhe herë tjetër, unë vetë kam qenë shumë skeptik për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës sonë dhe jo vetëm skeptik, por edhe, në një farë mënyre, i shqetësuar për faktin që, pasi ne të realizonim me sukses daljen nga “tuneli” ku qëndruam për disa vite, që unë e kam pagëzuar si “tuneli i poshtërimit”, për të hapur negociatat me BE-në, do të gjendeshim në një pozitë tejet të vështirë, pasi nuk kisha besim që kapacitetet tona të brendshme, administrata jonë, do të mund t’i përballonin negociatat, duke filluar nga procesi “Screening”, që është një proces tejet sfidues dhe i komplikuar dhe ku nuk bëhej fjalë dhe nuk bëhet fjalë për 10 veta apo për 20 veta, por ku bëhet fjalë për qindra njerëz.
Dhe e ndaja këtë gjë me kolegët dhe Adea e ka dëgjuar nga unë, që “dakord, ja do t’i hapim edhe negociatat, por pastaj çfarë do të ndodhë, se edhe mund të gjejmë 10, mund të gjejmë 15, mund të gjejmë 20, po ku do të gjejmë qindra njerëz që do të qëndrojnë përballë atyre “ustallarëve” të burokracisë së Brukselit dhe do t’ia dalim në një proces që është kaq sfidues?”.
Dhe ka qenë një nga surprizat më të mirëseardhura, se në punën që unë bëj ka surpriza përgjithësisht jo të mirëseardhura. Ato që janë të mirëseardhura janë ato që parashikohen dhe që zhvillohen dhe realizohen, kurse ato që ndodhin, përgjithësisht nuk janë të mirëseardhura, por kjo ka qenë një surprizë e mirëseardhur, sepse ajo çka reflektoi skuadra e madhe përfaqësuese e Shqipërisë, sipas të gjithë atyre kapitujve, ishte një administratë shqiptare krejt tjetër nga ajo që edhe unë vetë kisha në mendje.
Sepse edhe unë vetë isha i ndikuar nga presioni i madh dhe i përditshëm i thashethemnajës, edhe i mbivendosjes së lajmeve dhe të ngjarjeve negative lidhur me punonjësit e administratës, në pikën që kisha një besim të ulët në raport me kapacitetet e administratës në atë moment të rrugës sonë.
Dhe, pa dyshim, kur ne e kuptuam këtë në një test aq sfidues, kuptova edhe se ne mund të shtyjmë më tutje, ndërkohë që kohët sollën që nevojat për të shtyrë më tutje të bashkëndaheshin me vetë njerëzit, me vetë masën e gjerë të qytetarëve, të cilët, në një moment të caktuar, shfrytëzuan një shkak që nuk ishte për të gjithë një shkak aq i rëndësishëm sa të dilnin në protestë dhe dolën në protestë me nevojën e madhe për të shprehur disa shqetësime të akumuluara dhe për të kërkuar një përshpejtim të domosdoshëm në kushtet kur, praktikisht, Shqipëria e ka kapërcyer epokën e mungesave dhe ka hyrë në epokën e pritshmërive të larta.
Dhe një nga pikat më goditëse të shumë zërave që unë, bashkë me të tjerët, u përpoqa të dëgjoj, ishte pikërisht merita.
Sa hyn në punë merita në Shqipëri, në raport me ambicien për të shërbyer në shtetin shqiptar, për shtetin shqiptar?
Tani, thënë të gjitha këto, e vërteta është që transformimi i administratës është reflektuar në një sërë pasqyrash të një rëndësie të posaçme për sa i përket reputacionit të saj, që nga “GovTech” i Bankës Botërore, tek “National Cyber Security Index”, tek “Global Innovation Index”, ku shihet qartë që pozicionet e Shqipërisë sot nuk kanë asnjë lidhje me pozicionet e Shqipërisë deri jo shumë vite më parë, por të gjitha këto, përfshirë edhe faktin shumë domethënës që vetë SIGMA, që është instrumenti me të cilin BE-ja mat cilësinë, nevojat dhe potencialin e administratave publike, ka renditur Shqipërinë të parën në rajon për reformën e administratës publike dhe për përmirësimet në administratën publike. Fakti është që, përtej të gjitha indekseve, është njeriu, është njeriu që kërkon nga administrata shërbim cilësor; është njeriu që kërkon akses në karrierë në administratë përmes meritës së tij; është njeriu që është brenda administratës dhe kërkon që merita e tij të jetë kushti që ai të ngjitet në shkallët e karrierës. Dhe ajo që të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se e përcakton raportin e shtetit me qytetarin, është që qytetari nuk takohet me indekset globale, nuk takohet me strategjitë, nuk takohet me programet dhe me organigramat dhe as nuk e shikon veten nëpër pasqyrat ku reflektohen përmirësimet e Shqipërisë, sepse ai takohet me njerëzit e shtetit dhe takohet me shtetin si eksperiencë personale. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë gjithë këtë proces transformues, jo shumë të bujshëm, të them të drejtën, por në mënyrë të konsiderueshme të thellë, duke filluar nga “Besa”, duke kaluar tek “Pasqyrë Albania”, e cila do të mbledhë të gjithë shtetin në një vend të vetëm, duke vazhduar me “Prania Besnike” dhe ndërkohë që sot kemi një komponent të ri, që është “Shkalla e Meritës”.
Nuk po zgjatem me çfarë kemi bërë ne, por po i referohem bazës së këtij projekti të ri, për të cilin dua ta përgëzoj dhe ta falënderoj Adean për mënyrën se si i është qasur gjithë këtij procesi.
Baza është anketa e brendshme e nëpunësve civilë të Republikës së Shqipërisë, ku për herë të parë kemi pasur një numër shumë të madh nëpunësish, që në mënyrë të sekretuar, kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me situatën në administratë dhe me ambicien për mënyrën se si administrata mund të jetë një hapësirë më e mirë për ta.
Aty ka një fakt që është shumë i qartë: përtej përmirësimeve, përtej rritjes së konsiderueshme të pagave, gjë për të cilën SIGMA vetë nënvizon se, krahasimisht me vitin 2022, vlerësimi i nëpunësve për pagën apo kënaqësia relative për pagën është rritur nga 13% në 47%, por ajo që mbetet shumë serioze, më shumë sesa në anketat e tjera, është që shumica dërrmuese e nëpunësve, njerëzit e administratës, thonë që “se punon, se s’punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë ti vlerësohesh dhe rritesh në karrierë”. Dhe, më keq akoma, ajo që i bën edhe më negativë në vlerësim është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë. Ndërkohë që të njëjtët njerëz, në një masë relativisht më të vogël se pjesa tjetër, mbajnë një peshë shumë më të madhe dhe nuk shohin dallim në mënyrën se si vlerësohen.
Kjo është një temë e vjetër, për hir të së vërtetës.
Këtu janë një pjesë e sekretarëve të përgjithshëm; jo të gjithë kanë ardhur, sepse nuk janë të gjithë me kaq pak punë sa unë dhe sa ministrja e Shëndetësisë, ministrja e Shtetit apo ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin. Por sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi që shkon nga lart-poshtë dhe ku, nëse ata cedojnë, cedon i gjithë sistemi. Dhe kemi pasur një mbledhje epike në mandatin e parë, në mos gaboj, kur vlerësimet ishin të një niveli tronditës për nga pozitiviteti, për të gjithë.
Aso kohe thuhej se Apple, që ishte një yll në skenën globale të sipërmarrjes, kishte arritur në një nivel eficience mbi 90%. Në bazë të vlerësimeve që u bënë atë vit, administrata shqiptare ishte mbi Apple për nga eficienca dhe për nga realizimi i detyrave nga të gjithë. Asnjë mbetës dhe asnjë mesatar. Kudo një shkëlqim verbues. Natyrisht që, nuk është më ashtu, por fakti që nuk është më ashtu, nuk do të thotë që është ashtu siç duhet dhe kjo i qetëson një pjesë të madhe të njerëzve që janë në administratë, me të drejtë, besoj.
Gjithsesi, të gjithë hapat e ndjekur me pagat, me bonusin e posaçëm, me paketën e motivimit, si dhe të gjitha shenjat kuptimplota të dëshirës për t’u bërë pjesë e administratës së shtetit, që mund të shihen pa shumë mundim në thirrjet e programeve të ekselencës apo të programeve kombëtare të praktikave të punës, e bëjnë të pamundur që ne të mjaftohemi me kaq, ndërkohë që qytetarët kërkojnë më shumë, ndërkohë që procesi i negociatave dhe procesi i anëtarësimit në tërësi, si dhe vetë anëtarësimi, sjellin shumë më tepër sfida për administratën dhe ndërkohë që ne e kemi detyrim t’u kthejmë një përgjigje, jo me fjalë, por me fakte, të gjithë atyre brenda administratës që ndihen të pakonsideruar për atë që bëjnë dhe që madje ndihen të shpërfillur për faktin se, sado të bëjnë, ata vlerësohen njësoj si ata që nuk bëjnë aq sa duhet.
Ky është një detyrim që ne e kemi parësor sot, në mënyrë që, duke motivuar njerëzit përmes meritës dhe duke e bërë meritën element bazë të bashkëjetesës brenda administratës, si nxitës të konkurrencës, dhe, nga ana tjetër, duke e bërë meritën element bazë të garancive se, kur ti troket për t’u bërë pjesë e shtetit, ti do të vlerësohesh për atë që je, ne mund të bëjmë sot atë kapërcim që deri dje dukej krejt i pamundur për t’u diskutuar. Sot po e diskutojmë, por na duhet puna e përbashkët e të gjithëve për ta bërë realitet.
Dua të shtoj këtu që këto nuk janë thjesht fjalë, por lidhen pikërisht me një mekanizëm që u prezantua, ku në themel ka disa pika kyçe, por unë do të veçoja së pari transformimin e vetë mënyrës se si ndodh rekrutimi dhe se si ndodh vlerësimi.
Ne sot jemi në fazën kur po zbatojmë më në fund një projekt të jashtëzakonshëm, i cili sjell qendrën e provimeve të Oxford-it si pjesë të Qendrës së Shërbimeve Arsimore të Republikës së Shqipërisë dhe gjithçka, për sa i përket provimeve në sistemin tonë universitar, në sistemin tonë arsimor, do të jetë njësoj siç bëhet në qendrën e provimeve të Oxford-it. Dhe atë infrastrukturë të qendrës së provimeve të Oxford-it, përmes Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ne do ta vëmë në dispozicion të rekrutimeve në administratë përgjatë procesit të karrierës në administratë.
Kjo do të bëjë që të arrijmë edhe në këtë aspekt atë që arritëm kohë më parë me universitetet. E mbajnë mend të gjithë që ishte një hall shumë i madh futja në universitet, sepse s’kishte asnjë respekt për meritën, por ishte një turravrap se kush ia kalonte tjetrit me shtytje nga mbrapa, me miq, me parti, me para dhe, për shumë vite tanimë, provimet e universitetit janë provime pa ankesa. S’ka ankesa! Ndërkohë që, në vitet që i paraprinë asaj reforme, ankesat dhe padrejtësitë ishin ulëritëse. Mbetja jashtë radhës e njerëzve që vinin nga familje pa emër të madh, familje pa para për të korruptuar këdoqoftë brenda sistemit, familje nga territore periferike, bën sot diferencën, ndërkohë që sot ne kemi nevojë të shkojmë më tutje. Të shkojmë më tutje duke e përfshirë administratën në këtë proces.
Tjetra nuk quhet transparencë, nuk quhet hapje për mundësi të barabarta, mënyra se si bëhet sot shpallja e vendeve dhe se si informohen sot njerëzit, ndërkohë që, siç tha ministrja, ne do të hapim kopertinën e një katalogu aktiv digjital, ku, nga njëra anë, do të shihen të gjitha nevojat që ka shteti shqiptar për profesionet, për nivele eksperience etj., etj., por, nga ana tjetër, do të mund të futen të dhënat e kujtdo qoftë që dëshiron të njoftohet sa herë që në atë profesion dhe për atë eksperiencë, diku në Shqipëri, hapet një vend pune. Që do të thotë që të gjithë ata në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë që duan të bëhen pjesë e administratës, mund ta paraqesin në mënyrë proaktive disponimin e tyre, se s’po them kandidaturën, disponimin e tyre. Kuptohet, në një sistem të sekretuar, ku gjithsecili jep autorizimin për t’u njoftuar sa herë që është i hapur një vend ku ai, sipas CV-së së tij, mund të ketë interes të përfshihet.
Kjo do të bëjë që të gjithë të mund të jenë të informuar dhe të gjithë ta kenë shansin që të marrin pjesë në konkurset, të cilat do të shkojnë në një nivel tjetër për nga transparenca dhe për nga mosndikimi subjektiv që deformon garën. Dhe kështu do të përpiqemi që jo vetëm rekrutimet, por edhe, brenda për brenda, karriera të fillojë të mbështetet në të dhëna, të cilat janë të dhëna të disponueshme nga shteti shqiptar, përtej raportit të individit me një epror.
Pra, vit për vit apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund të kalojnë në testime, ku mund të rrisin pikët e tyre dhe mund të rrisin mundësitë e tyre për t’u ngjitur një shkallë më lart.
Dhe e fundit që kam është ajo që ndodh me ekselencën dhe ajo që ndodh me ata që hyjnë për të bërë një program njohjeje dhe për të hedhur një hap drejt administratës, të cilët, në shumë raste, pasi u mbaron ai vit i punës, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me një pamundësi për të vazhduar edhe në rastet kur janë shumë mirë. Edhe kjo është diçka që duhet parë me kujdes, në mënyrë që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies, në pikën që shumëkush pastaj fillon e krijon ide në kokë që kjo ndodhi si rezultat i faktit që “s’kisha mik, s’kisha kështu…”.
Këto janë pak a shumë pikat ku unë do të doja të ndalesha dhe ku u ndala, duke e ritheksuar edhe një herë: “Shkalla e Meritës” është një tjetër komponent i një sistemi të ri, ku ne do të kemi aleatë, partnerë, mbështetës, IA dhe ku, përmes IA-së, do të mund të bëjmë shumë më tepër në funksion të transparencës dhe në funksion të mbledhjes së të gjitha atyre të dhënave të proceseve që na japin të kuptojmë ekzaktësisht se deri ku ne arrijmë, qoftë në thellësinë e informimit të njerëzve të interesuar për t’u bërë pjesë e administratës, qoftë edhe në garancitë për secilin dhe secilën që përpjekja për t’u bërë pjesë e administratës është një përpjekje e bazuar mbi meritën.
Merita është thelbi për të cilin të gjithë së bashku duhet të punojmë pa ndërprerë dhe duhet të jemi të fokusuar, pasi aty lidhet motivimi, lidhet ndjenja e përkatësisë ndaj, jo vendit të punës, po ndaj organizatës, ndaj institucionit, ndaj departamentit; aty lidhet mënyra se si disa njerëz së bashku funksionojnë në drejtim të qëllimeve të përbashkëta të institucionit, të departamentit apo kështu me radhë.
Shumë faleminderit për durimin dhe uroj dhe shpresoj që së shpejti do të kemi rezultatet e para, ndërkohë që dua ta ndaj me ju këtu sot, sepse m’u duk vendi më i mirë për ta ndarë këtë, që do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë dhe është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Dhe nuk diskutohet, ose, më saktë, mund të ketë edhe ndonjë që mund ta diskutojë, por, në këndvështrimin tim, nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit sot për Administratën Publike. Kështu që, Adea, unë të falënderoj edhe një herë për përkushtimin, për profesionalizmin, të falënderoj po ashtu për faktin që ti asnjëherë nuk i jep lirshëm fjalët e mira dhe as fjalët e këqija, por je gjithmonë e angazhuar që çdo fjalë dhe çdo çështje që trajton të mos bjerë në tokë, siç i thonë fjalës. Kështu që kam shumë besim që, mbi këtë bazë që është ndërtuar, me shumë gurë kilometrikë që ti ke vendosur në këtë rrugë transformimi dhe, patjetër, edhe me kolegët dhe koleget që të duartrokitën në mënyrë të moderuar, do të arrish që Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Shqipërisë ta kthesh në një institucion model, siç duhet të jetë model vetë administrata publike.
Shumë faleminderit!