Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Nëntor 2026: 
V E N D I M 
PËR 
PËRCAKTIMIN E MËNYRAVE, TË FORMAVE DHE TË FUSHAVE KONKRETE TË BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E PUNËS    E TË PUNËSIMIT NDËRMJET INSTITUCIONEVE NË VARËSI TË MINISTRISË QË MBULON ÇËSHTJET E PUNËS    E TË PUNËSIMIT DHE MINISTRIVE TË LINJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të   ligjit nr.64/2025, “Për barazinë gjinore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i mënyrave, i formave dhe i fushave të bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e parimit të barazisë gjinore në fushën e punësimit dhe zhvillimit të aftësive, ndërmjet institucioneve në varësi të ministrisë që mbulon çështjet e punës e të punësimit dhe ministrive të tjera të linjës, për:
a) sigurimin e koordinimit efektiv ndërinstitucional për hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave të punës dhe punësimit nga këndvështrimi gjinor;
b) parandalimin dhe eliminimin e diskriminimit gjinor, të drejtpërdrejtë e të tërthortë, si dhe të diskriminimit të shumëfishtë e të ndërthurur në marrëdhëniet e punës;
c) forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes, kontrollit, raportimit dhe llogaridhënies për barazinë ndërmjet grave dhe burrave në tregun e punës;
ç) promovimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, në aksesin në punësim, formim profesional, zhvillim karriere, paga, sigurime shoqërore dhe përfitime të tjera të lidhura me punën;
d) mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave dhe burrave, veçanërisht të atyre që u përkasin grupeve që janë në disavantazh.
Neni 2
Parimet
Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e punësimit për barazinë gjinore udhëhiqet nga këto parime:
a) Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi;
b) Integrimi gjinor në politikat, programet, buxhetet dhe masat e punësimit;
c) Bashkërendimi institucional dhe ndarja e qartë e përgjegjësive;
ç)  Politika të bazuara në të dhëna të ndara sipas gjinisë dhe treguesve gjinorë;
d) Transparenca, llogaridhënia dhe raportimi periodik;
dh) Qasja ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse  e grave dhe e burrave;
e) Pjesëmarrja e aktorëve socialë dhe e shoqërisë civile, sipas qasjes ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse;
ë) Mbrojtja e të dhënave personale dhe përdorimi proporcional i informacionit të shkëmbyer ndërmjet institucioneve.
Neni 3
Fushat e bashkëpunimit
1. Bashkëpunimi ndërinstitucional në fushën e punës e të punësimit ka për qëllim identifikimin, hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave, të programeve, të projekteve dhe të masave, që synojnë arritjen e barazisë gjinore ndërmjet grave dhe burrave.
2. Fushat e bashkëpunimit, sipas pikës 1 të këtij neni, janë, si më poshtë vijon:
a) Politikat aktive të tregut të punës dhe aksesi i barabartë në punësim;
b) Arsimi, formimi, aftësimi dhe riaftësimi profesional;
c) Orientimi profesional dhe zhvillimi i karrierës;
ç) Sigurimet shoqërore dhe përfitimet e lidhura me punën;
d) Barazia në paga dhe trajtimi i barabartë në shpërblim;
dh) Balanca ndërmjet jetës profesionale dhe jetës familjare;
e) Parandalimi dhe adresimi i diskriminimit, dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës;
ë) Përfshirja e grave dhe e burrave nga grupet e disavantazhuara në tregun e punës;
f) Nxitja e sipërmarrjes, e vetëpunësimit dhe e fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave;
g) Mbledhja dhe përdorimi i të dhënave statistikore të ndara sipas gjinisë dhe treguesve gjinorë;
gj) Edukimi, ndërgjegjësimi dhe luftimi i stereotipeve gjinore në arsim dhe formim profesional, punë dhe punësim.
Neni 4
Roli i ministrisë përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive
Ministria përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive bashkëpunon me institucionet e varësisë dhe ministritë e linjës për:
a) hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave sektoriale në fushën e punësimit, të marrëdhënieve të punës, si dhe të arsimit e formimit profesional, në përputhje me parimin e barazisë gjinore;
b) analizën e ndikimit gjinor të politikave që lidhen me punën dhe punësimin;
c) marrjen e masave për ndjekjen e rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Punës dhe Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore për çështje që lidhen me barazinë gjinore në tregun e punës.
Neni 5
Mënyrat dhe format e bashkëpunimit
1. Me qëllim arritjen e barazisë gjinore në fushën e punësimit dhe zhvillimin e aftësive, institucionet/strukturat përgjegjëse, sipas këtij vendimi, bashkëpunojnë, sipas nevojës, nëpërmjet mënyrave, si më poshtë vijon:
a) Marrëveshjeve ndërinstitucionale të bashkëpunimit, përfshirë pikat e kontaktit;
b) Grupeve të përbashkëta të punës;
c) Aktiviteteve të përbashkëta të monitorimit;
ç) Konsultimeve me aktorët e interesit;
d) Shkëmbimit të informacionit dhe të të dhënave.
2. Ministria përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive u komunikon, në fillim të çdo viti kalendarik, institucioneve/strukturave përgjegjëse, sipas këtij vendimi, rekomandime për barazinë gjinore sipas rastit, sipas fushave të tyre të përgjegjësisë. Këto institucione/struktura raportojnë në fund të çdo viti kalendarik për zbatimin e rekomandimeve pranë ministrisë përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe ministrisë përgjegjëse për barazinë gjinore.
3. Institucionet/strukturat përgjegjëse, sipas këtij vendimi, informojnë ministrinë përgjegjëse për punën e punësimin dhe zhvillimin e aftësive sipas periodicitetit të raportimit, afateve dhe procedurës së shkëmbimit të informacionit sipas formatit të parashikuar në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 6
Bashkëpunimi me ministritë e linjës
1. Ministritë e linjës bashkëpunojnë me ministrinë përgjegjëse për punën dhe punësimin dhe zhvillimin e aftësive, në përputhje me fushën e tyre të përgjegjësisë, për çështjet e barazisë gjinore në fushën e punës e të punësimit.
2. Ministria përgjegjëse për punën dhe punësimin dhe zhvillimin e aftësive, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për çështjet e barazisë gjinore, u përcjellin me shkrim ministrive të tjera rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Punës dhe ndjekin zbatimin e tyre.
Neni 7
Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bashkëpunon për:
a) zbatimin e masave për mbikëqyrjen e mundësive dhe të trajtimit të barabartë ndërmjet grave dhe burrave në fushën e shërbimit të punësimit dhe të formimit profesional nëpërmjet programeve aktive të tregut të punës, nëpërmjet trajnimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale, si dhe në mbështetjen me të ardhura nga papunësia;
b) zbatimin e programeve aktive të tregut të punës me ndjeshmëri gjinore;
c) monitorimin e aksesit dhe trajtimit të barabartë të grave dhe burrave në shërbimet e punësimit;
ç)  informimin, këshillimin dhe orientimin profesional, në përputhje me politikat e programet për barazinë gjinore;
d) mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për përfituesit e shërbimeve dhe programeve të punësimit;
dh) ndjekjen e marrjes dhe zbatimit të masave të veçanta, të përkohshme nga punëdhënësja/punëdhënësi;
e) bashkëpunimin me organizatat jofitimprurëse dhe aktorë të tjerë për përfshirjen e grave dhe vajzave në tregun e punës, veçanërisht të atyre që u përkasin grupeve të disavantazhuara.
Neni 8
Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional
dhe Kualifikimeve
Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve bashkëpunon për:
a) zbatimin e politikave dhe të programeve për mundësi e trajtim të barabartë ndërmjet grave dhe burrave në fushën e arsimit dhe formimit profesional;
b) integrimin e perspektivës gjinore në hartimin e rishikimin e standardeve të profesioneve, të standardeve të kualifikimeve profesionale dhe të programeve (kurrikulave) kombëtare për kualifikimet profesionale të niveleve 2-5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve;
c) hartimin e materialeve mësimore mbështetëse dhe të programeve të kurseve të unifikuara të formimit profesional, pa stereotipe gjinore dhe në përputhje me parimin e barazisë gjinore;
ç) monitorimin e aksesit dhe të trajtimit të barabartë të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, në ofertën e arsimit dhe formimit profesional, përfshirë kualifikimet e dominuara tradicionalisht nga njëra gjini;
d) informimin, këshillimin dhe orientimin profesional, në përputhje me politikat dhe programet për barazinë gjinore;
dh) përfshirjen e çështjeve të barazisë gjinore në programet kombëtare të kualifikimit dhe atestimit të vazhduar të mësuesve dhe instruktorëve të kulturës profesionale të arsimit e formimit profesional;
e) mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për nxënësit, kursantët e përfituesit e tjerë të arsimit dhe formimit profesional;
ë) propozimin e ndryshimeve në ligje e akte nënligjore, si dhe nismat, projektet, studimet e bashkëpunimet e tjera në fushën e barazisë gjinore, brenda fushës së përgjegjësisë së saj;
f) bashkërendimin me organizatat jofitimprurëse dhe aktorë të tjerë për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në arsimin e formimin profesional dhe, nëpërmjet tij, në tregun e punës, veçanërisht të atyre që u përkasin grupeve të disavantazhuara.
Neni 9
Bashkëpunimi me Inspektoratin Qendror të Punës
Inspektorati Qendror i Punës bashkëpunon për:
a) respektimin e parimit të trajtimit të barabartë në punësim dhe në marrëdhëniet e punës;
b) kontrollin dhe zbatimin e masave për respektimin e barazisë gjinore në fushën e marrëdhënieve të punës e të punësimit, sigurisë në punë prej punëdhënëses/punëdhënësit dhe personave të punësuar në sektorin publik e privat;
c) identifikimin e rasteve të përqendrimit të njërës gjini në vende pune me paga më të ulëta ose në punësim informal;
 ç) verifikimin e rasteve të mundshme të diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë  në punësim, ngritje në detyrë, paga, kushte pune dhe përfitime të tjera;
d) monitorimin e zbatimit të detyrimeve për barazinë në paga për punë të njëjtë ose punë me vlerë të barabartë;
dh) inspektimin e masave të punëdhënësve për respektimin, sipas rastit, të rregullave që mundësojnë ekuilibrin punë – familje;
e) kontrollin e zbatimit të masave për parandalimin e dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës;
 ë) kontrollin, sipas rastit, të zbatimit të masave të veçanta të përkohshme të ndërmarra nga punëdhënëset/punëdhënësit për arritjen e barazisë faktike gjinore;
f) inspektimin e zbatimit të kontratave kolektive lidhur me çështje të barazisë gjinore në tregun e punës dhe raportimin për to, në bashkëpunim me sindikatat/organizatat përfaqësuese të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, shoqatat e shoqërive tregtare, si dhe dhomat e tregtisë.
Neni 10
Bashkëpunimi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
1. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bashkëpunon për:
a) mbikëqyrjen e barazisë gjinore në fushën e administrimit dhe të menaxhimit të sistemit publik të pensioneve dhe të të drejtave të tjera të sigurimit shoqëror, me qëllim sigurimin e trajtimit të barabartë gjinor në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe në përfitimet që burojnë prej tij;
b) mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë për kontribuuesit dhe përfituesit nga skemat e sigurimeve shoqërore;
c) monitorimin e aksesit të barabartë në të drejtat e përfitimet nga sigurimet shoqërore;
 ç) identifikimin e pengesave që mund të cenojnë trajtimin e barabartë të grave dhe burrave në skemat e sigurimeve shoqërore;
d) nxitjen e aksesit të grave dhe burrave të punësuar në bizneset familjare përfshirë ato në bujqësi, të vetëpunësuar ose në forma të tjera pune, në skemat e sigurimeve shoqërore, në përputhje me gëzimin e të drejtave dhe trajtimin në mënyrë të barabartë, në fushën e sigurimeve shoqërore dhe shërbimeve të kujdesit shoqëror.
2. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bashkëpunon për nxitjen e aksesit të grave dhe burrave të punësuar në bizneset familjare, përfshirë ato në bujqësi, të vetëpunësuar ose në forma të tjera pune, në përputhje me gëzimin e të drejtave dhe trajtimin në mënyrë të barabartë, në fushën e sigurimeve shëndetësore dhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Neni 11
Bashkëpunimi me aktorë të tjerë
Ministria përgjegjëse për punën dhe punësimin dhe zhvillimin e aftësive, me qëllim forcimin e barazisë gjinore në fushën e punës e të punësimit, bashkëpunon edhe me institucione jo të varësisë, si më poshtë vijon:
a) Këshillin Kombëtar të Punës dhe Këshillin Kombëtar të Barazisë Gjinore, si mekanizma koordinues për barazinë gjinore;
b) Grupin ndërinstitucional për statistikat gjinore;
c) Sindikatat, organizatat përfaqësuese të punëmarrësve dhe organizatat përfaqësuese të punëdhënësve;
ç) Dhomat e tregtisë dhe shoqatat e shoqërive tregtare;
d) Organizatat jofitimprurëse dhe aktorë të tjerë, që kanë në objektin e veprimtarisë së tyre promovimin, mbrojtjen dhe fuqizimin e barazisë gjinore në fushën e punës dhe punësimit.
Neni 12
Bashkëpunimi me mekanizmat koordinues për barazinë gjinore
1. Ministria përgjegjëse për punën dhe punësimin dhe zhvillimin e aftësive bashkëpunon me Këshillin Kombëtar të Punës dhe Këshillin Kombëtar të Barazisë Gjinore për koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të legjislacionit dhe politikave për barazinë gjinore në fushën e punës dhe të punësimit.
2. Këshilli Kombëtar i Punës dhe Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore zhvillojnë, sipas nevojës, por jo më pak se një herë në vit, mbledhje të përbashkëta për të analizuar çështje, problematika, të dhëna, gjetje dhe rekomandime, që lidhen me barazinë gjinore në tregun e punës. Mbledhjet e përbashkëta thirren me kërkesë të secilit prej këshillave ose me nismën e ministrisë përgjegjëse për barazinë gjinore apo të ministrisë përgjegjëse për punën e punësimin dhe zhvillimin e aftësive. Sekretariatet teknike të Këshillit Kombëtar të Punës dhe Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore përgatisin, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dokumentacionin e nevojshëm për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta dhe ndjekin hapat e nevojshëm për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta.
3. Konkluzionet dhe rekomandimet e mbledhjeve të përbashkëta u përcillen ministrisë përgjegjëse për barazinë gjinore, ministrisë përgjegjëse për punën e punësimin dhe zhvillimin e aftësive, si dhe institucioneve dhe subjekteve të tjera publike ose private, sipas përmbajtjes së rekomandimeve.
4. Sekretariatet teknike të Këshillit Kombëtar të Punës dhe Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore koordinojnë punën për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve.
Neni 13
Zbatimi
Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ministritë e linjës, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Inspektorati Qendror i Punës, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DENONCIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KAZAKISTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZA, MIRATUAR  ME VENDIMIN NR.705, DATË 4.11.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Denoncimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kazakistanit, për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për viza, miratuar me vendimin nr.705, datë 4.11.2022, të Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të                            ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Endrit Hoxha, zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.1                                    TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.II, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT,                                DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM                                TË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN NË SEKTORIN EKONOMIK” (SANECA II), MIRATUAR ME VENDIMIN NR.514, DATË 30.6.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në sektorin ekonomik (SANECA II)”, miratuar me vendimin nr.514, datë 30.6.2026, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR                  “PËR NDARJEN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË PËR DY PROJEKTLIGJET JOQEVERITARE “PËR SHFUQIZIMIN E LIGJIT NR.21/2024, “PËR DISA SHTESA                  DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.81/2017, “PËR ZONAT  E MBROJTURA””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dy projektligjet  joqeveritare “Për shfuqizimin e ligjit nr.21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.463, DATË 31.7.2025,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E SKEMËS                  SË VEÇANTË TË GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS                               PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME NË TË GJITHË SEKTORËT                                  E EKONOMISË, SI DHE FERMERËVE TË REGJISTRUAR                                     DHE TË PAJISUR ME CERTIFIKATËN E NIPT-IT TË FERMERIT                NË SEKTORIN E BUJQËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665,                            datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të                   ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Marrëveshja tip, bashkëlidhur vendimit nr.463, datë 31.7.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me certifikatën e nipt-it të fermerit në sektorin e bujqësisë”, të ndryshuar, zëvendësohet me marrëveshjen tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë shtetërore me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përfshira në skemë, në përputhje me ndryshimet e miratuara me këtë vendim.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.482, DATË 24.7.2024,                                TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS           SË SHTESËS PËR NATYRË TË VEÇANTË PUNE PËR DREJTORIN                    E PËRGJITHSHËM DHE NËPUNËSIT NË NJËSITË TEKNIKE                          TË PËRMBAJTJES SË AUTORITETIT KOMBËTAR PËR SIGURINË KIBERNETIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e ministrit të Administratës Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.482, datë 24.7.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shtesës për natyrë të veçantë pune për drejtorin e përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike”, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare shtesë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i miratuar për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe fillojnë nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.382, DATË 27.6.2018,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR VEPRIMTARITË E STANDARDIZIMIT”,   TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 8, të     ligjit nr.9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren “Për veprimtarinë e standardizimit”, bashkëlidhur                      vendimit nr.382, datë 27.6.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për veprimtaritë e standardizimit”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 6.2.1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6.2.1. Kur autoritetet shqiptare, përfshirë DPS-në ose ministrinë përgjegjëse, vlerësojnë se një standard shqiptar i harmonizuar nuk përmbush plotësisht kërkesat që synon të mbulojë dhe të cilat përcaktohen në legjislacionin përkatës (rregullat teknike), DPS-ja informon Komisionin, duke dhënë një shpjegim të hollësishëm. Vendimi i Komisionit zbatohet nga ministria përkatëse.”.
b) Fjalia hyrëse e pikës 9.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9.2. Financimi nga Bashkimi Evropian mund të ofrohet gjithashtu për:”
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ”Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422,   DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR    TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT   E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE   TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.24/2026, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Nënndarja “- Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, negociator përgjegjës për kapitullin 12;” zëvendësohet me “- Znj. Tana Kika, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 12 dhe Z. Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 12;”.
b) Nënndarja “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 1 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 dhe 30;” zëvendësohet me “- Z. Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitujt 1 dhe 6, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 28 dhe 30;”.
c) Nënndarja “- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitujt 32 dhe 33;” zëvendësohet me                        “- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitujt 32 dhe 33, si dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;”.
ç) Nënndarja “- Znj. Blerta Rama, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, negociator përgjegjës për kapitullin 6 dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 4;” shfuqizohet.
d) Nënndarja “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 19 dhe 28;” zëvendësohet me  “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;”.
dh)Pas nënndarjes “- Znj. Denada Seferi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 19;” shtohet “- Znj. Eugena Tomini, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 28;”.
e) Nënndarja “- Z. Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, negociator për kapitullin 8;” zëvendësohet me “- Z. Denar Biba, kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 8 dhe z. Mario Keputa, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 8;”.
ë) Nënndarja “- Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, negociator përgjegjës për kapitullin 17 dhe bashkënegociator për kapitullin 4;” zëvendësohet me “- Znj. Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernator i dytë në Bankën e Shqipërisë, bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 4 dhe 17;”.
f) Nënndarja “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për  kriterin ekonomik, kapitujt 16 dhe 29;” zëvendësohet me “- Z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriterin ekonomik, kapitujt 16 dhe 29, dhe bashkënegociator përgjegjës për kapitujt 9 dhe 17;”.
g) Nënndarja “- Znj. Adela Xhemali, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, negociator përgjegjës për kapitullin 9;” zëvendësohet me “- Znj.  Adela Xhemali, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritett të Mbikëqyrjes Financiare, bashkënegociator përgjegjës për kapitullin 9;”.
     gj) Nënndarja “- Z. Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, negociator përgjegjës për kapitullin 22;” zëvendësohet me                                    “- Z. Oltjon Muzaka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, negociator përgjegjës për kapitullin 22;”.
2. Në shkronjën “e”, të pikës 6, fjalët “… për kapitujt 11 dhe 12 …” zëvendësohen me “… për kapitujt 11 dhe 13 …”.
II. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të vendimit, për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
 DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.906, DATË 19.2.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS  SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË PUNËS, ÇËSHTJEVE SOCIALE DHE SHANSEVE                 TË BARABARTA, PËR SHËRBIMIN KOMBËTAR TË PUNËSIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të                   ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.906, datë 19.2.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për Shërbimin Kombëtar të Punësimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtesa “Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” zëvendësohet me “Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit” dhe emërtesa “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive”;
b) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave me emërtimin “Zyra Vendore e Punësimit, Kuçovë” dhe “Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive Vlorë” zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët 2 (dy) fletë, planimetrinë 1 (një) fletë dhe planrilevimin                          1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË PROCEDURAVE                               DHE TË LLOJEVE TË PUSHIMEVE ME OSE PA PAGESË,                          SI DHE TË RREGULLAVE E TË PROCEDURAVE TË LEJES                         PA TË DREJTË PAGE PËR PUNONJËSIT OPERACIONALË                          TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES NË SISTEMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 57, pika 6, dhe 58,   pika 5, të ligjit nr.28/2026, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Neni 1
Objekti
Ky vendim përcakton rregullat, procedurat dhe llojet e pushimeve me ose pa pagesë, si dhe rregullat e procedurat për përfitimin e lejes pa të drejtë page nga punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në vijim Agjencia.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është të garantojë zbatimin e njëjtë të rregullave dhe procedurave për përfitimin e pushimeve me ose pa pagesë dhe të lejes pa të drejtë page nga punonjësit operacionalë të Agjencisë.
Neni 3
Autoritetet kompetente
Përveç lejes afatgjatë pa të drejtë page, autoriteti kompetent për miratimin e pushimeve me ose pa pagesë dhe të lejes afatshkurtër pa të drejtë page, sipas këtij vendimi, është:
a) ministri, kur kërkues është drejtori i Përgjithshëm;
b) drejtori i Përgjithshëm, për punonjësit operacionalë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe drejtuesit e degëve territoriale;
c) drejtuesi i degës territoriale, për punonjësit operacionalë të degës përkatëse.
Neni 4
Paraqitja dhe shqyrtimi i kërkesës
1. Përveç rasteve kur në këtë vendim parashikohet ndryshe, kërkesa për përfitimin e pushimit ose të lejes paraqitet me shkrim në strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
2. Struktura përgjegjëse për burimet njerëzore verifikon kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe ia përcjell autoritetit kompetent.
3. Autoriteti kompetent vendos me akt të shkruar për miratimin ose refuzimin e kërkesës.
4. Akti i miratimit përcakton datën e fillimit, datën e përfundimit dhe kohëzgjatjen e pushimit ose të lejes.
Neni 5
Pushimi vjetor i paguar
1. Punonjësi operacional i Agjencisë përfiton 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pushim vjetor të paguar.
2. Punonjësi operacional paraqet në strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore kërkesën për përfitimin e pushimit vjetor të paguar, duke përcaktuar periudhën e propozuar për marrjen e tij.
Neni 6
Miratimi dhe ndryshimi i periudhës së pushimit vjetor
1. Pasi kërkesa verifikohet dhe shqyrtohet sipas nenit 4, të këtij vendimi, struktura përgjegjëse për burimet njerëzore njofton punonjësin operacional për datën e fillimit të pushimit vjetor të paguar.
2. Me kërkesë të arsyetuar të punonjësit operacional, periudha e miratuar e pushimit vjetor të paguar mund të ndryshohet nga autoriteti kompetent, duke mbajtur parasysh nevojat për garantimin e vijimësisë së veprimtarisë së Agjencisë.
3. Planifikimi dhe koha e kryerjes së pushimeve vjetore, pas konsultimit me punonjësin, pa cenuar vijueshmërinë e punës, kryhet deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
4. E drejta e pushimeve që nuk jepen nga punëdhënësi ose nuk merren nga punëmarrësi parashkruhet brenda 3 (tre) vjetëve nga dita në të cilën punëmarrësit i lind kjo e drejtë.
5. Punonjësi ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor edhe në periudha të ndryshme e të ndara, me miratimin e autoritetit kompetent përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.
6. Gjatë kryerjes së pushimeve vjetore, punonjësi trajtohet financiarisht në të njëjtën masë me pagën që ai merr kur është në punë/shërbim.
Neni 7
Shtyrja e pushimit vjetor
Kur gjatë periudhës së pushimit vjetor të paguar punonjësi operacional është i shtruar në spital ose qëndron në shtëpi për shkak të sëmundjes apo aksidentit, të vërtetuar me raport mjekësor, pushimi vjetor shtyhet, sipas parashikimeve të Kodit të Punës.
Neni 8
Llojet e pushimeve të tjera me pagesë
1. Punonjësi operacional i Agjencisë përfiton pushime të tjera me pagesë në rastet, si më poshtë vijon:
a) Për lidhjen e martesës së tij, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh;
b) Për lindjen e fëmijës, kur punonjësi është bashkëshorti ose bashkëjetuesi i nënës, për një kohëzgjatje prej 3 (tri) ditësh;
c) Për vdekjen e bashkëshortit, bashkëjetuesit, fëmijës, prindit, gjyshit, gjyshes, për një kohëzgjatje prej 5 (pesë) ditësh.
2. Ditët e pushimit me pagesë, sipas pikës 1, të këtij neni, janë ditë kalendarike dhe nuk zbriten nga pushimi vjetor i paguar.
3. Pushimi me pagesë, sipas këtij neni, merret pa ndërprerje dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen ose rrethanën që përbën shkakun e dhënies së tij.
Neni 9
Dokumentacioni për përfitimin e pushimeve të tjera me pagesë
1. Për përfitimin e pushimit me pagesë, sipas pikës 1, të nenit 8, të këtij vendimi, punonjësi operacional paraqet kërkesën me shkrim, ku përcakton shkakun, datën e fillimit dhe kohëzgjatjen e pushimit.
2. Kërkesës i bashkëlidhet, sipas rastit:
a) për rastet e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij vendimi, certifikata e martesës ose një dokument tjetër zyrtar që vërteton lidhjen e martesës;
b) për rastin e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij vendimi, certifikata e lindjes së fëmijës ose një dokument tjetër zyrtar që vërteton lindjen dhe lidhjen familjare;
c) për rastin e parashikuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij vendimi, certifikata e vdekjes dhe, kur është e nevojshme, dokumenti që provon lidhjen familjare.
Neni 10
Pushimi pa pagesë
1. Punonjësi operacional i Agjencisë përfiton deri në 30 (tridhjetë) ditë pushim pa pagesë në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë.
2. Për përfitimin e pushimit pa pagesë, punonjësi operacional paraqet kërkesën me shkrim, të shoqëruar me:
a) raportin mjekësor që vërteton shkakun për të cilin kërkohet pushimi pa pagesë;
b) sipas rastit, dokumentin që vërteton lidhjen familjare.
Neni 11
Procedura për përfitimin e pushimeve të tjera me pagesë dhe pushimit pa pagesë
1. Kërkesa dhe dokumentacioni për përfitimin e pushimeve të tjera me pagesë dhe të pushimit pa pagesë paraqiten përpara fillimit të pushimit.
2. Në rastin e parashikuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij vendimi, kur paraqitja paraprake e kërkesës ose e dokumentacionit nuk është e mundur për shkak të rrethanave të rastit, punonjësi operacional njofton menjëherë eprorin e drejtpërdrejtë dhe strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore ose, kur kjo nuk është e mundur, sapo rrethanat ta lejojnë. Dokumentacioni përkatës paraqitet jo më vonë se dita e parë e kthimit në punë.
3. Në rastin e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, akti i miratimit mund të nxirret pas fillimit të pushimit, me kusht që punonjësi operacional të ketë kryer njoftimin dhe të paraqesë dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar.
4. Kur paraqitja paraprake e kërkesës ose e dokumentacionit për pushimin pa pagesë nuk është e mundur për shkak të rrethanave, punonjësi operacional njofton menjëherë strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore ose, kur kjo nuk është e mundur, sapo rrethanat ta lejojnë. Kërkesa dhe dokumentacioni përkatës paraqiten jo më vonë se dita e parë e kthimit në punë.
5. Struktura përgjegjëse për burimet njerëzore verifikon kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe procedon sipas nenit 4, të këtij vendimi.
Neni 12
Efektet e pushimit pa pagesë
1. Periudha e pushimit pa pagesë nuk llogaritet në vjetërsi pune dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.
2. Punonjësi operacional paraqitet në detyrë në ditën e parë të punës pas përfundimit të pushimit pa pagesë.
Neni 13
Leja afatshkurtër pa të drejtë page
1. Punonjësi operacional i Agjencisë ka të drejtë të kërkojë leje afatshkurtër pa të drejtë page, deri në 2 (dy) muaj.
2. Për përfitimin e lejes, punonjësi operacional paraqet kërkesën me shkrim, e cila përmban:
a) arsyen për të cilën kërkohet leja;
b) kohëzgjatjen dhe periudhën për të cilën kërkohet leja.
3. Kërkesës i bashkëlidhet, sipas rastit, dokumenti që provon shkakun ose rrethanën e paraqitur në të.
4. Periudha e lejes afatshkurtër pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.
Neni 14
Procedura për përfitimin e lejes afatshkurtër pa të drejtë page
1. Kërkesa për përfitimin e lejes afatshkurtër pa të drejtë page paraqitet në strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së parashikuar të fillimit të lejes.
2. Në raste të veçanta, kur leja kërkohet për shkaqe ose rrethana që nuk mund të parashikoheshin, punonjësi operacional mund të kërkojë që leja të fillojë brenda 5 (pesë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Struktura përgjegjëse për burimet njerëzore verifikon kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe ia përcjell autoritetit kompetent.
4. Autoriteti kompetent shqyrton kërkesën jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga data e paraqitjes së dokumentacionit të plotë dhe vendos me urdhër me shkrim për miratimin ose refuzimin e saj.
Neni 15
Leja afatgjatë pa të drejtë page
1. Punonjësit operacionalë të Agjencisë, me përjashtim të drejtorit të përgjithshëm dhe drejtuesve të degëve territoriale, kanë të drejtë të kërkojnë leje afatgjatë pa të drejtë page, për një periudhë mbi 2 (dy) muaj dhe deri në 6 (gjashtë) muaj, për studime ose kualifikime brenda ose jashtë vendit.
2. Periudha e lejes afatgjatë pa të drejtë page nuk llogaritet në vjetërsi pune dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.
Neni 16
Dokumentacioni dhe miratimi i lejes afatgjatë pa të drejtë page
1. Kërkesa për përfitimin e lejes afatgjatë pa të drejtë page paraqitet në strukturën përgjegjëse për burimet njerëzore jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së parashikuar të fillimit të lejes dhe përmban:
a) arsyen për të cilën kërkohet leja;
b) kohëzgjatjen dhe periudhën për të cilën kërkohet leja;
c) të dhënat për institucionin ku do të kryhen studimet ose kualifikimi.
2. Kërkesës i bashkëlidhet dokumentacioni i lëshuar nga institucioni përkatës, që vërteton, sipas rastit:
a) pranimin ose regjistrimin e punonjësit;
b) llojin e studimeve ose të kualifikimit;
c) kohëzgjatjen dhe periudhën e zhvillimit të tyre.
3. Struktura përgjegjëse për burimet njerëzore verifikon kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe ia përcjell drejtorit të Përgjithshëm, i cili e përcjell te ministri për shqyrtim dhe vendimmarrje.
4. Autoriteti kompetent për miratimin e lejes afatgjatë pa të drejtë page është ministri.
Neni 17
Kthimi në detyrë pas lejes pa të drejtë page
1. Pas përfundimit të lejes afatshkurtër pa të drejtë page, punonjësi operacional kthehet në të njëjtën detyrë.
2. Pas përfundimit të lejes afatgjatë pa të drejtë page, punonjësi operacional ka të drejtë të kthehet në funksionin që kishte ose në një funksion të barasvlershëm me të.
Neni 18
Efektet financiare
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Neni 19
Zbatimi
Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                          TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS    SË KUZUM BABASË”, BASHKIA VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës së Kuzum Babasë”, Bashkia Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 439 196 (një milion e katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 439 196 (një milion e katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
10. Bashkia Vlorë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron  aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M  I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.222,                           DATË 28.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE PËR ETIKETIMIN E MATERIALEVE                                 QË PËRDOREN NË PËRBËRËSIT KRYESORË TË VESHJEVE                    TË KËMBËS, NË SHITJE PËR KONSUMATORËT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.10489,                      datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin “Rregull teknik mbi etiketimin e materialeve që përdoren në përbërësit kryesorë të veshjeve të këmbës në shitje për konsumatorët”, bashkëlidhur vendimit nr.222, datë 28.3.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“Një listë joshteruese e produkteve të mbuluara nga ky rregull teknik përcaktohet në pikën 14.”.
2.  Në pikën 2 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a)  Në fund të shkronjës “a” shtohen fjalët “…, të veshura më parë.”;
b) Në shkronjën “b”, fjalët “rregulli teknik “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve mbrojtëse personale” …” zëvendësohen nga “… legjislacioni për pajisjet mbrojtëse personale, në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian;”;
c) Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… substancat kimike …,” shtohen “… në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian;”.
3. Në pikën 3 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “… shollë …” shtohet “… të vendosur …”;
b) Në fund të shkronjës “d” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në këtë term përfshihen të gjitha lëkurët, pa rënë ndesh me detyrime të tjera ligjore të zbatueshme, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në Konventën e Washington-it për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES).”.
c) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Në rast se termi “lëkurë me sipërfaqe natyrale të paprekur” (full grain leather) përdoret në informacionin tekstual shtesë fakultativ, të përmendur në pikën 13, të këtij rregulli teknik, ai i referohet lëkurës që ruan sipërfaqen origjinale, të ekspozuar pas heqjes së shtresës së jashtme të lëkurës, pa u hequr asnjë pjesë e kësaj sipërfaqeje nëpërmjet lëmimit, rrjepjes ose ndarjes.”;
ç) Shkronja “ë” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ë) Materiale tekstile natyrore dhe materiale tekstile sintetike ose të paendura.
“Tekstile” janë të gjitha produktet që mbulohen nga legjislacioni për emërtimet e fibrave tekstile dhe etiketimin përkatës të përbërjes në fibra të produkteve tekstile, në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.”.
4. Në pikën 4 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, pas fjalës “… etiketës, …” shtohen fjalët “… siç përcaktohet në pikat 8 deri 12, të këtij rregulli teknik.”;
b) Në shkronjat “b” dhe “ç”, referencat “… pikën 8, 9, 10 dhe 11, …” zëvendësohen me “… pikat 8 deri 12, …”;
c) Në shkronjën “c”, fjala “… pajisje …” zëvendësohet me “aksesorët” dhe pas fjalës “… përforcuesit …” shtohen fjalët “…, të tilla si ato në zonën e …” .
5. Në fund të pikave 5 dhe 7 shtohen fjalët “… pa cenuar dispozitat e tjera përkatëse të së drejtës së Bashkimit Evropian.”.
6. Në pikën 6, fjala “… masat …” zëvendësohet me fjalët “… veprimet e                  duhura …”.
7. Në pikën 9 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas fjalëve “… përfaqësuesi i tij i autorizuar …” shtohen “… i vendosur në Republikën e Shqipërisë ose në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, …;
b) Fjalia e fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në pikat e shitjes me pakicë të veshjeve të këmbës, shitësi siguron që konsumatorët të informohen për kuptimin e piktogrameve, që tregojnë materialet dhe përbërësit kryesorë të veshjeve të këmbës nëpërmjet vendosjes së një njoftimi shpjegues në një vend qartësisht të dukshëm. Në rastin e shitjeve on-line, ky informacion u vihet në dispozicion konsumatorëve në mënyrë të qartë dhe lehtësisht i aksesueshëm, përpara përfundimit të blerjes.”.
8. Në pikën 11, pas fjalës “… i dukshëm …” shtohen fjalët “… dhe i                 aksesueshëm, …”.
9. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Prodhuesi ose përfaqësuesi i tij i autorizuar, i vendosur në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian është përgjegjës për sigurimin e etiketave dhe saktësinë e informacionit të dhënë në të. Në qoftë se as prodhuesi dhe as përfaqësuesi i tij i autorizuar nuk janë të vendosur në Bashkimin Evropian, përgjegjës do të jetë importuesi ose personi që vendos për herë të parë veshjen e këmbës në tregun e Bashkimit Evropian. Shitësi është përgjegjës për të siguruar se veshja e këmbës, që ai vë në shitje prej tij, mban etiketën, në përputhje me kërkesat e këtij rregulli teknik.”.
10. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Informacioni tekstual shtesë, i vendosur, sipas nevojës, në etiketim, mund të shoqërojë informacionin e kërkuar, sipas këtij rregulli teknik. Mungesa e këtij informacioni shtesë nuk pengon vendosjen në treg të veshjeve të këmbës, që përmbushin kërkesat e përcaktuara në këtë rregull teknik, në përputhje me pikën 7.”.
11. Në pikën 14 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në shkronjën “dh”, pas fjalës “… shollë …” shtohet “… të vendosur …”;
b) Në shkronjën “e”, fjalët “… me pak takë …” zëvendësohen me “… pa                   takë …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 5, të shkronjës “a”, të pikës 7, dhe të pikës 9, të cilat hyjnë në fuqi në ditën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.436, DATË 26.6.2024,                              TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN       E FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME                              TË ANTIKORRUPSIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 2, e 24, të                   ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Administratës Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “gj”, e pikës 1, të kreut IV, të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“gj) Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar;”.
2. Ngarkohen Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Ministria e Arsimit, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË DIBËR                                   TË NJË PJESE TË PASURISË NR.22/33, ZONA KADASTRALE 2932, ME EMËRTIMIN “MARKATË”, ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE PESHKOPI, DHE PËR DISA NDRYSHIME                         DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1533, DATË 19.11.2008,                                  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI                                         OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË PESHKOPI, TË QARKUT                          TË DIBRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të                            ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1533, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Peshkopi, të Qarkut të Dibrës”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Kudo në titull dhe në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Bashkia Peshkopi” zëvendësohet me “Bashkia Dibër”.
b) Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Dibër të një pjese të pasurisë nr.22/33, zona kadastrale 2932, me emërtimin “Markatë”, me vendndodhje në njësinë administrative Peshkopi, sipas formularit 1 (një) fletë, planit të rilevimit 1 (një) fletë dhe planimetrisë 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim përdorimin e saj për realizimin e funksioneve social-ekonomike.
1/2. Bashkisë Dibër i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pasurisë së përcaktuar në pikën 1/1 të këtij vendimi.”.
2. Ngarkohen Bashkia Dibër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.8/580, ZONA KADASTRALE 8180, ME VENDNDODHJE NË TIRANË, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.219,  DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PJESSHME (PJESA E PARË + PJESA E DYTË) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI                                         OSE NË PËRDORIM TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, BASHKIA TIRANË, TË QARKUT TË TIRANËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të                               ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë nr.8/580, zona kadastrale 8180, me vendndodhje në njësinë administrative Tiranë, sipas formularit 1 (një) fletë dhe planit të rilevimit 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për realizimin e funksioneve në fushën e arsimit.
2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Tiranë i ndalohet ndryshimi i destinacionit, tjetërsimi dhe dhënia në përdorim të tretëve të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për
 zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.