Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Nëntor 2026:
P R O J E K T L I GJ
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DRITARES SË VETME KOMBËTARE PËR DOGANAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj përcakton rregullat për krijimin dhe funksionimin e mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, i cili ofron një grup të integruar shërbimesh elektronike të ndërveprueshme për të mbështetur ndërveprimin dhe shkëmbimin e automatizuar të informacionit ndërmjet autoriteteve doganore, autoriteteve kompetente bashkërenduese dhe operatorëve ekonomikë, nëpërmjet sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, si dhe ndërveprimet me sistemet jodoganore, sipas legjislacionit në fuqi, për mallrat, që hyjnë dhe dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë.
2. Mjedisi i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (në vijim DVKD) mundëson për operatorët ekonomikë dhe palët e përfshira në tregti dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar për përmbushjen e formaliteteve doganore dhe jodoganore, sipas parimit “vetëm një herë” dhe në mënyrë të standardizuar.
Neni 2
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton:
a) rregullat për krijimin, funksionimin dhe zhvillimin e mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, si një grup i integruar shërbimesh elektronike;
b) detyrimin për bashkëpunimin përmes sistemit elektronik ndërmjet institucioneve të administratës shtetërore, autoriteteve doganore dhe autoriteteve të tjera kompetente bashkërenduese për shkëmbimin e automatizuar të informacionit;
c) procedurat për verifikimin e automatizuar të formaliteteve jodoganore dhe menaxhimin e sasive të mallrave të autorizuara, duke mundësuar ndërveprimin mes sistemeve elektronike përkatëse;
ç) mënyrën e thjeshtuar të dorëzimit të të dhënave nga operatorët ekonomikë, sipas parimit “vetëm një herë”, për përmbushjen e të gjitha kërkesave rregullatore për importin, eksportin dhe tranzitin e mallrave;
d) rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe autoriteteve të përfshira;
dh) mënyrën e përpunimit të të dhënave dhe mbrojtjen e informacionit tregtar dhe të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Fusha e veprimit
1. Ky ligj zbatohet për krijimin dhe funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat dhe për shkëmbimin elektronik të informacionit në procedurat doganore, sipas parimit “vetëm një herë”.
2. Ky ligj zbatohet për administratën doganore, autoritetet publike, që ushtrojnë kompetenca mbi mallrat në import, eksport dhe tranzit, si dhe për operatorët ekonomikë, që ndërveprojnë me këto autoritete nëpërmjet Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat.
3. Autoritetet ushtrojnë kompetencat e tyre nëpërmjet Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, në përputhje me legjislacionin përkatës dhe pa kërkuar paraqitjen e përsëritur të të njëjtit informacion.
Neni 4
Përkufizimet
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Mjedisi me dritare të vetme kombëtare për doganat”, një grup shërbimesh elektronike, të krijuara për të mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe ndërveprimin ndërmjet sistemeve elektronike të autoritetit doganor, të autoriteteve kompetente bashkërenduese dhe operatorëve ekonomikë;
b) “Autoritet kompetent bashkërendues”, çdo autoritet shtetëror, ent, agjenci apo institucion publik, i cili, bazuar në legjislacionin në fuqi, lëshon leje, licencë, autorizim, vërtetim apo çdo dokument tjetër mbështetës, me qëllim përmbushjen e formaliteteve jodoganore;
c) “Formaliteti jodoganor”, të gjitha procedurat që duhet të kryhen nga një operator ekonomik ose nga një autoritet kompetent bashkërendues për lëvizjen ndërkombëtare të mallrave, siç përcaktohet në legjislacionin e fushës në fuqi, të ndryshëm nga legjislacioni doganor;
ç) “Dokument mbështetës”, çdo dokument i kërkuar i lëshuar nga një autoritet kompetent bashkërendues ose i hartuar nga një operator ekonomik, ose çdo informacion i kërkuar dhe i ofruar nga një operator ekonomik, për të vërtetuar se formalitetet jodoganore janë përmbushur;
d) “Menaxhimi i sasisë”, veprimtaria e monitorimit dhe menaxhimit të sasisë së mallrave të autorizuara nga autoritetet kompetente bashkërenduese, në përputhje me legjislacionin e fushës, përveç legjislacionit doganor, bazuar në informacionin e dhënë nga autoritetet doganore;
dh) “Sistemi jodoganor”, një sistem elektronik në administrim të një autoriteti kompetent bashkërendues, i përdorur për përpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për formalitetet jodoganore nga autoritetet kompetente bashkërenduese, autoriteti doganor dhe operatorët ekonomikë, në funksion të ndërveprimit me Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
e) “Grupi i të dhënave të integruara” përmban të gjitha të dhënat e nevojshme për përmbushjen e formaliteteve doganore dhe jodoganore dhe përbëhet nga grupi i përbashkët i të dhënave për përmbushjen e këtyre formaliteteve, elementet shtesë të të dhënave të kërkuara për formalitetet jodoganore, sipas legjislacionit në fuqi, përveç atij doganor, si dhe grupi i të dhënave të kërkuara për vendosjen e mallrave nën një regjim specifik doganor ose për rieksport, sipas legjislacionit doganor;
ë) “European Union Customs Single Window – Certificates Exchange System (EU CSW – CERTEX)”, sistemi i shkëmbimit të certifikatave me Dritare të Vetme të Bashkimit Evropian për Doganat, siç përcaktohet në rregulloren (BE) 2022/2399 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 23 nëntor 2022, për krijimin e mjedisit me Dritare të Vetme të Bashkimit Evropian për Doganat dhe ndryshimin e rregullores (BE) nr.952/2013;
f) “Numri RIOE” (NUIS/NIPT)”, një numër unik i regjistrimit dhe identifikimit të operatorëve ekonomikë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, i caktuar nga autoriteti kompetent për një operator ekonomik ose për një person tjetër në mënyrë që ta regjistrojë atë edhe për qëllime doganore. Deri në implementimin e numrit RIOE do të përdoret NIUS/NIPT;
g) “Sistemi EORI”, sistemi i ngritur në përputhje me nenin 19, të Kodit Doganor;
gj) “Sistemi elektronik i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat”, sistemi qendror elektronik i dritares së vetme, i cili ofron shërbimet elektronike nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe mundëson dorëzimin, shkëmbimin dhe transmetimin e të dhënave dhe dokumenteve mbështetëse ndërmjet autoritetit doganor, autoriteteve kompetente bashkërenduese, sistemeve jodoganore dhe operatorëve ekonomikë;
h) “Kodi i ri doganor i Bashkimit Evropian (nUCC)”, rregullore e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për krijimin e Kodit Doganor të Bashkimit Evropian, e cila shfuqizon rregulloren (BE) nr.952/2013, dhe reformon kuadrin doganor të Bashkimit Evropian nëpërmjet një arkitekture, të bazuar në të dhëna;
i) “Qendra e të Dhënave Doganore e Bashkimit Evropian (EU Customs Data Hub – EU CDH)”, platforma e centralizuar elektronike e Bashkimit Evropian, e krijuar në bazë të kodit të ri doganor të Bashkimit Evropian (nUCC) dhe e administruar nga autoriteti doganor i Bashkimit Evropian, e cila shërben si mjedis i vetëm në nivelin e BE-së për dorëzimin, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave doganore dhe ndërvepron me EU CSW-CERTEX-in;
j) Termat “kontrollues” dhe “kontrollues i përbashkët” kanë kuptimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 5
Parime të përgjithshme
Krijimi, funksionimi dhe zhvillimi i mjedisit të Dritares së Vetme për Doganat, në Republikën e Shqipërisë udhëhiqen nga parimet e mëposhtme:
a) Parimi i lehtësimit të tregtisë: Thjeshtimi, standardizimi dhe përshpejtimi i procedurave për zhdoganimin e mallrave, me qëllim uljen e kostove dhe të barrës administrative për operatorët ekonomikë dhe rritjen e konkurrueshmërisë kombëtare;
b) Parimi i dorëzimit “vetëm një herë”: Operatorët ekonomikë dorëzojnë të dhënat dhe dokumentet e kërkuara për përmbushjen e formaliteteve doganore dhe jodoganore “vetëm një herë” përmes një pike të vetme hyrjeje elektronike;
c) Parimi i ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit digjital: Sigurimi i një mjedisi të integruar, ku sistemet elektronike të autoriteteve doganore e të autoriteteve kompetente bashkërenduese komunikojnë dhe shkëmbejnë informacion në mënyrë të automatizuar, të sigurt dhe në kohë reale. Ndërveprueshmëria sigurohet në nivel kombëtar dhe, kur është e aplikueshme, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian;
ç) Parimi i transparencës dhe llogaridhënies: Garantimi i qartësisë së procedurave për të gjithë përdoruesit dhe përcaktimi i saktë i roleve e të përgjegjësive të të gjitha institucioneve të përfshira në menaxhimin dhe funksionimin e sistemit, duke siguruar mekanizma të qartë për monitorimin e performancës;
d) Parimi i sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave: Mbrojtja e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së të dhënave tregtare dhe personale të përpunuara në sistem, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike;
dh) Parimi i përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare: Projektimi dhe funksionimi i sistemit në harmoni me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, për të siguruar ndërveprueshmërinë me sistemet partnere evropiane. Ky parim përfshin edhe harmonizimin me acquis të Bashkimit Evropian;
e) Parimi i efikasitetit dhe menaxhimit të riskut: Rritja e efikasitetit të kontrollit përmes përdorimit të të dhënave të integruara për një analizë më të mirë të riskut, duke lehtësuar lëvizjen e tregtisë së ligjshme dhe duke fokusuar burimet në operacionet me risk të lartë.
KREU II
SISTEMI ELEKTRONIK I SHKËMBIMIT TË CERTIFIKATAVE ME NJË DRITARE TË VETME DOGANORE
Neni 6
Krijimi i mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat
1. Mjedisi i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat përfshin:
a) sistemin elektronik me një dritare të vetme kombëtare doganore për shkëmbimin e dokumenteve mbështetëse;
b) sistemet jodoganore të autoriteteve kompetente bashkërenduese, që kontribuojnë me të dhënat dhe dokumentet mbështetëse, të përcaktuara në pjesën A, të shtojcës së këtij ligji, përdorimi i të cilave është i detyrueshëm;
c) sistemet jodoganore të autoriteteve kompetente bashkërenduese, që kontribuojne me të dhënat dhe dokumentet mbështetëse, të përcaktuara në pjesën B, të shtojcës së këtij ligji, përdorimi i të cilave është vullnetar;
ç) sisteme të tjera elektronike të administruara nga autoritete publike, që kanë kompetenca në fushat që lidhen me kontrollin, autorizimin ose mbikëqyrjen e mallrave në import, eksport ose tranzit, të cilat mund të integrohen në mënyrë vullnetare në Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat.
2. Mjedisi i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat dhe elementet përbërëse të tij krijohen, ndërlidhen dhe përdoren në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e të dhënave.
3. Autoritetet kompetente bashkërenduese administrojnë dhe mirëmbajnë vetë sistemet e tyre elektronike. Në rast të pamundësisë objektive për administrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, këto autoritete mund të lidhin marrëveshje me institucionin përgjegjës për shërbimet e qeverisjes elektronike, sipas parashikimeve të nenit 26, të këtij ligji. Pamundësia objektive vlerësohet kur autoriteti kompetent:
a) nuk disponon kapacitetet teknike ose infrastrukturore të nevojshme;
b) nuk ka burimet njerëzore të specializuara për administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemit;
c) nuk garanton nivelin e kërkuar të sigurisë së informacionit ose ndërveprimit me Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat;
Ndërlidhja e sistemeve elektronike doganore dhe jodoganore, brenda mjedisit të DVKD-së, nuk cenon funksionimin e pavarur të tyre dhe përgjegjësitë e autoriteteve kompetente për administrimin e tyre.
Neni 7
Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat dhe EU CSW – CERTEX-in të Bashkimit Evropian
1. Sistemi elektronik i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat i Republikës së Shqipërisë ndërlidhet me Sistemin Elektronik të Shkëmbimit të Certifikatave të Dritares së Vetme të Bashkimit Evropian për Doganat (EU CSW-CERTEX). Shkëmbimi i informacionit me sistemet jodoganore të Bashkimit Evropian kryhet nëpërmjet EU CSW-CERTEX-it.
2. Këshilli i Ministrave miraton planin kombëtar për integrimin progresiv të DVKD-së me EU CSW-CERTEX-in, duke përcaktuar afate për:
a) lidhjen e sistemeve jodoganore dhe shkëmbimin e informacionit për formalitetet jodoganore, të përcaktuara në shtojcën A, të këtij ligji, si dhe
b) kur është e nevojshme, përcaktimin e afateve për lidhjen e sistemeve jodoganore dhe shkëmbimin e informacionit për formalitetet jodoganore, të përcaktuara në shtojcën B, të këtij ligji.
3. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat, rishikon Planin Kombëtar për Integrimin rregullisht, të paktën një herë në tre vjet, në lidhje me vlerësimin dhe përmirësimin e zbatimit të këtij ligji.
4. Shkëmbimi i të dhënave, ndërmjet mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat dhe sistemeve të Bashkimit Evropian, kryhet vetëm në masën dhe mënyrën e parashikuar nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe nga legjislacioni në fuqi.
5. Në varësi të datës së anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe të kalendarit të zbatimit të Kodit të ri Doganor të Bashkimit Evropian (nUCC), ndërlidhja me EU CSW-CERTEX-in dhe shkëmbimi i informacionit me sistemet e Bashkimit Evropian mund të realizohen edhe drejtpërdrejt nëpërmjet Qendrës së të Dhënave Doganore të Bashkimit Evropian (EU Customs Data Hub – EU CDH), në vend të mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në acquis-në e Bashkimit Evropian.
Neni 8
Funksionet e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat
1. Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat në Republikën e Shqipërisë është pjesë e infrastrukturës shtetërore të teknologjisë së informacionit. Institucioni përgjegjës për shërbimet elektronike të qeverisjes garanton ndërveprimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet autoriteteve kompetente, nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit dhe portalit qeveritar “e-Albania”. Portali qeveritar “e-Albania” është pika e vetme e kontaktit për operatorët ekonomikë, nëpërmjet të cilit ofrohet çdo shërbim i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, pa cenuar shkëmbimin sistem-me-sistem me EU CSW-CERTEX-në dhe me sistemet jodoganore, sipas neneve 7 dhe 8, të këtij ligji.
2. Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat është sistemi në të cilin mundësohet shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi me mjete elektronike, ndërmjet autoriteteve doganore, autoriteteve kompetente bashkërenduese dhe operatorëve ekonomikë, për qëllime të zbatimit të legjislacionit doganor dhe përmbushjes së formaliteteve jodoganore, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Për formalitetet jodoganore dhe sistemet e listura në shtojcën A, të këtij ligji, Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat mundëson ofrimin e funksioneve të mëposhtme:
a) Një kanal të vetëm komunikimi për operatorët ekonomikë, të cilët e përdorin atë për të përmbushur formalitetet përkatëse doganore dhe formalitetet jodoganore, të parashikuara nga legjislacionin në fuqi, të cilat i nënshtrohen bashkëpunimit digjital shtesë;
b) Menaxhimin e sasisë në lidhje me formalitetet jodoganore, aty ku është e aplikueshme;
c) Verifikimin automatik të përputhshmërisë së të dhënave për përmbushjen e formaliteteve jodoganore, të përcaktuara në shtojcën e këtij ligji, bazuar në të dhënat e marra nga autoriteti doganor nëpërmjet DVKD-së, të transmetuara nga sistemet përkatëse jodoganore;
ç) Komunikimin për operatorët ekonomikë të reagimeve elektronike, përgjigjeve dhe vendimeve të autoritetit doganor dhe autoriteteve kompetente bashkërenduese, lidhur me përmbushjen e formaliteteve doganore dhe jodoganore.
4. Për formalitetet jodoganore dhe sistemet e listuara në shtojcën B, bashkëlidhur këtij ligji, DVKD-ja mund të ofrojë funksionalitetet e listuara në shkronjat “a” dhe “ç”, të pikës 3, të këtij neni.
5. Për secilën nga formalitetet jodoganore dhe sistemet e listuara në pjesën B, të shtojcës, nëse mjedisi DVKD është lidhur me EU CSW-CERTEX-in, në përputhje me shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 7, të këtij ligji, atëherë ky mjedis kombëtar ofron të gjitha funksionalitetet e listuara në pikën 3, të këtij neni.
6. Mjedisi me Dritare të Vetme Kombëtare për Doganat përdoret edhe si një platformë për të koordinuar kontrollet e kryera, në përputhje me pikën 1, të nenit 48, të Kodit Doganor.
7. Ndërveprimi i mjedisit të DVKD-së me sistemet jodoganore, të listuara në shtojcat A dhe B, si dhe me portalin qeveritar “e-Albania”, realizohet nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit, pa krijuar një pikë të dytë kontakti për operatorët ekonomikë.
Neni 9
Integrimi i formaliteteve jodoganore në DVKD dhe kriteret përzgjedhëse
1. Shërbimet që ofrohen nëpërmjet Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (DVKD) përbëjnë mënyrën e realizimit elektronik të formaliteteve jodoganore, të përcaktuara në shtojcat A dhe B, të këtij ligji, si dhe të formaliteteve të tjera jodoganore, të përfshira në DVKD, sipas pikës 5, të këtij neni, në përputhje me parimin “vetëm një herë” dhe ndërveprimin ndërinstitucional.
2. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat, përcakton autoritetet kompetente, që marrin pjesë në realizimin e këtyre formaliteteve, elementet përbërëse, si dhe masat dhe rregullat e nevojshme për zbatimin e tyre, në përputhje me këtë ligj dhe me kompetencat e tyre, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Formati i dokumenteve dhe afati për fillimin e ofrimit të shërbimit elektronik përkatës vetëm nëpërmjet DVKD-së, ose i ndërprerjes së ofrimit të këtij shërbimi, jashtë DVKD-së, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës ose të titullarit të institucionit që ofron shërbimin përkatës.
4. Me propozim të ministrit përgjegjës për financat, Këshilli i Ministrave përcakton me vendim formalitetet jodoganore, të listuara në shtojcat A dhe B, të këtij ligji, që i nënshtrohen bashkëpunimit digjital shtesë, sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 8, dhe të neneve 10, 11 e 15, të këtij ligji, kur plotësohen kriteret e mëposhtme:
a) Ekziston një shkallë mbivendosjeje midis të dhënave që duhen përfshirë në deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit dhe të dhënave që duhen përfshirë në dokumentet mbështetëse, të kërkuara për formalitetet jodoganore të listuara në shtojcë;
b) Numri i dokumenteve mbështetëse të lëshuara nga autoritetet kompetente bashkërenduese për formalitetin specifik nuk është i papërfillshëm, duke u bazuar në analizën e flukseve historike doganore dhe administrative;
c) Mundësia e identifikimit të operatorit ekonomik nga sistemet jodoganore të autoriteteve kompetente bashkërenduese përmes numrit identifikues RIOE;
ç) Legjislacioni në fuqi, përveç atij doganor, lejon përmbushjen e formalitetit jodoganor përmes mjedisit të DVKD-së, në përputhje me shkronjat “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji.
5. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe në bashkërendim me autoritetet kompetente sektoriale, miraton me vendim përfshirjen në DVKD të formaliteteve të tjera jodoganore, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përveç atyre të përcaktuara në shtojcat A dhe B, të këtij ligji.
Neni 10
Harmonizimi i të dhënave
1. Me propozim të ministrit përgjegjës për financat, Këshilli i Ministrave miraton:
a) “grupin e përbashkët të të dhënave”, që përbëhet nga grupi i të dhënave të përbashkëta, të kërkuara për deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit, si dhe në dokumentat mbështetëse të kërkuara për formalitetet jodoganore të integruara në mjedisin DVKD;
b) elementet shtesë të të dhënave të kërkuara nga legjislacioni në fuqi për përmbushjen e secilit prej formatiteteve jodoganore, përveç legjislacionit doganor. Këto elemente shtesë të të dhënave të identifikuara emërtohen nga akronimi përkatës i formalitetit jodoganor, të listuar në shtojcë, e ndjekur nga prapashtesa “grupi i të dhënave të autoritetit kompetent bashkërendues”;
c) rregullat për hedhjen dhe popullimin e të dhënave për lidhjen e sistemeve jodoganore në mjedisin e DVKD-së dhe përmbushjen e formaliteteve jodoganore përkatëse, si dhe administrimin dhe përdorimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat nga autoritetet kompetente bashkërenduese.
2. Grupi i përbashkët i të dhënave, elementet e të dhënave shtesë, të përmendura në shkronjën “b”, të nenit 1, të këtij ligji, dhe grupi i të dhënave të kërkuara për vendosjen e mallrave nën një regjim specifik doganor ose rieksporti, sipas legjislacionit doganor, përbëjnë “grupin e të dhënave të integruara”, që përmban të dhënat e nevojshme nga autoritetet doganore dhe autoritetet kompetente bashkërenduese.
Neni 11
Dorëzimi i të dhënave doganore dhe jodoganore nga operatorët ekonomikë
1. Mjedisi i Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat u mundëson operatorëve ekonomikë dorëzimin elektronik të “grupit të të dhënave të integruara”, duke përfshirë deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit, përpara paraqitjes së mallit, në përputhje me nenin 156, të Kodit Doganor.
2. “Grupi i integruar i të dhënave”, i paraqitur në përputhje me pikën 1, të këtij neni, përbën, sipas rastit, deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit, si dhe dorëzimin e të dhënave të kërkuara nga autoritetet kompetente bashkërenduese për formalitetet jodoganore, të listuara në shtojcë.
3. Dokumentacioni dhe të dhënat e plota, që shoqërojnë formalitetet doganore e jodoganore, ruhen dhe administrohen në sistemet elektronike të autoriteteve përgjegjëse, ndërsa mjedisi DVKD siguron ndërlidhjen dhe transferimin e të dhënave teknike dhe atyre personale, sipas parashikimeve të këtij ligji.
4. Të dhënat personale, të përpunuara në mjedisin e DVKD-së, fshihen ose anonimizohen kur nuk janë më të nevojshme për qëllimet e përpunimit, duke respektuar afatet e ruajtjes, të përcaktuara në legjislacionin doganor dhe legjislacionin e posaçëm në fuqi. Procedurat për fshirjen ose anonimizimin e të dhënave përcaktohen në marrëveshjet e parashikuara në nenin 14, të këtij ligji, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 12
Përpunimi i të dhënave personale brenda mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat
1. Përpunimi i të dhënave personale, brenda mjedisit të DVKD-së, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky përpunim kryhet veçmas nga veprimet e përpunimit, të kryera nëpërmjet Sistemit të Shkëmbimit të Certifikatave me Dritare të Vetme të Bashkimit Evropian (EU CSW-CERTEX), pa cenuar ndërveprimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet tyre.
2. Autoriteti doganor dhe autoritetet kompetente bashkërenduese veprojnë si kontrollues të përbashkët për veprimet e përpunimit të të dhënave personale në mjedisin e DVKD-së, për të cilat përcaktojnë bashkërisht qëllimet dhe mjetet e përpunimit. Për veprimet e përpunimit, që kryejnë në mënyrë të pavarur, në ushtrim të kompetencave të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, këto autoritete veprojnë si kontrollues të pavarur.
3. Subjektet, që përpunojnë të dhëna personale në emër të kontrolluesve, veprojnë si përpunues, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Autoriteti doganor dhe autoritetet kompetente bashkërenduese njoftojnë Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për shkeljet e të dhënave personale, që rrezikojnë sigurinë, konfidencialitetin, disponueshmërinë ose integritetin e të dhënave personale të përpunuara në DVKD.
Neni 13
Kategoritë e përpunimit të të dhënave personale
1. Përpunimi i të dhënave personale në mjedisin e DVKD-së kryhet vetëm për qëllimet e mëposhtme:
a) Për shkëmbimin e informacionit ndërmjet mjedisit DVKD dhe sistemeve jodoganore të autoriteteve kompetente bashkërenduese për përmbushjen e formaliteteve jodoganore, të integruara në këtë mjedis;
b) Për transmetimin dhe përpunimin teknik të të dhënave të operatorëve ekonomikë dhe të të dhënave të tyre personale, kur kjo është e nevojshme, për realizimin e shkëmbimit të informacionit, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.
2. Përpunimi i të dhënave personale në DVKD kufizohet vetëm te kategoritë e mëposhtme të subjekteve:
a) Personat fizikë, të dhënat personale të të cilëve gjenden në deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit;
b) Personat fizikë, të dhënat personale të të cilëve gjenden në dokumentet mbështetëse, që kërkohen për përmbushjen e formaliteteve jodoganore, të listuara në shtojcat A dhe B, të këtij ligji;
c) Personeli i autorizuar i autoriteteve doganore, autoriteteve kompetente bashkërenduese ose çdo autoriteti tjetër përkatës apo organi të autorizuar, të dhënat personale të të cilëve shfaqen në dokumente të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike;
ç) Ofruesit e palëve të treta të shërbimit, që veprojnë në emër të operatorit të sistemit, të cilët kryejnë operacione dhe aktivitete të mirëmbajtjes të lidhura me DVKD-në.
3. Përpunimi i të dhënave personale në DVKD kufizohet vetëm në këto kategori të dhënash:
a) Emrin, adresën, kodin e shtetit dhe numrin e identifikimit të personave, të përcaktuar në shkronjat “a” dhe “ b”, të pikës 2, të këtij neni;
b) Emrin dhe nënshkrimin e personelit, të përcaktuar në shkronjat “c” dhe“ ç”, të pikës 2, të këtij neni.
4. Me përjashtim të regjistrimeve teknike, që tregojnë dokumentet mbështetëse, të shkëmbyera dhe rrjedhën e këtij shkëmbimi, sistemi elektronik i DVKD-së nuk ruan asnjë informacion të shkëmbyer midis tij dhe sistemeve jodoganore. Sistemi elektronik i DVKD-së funksionon si një sistem përpunues dhe transmetues i të dhënave, i cili nuk krijon dhe nuk administron baza të dhënash autonome për përmbajtjen e plotë të informacionit të shkëmbyer. Sistemi elektronik i DVKD-së nuk ruan të dhëna personale ose të dhëna tregtare përtej kohës së nevojshme për përpunimin dhe transmetimin e tyre, përveç regjistrave teknikë të nevojshëm për dokumentimin e shkëmbimit dhe gjurmueshmërisë së veprimeve. Të dhënat e plota ruhen dhe administrohen në sistemet burimore përkatëse të autoriteteve doganore dhe autoriteteve kompetente bashkërenduese.
5. Transformimi i të dhënave personale, i referuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, kryhet duke përdorur infrastrukturë teknologjike të informacionit të miratuar për funksionimin e këtij sistemi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike.
Neni 14
Kontrolli i përbashkët i të dhënave personale
1. Autoritetet doganore dhe autoritetet kompetente bashkërenduese përgjegjëse për formalitetet jodoganore, të përcaktuara në shtojcat A dhe B, janë kontrollues të përbashkët sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Kontrolluesit e përbashkët rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre nëpërmjet një marrëveshjeje të brendshme, e cila përcakton në mënyrë transparente ndarjen e përgjegjësive për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe garantimin e të drejtave për subjektet e të dhënave. Elementet thelbësore të marrëveshjes i vihet në dispozicion subjekteve, pa cenuar ushtrimin e të drejtave e tyre bazuar në legjislacionin në fuqi për të dhënat personale.
2. Kontrollorët e përbashkët të të dhënave personale duhet:
a) të bashkëpunojnë për të përpunuar, në kohën e duhur, kërkesat e bëra nga subjektet e të dhënave;
b) të asistojnë në çështjet që kanë të bëjnë me identifikimin dhe trajtimin e çdo shkeljeje të të dhënave të lidhura me përpunimin e përbashkët;
c) të shkëmbejnë informacionin e nevojshëm për të informuar subjektet e të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
ç) të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar sigurinë, integritetin, disponueshmërinë dhe konfidencialitetin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Marrëveshja ndërmjet kontrolluesve të përbashkët, sipas pikës 1, të këtij neni, përcakton përgjegjësitë për zbatimin e masave teknike dhe organizative të sigurisë së përpunimit, kontrollin dhe regjistrimin e aksesit, ruajtjen e konfidencialitetit, menaxhimin e incidenteve, si dhe raportimin e trajtimin e rasteve të cenimit të të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
KREU III
RREGULLAT PËR BASHKËPUNIMIN DHE NDËRVEPRIMIN ELEKTRONIK TË INFORMACIONIT
Neni 15
Informacioni i shkëmbyer dhe i përpunuar përmes DVKD-së dhe përdorimi i tij
1. Shkëmbimi i informacionit për formalitetet jodoganore, të integruara në mjedisin e DVKD-së, bëhet për qëllime e mëposhtme:
a) Vënien në dispozicionin e autoritetit doganor të të dhënave përkatëse për kryerjen e verifikimit të nevojshëm të këtyre formaliteteve, në përputhje me Kodin Doganor në mënyrë të automatizuar;
b) Vënien në dispozicion të autoriteteve kompetente bashkërenduese të të dhënave përkatëse, në mënyrë që ato të kryejnë menaxhimin e sasisë së mallrave të autorizuara, bazuar në mallrat e deklaruara pranë autoriteteve doganore dhe të çliruara nga këto autoritete;
c) Lehtësimin e procedurave dhe mbështetjen për integrimin e tyre ndërmjet autoritetit doganor dhe autoriteteve kompetente bashkërenduese, për përmbushjen në mënyrë të automatizuar të formaliteteve të kërkuara për vendosjen e mallrave nën një procedurë doganore ose rieksporti, si dhe bashkëpunimin në lidhje me koordinimin e kontrolleve, në përputhje me pikën 1, të nenit 48, të Kodit Doganor;
ç) Mundësimin e çdo transmetimi tjetër të automatizuar të të dhënave ndërmjet autoritetit doganor dhe autoriteteve kompetente bashkërenduese.
2. Për secilin nga formalitetet jodoganore të integruara në DVKD duhet të plotësohen funksionet e mëposhtme:
a) Përafrimi i terminologjisë doganore dhe asaj jodoganore, aty ku është e mundur, dhe identifikimi i procedurave doganore ose të rieksportit për të cilat përdoret dokumenti mbështetës;
b) Përshtatja e formatit të të dhënave të kërkuara për të përmbushur formalitetet jodoganore në format të dhënash të përputhshme me deklaratën doganore ose deklaratën e rieksportit dhe anasjelltas, pa ndryshuar përmbajtjen e këtyre të dhënave.
Neni 16
Dorëzimi elektronik i dokumenteve mbështetëse për formalitetet jodoganore
Dokumentet mbështetëse për formalitetet jodoganore të listuara në shtojcë, në zbatim të këtij ligji dhe të nenit 150, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, do të konsiderohen se janë në posedim të deklaruesit dhe në dispozicion të autoriteteve doganore në kohën kur deklarata doganore depozitohet, me kusht që këto autoritete të jenë në gjendje të marrin të dhënat nga sistemet përkatëse jodoganore nëpërmjet sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 15, të këtij ligji.
Neni 17
Përdorimi i sistemit elektronik RIOE
Për shkëmbimin e informacionit, brenda mjedisit të DVKD-së, si identifikues unik, përdoret:
a) NUIS/NIPT-i për operatorët ekonomikë, personat juridikë, organizatat jofitimprurëse dhe institucionet;
b) numri i identitetit (NID) për personat fizikë.
Numri RIOE i referohet standardit të Bashkimit Evropian (EORI). Deri në implementimin e tij, përdoret NUIS/NIPT-i.
KREU IV
PËRGJEGJËSITË INSTITUCIONALE PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT
MONITORIMIT DHE RAPORTIMIT
Neni 18
Institucionet dhe përgjegjësitë e tyre lidhur me mjedisin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat
Institucionet dhe organet, që kanë përgjegjësi dhe detyra lidhur me Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat, janë, si më poshtë vijon:
1. Ministri përgjegjës për financat;
2. Komiteti Mbikëqyrës i DVKD-së;
3. Kordinatori Kombëtar;
4. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
5. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit;
6. Autoritetet Kompetente Bashkërenduese;
7. Operatorët ekonomikë.
Neni 19
Përgjegjësitë e ministrit përgjegjës për financat
1. Ministri përgjegjës për financat, me propozim të Komitetit Mbikëqyrës të DVKD-së, miraton me udhëzim, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, të parashikuara në pikën 1, të nenit 10, të këtij ligji:
a) formatet teknike, strukturën e mesazheve dhe protokollet e shkëmbimit për elementet e të dhënave të përbashkëta dhe elementet shtesë të të dhënave, të miratuara sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 10, të këtij ligji;
b) rregullat teknike dhe procedurale të shkëmbimit të informacionit për secilin formalitet jodoganor të integruar në mjedisin e DVKD-së;
c) masat teknike dhe organizative për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale në procesin e shkëmbimit të informacionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
ç) procedurat dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.
2. Udhëzimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, nuk përcaktojnë elemente të reja të të dhënave dhe nuk krijojnë detyrime shtesë për operatorët ekonomikë, përtej atyre të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas nenit 10, të këtij ligji.
Neni 20
Përbërja dhe përgjegjësitë e Komitetit Mbikëqyrës të Mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat
1. Komiteti Mbikëqyrës për Mjedisin e DVKD-së është organ kolegjial bashkërendues, i cili krijohet me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, dhe përbëhet nga:
a) tre përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për financat;
b) një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për tregtinë;
c) titullari i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe 3 përfaqësues të tjerë;
ç) titullari i institucionit përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK;
d) titullarët e autoriteteve kompetente bashkërenduese;
dh) tre përfaqësues të shoqatave të biznesit ose ekspertë të fushës, aktiviteti i të cilëve lidhet me tregtinë ndërkombëtare.
2. Komiteti Mbikëqyrës për Mjedisin e DVKD-së kryesohet nga Kordinatori Kombëtar.
3. Komiteti Mbikëqyrës i DVKD-së është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të proceseve administrative dhe teknike të DVKD-së, çështjeve për lehtësimin e tregtisë të lidhura me rregullat dhe procedurat doganore dhe zbatimit të formaliteteve jodoganore, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj.
4. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Komitetit Mbikëqyrës miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e Komitetit Mbikëqyrës.
5. Komiteti Mbikëqyrës shqyrton dhe trajton të gjitha çështjet që lidhen me funksionimin dhe mbarëvajtjen e DVKD-së. Komiteti Mbikëqyrës ka të drejtë të krijojë grupe pune ad-hoc për hartimin, analizimin apo vlerësimin e çështjeve me karakter të veçantë, për të cilat Komiteti Mbikëqyrës duhet të marrë një vendim apo të propozojë ndërmarrjen e masave në organet më të larta përgjegjëse, për funksionimin e DVKD-së.
6. Komiteti Mbikëqyrës propozon ndryshimet në aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse pranë ministrive të linjës për formalitetet jodoganore që integrohen në mjedisin e DVKD-së, me qëllim përshtatjen e këtij legjislacioni me Kodin Doganor dhe standardet ndërkombëtare. Ai gjithashtu propozon rregullat për popullimin e të dhënave, për shkëmbimin e informacionit, për lidhjen e sistemeve jodoganore në mjedisin e DVKD-së dhe për përmbushjen e formaliteteve jodoganore përkatëse, si dhe për administrimin e përdorimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat nga autoritetet kompetente bashkërenduese.
7. Komiteti Mbikëqyrës ndërmjetëson zgjidhjen e mosmarrëveshjeve teknike ose/dhe administrative ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe autoriteteve kompetente bashkërenduese.
8. Komiteti Mbikëqyrës propozon periudhën e aplikimit të tarifave dhe kategoritë e përdoruesve të sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, pas fillimit të funksionimit të tij, ndërsa tarifat e shërbimit, të bazuara në parimin e mbulimit të kostove, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Komiteti Mbikëqyrës ka të drejtën e përfitimit të shpërblimit për mbledhjet e zhvilluara, të cilat janë maksimumi 12 mbledhje në vit. Masa e shpërblimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, që rregullon shpërblimin e organeve, komisioneve dhe bordeve kolegjiale.
10. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave cakton përbërjen dhe funksionet e sekretariatit teknik të Komitetit Mbikëqyrës.
Neni 21
Përgjegjësitë e Koordinatorit Kombëtar
1. Koordinatori Kombëtar i DVKD-së është nivel i lartë drejtues dhe caktohet me urdhër nga ministri përgjegjës për financat dhe kryen detyrat e mëposhtme:
a) Vepron si pikë kombëtare kontakti për të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me zbatimin e dispozitave të këtij ligji;
b) Promovon dhe mbështet në nivel kombëtar bashkëpunimin ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, autoriteteve kompetente bashkërenduese dhe komunitetit të biznesit për zbatimin e dispozitave të këtij ligji;
c) Koordinon dhe raporton të gjitha aktivitetet dhe problematikat në lidhje me funksionimin dhe ndërveprimin e mjedisit të DVKD-së në Republikën e Shqipërisë me BE CSW-CERTEX-in.
2. Koordinatori Kombëtar i paraqet ministrit përgjegjës për financat dhe Këshillit të Ministrave, brenda 3 mujorit të parë të vitit pasardhës, raport mbi zbatimin e këtij ligji, i cili përfshin:
a) pasqyrën e formaliteteve jodoganore të autoriteteve kompetente bashkërenduese, të përfshira në legjislacionin në fuqi dhe propozimet për ndryshimet ligjore përkatëse nëse është e nevojshme;
b) ecurinë e përdorimit dhe funksionimit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat në lidhje me zbatimin e këtij ligji;
c) një pasqyrë të detajuar të progresit të përgjithshëm të arritur në DVKD-në në lidhje me planin e punës për lidhjen e sistemeve jodoganore me mjedisin e DVKD-së.
Neni 22
Përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është autoriteti përgjegjës për DVKD-në, dhe ka këto përgjegjësi:
1. Ka cilësinë e administruesit të të dhënave të përdorura për qëllime doganore në mjedisin e DVKD-së.
2. Mbikëqyr funksionimin e përgjithshëm të mjedisit të DVKD-së dhe zbatimin korrekt të procedurave doganore për dokumentacionin që administrohet nëpërmjet DVKD-së.
3. Përdor mjedisin e DVKD-së për verifikimin e automatizuar të formaliteteve doganore dhe jodoganore, bazuar në shkëmbimin e të dhënave me autoritetet kompetente bashkërenduese.
4. Përdor të dhënat e marra nga autoritetet bashkërenduese, përmes sistemit për menaxhimin e sasisë së mallrave të autorizuara nga ana e tyre.
5. Koordinon kontrollet me autoritetet e tjera, kur është e nevojshme, duke përdorur këtë mjedis si një mjet për shkëmbimin e informacionit.
6. Vepron si kontrollues i përbashkët i të dhënave personale, së bashku me autoritetet kompetente bashkërenduese, për të dhënat e përpunuara në DVKD.
Neni 23
Përgjegjësitë e institucionit përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK
1. Në zbatim të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, institucioni përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK në Republikën e Shqipërisë, administron e kryen mirëmbajten teknike dhe infrastrukturore të sistemit të DVKD-së, si dhe ushtron edhe përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Integron dhe siguron funksionimin e pandërprerë teknik të platformës së DVKD-së;
b) Monitoron sigurinë kibernetike, integritetin dhe disponueshmërinë e sistemit dhe të dhënave që përpunohen në të, në përputhje me standardet më të larta teknike;
c) Siguron ndërveprueshmërinë teknike ndërmjet sistemeve elektronike të autoritetit doganor dhe atyre të autoriteteve kompetente bashkërenduese;
ç) Mirëmban platformën, sipas rastit, bazuar në marrëveshjen e lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe përditëson sistemin; në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e reja ligjore;
d) Raporton dhe mban të informuar të gjitha autoritetet përgjegjëse lidhur me problematikat e shfaqura në kohë reale dhe zgjidhjet teknike dhe operacionale përkatëse të funksionimit normal të platformës së DVKD-së.
2. Në zbatim të rregullave, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, sipas pikës 2, të nenit 27, të këtij ligji, titullari i institucionit përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK miraton rregullore për detajet teknike e operacionale, brenda fushës së tij të përgjegjësisë, në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe me autoritetet kompetente bashkërenduese.
3. Institucioni përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK paraqet në mënyrë periodike pranë Komitetit Mbikëqyrës raporte të monitorimit për funksionimin e DVKD-së, raportet e performancës dhe statistikat përkatëse.
Neni 24
Përgjegjësitë e autoriteteve kompetente bashkërenduese
Autoritetet kompetente bashkërenduese kanë këto përgjegjësi:
1. Sigurojnë funksionimin dhe mirëmbajtjen operacionale të sistemit jodoganor, vetë ose nëpërmjet institucionit përgjegjës për shërbimet e qeverisjes elektronike, sipas marrëveshjes së parashikuar në nenin 26, të këtij ligji, me qëllim ndërveprimin me sistemin elektronik të DVKD-së dhe për të mundësuar shkëmbimin e automatizuar të të dhënave.
2. Vendosin në dispozicion të autoritetit doganor, përmes DVKD-së, të dhënat e nevojshme për verifikimin e automatizuar të dokumenteve mbështetëse, të tilla si leje, licenca, autorizime, apo të ngjashme që ato lëshojnë.
3. Përdorin të dhënat e marra nga autoriteti doganor për menaxhimin e sasisë së mallrave të autorizuara në sistemet e tyre.
4. Veprojnë si kontrollues të përbashkët të të dhënave personale, së bashku me autoritetin doganor, për të dhënat që u përkasin formaliteteve të tyre.
5. Zbatojnë vendimet, detyrat dhe përgjegjësitë që u ngarkohen nga institucionet dhe organet zbatuese të këtij ligji, brenda fushës së përgjegjësisë, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës.
Neni 25
Përgjegjësitë e operatorëve ekonomikë
Operatorët ekonomikë kanë këto përgjegjësi:
1. Të dorëzojnë në mënyrë elektronike, përmes pikës së vetme të hyrjes së DVKD-së, të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar për përmbushjen e formaliteteve doganore e jodoganore.
2. Të sigurojnë saktësinë, plotësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të transmetuara përmes sistemit.
3. Të respektojnë procedurat, afatet dhe standardet teknike, të përcaktuara për përdorimin dhe funksionimin e mjedisit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat.
Neni 26
Marrëveshjet e nivelit të bashkëpunimit dhe ofrimit të shërbimit
1. Në zbatim të rregullave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të këtij ligji, për krijimin dhe funksionimin e sistemeve të ruajtjes së informacionit të vazhdimësisë së veprimtarisë dhe të marrëveshjeve të nivelit të bashkëpunimit, autorizohet lidhja e marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të ofrimit të shërbimeve, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lidh marrëveshje bashkëpunimi me institucionin përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK, ku përcaktohet fusha e shërbimit, mirëmbajtja e platformës dhe burimi i financimit të saj, procedurat e standardet e performancës, masat e sigurisë dhe ndërveprueshmërisë, menaxhimin e incidenteve e të problematikave dhe mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në përputhje me fushat e përgjegjësisë së të dyja institucioneve;
b) Institucioni përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK autorizohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet kompetente bashkërenduese, ku përcaktohet niveli i bashkëpunimit në lidhje me procedurat dhe veprimet në këtë mjedis, përcaktimin e kushteve, të drejtat, detyrimet mes tyre, apo kufizimet në ofrimin e nivelit të shërbimit për krijimin dhe funksionimin e DVKD-së, përfshirë të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella për shkëmbimin e të dhënave, nivelin e bashkëpunimit, protokollet teknike e garancitë për cilësinë dhe integritetin e të dhënave;
c) Institucioni përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK autorizohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi mbi nivelin e ofrimit të shërbimit me operatorët ekonomikë, si përdorues fundor, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tyre të sigurisë, përgjegjësitë për saktësinë e të dhënave, disponueshmërinë e shërbimit, rregullat mbi pronësinë e informacionit dhe procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
2. Marrëveshjet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, hartohen dhe zbatohen në përputhje me standardet teknike, protokollet e komunikimit dhe modelet e të dhënave, që do të përdoren, për të siguruar ndërveprimin e mjedisit të DVKD-së me Sistemin e Shkëmbimit të Certifikatave me Dritare të Vetme të Bashkimit Evropian. Marrëveshjet e bashkëpunimit rregullojnë detajet operacionale dhe teknike të zbatimit, në përputhje me ndarjen e përgjegjësive, të përcaktuara në nenet 22 dhe 23, të këtij ligji, pa e ndryshuar atë.
3. Marrëveshjet e parashikuara në këtë nen respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë masat për sigurinë e përpunimit, menaxhimin e incidenteve dhe procedurat për trajtimin e cenimit të të dhënave personale.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 27
Dispozita të fundit dhe kalimtare
1. Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministritë përgjegjëse dhe autoritetet kompetente bashkërenduese ndërmarrin, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, nismat për harmonizimin dhe përafrimin e legjislacionit sektorial në fuqi, që rregullon kontrollin, autorizimin, licencimin ose mbikëqyrjen e mallrave në import, eksport dhe tranzit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe inovacionin, miraton rregulla për organizimin, funksionimin, bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar të sistemit të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat dhe mjedisit të tij, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
3. Ndërlidhja efektive e sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat me EU CSW-CERTEX-in, sipas pikës 1, të nenit 7, të këtij ligji, realizohet nga data e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Deri në këtë datë, plani kombëtar, sipas pikës 2, të nenit 7, të këtij ligji, miratohet, zbatohet dhe rishikohet si në funksion të zbatimit të këtij ligji.
4. Nga data e anëtarësimit, marrëdhëniet e rregulluara, sipas këtij ligji, do t’i nënshtrohen zbatimit të drejtpërdrejtë të rregullores (BE) 2022/2399 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, si dhe akteve të deleguara e zbatuese të nxjerra në bazë të saj.
5. Dispozitat, që lidhen me ofrimin e shërbimeve në Dritaren e Vetme Kombëtare për Doganat për formalitetet jodoganore, të përcaktuara në shtojcat e këtij ligji (shtojcat A dhe B), zbatohen pas ngritjes dhe fillimit të funksionimit të plotë të sistemit elektronik të Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat, sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore përkatëse.
Neni 28
Aktet nënligjore
1. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton aktet nënligjore në zbatim të pikës 2, të nenit 7; pikës 2, të nenit 9; pikës 4, të nenit 9; pikës 5, të nenit 9; pikës 1, të nenit 10; pikës 8, të nenit 20; pikës 1, të nenit 26; dhe në bashkërendim me ministrin përgjegjës për ekonominë dhe inovacionin, në zbatim të pikës 2, të nenit 27, të këtij ligji.
2. Ministri përgjegjës për financat miraton, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet, në zbatim të pikave 1 dhe 4, të nenit 20, dhe të pikës 1, të nenit 21, si dhe, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet në zbatim të nenit 19, të këtij ligji.
3. Ministri përgjegjës ose titullari i institucionit që ofron shërbimin përkatës miraton aktet, në zbatim të pikës 3, të nenit 9, të këtij ligji, brenda afateve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar sipas pikës 2, të nenit 9, të këtij ligji.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave miraton, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktin, në zbatim të pikës 10, të nenit 20, të këtij ligji.
5. Titullari i institucionit përgjegjës për infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike TIK miraton, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, rregulloren në zbatim të pikës 2, të nenit 23, të këtij ligji.
6. Deri në miratimin e akteve nënligjore, sipas këtij neni, formalitetet jodoganore, të përcaktuara në shtojcat A dhe B, kryhen sipas legjislacionit sektorial në fuqi.
Neni 29
Shfuqizimi
Ky ligj shfuqizohet me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Neni 30
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DRITARES SË VETME KOMBËTARE PËR DOGANAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES ADMINISTRATIVE STANDARDE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË FONDIT TË MIRËBESIMIT ME SHUMË PARTNERË TË PROGRAMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ZHVILLIM, PËR FONDIN E PËRSHPEJTIMIT TË ARRITJES SË OBJEKTIVAVE TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM (OZHQ) PËR SHQIPËRINË, FAZA E DYTË
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes administrative standarde, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Fondit të Mirëbesimit me Shumë Partnerë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, për fondin e përshpejtimit të arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ) për Shqipërinë, faza e dytë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES ADMINISTRATIVE STANDARDE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË FONDIT TË MIRËBESIMIT ME SHUMË PARTNERË TË PROGRAMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ZHVILLIM, PËR FONDIN E PËRSHPEJTIMIT TË ARRITJES SË OBJEKTIVAVE TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM (OZHQ) PËR SHQIPËRINË, FAZA E DYTË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes administrative standarde, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Fondit të Mirëbesimit me Shumë Partnerë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, për fondin e përshpejtimit të arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ) për Shqipërinë, faza e dytë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.73/2021, “PËR HEDHJEN NË TREG DHE MBIKËQYRJEN E ARTIKUJVE PIROTEKNIKË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.73/2021, “PËR HEDHJEN NË TREG DHE MBIKËQYRJEN E ARTIKUJVE PIROTEKNIKË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.73/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”, bëhet shtesa e mëposhtme:
Neni 1
Pas pikës 6, të nenit 24, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Tarifat për të mbuluar kostot administrative të trajtimit të aplikimeve për licenca/autorizime caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Të ardhurat e gjeneruara nga arkëtimi i këtyre tarifave derdhen në buxhetin e shtetit.”.
Neni 2
Këshilli i Ministrave, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton aktin nënligjor, në zbatim të pikës 7, të nenit 24, të ligjit.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.74/2021, “PËR HEDHJEN NË TREG DHE MBIKËQYRJEN E LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.74/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.74/2021, “PËR HEDHJEN NË TREG DHE MBIKËQYRJEN E LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.74/2021, “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e lëndëve plasëse për përdorim civil”, bëhet shtesa e mëposhtme:
Neni 1
Pas pikës 7, të nenit 21, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Tarifat për të mbuluar kostot administrative të trajtimit të aplikimeve për licenca/autorizime caktohen nga Këshilli i Ministrave.”.
Neni 2
Këshilli i Ministrave, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton aktin nënligjor, në zbatim të nenit 1, të këtij ligji.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI