Kryeministri Rama ka zgjedhur të jetë vetë i pranishëm në fazën finale të konkurrimit për pozicionin Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës. 7 kandidatët finalistë prezantuan publikisht idetë dhe vizionin e tyre për zhvillimin e arsimit në qarkun e Tiranës, përmes platformave.
Teksa përshëndeti konkurrentët dhe përgëzoi strukturat e përfshira në procesin përzgjedhës, Kryeministri tha se,-“Ky proces është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor në qasjen ndaj burimeve njerëzore të këtij vendi, në funksion të një edukimi dhe arsimi, ashtu siç e meritojnë fëmijët, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi.”
Duke përkufizuar qasjen ndaj arsimit, jo vetëm të kufizuar tek tekstet dhe mësimdhënia, por si një proces, ku përfshihen shumë aktorë, Kryeministri theksoi se “Vetëm partneriteti mes Qeverisë, mësuesve apo trupës mësimore, familjes, pra prindërve mund të garantojë një reformim rrënjësor, jo vetëm të proceseve të arsimimit, por të procesit të edukimit që është më shumë se procesi i arsimimit.”
Kryeministri theksoi se mjeti kryesor për t’i bashkuar hallkat e këtij partneriteti është vullneti dhe për ta depolitizuar arsimin që të mund të përzgjidhen e mësuesit mbi baza meritokratike dhe të qëndrueshme.
Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në konkursin për përzgjedhjen e Drejtorit të DAR – Tiranë:
Janë 13 drejtorë apo drejtore qarqesh për t’u zgjedhur. Ministrja po më thoshte se deri tani janë zgjedhur 6 gra dhe 6 burra. I 13-i do ta ndajë nga do anojë balanca. Elmaz, dukesh shumë “jetim” aty, por ndoshta mund të jetë avantazh, se duke të parë vetëm do thonë eja se do ta mbështesim këtë burrin e shkretë. Përtej shakasë…
Duke i falënderuar të gjithë kandidatet dhe kandidatin për Drejtorinë e rëndësishme Arsimore të qarkut Tiranë, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Ministren, për të gjithë skuadrën drejtuese të Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, për të gjithë specialistët dhe specialistet që u përfshinë në procesin e përzgjedhjes. Në një proces, i cili deri para disa muajsh ishte tërësisht i pamendueshëm dhe sot është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor në qasjen ndaj burimeve njerëzore të këtij vendi, në funksion të një edukimi dhe arsimimi, ashtu siç e meritojnë fëmijët, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi.
Thonë se kur një pianist i famshëm, politikan dhe intelektual i shquar i asaj kohe Ignace Ian Paderewski luante një pjesë në piano para mbretëreshës Victoria, në fund ajo e entuziazmuar i përsëriste të njëjtën gjë, “Zoti Paderewski, ju jeni një gjeni!”
Ndërsa, Paderewski, të cilin George Clemenceau e vlerësonte si “krijesa më fisnike e Perëndisë,” ndërsa Franklin Roosvelti si “një modern të pavdekshëm,” tundte kokën, thonë, dhe përgjigjej: “Ndoshta Lartmadhëri, por më përpara se të isha i tillë kam bërë shërbëtorin.”
Autori i librit që e transmeton këtë dialog thoshte se Paderewski s’kishte qenë kurrë shërbëtor, por kur thoshte “kam bërë shërbëtorin” e kishte fjalën për orët shumë të gjata në piano.
E para gjë që kupton nga kjo histori mes shumë historive që mund të zgjidhen është se fati i talentit që në vetvete është diçka shumë e vyer, por dhe shumë e brishtë, varet nga puna me talentin. Në rastin e nxënësit që është një pasuri sa e vyer aq dhe e brishtë për një vend, fati i talentit varet nga hapësira, ku kuptohet dhe zhvillohet talenti dhe në radhë të parë nga sistemi arsimor që transformon në vlerë zhvillimi shoqëror këtë pasuri të vyer dhe të brishtë që është zanafilla e gjeneratës tjetër.
Prandaj, sistemi arsimor nuk është thjesht vendi ku shkohet në shkollë, merren mësime, jepen provime, merren rezultate dhe në fund dilet nga shkolla, por është në vetvete motori kryesor i rritjes ekonomike dhe jo më kot cilësia e sistemit arsimor përcakton edhe rendin ekonomik sot në botë. E aspak rastësisht në rast se vendosim nga njëra anë të dhënat e zhvillimit ekonomik të vendeve dhe nga ana tjetër cilësinë e sistemeve të tyre arsimore, do të shikojmë se asnjëherë këto dy tabela nuk shkojnë në kundërshti me njëra-tjetrën, por në të gjitha herët këto tabela janë në proporcion të plotë me njëra-tjetrën. Ka zhvillim ekonomik aty ku ka arsim të zhvilluar dhe sa më i zhvilluar sistemi arsimor, aq më i qëndrueshëm zhvillimi ekonomik. Prandaj, të investosh në arsim është politika më e mirë ekonomike. Por nga ana tjetër, të investosh në arsim është gjithmonë një sfidë e vështirë, sepse është një investim për të ardhmen. Për një të ardhme më të largët sesa një mandat qeverie, gjë që përgjithësisht e bën arsimin një materie jo fort tërheqëse për ata që kur marrin një mandat, e kanë mendjen menjëherë tek mandati tjetër. Për këtë arsye, besoj unë, arsimi bie pre e të gjithë atij keqtrajtimi, ku ra pre për vite të tëra, pikërisht, sepse nuk është një materie që investimin në të, e kthen menjëherë në një rezultat të prekshëm.
Investimi në arsim, sigurisht është larg të qenit vetëm një investim financiar. Nuk ka të bëj asfare vetëm me përqindjen e buxhetit të arsimit në PPB. Kaq e vërtetë është kjo saqë janë jo të rralla rastet, kur kapërcimet e buxhetit për arsimin në vende të caktuara, nuk kanë sjellë domosdoshmërisht rezultatin e pritur në një periudhë relativisht të gjatë.
Investimi në arsim ka të bëjë në radhë të parë me vizionin për shoqërinë dhe për të ardhmen e saj dhe me strategjinë që buron nga ky vizion, por edhe sigurisht me vullnetin për ta bërë realitet këtë vizion.
Ne sot jemi në kushtet kur qasjen ndaj arsimit, duhet ta shohim ende më komplekse se kaq, si një qasje që nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me cilësinë e teksteve, me cilësinë e mësimdhënies, me cilësinë në tërësi të procesit dhe të marrëdhënies mes nxënësit dhe mësuesit, por si një qasje që ka të bëjë me shoqërinë, që ka të bëjë me marrëdhëniet e këputura mes prindërve dhe shkollës; mes shkollës dhe komunitetit; mes shkollës, komunitetit dhe Qeverisë.
Sot, praktikisht, ne gjendemi në një situatë, kur të gjithë këto pjesë të një zinxhiri që duhet të ishte i pandashëm janë të shkëputura nga njëra tjetra. Sfida jonë është që t’i bashkojmë këto pjesë, jo duke u munduar të rrisim cilësinë tek njëra dhe duke lënë pas dore tjetrën, apo duke u munduar të rrisim cilësinë tek secila, pa i parë këto të lidhura me njëra-tjetrën. Mjeti kryesor, besoj unë, për ta bërë këtë është në radhë të parë vullneti për ta depolitizuar arsimin. Është një proces që është i lehtë të thuhet, por është shumë e vështirë të bëhet dhe ne këtë e dimë të gjithë. Përfshirja e publikut në këtë proces është një aspekt i domosdoshëm, ashtu sikundër edhe të shikuarit e procesit lidhur me rimëkëmbjen e komunitetit, është po kaq i domosdoshëm. Unë nuk besoj që konkurset e sotme do të mbrojnë nesër nga politika, ata që sot përzgjidhen. Prandaj, unë besoj që në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, në përzgjedhjen e mësuesve, ne duhet të përdorim një mbrojtës tjetër, prindin. Vetëm përfshirja e prindërve që besoj është i vetmi moment, ku me siguri mund të thuhet se mund të kapërcehet dashuria për cilëndo parti apo lidhja me cilëndo parti, mund ta bëjë përzgjedhjen e mësuesit një përzgjedhje meritokratike dhe një përzgjedhje të qëndrueshme.
Shkëputja e prindërve nga shkolla apo e shkollës nga prindërit dhe njëkohësisht ekzistenca e shkollave nëpër lagje si magazina, pa asnjë lidhje dhe pas asnjë impakt reciprok mbi jetën e lagjes apo lagjja mbi jetën e shkollës, në fakt e ka barbarizuar mjedisin tonë shkollor. Kjo është diçka para syve tanë. Vetëm partneriteti mes Qeverisë, mësuesve apo trupës mësimore, familjes, pra prindërve mund të garantojë komunitet dhe mund të garantojë një reformim rrënjësor, jo vetëm të proceseve të arsimimit, por të procesit të edukimit që është diçka më shumë sesa procesi i arsimimit.
Juria nuk na dëgjon, kështu që unë nuk besoj se influencoj jurinë në qoftë se marr hua nga zysha një citat në fund të prezantimit të saj që thoshte se “njeriu vdes, por shqiptari nuk vdes” për të thënë një diçka tjetër që jo vetëm të jesh njeri i mirë, nuk mjafton për të qenë qytetar i mirë, por të jesh njeri i mirë pa qenë qytetar i mirë, do të thotë të jesh i ekspozuar karshi të keqes dhe të jesh i dobët para së keqes. Ashtu sikundër një bashkësi njerëzish të mirë, nuk prodhojnë domosdoshmërisht një komunitet.
Kjo bën që njerëzit e mirë, kjo bashkësi njerëzish të mirë të jenë shumë të dobët para së keqes, ndërkohë që një komunitet njerëzish është shumë më i mbrojtur nga e keqja.
I them këto, sepse nëse ne duam dhe sigurisht jo vetëm duam, por do të bëjmë që shkolla të rilindë, institucionet e arsimit elementar dhe të mesëm duhet t’i takojnë komunitetit për të mundësuar bashkëpunimin natyral dhe sistematik mes mësuesit dhe prindit. Nuk mund të jetë i ndarë me hendek roli i prindit në shtëpi me rolin e mësuesit në shkollë. Nuk mundet që ne të fitojmë asnjë sfidë me kriminalitetin, me abuzivizimin social, me cinizmin që rritet shumë më shpejt sesa të tjerët, në shpirtin e fëmijës, në rast se në këtë hendek, jo vetëm nuk e mbushim, por e pranojmë të jetë siç është sot, një hendek i madh, pa asnjë komunikim.
Mësuesi nuk e di se çfarë ndodh me fëmijën në shtëpi, prindi nuk e di se çfarë ndodh me fëmijën në shkollë. Trupa mësimore nga një anë nuk e ndjen presionin e prindërve, në funksion të edukimit të fëmijës. Ndërsa prindi nga ana tjetër është i vetëm, sepse nuk është komunitet për të marrë përsipër atë që i takon dhe që nuk mund t’ia delegojë gjithë shkollës. Për të mos ardhur në fund tek momenti kur palët fajësojnë njëra-tjetrën dhe secila palë sheh punën e vet me një çmim që shkon duke u rritur për gjeneratën e nesërme dhe me një kosto që shkon duke u rritur për vendin tonë nesër.
Pa dyshim, partneriteti është i domosdoshëm për ta bërë realitet ndarjen mes arsimit dhe politikës. Jo politikës si vetëdije e një qytetarie aktive që kërkon me insistim vendin e vet, për të thënë fjalën e vet, për drejtimin sot dhe të ardhmen nesër të këtij vendi. Por, politikës si kapje e sistemit që në vend që të garantojë pastaj të gjithë, bëhet një mekanizëm që siguron vetëm të ardhmen e disave. Jo i politikës si ideal dhe princip, por i politikës si pazar që nuk e kursen të nesërmen e askujt dhe që shpërdoron pa asnjë gajle, talentin e gjithkujt. Jo të politikës që adreson probleme, probleme të njerëzve, të politikës që shfrytëzon këto problemet për veten e vet. E pra, është koha që ne ta bëjmë realitet, atë që besoj është nevoja e parë.
Politika nuk duhet të jetë jashtë shkollës, si qytetari e trupës mësimore apo e mësuesve vetë dhe si qytetari e komunitetit të prindërve apo e prindërve vetë. Politika duhet të jetë jashtë shkollës si sistem që e kap shkollën dhe e përdor për veten e vet.
Ne jemi angazhuar dhe pa dyshim kështu do të ndodhë. Nuk do të ketë më në oborret e shkollave mitingje të Kryeministrit, për t’ju ankuar kalamajve se ç’po heq populli nga opozita, po as për t’u thënë kalamajve sesa shumë suksese prodhon qeveria. Po nuk do të ketë më, asnjëherë dhe për asnjë arsye, drejtor shkollash që t’i marrin në telefon drejtori apo drejtoresha e rajonit, për t’i thënë shpejt të gjithë në miting, -“kuadrati filan kjo pjesë e bulevardit”,- “klasa e pestë tek pishat, klasa e gjashtë tek piramida, klasa e shtatë midis të dyjave”. Sigurisht, nuk do të ketë më arsye që asnjë mësues dhe asnjë prind të trembet në qoftë se opozita, cilido qoftë tani, nuk po them më kryetari i opozitës se nuk e di kush është, po përfaqësuesit e opozitës, deputetët e opozitës, ekspertët e opozitës, duan të bëjnë një takim, rëndësi ka që takimi të mos bëhet në shkollë, rëndësi ka takimi të mos bëhet në orën e mësimi dhe çdokush, jo vetëm është i lirë, por duhet të ndihet i detyruar, pavarësisht, se është apo nuk është në atë parti që ta thotë mendimin e vet që ta dëgjojë edhe opozita çfarë mendon mësuesi, çfarë mendon drejtori i shkollës, çfarë mendon komuniteti i prindërve. Vetëm kështu, ne mund të çlirojmë energji që kanë qenë tërësisht të ndrydhura dhe pa dyshim vetëm kështu ne mund t’i japim mundësi shumë njerëzve që përmes aktivizimit, nuk po flas për militantizëm, edhe pse nuk kam asgjë kundër militantizmit të jemi të qartë, po veç aktivizimit të marrin pjesë, të krijojnë komunitet, të krijojnë grup interesi real, të krijojnë forca shoqërore, të cilat po të ishte për të parë rehatin tim, do të ishte mirë të mos flisja për këto punë, se nesër këto forca do të duhej pastaj ndoshta t’i kem përballë. Por, duke parë jo rehatin tim, por duke parë pak më larg sesa mundësitë e një mandatit, apo të sado mandate që mund të ketë një shumicë, apo një shumicë tjetër, është shumë e domosdoshme të ndodhi kështu, për t’ju dhënë nxënësve, për t’ju dhënë studentëve mundësinë të kuptojnë se është nëpërmjet bashkërendimit të ideve, përplasjes së ideve, shkëmbimit të ideve në hapësira të bashkëjetesës demokratike dhe qytetare që mund të krijojnë forcë, që mund të krijojnë mbrojtje dhe që mund të krijojnë një premisë shumë të rëndësishme për ta zmbrapsur kulturën e krimit, kulturën e korrupsionit, kulturën e abuzimit, kulturën e shpartallimit të të gjitha vlerave dhe të të gjitha normave. Një kulturë që ka fuqinë zhbërëse, jo vetëm të të gjitha atyre fjalëve të para që fëmija mëson në shtëpi mbi të mirën dhe të keqen, por edhe mbi vetë shtëpinë.
Duke qenë se, juria vazhdon, ju nuk mërziteni të vazhdoj edhe unë dhe pak. Unë vetë nuk do të doja të isha në vendin e tyre, sepse zgjedhja është realisht e vështirë, por është puna e atyre kjo, shyqyr nuk është puna ime edhe pse thonë që këta janë farsa. Nuk ka asnjë arsye pse të mendohet dhe të besohet që janë farsa, se nuk kishte asnjë nevojë për të bërë farsa. Nevoja ishte për të bërë këtë që po bëjmë. Ndërkohë që, siç e tha Ministrja edhe ligji i shkruar prej atyre që ishin në qeveri deri para disa muajsh, na jepte të gjithë mundësinë të vinim gishtin dhe të vendosnim, pa marrë mundimin për t’u ulur dhe për të dëgjuar, qindra kandidatura, për të lexuar qindra provime me shkrim. Kjo është shprehja e një vullneti të mirë për të hapur një proces që e përsëris, është vetëm kapaku i një libri që unë dëshiroj që ta shkruajmë së bashku, ashtu siç jemi zotuar me komunitetet, me prindërit dhe sigurisht edhe me trupën mësimore. Për të hapur një luftë shumë të gjerë sesa meritokracia në përzgjedhjen e ekspertëve të arsimit. Një luftë me barbarinë sociale që tani është e përhapur nga të gjitha anët, aq sa shumëkujt i duket normalitet, boll që të mos prekë atë vetë, apo që është fryma që i përçohet fëmijëve kur shkojnë në shkollë nga të katër këndet e klasës. Pikërisht, për të hapur këtë luftë duhet ky proces, jo vetëm për meritokracinë në vetvete. Për të hapur këtë luftë që deri sot na ka prodhuar kosto të llahtarshme. Një kosto që nesër mund të kthehet në një shkatërrim social përveçse ekonomik me mbi 50% të 15-vjeçarëve analfabetë funksionalë, me nxënës që siç mund të dëshmojnë këtu plot mësues, por siç mund të dëshmojnë ata që i presin në dyert e universitetit, jo rrallë nuk dinë të shkruajnë, jo rrallë nuk dinë të bëjnë llogari të aritmetikës elementare. Kjo është kostoja sot! Po nëse, pasojat e kësaj kostoje sot, mund të jenë shkatërruese dhe përballja me këtë problematikë në fakt, bën të mendosh shpesh herë; unë mendoj gabimisht që duhet ndonjë gjeni apo duhet ndonjë gjenialitet kombëtar për t’ia dalë, për të kthyer rrotën e kësaj historie, për të çmontuar klientelizmin qelizor dhe korrupsionin qelizor që e ka zaptuar komplet edhe sistemin e arsimit në formën e një klientelizmi partiak, për ta kthyer në një sistem që promovon meritokraci, garanton transparencë dhe që ushqen ndenjën komunitare. Për ta transformuar në një sistem mendjesh të hapura, ku nuk është asnjë çast synimi si të mbyllim mendjen e njerëzve dhe t’i detyrojmë të mendojnë vetëm në një mënyrë, për t’i detyruar pastaj që të votojnë vetëm në një mënyrë, por si ta hapim sa më shumë mendjen e njerëzve dhe si t’u krijojmë të gjitha kushtet që të kenë më shumë sesa një të vërtetë, më shumë sesa një dilemë kur vjen fjala për të gjykuar mbi fenomenet e botës dhe të shoqërisë dhe pastaj sesi të kenë kurajën, por edhe sigurinë e brendshme që dyshimet e tyre, ose bindjet e tyre, t’i ekspozojnë, t’i ballafaqojnë me njëri-tjetrin, me mësuesin, mes mësuesve, mësuesit me drejtorin, drejtori me drejtorinë e madhe, drejtoria e madhe me ministrinë, ministria me ministren, ministrja me kryeministrin dhe i gjithë ky proces të rrjedhë natyrshëm. Duke krijuar mbrojtje dhe garanci për çdo individ që nuk është më vetëm, që nuk është më i detyruar të përballur me të keqen vetëm, apo që nuk është më vetëm në cepin e vet, duke thënë që përsa kohë e keqja s’ka ardhur tek unë, është e keqe, por jeta vazhdon dhe lum si unë.
Nuk duhet një gjeni dhe as ndonjë gjenialitet, por duhet pikërisht durimi prej shërbëtori. Ai durim prej shërbëtori që e bëri pianistin e famshëm, njeriun më të admiruar të mbretëreshës dhe durimi i shërbëtorit në shërbim të objektivit është ajo që na duhet. Sigurisht ajo fillon që nga ne, pastaj nga drejtorët kryesorë nga kjo trembëdhjetëshja e parë dhe pastaj nga të gjithë drejtorët e tjerë dhe pastaj nga mësuesit dhe me radhë. Jam i bindur që ne mund ta kultivojmë durimin prej shërbëtori vetëm në qoftë se udhëheqim jo me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit. Forca e shembullit është ajo që do të udhëheqë të gjithë ata që javën tjetër do të fillojnë punën për të drejtuar arsimin nëpër qarqe, duke patur parasysh diçka dhe kjo besoj është edhe një arsye tjetër ndër të gjitha arsyet që mund të numëroja sot, pse ne donim që të bëheshin konkurse dhe pse ne jemi shumë të interesuar që përzgjedhja të bëhet mes konkurseve. Që secili nga këta drejtorë, nuk do t’ia dije për nder, Kryeministrit jo e jo, sepse nuk jam fare në këtë proces dhe shyqyr, por as Ministres, as drejtuesve të ministrisë, as komisionit, por duhet t’ia dijë për nder të gjithë atyre që i dhanë mundësinë të arsimohet dhe vetes së vet, që me durim prej shërbëtori e solli deri këtu. Duke ditur këtë, duhet të bëjnë të njëjtën gjë me të tjerët. Duke ditur këtë, duhet t’i japin të tjerëve mundësinë që iu dha atyre. Duhet të krijojnë për të tjerët kushtet që ju krijuan atyre. Duhet të mos ju hanë të tjerëve hakun që nuk ua hëngrën atyre dhe kështu të garantojnë sistemin. Se me gjithë respektin dhe këtu ne nuk kemi ndonjë kundërshtim me kandidatët dhe me kandidatin që programe mund të shkruajmë plot, të gjithë ata që prezantuan sot programin e tyre kanë eksperiencë të mjaftueshme të bëjnë tre programe dhe të bëjnë tre programe të ndryshme po të doni, por sigurisht programet janë shumë të rëndësishme, mirëpo ajo që i bën programet të realizueshme, sidomos në arsim, është durimi prej shërbëtori në shërbim të vizioneve, të qëllimeve dhe në radhë të parë të virtyteve që të gjithë u munduan të përçonin duke prezantuar ato programe.
Për ta garantuar këtë durim prej shërbëtori në gjithë sistemin arsimor na duhet ky proces dhe na duhet që ky proces të shtrihet në të gjitha shkallët e sistemit. Na duhet që përmes këtij procesi ne të ftojmë prindërit të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, duke marrë pjesë drejtpërdrejt në zgjedhjen e drejtorëve, në zgjedhjen e mësuesve dhe duke qenë drejtpërdrejt të interesuar për ecurinë jo të fëmijës, por në radhë të parë të shkollës, të trupës mësimore, sepse tek ajo shkollë dhe tek ajo trupë mësimore, besojnë dritën e syve të tyre, besojnë shpeshherë arsyen edhe të vete ekzistencës së tyre, që janë fëmijët. Nga ana tjetër ne duhet të garantojmë që prindërit, që familjet të jenë vazhdimisht në kontakt, të mbahen vazhdimisht në kontakt secili. Nëse pjesëmarrjen do ta bëjmë nëpërmjet asambleve të prindërve, nëpërmjet bordeve të zgjedhur në asamble, nëpërmjet përfaqësive të prindërve, çdo prindi duhet t’i japim mundësinë të dijë në mënyrë sistematike me shkrim, ecurinë e fëmijës në shkollë.
Dua vetëm që me gjithë zemër t’ju uroj sukses! T’ju them përpara të gjithë këtyre që janë këtu që unë kam pasur dy mundësi në jetë për të provuar fitoret dhe humbjet, sportin dhe politikën, mirëpo ku ka një garë s’ka asnjëherë dy fitues dhe ku ka një drejtori, s’ka asnjëherë dy drejtorë, kështu që ju jeni shtatë, njëri do të fitojë. I vetmi që e ka ngushëllimin gati është Elmazi, do të thotë, “punë grash”.
Faleminderit!