Zakonisht, fjalimet fillojnë me: “është kënaqësi e veçantë që jam këtu”, por në fakt, sot është vërtet kënaqësi; për një arsye të thjeshtë; që për herë të parë çështja e dhunës ndaj grave dhe vajzave adresohet si një problem jo vetëm i grave dhe vajzave. Për herë të parë, kjo çështje shikohet në aspektin e detyrimit të burrave dhe djemve për t’u përfshirë në një betejë që nuk është beteja e viktimave të dhunës, por është beteja e të gjithë atyre që kanë detyrimin të bëhen bashkë për ta penguar dhe për ta ndaluar dhunën.
Stafi im më kishte vënë në dispozicion shumë raporte, me shumë detaje për këtë konferencë dhe me shumë këshilla dhe sugjerime për atë që duhej thënë. Gjëra që kanë të bëjnë me angazhimin e Qeverisë për forcimin e mekanizmave mbështetës për gratë e përballura me dhunën në familje, për nënvizimin me patjetër të rëndësisë që ne po i japim bashkërendimit të punës për të referuar rastet e dhunës në marrëdhëniet familjare. Sigurisht, me synimin e dhënies së një ndihme imediate për viktimat e dhunës.
Më këshilluan që të përmend dhe sigurisht vlen për t’u përmendur, që ne do të jemi këmbëngulës, derisa të vëmë realisht në shërbim të grave dhe të vajzave në nevojë dhe viktima të dhunës, ndihmën ligjore falas.
Ajo çfarë unë konstatoj posaçërisht të rëndësishme nga raportet dhe dua ta theksoj, është puna, të cilën ne jemi shumë të përkushtuar ta çojmë përpara, për të bërë efektiv sistemin e integrimit të viktimave të dhunës, veçanërisht dhunës në familje, me anë të programit të formimit profesional dhe të punësimit, ashtu edhe me anë të mbështetjes me shërbime sociale. Ministri preku një element të politikës sonë të re të ndihmës ekonomike që është në diskutim dhe që ka të bëjë me një ndryshim rrënjësor, në fakt, të raporteve mes shtetit dhe familjes në ndihmë ekonomike. Ky element është, ne besojmë, një element që mund t’i japë vetë ndihmës ekonomike, atë vlerë që ajo, sado e pakët në shumë, e humbet rrugës, për shkak të shpërdorimit të saj nga kryefamiljarë të papunë e të dëshpëruar që e përdorin këtë ndihmë për alkool, apo që e shpërdorojnë këtë ndihmë për bixhoz. Plagë këto, të një pjese të shoqërisë që për shkak të papunësisë, për shkak të varfërisë është lehtësisht e prekshme prej tyre.
Kalimi i ndihmës ekonomike si përgjegjësi e gruas në familje, ne besojmë se jo vetëm do të rrisë efektshmërinë në përdorimin e kësaj ndihme në funksion të ushqimit të familjes, por do të rrisë edhe peshën e përgjegjësisë në familje të gruas, në sytë e burrit.
Të gjitha këto, në fakt, janë sfida të mëdha dhe janë të trashëguara, jo në kuptimin nga një qeveri apo nga disa qeveri, por në shumë vite dhe përgjigjja për to është një punë sa më gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar, sepse në këtë punë, asnjë Qeveri nuk mund ta fitojë dot sfidën vetëm. Është e pamundur që institucionet e ngarkuara me përgjegjësinë për t’u përballur me këtë sfidë të mund t’ia dalin, në rast se shoqëria nuk përfshihet në përpjekjen e përbashkët për t’u përballur me një fenomen të trashëguar dhe fatkeqësisht, të rrënjosur në një zonë të kulturës sonë të bashkëjetesës.
Nga ana tjetër, ky bashkëpunim nuk duhet dhe ne nuk do ta kufizojmë vetëm me projekte që lidhen me parandalimin e dhunës apo riintegrimin e grave dhe e vajzave që përballen me dhunën, sado të rëndësishme dhe cilësore të jenë në vetvete këto projekte. Por, do të bëjmë çmos ta mbështesim duke krijuar grupe dhe mekanizma që lobojnë për barazinë gjinore, përtej dallimeve partiake, përtej dasive të natyrës së mentaliteteve dhe edhe në mes komuniteteve. Në këtë aspekt, unë kam vërtet kënaqësi dhe e falënderoj zonjën Vokshi që është këtu, e pranishme, sepse ky bashkim në një tryezë është në fakt, mesazhi i duhur për t’i adresuar shoqërisë një shqetësim që kapërcen në mënyrën më kuptimplotë, çdo lloj ndarjeje apo edhe dasie të natyrës, shpesh herë shumë shqetësuese, mes kampeve politike.
Kur flasim për barazi gjinore, sigurisht është e lehtë të thuhet, është shumë e vështirë të bëhet, por fillon nga marrja e përgjegjësisë në nivelin më të lartë të përfaqësimit, për të garantuar sa më shumë progres në vendosjen e një ekuilibri në përfaqësimin politik mes burrave dhe grave, gjë që, fatmirësisht, e vërteta është po ndodh në Shqipëri. Ndërkohë që sigurisht nuk mbaron këtu, por vazhdon në të gjitha nivelet e qeverisjes, në të gjitha institucionet, duke krijuar një presion të brendshëm, jo thjesht nga lart poshtë, por një presion horizontal, të përhershëm, mbi çdo institucion dhe jo vetëm institucion shtetëror, por edhe kompani private, sa i përket nevojës për t’ju qasur këtij problemi, jo si bamirësi dhe as si mirësi, por si një nevojë strategjike për mirëfunksionimin e institucionit apo të kompanisë.
Unë jam shumë krenar që ne kemi sot një Qeveri me pjesëmarrjen më të lartë ndonjëherë të grave. Një Qeveri që zë një vend shumë lart në tabelën e klasifikimit edhe në mes vendeve të Evropës, për sa i përket raportit mes burrave dhe grave në përbërjen e vet. Por kjo është vetëm maja e një ajsbergu që në fakt, sa më poshtë të shkosh, aq më pak e reflekton këtë moment me shkëlqim, në majën e vet dhe kjo është sfidë e përbashkët. Ashtu sikundër e shikoj me shumë respekt atë që gratë parlamentare kanë bërë së fundi, duke i dhënë jetë një koalicioni përtejpartiak, brendapërbrenda parlamentit, në funksion të bashkërendimit të forcave dhe të ideve për të çuar përpara një proces që në vetvete nuk është një angazhim thjesht dhe vetëm për të marrë në mbrojtje gra dhe vajza të tjera, apo nganjëherë edhe veten e vet në atë lloj arene, s’do të thosha burrërore, do të thosha mashkullore, që është daha më keq, por edhe për të krijuar një pikë graviteti që tërheq vëmendjen lidhur me jo vetëm nevojën, por dhe me cilësinë e re që sjell prania e grave dhe e vajzave në çfarëdolloj institucioni dhe në çfarëdolloj aktiviteti të përbashkët të gjindjes njerëzore.
Kjo është një fushatë e re, edhe për faktin se vetë Kombet e Bashkuara i janë qasur problemit të dhunës ndaj grave dhe vajzave në një formë të re, duke pranuar më në fund, se zgjidhjet nuk mund të kërkohen brenda grupeve në nevojë. Zgjidhjet duhet të kërkohen tek pjesa tjetër e shoqërisë që nuk mund të bashkëjetojë me indiferencë me këto grupe në nevojë. Zgjidhjet nuk mund të kërkohen në konferenca dhe në takime me viktimat e dhunës, por me siguri mund të gjenden në aktivitete të llojeve të ndryshme me ata të cilët kanë nevojë të njihen me këtë fenomen dhe kanë nevojë të kuptojnë pse është e rëndësishme për ta, të paprekurit nga dhuna ndaj grave dhe vajzave, që të japin kontributin e tyre për ta parandaluar përshkallëzimin e këtij fenomeni dhe pastaj për të filluar për të ulur nivelet shqetësuese që në fakt ka sot, në Shqipëri, ky fenomen.
Kjo fushatë e organizuar nën udhërrëfimin e Kombeve të Bashkuara zgjat deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe mesazhi është shumë i qartë. Çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave është tek e fundit, një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Dhe pa arritur të mbrojmë këtë ide dhe pa u siguruar që e gjithë shoqëria të vetëdijesohet për të drejtat e grave dhe të vajzave si të drejta të njeriut, përpjekja jonë e përbashkët, për të ndërtuar një vend të denjë për gjeneratat e tjera, realisht rrezikon shumë të mbetet vetëm retorikë dhe të rezultojë në fund, tërësisht e padobishme.
Ndaj, ne jemi të angazhuar, por të gjithë së bashku duhet të angazhohemi maksimalisht që t’i përgjigjemi një sfide që e përsëris është një sfidë, për ne shqiptarët, shumë më e gjerë dhe komplekse sesa ç’mund të jetë për shumëkënd tjetër, sepse lidhet me një trashëgimi të rëndë jo të disa viteve më parë, as të disa dekadave më parë, por të shekujve më parë. Një trashëgimi të cilën periudha e diktaturës u mundua ta zhbënte, por, pikërisht, pse mekanizmat e zhbërjes ishin goxha të dhunshëm, ja ku e gjejmë përsëri përpara, gjithmonë e më të rënduar vit pas viti, fatkeqësisht. Ka shumë fusha, në të cilat Shqipëria mund të konsiderojë progres, por në këtë aspekt, fatkeqësisht, ka vetëm regres. Kjo është e vërteta! Dhe ato ndryshime dhe kapërcimi që ne sjellim nga lart poshtë, qoftë edhe duke rritur praninë e grave dhe të vajzave në Qeveri, në parlament, apo në nivelet e larta të përfaqësimit, rrezikojnë të mbeten kozmetike, në rast se ne të parët nuk kuptojmë që kjo sfidë ka lidhje me përpjekjen që duhet zhvilluar tek rrënjët, ka lidhje me përpjekjen që duhet zhvilluar tek gjithë trungu i kësaj trashëgimie që vjen nga shumë vite dhe që sot mund të preket me sy në shumë realitete jo urbane të Shqipërisë, por edhe në shumë realitete brendapërbrenda zonave urbane të Shqipërisë.
Dua vetëm të shtoj edhe diçka që më ka bërë përshtypje të veçantë, duke u përpjekur që të përgatitem për këtë takim, me një punim të titulluar: “Askush nuk ta dëgjon zërin”, që sillte në mënyrë shumë kumbuese në fakt, zërin e mbytur në heshtjen e frikës, në heshtjen e sedrës, prej sedrës, zërin e mbytur, edhe pse dëshira për t’u revoltuar haptazi ishte shumë e madhe dhe që në fakt përbën një thirrje për ndërgjegjen, në radhë të parë, të çdo burri dhe të çdo djali, jo për ndërgjegjen e viktimave që nuk flasin, dhe as për ndërgjegjen e shumëkujt që bie pre e kësaj dhune dhe preferon më mirë të heshtë, sepse, sado kundër kësaj dhune, sado refuzues ndaj këtij botëkuptimi tradicional që e prodhon dhe e legjitimon rëndom këtë dhunë, përsëri kjo nuk mjafton. Jo vetëm nuk mjafton, por në një mënyrë apo në një tjetër, kjo na bën të gjithëve bashkëfajtorë. Kjo i bën të gjithë, burrat dhe djemtë, bashkëfajtorë, për të mos thënë bashkëpunëtorë në distancë të dhunuesve, me heshtjen dhe me refuzimin për të bërë diçka dhe gjithkush mund të bëjë diçka.
Në këtë aspekt është me shumë vlerë ky aktivitet, i shtrirë në shumë ditë. E në këtë aspekt është me shumë vlerë që pikërisht në këtë aktivitet të dalë qartë nevoja për ta shtrirë betejën dhe dhunën ndaj grave e vajzave, të kërcënuara nga dhuna e mundshme për shkak faktorësh socialë e kulturorë, me krijimin e koalicioneve politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore që janë të domosdoshëm kundër këtij fenomeni që na vë në fund të fundit të gjithëve, përpara një zgjedhjeje shumë të qartë: Botës së prapambetur të shoqërive patriarkale, të cilat ne e dimë mirë çfarë janë dhe çfarë prodhojnë dhe botës së zhvilluar, ku barazia gjinore nuk është në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë, shprehja e një zemërgjerësie të burrave ndaj grave, por është vetë motori i zhvillimit.
Dua ta mbyll me një fakt. Një fakt që fillon që nga familjet dhe shtrihet deri tek shtetet. Nuk është e rastit, përkundrazi, është plotësisht domethënëse që aty ku ka ekonomi të fortë, ka barazi gjinore të fortë; aty ku ka zhvillim ekonomik dhe social, ka jo vetëm barazi gjinore të fortë, por ka një grua të fortë si rol dhe si prezencë në hapësirën e vendimmarrjes. Dhe me ne shqiptarët ka pasur historikisht një problem. Një problem që më bukur se gjithkush e ka thënë poeti: “Burrat nën hije lozin, kuvendojnë/ pika që s’u bie se nga gratë rrojnë!” Dhe burrat e kanë ditur dhe e dinë këtë. Këtu ka shumë gra që e dinë po ashtu, që janë ato që komandojnë në vendimet e rëndësishme për familjen dhe për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë. Ndërkohë që, burrat e kanë dorëzuar komandën në këtë aspekt, sepse pëlqejnë të rrinë “nën hije dhe të lozin e të kuvendojnë”. Por, kjo jo vetëm nuk mjafton, por pikërisht, këtu është, besoj unë, dhe korniza e diskriminimit që duhet të thyhet. Sigurisht, fjalët nuk e thyejnë kornizën, veprimet e thyejnë kornizën. Por, besoj që fjalët e duhura janë gjithmonë një ogur i mirë, për të pritur veprimet e duhura.
Faleminderit!
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.