Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministria hapi sot, dyert për qytetarët, duke iu bashkuar kremtimeve të Natës së Bardhë, që rikthen një traditë të festimit të Ditës së Çlirimit.

Vizitorët e parë ishin fëmijë jetimë, fëmijë të komunitetit rom dhe persona me aftësi të kufizuar. Mikpritësi i tyre ishte vetë Kryeministri Rama, në sallën e pritjes së rikonceptuar si Salla e Hartave.

Kryeministri Rama, tek e quajti nismën për t’iu bashkuar festimeve një “rilindje të Natës së Bardhë”, u shpreh se kjo është edhe fillesa e kthimit të herëpashershëm të hapësirave të Kryeministrisë në dispozicion të publikut.

“Ne duam të ndërtojmë një bibliotekë publike të Kryeministrisë, të ndërtojmë një hapësire koncertesh dhe njëkohësisht, të kemi dhe një hapësirë tonën për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj. Edhe këto të mundshme për t’u parë nga publiku,” – u shpreh Kryeministri.

Më pas, për kërshërinë e tyre dhe me ftesë të Kryeministrit, ata vizituan ambientet e brendshme të selisë së qeverisë, sallën e Hartave, zyrën e Kryeministrit dhe sallën e mbledhjeve të kabinetit qeveritar.

 

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama për vizitorët:

“Mirëmbrëma!

Mirë se keni ardhur!

Unë doja të shfrytëzoja këtë rast, që kemi edhe televizionet këtu live, për t’ju përcjellë të gjithë qytetarëve drejtpërdrejtë, në vigjiljen e kësaj nate të gjatë, e kësaj Nate të Bardhë, e kësaj nate të çlirimit të vendit tonë, jo vetëm urimin për këtë festë të mrekullueshme të 29 Nëntorit, për këtë Ditë të bekuar të Çlirimit të vendit tonë nga një e keqe shumë e madhe si pushtimi nazi-fashist, por edhe për t’ju thënë që për fat të keq kësaj here, në këtë rikthim, në këtë Rilindje të “Natës së Bardhë”, për arsye të procedurave shumë të ndërlikuara të burokracisë së sigurisë së godinës, ne nuk mundëm ta hapim godinën për të gjithë. Por, njëkohësisht, edhe për një arsye tjetër, t’ju them të drejtën, sepse ende godina nuk është plotësisht e vizitueshme, gjë që do të bëjë pjesë në surprizat e Natës së Bardhë të vitit të ardhshëm.

Ne duam që përveç kësaj salle (Salla e Hartave), që tanimë është bërë e famshme dhe ndërkohë, ju siguroj se tërheq vëmendjen e çdo vizitori të huaj që vjen për ta parë nga jashtë Shqipërisë, tërheq vëmendjen edhe të atyre vizitorëve që vijnë nga vende ku ka plot mrekulli.

Ne duam që të krijojmë edhe hapësira të tjera të rindërtuara, për t’i dhënë mundësi publikut që ta vizitojë Kryeministrinë jo vetëm në rastin shumë të posaçëm të festës së Natës së Bardhë, por edhe në ditë të caktuara të vitit. Duam të ndërtojmë një Bibliotekë publike të Kryeministrisë; duam të ndërtojmë një hapësirë koncertesh dhe njëkohësisht, duam të kemi dhe një hapësirë tonën për të ekspozuar vepra të artistëve shqiptarë ose të huaj, edhe këto të mundshme për t’u parë nga publiku; duam, po ashtu, që të krijojmë kushte që edhe mjediset përreth Kryeministrisë të kthehen në mjedise që të jenë të shfrytëzueshme nga qytetarët. Dhe, aty ku deri para pak kohësh kishte rrethime, parkime, godina të shëmtuara pa leje, një hapësirë e tërë publike e keqtrajtuar, por njëkohësisht edhe e humbur për qendrën e qytetit, të kemi një hapësirë publike jo vetëm të ripërtërirë, por edhe shumë të veçantë. Këtë po e bëjmë dalëngadalë. Do të kërkojë edhe pak kohë, por jam i bindur që do të jetë një tjetër pjesë e rifituar e kryeqytetit të ëndrrave dhe shpresave tona dhe në radhë të parë, të ëndrrave dhe të shpresave të më të rinjve, të fëmijëve dhe sigurisht të më të moshuarve.

Më kanë thënë që sot janë disa grupe. Ju jeni grupi i parë. Më vjen shumë mirë që shoh të rinj, shoh fëmijë, shoh fëmijë më të bardhë, shoh fëmijë më me ngjyrë dhe kjo është një gjë shumë e bukur. Është një shprehje e vogël e shembullit të një bashkëjetese harmonike që ne trashëgojmë, por që duam ta forcojmë mes njerëzve të të njëjtit komunitet, të të njëjtës bashkësi, të të njëjtës familje, të familjes tonë shqiptare.

Unë besoj se ju do largoheni nga kjo godinë me një kujtim të bukur. Jam i bindur që kur të ktheheni vitin e ardhshëm do të zbuloni gjëra të reja. Siç ju thashë, vitin e ardhshëm do të ketë edhe më shumë njerëz. Besoj do kapërcejmë edhe ato pengesat që janë pjesë e procedurave të sigurisë së godinës dhe besoj se hapësirat për të cilat unë fola do t’i kemi në dispozicion.

Megjithatë, besoj që ju keni kuriozitet që të shikoni edhe sallën e Qeverisë dhe mund të uleni edhe në karriget e Qeverisë. Dhe me siguri, me kërkesën time, pjesa që merret me administrimin e godinës do t’ju japë mundësinë që të shikoni edhe zyrën e Kryeministrit. Edhe ajo është akoma e pa sistemuar ashtu siç duhet për një zyrë Kryeministri të një vendi në mes të Evropës dhe për një godinë kaq interesante sa kjo, që është pjesë e një trashëgimie të rëndësishme kulturore të qytetit, por edhe të vendit tonë. Megjithatë, ju hidhini një sy, me qëllim që kur të vini vitin tjetër të shikoni ndryshimet që, me siguri, do të ndodhin.

Faleminderit që erdhët!

Ndërkohë, edhe njëherë, të gjithë të tjerëve që me siguri kanë pasur dëshirë që sot të vijnë apo atyre që gjatë gjithë ditës janë interesuar që a mund të vijnë apo mund të mos vijnë, u them se Nata e Bardhë sot ka shumë aktivitete. Do të jetë hapur përgjatë natës Galeria e Arteve, Cirku, Muzeu Kombëtar, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës; do të jenë të hapura përgjatë natës shumë restorante dhe bar-e që do të kenë edhe çmime të Natës së Bardhë, më të ulëta se zakonisht, për familjet që kanë dëshirë që ta kalojnë jashtë një pjesë të kësaj nate; do të ketë muzikë nëpër rrugë. Sigurisht, për ata që janë më të vegjël jam i bindur që me pak mërzi do të duhet të shkojnë në shtëpi më herët ose duke mbajtur fort dorën e prindërve ose të gjyshërve mund të vazhdojnë të rrinë deri sa të mos i zërë gjumi.

Shumë faleminderit edhe vajzave që erdhën për të shoqëruar këtë natë me pak muzikë.

Ndërkohë unë do të kisha shumë qejf që të bënim të gjithë bashkë një fotografi këtu, të kemi një kujtim”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.