Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot, 101 vjet pavarësi! Atmosferës së Festës Kombëtare, e cila tradicionalisht e shpall Vlorën çdo 28 nëntor, “Kryeqytet” të shqiptarëve, iu bashkua paraditen e sotme Kryeministri Edi Rama, Presidenti Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar, si edhe shumë personalitete të tjera të jetës politike në vend, si dhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, etj.

Qytetarë të shumtë të mbledhur në shesh ndoqën ceremoninë e ngritjes së Flamurit, dhe më pas Kryeministri Rama dhe personalitete të tjera, vendosën kurora me lule pranë varrit të Ismail Qemalit.

Kryeministri Rama drejtoi nga Vlora një urim për mbarë shqiptarët, duke falënderuar të gjithë ata që iu bashkuan festës në qytetin e Flamurit.

 

Më poshtë prononcimi i Kryeministrit Edi Rama:

Është shumë emocionuese për mua, sepse është viti i parë si deputet i Vlorës në këtë ceremoni dhe edhe pse nuk kemi asnjë meritë për motin e bukur, besoj që moti i bukur plotëson një kornizë atmosfere festive, ku kaq shumë qytetare dhe qytetarë kanë dalë për të përkujtuar këtë ditë të shenjtë për historinë e popullit tonë dhe për vendit tonë. Ndërkohë për ne që jemi këtu, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe me bashkëkryetarin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, është një ditë jo vetëm për tu përulur para atyre që themeluan shtetin shqiptar, po edhe për të rinënvizuar angazhimin e plotë që ndjejmë, që në këtë vit dhe në këto vite të para të 100 vjetorit të dytë të shtetit, ta çojmë Shqipërinë përpara, ta çojmë shtetin shqiptar përpara dhe njëkohësisht të rrisim edhe bashkëpunimin me të gjithë shqiptarët në të gjithë rajonin për të pasur ditë më të mira për çdo shqiptar kudo që jeton. E me këtë rast dua të falenderoj me mirënjohje të gjithë ata që kanë ardhur të na bashkohen në këtë festë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Ndërkohë që për shkak të angazhimeve që dihen, nuk erdhën dot që të gjithë, por jam i bindur që të gjithë janë këtu sot, me mendje e me zemër.

Gëzuar këtë festë të madhe dhe gëzuar në avancë edhe 29 nëntorin, Festën e Çlirimit. Të gjithë janë të ftuar të vijnë në Tiranë për Natën e Bardhë, që me siguri vitet e ardhshme, do të përhapet në të gjithë Shqipërinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.