Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Frans Timmermans. Kryeministri e falënderoi ministrin Timmermans për mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të arritur standardet evropiane.

Në takim u fol për shfrytëzimin e mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht atë ekonomik dhe shtimit të investimeve. Vendosja e një klime të favorshme për biznes e investime, u shpreh Kryeministri, është prioritet i Qeverisë dhe se investimet holandeze janë të mirëpritura në Shqipëri.

Në takim u vlerësua gjithashtu, roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon. Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të forcuar bashkëpunimin rajonal, duke shprehur bindjen se zhvillimi ekonomik, tregtia dhe ndërtimi i infrastrukturave lidhëse, rrugore apo energjetike, forcon marrëdhëniet mes vendeve të rajonit dhe perspektivën evropiane të tij.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.