Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

I Nderuar zoti President i Republikës,

I Nderuar zoti Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

I dashur Michael Granoff,

Të nderuar anëtarë të Bordit,

Është vërtet privilegj që një vend si i yni, në këtë pjesë të rrugëtimit, të vet të ketë ndër të tjerë edhe një protagonist të zhvillimeve, si Fondi Shqiptaro Amerikan dhe si ky Fondacion i cili në pak kohë ka provuar ka provuar një gjë shumë të rëndësishme, që është e mishëruar tek projektet më të fundit, ato të zhvillimeve të qendrave urbane për të zhvilluar biznesin në Shkodër, në Korçë dhe së fundi në Berat, faktin se nuk është madhësia e një projekti, por është cilësia e tij që përcakton jo vetëm fatin e projektit në vetvete, por edhe rolin që një projekt ka në të gjithë mjedisin përreth, madje edhe më gjerë se kaq.

Me një sasi shumë të vogël parash, në këto tre qendra urbane të Shqipërisë, përmes tre projektesh në volum krejtësisht modeste, janë hapur tre shtigje të një transformimi të jashtëzakonshëm. Unë dëshiroj që të shpreh edhe këtu, sot, vullnetin e qeverisë sonë për t’iu bashkuar rrugëtimit të këtij Fondacioni dhe për të sjellë në jetë shumë projekte të tjerë, ku ne dëshirojmë të bëhemi pjesë, për të promovuar cilësinë dhe përmes cilësisë një transformim rrënjësor, në radhë të parë të raporteve mes qytetarëve dhe mjedisit ku ata jetojnë në komunitetin e tyre.

Sigurisht, që aktiviteti i Fondacionit nuk është vetëm kaq, është edhe më i gjerë. Sikundër e tha edhe zoti Granoff, nesër do të përurohet një tjetër vepër e rëndësishme që e ka themelin tek mbështetja e këtij Fondacioni. Por, ajo që mbetet më e rëndësishmja në këtë ndihmë, është që ky fondacion në radhë të parë, meriton vlerësim dhe respekt për faktin se promovon ndryshimin e cilësisë së jetës përmes ndryshimit të standardeve në këndvështrim, në projektim dhe në arritje.

Duke e mbyllur, unë dëshiroj të them se çka bën Fondacioni Shqiptaro-Amerikan është një provë më shumë e faktit se pasuria më e madhe nuk është të kesh, por të dish. Pikërisht, për dijet që Fondacioni sjell, përveç se për paratë që investon për një Shqipëri më të mirë, ne e konsiderojmë atë si një partner të pandarë në rrugën e zhvillimit të këtij vendi drejt një qëllimi të përbashkët, që është rritja e cilësisë së jetës për qytetarët e këtij vendi.

Faleminderit shumë!

* Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e organizuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.