Sot, e pashë të udhës që të bëjmë këtë komunikim, duke patur parasysh rëndësinë e vendimeve të sapomarra nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në mbledhjen e vet të parë.
Së pari, lidhur me masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe fillimin e procesit për planin e integruar të përgjithshëm për bregdetin. Bregdeti shqiptar, që është edhe një nga asetet më të mëdha që trashëgon ky vend, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme. Një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve kanë qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike. Ashtu sikundër, edhe me procese që herë me leje dhe herë pa leje janë zhvilluar në një rrjedhë që duhet të ndërpritet.
Problematikat e sotme në këtë territor, që e përsëris, është një nga pikat kyçe të zhvillimit tonë strategjik dhe afatgjatë si vend, janë të shumëllojshme; Ndotje e konsiderueshme e lumenjve, e lagunave dhe e ujërave të bregut; Mbetje të ngurta të pakontrolluara që shtohen në formë hot spot-esh, por edhe lart e poshtë në mënyrë krejt kaotike; Shkarkime të konsiderueshme kanalizimesh në lumenj dhe pastaj në det, apo edhe direkt në det në segmente të rëndësishme; Shkurtime të ndjeshme të furnizimit me ujë për shkak humbjesh në rrjet; Ndërhyrje barbare në lumenj e diga, si rrjedhojë sipërfaqe të tëra toke të përmbytura kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin e ujit të lumit; Shpyllëzime të jashtëzakonshme për përmasën e gjelbër pyjore të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe kullota që ndikojnë direkt në cilësinë e kores së tokës. E, në kuadrin e të gjithë këtyre problematikave që shfaqen si rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të paplanifikuar, të pakontrolluar dhe një zhvillimi tërësor kaotik, kemi të tjera pasoja si humbjen e biodiversitetit; gjueti dhe peshkim të paligjshëm e të vazhdueshëm në laguna; tejkalim në përdorimin e burimeve ujore; nxjerrje të pakontrolluara agregatesh; edhe vetë ndërtimi dhe shembja e mëpastajme e ndërtimeve të paligjshme ka sjellë pasoja për shkak se është bërë në mënyrë tërësisht barbare, po aq barbare sa edhe vetë ndërhyrja e paligjshme; degradim shumë i ndjeshëm i zonave me trashëgimi kulturore dhe arkeologjike; mungesë e plotë e pranisë së institucioneve dhe mungesë e plotë e ligjit.
Në të gjithë këtë tërësi problemesh që nuk janë aspak të denja për një vend që zhvillon jetën e vet në mes të Evropës kemi një fenomen paralel; ai i zaptimit të vazhdueshëm të pronave si pasojë e pronësisë së papërcaktuar mbi tokën, e zotërimit të paligjshëm dhe në shtrirje të vazhdueshme të pjesëve të tëra të tokës, përkthyer rëndom në ndërtime asetesh të paligjshme, që absolutisht kanë kërcënuar ndjeshëm të ardhmen dhe nga ana tjetër, kanë vendosur në kushte jashtëzakonisht të vështira qendrat ekzistuese urbane.
Megjithatë është fakt që, ashtu sikundër në disa nga brigjet tërheqëse të bregdetit shqiptar, zhvillimi i veprimtarisë njerëzore të pakontrolluar ka sjellë dëme që në një masë të caktuar janë të pariparueshme, në kuptimin e kthimit të plotë të gjendjes në normalitet, si për shembull, plazhi i Golemit ose ndotje tmerrësisht të rënda si në zona të tjera të Adriatikut, populluar nga vendbanime jo vetëm turistike. Është nga ana tjetër, absolutisht e besueshme, që jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim dhe për të mos lejuar që kjo inerci të vazhdojë të prekë dhe të shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit të bregdetit tonë, që është padyshim e konsiderueshme sot në kohën që po flasim.
Së dyti, trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh. Ne kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo zhvillim të ri, çdo lloj procesi për të dhënë leje të reja për objekte individuale apo çfarëdo grupi objektesh për sa i takon Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës. Berati dhe Gjirokastra përshkruhen si shembuj të rrallë dhe janë pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por botërore. Është fakt që ashtu sikundër Berati e Gjirokastra paraqesin dëshmi të jashtëzakonshme për sa i përket shumëllojshmërisë të shoqërisë urbane në rajonin e Ballkanit dhe dëshmi të një mënyrë të dikurshme të jetesës, që sot pothuajse ka humbur, pra, një potencial të jashtëzakonshëm turistik, ashtu edhe paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptimplotë të inercisë së rrënimit. Gjirokastra, sot, është në listën e kuqe të UNESCO-s, që do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë kulturore botërore, ose për të dalë përfundimisht jashtë. Berati e Gjirokastra janë dy entitete urbane, të cilat janë njëkohësisht pjesë të patjetërsueshme të identitetit tonë dhe si të tilla, kemi detyrimin t’i mbrojmë me çdo mjet. Ashtu sikundër Kruja, që nëse vazhdohet kështu do të zhduket përfundimisht pas gërmadhave të rrënimit, si një profil peizazhistik i historisë së popullit tonë, do të përpihet e tëra nga kolonat e betonit që aktualisht po ngrihen me disa kate të tjera, muret e saj do të fshihen pas zhvillimesh që do ta bëjnë Krujën përfundimisht të pavizitueshme.
Për shkak të çorodisë dhe të batërdisë së të gjithë këtyre ndërtimeve me leje dhe pa leje, Kalaja e Krujës rrezikon një dëmtim të parikuperueshëm të vlerave të saj historike, por edhe fizikisht rrezikon të dëmtohet në një masë të atillë sa të mos njihet më, në të ardhmen jo shumë të largët. Duke qenë se jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë përfaqëson Kruja, si ndoshta qendra më e madhe e kujtesës historike për shqiptarët e Shqipërisë dhe ata që gjenden në trojet e Ballkanit, por edhe si një panoramë që e dëshmon përditë me lëngimin e vet nevojën emergjente për t’u shënjuar bashkë me Beratin dhe Gjirokastrën, në një hartë masash emergjente, për mbrojtjen dhe pastaj në një plan rehabilitimi, unë jam këtu për ta konfirmuar që ne jemi të vetëdijshëm për gjithë sa thashë dhe me këtë vetëdije, sot kemi vendosur të marrim në mbrojtje të veçantë këtë tre qendra të trashëgimisë sonë kulturore; këto tre pika të patjetërsueshme të fizionomisë sonë si komb, si vend dhe si popull që jeton sot brenda kufijve të Shqipërisë.
Nuk janë të vetmet masa. Shumë shpejt do të marrim të tjera masa. Kurora e Tiranës do të jetë në fokus. Harta që do të merret në mbrojte, e zonës që do të merret në mbrojtje, po përgatitet. Vendvarrimi i Skënderbeut është i kërcënuar në Lezhë, ashtu sikundër dhe Kodra e Kalasë ngjitur me të, nga një batërdi asgjësuese. Të tjera pika të nxehta në territor janë sot nën kërcënim. Të gjitha këto do të jenë pjesë e masave që ne do të marrim në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor, sigurisht.
Rrugët kombëtare kryesore. Është e paimagjinueshme, që ndërkohë që Kodi Rrugor dhe legjislacioni ekzistues, ku duhet të mbështeten institucionet përgjegjëse për hartimin e projekteve të rrugëve, dhe po të doni edhe të traseve të hekurudhave, por dhe ato që administrojnë këto kategori të pronësisë shtetërore, përmbajnë në mënyrë të qartë dhe të detajuar të gjithë elementët që garantojnë standardet dhe si rrjedhojë dhe sigurimin për jetën. Askush që ka patur përgjegjësinë të vërë firma dhe të vërë vula, nuk ka dashur t’ia dijë fare, as për Kodin Rrugor, as për legjislacionin përkatës dhe këtu, sigurisht, nuk mjaftojnë masat që po merr dhe do të marrë në vijim qeveria, por duhet të ndërhyjë një orë e më parë drejtësia.
Shqiptarëve u është cënuar siguria e jetës si qytetarë; u është kërcënuar haptas ardhmëria e tyre ekonomike dhe sociale si popull, duke u grabitur ditën për diell, ditë për ditë, vit pas viti, territore të tëra në anët e rrugëve të tyre kombëtare dhe duke i bërë në shumë segmente të tyre, rrugët kombëtare të pazhvillueshme në mënyrë të qëndrueshme dhe duke i kthyer ato në korridore rreziqesh dhe aksidentesh.
Për rrjedhojë, lirimi i brezave mbrojtës të rrugëve kombëtare, por edhe i gjithë trasesë së hekurudhës Tiranë-Durrës ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme, sipas parashikimit të Kodit Rrugor të legjislacionit përkatës, si dhe garantimi i brezave të rezervuar për këto dy kategori të rrjetit të transportit kombëtar, janë objektiv i yni, që sigurisht do të ndiqet hap pas hapi me një plan të përcaktuar dhe duke marrë në konsideratë edhe çka sot është bërë, praktikisht, e parikuperueshme.
Së treti, dua të theksoj vendimin për ndryshimin e Vendimit Nr.2, të datës 29.5.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit, lidhur me Xhaminë e Namazgjasë për lejen zhvillimore komplekse për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe godinës polifunksionale 3, 4 , 6, 8 kate dhe 3 katë nën tokë, në kryqëzimin e Rrugës “Xhorxh Bush” me Bulevardin “Zhan D’Ark”. Këshilli Kombëtar i Territorit konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra, i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin-godinë polifunksionale 3, 4 , 6, 8 kate dhe 3 kate nën tokë që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit, në një tjetër arsye, për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në vendin tonë dhe në këtë kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet asgjë tjetër përveç objektit të kultit.
Së fundi, fillimi i procesit për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Legjislacioni ekzistues parasheh që Shqipëria të zhvillohet me një Plan të Përgjithshëm Kombëtar. Askush nuk ka dashur t’ia dijë për legjislacionin ekzistues në këtë pikë, si në një mori pikash të tjera. Ne sot kemi, praktikisht, çelur procesin dhe do të fillojmë nga hartimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është ngarkuar për të bërë ekzaktësisht këtë. Shqipëria, më herë se vonë, brenda këtij mandati, ne jemi shpresëplotë se kjo do të ndodhë deri në gjysmën e mandatit më së shumti, do të ketë një Plan të Përgjithshëm Kombëtar. Në këtë vend gjithë rrjedha e zhvillimit do të ndryshojë dhe rruga e zhvillimit do të përcaktohet nga interesat kombëtare, nga interesat publike, në harmoni me interesat private. Interesat private nuk do të vendosin më, as mbi interesat kombëtare, as mbi interesat publike. Ato do të jenë në harmoni me interesat kombëtare dhe publike. Rruga e zhvillimit të vendit tonë përcaktohet nga qëndrueshmëria e zhvillimit të funksion të brezave që vijnë dhe jo vetëm në funksion të ditës që jetojmë, siç ka ndodhur seri më sot.
Duke qenë se kjo është konferenca e parë e shtypit në këtë sallë, duke shpresuar se ndani me mua bindjen se salla është plotësisht e denjë për t’ju mikëpritur, qoftë nga pikëpamja e pastërtisë, qoftë nga pikëpamja e dritës, qoftë nga pikëpamja e imazhit dhe e ngjyrave, unë jam në dispozicionin tuaj për të marrë tre pyetje.
Televizioni Top Channel: Jo më larg se sot pamë Policinë e Shtetit në bllokimin e një ndërtese 16-katëshe, jo shumë larg prej këtu, sikurse të tilla bllokime kanë ndodhur edhe ditët e shkuara. Me të drejtë lind pyetja, kur do të shemben këto ndërtime?
Siç e dëgjuat, sot Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka marrë vendimet që me ligj ka në përgjegjësi dhe në kompetencë të marrë. Brenda pak kohëve, çështje orësh apo ditësh, qeveria do të marrë vendimin përkatës për t’i hapur rrugë një procesi që nuk do të ndalet më, duke bashkuar dikasteret qendrore në një Task Forcë, e cila do të ketë në zemrën e vet këtë plan dhe energjinë e të gjitha institucioneve, në funksion të zbatimit të ligjit. Ministria e Brendshme ka marrë një rol të munguar në vite, sepse ndërtimtaria pa leje është shkelje e ligjit dhe përbën vepër penale. Dhe nga ana tjetër, me ligjin e ri, siç e kemi premtuar me ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, shumë nga përgjegjësitë e shpërndara nga të katër anët dhe të hallakatura sa në një inspektorat dhe sa në një tjetër, do të jenë përgjegjësi direkte të Policisë së Shtetit. Në aksionin që ne do të fillojmë, siç e kemi paralajmëruar prej kohësh, por tanimë është i strukturuar ligjërisht, është i strukturuar shkresërisht, është i strukturuar institucionalisht, do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë kthim mbrapa.
Dua ta përsëris në këtë rast, që, ne do të legalizojmë shtëpi në zonat informale, shtëpi të njerëzve që kanë ardhur rreth Tiranës apo rreth qyteteve të mëdha për të ndërtuar një jetë më të mirë, në një kohë kur shteti s’ishte në gjendje të bënte asgjë për ta. Nga ana tjetër, do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe të interesit kombëtar dhe publik për t’i kthyer popullit shqiptar atë që i është marrë me forcë; për t’ju kthyer komuniteteve çfarë i është marrë me forcë; për t’i kthyer brigjeve të detit tonë apo të deteve tona, atë çka u është shkëputur me forcë. Ky aksion do të shtrihet në kohë dhe pa afat, deri kur rendi ligjor të jetë vendosur mbi territorin një herë e mirë. Ne nuk do të lejojmë më që agjencitë përkatëse të legalizimeve të jenë rifurxho pekatorium, ku shkohet për të legalizuar, madje objekte që nuk ekzistojnë, duke depozituar letra dhe pastaj duke filluar ndërtimin më mbrapa. Një proces i gjerë kontrolli, hetimi dhe patjetër edhe denoncimi, do të shoqërojë gjithë këtë aksion.
Televizioni Klan: Zoti Rama, i propozuat ju Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) atë që lajmëruat në emisionin “Opinion”, rishikimin e projektit që ka nisur nga Bashkia e Tiranës për Bulevardin e Tiranës?
Do të jetë pjesë e vendimmarrjes së mëtejshme. Sot jemi fokusuar vetëm tek këto vendimet bazë, për të cilat fola, që i konsiderojmë hapat e parë shumë të rëndësishëm, për të vazhduar pastaj më tutje edhe me hapa të tjerë. Sigurisht, që ne do të marrim të gjithë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimit në këtë vend. Nga një zhvillim kaotik, me shumë barbarizëm dhe interesa private që kanë triumfuar mbi interesat kombëtare publike, në një zhvillim të qëndrueshëm, që ka në boshtin e vet interesat kombëtare dhe publike, në harmoni me interesat edhe të çdo familjeje, të çdo pronari, të çdo komuniteti, por kurrë duke vendosur të parat interesat private të më të fortëve.
Epoka e më të fortëve është mbyllur më 23 qershor dhe me votën e 23 qershorit ka filluar një epokë e re. Ne kemi detyrë që kësaj epoke të re t’i japim përmbajtje dhe formë. Kjo është sfida jonë! Koha do të tregojë dhe njerëzit do të gjykojnë sesa do të jemi në lartësinë e kësaj sfide.
Televizioni Klan: Emërimet në Dogana dhe Tatime ju thatë që u bënë si nevojë e ndaljes së hemorragjisë që kishte filluar në këto dy administrata. Nëse brenda 3 muajve të parë nuk do të realizohet plani, çfarë do të ndodhë me këto drejtoresha?
Unë do t’ju ftoja që së bashku, edhe ju, t’i mbështesim fuqimisht institucionet, t’i mbështesim fuqimisht agjencitë përkatëse, sepse realizimi apo mosrealizimi i planeve të tyre nuk është thjeshtë fati i një drejtuesi apo i një grupi drejtuesish, por është fati i atdheut tonë të përbashkët dhe i buxhetit, me të cilin ne do të bëjmë punë shumë të mira për vendin tonë të dashur.
Gazeta Panorama: Zoti Rama, është drejt përfundimit zbatimi i marrëveshjes suaj me aleatët. Kemi parë G99-ën që përfaqësohet me zëvendësministër, parti e cila ka marrë 2970 vota, ndërkohë që nuk janë përfaqësuar në nivelin e dytë të qeverisjes zoti Milo, zoti Gjinushi, të cilët kanë marrë mbi 12 mijë vota. Pritet të ketë përfaqësim të tyre?
G99-a nuk ka asnjë Zëvendësministër, sepse quhet G99. Ashtu sikundër, të gjithë zëvendësministrat janë vendosur mbi bazën të asaj që ata ofrojnë, në raport me programin tonë. Pasi të shikoni edhe CV-në e zëvendësministrit që sapo morët nëpër gojë, besoj do të ndani me mua mendimin që është njeriu që na duhet në atë pozicion dhe nuk vjen aty për shkak të një partie, por i kemi kërkuar që t’i vërë dijen e tij në dispozicion, një projekti, që është projekti i rimëkëmbjes së financave të këtij vendi.
Televizioni Scan: Edhe nga Ministria e Financave është deklaruar se duhen 24 miliardë lekë për të përballuar vitin buxhetor deri në fund. Ndërkohë, zoti Cani pritet të bëjë një vizitë në Amerikë, ku pritet të diskutojë edhe me FMN-në dhe me Bankën Botërore. A pritet të ketë negociata për të marrë këtë borxh nga këto institucione financiare?
Unë ju siguroj se gjendja e financave të vendit është më e rënda, pas asaj të vitit ’97. Arka e shtetit është realisht bosh, por ne kemi një vizion që nuk do ta reduktojmë në aspirata, kemi një mision që nuk do ta braktisim dhe kemi një detyrë që e kemi marrë përsipër. Ne jemi Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe sot nuk është më koha për të ndarë faje me ata që janë fajtorët për këtë gjendje, por është koha për të marrë përsipër përgjegjësi. Ne i kemi marrë këto përgjegjësi si Qeveria e Republikës së Shqipërisë, do ta mbajmë këtë përgjegjësi si Qeveria e Republikës së Shqipërisë, do ta zmbrapsim krizën si Qeveria e Republikë së Shqipërisë dhe do të realizojmë zotimet tona si Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Faleminderit!
* Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit.