Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për realizimin e Projektit BID. Është ky një investim i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, që parashikon rinovimin e shëtitores dhe sheshit qendror.

Me vlerësimin për Beratin si “vatër e trashëgimisë kulturore”, kryeministri Rama tha se në frymën e respektit për vlerat e kësaj trashëgimie të çmuar për vendin, qeveria do të ndërmarrë masa konkrete për t’i ruajtur këto vlera.

“Ne do të shpallim bllokimin e çdo ndërtimi dhe ndalimin e çdo ndërtimi të ri në Gjirokastër, në Krujë dhe në Berat, për të vlerësuar maksimalisht trashëgiminë dhe pastaj për të filluar të kurojmë dhe të shërojmë pak nga pak, të gjitha ato plagë që i janë shkaktuar trashëgimisë kulturore në të gjithë këto vite rrënimi,” u shpreh Kryeministri.

Michael Granoff dhe Edi Rama kanë gdhendur në gurin simbol të nisjes së punimeve.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në këtë ceremoni:

Përshëndetje të gjithëve!

Përshëndetje për miqtë tanë sot këtu, për Presidentin e Fondit Michael Granoff, për të gjithë anëtarët e bordit.

Përshëndetje për deputetët e pranishëm dhe sigurisht për Kryetarin e Bashkisë.

Ky projekt i ngjan një dallëndysheje të parë që lajmëron pranverën, në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për vendin dhe jashtëzakonisht të vështirë për financat e vendit.

Unë jam shumë i lumtur që kjo dallëndyshe e lajmëron pranverën, këtu në Berat, sepse askund më mirë dhe askund më bukur, nuk mund të shfaqej dallëndyshja e parë e një ndryshimi të madh.

Këtu në Berat, ku siç e tha dhe kryetari i Bashkisë – ai i ka numëruar – pas 44 vjetësh nis një projekt në hapësirën publike. Një projekt, që fillon të lidhë qytetin e një mbi një dritareve me qytetin e sotëm të bashkëkohësve dhe me qytetin e nesërm të fëmijëve që do të lindin këtu. Ky është një projekt dhe është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor për Beratin. Projekti përfshin të gjithë rrugën kryesore, që do të kthehet në një rrugë këmbësore të denjë për këtë vatër të trashëgimisë kulturore. Përfshin sheshin kryesor, i cili do të jetë më në fund sheshi i rindërtuar i një qyteti të së shkuarës, por ku jetohet në emër të së ardhmes; do të zgjerohet edhe me lulishten buzë lumit, edhe më pjesë të tjera, për të cilat qeveria e Shqipërisë, në bashkëpunim me bashkinë e Beratit do të investohen me të gjitha fuqitë, në mënyrë që pas 4 vjetësh Berati të jetë qyteti i ëndrrave që prindërit kanë për fëmijët e tyre. Berati, të jetë qyteti ku çdokush të mund të jetojë me sipërmarrjen e vet të vogël, duke përfituar nga trashëgimia kulturore dhe njëkohësisht, duke përfituar edhe nga shërbimet cilësore për fëmijët.

Unë i jam shumë mirënjohës fondit, jo thjesht për fondin që i vë në dispozicion këtij projekti, por për atë çka ky projekt mishëron, respektin për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve; Respektin, për vlera që janë të kërcënuara më shumë se asnjëherë të zhduken para syve tanë; Respektin, për atë që Berati ka përfaqësuar në histori dhe me patjetër duhet të përfaqësojë si trashëgimi për brezat që vijnë. Kjo është vlera më e madhe e këtij projekti.

Në këtë frymë të respektit për vlerat e trashëgimisë kulturore, qeveria jonë do të marrë hap pas hapi, masa konkrete, në radhë të parë për të ndaluar rrënimin. Që këtë javë ne do të shpallim bllokimin e çdo ndërtimi dhe ndalimin e çdo ndërtimi të ri në Gjirokastër, në Krujë dhe në Berat, për të vlerësuar maksimalisht trashëgiminë dhe pastaj për të filluar të kurojmë dhe të shërojmë pak nga pak, të gjitha ato plagë që i janë shkaktuar trashëgimisë kulturore në të gjithë këto vite rrënimi. Me shpresën e madhe se sipërmarrja e këtij qyteti, komuniteti i biznesit, do t’i bashkohet projektit, me shpirtin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe sektorit privat, dhe me bindjen se të gjithë sipërmarrësit që do të përfshihen në këtë projekt do të shtojnë vlerën e tyre, jo thjesht financiare – ajo është simbolike – por vlerën e tyre si protagonistë, por edhe si përgjegjës për jetëgjatësinë e projektit, unë dua dhe njëherë t’ju uroj të gjithëve, një ditë të mbarë e një javë të mbarë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.