Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Izraelit në Tiranë, David Cohen, në fokus të të cilit ishte bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve. Në këtë kuadër, në muajin tetor do të mbahet në Izrael Forumi Ekonomik Shqipëri – Izrael, me pjesëmarrje të gjerë të një delegacioni biznesi, nga sektorë të ndryshëm prioritarë të ekonomisë sonë kryesuar nga Zëvendëskryeministri Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti.

Zëvendëskryeministri Peleshi e falënderoi ambasadorin Cohen për angazhimin e tij dhe theksoi se “qeveria shqiptare do t’i japë një frymë të re bashkëpunimit me biznesin, si dhe do të inkurajojë biznesin e huaj dhe vendas për të shfrytëzuar potencialet e mëdha që Shqipëria ofron”.

“Përtej situatës financiare, e cila nuk ka qenë shumë e shëndetshme, –  u shpreh Peleshi, – ne mendojmë se ka një potencial shumë të madh tek biznesi privat, vendas apo i huaj, për të zhbllokuar tregun dhe për të ndihmuar projektin tonë madhor të rritjes së punësimit, hapjes së vendeve të reja të punës ”.

Ambasadori Cohen vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare për lehtësirat dhe masat që do të ndërmerren për t’i dhënë sektorit privat më shumë mundësi për të funksionuar dhe vepruar. Ai theksoi se shumë kompani izraelite janë të interesuara për të investuar në Shqipëri. “Ambasada po inkurajon sektorin privat në Izrael që të vijë, të shikojë dhe të përfshihet në ekonominë shqiptare. Ne mendojmë se mund të ndajmë eksperiencën izraelite në disa fusha ku Izraeli ka relativisht avantazhe, si p.sh. bujqësia moderne, ose teknologjia e lartë”, tha ambasadori, ndërsa shtoi se Forumi Ekonomik Shqipëri –  Izrael do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona tregtare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.