Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës: “Kam kënaqësinë e veçantë që si Kryeministër i Republikës së Kosovës, të presim në Prishtinë, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, mikun Edi Rama, të cilit në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, edhe njëherë i uroj zgjedhjen e tij Kryeministër me besimin e plotë të qytetarëve të Shqipërisë.
Natyrisht, do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme, e re, e thellimit të bashkëpunimit bilateral, në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ne diskutuam edhe në takimin e përbashkët që kishim si dy kryeministra, gjithashtu edhe në nivel të ministrave, përkatës, që sot janë në ekipin e Kryeministrit Rama dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ministrat do të kenë takime të veçanta secili, gjatë gjithë ditës. Ne i kemi inkurajuar, që marrëveshjet që janë në proces të përmbyllen sa më shpejt, natyrisht të hapet mundësia edhe e marrëveshjeve të reja.
Mundësisht ato çështje që janë diskutuar edhe më herët të përmbyllen, por edhe të mbeturat në gjysmë të rrugës të konkretizohen.
E informova Kryeministrin Rama, për njohjet që po i vijnë Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmërinë e njohjeve të reja. Kam besim të plotë se Kryeministri Rama dhe Ministria e Jashtme dhe kabineti qeveritar i Shqipërisë do të luajë rolin e rëndësishëm në sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.
Tanimë Kosova ka 101 njohje. Meritojmë dhe do të kemi njohje të reja. Gjithashtu, diskutuam edhe për marrëdhëniet në rajon. E informova Kryeministrin Rama, për raportet e shkëlqyera si shtet i Kosovës me të gjitha vendet edhe me Maqedoninë edhe me Malin e Zi, gjithashtu edhe me vendet e tjera të rajonit. Ndërsa, me theks të veçantë diskutuam dhe e informova Kryeministrin Rama, për marrëveshjen në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit.
Kemi diskutuar edhe më herët, dhe unë e falënderoj gjithë politikën e Shqipërisë, Kryeministrin Rama, ish kryeministrin Berisha, kryetarin e Parlamentit Meta, dhe gjithë spektrin politik në Shqipëri për mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi të rëndësishëm për Kosovës, pra atë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me reflektime për paqen, stabilitetin dhe perspektiven europiane rajonale.
Në të njëjtën kohë ne diskutuam edhe për mundësitë më të mira të bashkëpunimit në aspektin ekonomik, të edukimit, në nivel të kulturës, në të gjitha sferat e bashkëpunimit institucional. Mendoj se ka hapësirë dhe mundësi që përvojat e mira të Kosovës dhe Shqipërisë të barten te njëra tjetra, por edhe të evitohen lëshimet dhe dobësitë që janë paraqitur, qoftë në Prishtinë apo në Tiranë.
Të mësojmë prej përvojave të mira që të barten, ndërsa lëshimet dhe dobësitë të evitohen. Kam besim të plotë se ne do të punojmë maksimalisht në frymën europiane. Do të punojmë maksimalisht për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë liderët politikë të shqiptarëve kudo që jetojnë, qoftë në Maqedoni, në Preshevë, qoftë në Mal të Zi.
Me një theks të veçantë diskutuam edhe për diasporën tonë, që jeton në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të kemi takime të veçanta së bashku me z. Rama, pasi do të kemi një vizitë në Nju Jork dhe vende tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me theks të veçantë diskutuam edhe rëndësinë që edhe shteti i Kosovës të kyçet në rrjetin e gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, dhe mora zotimin nga Kryeministri Rama se do të angazhohet, edhe personalisht me ministrat përkatës, që Kosova të jetë e kyçur.
Po ashtu, ramë dakord që të punohet në mënyrë më aktive edhe për përmbylljen e procesit të interkonjeksionit 400 kilovolt, pra interkonjeksionit energjetik në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta, ka kohë. Besoj se edhe Shqipëria më në fund do t’i kryejë obligimet e veta dhe do të kemi fillimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Unë kam besim të plotë në bashkëpunimin tonë, që do të jetë i shkëlqyer, kam besim të plotë edhe si Kryeministër, edhe si mik i z.Rama, por edhe qytetarët e Kosovës kanë besim në vizionin e tij, në qëllimin e tij, atë të Shqipërisë Europiane, nën udhëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Ju faleminderit shumë për vizitën tuaj!”
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: “Faleminderit nga zemra zoti Kryeministër!
Faleminderit të gjithëve ju që keni ardhur për ta ndjekur këtë konferencë të përbashkët, që është shumë emocionuese për mua vetë dhe besoj po njësoj edhe për të gjithë ekipin, që bashkë me mua ka ardhur, këtu, në Prishtinë sot për të çelur një kapitull të ri bashkëpunimi dhe për ta çuar më tej procesin e një harmonizimi të interesave tona krejtësisht të përbashkëta, në funksion të mirëqenies së shqiptarëve këtej dhe andej kufirit. I kam sjellë Kryeministrit të Kosovës përshëndetjet më të ngrohta të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu edhe zotimin solemn të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për të bërë gjithçka që nga ky bashkëpunim të mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky bashkëpunim të mund të përfitojë nga epoka e re, që është çelur për rajonin falë kurajës dhe falë lidershipit të Kryeministrit dhe të aktorëve politikë të Kosovës, me marrëveshjen e Kosovës me Serbinë. Kjo është një marrëveshje që ka mbyllur, përfundimisht, historinë e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish-Jugosllavisë, dhe ka hapur para nesh faqen e një historie të re, që varet nga ne në radhë të parë, shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, sesi do të shkruhet si një histori ku paqja duhet të sjellë zhvillim ekonomik dhe social për të gjithë.
Kryeministri bëri një paraqitje të detajuar të bisedimeve dhe të objektivave, por ne kemi rënë dakord po ashtu që në nëntor të bëjmë mbledhjen e parë të përbashkët të të dyja qeverive dhe të fillojmë procesin e bashkëqeverisjes strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që do të thotë se koha kur qëllimet e mira dhe objektivat e shkruara janë pasuar nga punë të lëna përgjysmë duhet t’ia lërë vendin një kohe ku qëllimet, objektivat dhe detyrat janë të përcaktuara në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive dhe çdo ministër duhet të japë llogari përpara të dy qeverive në mënyrë periodike për ecurinë e projekteve dhe për zbatimin e detyrave të lëna bashkërisht. Besoj, që kjo risi do të sjellë rezultate dhe do të bëjë të mundur që të dyja qeveritë ta çojnë shumë më tutje bashkëpunimin mes tyre.
Së fundi, dua të nënvizoj edhe ambicien tonë të përbashkët për të mos mbetur vetëm në dëgjim me Brukselin, por edhe për të qenë proaktiv në paraqitjen e projekteve të besueshme të zhvillimit, jo vetëm mes nesh, por edhe me fqinjët.
Ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit intensiv dhe afatgjatë të gjithëve. Të gjithëve, në këtë rajon që vazhdon të mbetet akoma jashtë Europës së Bashkuar, por që i ka gjitha mundësitë sot për t’iu afruar më shpejt Europës së Bashkuar. Dhe, e përsëris falë marrëveshjes së Kosovës me Serbinë si një moment historik për rajonin dhe si një moment që i ka dhënë Kosovës, por i ka dhënë edhe të gjithë shqiptarëve edhe në Shqipëri, një kredibilitet të ri në sytë e Familjes Europiane, në sytë e botës demokratike. Njëkohësisht, ka hapur përpara rajonit një horizont tërësisht të ri. Ne jemi këtu për të bërë çmos që këtë potencial të madh ta kthejmë në zhvillim, ta kthejmë në punësim, ta kthejmë në integrim social brenda hapësirës shqiptare dhe në integrim europian për të gjithë shqiptarët e rajonit.
Pyetje: Kjo është vizita juaj e parë në Kosovë si Kryeministër. Si e patë Kosovën, si e vlerësoni Kosovën, më shumë se pesë vjet pas Pavarësisë? Çfarë premton kjo vizitë e juaj e parë në raportet mes dy shteteve?
Kryeministri Edi Rama: “Unë e shoh Kosovën, sot, si një shtet 5 vjeç që ka çfarë t’i mësojë shtetit 101 vjeç, që qeveria jonë përfaqëson. Si një shoqëri, që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në shtetndërtim dhe si një hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo dite. Kështu e shoh unë Kosovën sot.”
Pyetje: Kemi pasur kohët e fundit një problem Kosovën me Maqedoninë. Po ashtu shqiptarët përpara janë ankuar shumë në Shqipëri edhe për politikën greke karshi Shqipërisë. Njëkohësisht edhe Malit të Zi karshi Shqipërisë. Edhe Mali i Zi po ashtu me Kosovën. A keni një program ju të dy kryeministrat që t’i kundërviheni politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve të rajonit?
Pyetja e dytë nëse sot kryeministër do të ishte dikush tjetër, jo z.Thaçi, do të ishte i ndonjë partie tjetër, ta zëmë nga LDK, vizitën e parë a do ta realizonit në Kosovë? Nuk mbahet mend të keni bërë ndonjë vizitë në komunën e Prishtinës në kohën sa keni qenë kryetar i bashkisë së Tiranës.
Kryeministri Edi Rama: “Kjo tregon që unë jam në një moshë pak më të vjetër sesa ju dhe ju nuk keni faj që nuk mbani mend që unë e kam vizituar Bashkinë e Prishtinës.
Unë dëshiroj t’ju them se politika jonë e jashtme do të jetë politika e zero problemeve me të gjithë fqinjët. Që do të thotë që ne do të bëjmë çmos që të garantojmë në dinjitet të plotë dhe në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në këtë rajon, një hapësirë ku të ngremë ura bashkëpunimi në funksion të të ardhmes dhe të mirëqenies ekonomike dhe sociale të shqiptarëve.
Unë nuk besoj as tek politika e kundërvënieve, në këtë aspekt, dhe as tek peri i lëshuar shumë, sepse mesa unë jam në gjendje ta shoh sot rajonin, e vërteta është krejt ndryshe.
Sot për shqiptarët është momenti më i mirë i historisë së tyre dhe i jetës së tyre në këtë rajon. Kjo tregon, më së pakti, që shqiptarët nuk kanë lëshuar aq shumë pe, por përkundrazi janë duke mbledhur përditë frytet e një mençurie, e një vizioni dhe e një modeli të marrëdhënieve me të tjerët, që është për t’u admiruar dhe që historia do ta shënojë si një orë të mirë të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri.”
Pyetje: Paraardhësi juaj zoti Rama, ish kryeministri Berisha pati filluar një projekt i cili sipas asaj që deklaronte kishte për qëllim bashkimin kombëtar në një farë forme. Pra, dhënien e pasaportave të Shqipërisë për gjithë shqiptarët kudo që janë. Ju paskeni marrë iniciativë të re si Kryeministër për mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. A është ky një hap drejt një bashkimi të shqiptarëve dhe cili është vlerësimi juaj për bashkimin kombëtar, tashmë në cilësinë e një Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama: “Me shumë kënaqësi do t’ju ftoja të ndiqni fjalën time sot përpara Kuvendit të Kosovës që e pres me shumë emocion. Ndoshta kjo konferencë është konferenca më me emocion e shtypit që kam bërë ndonjëherë, sepse ndërkohë po afron ora që unë t’i drejtohem Kuvendit të Kosovës. Aty, besoj, që përgjigjja do të jetë më e gjerë sesa një batutë në një konferencë shtypi.”
Pyetje: Kryeministër Rama kur shqiptarët do të mund të presin efektet e para të kësaj qasje të re që ju po promovoni si dy kryeministra. E dyta, pyetje për Kryeministrin Thaçi, z.Rama ju drejtuat si mik, ndërkaq ju kemi dëgjuar që Kryeministrin Erdogan e keni quajtur vëlla…
Kryeministri Rama: “Edhe unë mund ta quaj vëlla, kështu që vëllai i vëllait tim është edhe vëllai im. Për Erdoganin e kisha fjalën” (qesh)
Kryeministri Hashim Thaçi: “Do e kisha ndërlidhur edhe me disa pyetje paraprake. E para shqiptarët në rajon nuk janë të diskriminuar, janë duke u afirmuar çdo ditë e më tepër. Ju kujtoj vetëm 15 vite më herët ku kemi qenë si shqiptarë. Shqipëria në një tranzicion shumë të rrezikshëm për demokracinë. Kosova nën një pushtim klasik në përmasat gjenocidi, shqiptarët e Maqedonisë të diskriminuar shumë. Në Preshevë e Bujanovc të keqtrajtuar, ndërsa në Mal të Zi të injoruar.
Sot Shqipëria është në NATO e në rrugë të sigurt për të ardhmen e saj europiane. Unë kam besim të plotë se gjatë punës së tij si Kryeministër gjatë mandateve të tij, të z.Rama, Shqipëria do të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Europian. Kosova sot është e lirë, është sovrane, ka 101 njohje ndërkombëtare. Tash po punojmë shumë ngushtë me gjithë partnerët tanë për t’u anëtarësuar në NATO e në Bashkimin Europian. Rruga e Kosovës është specifike sa i përket integrimit në mekanizmat ndërkombëtar, sepse ne nuk kemi pasur vetëm mbështetje, kemi pasur edhe oponentë në rrugën tonë të lirisë, të pavarësisë dhe tani të integrimeve. Por, jemi duke u përpjekur që edhe oponentët të jenë mirëkuptues në perspektivën tonë të ardhme euroatlantike. Shqiptarët në Maqedoni po afirmohen çdo herë e më tepër. Kanë zgjedhur liderët e tyre legjitimë që përfaqësojnë në mënyrë të dinjitetshme interesat e shqiptarëve.
Por, realisht është edhe e vërtetë se Kosova u tregua shumë afirmative dhe 3% e serbëve në Kosovë gëzojnë të drejta më tepër se 35% e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Po kjo është çështje që vetë lidershipi në Maqedoni, shqiptar, duhet të marrë vendime që u takojnë për të ardhmen integruese të tyre atje dhe pozicionin e tyre. Por, në të njëjtën kohë është inkurajuese, në veçanti, fillimi i kontaktit të drejtpërdrejtë për temat me rëndësi për shqiptarët në Preshevë, në Medvegj, në Bujanovc, që kanë filluar kontaktet direkte të tyre me qeverinë e Beogradit. Ne i mbështesim ato në përpjekjet e tyre. Fuqimisht i kemi mbështetur edhe në Bruksel, i mbështesim edhe tani. Mbështesim edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në Mal të Zi, në qeveri, në institucione lokale, në procesin e decentralizimit e shumë e shumë aspekte të tjera.
Pra, ne përpiqemi që shqiptarët më në fund të rehatohen nën qiellin europian siç e ka thënë edhe zoti Rama, dhe besoj, që kjo do të ndodhë, por kurrë shqiptarët në historinë e tyre në pozicion më të mirë nuk kanë qenë. Pozicion aktiv, pozitiv dhe jo vetëm diskriminues dhe pasiv. Pastaj kemi edhe mbështetjen e gjithë botës demokratike në perspektivën tonë afirmuese edhe kombëtare, edhe demokratike.
Sa i përket mikut, po është e vërtetë ne jemi miq të vjetër. Kemi patur bashkëpunime të ndryshme, në pozicione të ndryshme që kemi qenë, kur isha unë në opozitë apo kur Kryeministri Rama ishte kryetar bashkie, pastaj Kryeministri Rama në opozitë, unë si Kryeministër. Dua të jemi shumë i hapur dhe i sinqertë ndjehem shumë mirë pasi as zoti Rama e as unë s’i kemi parë raportet tona në kuptimin ideologjik, por në kuptimin e interesit të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, paqes dhe stabilitetit në rajon.
Unë e kam mik edhe Berishën, edhe Metën, edhe Bashën, dhe zotin Rama. Edhe zoti Rama të gjithë liderët politikë në Kosovë i ka miq, por betejat politike që zhvillohen në parlament edhe në Shqipëri edhe në Kosovë janë çështje tona të brendshme.”
*Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.