Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Nëntor 2017
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017 PËR BASHKITË PATOS DHE ROSKOVEC, PËR DËMSHPËRBLIMET E FAMILJEVE, BANESAT E TË CILAVE JANË DËMTUAR NGA LËKUNDJET E TOKËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, të shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.329, datë 16.5.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”, e të vendimit nr.155, datë 1.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësinë administrative Zharrëz, Patos (fshati Dukas), bashkia Patos, dhe Kuman, bashkia Roskovec”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Bashkisë Patos, në buxhetin e vitit 2017, t’i shtohet fondi prej 172 868 638 (njëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë) lekësh, për dëmshpërblimin e 71 (shtatëdhjetë e një) familjeve, banesat e të cilave janë shkatërruar nga lëkundjet e tokës në fshatrat Zharrëz dhe Dukas.
2. Bashkisë Roskovec, në buxhetin e vitit 2017, t’i shtohet fondi prej 2 297 247 (dy milionë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dyzet e shtatë) lekësh, për dëmshpërblimin e 1 familjeje, banesa e së cilës është shkatërruar nga lëkundjet e tokës në fshatin Marinëz.
3. Dëmshpërblimi të jetë sipas listave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me emrat e individëve dhe shumën përkatëse të dëmshpërblimit.
4. Fondi i përgjithshëm prej 175 165 885 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh të çelet për bashkitë Patos dhe Roskovec dhe të përballohet, si më poshtë vijon:
a) Nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 73 992 071 (shtatëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëdhjetë e një) lekë;
b) Nga Bankers Petroleum Albania, në masën 101 173 814 (njëqind e një milionë e njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë.
5.Kryerja e pagesave për personat përfitues, banesat e të cilave janë shkatërruar plotësisht nga lëkundjet e tokës, të bëhet nga bashkitë Patos dhe Roskovec.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Kombëtar i Banesave, institucioni i prefektit të Qarkut Fier, Bashkia Patos dhe Bashkia Roskovec për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.