Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 tetor 2017
V E N D I M
PËR
KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mjediset e ndërtesës “Godina e inovacionit”, me numër pasurie 1/12, zona kadastrale 8160, rruga “Papa Gjon Pali”, nr.3, kalojnë në përgjegjësi administrimi tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, për mjedise pune, për ushtrimin e veprimtarisë së saj administrative, sipas planimetrisë, dhënë në anekset bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë vijon:
– Aneksi 1, në katin nëntokë (-1), Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit i kalojnë në përgjegjësi administrimi sipërfaqja 546 (pesëqind e dyzet e gjashtë) m², sipërfaqja 490 (katërqind e nëntëdhjetë) m² dhe sipërfaqja 535 (pesëqind e tridhjetë e pesë) m².
– Aneksi 2, në katin përdhes (0), Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit i kalojnë në përgjegjësi administrimi sipërfaqja 937 (nëntëqind e tridhjetë e shtatë) m², sipërfaqja 90 (nëntëdhjetë) m², sipërfaqja 90 (nëntëdhjetë) m² dhe sipërfaqja 454 (katërqind e pesëdhjetë e katër) m².
– Aneksi 3, në katin e parë (1), Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit i kalojnë në përgjegjësi administrimi sipërfaqja 815 (tetëqind e pesëmbëdhjetë) m², sipërfaqja 371 (treqind e shtatëdhjetë e një) m² dhe sipërfaqja 385 (treqind e tetëdhjetë e pesë) m².
– Aneksi 4, në katin e dytë (2), Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit i kalojnë në përgjegjësi administrimi sipërfaqja 700 (shtatëqind) m² dhe sipërfaqja 871 (tetëqind e shtatëdhjetë e një) m².
2. Në katin e parë (1), mjedisi me sipërfaqe 815 (tetëqind e pesëmbëdhjetë) m2 t’i jepet në përdorim për një afat të pacaktuar Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për ushtrimin e veprimtarisë së saj administrative.
3. Në katin e parë (1), mjedisi me sipërfaqe 371 (treqind e shtatëdhjetë e një) m2 t’i jepet në përdorim deri më 31 dhjetor 2017 qendrës “Protik ICT Resource Center” për ushtrimin e veprimtarisë së saj administrative.
4. Në katin e parë (1), mjedisi me sipërfaqe 385 (treqind e tetëdhjetë e pesë) m2 t’i jepet në përdorim për një afat të pacaktuar Komisionit të Prokurimit Publik për ushtrimin e veprimtarisë së tij administrative.
5. Në katin e dytë (2), mjedisi me sipërfaqe 700 (shtatëqind) m2 t’i jepet në përdorim për një afat të pacaktuar Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), për ushtrimin e veprimtarisë së tij administrative.
6. Vendimi nr.34, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim, pa shpërblim, të një sipërfaqeje prej 871 m2, në përgjegjësi administrimi të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), projekti “Innovation Hub”, shfuqizohet.
7. Vendimi nr.974, datë 2.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) e të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe në përdorim të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik (AKCE) e të Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), të mjediseve të ndërtesës (godinës) “Ish-Inima”, shfuqizohet.
8. Institucioneve, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi apo në përdorim mjediset e godinës, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës, t’i tjetërsojnë ato apo t’ua japin në përdorim të tretëve.
9. Ngarkohen Kryeministria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR LIRIMIN E NJË ANËTARI, I CAKTUAR KRYETAR, TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 116, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për lirimin e z. Piro Xhixho si anëtar, i caktuar kryetar, i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 645, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN DHE MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË ÇMIMIT TË BARNAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 38, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.645, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
1. Në shkronjën “a”, të pikës 2, dhe në të gjithë përmbajtjen e këtij vendimi, emërtimi “Drejtoria Farmaceutike” zëvendësohet me “Sektori i rregullimit të tregut farmaceutik dhe pajisjeve mjekësore”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.18, DATË 11.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2017”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 14, të ligjit nr.130/2017, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shtojca 2, që i bashkëlidhet vendimit nr.18, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2017.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS SË QIRASË SË RINEGOCIUAR, NDËRMJET DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË DOGANAVE DHE SHOQËRISË “CONTINENTAL GROUP”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 801 dhe vijues të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.708, datë 12.10.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, shtrirjen territoriale dhe klasifikimin e zonës së përhershme doganore Tiranë (Vorë-Muçaj)”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës së qirasë së rinegociuar, ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe shoqërisë “Continental Group”, sh.a., sipas tekstit të amendamentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera e qirasë, për periudhën nga hyrja në fuqi e kontratës deri në dhjetor 2017, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Fondi në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është në shumën prej 19 255 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekësh.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të parashikojë në buxhetin e saj fonde për përballimin e pagesës së qirasë, sipas afatit kontraktor për periudhën në vijim.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E TRETË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e tretë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e tretë të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit e të shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:
a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 459-2, “Rregullimi i presionit të gazit në linjat e shërbimit për presionet hyrëse deri në 5 bar”;
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 462, “Linjat e gazit me tuba çeliku, për presion operimi deri në 16 bar – Ndërtimi”;
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 472, “Linjat e gazit me tubacione polietileni, për presion operimi deri në 10 bar – Ndërtimi”;
ç) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GË 20, “Mbrojtja katodike nga korrozioni në tubat mbrojtës në zonat e kryqëzimeve me rrugët e transportit, tubat prej çeliku të produktit në procedurën me shtytje”;
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GË 120, “Dokumentacioni i rrjeteve të tubacioneve të shoqërive të transmetim – shpërndarjes”.
3. Çdo dispozitë e akteve nënligjore, që bie ndesh me rregullat teknike dhe kriteret e sigurisë të miratuara në këtë vendim dhe në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1030, datë 27.11.2013, “Për miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e parë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”, dhe nr.104, datë 4.2.2015, “Për miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e dytë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE TË PESHKIMIT DHE AKUAKULTURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, sipas lidhjes 1, me 9 (nëntë) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA TOKË “ARË” NË TOKË “TRUALL”, PËR NDËRTIMIN E OBJEKTIT “VEPËR INDUSTRIALE – MAGAZINË”, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE KASHAR, BASHKIA TIRANË, ME ZHVILLUES SHOQËRINË “MARKETING & DISTRIBUTION”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga tokë “arë” në tokë “truall”, të sipërfaqes prej 27 915.70 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë) m², sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e objektit “Vepër industriale – magazinë”, në njësinë administrative Kashar, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Marketing & Distribution”, sh.p.k.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qarkun Tiranë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë “arë” në tokë “truall”, për sipërfaqen prej 27 915.70 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë) m² , sipas pikës 1 të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Tiranë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI DHE RIVITALIZIMI I PARKUT “AQIF PASHA””, NË BASHKINË E ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi dhe rivitalizimi i parkut “Aqif Pasha””, në Bashkinë e Elbasanit.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë “ndërtesë”, me sipërfaqe 325.30 (treqind e njëzet e pesë pikë tridhjetë) m², me vlerë të përgjithshme prej 20 942 901,83 (njëzet milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e nëntëqind e një presje tetëdhjetë e tre) lekësh, si dhe “truall”, me sipërfaqe 156 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë) m², me vlerë 2 131 896 (dy milionë e njëqind e tridhjetë e një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 23 074 797,83 (njëzet e tre milionë e shtatëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e shtatë presje tetëdhjetë e tre) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Elbasan, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Elbasan.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë Elbasan, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 156 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë) m², “truall”, për projektin “Zgjerimi dhe rivitalizimi i parkut “Aqif Pasha””, të bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.
9. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan dhe Bashkia Elbasan, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.7, DATË 11.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2017 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.7, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 të vendimit, numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet “…2 401 punonjës.”.
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1 të vendimit, bëhen këto shtesa:
Në ndarjet “Gr.29 Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”, “Gr.73 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, “Gr.87 Institucione të tjera qeveritare”, shtohen nëndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Në pikën 2 të vendimit, pas fjalëve “…Drejtorisë së Dëmshpërblimit të ish-të Përndjekurve Politikë…” shtohen “…dhe tre punonjësit e kontraktuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.