Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Tetor 2017

 

 

V E N D I M

 

PËR

 

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjave “c” e “ç”, të pikës 14, të vendimit nr.999, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e përfaqësimit, përzgjedhjes, të emërimit e të shkarkimit, rregullat e funksionimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Lirimin nga detyra e anëtarit të Këshillit të Statistikave, në përputhje me përcaktimet e shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 14, të vendimit nr.999, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, të:

a)       Znj. Ilda Malile, përfaqësues i përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;

b)       Z. Dhimitër Tole, përfaqësues i botës akademike;

c)       Znj. Mirela Muça, përfaqësues i shoqërisë civile.

 

2. Emërimin në detyrën e anëtarit të Këshillit të Statistikave të:

a) Z. Adrian Kamenica, përfaqësues i përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare;

b) Znj. Kozeta Sevrani, përfaqësues i botës akademike;

c) Z. Engjëll Skreli, përfaqësues i shoqërisë civile.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.289, DATË 17.5.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN  DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE (ALUIZNI)”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 46, të  ligjit nr.9482, datë 16.2.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.289, datë 17.5.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

 

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale në Republikën e Shqipërisë, me poshtë e quajtur ALUIZNI, është institucion qendror, person juridik, publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë.”.

 

2. Kudo në vendim, emërtimet “Ministri i Zhvillimit Urban” dhe “Ministria e Zhvillimit Urban” zëvendësohen me “Ministri i Drejtësisë”.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT KANINË E TË ZONËS SË MBROJTUR RRETH SAJ DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Kaninë e të Zonës së Mbrojtur rreth saj sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Kaninë dhe të Zonës së Mbrojtur rreth saj”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.482, DATË 5.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PEZULLIMIN   E PËRKOHSHËM TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT, PËR VITIN 2017”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shfuqizimin e vendimit nr.482, datë 5.7.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit, për vitin 2017”.

2. Ngarkohen të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

SHKARKIMIN NGA DETYRA TË NJË ANËTARI TË KËSHILLIT  TË STATISTIKAVE DHE ZËVENDËSIMIN E TIJ

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 4, shkronja “a”, e 5, të nenit 10, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 15, të vendimit nr.999, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e përfaqësimit, përzgjedhjes, të emërimit e të shkarkimit, rregullat e funksionimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shkarkimin nga detyra e anëtarit të Këshillit të Statistikave të z. Endrit Lami, përfaqësues i Ministrisë së Financave, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, të ndryshuar.

2. Zëvendësimin e anëtarit të Këshillit të Statistikave, të përmendur në pikën 1, me z. Nikolla Lera, përfaqësues i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë,  për pjesën e mbetur të mandatit, sipas pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.9180,  datë 5.2.2004, të ndryshuar.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË FSHATIT BRATAJ”, SELENICË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5,    pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i qendrës së fshatit Brataj”, Selenicë.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Selenicë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 252 508 (dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 252 508 (dy milionë e dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e tetë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Selenicë.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Selenicë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

 

PËR

 

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.512, DATË 13.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Pas pikës IV, të vendimit nr.512, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika IV/1, me këtë përmbajtje:

“IV/1. Deri në miratimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, në bazë të të cilit do të përcaktohet organi që ngarkohet me përgjegjësinë e administrimit të ujërave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të vazhdojë të ushtrojë kompetencat në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave të administrimit të ujërave.”.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.