Mesazhe mirënjohje dhe falënderimi iu drejtoi Kryeministri Edi Rama kontingjentit të ushtarakëve të Forcave tona të Armatosura në kuadër të misionit të NATO-s në Afganistan, teksa komunikoi sot, në një lidhje të drejtëpërdrejtë me ta në vend-dislokimin e tyre në Kabul, ku ndodhej edhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
“Jemi mbledhur këtu, bashkë me një pjesë të miqve dhe aleatëve me të cilët trupat shqiptare kontribuojnë këtu në Afganistan. Kemi marrë vlerësimet maksimale për përkushtimin dhe profesionalizmin e ushtarakëve tanë,” – u shpreh Ministrja Xhaçka, duke theksuar gjithashtu se shërbimi i tyre, nuk është vetëm në dobi të Afganistanit, por i shërben edhe stabilitetit dhe projektimit të sigurisë për gjithë zonën euroatlantike.
Motivim, përkushtim e profesionalizëm është kryefjala e ushtarakëve, e konfirmuar kjo edhe nga komandantë të Aleancës. “Kam marrë shërbimin para 11 muajsh dhe dëshiroj t’u informoj se performanca e trupave tanë në Afganistan është e jashtëzakonshme. Kam pasur rastin të takoj komandantët e të gjitha niveleve, të cilët kanë shprehur vlerësimet e tyre maksimale për punën e personelit tonë. Ata janë vërtetë të entuziazmuar nga kjo punë,” – shprehet një nga drejtuesit e kontingjentit në Kabul.
“Djemtë janë shumë të motivuar në punën e tyre. Ka mbetur akoma dhe një muaj dhe mendojmë të bëjmë më të mirën. Performancë e shkëlqyer. Gjithë efektivi është i përkushtuar. Ju falënderojmë për mbështetjen që i jepni kontingjentit,” – shprehet një nga ushtarakët e kontingjentit.
Duke i falënderuar për kontributin e çmuar për sigurinë dhe performancën e lartë në detyrë, Kryeministri siguroi se mbështetja e qeverisë ndaj tyre do të vijë duke u rritur. “Unë mund t’ju konfirmoj se në çdo takim, në çdo komunikim me përfaqësues të ndryshëm të Aleancës dëgjojmë me krenari fjalët më të mira dhe përshkrimin më dinjitoz për të gjithë praninë dhe veprimtarinë tuaj atje. Jemi shumë mirënjohës dhe shumë krenarë për këtë. Jam unë që duhet t’u falënderoj. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën. Sigurisht do të donim të bënim më shumë dhe më shumë do të bëjmë hap pas hapi, se mundësitë falë reformave dhe përpjekjeve të përbashkëta shkojnë duke u rritur, jo duke u zvogëluar. Por fakti është që ajo çka ju bëni, nuk ka të paguar, – siç thotë populli, – për dinjitetin e vendit tonë dhe për nderin e flamurit tonë. Faleminderit për të gjithë ju, por edhe për familjet tuaja edhe për fëmijët tuaj që jetojnë të ndarë prej jush, sepse ju jeni në një detyrë kaq të lartë, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët.”