Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin ku u prezantua operacioni kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”:
Mirëdita të gjithëve!
Dua ta nis me faktin që ky është viti i gjashtë që aksioni “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë” merr jetë dhe ne të gjithë së bashku do të reflektojmë për të vërtetën. Pavarësisht se aksioni në 5 edicionet e tij ka qenë goxha masiv dhe goxha efikas, ne kthehemi përsëri në të njëjtën pikë, pra, aksioni bëhet, pas një viti rifillon çdo gjë nga e para, a thua se asgjë nuk ka ndodhur në një vit.
Për këtë arsye, ne kemi bërë një reflektim goxha të gjatë dhe të thellë në të gjithë muajt e përgatitjes së qeverisë së re, por edhe në këtë fazë shumë fillestare të qeverisjes së mandatit të dytë, për t’i dhënë vazhdimësi këtij aksioni. Duke e kthyer në një operacion afatgjatë dhe për ta shoqëruar gjithë këtë proces me disa ndërhyrje të rëndësishme të natyrës ligjore dhe me disa ristrukturime të rëndësishme brenda për brenda mekanizmit të qeverisjes, në mënyrë që çdo vit, kur dita e këtij aksioni të vijë, Shqipëria të jetë më e pastër seç ishte një vit më parë dhe jo të jetë po ajo që ishte një vit më parë.
E vërteta është se ne kemi humbur shumë vite edhe në këtë aspekt, si në shumë aspekte të tjera, duke shkruar, financuar, publikuar strategji pas strategjish dhe duke bërë në vendnumëro, për arsye se nuk kemi bërë reformat e duhura dhe se nuk është gjetur për 20 e kusur vite, kurajo për të reformuar vetë mekanizmat e qeverisjes, institucionet dhe gjithë ato trupa, përmes së cilave ligjet duhen të garantohen në zbatueshmërinë e tyre.
Ka 7 Strategji Kombëtare Zhvillimi Shqipëria, në këto vite, për mjedisin. Ka edhe më keq, se për ujin kemi shumë më tepër se shtatë. 23 ligje të ndryshme për mbrojtje të mjedisit, 20 ligje për ratifikime dhe aderime në protokolle ndërkombëtare, marrëveshje, amendamente, duzina të tëra rishikimesh dhe shtesash në legjislacion, afro 100 vendime qeverie në vite, që lidhen drejtpërdrejtë me mjedisin, 20 udhëzime, 5 rregullore, domethënë, nga pikëpamja e sasisë së të gjithë këtyre instrumenteve ligjorë, ne duhet të jemi ndër vendet e para në Europë, besoj. Por, kur vjen puna tek realiteti, jemi sigurisht ndër vendet e fundit përsa i përket përgjegjshmërisë qytetare dhe përgjegjshmërisë institucionale në zbatimin e ligjit.
Njëmijë leje mjedisore, të cilat janë lëshuar pa kriter dhe pa karar dhe më pas nuk ka ndodhur pothuajse asgjë, për të mos thënë asgjë fare, në monitorimin e respektimit të tyre. Prandaj sot kemi situata dramatike, plagë të hapura në territor, në të gjitha aspektet, e këtij fenomeni të tmerrshëm të ndotjes që prek kudo, prek trupin e vendit, prek trupin e njeriut pa mëshirë, si rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë nga secili dhe i mosushtrimit ashtu si duhet të përgjegjësive nga vetë shteti.
Sot thuhet në shifrat zyrtare se një individ gjeneron mesatarisht 400 kg mbetje në vit, nga të cilat, vetëm 40 kg shkojnë për riciklim. Ndërkohë që pjesa tjetër nuk dihet ku shkon.
Pamja e hartës së fotografive të bëra në shumë pak ditë është tragjike. Në një mobilizim të shpejtë të një grupi njerëzish vullnetmirë, qoftë të organizatës rinore që ka këtë objektiv, qoftë të një pjese të inspektorëve të mjedisit, janë fotografuar 9100 vendhedhje plehrash pa kriter e pa karar, totalisht jashtë çdo lloj standardi dhe norme ligjore, në të gjithë hartën e këtij vendi që ka vetëm një mundësi reale për të qenë konkurrues në një treg shumë të ndërlikuar, gjithmonë e më të hapur e për të qenë dinamik në zhvillimin e vet të qëndrueshëm dhe për të prodhuar mirëqenie për njerëzit, të shfrytëzojë bukurinë e vet.
Bukuria që ia ka falur Zoti këtij vendi, apo natyra për kë nuk beson në Zot, është një aset që çdonjëri prej nesh duhet ta ruajë si dritën e syve, kudo ku ne e prekim, kudo ku ne e shfrytëzojmë, kudo ku ne hedhim sytë.
I gjithë ky shpërdorim i kësaj bukurie, i gjithë ky abuzim me këtë bukuri, i gjithë ky përdhunim i këtij trupi kaq të bukur, siç është trupi i Shqipërisë, kthehet përveçse në dëm i drejtpërdrejtë dhe vështirësisht, apo me shumë kosto i rikuperueshëm, edhe në një dëm të drejtpërdrejtë për shëndetin e njerëzve, për shëndetin e fëmijëve, për shëndetin e kujtdo, për çdo akt papërgjeshmërie që secili bën duke hedhur plehrat, pa pyetur fare se çfarë ndodh me atë mbeturinë që ai nxjerr nga dora. Ajo kthehet në një burim helmi për atë vetë, për njerëzit e tjerë, në radhë të parë për fëmijët.
Natyrisht, kjo është situata, unë nuk po them asgjë të re. Por ne jemi shumë të vendosur ta përmbysim këtë situatë. Për këtë arsye, aksioni që bëhet në datën 24, nuk do të mbarojë me aksionin, por do të kthehet në një operacion 6-mujor dhe do të përfundojë si operacion në 24 maj të vitit 2018. Çdo ditë, ne do të jemi të angazhuar në territor me të gjitha forcat, duke përdorur të gjitha rrugët e komunikimit, duke vënë në dispozicion të këtij operacioni të gjitha mjetet e mundshme në çdo nivel, në mënyrë që Shqipëria turistike e sezonit të ardhshëm të jetë shumë më e lehtësuar nga barra e këtyre plehrave në të gjithë trupin e vet.
Në këto 6 muaj, ne nuk do të mjaftohemi me operacionin, por do të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme për të ndërtuar mekanizma efikase, që ajo që do të arrijmë në këto 6 muaj të mos përmbyset në 6 muajt e ardhshëm dhe kur të vijë dita e aksionit tjetër pas një viti, të mos jemi përsëri në këtë situatë, por të jemi shumë më përpara, krahasuar me këtë moment starti.
Kjo kërkon një aleancë gjithmonë e më të gjerë me njerëzit, kërkon një rritje të ndjeshmërisë dhe një nivel të ri të edukimit. Për këtë arsye, ne po punojmë edhe me pjesën e ministrisë së Arsimit në qeveri, që të rrisim volumin e orëve dhe të materialeve ekstra-kurrikulare për edukimin mjedisor dhe të përfshijmë në këtë proces fëmijët që në moshën më të vogël. Eksperienca e shumë vendeve dhe e vendeve më të zhvilluara se Shqipëria, në momente kyçe kthesash, si ky moment kthese në raport me mjedisin, ka mësuar që fëmijët janë avokatët më të mirë dhe janë faktikisht ata që luajnë rolin e prindit mbi prindërit, kur vjen puna për të frenuar sjelljet abuzive të prindërve në raport me mjedisin.
Nëntëmijë e kusur vende grumbullime plehrash në hartën e një vendi kaq të vogël si Shqipëria dhe pranë zonave të banuara janë një kosto e tmerrshme që askush nga ne nuk mund ta mbajë dot, nuk mund të rrijë dot i qetë e nuk mund të flejë dot i qetë, pa e parë këtë kosto të zbresë në zero.
Sigurisht që këtu kërkohet një reformë dhe ne e kemi nisur, reforma e inspektorateve. Besoj që më herët se vonë, por brenda këtij gjashtë mujori, ne do të bëjmë një transformim rrënjësor të gjithë kulturës së inspektimit dhe të mekanizmit të inspektimit dhe një pjesë e konsiderueshme e inspektimit, edhe për mjedisin, do t’i kalojë Policisë së Shtetit.
Nuk mundet më që Policia e Shtetit t’i rrijë larg zhvillimit kriminal në të gjithë territorin të një veprimtarie të përditshme qytetare, që është bërë zakon, njësoj si ngrënia e vakteve të ushqimit e nuk mundet më që ne të jemi vetëm në pozita reaguese, kur një komunitet, apo një qytetar, apo një organizatë denoncon një vendgrumbullim, atëherë shkon e reagon trupa përfaqësuese e shtetit dhe thirret dhe policia për të bërë aktet e veta ligjore në funksion të zbatimit të ligjit. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu.
Unë jam shumë besimplotë se duke përfshirë drejtpërdrejtë Policinë e Shtetit në këtë proces dhe duke e përfshirë krimin mjedisor në detyrat e përditshme të Policisë së Shtetit, situata do të ndryshojë rrënjësisht, siç ndryshoi me ndërtimet pa leje. Ishim vendi me një shpërthim ndërtimesh pa leje prej 20 e kusur vite, kush donte, ndërtonte ku donte dhe veprimtaria pa leje i mbetej vetëm një trupe shumë të vogël inspektorësh të ndërtimit e askush tjetër nuk merrej me ndërtimtarinë pa leje, që është një krim në vetvete dhe ka brenda shumë vepra penale, që nga grabitja e pronës së tjetrit deri tek ndotja e ujit, tek shkatërrimi i sistemeve të përbashkëta të furnizimit me energji, me ujë, të kanalizimeve e të tjera.
U bë shumë debat atëherë, por koha tregoi që kishim të drejtë. Mund të bëhet prapë debat tani, por koha do tregojë që kemi të drejtë. Duke përfituar nga eksperienca shumë e suksesshme e planit kombëtar të luftës kundër kanabisit që faktikisht na solli në çrrënjosjen thuajse të plotë të fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike, duke ndarë Shqipërinë me parcela përgjegjësie për çdo komisariat, për çdo drejtori e për çdo qark, ne do bëjmë të njëjtën gjë për të gjitha këto spote të papërgjegjshmërisë kolektive dhe individuale, që janë turpi më i madh në fytyrën e çdokujt që jeton në këtë vend, hedh apo nuk hedh plehra. Duke filluar nga unë i pari si Kryeministër, tek ministri i Mjedisit, kryetarja e Bashkisë, tek të gjithë ata që kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të kontribuuar në këtë betejë, pavarësisht se askush më vete nuk mund t’i japi kësaj lufte një zgjidhje fitimtare e deri tek i fundit fare.
Ky është një turp kombëtar, të cilin ne duhet ta heqim nga fytyra e vendit tonë dhe nga fytyra e secilit prej nesh. Ne do të bëjmë gjithçka. Ne nuk mund të bashkëjetojmë me këto vatra sëmundjesh, me këto vatra zhgënjimi për këdo që vjen në Shqipëri me idenë për të parë një mrekulli të natyrës dhe ndesh në mënyrë të vazhdueshme, krahas mrekullive që ka bërë natyra, këto lloj shfaqjesh brutale të refuzimit të individit në jetën tonë dhe të refuzimit të grupeve deri në komunitete për të marrë përsipër përgjegjësinë.
Unë i kuptoj edhe pamundësitë për të pasur sa hap e mbyll sytë, një sistem të grumbullimit, të administrimit. I kuptoj edhe paragjykimet për riciklimin lidhur dhe me debatet që kemi bërë në të shkuarën. E meqë ra fjala, sot kur ne shohim se ka një shtrëngim që po jep rezultate për prerjen e pyjeve në zonat ku njerëzit ngrohen me dru zjarri, ka një mungesë, duke qenë të verbër në refuzimin e lejimit të importit për mbetjet drusore, që bëjnë peletin e famshëm me të cilin ngrohen një pjesë e madhe e njerëzve në Europë e me të cilin ngrohen me kosto shumë më të ulët edhe shkollat, ne faktikisht jemi në një ngërç. Por kjo është temë tjetër.
Sot, të gjitha mund të kuptohen, por nuk mund të kuptohet hedhja në vazhdimësi e plehrave me vend e pavend. Nuk mund të kuptohet që në bregdetin e Shqipërisë, gjatë sezonit turistik, plehrat të bashkëjetojnë me turistët. Mbeturinat e krijuara nga ngrënia e drekës të bashkëjetojnë me lodrat e fëmijëve. Këto nuk mund të kuptohen.
Shumë afër nesh është një ishull që quhet Korsika. Ata nuk shpenzojnë asgjë për të pastruar, por nëse hedh një bisht cigare në plazh, nuk ke shans, jo të vazhdosh të bësh plazh aty, por të hiqet mundësia për të marrë vizë për të hyrë në Korsikë, herën tjetër. Kush do ta mbajë pastër vendin e vet, e mban dhe në proces, edhe krijimi i infrastrukturës, edhe krijimi i sistemeve të përpunimit vjen hap pas hapi.
Dua ta rinënvizoj që kjo nuk është absolutisht e pamundur. Kjo është e mundur dhe ne do ta realizojmë. Objektivi që kemi vendosur për 300 ditët e para të qeverisjes është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë sezoni më i pastër i vendit tonë dhe kudo ku të bëhet plazh në Shqipëri, plehrat që kanë bashkëshoqëruar gjithë këto vite zhvillimin e turizmit, të jenë një kujtim i të shkuarës dhe për çdo rast që ato do të evidentohen, masat do të jenë drastike ndaj kujtdo që ndot mjedisin.
Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që ne kemi mirëkuptim të plotë me të gjithë kryetarët e bashkive. Ne këtu jemi të gjithë bashkë e me shumë respekt për praninë e të gjithë kryetarëve të bashkisë, pa përjashtim. E nënvizova këtë për të thënë se këtu nuk ka parti, nuk ka majtas-djathtas, nuk ka lojë me plehra. Boll bëhet në parlament loja, kujt t’ia hedhim baltën. Këtu nuk ka dot një lojë të mundshme, kujt t’ia lëmë plehrat në derë, sepse ato plehra janë aty, në mes të shtëpisë tonë të përbashkët dhe është detyra e të gjithëve ne të heqim plehrat.
Shqiptarët në çdo shtëpi, edhe në shtëpitë më të varfra, nuk janë pisanjosë, janë të pastër. E ky është fakt. Kurrë nuk janë shquar për të kundërtën. Kujtimet e të gjithë udhëtarëve, edhe në kohëra kur këtu lëvizej shumë pak, në kohëra shumë më të vjetra, nuk flasin për një vend ku, kur hyn nëpër shtëpi, gjen pisllëkun mes shtëpisë. Kurrë!
Pse kemi një vend që ka këtë ndotje kaq të madhe? Si ka mundësi që jemi në këtë pikë? Këtu nuk kanë lidhje as fondet, as ligjet, as mungesa e saj apo kësaj, këtu ka lidhje krijimi i një mentaliteti të rrumpallës dhe gjej vend e hidh, hap xhamin e makinës dhe hidh dhe se ku shkon ajo që hedh, nuk është më puna ime.
Lufta ndaj këtij mentaliteti është sot, një domosdoshmëri jetike për të gjitha arsyet. Nuk ka një arsye që nuk lidhet me këtë, qoftë e shëndetit, zhvillimit ekonomik, zhvillimit të turizmit, zhvillimit të shoqërisë si e tërë, të gjitha bashkë. E kjo është plotësisht e mundur. Ne do t’i shkojmë kësaj deri në fund, me të njëjtën vendosmëri që i kemi shkuar deri në fund edhe operacioneve të tjera, me të njëjtën vendosmëri që do t’i shkojmë deri në fund edhe operacionit për t’i dhënë fund vjedhjeve dhe abuzimeve me një pasuri të madhe kombëtare siç është uji. E ne do t’ia dalim!
Këtë herë kemi një avantazh. Në përpjekjet e tjera nuk kemi pasur në krah një organizatë, siç është organizata e gjithë këtyre vajzave dhe djemve vullnetarë për pastrimin. Sot kemi në krah edhe ata dhe kjo na jep shumë më tepër forcë dhe besim që ne mund t’ia dalim dhe do t’ia dalim me patjetër.
Ambicia ime është që në këto 4 vite, Shqipëria të bëhet nga një vend problematik përsa i përket mbetjeve dhe nga një vend i mrekullueshëm për atë që është dhe tmerrësisht i ndotur për atë që i bëjnë njerëzit, në një vend të pastër dhe pastërtia e këtij vendi të jetë një nga gjërat që të lëri përshtypje tek çdokush që e viziton, siç ka filluar të lëri përshtypje tek çdokush që viziton Tiranën.
Tirana, deri përpara dy vjetësh ishte bërë qyteti më i pistë i Shqipërisë, sot është qyteti më i pastër i Shqipërisë. E ka ndryshuar vetëm raporti i përgjegjësisë së gjithkujt që ka detyrë ta mbajë pastër, me fenomenin. Përgjegjësia ndan të shkuarën nga e ardhmja. Ne, këtë përgjegjësi e kemi dhe do ta marrim të plotë dhe sëbashku me gjithë këta të rinj, që këtë përgjegjësi ia kanë vënë vetes, nuk ia ka ngarkuar njeri, as me vota e as me ndonjë detyrim tjetër, do t’ia dalim ta bëjmë Shqipërinë një vend që të rrezatojë pastërti e përgjegjësi të gjithkujt ndaj mjedisit, me hir e me pahir. Me hir, sëbashku me të gjithë ata që Shqipërinë e duan të pastër, jo vetëm me llafe, por janë gati të kontribuojnë për të dhe me pahir ndaj çdokujt që Shqipërinë e do të pastër vetëm kur bën komentet në Facebook dhe është gati, sapo mbyll iphone, të hedhë bananen që është duke ngrënë, ndërkohë që bën komente.
Shumë faleminderit!