Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Qershor 2016
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.55, DATË 27.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE TË POLICISË SË SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 62, 97 e 98, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.55, datë 27.1.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 4 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas nënndarjes 4.5 shtohet nëndarja 4.6, me këtë përmbajtje:
“i. 4.6. Uniformë civile për zyrat e pritjes së qytetarëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, sipas modelit në lidhjen nr.3/a, që i bashkëlidhet këtij vendimi;”.
b) Në paragrafin e fundit, pas referencës “…4.4…” shtohet “… 4.6…;”.
2. Në pikën 6, pas nënndarjes 6.9 shtohet nënndarja 6.10, me këtë përmbajtje:
“6.10 periudhën tranzitore të përdorimit të uniformës që është në përdorim dhe të uniformës së re, që do të miratohet.”.
3. Në albumin bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në lidhjen nr.1, në faqet 5 e 6, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i) Përmasat “…60 mm x 58 mm…” zëvendësohen me “…60 mm x 52 mm…”;
ii) Fjalët “…përzierja; 67% pambuk – 33% fibër poliestër +/- 3%…” zëvendësohen me “…përzierja; 50% pambuk – 50% fibër poliestër +/- 3%…”;
iii) Fjalët “Pesha e tekstilit 125 gr/m2 +/- 5 gr…” zëvendësohen me “Pesha e tekstilit 220 gr/m2 +/- 5 gr…”;
iv) Pas fjalëve “…material plastik…” shtohen “…përveç gradave të mëdha të spaletit ceremonial, të cilat i kanë elementet brenda gradës metalike ngjyrë ari, dhe…”;
b) Në lidhjen nr.3, në faqet 27, 31 dhe 32, shtohet pjesa e uniformës së veçantë, si më poshtë vijon:
i) “Bluzë pambuku me 3 kopsa, me mëngë të gjata, ngjyrë blu”, sipas modelit në lidhjen nr.3/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii) “Këpucë vere”, sipas modelit në lidhjen nr.3/c, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Në lidhjen nr.3, në faqen 42, shtohet si pjesë e uniformës ceremoniale:
“Kostumi ceremonial”, për trupën ceremoniale, sipas modelit në lidhjen nr.3/d, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Në lidhjen nr.4, në faqen 47, fjalët “Në pjesën e poshtme…”, zëvendësohen me “Në pjesën e sipërme…”;
II. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2016, për programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
III. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR AKORDIMIN E GRANTIT EKONOMIKO-TEKNIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për akordimin e grantit ekonomiko-teknik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRITERET DHE MASËN E PËRFITIMIT TË PAGESËS SË QIRASË PËR STREHIM PËR PUNONJËSIN E POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 70, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.
2. Punonjësi i policisë që emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse emërohet/transferohet për shkak të detyrës dhe/ose për nevoja pune, në largësi mbi 36 km.
3. Masa e kompensimit për qira banese, për punonjësin e policisë të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, është, si më poshtë vijon:
a) Kur punonjësi i policisë nuk merr me vete në vendemërimin e ri të punës pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²;
b) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe një person dhe e merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 56.47 m²;
c) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe dy persona dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 79.74 m²;
ç) Kur punonjësi i policisë, ka në ngarkim dhe tre persona a më shumë dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 80.50 m².
4. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të policisë vërtetohet me certifikatën e gjendjes familjare.
5. Njësia shpenzuese në Policinë e Shtetit bën kompensimin e qirasë së banesës të punonjësit të policisë, përkundrejt paraqitjes së kontratës së qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”. Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
6. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 2, të këtij vendimi, punonjësi i policisë paraqet në organin ku është transferuar dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar;
b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare;
c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është i transferuar;
ç) Vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se ai nuk ka banesë në juridiksionin ku është transferuar;
d) Vërtetim nga ALUIZNI se punonjësi i policisë nuk ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.
7. Titullari i njësisë shpenzuese verifikon, nëpërmjet strukturave të varësisë, vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi i policisë dhe të zbatimit të kontratës së qirasë.
8. Punonjësi i policisë që përfiton trajtim me qira banese nuk do të trajtohet me pagesë për kompensim udhëtimi, sipas pikës 1, të vendimit nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”.
9. Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në juridiksionin territorial të drejtorisë vendore të policisë apo komisariatit të policisë ku ai bën pjesë.
10. Punonjësit të policisë, i cili për shkak të detyrës dhe/ose për nevoja pune emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.
11. Përcaktimi i apartamentit të banimit, që punonjësi i policisë do të marrë me qira, dhe i masës së pagesës së qirasë, sipas pikës 10, bëhet nga një komision vlerësimi në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, i cili përzgjedh ofertën më të leverdishme, mbi bazën e shqyrtimit të tre ofertave të marra nga ky punonjës, nga 3 shoqëri imobiliare.
12. Punonjësi i policisë, sipas përcaktimit në pikën 10, pasi merr miratimin për ofertën e përzgjedhur, nënshkruan kontratën e qirasë së apartamentit të banimit për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë ripërtëritjeje me të njëjtat kushte. Kontrata e qirasë, detyrimisht, duhet të bëhet në një zyrë noteriale në shtetin respektiv.
13. Procedurat standarde të punës për verifikimin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi i policisë, të lidhjes dhe zbatimit të kontratës së qirasë dhe pagesës së qirasë së banesës, sipas përcaktimeve të pikave 10, 11 e 12, të këtij vendimi, miratohen me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit.
14. Fondi i përcaktuar për pagesat e qirave për strehim planifikohet çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Shtetit.
15. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR KRYEMINISTRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, në zërin “Shpenzime korrente”, i shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
2. Ky fond i jepet, në formën e transfertës, Autoritetit të Mediave Audiovizive, për t’u përdorur për financimin e organizimit të fushatës për informimin e publikut për kalimin e transmetimeve analoge në transmetime dixhitale.
3. Efektet financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
4. Ngarkohen Kryeministria, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2016-2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.
2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
3. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.
4. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
5. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2016-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2016-2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË HUAS, TЁ RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10412, DATЁ 7.4.2011, “PЁR RATIFIKIMIN E MARRЁVESHJES SЁ HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE, POGRADEC, SI AGJENCI E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “MBROJTJA MJEDISORE E LIQENIT TË OHRIT, KANALIZIMET, POGRADEC III””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së huas, të ratifikuar me ligjin nr.10412, datë 7.4.2011, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Ujësjellës-Kanalizimeve Pogradec, si agjenci e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main për financimin e programit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Ohrit, kanalizimet, Pogradec III””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RISHIKIMI I PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË FAZËS SË PARË TË VIJËS BREGDETARE TË QYTETIT TË VLORËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rishikimi i projektit të zbatimit të fazës së parë të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 68 483 455.76 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 68 483 455.76 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
7. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SË STREHIMIT SOCIAL 2016-2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të nenit 34/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë së Strehimit Social 2016-2025, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Zhvillimit Urban, ministritë, institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT, “NDËRTIMI I PARKUT SPORTIV”, KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Parkut Sportiv”, Korçë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 388 140 245 (treqind e tetëdhjetë e tetë milionë e njëqind e dyzet mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 388 140 245 (treqind e tetëdhjetë e tetë milionë e njëqind e dyzet mijë e dyqind e dyzet e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Korçë.
7. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë Korçë të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT PËR INTERES PUBLIK MBI PASURITË E PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I KORRIDORIT TË NDËRTIMIT DHE SISTEMIT TË GAZSJELLËSIT (PJESË E PROJEKTIT TAP)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, si dhe të neneve 5/1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit për interes publik mbi pasuritë e paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i korridorit të ndërtimit dhe i sistemit të gazsjellësit (pjesë e projektit TAP).
2. Marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit mbi këto pasuri bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
3. Pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur, për sipërfaqen 269 614 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e katërmbëdhjetë) m2, e cila merret në përdorim të përkohshëm, për sipërfaqen 121 421.55 (njëqind e njëzet e një mijë e katërqind e njëzet e një pikë pesëdhjetë e pesë) m2, mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë totale prej 84 158 511.57 (tetëdhjetë e katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme prej 84 158 511.57 (tetëdhjetë e katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekësh dhe të gjitha shpenzimet procedurale do të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i kësaj kërkese.
5. Për likuidimin për efekt të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes se servitutit mbi pasuritë e përcaktuara në tabelat 1 dhe 2, do të procedohet, si më poshtë vijon:
a) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi pasurinë është vendosur kufizim”, pronarët përkatës do të likuidohen pas heqjes së urdhrit të kufizimit dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG;
b) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se mbi këtë pasuri është vendosur barrë hipotekore”, pronarët përkatës do të likuidohen pas heqjes së barrës hipotekore dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG;
c) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se ka diferencë midis sipërfaqes në dokument nga ajo në fakt apo në proces përmirësim/përditësimi”, pronarët përkatës do të likuidohen pas përfundimit të procesit të saktësimit të sipërfaqes dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG;
ç) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja shprehet se për këtë pasuri janë ndaluar veprimet deri në zgjidhjen e problemit të krijuar nga regjistrimi i parregullt”, pronarët përkatës do të likuidohen pas zgjidhjes së problemit të krijuar dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG;
d) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “ZVRPP-ja konfirmon se pasuria nuk është pajisur me certifikatë pronësie/AMPT është në proces konfirmimi”, pronarët përkatës do të likuidohen pas pajisjes me certifikatë pronësie dhe dorëzimit të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë shoqërisë TAP AG;
dh) Për të gjitha pasuritë, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, pronarët përkatës do të likuidohen pas dorëzimit pranë shoqërisë TAP AG të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të lëshohet nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
6. Çdo pronar, për t’u likuiduar për efekt të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG, dega Shqipëri, dokumentacionin e plotë të pronësisë, vërtetimin bankar, lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe kopjen e kartës së identitetit, të shoqëruar me një kërkesë.
7. Çdo përdorues likuidohet, për efekt të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, në bazë të kopjes së dokumentit të identifikimit, vërtetimit bankar, lidhur me numrin e llogarisë dhe IBAN-in, si dhe certifikatës familjare, që do të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG.
8. Shoqëria TAP AG do të kryejë likuidimet për efekt të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, në bazë të pikave 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar, Fier dhe Lushnjë, të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i marrjes në përdorim të përkohshëm dhe i servitutit, në favor të shtetit.
10. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar, Fier dhe Lushnjë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë, që do t’i vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG, si dhe të fillojnë procesin e regjistrimit të marrjes në përdorim të përkohshëm dhe të servitutit, në favor të shtetit.
11. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në Korçë, Devoll, Berat, Skrapar, Fier dhe Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK TË BASHKIMIT EVROPIAN, ME MISION TRAJNUES, NË REPUBLIKËN E MALIT, NË AFRIKË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.103/2012, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për krijimin e kuadrit për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në operacionet e menaxhimit të krizave të Bashkimit Evropian”, të neneve 3, pika 3, 6, pika 5, e 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian, me mision trajnues (EUTM Mali), si pjesë e Grupit EOD, në mbështetje të Kompanisë së Ruajtjes së Bazës dhe në ekipin e “Task-Forcës së Stërvitjes”, në Koulikoro, në Republikën e Malit, në Afrikë, me përbërjen, si më poshtë vijon:
a) 3 ushtarakë për periudhën 8 qershor – 17 nëntor 2016;
b) 4 ushtarakë për periudhën 17 nëntor 2016 – 1 qershor 2017.
2. Misioni i ushtarakëve që do të marrin pjesë në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian është mbështetja dhe dhënia e kontributit në funksione të ndryshme EOD në Kompaninë e Ruajtjes së Bazës dhe në ekipin e “Task-Forcës së Stërvitjes”.
3. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në datën 1 qershor 2017. Kohëzgjatja për çdo rotacion është 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me përfaqësuesin e radhës.
4. Venddislokimi i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në bazën e operacionit ushtarak të Bashkimit Evropian, në Koulikoro, në Republikën e Malit, në Afrikë.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
ç) mbështetje shëndetësore;
d) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
dh) transport;
e) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerje disipline;
ë) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;
f) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit që do të shërbejë në Republikën e Malit ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanteria, transporti i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje apo thyerjeje disipline do të përballohet nga pala shqiptare, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër të marrë përsipër këto shpenzime.
7. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës nga aksidentet për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.
8. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
9. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NGUSHTIMIN E DIFERENCAVE NË MASËN E PENSIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.10.1993 deri në 31.12.1996, sipas neneve 31 dhe 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, dhe që vazhdojnë të paguhen pas datës 31.3.2016, ndryshohen, si më poshtë vijon:
a) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1993 deri në 31.12.1993, me masë pensioni në këtë periudhë nga 1 401 (një mijë e katërqind e një) lekë deri në 2 474 (dy mijë e katërqind e shtatëdhjetë e katër) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 085 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e pesë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;
b) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.1.1994 deri në 30.9.1994, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 2 175 (dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë deri në 3 840 (tre mijë e tetëqind e dyzet) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e tetë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;
c) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1994 deri në 30.4.1995, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 2 492 (dy mijë e katërqind e nëntëdhjetë e dy) lekë deri në 4 400 (katër mijë e katërqind) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 087 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e shtatë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;
ç) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.5.1995 deri në 30.9.1995, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 2 741 (dy mijë e shtatëqind e dyzet e një) lekë deri në 4 400 (katër mijë e katërqind) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 086 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;
d) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1995 deri në 31.3.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, nga 3 070 (tre mijë e shtatëdhjetë) lekë deri në 5 420 (pesë mijë e katërqind e njëzet) lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e tetë) lekë deri në 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj;
dh) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri në 31.12.1996, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes sipas ligjit nr.9588, datë 25.7.2006, “Për rillogaritjen e pensioneve”, 5 420 (pesë mijë e katërqind e njëzet) lekë në muaj, shtohen me shumë fikse, duke arritur në masën 23 640 (njëzet e tre mijë e gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj.
Shuma individuale e pensionit, e rillogaritur sipas kësaj pike, paraqitet në tabelat A1, A2, A3, A4 dhe A5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Pensionet për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas nenit 40, të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Mbi sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, të cilat, sipas nenit 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kalojnë në masën 70% të pagës që i është llogaritur pensioni, por jo më shumë se kufiri maksimal i pensionit të pleqërisë, të caktuar në ligj, pavarësisht kohës kur kanë kaluar me 70% të pagës, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara deri në datën 30.9.1993, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar këtij pensioni me 70% të pagës.
3. Pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave të punësuara në arsim dhe kulturë, të caktuara me nenin 97, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur llogariten si pensione të plota, pavarësisht kohës kur kanë kaluar si të tilla, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë me datë fillimi në harkun kohor 1.1.1995 – 1.1.1997, përfshirë edhe rritjen e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar si të plotë të këtij pensioni.
4. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2016, llogariten në shumën 324 100 000 (treqind e njëzet e katër milionë e njëqind mijë) lekë dhe përballohen nga rezultati pozitiv financiar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015.
5. Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për përballimin e vëllimit të punës për zbatimin e këtij vendimi, t’i shtohet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në planin e shpenzimeve administrative, i cili të përballohet brenda shpenzimeve të programuara për sigurimet shoqërore për vitin 2016.
6. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe për nxjerrjen e udhëzimeve në zbatim të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.6.2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.646, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, ME EMËRTIMIN “ISH-DREJTORIA E KONVIKTEVE TË SHKOLLAVE TË MESME, TIRANË”, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.834, DATË 13.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PJESSHME TË INVENTARIT (PJESA E PARË + PJESA E DYTË) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË BASHKINË TIRANË, TË QARKUT TË TIRANËS”, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12, 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.646, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas fjalëve “…me numër pasurie 2/82…” shtohet “…si dhe të pronës së paluajtshme shtetërore me numër pasurie 2/83/1, të ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe 56 m2…”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.