Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 2 dhjetor 2015
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIMIN RAJONAL, TË AGJENCIVE TË ZHVILLIMIT RAJONAL DHE AGJENCISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK RAJONAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe fuksionimin e Këshillit të Ministrave”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 4 e 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Ky vendim përcakton krijimin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR), të agjencive të zhvillimit rajonal (AZHR) dhe Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal (AZHER).
2. AKZHR-ja, AZHR-të dhe AZHER-ja kanë misionin e promovimit të një politike të përbashkët investimesh, të integruara, për zhvillimin e rajoneve dhe të potencialeve të tyre, të inkurajimit të një modeli sa më të gjerë bashkëpunimi, krijimit të partneriteteve publike-private, me interes të përbashkët zhvillimi, ngritjen e rrjetëzimeve rajonale dhe ndërrajonale, zvogëlimin e dallimit, hendekut, ndërmjet zonave të zhvilluara dhe të pazhvilluara si dhe zbatimin e projekteve publike e private.
3. Agjencitë kryejnë veprimtaritë e tyre në rolin e një institucioni ekspert për zbatimin dhe arritjen e objektivave për politikën e zhvillimit rajonal si dhe kontribuojnë për të harmonizuar dhe integruar faktorët ekonomikë, socialë dhe ambientalë, për zhvillimin e balancuar të të gjitha rajoneve të Shqipërisë.
4. Në përputhje me parimin e bashkëpunimit, agjencitë nxitin bashkëpunime ndërvendore, ndërrajonale dhe ndërkufitare, me qëllim nxitjen e konkurueshmërisë, përmirësimin e efiçencës së burimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike. Agjencitë përshtatin aktivitetet e tyre, duke vepruar në formë të pavarur dhe duke nxitur bashkëpunime me organizma të tjerë shtetërorë, ndërkombëtarë ose privatë, për zbatimin e programeve apo projekteve të përbashkëta, të cilët kontribuojnë në zhvillimin dhe integrimin e balancuar të rajoneve të Shqipërisë.
5. Në përputhje me parimin e reciprocitetit, agjencitë ngrenë dhe përdorin instrumente të ndërsjella e ligjore në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe me të tjerë, për të siguruar të drejtën e barazisë e respektit të ndërsjellë ndërmjet palëve, organeve e institucioneve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Neni 2
Organizimi dhe funksionimi i agjencive
1. Organizimi dhe funksionimi i agjensive bëhet në përputhje me dispozitat e këtij vendimi.
2. Agjencitë financohen nga:
a) kontributi nga buxheti i shtetit;
b) të ardhurat e veta, nga mjete dhe/ose burime të tjera financiare, nëpërmjet:
i. kontributit nga programe të ndihmës së huaj, sipas marrëveshjeve
me partnerët e huaj për zhvillim dhe integrim;
ii. kostove të menaxhimit, për programe apo projekte që ata zhvillojnë, me disa përfitues;
iii. burime të tjera të ligjshme, si donacione etj.
3. Të ardhurat e veta, të gjeneruara si më sipër, shkojnë si kontribut dhe mbeten në buxhetin e agjencive dhe mund të shërbejnë për shtim personeli, financim projektesh apo aktivitetesh të tjera, në funksion të objektivave dhe programeve të tyre. Ato administrohen nga agjencitë, sipas akteve ligjore në fuqi.
4. Agjencitë, gjithashtu, mund të kryejnë edhe funksione të tjera të deleguara.
5. Agjencitë kanë stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga titullari. Stema duhet të jetë në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj.
6. Vulat zyrtare të agjencive kanë formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vulat e agjencive prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Bordi i Përbashkët i Menaxhimit (BPM)
1. Bordi i Përbashkët i Menaxhimit është një organ kolegjial, që siguron mirëfunksionimin dhe bashkërendimin e punës e aktiviteteve të Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR) dhe Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER), duke siguruar edhe vizionin e përbashkët e bashkërendimin e veprimeve e të burimeve ndërmjet dy agjensive, në përmbushje të misionit të tyre.
2. Bordit i Përbashkët i Menaxhimit ka në përbërjen e tij 9 anëtarë, të cilët janë:
a) përfaqësues nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve;
b) përfaqësues nga Sekretariati i Përgjithshëm i Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve;
c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR);
ç) Drejtori i Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER);
d) Drejtorët e agjencive të zonave të zhvillimit rajonal (AZZHR);
dh) Drejtori i Agjencisë Kombëtarë të Planifikimit të Territorit (AKPT).
3. Përfaqësuesi nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, pjesë e Bordit të Përbashkët të Menaxhimit, përcaktohet me vendim të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve.
4. Përgjegjësitë kryesore të Bordit të Përbashkët të Menaxhimit për AKZHR-në dhe AZHER-në, janë:
a) Miratimi i buxheteve të agjencive;
b) Miratimi i programeve, projekteve të ndryshme zhvillimore dhe i planit strategjik të veprimit të agjencive;
c) Miratimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit e të parneritetit ndërmjet agjencive dhe partnerëve të tjerë të zhvillimit;
ç) Miratimi i rregullores së organizimit e funksionimit të agjencive;
d) Miratimi i propozimit për draftstrukturën e agjencive;
dh) Shqyrtimi i raportit 6-mujor dhe vjetor të performancës së agjencive.
5. Kryetari i bordit zgjidhet nga anëtarët e Bordit të Përbashkët të Menaxhimit (BPM).
6. Rregullat për mënyrën e funksionimit dhe organizimin e mbledhjeve të bordi përcaktohen në rregulloren e miratuar nga BPM-ja.
KREU II
Neni 4
Agjencia Kombëtare për Zhvillimin
Rajonal (AKZHR)
1. Agjencia Kombëtare për Zhvillimin Rajonal është person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Këshillit të Ministrave.
2. AKZHR-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Bordit të Përbashkët të Menaxhimit.
3. Drejtori i Përgjithshëm i AKZHR-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit.
4. Struktura dhe organika e AKZHR-së miratohen me urdhër të Kryeministrit. Numri i punonjësve të AKZHR-së propozohet me vendim të BPM-së, për punonjësit, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga kontributi i buxhetit të shtetit, dhe punonjës të tjerë, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga të ardhura të tjera të vetë agjencisë.
5. Rregullat për funksionimin dhe organizimin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal përcaktohen në rregulloren e miratuar nga BPM-ja.
Neni 5
Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë Kombëtare
për Zhvillimin Rajonal (AKZHR)
1. Agjencia Kombëtare për Zhvillim Rajonal (AKZHR) e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është përgjegjëse për ngritjen dhe koordinimin e programeve financiare, menaxhimin e programeve zhvillimore dhe projekteve, në nivel ndërrajonal e ndërkufitar.
2. AKZHR-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Koordinon kontributin e agjencive të zhvillimit rajonal dhe partnerëve të tjerë të zhvillimit për përgatitjen e Programit Operacional të Zhvillimit (POZh) dhe kontribuon në hartimin dhe zbatimin e politikës, në nivel kombëtar, për zhvillimin rajonal;
b) Merr pjesë dhe ofron këshillim gjatë procesit të hartimit të programeve operacionale të zhvillimit (POZh), në nivel të zonave të zhvillimit rajonal, si dhe në hartimin e planeve/programeve tematike për turizmin, industrinë, bujqësinë, mjedisin, etj.;
c) Përgatit projekte zhvillimore, projekte pilot dhe/ose projekte të tjera, me kërkesë të bashkive, qarqeve dhe ministrive apo institucioneve të tjera qendrore;
ç) Përgatit projekte ndërkufitare dhe merr pjesë në projekte ndërrajonale, studime fizibiliteti e procese zhvillimi për të gjitha institucionet e interesuara;
d) Koordinon punën me agjencitë e zhvillimit rajonal, harton e zbaton programet që ofrojnë asistencë për të rritur kapacitetet drejt akreditimit të tyre për fondet dhe politikën e kohezionit të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të tjerë të zhvillimit, si dhe ofron shërbime këshillimore e rrit kapacitetet për përgatitjen e projekteve, menaxhimin e tyre nga agjencitë e zhvillimit rajonal dhe aktorë të tjerë zhvillimi;
dh) Mund të kryejë rolin e menaxherit të programit ose të autoritetit zbatues për programe, projekte të përbashkëta rajonale, ndërrajonale e ndërkufitare (me më shumë se një përfitues), sipas marrëveshjes së bashkëpunimit dhe të partneritetit për këtë qëllim, me partnerët e zhvillimit dhe financuesit;
e) Kontribuon dhe nxit bashkëpunimin ndërkufitar, kombëtar e rajonal dhe me agjencitë e zhvillimit rajonal;
ë) Nxit dhe kontribuon në zbatimin e politikës kombëtare të zhvillimit rajonal dhe instrumenteve mbështetëse të zbatimit të kësaj politike;
f) Krijon dhe përditëson sistemin informativ për zhvillimin rajonal, në nivel kombëtar.
Neni 6
Agjencitë për Zhvillim Rajonal (AZHR)
1. Agjencitë për zhvillimin rajonal nr.1, 2, 3, e 4 janë person juridik publik dhe e shtrijnë veprimtarinë e tyre, përkatësisht, në zonat e zhvillimit rajonal 1, 2, 3 e 4, në territoret e përcaktuara në aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Selitë përkatëse, për secilën agjenci (AZHR) janë:
a) AZHR 1 – Shkodër;
b) AZHR 2 – Tiranë;
c) AZHR 3 – Korçë;
ç) AZHR 4 – Vlorë.
3. Organet e drejtimit të agjencive për zhvillimin rajonal (AZHR) janë:
a) Bordi i Partnerëve për Zhvillim (BPZH);
b) Drejtori i Agjencisë.
4. Agjencitë për zhvillimin rajonal mund të ngrenë edhe borde këshillimore, të përbërë nga ekspertë, sipas fushave përkatëse të drejtimit të veprimtarisë zhvillimore në zonën e tyre përkatëse të zhvillimit rajonal.
5. Bordi i Partnerëve të Zhvillimit është organ kolegjial dhe përbëhet nga 9 anëtarë, si më poshtë vijon:
a) Ministri përgjegjës për Zhvillimin Urban;
b) Ministri përgjegjës për Zhvillimin Ekonomik, Turizmin, Tregtinë dhe Sipërmarrjen;
c) Ministri përgjegjës për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Administrimin e Ujërave;
ç) Ministri përgjegjës për Transportin dhe Infrastrukturën;
d) Kryetarë të katër bashkive, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit që realizohet për pjesëmarrjen e tyre në bord dhe bashkëpunimin në veprimtarinë e agjencive, të cilët përcaktohen sipas këtyre kritereve:
i. kanë statusin si qendër qarku, në rajonin përkatës;
ii. kanë numrin më të madh të popullsisë për njësi të qeverisjes
vendore.
dh) Drejtori i Agjencisë për Zhvillim Rajonal.
6. Përgjegjësitë kryesorë të Bordit të Partnerëve për Zhvillim janë:
a) Zgjedh kryetarin e Bordit të Partnerëve për Zhvillim;
b) Përcakton përfaqësuesin në Komitetin për Zhvillimin e Rajoneve;
c) Miraton buxhetin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal;
ç) Miraton propozimin për draftstrukturën e Agjencisë së Zhvillimit Rajonal;
d) Miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të agjencisë;
dh) Miraton dokumentet strategjike të zhvillimit dhe Axhendën e Përbashkët të Veprimeve për Zhvillimin, për zonën përkatëse të zhvillimit rajonal;
e) Miraton programet dhe projektet e ndryshme zhvillimore, marrëveshjet e partneritetit dhe të bashkëpunimit rajonal si dhe planin strategjik të veprimit të Agjencisë për Zhvillimin Rajonal (AZHR);
ë) Shqyrton raportin 6-mujor dhe vjetor të performancës së Agjencisë për Zhvillimin Rajonal (AZHR).
7. Vendimet e Bordit të Partnerëve për Zhvillim merren sipas përcaktimeve të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
8. Rregullat për mënyrën e funksionimit dhe organizimin e mbledhjeve të këtij bordi përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Bordi i Partnerëve për Zhvillim.
9. AZHR-ja drejtohet nga drejtori i saj, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara Bordit të Partnerëve për Zhvillim.
10. Drejtori i AZHR-së propozohet nga kryetari i bashkisë me popullsinë më të madhe në Zonën e Menaxhimit Rajonal.
11. Bordi i Partnerëve për Zhvillim emëron, liron dhe shkarkon nga detyra drejtorin e AZHR-së.
12. Struktura dhe organika e agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit. Numri i punonjësve të agjencive 1, 2, 3 e 4 propozohet me vendim të BPZH-së, për punonjësit, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga kontributi i buxhetit të shtetit, dhe punonjës të tjerë, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga të ardhura të tjera të vetë agjencive.
Neni 7
Përgjegjësitë dhe detyrat e agjencive për zhvillim
rajonal (AZHR)
1. Agjencitë për Zhvillim Rajonal nr.1, 2, 3 e 4, për të realizuar misionin e përcaktuar në këtë vendim, kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Hartojnë programet operacionale të zonës së zhvillimit rajonal përkatëse;
b) Bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore në përgatitjen dhe zbatimin e planeve të zhvillimit lokal, në përputhje me planet e zhvillimit rajonal, dhe për krijimin e partneriteteve vendore, ndërvendore, rajonale e ndërrajonale;
c) Përfaqësojnë interesat e zhvillimit të zonës së zhvillimit rajonal përkatëse në marrëdhëniet me Agjencinë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal ose me palë të tjera të përfshira;
ç) Përgatitin dhe zbatojnë programe dhe projekte konkrete të zhvillimit rajonal e territorial të zonës përkatëse, duke kontribuar në zbatimin e politikës së kohezionit dhe zhvillimit rajonal, duke nxitur, mbështetur dhe/ose marrë vetë pjesë në forma të ndryshme të partneritetit rajonal;
d) Zhvillojnë programe që mbështetin hartimin e projekteve rajonale me disa përfitues (Faciliteti i Përgatitjes së Projekteve) dhe nxitin e mbështetin krijimin e partneriteteve rajonale;
dh) Ngrenë dhe menaxhojnë sistemin informativ për projektet rajonale e lokale të zhvillimit, që zbatohen në zonën e zhvillimit rajonal përkatëse, dhe kontribuojnë me informacion dhe të dhëna pranë AKZHR-së, në sistemin informativ rajonal, në nivel kombëtar;
e) Kryejnë detyra të tjera, në pajtim me aktet ligjore e nënligjore dhe rregullat e miratuara nga AZHR-ja.
2. Aktivitetet e AZHR-ve diskutohen dhe miratohen në Bordin e Partnerëve për Zhvillim.
3. AZHR-të janë përgjegjëse për ngritjen dhe koordinimin e programeve financiare, zbatimin dhe monitorimin e projekteve zhvillimore, në nivel rajonal e ndërrajonal, në emër të vetë agjencisë ose të përfituesve në nivel lokal, në zbatim të marrëveshjeve përkatëse.
Neni 8
Agjencia për Zhvillim Ekonomik
Rajonal (AZHER)
1. Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER) është person juridik, me seli në Tiranë, në varësi të Këshillit të Ministrave, që e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Agjencia synon të nxitë dhe ndërtojë partneritete ndërmjet aktorëve zhvillimorë të sektorëve publikë dhe privatë, me qëllim rritjen e impaktit të investimeve dhe zhvillimin e potencialeve ekonomike rajonale.
3. Agjencia organizohet në 3 drejtime kryesore, funksionale dhe programore, si më poshtë vijon:
a) Në programin e mbështetjes për përgatitjen e projekteve, konsulencës ekonomike dhe mbështetjes financiare të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) për zhvillimin e ekonomisë rajonale dhe lokale;
b) Në programin për zhvillimin e aseteve publike, në mbështetje të investimeve me impakt në zhvillimin lokal e rajonal dhe krijimin e partneriteteve rajonale për këtë qëllim;
c) Në programin e pjesmarrjes shtetërore në shoqëri tregtare dhe instrumente të financimit për bizneset start-up, me qëllim zhvillimin e partneriteteve publike dhe /ose private.
4. Në funksion të objektivave të saj zhvillimorë, Agjencia mund të krijojë shoqëri të tjera tregtare si dhe sipërmarrje të investimeve kolektive, me pjesëmarrje private ose shtetërore, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Organet drejtuese të Agjencisë janë:
a) Bordi i Përbashkët i Menaxhimit;
b) Drejtori i Përgjithshëm.
6. Agjencia ngre Bordin e Këshillimit, i cili përbëhet nga 7 anëtarë. Përbërja, roli dhe veprimtaria e të bordit rregullohet me akt të veçantë.
7. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Bordit të Përbashkët të Menaxhimit.
8. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit.
9. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohet me urdhër të Kryeministrit. Numri i punonjësve të Agjencisë propozohet me vendim të BPM-së, duke përfshirë punonjësit, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga kontributi i buxhetit të shtetit dhe punonjës të tjerë, financimi i shpenzimeve për të cilët përballohet nga të ardhura të tjera të vetë agjencive.
10. Rregullat për funksionimin dhe organizimin e Agjencisë përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Bordi i Përbashkët i Menaxhimit.
Neni 9
Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë për Zhvillimin
Ekonomik Rajonal (AZHER)
1. Agjencia synon që, përmes nxitjes së partneriteteve publike-publike, publike-private dhe private-private, të zhvillojë aktivitete ekonomike e tregtare, të cilat promovojnë potencialet dhe zhvillojnë ekonominë rajonale, me objektiv krijimin e vendeve të punës si dhe hapjen e sipërmarrjeve të reja, sidomos në rajonet më pak të zhvilluara.
2. Në funksion të këtij qëllimi, Agjencia kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Identifikon zona, sektorë apo veprimtari ekonomike si dhe koordinon burime, nëpërmjet të cilave mund të gjenerojë projekte apo të nxitë partneritete për zhvillimin ekonomik rajonal;
b) Harton projekte, i zhvillon dhe i menaxhon ato, me qëllim nxitjen e investimeve të qëndrueshme private e publike, që do të gjenerojnë punësim dhe zhvillim ekonomik për këto zona;
c) Ofron asistencë teknike për njësitë e qeverisjes vendore, ndërmjetëson në krijimin e parteriteteve, me qëllim përthithjen e financimeve të brendshme si dhe nga fondet evropiane, donacioneve apo burimeve të tjera të asistencës. Agjencia, po ashtu, aplikon për grante kombëtare ose ndërkombëtare;
ç) Investon, përmes formave të ndryshme të partneritetit, në asete publike, ndërmarrje tregtare publike dhe në sipërmarrje biznesi private, me potencial zhvillimi të shpejtë, për të krijuar vlerë, përmirësuar efiçencën e tyre operacionale si dhe për të rritur aftësinë e tyre konkuruese në treg;
d) Ofron, koordinon dhe kryen funksionin e autoritetit menaxhues për grantet, në mbështetje të sipërmarrjeve lokale, si dhe ofron skema të financimit direkt e të bashkëpjesëmarrjes në investim, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e investimeve rajonale;
dh) Promovon ngritjen e fondeve të përbashkëta të investimeve rajonale, me bashkëpjesëmarrje të institucioneve të tjera publike, donatorëve, diasporës apo edhe shoqërive të tjera tregtare private, me qëllim investimin e përbashkët në projekte zhvillimore, në një zonë të caktuar me përparësi zhvillimi;
e) Kryen funksionin e sekretariatit teknik për Programin e Mbështetjes për Ekonominë (Shtylla II), të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve;
ë) Bashkëvepron ngushtësisht me Agjencinë Kombëtare për Zhvillim Rajonal, agjencitë për zhvillimin rajonal dhe me partnerë të tjerë lokalë, qendrorë e ndërkombëtarë, me fokus inkurajimin e partneriteteve si dhe në nxitjen potencialeve për zhvillimin ekonomik të rajoneve;
f) Të gjitha format e pjesmarrjes, si më sipër, përcaktohen në marrëveshjet ose kontratat përkatëse ndërmjet Agjencisë dhe partnerëve e investitorëve potencialë, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
KREU III
Neni 10
Procedurat e punësimit, pagat dhe vlerësimi i performancës
1. Marrëdhëniet e punës së punonjësve/personelit të agjencive rregullohen sipas Kodit të Punës.
2. Drejtori dhe punonjësit e agjencive duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në Kodin e Punës, si dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara nga rregulloret e agjencive.
3. Pagat dhe mënyra e vlerësimit të performancës së punonjësve të agjencive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU IV
Neni 11
Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Efektet financiare për buxhetin, për ngritjen dhe funksionimin e agjencive, për vitin 2015, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
2. Efektet financiare për buxhetin, për ngritjen dhe funksionimin e agjencive, të përballohen nga buxheti i shtetit, parashikuar në ligjin për buxhetin, duke filluar nga viti 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Departamenti i Zhvillimit, Financimeve dhe Ndihmës së Huaj, për zbatimin e këtij vendimi.
4. Ngarkohet ministri përgjegjës për zhvillimin urban që, brenda 3 javëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të realizojë marrëveshjet e bashkëpunimit me përfaqësitë e bashkive, që kanë anëtarë në Bordin e Partnerëve për Zhvillim, dhe të organizojë takimin e parë të Bordit të Partnerëve për secilën Agjenci për Zhvillimin Rajonal.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PËR SIGURINË KIBERNETIKE 2015 – 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit të politikave për sigurinë kibernetike 2015-2017, sipas tekstit bashkëngjitur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministritë e institucionet qendrore, të përmendura në tekstin e këtij dokumenti, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 310, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,
“PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, SKELË-UJI I FTOHTË, BASHKIA VLORË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.310, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet në numrat rendorë përkatës, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Fjalia e parë, e pikës 4, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 435 752 004 (katërqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e katër) lekësh, të përballohet, si më poshtë: …”.
3. Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“b) Fondi prej 210 516 373 (dyqind e dhjetë milionë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekësh, nga fondet e miratuara për investime, për Ministrinë e Zhvillimit Urban.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E LICENCAVE PËR TREGTIMIN E NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19, 20 e 21, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PROCEDURA E DHËNIES SË LICENCAVE TË TREGTIMIT ME SHUMICË TË NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ
1. Veprimtaria e tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj bëhet vetëm nga shoqëritë tregtare, të themeluara në formën e shoqërive aksionare, pasi të jenë pajisur me “Licencë tregtimi” nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL).
2. Licenca “Tregtimi me shumicë i naftës, gazit, nënprodukteve, përfshirë ato bio, si dhe lëndët djegëse”, me kodin VIII.1.A, përfshin tre llojet e veprimtarive, si më poshtë vijon:
a) Lloji “A”: tregtimi me shumicë i naftës bruto e nënprodukteve të saj të kategorive 0, II, III, IV e V, me përjashtim të nënprodukteve që destinohen për furnizimin e mjeteve të fluturimit ajror;
b) Lloji “B”: tregtimi me shumicë i gazit të lëngshëm të naftës, kategoria I, përfshirë edhe mbushjen e bombolave me këtë nënprodukt;
c) Lloji “C”: tregtimi me shumicë i karburanteve, kategoritë II/B e III/C, për mjetet e fluturimit.
3. Shoqëria aksionare paraqet në QKL kërkesën për t’u pajisur me “Licencë tregtimi”, bashkë me dokumentet shoqëruese, si më poshtë vijon:
a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, që vërteton se personi juridik është krijuar në formën e shoqërisë aksionare, ku objekt të veprimtarisë të ketë edhe tregtimin e naftës bruto e nënproduktet e saj;
b) Vërtetimin e pronësisë ose kontratën e qirasë për depozitat/magazinat që do të përdorë personi juridik, sipas përcaktimeve të kreut III. Personi juridik nuk mund të marrë me qira kapacitete depozituese/magazinuese, në qoftë se ato janë në përdorim nga qiradhënësi apo nga ndonjë person i tretë, si dhe kapacitete depozituese/magazinuese të rafinerive të naftës dhe impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës, të cilat janë në funksion të procesit teknologjik dhe kanë infrastrukturë të përbashkët me rafinerinë. Kohëzgjatja e kontratës së qirasë të jetë jo më pak se 5 (pesë) vjet;
c) Projektin teknologjik të depove dhe të linjave, të miratuar nga organet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të mjedisit dhe të mbrojtjes nga zjarri: për licencat e llojit “A”, kategoria IV/A, projekti teknik i magazinës së vajrave lubrifikantë; për licencat e llojit “B”, projekti teknologjik i depove dhe i linjave duhet të jetë i miratuar edhe nga organet përkatëse të kontrollit të pajisjeve nën presion;
ç) Certifikatën e përdorimit, të lëshuar nga institucionet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit për depozitat dhe linjat përkatëse teknologjike, që realizojnë funksionimin e tyre, si dhe magazinat në rastin e tregtimit të vajrave lubrifikantë;
d) Certifikatën e kalibrimit të vëllimit të depove, nga DPM-ja ose organet e autorizuara për këtë qëllim. Përjashtohen nga kjo kërkesë subjektet që kërkojnë të pajisen me licencë të llojit “A”, kategoria IV/A (vajra lubrifikantë);
dh) Vërtetimin për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike, të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës (ISHP);
e) Vërtetimin e pronësisë ose kontratën e marrjes në përdorim për automjetet e transportit për naftë bruto dhe nënproduktet e saj, që do të përdorë personi juridik, sipas përcaktimeve të pikës 2, të kreut III;
ë) Certifikatën e miratimit për mjetet që transportojnë disa mallra të rrezikshme;
f) Leje mjedisi, sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin, për ambientet depozituese dhe, në rastet e tregtimit të vajrave lubrifikantë, për kapacitetet magazinuese;
g) Vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve tatimore, përfshirë sigurimet shoqërore.
Gjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së licencës së tregtimit, shoqëria e tregtimit me shumicë ka detyrimin të ketë kontratë punësimi të vlefshme me një drejtues teknik të licencuar.
4. Shqyrtimi i dokumentacionit të plotë për marrjen e licencës së tregtimit nga personi juridik trajtohet sipas dispozitave të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Bllokimi i përkohshëm i veprimtarisë së tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj bëhet në përputhje me përcaktimet e pikës 3, të nenit 25, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
6. Revokimi i “Licencës së tregtimit” për shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj bëhet në përputhje me përcaktimet e neneve 12 e 29, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
II. PROCEDURA PËR DHËNIEN E LICENCAVE PËR TREGTIMIN ME PAKICË TË KARBURANTEVE, GAZIT TË LËNGSHËM TË NAFTËS, PËR AUTOMJETET, VAJRAVE LUBRIFIKANTE DHE LËNDËVE DJEGËSE PËR PËRDORIM NGA KONSUMATORËT FUNDORË
1. Dhënia e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, e vajrave lubrifikantë dhe të njësive të lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, bëhet nga:
a) ministri që mbulon veprimtarinë e transportit rrugor, kur stacioni i karburanteve do të ndërtohet në autostradë;
b) organet e qeverisjes vendore, sipas juridiksionit përkatës, në rastet kur stacionet e shitjes së karburanteve, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve për automjete, gazit të lëngshëm e vajrave lubrifikante dhe të njësive të shitjes së lëndëve djegëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të tyre për përdorim nga konsumatorët fundorë, do të ndërtohen në territoret e tjera.
2. Për marrjen e licencave për funksionimin e stacioneve të shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës për automjete e vajrave lubrifikantë, personi juridik duhet të paraqesë, pranë organit që ka të drejtën e dhënies së licencës, këto dokumente:
a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku në objekt të ketë të përcaktuar veprimtarinë e tregtimit të nënprodukteve të naftës bruto;
b) Projektin teknologjik të depove dhe linjave, të miratuar nga organet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të mjedisit dhe të mbrojtjes nga zjarri. Projekti teknologjik për depot dhe linjat që përdoren për depozitimin dhe shitjen e gazit të lëngshëm të naftës duhet të jetë i miratuar edhe nga organet përkatëse të kontrollit të pajisjeve nën presion;
c) Certifikatën e përdorimit të objektit, të lëshuar nga institucionet përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit;
ç) Vërtetimin për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike, të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;
d) Certifikatën e kalibrimit të rezervuarëve, të vendosur në stacion, dhe të matjes së aparateve të shitjes së karburanteve dhe gazit të lëngshëm të naftës, nga DPM-ja ose organet e autorizuara për këtë qëllim;
dh) Lejen e mjedisit, sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin;
e) Autorizimin hyrje-dalje në rrugë, të lëshuar nga enti pronar i rrugës;
ë) Regjistrimin e markës tregtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave;
f) Vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve vendore;
g) Vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve tatimore, përfshirë sigurimet shoqërore.
3. Dhënia e licencave për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse, për veprimtarinë e tregtimit për përdorim nga konsumatorët fundorë, bëhet nga organet e qeverisjes vendore. Personi juridik, që kërkon të pajiset me këtë licencë, duhet të paraqesë, në njësitë e qeverisjes vendore, dokumentet e përcaktuara në shkronjat “a”, “c”, “ç” e “dh”, të pikës 2, të këtij kreu, si dhe certifikatën e kalibrimit të enëve dhe të aparateve të shitjes, të lëshuar nga organet e metrologjisë e të kalibrimit.
4. Organet që kanë përgjegjësi për dhënien e licencave, sipas këtij kreu, ushtrojnë kontroll për të dhënat dhe treguesit e paraqitur në dokumentacionin e personit juridik kërkues.
5. Pas vërtetimit se të dhënat dhe treguesit e paraqitur në dokumentacion plotësojnë kushtet e kërkuara, organi përkatës jep licencën për ushtrimin e veprimtarisë në stacionin e shitjes së karburanteve, të gazit të lëngshëm të naftës për automjete e vajrave lubrifikantë, si dhe për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse. Afati për kontrollin dhe verifikimin e dokumenteve dhe lëshimin e licencave nuk mund të jetë më shumë se 30 (tridhjetë) ditë, nga data e mbërritjes së kërkesës në organin që lëshon licencën.
6. Kur, pas vërtetimit, të dhënat dhe treguesit nuk plotësojnë kërkesat e pikës 2, të këtij kreu, dokumentet e paraqitura i kthehen personit juridik dhe afati, sipas pikës 5, të këtij kreu, fillon me riparaqitjen e tyre.
7. Kur personit juridik nuk i është kthyer përgjigje, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, nga çasti i paraqitjes së kërkesës, ai ka të drejtë të ankohet, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
8. Në dokumentin e licencës së tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikantë dhe lëndëve djegëse, për përdorim nga konsumatorët fundorë, përcaktohen:
a) numri i licencës dhe data e lëshimit të saj;
b) emri dhe selia e personit juridik që merr licencën;
c) lloji i licencës dhe kategoria e produktit që do të tregtohet;
ç) afati i vlefshmërisë së licencës;
d) vendndodhja e objektit.
9. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikantë është 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 000 000 (dy milion) lekë, për bashkitë e tjera.
10. Pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për njësitë e shitjes së lëndëve djegëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të tyre për përdorim nga konsumatorët fundorë, është 1 000 000 (një milion) lekë, për Bashkinë e Tiranës dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë, për bashkitë e tjera.
11. Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e tarifave, përdoren në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi, sipas përcaktimeve përkatëse.
12. Bllokimi i përkohshëm i veprimtarisë së tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikantë dhe të njësive të lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, bëhet në përputhje me përcaktimet e pikës 3, të nenit 25, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
13. Heqja e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikantë dhe për njësitë e lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, bëhet në përputhje me përcaktimet e pikës 3, të nenit 25, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
14. Përsëritja e licencave bëhet nga organi që ka dhënë licencën, kundrejt një kërkese të personit juridik, e cila shqyrtohet njësoj si një kërkesë e re, duke paraqitur dokumentet përcaktuara në shkronjat “a”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “g”, të pikës 2, të këtij kreu.
15. Shoqëritë që operojnë në aktivitetin e tregtimit me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, vajrave lubrifikante dhe lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, që nuk janë të pajisura me një licencë të vlefshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, brenda 6 (gjashtë) muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të plotësojnë kushtet, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, dhe të ndjekin procedurat për aplikim për pajisjen me licencën përkatëse.
III. KUSHTET PËR PAJISJEN ME LICENCË TË TREGTIMIT ME SHUMICË TË NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ
1. Kapaciteti minimal i depozitave të shoqërive, që kërkojnë të pajisen me licencë, sipas llojit të licencës, është:
a) Për licencën e llojit “A”:
– Për kategorinë 0/A, kapaciteti i depozitave të jetë 10 000 (dhjetë mijë) m3;
– Përveç kategorisë 0/A, kapaciteti i depozitave të jetë 3 000 (tre mijë) m3 dhe, kur kjo licencë jepet për disa kategori produktesh, depozitat duhet të jenë të ndara nga njera-tjetra, për secilën kategori produktesh, me një kapacitet të përbashkët jo më pak se 3 000 (tre mijë) m3. Në rastin e licencimit të disa kategorive produktesh hidrokarbure, ndarja e kapaciteteve sipas produkteve hidrokarbure të jetë e pasqyruar në vërtetimin për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike, të lëshuar nga inspektorati shtetëror përgjegjës.
– Për kategoria IV/A, kapaciteti magazinues i magazinës të jetë jo më pak se 100 (njëqind) m2.
b) Për licencën e llojit “B”, impiantet e depozitimit të gazit të lëngshëm të naftës të jenë me kapacitet të instaluar 500 (pesëqind) m3.
c) Për licencën e llojit “C”:
– Kur licenca jepet për produkte të kategorisë II/B, kapaciteti depozitues të jetë jo më pak se 50 (pesëdhjetë) m3.
– Kur licenca jepet për produkte të kategorisë III/C, kapaciteti depozitues të jetë jo më pak se 1 000 (një mijë) m3.
2. Bëjnë përjashtim nga kushti i plotësimit të kapacitetit më të vogël, sipas kësaj pike, shoqëritë aksionare që kanë marrëdhënie kontraktore, sipas dispozitave ligjore në fuqi, për depozitat e karburanteve në portin e Durrësit. Kushti i kapacitetit më të vogël, i depozitave, i vendosjes në ato të mjeteve matëse dhe i kalibrimit të tyre, duhet të plotësohet brenda 18 (tetëmbëdhjetë) muajve, pas fillimit të zbatimit të masterplanit, në territorin e depozitave të karburanteve në portin e Durrësit.
3. Shoqëritë e pajisura aktualisht me “Licencë”, brenda 18 (tetëmbëdhjetë) muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të plotësojnë kushtin e kapacitetit minimal, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe të ndjekin procedurat për riaplikim në QKL.
4. Për çdo ndryshim të kapaciteteve apo ndryshimeve të tjera teknike/teknologjike, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi, personi juridik është i detyruar të njoftojë ISHP-në, me shkrim, dhe të aplikojë në QKL për ndryshimin e licencës së tregtimit.
5. ISHP-ja, pasqyron ndryshimin e kapaciteteve depozituese nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, në dokumentin e vërtetimit të kontrollit të objektit për respektimin e kushteve teknike. ISHP-ja në këtë rast njofton edhe QKL-në, e cila pasqyron ndryshimet në dokumentet përkatëse të licencimit.
6. Tarifa, për lëshimin dhe rinovimin e vërtetimit të kontrollit të objekteve, përcaktohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhe të ministrit përgjegjës për financat.
7. Shoqëritë aksionare, që kërkojnë të pajisen me licencë tregtimi me shumicë, duhet të kenë në pronësi ose në përdorim, në çastin e kërkesës për licencë dhe gjatë gjithë kohës së veprimtarisë, të paktën, një automjet të transportit për naftë bruto dhe nënprodukteve të saj, për secilin produkt që do të tregtohet
8. Shoqëritë aksionare, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e pajisjes me licencë tregtimi, duhet të kryejnë sigurimin e përgjegjësisë ligjore për dëmet që mund t’u shkaktohen palëve të treta, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
9. Shoqëritë, që kanë kryer sigurimin e përgjegjësisë ligjore për dëmet që mund t’u shkaktojnë palëve të treta, sipas përcaktimit të pikës 8, duhet që, brenda këtij afati, të paraqesin dokumentin përkatës në QKL. Shoqëria nuk do ta ushtrojë veprimtarinë deri në çastin e paraqitjes së këtij dokumenti në QKL.
10. Tarifat, për vlerën e siguracionit, të përcaktohen të ndara për shoqëritë e tregtimit me shumicë e ato me pakicë dhe, për secilin rast, sipas kapaciteteve depozituese dhe vendndodhjes së objektit.
IV. ZBATIMI I KUSHTEVE TEKNIKE
1. Kushtet teknike janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha subjektet që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Pajisja e subjekteve, të tregtimit me shumicë dhe pakicë, me vërtetim teknik nga ISHP-ja, realizohet sipas kushteve dhe procedurave të miratuara nga ministri përgjegjës për hidrokarburet.
2. Vërtetimi për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike, i lëshuar nga ISHP-ja, për marrjen e lejeve përkatëse për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, rinovohet çdo 1 (një) vit. Në rast se ky vërtetim nuk rinovohet, ISHP-ja zbaton procedurat e parashikuara në nenin 25, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
3. Ministria që mbulon veprimtarinë hidrokarbure publikon kushtet teknike.
V. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Vendimi nr.170, datë 25.4.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e lejeve e të autorizimeve për tregtimin e naftës, gazit e nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, vendimi nr.114, datë 27.1.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave emergjente, për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe të veprimtarive në instalimet e impiantet, që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, dhe aktet e tjera nënligjore që bien ndesh me këtë vendim, shfuqizohen.
2. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe QKL-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE, TË PËRGJEGJËSIVE DHE TË MARRËDHËNIEVE NDËRMJET AUTORITETEVE DHE STRUKTURAVE TË MENAXHIMIT INDIREKT TË ASISTENCËS SË BASHKIMIT EVROPIAN, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT IPARD II (2014 – 2020), SEKTORI I BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 11, të Marrëveshjes Kuadër, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA II, të ratifikuar me ligjin nr.37/2015, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për rregullat e zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA II”, me propozimin e ministrit të Financave, ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qëllimi dhe fusha e veprimit
a) Ky vendim përcakton funksionet e përgjegjësitë dhe krijon marrëdhënie të ndërsjella ndërmjet autoriteteve dhe strukturave, për të marrë detyrat e zbatimit të buxhetit (këtej e tutje: menaxhimi indirekt/MI), për zbatimin e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA II), Programi i Zhvillimit në fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (IPARD II), sipas përcaktimeve të Marrëveshjes Kuadër, të ratifikuar me ligjin nr.37/2015, dhe të Marrëveshjes Sektoriale, të miratuar me vendimin nr.684, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes sektoriale, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, që përcakton dispozitat e menaxhimit e të zbatimit të asistencës financiare të BE-së për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit, në fushën “Bujqësia dhe zhvillimi rural” (IPARD)”.
b) Ky vendim garanton që, nën menaxhimin indirekt të programit IPA II, autoriteteve u ngarkohen përgjegjësi për aktivitetet në lidhje me menaxhimin, zbatimin, kontrollin, mbikëqyrjen, monitorimin, vlerësimin, raportimin, publikimin apo auditimin e programit IPARD II; autoritetet duhet të mundësojnë ushtrimin e detyrave që shoqërojnë këtë përgjegjësi, duke përfshirë rastet ku nuk ka lidhje hierarkike ndërmjet këtyre dhe organeve pjesëmarrëse në atë aktivitet. Në ushtrimin e këtyre funksioneve, ndërmjet tyre dhe organeve përkatëse, këto autoritete duhet të krijojnë:
i. marrëdhënie formale të punës;
ii. një sistem të përshtatshëm për shkëmbimin e informacionit, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar informacion dhe të drejtën e aksesit në dokumentacion dhe në staf, gjithashtu edhe në terren, nëse është e nevojshme;
iii. standardet që duhen përmbushur dhe procedurat që duhen ndjekur.
c) Të gjitha raportet, vlerësimet dhe dokumentet e tjera, që lidhen me përgatitjen dhe zbatimin e Programit të Zhvillimit në fushën e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (IPARD II), të cilat i dorëzohen Komisionit Evropian (KE), hartohen në gjuhën angleze.
2. Strukturat dhe autoritetet e menaxhimin indirekt
Me qëllim menaxhimin, kontrollin, mbikëqyrjen, monitorimin, vlerësimin, raportimin, publikimin dhe auditimin e asistencës së Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA II (2014 – 2020), në sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (IPARD II) krijohen strukturat dhe autoritetet, si më poshtë vijon:
a) Koordinatori Kombëtar i IPA-s (KKIPA);
b) Zyrtari Kombëtar Autorizues (ZKA);
c) Struktura e menaxhimit (SM), përgjegjëse para ZKA-së, e përbërë nga:
i. Fondi Kombëtar (NF);
ii. Zyra mbështetëse e ZKA.
ç) Struktura Operative (SO), e përbërë nga:
i. Autoriteti Menaxhues (AM);
ii. Agjencia IPARD.
d) Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës Financiare të Bashkimit Evropian (AA).
3. Funksionet dhe përgjegjësitë e Koordinatorit Kombëtar të IPA-s (KKIPA)
a) Koordinatori Kombëtar i IPA-s (këtej e tutje KKIPA) është ministri përgjegjës për Integrimin Evropian.
b) KKIPA, si autoritet i menaxhimit indirekt, është struktura homologe e Komisionit Evropian për të gjithë procesin e planifikimit strategjik, bashkërendimin e programimit, monitorimin e zbatimit, vlerësimin dhe raportimin e asistencës IPA II dhe, gjithashtu,:
i. garanton bashkërendimin, brenda administratës shqiptare, me donatorët e tjerë dhe sinkronizon lidhjen e ngushtë ndërmjet përdorimit të asistencës IPARD II dhe procesit të anëtarësimit;
ii. merr masa për të siguruar që objektivat e vendosura në programet e veprimit, për të cilat janë besuar detyrat e zbatimit të buxhetit, të jenë adresuar siç duhet gjatë zbatimit të asistencës IPARD II;
iii. në zbatim të nenit 57, të Marrëveshjes Kuadër, ratifikuar me ligjin nr.37/2015, koordinon hartimin e një plani vlerësimi, në konsultim me Komisionin, ku paraqet aktivitetet vlerësuese, që kryhen në faza të ndryshme të zbatimit të asistencës së programeve IPA II dhe IPARD II, duke përfshirë në këtë plan edhe planin e vlerësimit të hartuar nga AM-a, në konsultim me KKIPA-n, për programin IPARD II;
iv. bën të gjitha përpjekjet që administrata shqiptare të marrë masat e duhura për të lehtësuar zbatimin e programeve përkatëse;
v. siguron që objektivat e vendosura në veprimet apo programet e propozuara nga administrata shqiptare të jenë në koherencë me objektivat e përcaktuara në Dokumentin Kombëtar Strategjik;
vi. merr masat për të siguruar pronësinë e programimit dhe implementimit të asistencës së IPARD II nga qeveria Shqiptare;
vii. merr pjesë, pa të drejtë vote, në Komitetin Monitorues IPARD II;
viii. i paraqet Komisionit raportet vjetore dhe ato finale implementuese, të hartuara nga AM-a dhe të aprovuara nga Komiteti Monitorues IPARD II, duke vënë në dijeni edhe ZKA-në dhe AA-në;
ix. konfirmon, së bashku me ZKA-në dhe titullarin e Autoritetit Auditues, gatishmërinë për të realizuar funksionet dhe përgjegjësitë që u janë ngarkuar, sipas shtojcës A, të Marrëveshjes Kuadër;
x. brenda datës 15 shkurt, të vitit financiar pasardhës, i dorëzon Komisionit një raport vjetor mbi zbatimin e asistencës IPA II, programit IPARD II dhe detyrave të besuara për zbatimin e buxhetit, sipas neneve 58 e 59, të Marrëveshjes Kuadër për IPA II.
c) KKIPA përcakton strukturën përgjegjëse mbështetëse në Ministrinë e Integrimit Evropian, për zbatimin e funksioneve të saj. Rolet dhe përgjegjësitë e kësaj strukture si dhe lidhjet me strukturat e tjera, janë të përshkruara, në mënyrë të detajuar, në manualin e procedurave dhe në marrëveshjen operacionale.
4. Funksionet dhe përgjegjësitë e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (ZKA)
a) Zyrtari Kombëtar Autorizues (këtej e tutje ZKA) është zëvendësministri i Financave.
b) ZKA-ja ka përgjegjësinë e plotë për menaxhimin financiar të asistencës së IPA II dhe IPARD II në Shqipëri, për garantimin e ligjshmërisë e rregullsisë së shpenzimeve dhe, veçanërisht, për:
i. menaxhimin financiar të llogarive të IPARD II si dhe të operacioneve financiare, në përputhje me dispozitat e parashikuara në pikat 2 e 3, të nenit 2, të aneksit A, të Marrëveshjes Kuadër, ratifikuar me ligjin nr.37/2015;
ii. funksionimin efektiv të sistemeve të kontrollit të brendshëm për zbatimin e asistencës IPA II dhe programit IPARD II, në përputhje me dispozitat e parashikuara në pikat 2 e 4, të aneksit A, dhe në aneksin B, të Marrëveshjes Kuadër, ratifikuar me ligjin nr.37/2015, dhe Marrëveshjes Sektoriale, miratuar me vendimin nr.684, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave;
iii. vendosjen e masave efektive dhe antimashtrim, duke marrë parasysh risqet e identifikuara;
iv. aplikimin dhe dorëzimin, pranë Komisionit, të kërkesës për të marrë detyrat e zbatimit të buxhetit, në kuadrin e një programi apo mase të caktuar, në përputhje me nenin 13, të Marrëveshjes Kuadër, ratifikuar me ligjin nr.37/2015, dhe nenit 7, të Marrëveshjes Sektoriale;
v. hartimin dhe dorëzimin, pranë Komisionit dhe KKIPA-s, deri më 15 shkurt, të vitit financiar pasardhës, të dokumentacionit, sipas kërkesave të parashikuara në pikat 2 e 6, të nenit 59, të Marrëveshjes Kuadër;
vi. vendosjen dhe miratimin e rregullave e të procedurave, nëpërmjet Marrëveshjes Zbatuese dhe Operacionale me KKIPA-n, Autoritetin Menaxhues dhe Agjencinë e Pagesave;
vii. veprimin, si bashkëbiseduesi i vetëm me KE-në, për të gjitha çështjet mbi IPARD II, sipas përcaktimeve të pikës 2, të shtojcës A, të Marrëveshjes Kuadër, dhe të nenit 7, të Marrëveshjes Sektoriale.
c) ZKA-ja bashkëpunon me Strukturën e Inspektimit Financiar, në Ministrinë e Financave, që vepron si Njësia e Shërbimit të Koordinimit Kundër Mashtrimit (AFCOS), me qëllim parandalimin, zbulimin, raportimin, investigimin dhe ndjekjen e parregullsive. Marrëdhëniet e ndërsjella rregullohen me memorandumet e bashkëpunimit, ndërmjet ZKA-së dhe Strukturës së Inspektimit Financiar (AFCOS), dhe ndërmjet ZKA-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë.
ç) ZKA-ja miraton manualin e procedurave për strukturën menaxhuese dhe zbatuese dhe marrëveshjet ndërmjet autoriteteve.
d) ZKA-ja vlerëson çdo ndryshim të propozuar në procedurat e SO-së dhe SM-së, për zbatimin apo kryerjen e pagesave. ZKA-ja informon KE-në, duke vënë në dijeni edhe AA-në, për çdo ndryshim thelbësor, duke përfshirë edhe vlerësimin e tij, shpjegimet e duhura, arsyetimet dhe dokumentet mbështetëse të nevojshme për shqyrtim e miratim paraprak për zbatimin e ndryshimeve.
5. Funksionet dhe përgjegjësitë e strukturës menaxhuese
Struktura menaxhuese përbëhet nga Fondi Kombëtar dhe Zyra Mbështetëse e ZKA-së, struktura të veçanta në Ministrinë e Financave, nën përgjegjësinë e ZKA-së, për zbatimin e programit IPARD II, me një ndarje të qartë të detyrave, siç përshkruhet në vijim, në manualet e tyre të procedurave dhe rregulloren e brendshme të Ministrisë së Financave.
5.1 Fondi Kombëtar
a) Fondi Kombëtar është strukturë në Ministrinë e Financave, që ka kompetenca qendrore buxhetore dhe vepron si subjekt qendror i thesarit. Ai mbështet ZKA-në në përmbushjen e detyrave të tij/saj, në veçanti ato të menaxhimit të llogarive të IPA II, dhe në operacionet financiare, të përcaktuara në nënndarjen “i”, të shkronjës “b”, të nenin 4, më sipër, dhe është përgjegjës për detyrat e menaxhimit financiar të asistencës IPARD II, nën përgjegjësinë e ZKA-së.
b) Fondi Kombëtar është, veçanërisht, përgjegjës, për:
i. hapjen dhe organizimin e llogarive bankare të IPARD II;
ii. kërkimin e fondeve dhe marrjen e të gjitha pagesave nga buxheti i BE-së;
iii. kërkimin e fondeve dhe marrjen e të gjitha pagesave nga buxheti i shtetit, për elementet e bashkëfinancimit, sipas rastit;
iv. autorizimin dhe transferimin e këtyre pagesave tek Agjencia IPARD II ose te marrësit;
v. kthimin e fondeve në buxhetin e BE-së, pas lëshimit të urdhrave të kthimit nga Komisioni;
vi. mbështetjen e ZKA-së në përgatitjen e raportimit financiar për Komisionin dhe mbajtjen e një sistemi kontabël kompjuterik, që jep informacion të saktë, të plotë, të besueshëm dhe në kohën e duhur.
c) Gjatë përmbushjes së përgjegjësive të tij, lidhur me menaxhimin financiar të IPA II, Fondi Kombëtar bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë, bazuar në një marrëveshje të posaçme, që rregullon afatet dhe kushtet për funksionimin e llogarive në monedhën vendase dhe të huaj, të hapura me Bankën e Shqipërisë.
ç) Kur është e nevojshme, Fondi Kombëtar kryen verifikime në vend, për të siguruar menaxhim efektiv dhe efikas financiar të llogarive IPARD II dhe të operacioneve financiare.
5.2 Zyra mbështetëse e ZKA-së
a) Zyra mbështetëse e ZKA-së është strukturë në Ministrinë e Financave, nën përgjegjësinë dhe në raportim direkt me ZKA-në, në mbështetje të përmbushjen së përgjegjësive të tij/saj për funksionimin efektiv të menaxhimit dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm, për zbatimin e asistencës së programit IPARD II.
b) Zyra mbështetëse e ZKA-së, në përmbushjen e detyrave të saj, është, veçanërisht, përgjegjëse për:
i. garantimin dhe sigurimin e ZKA-së për ligjshmërinë dhe rregullsinë e transaksioneve themeltare;
ii. vendosjen e masave efikase dhe antimashtrim, duke marrë parasysh risqet e identifikuara, garantimin e raportimit, sipas dispozitave të pikës 2, të nenit 51, të Marrëveshjes Kuadër, të ratifikuar me ligjin nr.37/2015, duke koordinuar me shërbimet e Strukturës së Inspektimit Financiar (AFCOS) dhe informuar, në lidhje me këtë raportim;
iii. monitorimin dhe përmbushjen në vijimësi, nga struktura menaxhuese e struktura zbatuese, të kërkesave të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “d”, të pikës 3, të nenit 12, dhe në shtojcën B, të Marrëveshjes Kuadër, për informimin pa vonesë të Komisionit, në rast mosplotësimi të tyre, si dhe për marrjen e masave mbrojtëse, të përshtatshme, në lidhje me pagesat e kryera ose kontratat e nënshkruara;
iv. ngritjen dhe sigurimin e funksionimit të sistemit të kontrollit të brendshëm efektiv dhe efikas, duke marrë parasysh:
· mjedisin e kontrollit;
· menaxhimin e riskut;
· aktivitetet e kontrollit;
· informimin dhe komunikimin;
· monitorimin e kuadrit të kontrollit të brendshëm.
v. sigurimin e raportimit mbi sistemet e menaxhimit e kontrollit dhe vlerësimin e kapaciteteve të stafit për programim e zbatim në strukturat menaxhuese dhe operative, të përfshira në procedurat e programimit dhe zbatimit;
vi. sigurimin e funksionimit të një sistemi të përshtatshëm raportimi dhe informimi;
vii. ndjekjen e konstatimeve dhe rekomandimeve të raporteve të auditit, të kryera nga Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës së Bashkimit Evropian, dhe sigurimin e informacionit të vazhdueshëm për ZKA-në, me qëllim marrjen e vendimeve;
viii. mbajtjen parasysh, gjatë përgatitjes së deklaratës vjetore të menaxhimit, siç parashikohet në shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 59, të Marrëveshjes Kuadër, të ratifikuar më ligjin nr.37/2015, të rezultateve të auditeve të kryera nga/nën përgjegjësinë e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës së Bashkimit Evropian;
ix. njoftimin menjëherë, pranë Komisionit, për ndonjë ndryshim thelbësor, në lidhje me sistemet e menaxhimit dhe kontrollit për shqyrtimin dhe miratimin paraprak të zbatimit të tyre;
x. bashkërendimin e aktiviteteve të IPARD II, për llogari të ZKA-së, dhe, kur është e nevojshme, përgatitjen e planeve të veprimit të konsoliduara, duke adresuar dobësitë e identifikuara në sistemet e menaxhimit dhe kontrollit;
xi. në përputhje me planin vjetor të vizitave verifikuese e menaxheriale, kur është e nevojshme, kyerjen e verifikimeve në vend, për të siguruar funksionimin efektiv të sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm.
6. Funksionet dhe përgjegjësitë e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës Financiare nga Bashkimi Evropian
Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës Fiananciare nga Bashkimi Evropian është një strukturë e pavaruar, funksionale dhe financiare, nga strukturat dhe autoritetet e cituara në pikën 2, të këtij vendimi. Funksionet dhe përgjegjësitë e saj përcaktohen me ligj dhe me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Funksionet dhe përgjegjësitë e Strukturës Operative
a) Struktura Operative për programet e zhvillimit rural në sektorin (policy area) e bujqësisë dhe zhvillimit rural përbëhet nga dy autoritete, të pavaruara nga njera-tjetra, por që funksionojnë në bashkëpunim të ngushtë, të cilat janë:
i. Autoriteti Menaxhues (AM);
ii. Agjencia e Pagesave IPARD II (AP).
b) Detyrat specifike të çdo autoriteti që përbën Strukturën Operative përcaktohen në vijim dhe rregullohen me një marrëveshje operacionale ndërmjet tyre.
8. Funksionet dhe përgjegjësitë e Autoritetit Menaxhues (AM)
1. Autoriteti Menaxhues është strukturë në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, përgjegjëse për përgatitjen dhe zbatimin e programeve, përfshirë përzgjedhjen e masave dhe publicitetin, koordinimin, vlerësimin, monitorimin e raportimin e programit IPARD II.
2. Autoriteti Menaxhues kryen funksionet duke siguruar zbatim efektiv të programit IPARD II, për:
i. përgatitjen e programit IPARD II dhe të ndryshimeve të mundshme të tij, përfshirë ato që kërkohen nga Komisioni;
ii. kontrollin dhe verifikimin e masave që përcaktohen në programin IPARD II, në bashkëpunim me Agjencinë IPARD;
iii. përzgjedhjen e masave, nën secilën thirrje për aplikim, në kuadrin e programit IPARD II, kohën e zbatimit, kushtet e pranimit dhe shpërndarjen financiare për çdo masë, nën çdo thirrje. Vendimet merren bashkërisht me Agjencinë IPARD;
iv. miratimin e bazës ligjore kombëtare të përshtatshme për zbatimin e IPARD II si dhe rishikimin e saj, sipas nevojës;
v. mbështetjen e Komitetit Monitorues IPARD II, kryesisht duke ofruar dokumentet e nevojshme për monitorimin e cilësisë dhe zbatimit të programit IPARD II.
3. Autoriteti Menaxhues ngre një sistem raportimi dhe informimi për mbledhjen e informacionit financiar dhe statistikor mbi progresin e programit IPARD II, bazuar edhe në informacionin që merr nga Agjencia IPARD II. Këto të dhëna AM-ja ia përcjell Komitetit Monitorues IPARD II, sipas modaliteteve të rëna dakord ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit, duke përdorur, ku është e mundur, sisteme kompjuterike që mundësojnë shkëmbim të dhënash me të, dhe të lidhura me sistemin e raportimit e informacionit të ngritur nga ZKA-ja, në përputhje me shkronjëm “f”, të pikës 4, të nenin 2, të Marrëveshjes Kuadër.
4 Autoriteti Menaxhues i propozon Komisionit ndryshime në programin IPARD II, duke vënë në dijeni edhe Koordinatorin Kombëtar IPA, pas konsultimit me Agjencinë IPARD II dhe pasi ka marrë pëlqimin e Komitetit Monitorues IPARD II. Autoriteti Menaxhues është përgjegjës për informimin e autoriteteve përkatëse mbi nevojën e ndryshimeve administrative, kur këto ndryshime kërkohen pas një vendimi të Komisionit që ndryshon programin IPARD II.
5. Autoriteti Menaxhues harton, çdo vit, një plan veprimi për operacionet që synohen të realizohen me Asistencën Teknike, i cili i dorëzohet Komitetit Monitorues IPARD II për miratim.
6. Autoriteti Menaxhues harton një plan veprimi, i cili i dorëzohet Komitetit Monitorues nga Komisioni jo më vonë se një vit pas miratimit të programit IPARD II. Autoriteti Menaxhues raporton te Komiteti Monitorues IPARD II dhe te Komisioni mbi progresin e bërë me zbatimin e këtij plani.
7. Autoriteti Menaxhues harton një plan koherent me aktivitetet për vizibilitetin dhe komunikimin si dhe konsultohet e informon Komisionin, pasi është këshilluar me Komitetin Monitorues IPARD II. Plani, mbi të gjitha, tregon nismat e marra dhe që do të merren për informimin e publikut për rolin e luajtur nga BE-ja e programi IPARD II, dhe për rezultatet e tij.
8. Nëse Autoriteti Menaxhues delegon një pjesë të detyrave te një organ tjetër, ai mban përgjegjësinë e plotë për menaxhimin dhe zbatimin e atyre detyrave, në përputhje me parimin e menaxhimit të shëndoshë financiar.
Autoriteti Menaxhues siguron që të gjitha informacionet përkatëse, në lidhje me ecurinë e masave, t’i vihen në dispozicion komitetit monitorues të programit IPARD II dhe KKIPA-s.
9. Funksionet dhe përgjegjësitë e Agjencisë IPARD
Agjencia IPARD është një agjenci e pavarur, nën Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, përgjegjëse për zbatimin e programit IPARD II, raportimin, autorizimin dhe kontrollin e detyrimeve financiare, autorizimin dhe kontrollin e pagesave, ekzekutimin e pagesave, kontabilizimin e detyrimeve dhe pagesave, menaxhimin e borxhit, thesarin, përzgjedhjen e projekteve, publicitetin dhe auditimin e brendshëm.
1. Agjencia IPARD II është përgjegjëse, gjithashtu, për:
a) dhënien e konfirmimit, Autoritetit Menaxhues, për kontrollin dhe verifikimin e masave të programit IPARD II;
b) organizimin e thirrjeve për aplikime dhe publikimin e kushteve e të pranueshmërisë, pasi merr pëlqimin e Autoritetit Menaxhues për çështjet e ngritura në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 8, të Marrëveshjes Sektoriale;
c) përzgjedhjen e projekteve për zbatim;
ç) përcaktimin me shkrim, të detyrimeve kontraktuale, ndërmjet Agjencisë IPARD II dhe përfituesve, përfshirë informacionin për sanksionet e mundshme, në rast mospërmbushjeje të detyrave dhe, sipas rastit, lëshimin e miratimit për nisjen e punës. Agjencia IPARD II mund të vazhdojë të kontraktojë apo të marrë përsipër zotime, në zbatim të kësaj marrëveshjeje për një masë specifike, deri në datën kur Shqipëria fillon të kontraktojë apo të marrë përsipër zotime për këtë masë, në kuadrin e ndonjë programi pasues të IPARD II;
d) marrjen e masave ndjekëse, për të garantuar progresin e projekteve në zbatim;
dh) raportimin mbi progresin e masave në zbatim, kundrejt disa indikatorëve;
e) garantimin që përfituesi të sensibilizohet për kontributin e BE-së në projekt;
ë) garantimin për raportimin e parregullsive, në nivel kombëtar;
f) garantimin që ZKA-ja, struktura menaxhuese dhe Autoriteti Menaxhues të marrin të gjithë informacionin që u nevojitet për kryerjen e detyrave të tyre;
g) garantimin e respektimit të detyrimeve, në lidhje me publicitetin, sipas nenit 23, të Marrëveshjes Kuadër.
2. Për investime në projekte infrastrukturore, që priten të gjenerojnë të ardhura neto të konsiderueshme, Agjencia IPARD II vlerëson nëse ky projekt është i këtij tipi para se të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me një përfitues potencial. Nëse konstatohet se ai është i tillë, Agjencia IPARD II sigurohet që ndihma publike, nga të gjitha burimet, nuk tejkalon masën 50% të kostos totale të lidhur me projektin dhe të konsideruar të pranueshme për bashkëfinancim të BE-së.
3. Agjencia IPARD siguron që, për çdo projekt të programit IPARD II, akumulimi i ndihmës publike, të dhënë nga të gjitha burimet, të mos tejkalojë tavanet maksimale për shpenzimet publike, të përcaktuara në nenin 32, të MS-së.
10. Komiteti i Monitorimit për programin IPARD II
a) Autoriteti Menaxhues dhe Komiteti i Monitorimit të programit IPARD II (këtu e në vijim Komiteti i Monitorimit), monitoron efektivitetin dhe cilësinë e zbatimit të programit IPARD II. Komiteti i Monitorimit raporton pranë Komitetit Monitorues të IPA II dhe KE-së për progresin e masave.
b) Komiteti i Monitorimit themelohet pas miratimit të programit dhe kryesohet nga një përfaqësues i lartë i qeverisë, i cili ka drejtë vote.
c) Komisioni, Struktura Operative, ZKA-ja dhe KKIPA marrin pjesë, pa të drejtë vote, në punën e komitetit monitorues IPARD II. Me qëllim zbatimin e pikës 2, të nenit 53, të Marrëveshjes Kuadër, Komiteti i Monitorimit shqyrton rezultatet e programit IPARD II, në veçanti arritjen e objektivave të përcaktuara për masat e ndryshme dhe ecurinë e alokimeve financiare ndaj këtyre masave. Në këtë drejtim, Autoriteti Menaxhues garanton që i gjithë informacioni, lidhur me ecurinë e masave, t’i vihet në dispozicion Komitetit Monitorues dhe KKIPA-s.
ç) Komiteti i Monitorimit shqyrton, periodikisht, progresin e bërë drejt arritjes së objektivave të përcaktuara në programin IPARD II. Për këtë qëllim, Komitetit duhet t’i vihen në dispozicion, veçanërisht, informacioni për çdo sektor ose masë, ku janë hasur vështirësi, si dhe mbi rezultatet e verifikimeve të realizuara.
d) Komiteti i Monitorimit duhet të marrë në konsideratë dhe të miratojë, kur është e përshtatshme, çdo propozim për ndryshim të programit IPARD II, të hartuar nga AM-a, për t’iu dërguar KE-së dhe, për dijeni, KKIPA-s e ZKA-së.
dh) Komiteti i Monitorimit, pas konsultimit me Autoritetin Manaxhues dhe Agjencinë IPARD II, i propozo Autoritetit Manaxhues, duke vënë në dijeni ZKA-në dhe NIPAC, ndryshime për programin IPARD II, me qëllim arritjen e objektivave dhe rritjen e asistencës së dhënë.
e) Komiteti i Monitorimit shqyrton dhe miraton raportet vjetore e përfundimtare të zbatimit, përpara se ato të dërgohen pranë KKIPA-s, ZKA-së dhe AA-së, për dorëzimin në KE.
ë) Komiteti i Monitorimit shqyrton vlerësimet e programit IPARD II, referuar nenit 57, të Marrëveshjes Sektoriale.
f) Komiteti i Monitorimit shqyrton dhe miraton planin me aktivitetet e vizibilitetit dhe komunikimit, të përcaktuara në nenin 30, të Marrëveshjes Sektoriale, si dhe çdo përditësim të mëvonshëm të tij.
g) Për aktivitetet e asistencës teknike, në kuadrin e programit IPARD II, merret mendimi i Komitetit të Monitorimit. Ai shqyrton dhe miraton çdo vit një plan veprimi vjetor, tregues për zbatimin e aktiviteteve të asistencës teknike, bashkë me shumat indikative, për qëllime informimi.
gj) Çdo vizitë dhe seminar, i bashkëfinancuar nga BE-ja, nën masën “Asistencë Teknike”, të programit IPARD II, kërkon dorëzimin e një raporti me shkrim te Komitetit i Monitorimit.
h) Komiteti i Monitorimit vepron, siç duhet, nëse nga programi IPARD II i kërkohet të japë mendim për ndonjë çështje.
i) Të gjitha dokumentet përfundimtare të mbledhjeve të Komitetit të Monitorimit bëhen publike.
11. Dispozita të fundit
a) Vendimi nr.846, datë 21.11.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve e strukturave të menaxhimit të decentralizuar të asistencës së Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA), për zhvillimin rural, komponenti V”, shfuqizohet.
b) Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Financave dhe Ministria e Integrimit Evropian për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT MINIMALE PËR MBROJTJEN E SIGURISË E TË SHËNDETIT TË PUNËMARRËSVE NË INDUSTRITË MINERARE NXJERRËSE, SIPËRFAQËSORE DHE NËNTOKËSORE”
Në bazë të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 42, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 3, të ligjit nr.8741, datë 15.2.2001, “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat minimale për mbrojtjen e sigurisë e të shëndetit të punëmarrësve në industritë minerare nxjerrëse, sipërfaqësore dhe nëntokësore1”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet e tij 6 muaj pas botimit.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, I PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E ENERGJISË DHE INDUSTRISË, DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVЁS, E PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, PËR SHKËMBIMIN DHE/OSE NDARJEN E REZERVËS RREGULLUESE, NDËRMJET OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT (OST), SH.A., DHE OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMISIONIT DHE TREGUT – KOSTT, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, i përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese, ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, sh.a., sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF014999, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit nr.TF014999, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.