Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 22 shtator 2015
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2014, PËR MASËN SHOQËRUESE TË PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KV NË SHQIPËRINË JUGORE (PËRMIRËSIMI I EFIÇENCËS NË FUSHËN E ENERGJISË)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2014, për masën shoqëruese të projektit “Linja unazore 110 kV në Shqipërinë Jugore (Përmirësimi i efiçencës në fushën e energjisë)”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT SHTESË TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR PARANDALIMIN E TERRORIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit shtesë të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Terrorizmit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B” TË VENDBANIMIT TË KOMANIT (DALMACJA E VJETËR) DHE MIRATIMIN E RREGULLORES SË ADMINISTRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 30, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të Vendbanimit të Komanit (Dalmacja e Vjetër), sipas hartës dhe koordinatave gjeografike bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të Vendbanimit të Komanit (Dalmacja e Vjetër)”, e cila është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Bashkia e Vaut të Dejës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN E KOMISIONEVE EPRORE TË CAKTIMIT TË AFTËSISË PËR PUNË
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 39/2, pikat 1, 2 e 3, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e përbërjes së komisioneve eprore të caktimit të aftësisë për punë (KMCAP), sipas anekseve 1 dhe 2 që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministri i Shëndetësisë të marrë masa, që, brenda një afati tremujor nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të propozojë kandidaturat alternative për komisionet eprore të caktimit të aftësisë për punë.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË PROCESIT TË AKREDITIMIT TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Procesi i akreditimit
1.1 Aplikimi për akreditim
1.1.1 Aplikimi për akreditimin e aktivitetit të edukimit në vazhdim, për profesionistët e shëndetësisë, duhet të bëhet në Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, këtu e më poshtë QKEV, nga ofruesi i aktivitetit, jo më vonë se 30 ditë nga data e planifikuar për zbatimin e tij. Aplikimi për akreditim shoqërohet me pagesën e një tarife, që varion sipas llojit dhe kohëzgjatjes së aktivitetit, e cila miratohet nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm, këtu e më poshtë BEV.
1.1.2 Për akreditimin e aktiviteteve që janë akredituar më parë nga QKEV-ja, ofruesi ka detyrimin të dërgojë në QKEV një njoftim me shkrim, të shoqëruar me programin e aktivitetit, të paktën 7 ditë kalendarike përpara zhvillimit të tij.
1.1.3 Për çdo aktivitet të edukimit në vazhdim bëhet një aplikim i veçantë. Përjashtim bëjnë aktivitetet e institucioneve publike të kujdesit shëndetësor për punonjësit e tyre, për të cilat mund të bëhet një aplikim i vetëm për të gjitha aktivitetet që do të zhvillojë institucioni shëndetësor publik për punonjësit e vet brenda një viti kalendarik. Ky aplikim kryhet në dy faza:
1.1.3.1 faza e dërgimit të aplikimit për akreditim dhe e programit vjetor të aktiviteteve para zhvillimit të aktivitetit;
1.1.3.2 faza e plotësimit të materialit didaktik, e cila mund të kryhet dhe pas zhvillimit të aktivitetit.
1.1.4 Procedurat e akreditimit për aktivitetet që institucionet publike kryejnë për punonjësit e vet janë pa pagesë.
1.2 Vlerësimi i brendshëm
1.2.1 Vlerësimi i brendshëm kryhet nga vetë institucioni ofrues i aktivitetit të edukimit në vazhdim dhe shërben si bazë për vlerësimin e jashtëm. Ai identifikon nevojat për edukim në vazhdim dhe metodat më të mira për përmbushjen e tyre. Të dhënat e ofruara nga aplikuesi duhet të pasqyrojnë me vërtetësi informacione për tre komponentët kryesorë, që janë:
1.2.1.1 Qëllimi dhe objektivat e aktivitetit të edukimit në vazhdim, të cilat paraqiten nëpërmjet një deklarate të shkruar, duke përfshirë dhe fushat e ndërhyrjes, audiencën, të cilës i drejtohet, llojin e aktivitetit që do të ofrohet dhe rezultatet e pritshme nga ky aktivitet.
1.2.1.2 Planifikimin e aktivitetit, ku ofruesi duhet të:
i. demonstrojë një proces planifikimi të aktivitetit, i cili gërsheton nevojat e identifikuara për edukim në vazhdim me rezultatet e parashikuara të aktivitetit;
ii. përdorë të dhëna të bazuara në vlerësimin e nevojave për hartimin dhe planifikimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim;
iii. komunikojë qëllimin dhe objektivat e aktivitetit, në mënyrë që profesionistët pjesëmarrës të jenë në dijeni të tyre para ofrimit të aktivitetit;
iv. sigurojë përputhje me politikat e parashikuara për mbështetjen financiare dhe konfliktin e interesit.
1.2.1.3 Vlerësimin dhe përmirësimin e aktivitetit, ku ofruesi duhet të:
i.
i. ketë parashikuar vlerësimin e efikasitetit të aktivitetit të edukimit në vazhdim në përmbushjen e nevojave të identifikuara paraprakisht;
ii. bëjë përmirësimet e nevojshme, të sugjeruara nga procesi i vlerësimit.
1.3 Vlerësimi i jashtëm
1.3.1. Vlerësimi i jashtëm kryhet nga QKEV-ja dhe realizohet nëpërmjet vlerësimit të dokumentacionit para akreditimit dhe monitorimit të aktivitetit/vlerësimit përfundimtar. Në fazën e parë, që kryhet para se aktiviteti të akreditohet dhe zbatohet, ndiqen procedurat e mëposhtme:
1.3.1.1 QKEV-ja shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga aplikuesi dhe, nëse ai është i plotë, bën vlerësimin e tij sipas kritereve të cilësisë në planifikimin e aktivitetit, përfshirë vlerësimin e burimeve të përdorura (trajnerët, materialet pedagogjike) dhe përgatit raportin përkatës. Në rast të plotësimit të pjesshëm, nga ofruesit, të dokumentacionit të kërkuar, QKEV-ja ruan të drejtën e refuzimit të akreditimit ose mosvlerësimit me kredite, për ato materiale të programit që kanë mangësi në dokumentacion;
1.3.1.2 QKEV-ja ngarkon një ose me shumë ekspertë të pavarur të fushës, nga lista e përzgjedhur nga BEV-ja, për të kryer vlerësimin e përmbajtjes së kurikulave që do të përdoren në aktivitet dhe për përputhshmërinë e tyre me nevojat e pjesëmarrësve. Në varësi të këtij vlerësimi, eksperti/ekspertët mund të sugjerojnë se cilat tema duhen konsideruar ose jo në llogaritjen e krediteve. Eksperti përgatit raportin përkatës. QKEV-ja paguan ekpertët e pavarur për vlerësimin e kryer prej tyre, bazuar në përcaktimin e orëve të punës, siç paraqiten në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për aktivitete që përdorin materiale trajnuese, të hartuara nga Ministria e Shëndetësisë ose Organizata Botërore e Shëndetësië, QKEV-ja mund të mos i kalojë këto materiale për vlerësimin e ekspertit të pavarur të fushës;
1.3.1.3 Bazuar në dy raporte të QKEV-së dhe ekspertit/ekspertëve, sipas pikave 1.3.1.1 dhe 1.3.1.2, të kësaj pike, QKEV-ja vendos nëse aktiviteti akreditohet ose jo dhe përcakton numrin e krediteve për aktivitetin që do të akreditohet;
1.3.1.4 Dokumentacioni i vlerësimit të brendshëm dhe ai i vlerësimit të jashtëm, së bashku me numrin e përcaktuar të krediteve, bazuar në llojin e aktivitetit dhe kohëzgjatjen e tij, përbëjnë dosjen e vlerësimit, miratimi i së cilës mbyll fazën e parë të procesit të akreditimit. Faza e dytë përshkruhet në pikën 1.5, të këtij vendimi.
1.4. Publikimi i rezultateve dhe përcaktimi i krediteve
1.4.1 Pas vlerësimit të jashtëm, QKEV-ja merr vendimin e akreditimit ose jo të një aktiviteti. QKEV-ja bën të ditur vendimin e saj brenda 30 ditëve, pas plotësimit të dokumentacionit për akreditim nga ana e ofruesit.
1.4.2. Në rastet kur akreditimi refuzohet, aplikuesit duhet t’i kthehet një përgjigje me shkrim nga QKEV-ja, duke paraqitur arsyet e refuzimit dhe sugjerimet përkatëse për përmirësimin e planifikimit dhe hartimit të propozimeve të ardhshme.
1.4.3 Aktivitetet, të cilat akreditohen, si dhe kreditet përkatëse të tyre, i bëhen të njohura ofruesit dhe publikohen në faqen e internetit të QKEV-së.
1.4.4 Akreditimi i një aktiviteti është i vlefshëm për një periudhë tre vjeçare, nga momenti i akreditimit fillestar.
1.5 Monitorimi dhe vlerësimi përfundimtar
1.5.1 QKEV-ja ka të drejtë të monitorojë aktivitetin e edukimit në vazhdim, të akredituar ose në proces, për të siguruar zbatimin e standardeve dhe kritereve të parashikuara. QKEV-ja monitoron, në mënyrë të rastësishme dhe pa njoftim paraprak, vetëm një pjesë të aktiviteteve që akreditohen prej saj. Gjithashtu, QKEV-ja ka të drejtë të realizojë vlerësimin e aktivitetit nga pjesëmarrësit në aktivitet.
1.5.2 Pas përfundimit të aktivitetit, aplikuesi duhet të plotësojë dosjen e vlerësimit, duke dorëzuar pranë QKEV-së listën e pjesëmarrësve në aktivitet dhe rezultatet e procesit të vlerësimit të aktivitetit.
1.5.3 QKEV-ja mund të anulojë akreditimin e ofruar apo të rishikojë numrin e krediteve kur vërehen shkeljet e mëposhtme:
1.5.3.1 Ndryshime në programin e aktivitetit, të cilat cenojnë cilësinë e tij dhe ndikojnë në përllogaritjen e krediteve të miratuara;
1.5.3.2 Mosraportimi i konflikteve të interesit të organizatorëve ose/dhe trajnuesve në aktivitet;
1.5.3.3 Përdorimi i aktivitetit për promovim personal ose tregtar;
1.5.3.4 Keqpërdorimi i emrit të institucionit akreditues dhe krediteve të njohura prej tij;
1.5.3.5 Mosplotësimi i dosjes me dokumentacionin e nevojshëm për fazën pas aktivitetit;
1.5.3.6 Vlerësimi negativ i shumicës së pjesëmarrësve për organizimin e aktivitetit, përmbajtjen e temave të veçanta ose nivelin pedagogjik të paraqitjes së këtyre temave;
1.5.3.7 Shkelje të kritereve të përshkruara në pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi.
1.5.4 Në rast të shkeljeve të përsëritura nga ana e ofruesit, ose në rast shkeljesh të rënda, QKEV-ja ka të drejtën të pezullojë ofruesin nga ofrimi i aktiviteteve të akredituara të edukimit në vazhdim për një periudhë 6 muaj deri në 1 vit, në varësi të llojit të shkeljes së vërejtur. Konsiderohen shkelje të rënda: moszhvillimi i aktivitetit të deklaruar, pa njoftim paraprak dhe të motivuar në QKEV, si dhe shkeljet e kritereve për mbështetjen tregtare.
1.5.5 Në rast se gjatë monitorimit të aktivitetit vihet re përmbushje maksimale e standardeve të cilësisë dhe/ose vlerësim i shkëlqyer i programit, lektorëve/trajnerëve dhe organizimit të aktivitetit nga pjesëmarrësit, QKEV-ja mund të bëjë një rritje deri në 20% të numrit të krediteve të miratuara paraprakisht për aktivitetin e monitoruar.
1.6 E drejta e ankimit
Ofruesit e aktiviteteve të edukimit në vazhdim kanë të drejtë të ankohen pranë QKEV-së, për vendimin e akreditimit dhe numrin e krediteve, brenda 30 ditëve nga momenti i marrjes dijeni të njoftimit. Çdo ankesë duhet të paraqitet me shkrim dhe të shoqërohet me të dhëna e argumente që mbështetin ankimin. QKEV-ja rishqyrton dosjen e vlerësimit dhe, kur ankesat janë të mbështetura, i reflekton në raportin përfundimtar. Në rastet kur ofruesi nuk është dakord me raportin përfundimtar, ai ka të drejtën e ankimit pranë Bordit të Edukimit të Vazhdueshëm brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni të njoftimit të vendimit nga QKEV-ja.
2. Kriteret e vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm
2.1 Ofruesi duhet të paraqesë një deklaratë të qëllimit të aktivitetit të edukimit në vazhdim, e cila duhet të përmbajë të gjitha komponentet bazë (objektivat, fushat që do të përfshijë, llojin e aktivitetit, rezultatet e pritshme), ku rezultatet të jenë formuluar bazuar në termat e ndryshimeve që aktiviteti do të sjellë në njohuritë ose praktikën e profesionistëve ose përfitimin e pacientëve.
2.2 Ofruesi duhet të përcaktojë se cilat nevoja për edukim në vazhdim, të shprehura në njohuri, kompetenca ose praktika, do të adresohen në aktivitetin e propozuar të edukimit në vazhdim.
2.3 Ofruesi duhet të hartojë aktivitete, të cilat kanë për qëllim të ndryshojnë njohuritë, aftësitë, performancën ose përfitimet nga ana e pacientëve, të parashikuara në qëllimin e deklaruar të aktivitetit.
2.4. Ofruesi duhet të hartojë aktivitete, përmbajtja e të cilave të përputhet me fushën në të cilën profesionistët pjesëmarrës ushtrojnë profesionin e tyre.
2.5. Ofruesi duhet të zgjedhë forma edukimi (metoda pedagogjike), të cilat janë të përshtatshme për tematikën, objektivat dhe rezultatet e pritshme të aktivitetit.
2.6. Ofruesi duhet të hartojë aktivitete që përputhen me tematikën e kompetencave të dëshiruara nga profesionistët (p.sh. udhëzuesit klinikë etj.).
2.7. Ofruesi duhet të organizojë aktivitete të pavarura nga interesat tregtare.
2.8. Ofruesi duhet të menaxhojë, në mënyrë të përshtatshme, mbështetjen (financimin, fondet) tregtare.
2.9. Ofruesi duhet ta mbajë të ndarë promovimin nga pjesa edukative e aktivitetit.
2.10. Ofruesi duhet të promovojë, në mënyrë aktive, përmirësime në shërbimin shëndetësor dhe jo interesat tregtare të ofruesve dhe/ose financuesve të aktivitetit.
2.11. Për aktivitetet e edukimit të vazhdueshëm në distancë ofruesi duhet:
2.11.1 të deklarojë formatin e nevojshëm për përdorimin e materialit (p.sh.Windows/MacOS; lexues DVD) dhe të ofrojë detaje për kontaktet për ofrim mbështetjeje (teknike) për pjesëmarrësit, në rastin e aktiviteteve që përdorin teknologjinë e informacionit, hardwar-in dhe softwar-in që nevojitet për të përdorur materialet, dhe instruksione për përfitimin optimal nga kursi;
2.11.2 të deklarojë kohëzgjatjen në orë të kohës që pjesëmarrësit do t’i duhet për të përmbushur objektivat edukativë të aktivitetit;
2.11.3 të ofrojë mbështetje teknike për pjesëmarrësin, në lidhje me ndjekjen e aktivitetit;
2.11.4 të garantojë një mënyrë për konfirmimin e përfshirjes së pjesëmarrësit si dhe të përmbushjes së objektivave edukative;
2.11.5 të respektojë e të konfirmojë konfidencialitetin e pjesëmarrësit si dhe faktin që çdo informacion, për pjesëmarrësit në aktivitet, do të përdoret vetëm për qëllimet specifike të përmbushjes së kërkesave të këtij materiali. Rastet e vetme të përjashtimit duhet të jenë me informimin dhe miratimin e plotë të pjesëmarrësit.
2.12. Ofruesi duhet të analizojë ndryshimet te pjesëmarrësit (njohuritë, praktikat ose përfitimet e pacientëve), të arritura si rezultat i të gjitha aspekteve të aktivitetit të edukimit në vazhdim.
2.13. Ofruesi duhet të përdorë mjete vlerësuese të procesit të zbatimit të aktivitetit (p.sh. ambienti, kohëzgjatja, numri i temave, burimet e përdorura).
2.14. Ofruesi duhet të identifikojë, planifikojë dhe zbatojë ndryshimet e nevojshme ose të dëshiruara në aktivitet (p.sh. planifikuesit, trajnuesit, infrastrukturën, metodat, burimet, mjetet, ndërhyrjet), që janë të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së aktiviteteve të ardhshme të edukimit në vazhdim.
2.15. Ofruesi duhet të sigurojë dokumentimin efikas të pjesëmarrësve në aktivitet.
2.16. Për aktivitetet e edukimit në distance, ofruesi duhet të vërtetojë një përvetësim nga pjesëmarrësit deri në 70% të njohurive të reja, nga ndjekja e aktivitetit të edukimit në distancë (përqindja kaluese).
3. Kriteret për mbështetjen financiare
3.1 QKEV-ja nuk pranon kërkesa për akreditim të aktiviteteve të edukimit në vazhdim nga subjekte që prodhojnë ose tregtojnë mallra, të cilat përdoren tek ose nga pacientët, të cilët, në kuptim të këtij vendimi, do të konsiderohen palë të interesit tregtar. Këta të fundit mund të mbështetin financiarisht aktivitete të edukimit në vazhdim vetëm kur plotësojnë kriteret e mëposhtme:
3.1.1 Pavarësia
Ofruesi i aktiviteteve të edukimit në vazhdim duhet të garantojë se vendimet që do të merren në secilën prej fushave të mëposhtme do të jenë të pavarura dhe nuk do të jenë nën ndikimin e palës së interesit tregtar.
3.1.2 Zgjidhja e konfliktit personal të interesit
3.1.2.1 Ofruesi duhet të jetë i aftë të tregojë se çdo person që mund të ndikojë në përmbajtjen e një aktiviteti edukues ka deklaruar të gjitha lidhjet financiare që paraqesin konflikt interesi për ofruesin e aktivitetit.
3.1.2.2 Individi që do të refuzojë të deklarojë lidhjet e mundshme financiare nuk ka të drejtë të jetë anëtar i komitetit të planifikimit, lektor ose autor i aktivitetit të edukimit në vazhdim dhe nuk mund të ketë kontroll apo përgjegjësi në zhvillimin, menaxhimin, prezantimin ose vlerësimin e aktivitetit.
3.1.2.3 Ofruesi duhet të përfshijë një mekanizëm për të identifikuar dhe zgjidhur të gjitha konfliktet paraprake të interesit të aktivitetit edukues që do të ndjekin pjesëmarrësit.
3.1.3 Përdorimi i duhur i mbështetjes tregtare
3.1.3.1 Ofruesi duhet të marrë të gjitha masat për sigurimin e mbështetjes financiare.
3.1.3.2 Ofruesi nuk duhet të detyrohet nga pala e interesit tregtar për të marrë këshilla apo shërbime që lidhen me lektorët, autorët, pjesëmarrësit apo çështjet e edukimit, përfshirë këtu edhe përmbajtjen, si kusht i marrjes së fondeve.
3.1.3.3 E gjithë mbështetja finaciare për aktivitetin e edukimit në vazhdim duhet të menaxhohet vetëm nëpërmjet ofruesit (institucionit që ka bërë kërkesën për akreditim pranë institucionit akreditues).
3.1.3.4 Kushtet dhe qëllimet e mbështetjes tregtare duhet të dokumentohen në një marrëveshje të shkruar, ndërmjet mbështetësit tregtar dhe ofruesit e partnerëve të tij. Marrëveshja duhet të përfshijë edhe ofruesin, nëse mbështetja i është dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë partnerit edukues të ofruesit ose ndonjë sponsori të përbashkët.
3.1.3.5 Marrëveshja e shkruar duhet ta specifikojë palën e interesit tregtar që është burimi i mbështetjes finaciare.
3.1.3.6 Mbështetësi financiar, së bashku me ofruesin, duhet të firmosin (nënshkruajnë) marrëveshjen e shkruar ndërmjet të dyve.
3.1.4 Administrimi i duhur i promocionit tregtar
3.1.4.1 Marrëveshjet për prezantimet tregtare ose publiciteti nuk duhet të influencojnë në planifikimin ose implementimin e një aktiviteti të edukimit në vazhdim dhe as nuk mund të jenë kusht për ofrimin e mbështetjes financiare për aktivitetin.
3.1.4.2 Materialet edukuese, që janë pjesë e një aktiviteti të edukimit në vazhdim, të tilla si prezantime, konspekte dhe shënime të shtypura, nuk mund të përmbajnë asnjë publicitet, emër tregtar apo mesazh të firmës së prodhimit.
3.1.4.3 Gjatë aktivitetit të edukimit në vazhdim është i ndaluar çdo lloj materiali për promocion të produkteve apo publicitet i produkteve specifike. Duhet të shmanget ballafaqimi dhe krahasimi i produkteve apo subjekteve të ngjashëm. Aktivitetet promocionale, gjatë aktiviteteve të drejtpërdrejta (prova materiale mbështetëse, prezantim) ose publiciteti në materialet elektronike apo të printuara duhet të jenë të ndara nga aktiviteti i edukimit në vazhdim.
3.1.4.4 Në materialet e printuara, publiciteti dhe materialet e promocionit nuk duhet të jenë të përziera me përmbajtjen e aktivitetit të edukimit në vazhdim.
3.1.4.5 Në prezantimet elektronike, publiciteti dhe materialet e promocionit nuk duhet të jenë të dallueshme në ekran në të njëjtën kohë me përmbajtjen e aktivitetit të edukimit në vazhdim dhe nuk duhet të shfaqen mes prezantimeve elektronike të përmbajtjes së aktivitetit.
3.1.4.6 Në aktivitetet e drejtpërdrejta, publiciteti dhe materialet e promocionit nuk mund të shfaqen apo të shpërndahen para, gjatë ose pas hapësirës edukative të aktivitetit të edukimit në vazhdim. Ofruesit nuk duhet t’i lejojnë përfaqësuesit e palëve të interesave tregtare të angazhohen në shitje ose aktivitete promocionale gjatë kohës dhe në vendin e zhvillimit të aktivitetit të edukimit në vazhdim.
3.1.4.7 Materialet e printuara apo në formë elektronike, të shpërndara mbi elemente që nuk kanë lidhje me informacionin edukativ të aktivitetit, mund të përfshijnë material të promocionit të produktit ose publicitet të produkteve të veçanta.
3.1.4.8 Ofruesi i akredituar nuk duhet të lejojë që pala e interesit tregtar të ofrojë aktivitete të edukimit në vazhdim të pjesëmarrësit.
3.1.5 Përmbajtja dhe formati i paanshmërisë tregtare
3.1.5.1 Përmbajtja apo formati i aktivitetit të edukimit në vazhdim apo materialeve që lidhen me të duhet të përkrahë përmirësimin apo cilësinë në kujdesin shëndetësor dhe jo një firmë ose agjenci të veçantë të regjistruar biznesi.
3.1.5.2 Prezantimet duhet të japin një paraqitje të ekuilibruar të mundësive terapeutike. Përdorimi i emrave të përgjithshëm nuk ndikon anësisht. Nëse në materialin edukues të aktivitetit të edukimit në vazhdim apo gjatë prezantimit të tij përfshihen emra tregtarë, duhet të përdoren emra tregtarë të gatshëm, nga firma të ndryshme, dhe jo vetëm emra tregtarë nga një firmë e vetme.
3.1.6 Deklarimi i lidhjeve financiare
3.1.6.1 Të gjitha lidhjet financiare të mundshme të personave që mund të ndikojnë në aktivitetin e edukimit në vazhdim duhet të deklarohen te pjesëmarrësit në aktivitet para se ai të fillojë dhe në formë të shkruar, në programin e aktivitetit ose në faqen zyrtare të ofruesit.
3.1.6.2 Burimi i mbështetjes tregtare duhet të deklarohet, nga ana e ofruesve të aktivitetit të edukimit në vazhdim, te pjesëmarrësit në aktivitet, para se ai të fillojë. Deklarimi nuk duhet, asnjëherë, të përfshijë përdorimin e emrave tregtarë ose një mesazh promocional.
4. Aktivitete të edukimit në vazhdim dhe kreditet përkatëse
Aktivitetet e edukimit në vazhdim, që akreditohen nga QKEV-ja, mund të jenë:
4.1 “Konferenca” – një aktivitet 1-3-ditor për një temë të caktuar, zakonisht e zhvilluar nga shoqata profesionistësh, ku mbahen një seri leksionesh nga ekspertë të fushës, e organizuar në seanca plenare dhe/ ose seanca paralele. Qëllimi i konferencës është të shtojë njohuritë e audiencës profesionale, kryesisht mbi të rejat e shkencës dhe teknologjisë, në lidhje me praktikën përkatëse shëndetësore;
4.2 “Trajnimi” – një aktivitet edukues (nga 1-ditor deri në 3-mujor) me qëllim përftimin e njohurive, aftësive dhe shprehive praktike që nevojiten për të përmbushur një detyrë apo punë në mënyrë të kënaqshme. Ai përfshin përdorimin e metodave të ndryshme pedagogjike dhe jo thjesht mbajtjen e leksioneve. Trajnimi mund të zhvillohet larg vendit të punës ose në vendin e punës;
4.3 “Seminari” – një aktivitet mësimor, ku një grup i vogël pjesëmarrësish mësojnë rreth një çështjeje të caktuar dhe marrin pjesë aktivisht, nëpërmjet diskutimit të artikujve të caktuar, prezantimit të studimeve të ndryshme, pyetjeve dhe debateve;
4.4 “Workshop” – një aktivitet i zhvilluar me një grup të vogël pjesëmarrësish, të cilët përfshihen aktivisht në diskutime, zgjidhje problemesh ose në kryerjen e një teknike, procedure apo manipulimi me ndihmën e një eksperti. Qëllimi është që pjesëmarrësit të mësojnë, duke provuar, gabuar dhe korrigjuar vetë ose me ndihmën e të tjerëve, aftësi dhe kompetenca të nevojshme për praktikën e tyre të përditshme;
4.5 “Prezantimi i një leksioni” – një aktivitet që nxit edukimin në vazhdim profesional. Leksioni është një prezantim me gojë, nga një profesionist i kualifikuar dhe me përvojë në fushën përkatëse, i një teme të caktuar, të përgatitur mirë, për rreth 20 deri në 40 minuta, i shoqëruar me pyetje-përgjigje. Aftësitë komunikuese, prezantuese dhe ekspertiza janë cilësitë kryesore të një lektori të mirë;
4.6 “Grup rishikimi”- një aktivitet në grup të vogël (5-10), ku profesionistët e të njëjtit specialitet ose shërbim mblidhen për të diskutuar për çështje kryesore që lidhen me praktikën e tyre klinike, me cilësinë e shërbimit dhe zgjidhjet e mundshme. Qëllimi kryesor i grupeve të rishikimit është shkëmbimi i përvojave dhe vlerësimi i punës së njëri-tjetrit, zgjidhja e problemeve praktike, hartimi i udhëzuesve për të përmirësuar shërbimin. Grupet e rishikimit mblidhen rregullisht dhe drejtohen nga një drejtues grupi;
4.7 “Aktivitet kërkimor/studimor”- një pjesë e aktiviteteve të edukimit në vazhdim. Përfshirja e profesionistit në punë kërkimore, në shkrime artikujsh apo materialesh të tjera profesionale dhe shkencore është një formë tjetër e edukimit në vazhdim. Përllogaritja e krediteve për aktivitetet e mësipërme kryhet sipas kriterit një orë-një kredit, bazuar vetëm në orët reale të mësimdhënies, dhe duke mos përfshirë pushimet mes prezantimeve, seancën prezantuese të aktivitetit etj. Një aktiviteti të drejtpërdrejtë (live) të edukimit në vazhdim nuk mund t’i njihen më shumë se 6 kredite në ditë;
4.8 “Aktivitetet e të mësuarit në distancë” – aktivitete edukuese që kryhen në mënyrë të pavarur nga profesionisti, me ndihmën e teknologjisë moderne. Studimi i materialeve të shkruara, videokasetave, videokonferencat, webkonferencat dhe komunikimi nëpërmjet kompjuterit e lejojnë profesionistin të ndjekë një program trajnimi me interes për të, pa patur nevojë për prezencë fizike në një aktivitet të tillë. Aktivitetet e edukimit në distancë nuk mund të jenë më të gjata se 1-3 ditë dhe mund të vlerësohen, maksimalisht, me 3 kredite në ditë.
5. Ekspertët e pavarur
5.1 Ekspertët që do të përfshihen në vlerësimin e jashtëm të një aktiviteti të edukimit në vazhdim zgjidhen me rotacion, nga lista e ekspertëve të secilës fushë ekspertize, të miratuar nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm. Lista e ekspertëve rishqyrtohet çdo dy vjet.
5.2 Ekspertët e përfshirë në procesin e vlerësimit të jashtëm të një aktiviteti të edukimit në vazhdim duhet të deklarojnë, para përpilimit të raportit, çdo konflikt të mundshëm interesi me ofruesin e aktivitetit të edukimit në vazhdim. Gjithashtu, eksperti i përzgjedhur për vlerësimin e jashtëm të një aktiviteti nuk duhet të jetë i përfshirë në planifikimin, organizimin dhe zbatimin e aktivitetit që vlerësohet prej tij.
6. QKEV-ja paguan ekpertët e pavarur për vlerësimin e kryer prej tyre, bazuar në përcaktimin e orëve të punës, sipas aneksit 1, bashkëngjitur këtij vendimi.
7. Pagesa e kryer nga ofruesi, gjatë fazës së aplikimit, mbulon shpenzimet operative të QKEV-së gjatë procedurave të vlerësimit të aktivitetit të edukimit në vazhdim dhe është e pavarur nga vendimi për miratim ose jo të akreditimit për aktivitetin.
8. Pjesa prej 30 % e të ardhurave të mbledhura nga tarifat për akreditimin e aktivitetit të edukimit në vazhdim derdhet në buxhetin e QKEV-së dhe përdoret me miratimin e ministrit të Shëndetësisë.
9. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, STANDARDEVE DHE PROCEDURAVE TË PROGRAMIT TË CERTIFIKIMIT PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 33, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Programi i certifikimit për profesionistët e shëndetësisë ka si qëllim të mbështetë, të fuqizojë dhe të promovojë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve të shëndetësisë, në mënyrë që ata të ofrojnë një kujdes shëndetësor sa më cilësor për pacientët.
2. Në këtë projektvendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Certifikimi”, procesi që profesionisti i shëndetësisë përfundon me përmbushjen e kritereve të secilit cikël të programit të certifikimit dhe lidhet me ecjen në karrierë të profesionistit të shëndetësisë.
b) “Profesionistë shëndetësorë”, personat e pajisur me dijet e nevojshme shkencore dhe profesionale që ushtrojnë profesionin e tyre në fusha dhe profile të ndryshme të sistemit shëndetësor.
II. KRITERET DHE STANDARDET E PROGRAMIT TË CERTIFIKIMIT
1. Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit
1.1. Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë mjekët, stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët dhe infermierët e mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Nuk përfshihen në program profesionistët që punojnë në administratë.
1.2. Ata profesionistë, të cilët dalin në pension brenda periudhës 4-vjeçare të ciklit dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël.
1.3. Profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.
1.4. Profesionistët të cilët janë në pension dhe ushtrojnë profesionin.
1.5. Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë.
2. Kohëzgjatja e programit të certifikimit
Programi i certifikimit për profesionistët e shëndetësisë është i organizuar në cikle 4-vjeçare, brenda të cilave profesionistët e shëndetësisë duhet të përmbushin kriteret siç përcaktohen në pikat 3 dhe 4, të këtij kreu.
3. Numri i krediteve të kërkuara
3.1. Brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Numri i nevojshëm i krediteve të edukimit në vazhdim që një profesionist i përfshirë në programin e certifikimit duhet të mbledhë sipas kategorive të aktiviteteve është si më poshtë:
3.1.1. Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.
3.1.2. Kredite të përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara.
3.2. Kredite të përfituara nga aktivitete të vetëraportuara të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.
3.3. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për mjekët është 10 kredite, për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite.
3.4. Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.
3.5. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi. Ky test kryhet on-line dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Ministria e Shendetësisë harton rregulloren për zhvillimin e testit dhe është përgjegjëse për administrimin e tij.
3.6. Në përmbushje të kritereve të mësipërme, profesionisti vlerësohet se ka kryer procesin e certifikimit dhe pajiset me vërtetimin përkatës.
4. Standardet e certifikimit
4.1. Profesionisti nxitet ta planifikojë vetë pjesëmarrjen në aktivitete të edukimit në vazhdim, bazuar në qëllimin e praktikës së tij profesionale, nevojat e identifikuara dhe kompetencat e dëshiruara.
4.2. Profesionisti zgjedh ato aktivitete që bazohen në nevojat e perceptuara nga ai vetë, si dhe në ato që janë identifikuar nga vlerësime të tjera.
4.3. Aktiviteti i edukimit në vazhdim duhet të ketë lidhje me specialitetin, rolin profesional dhe përgjegjësitë që ka profesionisti në pozicionin aktual të punës.
4.4. Profesionisti duhet të jetë i angazhuar për të ruajtur profesionalizmin gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit dhe në kujdesin që ofron, përmes përmirësimit të vazhdueshëm.
4.5. Profesionisti nxitet ta integrojë procesin individual të të mësuarit në atë të ekipit me të cilin punon, grupe të kolegëve apo komunitetin e gjerë.
4.6. Profesionistit duhet t’i krijohen mundësitë dhe kushtet e përshtatshme nga strukturat dhe institucionet shëndetësore për ndjekjen e aktiviteteve të edukimit në vazhdim.
III. PROCEDURA TË PROGRAMIT TË CERTIFIKIMIT
1. Regjistrimi i profesionistëve në programin e certifikimit
Të gjithë profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë përgjegjës për regjistrimin e tyre në Regjistrin Kombëtar të Certifikimit të Profesionistëve që administrohet nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), si dhe për vërtetësinë e të dhënave të dokumentuara në dosjen e tyre individuale.
2. Njohja dhe regjistrimi i krediteve
3. Aktivitete të edukimit në vazhdim të akredituara paraprakisht
3.1. Regjistrimi i krediteve nga aktivitete të edukimit në vazhdim të akredituara paraprakisht nga QKEV-ja. Në rastet kur profesionisti merr pjesë në një aktivitet të edukimit në vazhdim të akredituar paraprakisht nga QKEV-ja, atëherë raportimi i krediteve përkatëse është përgjegjësi e ofruesit të aktivitetit, i cili duhet të dorëzojë pranë QKEV-së listën e pjesëmarrësve në aktivitet. Regjistrimi i krediteve bëhet nga QKEV-ja në dosjet individuale elektronike të të gjithë pjesëmarrësve. Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në një aktivitet të edukimit me kohëzgjatje më pak se një javë, atëherë kreditet, që regjistrohen, përllogariten në bazë të kohëzgjatjes së aktivitetit dhe kriterit 1orë – 2 kredite. Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në aktivitet me kohëzgjatje më shumë se një javë, atëherë kreditet, që regjistrohen, përllogariten në bazë të kohëzgjatjes së leksioneve të kryera nga lektori dhe kriterit 1 orë x 2 kredite.
3.2. Regjistrimi i krediteve nga aktivitete të edukimit në vazhdim të akredituara paraprakisht nga institucione të tjera, përveç QKEV-së, bëhen pas kërkesës së profesionistit për njohjen dhe regjistrimin e këtyre krediteve në QKEV. Dokumentet që duhet të paraqiten janë programi i aktivitetit dhe certifikata e ndjekjes ose diploma e përfituar prej tij me numrin përkatës të krediteve.
4. Aktivitete të edukimit në vazhdim të paakredituara paraprakisht
4.1. Regjistrimi i krediteve nga botimet në revista shkencore, botim i teksteve mësimore, recensimi i botimeve, udhëheqje e oponenca shkencore, ndjekje e praktikave profesionale, stafet profesionale, shkencore në shërbimet klinike të QSUT-së si dhe postera e abstrakte. Në këtë rast, kërkesa për njohjen dhe regjistrimin e krediteve duhet bërë individualisht nga profesionisti, pranë QKEV-së. Dokumentet që duhet të paraqiten në rastet e botimit të artikujve, kapitujve të librave ose librave, janë fotokopje të kapakut të revistës ose librit, si dhe fotokopja e faqes së parë të artikullit ose kapitullit. Në rastet kur profesionisti ka hartuar kurikula universitare ose pasuniversitare, dokumentet që duhet të paraqiten janë një vërtetim nga fakulteti përkatës dhe një fotokopje e faqes së parë të tyre. Përllogaritja e krediteve për aktivitetet e kësaj kategorie bëhet sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4.2. Regjistrimi i krediteve nga aktivitete të vetëraportuara kryhet në mënyrë individuale nga profesionisti pranë QKEV-së. Profesionisti duhet të deklarojë programet e multimedias, të studimit të literaturës profesionale ose vizitat studimore që ka kryer gjatë një viti kalendarik në funksion të përmbushjes së nevojave të tij profesionale, si dhe orët aktive të përfshirjes së tij në këto aktivitete. Përllogaritja e krediteve për aktivitete të kësaj kategorie bëhet sipas aneksit 2 që i bashkëlidhet këtij vendimi:
5. Programe universitare të akredituara
Këto programe përfshijnë kurset pasuniversitare me afat të shkurtër, programet e nivelit Master dhe programet e Doktoraturës (brenda ose jashtë vendit). Konvertimi i krediteve universitare në kredite të edukimit në vazhdim bëhet në bazë të kriterit 1 (një) kredit universitar – 25 (njëzet e pesë) kredite të edukimit në vazhdim.
6. Afatet kohore të regjistrimit të krediteve
6.1. Për regjistrimin e krediteve të përfituara nga aktivitete të përmendura në nënndaarjen 3.1, të pikës 3, të këtij kreu, profesionisti duhet të aplikojë për njohjen dhe regjistrimin e krediteve pranë QKEV-së para datës 31 dhjetor të vitit kalendarik.
6.2. Për regjistrimin e krediteve të përfituara nga aktivitete të përmendura në nënndarjen 4.1, të pikës 4, të këtij kreu, profesionisti duhet të plotësojë formularin përkatës, nëse është i nevojshëm, vetëm një herë për secilin vit kalendarik të ciklit, përpara datës 15 dhjetor.
6.3. QKEV-ja duhet të kryejë procedurat e njohjes dhe regjistrimit të krediteve në dosjen individuale të profesionistit brenda një afati kohor jo më të gjatë se 60 ditë nga data e dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e ofruesit ose profesionistit.
6.4. I gjithë dokumentacioni i programit të certifikimit duhet të ruhet nga QKEV- ja sipas legjislacionit në fuqi për arkivat dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.
IV. CERTIFIKIMI I PROFESIONISTËVE
1. Njoftimi mbi statusin e certifikimit
Në fund të secilit cikël 4-vjeçar të programit të certifikimit, QKEV-ja njofton në faqen zyrtare profesionistët për përmbushjen e kërkesave të programit të certifikimit dhe njofton institucionet shëndetësore për statusin e certifikimit të profesionistëve të punësuar në to.
2. Përgjegjësitë e institucioneve shëndetësore
2.1. Të gjitha institucionet publike ose private, akademike ose joakademike, fitimprurëse ose jofitimprurëse, të huaja dhe të vendit, që kanë punësuar profesionistë, të cilët ushtrojnë profesionin e tyre sipas ligjeve në fuqi, kanë përgjegjësi:
2.1.1.Të krijojnë kushte dhe mundësi që profesionistët të përfshihen në aktivitete të edukimit në vazhdim në përputhje me nevojat e pozicionit të tyre të punës.
2.1.2.Të nxitin përfshirjen e profesionistëve në aktivitete të edukimit në vazhdim dhe të përfshijnë në kontratat individuale të punësimit kërkesat e programit të certifikimit për profesionistët.
2.1.3. Të hartojnë plane institucionale, njëvjeçare ose shumëvjeçare, të
zhvillimit profesional të punonjësve të tyre, në përputhje me nevojat individuale, por edhe institucionale. Institucionet janë përgjegjëse që të ofrojnë aktivitete të edukimit në vazhdim për profesionistët e tyre në mënyrë që ata të mbledhin deri në 30 për qind të numrit total të krediteve të kërkuara përmes këtyre aktiviteteve.
3. Ankimi
Profesionisti ka të drejtë të ankohet pranë QKEV-së për parregullsi në njohjen dhe regjistrimin e krediteve brenda 30 ditëve nga data e publikimit të rezultateve.
Në rastet kur pretendimet e profesionistit për parregullsi në njohjen dhe regjistrimin e krediteve nga QKEV-ja nuk zgjidhen nga kjo e fundit, atëherë profesionisti ka të drejtë të ankohet pranë Bordit të Edukimit të Vazhdueshëm brenda 30 ditëve nga data e njoftimit nga QKEV-ja që ankesa e tij nuk është marrë parasysh.
4. Profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk plotësojnë programin e certifikimit sipas përcaktimeve të bëra në këtë projektvendim, i nënshtrohen provimit të certifikimit. Provimi i certifikimit organizohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe Ministria e Shëndetësisë sipas modaliteteve të përcaktuara në rregulloren për organizimin e provimit të certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë e cila miratohet nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm.
5. Procesi i certifikimit të ndihmësfarmacistëve, infermierëve dhe mamive fillon nga data 1 janar 2016.
V. HYRJA NË FUQI
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.299, DATË 8.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT TË TREGTIMIT TË BARNAVE E TË KLASIFIKIMIT TË TYRE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 5, e 12, pika 3 të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores miratuar me vendimin nr.299, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 3, e nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Dosja dorëzohet në formatin e Dokumentit të Përbashkët Teknik (Common Technical Document CTD) dhe për barnat që gëzojnë statusin “Well Estabilished Medicines” në formatin që ofron mbajtësi i autorizimit të tregtimit. Dokumenti i Përbashkët Teknik përmban:
a) Modulin 1: Të dhëna administrative dhe informacion mbi barin;
b) Modulin 2: Përmbledhjet e CTD-së;
c) Modulin 3: Cilësia;
ç) Modulin 4: Studimet joklinike;
d) Modulin 5: Studimet klinike.”.
2. Në nenin 3, pika 3, dhe në nenin 8, pika 3, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
“Aplikanti plotëson formularin e aplikimit me të gjitha të dhënat e barit që do të hidhet në treg.”.
3. Në nenin 3, ndarja “A”, shkronja “b”, dhe në të gjithë përmbajtjen e rregullores, pas fjalëve “… kopje me vulë apostile në vendin përkatës, e vlefshme në momentin e aplikimit…” shtohen “… ose kopje e legalizuar në vendin përkatës …”.
4. Në pikën 9, të nenit 5, fjalët “… brenda 6 muajve …” zëvendësohen me “… brenda 15 muajve …”.
5. Pika 1, e nenit 10, riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Krahas aplikimit për rinovimin e autorizimit të tregtimit, aplikanti duhet të paraqesë seksionet e mëposhtme të modulit 2:
a) Raportin e ekspertit për cilësinë;
b) Raportin e ekspertëve për dokumentacionin joklinik, nëse është i aplikueshëm në vendin referent;
c) Raportin e ekspertit për dokumentacionin klinik, nëse është i aplikueshëm në vendin referent.”.
6. Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:
a) Pika 5 riformulohet, si më poshtë vijon:
“5. Pas daljes së urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, agjencia, brenda 10 (dhjetë) ditëve, njofton zyrtarisht aplikantin për rinovimin e autorizimit për tregtim, për barin si dhe për tarifën përkatëse që do të paguhet.”.
b) Pika 8 shfuqizohet.
7. Pas shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 14, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Në një gjuhë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në latine.”.
8. Në kapitullin IX, “Dispozita të përgjithshme mbi ndryshimet (variacionet)”, te klasifikimi i ndryshimeve, te dokumentacioni për çdo ndryshim që kërkohet, fjalët “Miratim në vendin referencë” zëvendësohen me “Miratimin nga Agjencia e vendit referent për … nëse ky miratim është i aplikueshëm në vendin referent”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE TË BLLOKUT NR.51, NË RRUGËN “DON BOSKO”, TË BASHKISË SË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rikonstruksioni i rrugëve të bllokut nr.51, në rrugën “Don Bosko”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 6 244,2 (gjashtë mijë e dyqind e dyzet e katër presje dy) m², në vlerën 223 311 324,60 (dyqind e njëzet e tre milionë e treqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet e katër presje gjashtëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 223 311 324,60 (dyqind e njëzet e tre milionë e treqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet e katër presje gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë “truall”, prej 6 244,2 (gjashtë mijë e dyqind e dyzet e katër presje dy) m², për ndërtimin e rrugës, të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË-ELBASAN”(SHTESA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Tiranë-Elbasan”(Shtesa).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “ullishte” dhe “drufrutorë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 11 600 385 (njëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) lekë, nga të cilat:
⦁ tokë “arë”, me sipërfaqe 42 031 (dyzet e dy mijë e tridhjetë e një) m2, me vlerë 9 868 385 (nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) lekë;
⦁ “ullishte”, me sipërfaqe 300 (treqind) m2, me vlerë 70 800 (shtatëdhjetë mijë e tetëqind) lekë;
⦁ “drufrutorë”, me vlerë 1 661 200 (një milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e dyqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “arë” “ullishte” dhe “drufrutorë”, prej 11 600 385 (njëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë dhe Elbasan, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë dhe Elbasan, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë dhe Elbasan, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA LINDORE TIRANË (LOTET I, II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
12. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza Lindore Tiranë (lotet I, II)”.
13. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
14. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “objekte”, në vlerën 129 673 059 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e pesëdhjetë e nëntë) lekë, nga të cilat:
⦁ tokë “arë”, “truall” dhe “pyll”, me sipërfaqe 120 140,3 (njëqind e njëzet mijë e njëqind e dyzet presje tre) m2, me vlerë 53 668 272 (pesëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e dy) lekë;
- “objekte”, me vlerë 76 004 787 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e katër mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë.
15. Vlera përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall”, “pyll” dhe “objekte”, prej 129 673 059 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
16. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
17. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
18. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
19. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
20. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
21. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
22. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.