Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 9 shtator 2015
V E N D I M  
PËR 
KËRKESAT PËR GJURMIMIN E USHQIMIT DHE USHQIMIT PËR KAFSHË PËRGJATË ZINXHIRIT USHQIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë bazën për një sistem efikas të gjurmimit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë përgjatë të gjithë zinxhirit ushqimor, duke vendosur kushtet minimale të detyrueshme për gjurmueshmërinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë nën kontrollin e operatorëve të biznesit ushqimor, në mënyrë që të reduktojë ose të eliminojë çdo rrezik të shkaktuar nga vendosja në treg e ushqimit dhe ushqimit për kafshë të pasigurt.
2. Kërkesat specifike për shtrirjen e gjurmueshmërisë varen nga natyra e produktit, praktikat e fermave apo veprimet e tjera përgjatë zinxhirit agroushqimor, nga specifikimet e klientit dhe nga kërkesat e praktikave më të mira.
3. Ky vendim zbatohet për çdo person fizik ose juridik, të regjistruar dhe të licencuar sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, që ushtron aktivitet publik apo privat me qëllim fitimi ose jo, në fushën e prodhimit (përfshirë prodhimin primar), përpunimit, shpërndarjes dhe furnizimit të ushqimit e të ushqimit për kafshë, përfshirë këtu importuesit dhe çdo ndërmjetës tregtar, pa marrë parasysh nëse ata marrin zotërimin fizik të ushqimit dhe ushqimit për kafshë në fjalë. Ky vendim zbatohet edhe për aktivitete bamirësie në varësi të organizimit dhe vazhdimësisë së aktivitetit të tyre.
II. PËRKUFIZIME
1. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Autoritetet kompetente”, ministria përgjegjëse për fushën e ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
b) “Furnizim”, transferimi i pronësisë mbi produktet ushqimore ose ushqimin për kafshë ose të kafshëve që prodhojnë ushqim. Në çdo rast, për qëllim të këtij vendimi, ndërmjetësit ose agjentët do të konsiderohen si furnizues, pavarësisht nëse marrin zotërimin fizik të produktit apo jo.
c) “Sistemi” dhe “procedura”, një mekanizëm i strukturuar, i aftë për të shpërndarë informacionin e kërkuar sa herë që kërkohet nga autoritetet kompetente.
ç) “Përgjegjshmëria e duhur”, ndërmarrja në rrethana të caktuara nga operatori i biznesit ushqimor, me të gjithë përgjegjësinë e kërkuar, të plotësimit të kërkesave të gjurmueshmërisë, dhe dhënia në vijim e informacionit për autoritetet.
d) “Dërgim”, veprimi i dërgimit të produktit ushqimor ose ushqimit për kafshë në një destinacion specifik.
dh) “Dërgesa e ngarkesave”, dorëzimi i produkteve ushqimore ose ushqimit për kafshë te një transportues, i cili e transporton atë te një subjekt i caktuar me qëllim shitjeje.
e) “Dërguesi” ose “dorëzuesi”, një person fizik ose juridik apo një person i autorizuar i tij, i cili dërgon ose dorëzon ushqimin apo ushqimin për kafshë te një person fizik ose juridik tjetër, me qëllim shitjen e tij. Emri i personit ose kompanisë (zakonisht shitësi), i cili dorëzon një ngarkesë te një transportues për t’u transportuar te marrësi i ngarkesës (zakonisht blerësi), shënohet në dokumentet e transportit. Pronësia (titulli) e ngarkesave mbetet me dërguesin e ngarkesës derisa marrësi i ngarkesës paguan për to në mënyrë të plotë.
ë) “Marrësi i produktit”, një person fizik apo juridik që vepron si një agjent në emër të dërguesit, në shitjen e ngarkesës i cili kujdeset në mënyrë të arsyeshme për produktin për sa kohë ngarkesa është në zotërimin e tij. Një përfaqësues (zakonisht një blerës) përcaktohet nga dërguesi i ngarkesës (zakonisht një shitës) në dokumentet e transportit si një përfaqësues, i cili do të dorëzojë ngarkesën në portin e destinacionit. Marrësi i ngarkesës do të konsiderohet si pronari i dërgesës për qëllim të plotësimit të deklaratës doganore dhe për të paguar detyrimet e taksat. Në çdo rast, pronësia formale mbi ngarkesën do të transferohet te marrësi i ngarkesës vetëm pas pagesës së plotë për to.
f) “Parti malli”, sasia apo ngarkesa e ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë të prodhuara dhe/ose të shpërndara në një kohë.
g) “Tërheqje nga tregu”, çdo masë që synon ndalimin e shpërndarjes, të paraqitjes dhe të ofrimit të një produkti të rrezikshëm për konsumatorët ose çdo masë që synon parandalimin e një ushqimi ose ushqimi për kafshë në zinxhirin e furnizimit nga bëhet i disponueshëm për treg.
gj)  “Kthim”, çdo masë që synon kthimin e një produkti të rrezikshëm me të cilin është furnizuar apo i është vënë në dispozicion konsumatorit nga prodhuesi apo shpërndarësi.
2. Të gjithë termat e tjerë të përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim siç përcaktohet në nenin 3, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar.
III. KËRKESAT E PËRGJITHSHME PËR GJURMUESHMËRINË E USHQIMIT DHE USHQIMIT PËR KAFSHË
1. Operatori i biznesit ushqimor dhe ushqimit për kafshë duhet të krijojë një sistem të efektshëm të gjurmueshmërisë, në mënyrë të tillë që çdo tërheqje e nevojshme e produktit të kryhet saktësisht dhe specifikisht, si dhe të jepen informacionet e nevojshme për konsumatorët dhe autoritetet kompetente.
2. Gjatë krijimit të sistemit të gjurmueshmërisë, në përputhje me pikën 1, të këtij kreu, operatori i biznesit ushqimor ose ushqimit për kafshë duhet të jetë në gjendje të identifikojë çdo person juridik apo fizik, nga i cili furnizohet me ushqime dhe/ose ushqim për kafshë dhe/ose lëndë të parë dhe ata që ai ka furnizuar me ushqime dhe/ose ushqim për kafshë dhe/ose lëndë të parë (“një hap mbrapa–një hap përpara”).
3. Sistemi i gjurmueshmërisë për çdo operator të biznesit ushqimor apo ushqimit për kafshë duhet të ngrihet dhe të projektohet në mënyrë të tillë që të ndjekë lëvizjen fizike të produktit dhe të organizohet në një mënyrë të tillë që të mundësojë shpërndarjen e saktë të informacionit të shpejtë me anë të mbajtjes së faturave të transaksioneve përkatëse, si dhe të dokumenteve të tjera të nevojshme, siç përcaktohen në këtë vendim.
4. Identifikimi vetëm i emrit të personit fizik ose juridik që shpërndan fizikisht ushqimin dhe/ose ushqimin për kafshë dhe/ose lëndët e para nuk konsiderohet i mjaftueshëm për zbatimin e dispozitave të këtij vendimi.
5. Pikat e shitjes me pakicë nuk kanë detyrimin për të dokumentuar apo regjistruar shitjen e ushqimit ose ushqimit për kafshë te konsumatori i fundit.
6. Në rastin e tregtisë me pakicë, midis operatorëve të biznesit ushqimor, të tillë si një supermarket dhe një restorant, zbatohen kërkesat e gjurmueshmërisë të parashikuara në dispozitat e këtij vendimi.
7. Sistemi i gjurmueshmërisë brenda një operatori të biznesit ushqimor duhet të lejojë që informacioni i mësipërm të jetë i vlefshëm për ministrinë dhe/ose AKU-në me kërkesë të tyre.
8. Çdo operator i biznesit ushqimor ose ushqimit për kafshë duhet të krijojë një sistem të brendshëm të gjurmueshmërisë. Sistemi i brendshëm i gjurmueshmërisë dhe lloji i të dhënave e niveli i detajimit të tyre përcaktohen nga operatori i biznesit ushqimor ose ushqimit për kafshë në përpjesëtim me natyrën dhe madhësinë e biznesit ushqimor ose ushqimit për kafshë.
9. Në rastet kur transporti dhe magazinimi janë veprimtari të integruara brenda të njëjtit operator të biznesit ushqimor ose ushqimit për kafshë, biznesi si një i tërë duhet të jetë në përputhje me dispozitat e pikës 2, të këtij kreu. Për njësinë e transportit, ruajtja për produktet e furnizuara te konsumatorët mund të konsiderohet si e mjaftueshme për aq kohë sa njësitë e tjera të këtij biznesi ruajnë të dhënat mbi produktet e marra nga furnizuesit.
10. Operatori i biznesit duhet të krijojë një sistem gjurmueshmërie, i cili të mundësojë, në çdo kohë, gjetjen e vendndodhjes së ushqimit/ushqimit për kafshë/lëndëve të para që ai mban në magazinat e tij dhe kontrollon përdorimin e këtyre produkteve në produktet përfundimtare. Gjatë zbatimit të kësaj dispozite, operatori i biznesit ushqimor duhet të tregojë kujdesin dhe përgjegjshmërinë e duhur.
11. Në rastet e proceseve komplekse të prodhimit dhe/ose përpunimit, produktit përfundimtar i jepet një kod gjurmueshmërie/lot-i, i cili përmban datën e kodit, kohën e prodhimit/përpunimit, numrin e lot-it, duke lejuar prodhimin të jetë i grupuar dhe të japë një lidhje mbrapa me lëndët e para të përdorura, kohën e prodhimit etj.
12. Në rastet e dërgesave, produktet mund të grupohen në paleta ose në kuti, të cilave mund t’u jepen kode të veçanta identifikimi për përdorim në dërgesat dhe furnizimet vijuese përgjatë gjithë zinxhirit shpërndarës.
13. Operatori i biznesit ushqimor dhe/ose ushqimit për kafshë duhet të mbajë të paktën informacionin e mëposhtëm:
a) Emrin, adresën e furnizuesit, si dhe identifikimin e produkteve të furnizuara;
b) Emrin, adresën e klientit, si dhe identifikimin e produkteve të dorëzuara;
c) Datën dhe, nëse është e nevojshme, kohën e transaksionit/dorëzimit;
ç) Volumin kur është e nevojshme ose sasinë;
d) Identifikimin e njësive/pakove (grupeve) të të gjithë përbërësve dhe produkteve;
dh) Numrin e regjistrimit të operatorëve të biznesit ushqimor dhe/ose ushqimit për kafshë dhe/ose numrin e licencës.
14. Çdo sistem tjetër ekzistues për identifikimin e produkteve, i krijuar në përputhje me dispozita të veçanta të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, mund të përdoret për të plotësuar kërkesat e krijuara nga ky vendim, për sa kohë lejon identifikimin e furnizuesit dhe të marrësit të produktit gjatë të gjitha fazave të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.
15. Dokumentacioni dhe të dhënat e parashikuara për regjistrim nga ky vendim mbahen nga operatori i biznesit ushqimor në formë shkresore ose në formë elektronike.
16. Në rast se të dhënat e gjurmimit të ruajtura në formë të printuar nuk përmbajnë detaje mbi kohën dhe datat e dërgesave, këto detaje duhet të regjistrohen në mënyrë specifike. Kur brenda të njëjtës ditë ka pasur më shumë se një dërgesë, atëherë duhet të regjistrohet koha për secilën dërgesë të asaj dite.
17. Të dhënat e sistemit të gjurmueshmërisë duhet të jenë të organizuara në mënyrë të tillë që të bëhet i mundur konsultimi i tyre menjëherë pas kërkesës së bërë, duke mënjanuar çdo vonesë pa shkak, sidomos rastet e kthimit të produkteve ushqimore dhe/ose ushqimit për kafshë e të tërheqjes së tyre nga tregu.
18. Të dhënat e sistemit të gjurmueshmërisë ruhen për tre vjet nga data e regjistrimit të tyre. Operatori i biznesit mund të vendosë ta zgjatë këtë periudhë.
IV. KËRKESAT E VEÇANTA TË GJURMUESHMËRISË PËR AKTIVITETET NË NIVEL FERME
1. Çdo individ apo subjekt, i cili ushtron aktivitet në nivel ferme, duhet të mbajë të regjistruara të dhënat e mëposhtme, për aq kohë sa këto të dhëna mund të ofrojnë informacionin e duhur në kuadër të sistemit të gjurmueshmërisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë:
a) Sasinë e farave e fidanëve të blerë dhe origjinën e tyre;
b) Çdo blerje për plehrat ose plehrat organike;
c) Menaxhimin e inputeve në bazë të prodhimit;
ç) Çdo rast të përdorimit të pesticideve;
d) Çdo rast të shkëmbimit të plehut organik me ferma të tjera;
dh)   Blerjet dhe shitjet e kafshëve;
e) Shitjet e të korrave me sasinë dhe destinacionin përkatës;
ë) Blerjet e produkteve veterinare dhe përdorimin e tyre sipas kafshëve;
f) Ushqimin e blegtorisë dhe regjimin e të ushqyerit për çdo kafshë.
2. Informacioni i kërkuar sipas pikës 1 përditësohet çdo ditë.
V. KËRKESAT SPECIFIKE TË GJURMUESHMËRISË PËR USHQIMET E PAPËRPUNUARA DHE TË PËRPUNUARA ME ORIGJINË SHTAZORE
1. Dispozitat e këtij kreu nuk zbatohen për ushqimet që përmbajnë njëkohësisht produkte me origjinë bimore dhe produkte të përpunuara me origjinë shtazore. Për këtë kategori produktesh aplikohen rregullat e përgjithshme sipas dispozitave të parashikuara në këtë vendim.
2. Operatori i biznesit ushqimor, si subjekti dërgues i ushqimeve me origjinë shtazore, i jep operatorit të biznesit ushqimor (i cili është marrës i këtij produkti), si dhe sa herë që kërkohet autoriteteve kompetente informacionin e mëposhtëm:
a) Një përshkrim të qartë të produktit;
b) Të dhëna për volumin apo sasinë e produktit;
c) Emrin dhe adresën e operatorit të biznesit ushqimor, i cili ka shpërndarë (dërguar) produktin;
ç) Emrin dhe adresën e dërguesit nëse është i ndryshëm nga operatori i biznesit ushqimor, i cili ka shpërndarë (dërguar) produktin;
d) Emrin dhe adresën e operatorit ushqimor, tek i cili është shpërndarë (dërguar) produkti;
dh) Emrin dhe adresën e marrësit të produktit, në rast se ky është i ndryshëm nga operatori i biznesit, të cilit i është shpërndarë (dërguar) produkti;
e) Një referencë që identifikon në mënyrë të përshtatshme njësinë, partinë e mallit apo dërgesën;
ë) Datën e dërgimit.
3. Në dokumentin, që përmban përshkrimin e produktit, të qëllimit dhe të sasisë së tij, deklarohen në çdo rast të paktën kushtet e ruajtjes e të magazinimit, lloji i materialit të ambalazhimit, madhësia e ambalazhimeve individuale, numri i produkteve të ambalazhuara. Në rastin e ambalazhimeve të mëdha, sasia e produkteve të ambalazhuara e shprehur në numrin e njësive dhe peshën.
4. Në rastin kur operatori i biznesit ushqimor është njëkohësisht edhe pronari edhe subjekti nga ku është dërguar produkti, është i mjaftueshëm përcaktimi i emrit dhe i adresës së tij.
5. Në rastin kur operatori i biznesit ushqimor është vetëm pronar i produktit, por produkti është prodhuar ose furnizuar nga një operator tjetër i biznesit ushqimor, në dokumentacion duhet të jepet informacioni përkatës për të dy operatorët e biznesit ushqimor.
6. Informacioni i kërkuar sipas pikës 1, të kreut IV, të këtij vendimi, jepet në çdo rast si informacion shtesë së bashku me çdo informacion tjetër të kërkuar sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit në fuqi në lidhje me gjurmueshmërinë e ushqimit me origjinë shtazore.
7. Operatori i biznesit ushqimor duhet t’i sigurojë të dhënat pa vonesë, sa herë që kjo i kërkohet nga autoritetet kompetente, si dhe në kuadër të hetimit epidemiologjik. Furnizuesi i produktit e vë në dispozicion informacionin e kërkuar në formën më të përshtatshme, duke pasur parasysh që të dhënat e kërkuara në pikën 2, të këtij kreu, të jenë lehtësisht dhe qartësisht në dispozicion të operatorit të biznesit, i cili është furnizuar me këtë produkt.
VI. DIZPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Shkeljet e dispozitave të këtij vendimi trajtohen sipas përcaktimeve të shkronjës “m”, të nenit 68, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 mars 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT PËR PËRCAKTIMIN E KONTRIBUTIT KOMBËTAR TË PIKËSYNUAR KUNDREJT ARRITJES SË OBJEKTIVIT TË KONVENTËS KUADËR TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit për përcaktimin e Kontributit Kombëtar të Pikësynuar (INDC) për Shqipërinë për arritjen e objektivit global të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, për mbajtjen e temperaturave nën 2°C, duke kufizuar rrezikun e ardhshëm dhe kostot e përshtatjes ndaj ndryshimeve të klimës, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit të dorëzojë, brenda datës 1 tetor 2015, dokumentin që përcakton Kontributin Kombëtar të Pikësynuar (INDC) në Sekretariatin e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR SISTEMIN E MENAXHIMIT TË STANDARDEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 14, të ligjit nr.9870,   datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Objekt i këtij vendimi është krijimi i bazës së të dhënave shtetërore për Drejtorinë e Përgjithshme të Standardizimit (DPS). Baza e të dhënave të DPS-së quhet Sistemi i Menaxhimit të Standardeve (SMS) – Standards Management System.
2.  Sistemi i Menaxhimit të Standardeve (SMS) përmban të dhëna për:
  •  standardet shqiptare dhe dokumentet e standardizimit;
  •  ciklin e jetës së standardeve shqiptare;
  •  shitjet e standardeve (faturat, numrin e faqeve, çmimin për çdo standard, porositë/kërkesat për blerje standardesh dhe statusin e tyre);
  •  klientët dhe palët e interesuara (subjekti/personi, qyteti, adresa, standardi/et e kërkuara);
  •  punën teknike të standardeve.
3. Institucioni administrues i Sistemit të Menaxhimit të Standardeve është Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit.
4. Të dhënat parësore dhe dytësore të SMS-së janë, si më poshtë vijon:
4.1 Të dhënat parësore:
  • Standardet shqiptare dhe dokumentet e standardizimit;
  • Cikli i jetës së standardeve shqiptare;
  • Të dhëna për shitjet e standardeve;
  • Të dhëna për klientët dhe palët e interesuara;
  • Të dhëna për punën teknike të standardeve.
4.2 Të dhënat dytësore:
  •  Standardet e organizatave evropiane (CEN, CENELEC, ETSI);
  •  Standardet e organizatave ndërkombëtare (ISO, IEC dhe ITU-T).
5. Dhënës i informacionit, sa i përket SMS-së, është Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit.
6. Baza e të dhënave të DPS-së shkëmben informacione me institucionet publike e private, që ushtrojnë funksione publike, sipas ligjit nr.10325,datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me statusin e standardeve shqiptare dhe fushat që lidhen me to. Gjithashtu, ajo ndërvepron me databazat e organizatave evropiane e ndërkombëtare të standardizimit dhe bazohet në të drejtat dhe detyrimet e statusit të anëtarësimit të DPS-së në këto organizata.
7. Subjektet e interesuara kanë nivel aksesi si lexues dhe konsultues, lidhur me informacionin e vënë në dispozicion, nëpërmjet faqes së internetit të DPS-së (Katalogu i Standardeve Shqiptare, puna teknike me standardet dhe porosia/kërkesat on line).
Për punonjësit e DPS-së niveli i aksesimit përcaktohet në rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të SMS-së.
7.1 Baza e të dhënave të DPS-së ka 6 nivele përdoruesish (users’ levels):
1. Niveli Administrator;
2. Niveli Raportues, (Report);
3. Niveli Shitës standardesh, (Sale);
4. Niveli Standard;
5. Niveli Standard PDF;
6. Niveli Standard, Shitje dhe lexues i PDF, (Standard, Sale and  PDF Read).
Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës dhe të përcaktuara në procedurat e punës, të miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i DPS-së për secilin nga punonjësit e saj.
8. Subjekte të interesuara për SMS, janë:
  • biznesi dhe shoqatat tregtare;
  • shoqatat e konsumatorit;
  • trupat akademike (universitetet, studentët);
  • trupat inspektuese dhe testuese;
  • institucionet shtetërore dhe lokale;
  • personat fizikë dhe juridikë;
  • komitetet teknike të DPS-së.
9. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të SMS-së së Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e standardizimit, do të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
10. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.6, TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS   SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS, QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË, TË QËNDRUESHME DHE GJITHËPËRFSHIRËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të ligjit nr.174/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.6, të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIMIN NDËRKOMBËTAR (GIZ), PËR PROJEKTIN “RUAJTJA DHE PËRDORIMI I QËNDRUESHËM I BIODIVERSITETIT NË LIQENIN E PRESPËS, OHRIT DHE SHKODRËS (CSBL II)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit në liqenin e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës (CSBL II)”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLORES SË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 136, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së Policisë së Shtetit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.786, datë 4.6.2008, “Për miratimin e rregullores së disiplinës të Policisë së Shtetit”, nr.804, datë 21.11.2007, “Për miratimin e rregullores së personelit të Policisë së Shtetit”, të ndryshuar, dhe urdhri nr.1404, datë 9.12.2008, i ministrit të Brendshëm, “Për miratimin e rregullores së brendshme të Policisë së Shtetit”, shfuqizohen.
3. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS “BAJRAM ALLARAJ”, TË BASHKISË SË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës “Bajram Allaraj”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, për sipërfaqen prej 300 (treqind) m² truall, në vlerën 10 859 100 (dhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 10 859 100 (dhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind) lekësh të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Tiranës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 300 (treqind) m² truall për ndërtimin e rrugës të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I  M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT  TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA SISTEMIMI DHE RIKONSTRUKSIONI I INFRASTRUKTURËS, NDËRMJET RRUGËVE “STAVRI THEMELI”, “BABË REXHA” DHE “NDRE MJEDA”, TË BASHKISË SË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga sistemimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës ndërmjet rrugëve “Stavri Themeli”, “Babë Rexha” dhe “Ndre Mjeda”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet, sipas vlerës përkatëse, për sipërfaqen prej 28 (njëzet e tetë) m² truall, në vlerën e përgjithshme 583 380 (pesëqind e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 583 380 (pesëqind e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Tiranës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 28 (njëzet e tetë) m² truall për ndërtimin e rrugës të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit te Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
   Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE   TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “PASHO HYSA”,  TË BASHKISË SË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rikonstruksioni i rrugës “Pasho Hysa”, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 1 764 (një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e katër) m², me vlerë të përgjithshme 53 024 076 (pesëdhjetë e tre milionë e njëzet e katër mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 53 024 076 (pesëdhjetë e tre milionë e njëzet e katër mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatin e parashikuar nga Bashkia e Tiranës.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë “truall”, prej 1 764 (një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e katër) m², për ndërtimin e rrugës, të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE   TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,  QË PREKEN NGA NDËRTIMI I BULEVARDIT  “PETRO N. LUARASI”, TË BASHKISË SË TIRANËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
10. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i bulevardit “Petro N. Luarasi”, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
12. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 50,2 (pesëdhjetë presje dy) m², në vlerën 2 867 725 (dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e njëzet e pesë) lekë.
13. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 867 725 (dy milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e njëzet e pesë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
14. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
15. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
16. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia e Tiranës.
17. Regjistrimi i ri i pasurisë “truall”, prej 50,2  (pesëdhjetë presje dy) m², për ndërtimin e rrugës, të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
18. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M    
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMIT TË TIRANËS SË MADHE (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimit të Tiranës së Madhe (shtesa)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, me sipërfaqe 16 269 (gjashtëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 7 288 512 (shtatë milionë e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 7 288 512 (shtatë milionë e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve, zëri “Kosto lokale, për projektin e kanalizimeve të Tiranës së Madhe”, me kod projekti M061489.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
6. Shpronësimi të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të objektit  në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të objektit në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Tiranë për  zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I VARREZAVE PUBLIKE TË QYTETIT, NË BASHKINË E ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i varrezave publike të qytetit, në Bashkinë e Elbasanit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë së Elbasanit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerën 3 008 100 (tre milionë e tetë mijë e njëqind) lekë, për sipërfaqen 11 100 (njëmbëdhjetë mijë e njëqind) m² tokë “arë”.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 008 100 (tre milionë e tetë mijë e njëqind) lekësh të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Elbasanit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Elbasanit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë e Elbasanit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 11 100 (njëmbëdhjetë mijë e njëqind) m² tokë “arë”, për ndërtimin e varrezave publike të qytetit, të bëhet në favor të Bashkisë së Elbasanit.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS SË “FILANTOS”, TË BASHKISË SË TIRANËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
19. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga rikonstruksioni i rrugës së “Filantos”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
21. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe
59 (pesëdhjetë e nëntë) m², me vlerë 2 110 017 (dy milionë e njëqind e dhjetë mijë e shtatëmbëdhjetë) lekë.
22. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 110 017 (dy milionë e njëqind e dhjetë mijë e shtatëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj.
23. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia e Tiranës.
24. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
25. Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia e Tiranës.
26. Regjistrimi i ri i pasurisë “truall”, prej 59 (pesëdhjetë e nëntë) m², për ndërtimin e rrugës, të bëhet në favor të Bashkisë së Tiranës.
27. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.271, DATË 6.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VEPRIMTARINË AKADEMIKE NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË FORMIMIT FILLESTAR DHE VAZHDUES NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 47, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 15, të ligjit nr.8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.271, datë 6.4.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1. Lejohet të aktivizohen, si ekspertë, lektorë, akademikë dhe profesorë të huaj, të cilët do të paguhen me honorare për orë pjesëmarrjeje në procesin e mësimdhënies në Shkollën e Magjistraturës, në programin e formimit fillestar dhe atij vazhdues. Masa e pagesës nuk duhet të jetë më e madhe se 5-fishi i pagesës për orët mbi normë, për kategorinë “profesor” dhe jo më shumë se 50 orë mësimore në vit. Ekspertëve dhe lektorëve të huaj u mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, për jo më shumë se 5 ditë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtyre pagesave, përballohen nga fondet e parashikuara për mësimdhënie në Shkollën e Magjistraturës”.
2. Në pikën 10, fjalët “… 0.3-0.5 orë mësimore …” zëvendësohen me  “… 0.5-1 orë mësimore …”.
3. Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Për miratimin e publikimeve dhe botimeve në Shkollën e Magjistraturës ngrihet Bordi i Redaktorëve, i cili është organ vendimmarrës.  Bordi i Redaktorëve përbëhet nga 7 deri në 9 anëtarë, të cilët propozohen nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe miratohen nga Këshilli Drejtues i saj. Anëtarët e bordit zgjidhen nga radhët e personaliteteve me tituj dhe grada shkencore, si dhe të pedagogëve me eksperiencë mbi 5 vjet në Shkollën e Magjistraturës, me përjashtim të drejtorit të Shkollës, i cili është gjithmonë anëtar i bordit.”.
4. Në lidhjen nr.1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “g” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“g) Hartimi i tezave të provimit të pranimit për fazën e parë, 1 tezë, 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë dhe për fazën e dytë, 1 tezë 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë.”.
b) Pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) Komisioni i hartimit të testit të shëndetit mendor dhe psikologjik, 1 test/20 orë mësimore.”.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për Shkollën e Magjistraturës, brenda tavaneve të shpenzimeve buxhetore të miratuara për vitet 2015-2018.
6. Ngarkohet Shkolla e Magjistraturës për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR MBROJTJEN E KONSUMATORIT DHE MBIKËQYRJEN E TREGUT 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e strategjisë ndërsektoriale për mbrojtjen e konsumatorit dhe   mbikëqyrjen e tregut 2020, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet përgjegjëse, sipas përcaktimeve, referuar dokumentit strategjik dhe planit të veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2015, MIRATUAR   PËR MINISTRINË E ZHVILLIMIT EKONOMIK,TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSINË E SAJ TË NDJEKJES DHE ZBATIMIT TË PROJEKTIDEVE TË KONKURSIT “EDHE UNE KAM NJË ËNDËRR 2015”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të ligjit nr.9936,datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.160/2014,  datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes i kalon përgjegjësia për ndjekjen e zbatimit të projektideve fituese në kuadër të konkursit “Edhe unë kam një ëndërr 2015”, sipas listës së dhënë në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të realizojë ndjekjen e projektideve fituese nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
3. Rregullat e veçanta për mënyrën e monitorimit, raportimit dhe disbursimit të fondit përkatës nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e  projektideve fituese të përcaktohen me udhëzim të posaçëm të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
4. Për financimin e projektideve fituese, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 171 600 (dhjetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e një mijë e gjashtëqind) lekësh.
5. Fituesve të konkursit “Edhe unë kam një ëndërr 2015” do t’i mbulohen shpenzimet, deri në 1 000 000 (një milion) lekë, për realizimin e projektideve të tyre.
6. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2015.
7. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT NR. TF019228,  TË FONDIT TË BESIMIT ME SHUMË DONATORË, “REPARIS”, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË PËRMIRËSIMIT  TË CILËSISË SË RAPORTIMIT FINANCIAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF019228, të Fondit të Besimit me Shumë Donatorë, “Reparis”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të përmirësimit të cilësisë së raportimit financiar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.