Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 01 Prill 2015
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.72, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS EKONOMIKE ME STATUSIN “ZONË E LIRË”, NË SPITALLË, DURRËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.391, DATË 21.2.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”, NË SPITALLË, DURRËS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 5, të vendimit nr.72, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Ministri përgjegjës për ekonominë, brenda “Zonës së lirë” të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, mund të përcaktojë, me urdhër, një sipërfaqe më të vogël, për të cilën do të kryhen procedurat e përzgjedhjes së zhvilluesit, si dhe, mbi bazën e kërkesës së zhvilluesit, miraton zgjerimin e zonës së lirë të dhënë sipas këtij urdhri, por jo më shumë së 30% të sipërfaqes së dhënë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
VËNIEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIC PIPELINE AG (TAP AG), NËPËRMJET MARRJES NË PËRDORIM, TË SIPËRFAQEVE TË TOKAVE SHTETËRORE QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËVE HYRËSE TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP) 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 3, 5, 7 e 8, të shtojcës 1,  të pjesës së parë të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit transadriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Vënien në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG (TAP AG), nëpërmjet marrjes në përdorim, të sipërfaqeve të tokës shtetërore që preken nga ndërtimi i rrugëve hyrëse të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), si dhe për hyrjen në rrjetin rrugor shqiptar.
2. Marrja në përdorim, prej shoqërisë TAP AG, e sipërfaqeve të tokës shtetërore, që preken nga ndërtimi i rrugëve hyrëse të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), të bëhet, si më poshtë vijon:
a) për tokat shtetërore publike: truall, pyje, kullota, apo për tokat shtetërore jopublike bujqësore, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi (shtojca 1), prej 1 087 361.32 (një milion e tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e një pikë tridhjetë e dy) m2, nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate qiraje, ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe shoqërisë TAP AG;
b) për tokat shtetërore në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve apo rrjedhave të tjera ujore, liqeneve dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, prej 51 023.43 (pesëdhjetë e një mijë e njëzet e  tre pikë dyzet e tre) m2; për sipërfaqen e kategorizuar rrugë automobilistike, prej 387 007.83 (treqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e shtatë pikë tetëdhjetë e tre) m2 si dhe për sipërfaqjen shkëmbore, prej 36 154.06 (tridhjetë e gjashtë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër pikë zero gjashtë) m2 , të konsiderohen të vëna në dispozicion të shoqërisë TAP AG, nëpërmjet këtij vendimi, dhe të bëhen pa kompensim, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi (shtojca 2);
3. Vlera e pagesës së qirasë, për tokën shtetërore, të paguhet nga shoqëria TAP AG, në emër të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për llogari të buxhetit të shtetit, si kompensim, sipas planit të rehabilitimit të jetesës, për marrjen në përdorim të tokës shtetërore, për një periudhë dy vjeçare, me qëllim ndërtimin e rrugëve hyrëse të projektit TAP, sipas nënndarjes “ii”, të shkronjës “c”, pikës 8.1, të ligjit nr.116/2013. Pagesa e qirasë, për tokën shtetërore, nga ana e shoqërisë TAP AG, të bëhet sipas pikës 6, të këtij vendimi, për:
a) sipërfaqet truall, që janë pronë shtetërore;
b) sipërfaqet tokë bujqësore, të cilave u është ndryshuar statusi nga tokë bujqësore në tokë truall, për ndërtim;
c) sipërfaqet e fondit pyjor dhe kullosor, të hequra nga ky fond dhe të kaluara në tokë truall, për ndërtim.
4. Sipërfaqet e tokës shtetërore, të vëna në dispozicion të shoqërisë TAP AG, sipas pikave 2 e 3, më sipër, për t’u përdorur për ndërtimin e rrugëve hyrëse të projektit TAP, të jenë në përdorim të saj deri në firmosjen e protokollit të dorëzimit të rrugëve, e cila konkretizon përfundimin e punimeve të ndërtimit dhe përmirësimit të rrugëve hyrëse dhe kalimin e tyre në përdorim të shtetit. Protokolli i dorëzimit të rrugëve hyrëse për projektin TAP, ndërmjet shoqërisë TAP AG dhe autoritetit përkatës të shtetit shqiptar, të nëshkruhet pas përfundimit të ndërtimit të rrugëve hyrëse, për marrjen në dorëzim të tyre, dhe kalimit të dokumentacionit teknik e ligjor, që disponohet për këto rrugë, duke përfshirë edhe aspektin e detyrimeve për mirëmbajtjen e tyre.
5. Vlerat e pagesës së qirasë, si kompensim për sipërfaqet e tokave shtetërore që do të kalojnë në përdorim të shoqërisë TAP AG për ndërtimin e rrugëve hyrëse të projektit TAP, janë të përllogaritura për një periudhë 2 (dy) vjeçare, sipas  përcaktimit në pikën 6, të këtij vendimi. Efektet financiare, që rrjedhin nga ky vendim, të përballohen nga shoqëria TAP AG dhe të derdhen për llogari të buxhetit të shtetit.
6. Sipërfaqja totale e tokës shtetërore, që do të vihet në dispozicion të shoqërisë TAP AG, sipas formës së përdorimit, të përcaktuar në pikën 2, më sipër, është 1 561 546.63 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë pikë gjashtëdhjetë e tre) m2 dhe përfshihet në territorin administrativ të njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë:
a) në territorin administrativ komuna Potom, qarku Berat, për:
i. sipërfaqen truall (truall), prej 1 383.01 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero një) m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 704 827.50 (një milion e shtatëqind e katër mijë e tetëqind e njëzet e shtatë pikë pesë)  lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, pemëtore e ledh), prej 36 809.23 (tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e nëntë pikë njëzet e tre) m2 , me vlerë të përgjithshme prej 5 833 516.25 (pesë milionë tetëqind e tridhjetë e tre mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë pikë njëzet e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë), prej 162 272.8 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e dy pikë tetë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 4 574 707.80 (katër milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e shtatë pikë tetë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 222 546.5 (dyqind e njëzet e dy mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë pikë pesë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 15 092 238.5 (pesëmbëdhjetë milionë e nëntëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e tetë pikë pesë) lekësh;
v. sipërfaqen ujore (përrua), prej 8 648.92 (tetë mijë e gjashtëqind e dyzet e tetë pikë nëntëdhjetë e dy) m2;
vi. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 132 775.99 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë nëntëdhjetë e nëntë) m2.
b) në territorin administrativ komuna Vëndreshë, qarku Berat, për:
i. sipërfaqen truall (truall dhe terrene sportive), prej 1 096.42 (një mijë e nëntëdhjetë e gjashtë pikë dyzet e dy) m2, me vlerë të përgjithshme prej 10 405 742 (dhjetë milionë e katërqind e pesë mijë e shtatëqind e dyzet e dy) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, ledh e pemëtore), prej 5 888.36 (pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë pikë tridhjetë e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 571 360 (një milion e pesëqind e shtatëdhjetë e një mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë), prej 6 125.7 (gjashtë mijë e njëqind e njëzet e pesë pikë shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 923 043.41 (nëntëqind e njëzet e tre mijë e dyzet e tre pikë dyzet e një) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë), prej 3 391.65 (tre mijë e treqind e nëntëdhjetë e një pikë gjashtëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 196 122.5 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e dy pikë pesë) lekësh;
v. sipërfaqen ujore (rezervuar), prej 19 164.6 (nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë gjashë) m2;
vi. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 41 325.14 (dyzet e një mijë e treqind e njëzet e pesë pikë katërmbëdhjetë) m2.
c) në territorin administrativ të bashkisë Çorovodë, qarku Berat, për:
i. sipërfaqen truall (truall, shesh e trotuare), prej 2 634.51 (dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër pikë pesëdhjetë e një) m2, me vlerë të përgjithshme prej 834 050 (tetëqind e tridhjetë e katër mijë e pesëdhjetë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe pemëtore), prej 46 723.63 (dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet e tre pikë gjashtëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme prej 3 030 447 (tre milionë e tridhjetë mijë e katërqind  e dyzet e shtatë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë), prej 9 239.18 (nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e nëntë pikë tetëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 326 969.65 (treqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e pesë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë), prej 230.24 (dyqind e tridhjetë pikë njëzet e katër) m2, me vlerë të përgjithshme prej 56 000 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh;
v. sipërfaqen ujore (rezervuar), prej 1 234.74 (një mijë e dyqind e tridhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e katër) m2;
vi. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 19 443.65 (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e tre pikë gjashtëdhjetë e pesë) m2.
ç)  në territorin administrativ të komunës Qendër Skrapar, qarku Berat, për:
i. sipërfaqen truall, prej 169.5 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë pesë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 56 000 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë, pemëtore dhe vreshtë), prej 25 753.85 (njëzet e pesë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 2 702 579.09 (dy milionë shtatëqind e dy mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e nëntë pikë zero nëntë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 156 364.31 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e katër pikë tridhjetë e një) m2, me vlerë të përgjithshme prej 4 174 299.96 (katër milionë e njëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë), prej 28 997.43 (njëzet e tetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e shtatë pikë dyzet e tre) m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 485 302 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e pesë mijë e treqind e dy) lekësh;
v. sipërfaqen ujore (lumë dhe ranore), prej 4 369.84 (katër mijë e treqind e gjashtëdhjetë e nëntë pikë tetëdhjetë e katër) m2;
vi. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 98 662.63 (nëntëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy pikë gjashtëdhjetë e tre) m2.
d) në territorin administrativ të bashkisë Bilisht, qarku Korçë, për:
i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë), prej 124.5 (njëqind e njëzet e katër pikë pesë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 56 000 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh;
ii. sipërfaqe ujore (kanal), prej 14 315.59 (katërmbëdhjetë mijë e treqind e pesëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e nëntë) m2;
iii. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 14 549.93 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzet e nëntë pikë nëntëdhjetë e tre) m2.
dh) në territorin administrativ të komunës Vithkuq Korçë, qarku Korçë, për:
i. sipërfaqen truall, prej 3 168.6 (tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë pikë gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 054 706 (një milion e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e gjashtë) lekësh;
ii. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe pemëtore), prej 15 261.71 (pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë e një) m2, me vlerë të përgjithshme prej 3 915 237 (tre milionë e nëntëqind e pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) lekësh;
iii. sipërfaqen fond pyjor (sipas zërave kadastralë), prej 271 858.66 (dyqind e shtatëdhjetë e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë pikë gjashtëdhjetë e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 8 417 561 (tetë milionë e katërqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një) lekësh;
iv. sipërfaqen fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 87 322.06 (tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e njëzet e dy pikë zero gjashtë)  m2, me vlerë të përgjithshme prej 2 979 208 (dy milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e tetë) lekësh;
v. sipërfaqen shkëmbore, prej 36 154.06 (tridhjetë e gjashtë mijë e njëqind e pesëdhjetë e katër pikë zero gjashtë) m2;
vi. sipërfaqen ujore (përrua dhe kanal), prej 3 289.74 (tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e katër) m2;
vii. sipërfaqen rrugë automobilistike, prej 80 250.48 (tetëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë pikë dyzet e tetë) m2.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të pezullojnë të gjitha transaksionet me sipërfaqet e tokës shtetërore, sipas pikës 6, të këtij vendimi, dhe listave bashkëlidhur, deri në përfundimin e përdorimit nga shoqëria TAP AG, me përjashtim të rasteve kur pretenduesi i pronësisë, i një apo më shumë pasurive, nga listat bashkëlidhur këtij vendimi, paraqet pranë ZRPP-së ose ZVRPP-ve kërkesën për aplikim për regjistrimin e asaj pasurie, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe njësitë e qeverisjes vendore, ku kalon rrjeti i rrugëve, për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE “AXHENDA DIXHITALE E SHQIPËRISË 2015-2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e strategjisë ndërsektoriale “Axhenda dixhitale e Shqipërisë 2015-2020”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministritë e institucionet qendrore, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, PROCEDURAVE E DOKUMENTACIONIT TË ZBATUESHËM PËR TË KUALIFIKUAR NDËRTIMET PA LEJE, SHTESAT ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI, NË NDËRTIME ME LEJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 39, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
I. TË PËRGJITHSHME
1. Objektet pa leje, shtesat anësore/në lartësi, në një ndërtim me leje, në vijim të quajtura “ndërtime informale”, kualifikohen për legalizim kur, nga pikëpamja ndërtimore:
a) kanë, minimalisht, të ndërtuar një kat, mbi ose nën tokë;
b) janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura, të paktën, në strukturë dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën;
c) nuk janë në kushtet e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar.
Në kuptim të kësaj pike, ndërtimi informal nuk është në kushtet e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, kur:
i. më shumë se 50% e sipërfaqes së truallit, mbi të cilin ai ngrihet, disponohet nga poseduesi i këtij ndërtimi informal, me dokumentacion pronësie, ose rezulton në pronësi shtetërore;
ii. pronari i ligjshëm i truallit të zënë shpreh, paraprakisht, vullnetin për heqjen dorë nga e drejta për të zhvilluar parcelën dhe për trajtimin e tij nëpërmjet kompensimit financiar.
II. KRITERET PËR LEGALIZIMIN E NDËRTIMEVE NË ZONAT INFORMALE TË MIRATUARA
2.  Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i ngritur brenda vijës kufizuese të zonës informale të miratuar dhe i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përjashtohet nga legalizimi kur:
a) shkel distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, ose trupin e rrugëve ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve në zbatim të tij;
b) cënon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) është ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave publike (institucione shtetërore, shkolla e kopshte publike, spitale, qendra shëndetësore publike, kampuse studentore);
ç) është ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike, nënstacioneve elektrike ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar;
d) është ngritur brenda zonës mbrojtëse të objekteve të trashëgimisë kulturore, të shpallura në përputhje me ligjin nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, sipas kategorive të mëposhtme:
i. monument kulture i kategorisë I;
ii. zonë-muze, ansambël-muze, qendër historike dhe park arkeologjik;
iii. zonë arkeologjike “A”.
dh) cënon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës, të kategorisë II, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar;
e) është ngritur brenda zonave dhe/ose nënzonave të mbrojtura, apo zonave të ruajtjes së veçantë, shkalla e mbrojtjes të së cilave nuk lejon ndërtime me funksion banimi apo social/ekonomik, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar;
ë) është ngritur brenda territorit/vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave objekt kulti, përveç rasteve kur posedues/subjekt ndërtues është vetë institucioni fetar;
f) është ngritur mbi ose shkel brezin mbrojtës të tubacionit të gazsjellësit, naftësjellësit, aeroportit, portit apo cënon sigurinë e digave të mëdha, të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi;
g) preket nga projektet e infrastrukturës rrugore dhe të sistemeve të linjave energjitike të interkonjeksionit, të miratuara nga autoritetet qendrore të planifikimit të territorit (KKT), sipas legjislacionit në fuqi;
gj) është ngritur brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, nga brigjet e deteve dhe liqeneve, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi.
3. Legalizimi i ndërtimit informal, të llojit “shtesë në ndërtim me leje”, u nënshtrohet të njëjtave kritere të pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të parashikimit për shkeljen e distancave ndaj rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike. Për këto vepra të infrastrukturës publike shtesat do të përjashtohen nga legalizimi vetëm nëse shkelin trupin e rrugës.
III. KRITERET PËR LEGALIZIMIN E NDËRTIMEVE JASHTË ZONAVE INFORMALE TË MIRATUARA
4. Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe që është ngritur jashtë vijës kufizuese të zonës informale të miratuar, përjashtohet nga legalizimi kur:
a) gjendet në kushtet përjashtuese të pikës 2, të këtij vendimi;
b) shkel distancat e lejuara në rrugët ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve në zbatim të tij;
c) është ngritur në zonat me rrezik përmbytjeje ose çarje-rrëshqitjeje, sipas evidentimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar si dhe Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit;
ç) është ngritur brenda kufirit të zonës ekonomike, sipas ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
d) është ngritur në zonat arkeologjike të kategorisë “B”, të shpallura me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe për të cilat nuk është miratuar procedura e legalizimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë;
Në zbatim të kësaj shkronje, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka detyrimin për t’u shprehur mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 30 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë të ALUIZNI-t.
dh) është ngritur në shtretërit e lumenjve ose brenda sipërfaqeve të baseneve dhe rezervuarëve, të mbrojtura sipas ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
e)  është ngritur brenda brezit mbrojtës të sistemeve kryesore të kullimit, të mbrojtura sipas ligjit nr.8518, datë 30.7.1999, “Për ujitjen dhe kullimin”, të ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
5. Legalizimi i ndërtimit informal, të llojit “shtesë në ndërtim me leje”, u nënshtrohet të njëjtave kritere të pikës 4, të këtij vendimi, me përjashtim të parashikimit për shkeljen e distancave ndaj rrugëve ekzistuese, të kategorive A, B, C, D dhe E. Për këto vepra të infrastrukturës publike, shtesat do të përjashtohen nga legalizimi vetëm nëse shkelin trupin e rrugës.
6.  Ndërtimet informale, të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, nëse cënojnë infrastrukturën rrugore, të parashikuar në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, nuk legalizohen.
IV. PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONI PËR KUALIFIKIMIN E NDËRTIMEVE INFORMALE 
7. Ndërtimet që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, sipas përcaktimeve të nenit 2, të tij, nuk u nënshtrohen procedurave kualifikuese. Për këto ndërtime konstatohet mospërfshirja në procesin e legalizimit, me urdhër të drejtorit të varësisë së ALUIZNI-t, duke argumentuar shkakun ligjor.
8. Drejtoritë e ALUIZNI-t, bazuar në gjendjen faktike në terren, kryejnë procedurat kualifikuese për ndërtimin informal, brenda 60 ditëve nga data e evidentimit faktik në terren (data e “Procesverbalit të evidentimit në terren”). Për kryerjen e këtyre procedurave drejtoritë mbështeten në cilësitë e territorit, të paraqitura grafikisht. Modeli i vendimit të kualifikimit, mënyra e plotësimit të tij si dhe procedura e pezullimit të legalizimit përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
9. Në rast mosplotësimi, nga subjekti posedues i ndërtimit informal, të dokumentacionit që duhet të dorëzohet prej tij, brenda 6 muajsh nga njoftimi zyrtar i ALUIZNI-t, ky i fundit informon Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të vepruar, sipas legjislacionit përkatës.
10. Për ndërtimet informale, të përcaktuara në kreun III, të këtij vendimi, të ngritura brenda zonave dhe nënzonave të mbrojtura si dhe zonave të ruajtjes së veçantë, ku shkalla e mbrojtjes nuk ndalon ndërtimet me funksion banimi ose social/ekonomik, procedurat e kualifikimit kryhen pas depozitimit, nga poseduesi i ndërtimit, të aktit për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM), nga një ent apo subjekti i licencuar.
11. Për shtesat anësore apo në lartësi, kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar (është     tranferuar e drejta e pronësisë), apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor, nëse plotësohen të dy kushtet e mëposhtme:
i. Subjekti pronar i ndërtimit kryesor dorëzon pranë drejtorisë përkatëse të ALUIZNI-t dokumentacionin që provon veprimin juridik të fitimit të pronësisë mbi të ose të kalimit të të drejtave mbi shtesën;
ii. Nga evidentimi i gjendjes faktike të shtesës pa leje rezulton se ajo është e lidhur, në mënyrë të pandarë, me ndërtimin kryesor dhe posedohet prej pronarit të këtij të fundit.
Në të kundërt, kualifikimi vijon në emër të poseduesit të shtesës, aplikues për legalizim.
12.  Përjashtimi nga legalizimi i ndërtimeve informale, të ndodhura në kushtet e pikës 1, të nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, kryhet vetëm pas miratimit të lejes zhvillimore dhe arritjes së marrëveshjes (ose realizimit të detyrimeve të pronarit), në përputhje me pikën 2, të të njëjtit nen.
13.  Procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale, të ngritura mbi territoret e objekteve ish-ushtarake, të inventarizuara ose jo, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743, datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, kryhen në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe duke njoftuar, paraprakisht, autoritetin administrues.
14.  Në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 4, të këtij vendimi, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit dërgojnë pranë ALUIZNI-t informacionin mbi zonat e evidentuara me rrezik përmbytjeje dhe çarje-rreshqitjeje (listat dhe materialin hartografik me koordinata, sipas sistemit koordinativ shtetëror), brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
15. Përjashtimisht, për ndërtime informale që ndodhen në territore ose pranë veprave të mbrojtura me akte të veçanta, këshilli teknik, i formuar sipas vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, shqyrton dhe paraqet rekomandime për procesin e kualifikimit të tyre.
16.  Vendimi nr.438, datë 28.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të ndryshuar, dhe vendimi nr.259, datë 4.5.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për normat dhe standardet minimale urbanistike, për urbanizimin e zonave informale”, shfuqizohen.
 17. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, ALUIZNI, Ministria e Kulturës, Ministria e Mjedisit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.286, DATË 18.3.2009, NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 7.2.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 7.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.120, DATË 17.12.2011; NR.472, DATË 30.5.2013; NR.686, DATË 16.3.2013 DHE NR.345, DATË 24.4.2013, TË NDRYSHUARA, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.1481, datë 12.11.2008; nr.1657, datë 24.12.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.286, datë 18.3.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706 datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 7.2.2011; nr.359, datë 4.5.2011; nr.822, datë 23.11.2011; nr.120, datë 17.12.2011; nr.472, datë 30.5.2013; nr.686, datë 16.8.2013; nr.345, datë 24.4.2013, të ndryshuara, për miratimin e kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të disa poseduesve të objekteve informale, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 12/118, 13/201, 13/219, 14/116, 14/52, 12/70, 13/207, 14/207, 14/113, 13/303, 13/143, 13/214, 13/223 e 2/417, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Tiranë 3, të jenë sipas lidhjes A që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 23/207, 1/237, 21/218, 23/197,  8/43, 7/92, 5/34, 12/59, 11/48, 3/96, 4/56, 3/86, 6/63, 5/33, 5/9, 2/34, 10/48 e 10/9, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan, të jenë sipas lidhjes B që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/365 dhe 23/170, në drejtoritë e  ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes C që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 3/64, 10/101, 12/115, 12/104, 10/103, 11/33 e 1/355, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes E që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 4/316, 4/311, 3/575, 1/380, 1/324, 3/668, 5/175, 10/247, 10/156, 10/155, 1/507, 1/508, 1/427 e 7/317, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Tirane 2, të jenë sipas lidhjes F që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 440/686, 11/373, 440/527, 440/665,  9/589, 3/534, 1/453, 1/394, 2/634, 1/510, 12/57, 2/654, 2/655, 7/350,  440/243, 1/448, 3/589, 1/430, 440/811, 14/62, 1/462, 1/464, 315/242, 13/416, 3/534, 5/541, 5/544, 5/537 e 47/79, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes G që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 6/339, 435/26, 435/25, 8/623, 8/622, 6/373, 435/13, 1/468, 4/493, 3/387, 6/740, 7/568, 4/450, 440/824, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes H që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 4/456, 4/411, 8/485, 15/521, 3/324, 4/480, 1/194, 1/197, 1/191, 1/192 e 8/505, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes I që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 4/549, 3/324, 6/355, 4/528, 9/43, e 4/516, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes J që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 3/589, 1/427, 433/209, 436/63,  3/585, 433/283, 433/282, 1/530, 436/114, 8/1252, 8/748, 436/33, 1/449, 433/265, 435/59, 433/303, 7/354, 7/355, 3/744, 4/577, 433/297, 3/639,  7/408, 40/158, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Berat, të jenë sipas lidhjes K që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 136/151 e 19/55, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes L që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Gjenealiteti i poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 7/283, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Berat, të jetë sipas lidhjes M që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/416 e 436/97, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes N që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 5/514, 222/2 e 3/632, në drejtoritë e ALUIZNI-t Kukës, Tiranë 2 dhe Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes O që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 8/498/2, 4/808 e 3/163/1, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 2 dhe Tiranë 1, të jenë sipas lidhjes P që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Gjenealiteti i poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 2/637, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jetë sipas lidhjes Q që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 1/522, 178/112/1, 4/419, 1/755, 1/1131, 2/448, 7/417, 433/335, 436/51, 436/32, 7/432, 1/790, 7/495,  3/985, 530/53, 51/177 e 8/418, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1, Tiranë 2 dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes R që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 5/94 dhe 3/365, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Berat, të jenë sipas lidhjes S që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 5/319, 6/757 dhe 5/320, në drejtoritë e ALUIZNI-t Tiranë 2 dhe Tiranë 1, të jetë sipas lidhjes T që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Gjenealiteti i poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 51/237, në drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës, të jetë sipas lidhjes U që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Gjenealiteti i poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 1/554, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 1, të jetë sipas lidhjes Z që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 5/53 dhe 45/26, në drejtoritë e  ALUIZNI-t Tiranë 1 dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes AA që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelat ndërtimore me nr.pasurie: 7/456 dhe 355/3, në drejtoritë e  ALUIZNI-t Tiranë 1dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes AD që i bashkëlidhet këtij vendimi.
24. Gjenealiteti i poseduesit të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë  për parcelën  ndërtimore me nr.pasurie 1/200, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tiranë 2, të jetë sipas lidhjes AE që i bashkëlidhet këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit, për secilin qark, janë, si më poshtë vijon:
a) Qarku Berat, 8 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 972 (një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy)  m²;
b) Qarku Lezhë, 42 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 11 022 (njëmbëdhjetë mijë e njëzet e dy) m²;
c) Qarku Tiranë, 182 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 52 336.36 (pesëdhjetë e dy mijë e treqind e tridhjetë e gjashtë pikë tridhjetë e gjashtë) m²;
ç) Qarku Elbasan, 12 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2 843 (dy mijë e tetëqind e dyzet e tre) m²;
d) Qarku Gjirokastër, 22 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 828 (tetë mijë e tetëqind e njëzet e tetë) m²;
dh)  Qarku Durrës, 115 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 41 442 (dyzet e një mijë e katërqind e dyzet e dy) m²;
e) Qarku Kukës, 17 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 241 (katër mijë e dyqind e dyzet e një) m²;
ë) Qarku Vlorë, 24 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 029 (tetë mijë e njëzet e nëntë) m²;
f) Qarku Shkodër, 92 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 28 022 (njëzet e tetë mijë e njëzet e dy) m²;
g) Qarku Fier, 183 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 56 811 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) m²;
gj)  Qarku Korçë, 2 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 113 (njëqind e trembëdhjetë) m².
3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë, për parcelat ndërtimore, sipas neneve 83 e 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.511, DATË 24.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE”,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pika 3, e kreut II/A, “Puna në ditët e festave zyrtare dhe të pushimit javor”, të vendimit nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar,  ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“3. Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pushimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.