Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 18 shkurt 2015
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 834, DATË 18.9.2013,TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR MARRËDHËNIET ME PARLAMENTIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 2, e  kreut II, të vendimit nr.834, datë 18.9.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet,  si më poshtë vijon:
“2. Përgatit dokumente apo mendime vlerësuese për projektaktet e propozuara për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, bashkërendon punën për përgatitjen dhe paraqitjen e projektakteve që propozohen nga Kryeministri apo institucionet e pavarura. Bashkërendon, nëse nevojitet, veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, ministrive apo autoriteteve shtetërore përgjegjëse me institucionet e pavarura.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, TË PRONËS NR.1119, ME EMËRTIM “SKUADRILJA, VENDSTREHIM, (ISH-REGJIMENTIT 4020)”, ME VENDNDODHJE NË FUSHË-PREZË, RINAS, TIRANË DHE TË PRONAVE NR.1120, ME EMËRTIM “GRUP DEPO LOGJISTIKE-TEKNIKE, (ISH-REGJIMENTIT 4020)”, NR.1121, ME EMËRTIM “ISH-EKONOMI NDIHMËSE, NBU, (ISH-REGJIMENTIT 4020)”, NR.1122, ME EMËRTIM “ISH-BATERI AKA, RADIODRITA, (ISH-REGJIMENTIT 4020)”, ME VENDNDODHJE NË RINAS, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, QË I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të pronës nr.1119, me emërtim “Skuadrilja, Vendstrehim, (ish-regjimentit 4020)”, me vendndodhje në Fushë-Prezë, Rinas, Tiranë, dhe të pronave nr.1120, me emërtim “Grup Depo Logjistike-Teknike, (ish-regjimentit 4020)”, nr.1121, me emërtim “Ish-ekonomi ndihmëse, NBU, (ish-regjimentit 4020)”, nr.1122, me emërtim “Ish-Bateri AKA, Radiodrita, (ish-regjimentit 4020)”, me vendndodhje në Rinas, Tiranë, sipas formularëve standard të inventarizimit të pronave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, për t’i përdorur për qëllime investimesh nga kompani të interesuara.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1119, me emërtim “Skuadrilja, Vendstrehim, (ish-regjimentit 4020)”, me vendndodhje në Fushë-Prezë, Rinas, Tiranë dhe pronat me nr.1120, me emërtim “Grup Depo Logjistike-Teknike, (ish-regjimentit 4020)”, nr.1121, me emërtim “Ish-ekonomi ndihmëse, NBU, (ish-regjimentit 4020)”, nr.1122, me emërtim “Ish-Bateri AKA, Radiodrita, (ish-regjimentit 4020)”, me vendndodhje në Rinas, Tiranë.
3. Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronave, të përcakuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.433, DATË 5.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, PËRBËRJEN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT DHE KOMPETENCAT E BORDIT DREJTUES TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË  STANDARDIZIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.433, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a)   2 (dy) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ekonominë;
  b) 1 (një) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për transportin dhe infrastrukturën;
c)  1 (një) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë.”.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në  “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË KËSHILLIT KOMBËTAR TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 29, të ligjit nr.69, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.424, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SISTEMIN E AKREDITIMIT, ORGANIZIMIN DHE VEPRIMTARINË E INSTITUCIONEVE TË SIGURIMIT TË JASHTËM TË CILËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 60, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit i Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, të miratuar me vendimin nr.424,  datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në të gjithë tekstin e rregullores emërtimi “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” zëvendësohet me “ministria përgjegjëse për arsimin” dhe emërtimi “ministri i Arsimit dhe Shkencës” zëvendësohet me “ministri përgjegjës për arsimin”.
2. Pika 1, e nenit 5, të rregullores, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në shërbim të politikave të arsimit të lartë ministria përgjegjëse për arsimin mund të kërkojë vlerësimin e jashtëm të cilësisë së institucioneve dhe programeve të studimit nga agjenci të tjera vlerësimi, që janë anëtare me të drejta të plota të Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ose të Regjistrit Evropian të Agjencive të Sigurimit të Cilësisë (EQAR). Vlerësimi i jashtëm nga këto agjenci kryhet me qëllim akreditimin, rating-un ose renking-un e programit/programeve të studimit apo të institucionit të arsimit të lartë. Vlerësimi i jashtëm nga këto agjenci kryhet në përputhje edhe me standardet e procedurat vendase për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.”.
3. Në fund të pikës 1, të nenit 9, të rregullores, shtohet kjo fjali:
“Nëse njëri nga anëtarët ekspert i huaj, zgjidhet kryetar i Këshillit të Akreditimit, ai paguhet me 20% mbi tarifën e anëtarit, ekspert i huaj.”.
4. Pika 2, e nenit 9/1, të rregullores, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ekspertët e huaj, anëtarë të grupeve të vlerësimit të jashtëm, paguhen me 700 (shtatëqind) euro për çdo ditë pune, por jo më shumë se 8 (tetë) ditë për vlerësimin institucional dhe jo më shumë se 4 (katër) për programet e studimit. Ekspertëve të huaj u mbulohen edhe shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, për çdo vlerësim të kryer, por jo për më shumë se 5 (pesë) ditë për vlerësimin institucional dhe jo më shumë se 3 (tre) ditë për programet e studimit.”.
5. Në nenin 14 të rregullores shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Të ardhurat për shërbimet e kryera nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë transferohen nga një vit financiar në tjetrin, vetëm për vlerën që derdhet në buxhetin e Agjencisë, përfshirë të ardhurat e krijuara deri në vitin 2014.”.
6. Tabelat nr.1 dhe nr.2, bashkëlidhur rregullores, zëvendësohen me tabelat nr.1.1 dhe nr.2.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MARZHEVE TË TREGTIMIT DHE FABRIKIMIT TË BARNAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, pika 2, të ligjit nr.105/2014, datë 31.7.2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Çmimi maksimal i prodhimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar 20 (njëzet) për qind mbi koston e fabrikimit.
2. Çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar 11 (njëmbëdhjetë) për qind mbi çmimin CIF të importit të barit dhe të EXW të prodhimit vendas, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11 (njëmbëdhjetë) për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8 (tetë) për qind dhe 3 (tre) për qind.
3. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar 25 (njëzet e pesë) për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik.
4. Për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohen mbi çmimin CIF ose EXW, do të jetë sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për barnat që nuk janë përfshirë në listën bashkëlidhur do të zbatohet një marzh fitimi 8 (tetë) për qind.
6. Vendimi nr.53, datë 5.2.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave”, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PËR IMPLEMENTIMIN E TË DHËNAVE TË HAPURA PUBLIKE DHE KRIJIMIN E PORTALIT TË TË DHËNAVE TË HAPURA 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Miratimin e dokumentit të politikave për implementimin e të dhënave të hapura publike dhe krijimin e portalit të të dhënave të hapura, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PAGAT E PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 33, pika 5, e 75, pika 3, të ligjit nr.70/2014, “Për shërbimin për çështjet e brendshme dhe ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit operacional me grada, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në vijim, Shërbimi, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Paga bazë mujore për gradë, e përcaktuar në kolonën 3, të lidhjes nr.1, është niveli i pagës së punonjësit operacional, në përputhje me gradën që ka fituar.
3. Shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi, e përcaktuar në kolonën 4, të lidhjes nr.1, jepet sipas funksioneve të përcaktuara në këtë lidhje.
4. Punonjësit operacionalë me grada, përfitojnë shtesë për vjetërsi, përfshirë dhe kohën e qëndrimit në gradë në institucionet që funksionojnë me sistemin me grada, në masën 1 % për çdo vit pune. Masa e shtesës për vjetërsi plus pagën për gradë nuk duhet ta kalojë nivelin e pagës së gradës pasardhëse.
5. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit pa grada dhe mbështetës janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Kategoria e pagës për punonjësit e Shërbimit pa grada dhe mbështetës përcaktohet sipas kolonës 3, të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Paga e grupit (paga për nivelin arsimor të kërkuar për vendin e punës) përcaktohet sipas kolonës 4, të lidhjes nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Vlera e pagës për çdo grup të diplomave të arsimit universitar është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Punonjësi i personelit pa grada dhe mbështetës i Shërbimit përfiton shtesë për vjetërsi në punë në masën 2 %, për çdo vit, por jo më shumë se 25 vjet, dhe llogaritet mbi pagën e grupit.
10. Shtesa për pozicion, për punonjësit pa grada dhe mbështetës të Shërbimit, përcaktohet sipas kolonës 6, të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi, për punonjësit pa grada dhe mbështetës të Shërbimit, përcaktohet sipas kolonës 7, të lidhjes nr.2, dhe aplikohet sipas funksioneve të përcaktuara në këtë lidhje.
12. Punonjësit e Shërbimit, pa grada, të cilët punojnë në sektorin e përgjimit dhe zyrën e kartotekës, përfitojnë shtesë për punë në kushte të vështira dhe të dëmshme për shëndetin, sipas përcaktimeve të bëra në vendimin përkatës të pagave të punonjësve mbështetës dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore.
13. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të miratuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2015.
14. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga 1 janari i vitit 2015.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT “LUSHNJË – BERAT (LOTI 1, 2, 3 DHE OBJEKTET)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Lushnjë – Berat (loti 1, 2, 3 dhe objektet)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 95 193 711 (nëntëdhjetë e pesë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e njëmbëdhjetë) lekë, nga të cilat:
a) Për “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)”, me sipërfaqe shpronësimi 189 744 m2, në vlerën 67 912 764 (gjashtëdhjetë e shtatë milionë e nëntëqind e dymbëdhjetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë;
b) Për “objekte”, në vlerën 27 280 947 (njëzet e shtatë milionë e dyqind e   tetëdhjetë mijë e nëntëqind e dyzet e shtatë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë tokë “arë”, “truall”, “ullishte (tokë bujqësore)” dhe “objekte”, prej 95 193 711 (nëntëdhjetë e pesë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e njëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015 (zëri “Shpronësimet”), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kuçovë, Lushnjë dhe Berat, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Kuçovë, Lushnjë dhe Berat të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të  paluajtshme Kuçovë, Lushnjë dhe Berat për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I IMPIANTIT TË TRAJTIMIT TË UJËRAVE TË PËRDORURA, NË QYTETIN E KORÇËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të përdorura, në qytetin e Korçës.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “arë” dhe “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 62 491.7 m2, në vlerën 28 944 862 (njëzet e tetë milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, nga të cilat:
a) tokë “arë”, me sipërfaqe 62 122.7 m², me vlerë 25 880 317 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatëmbëdhjetë) lekë;
b) tokë “truall”, me sipërfaqe 369 m², me vlerë 3 064 545 (tre milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e pesëqind e dyzet e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë “arë” dhe “truall”, prej 28 944 862 (njëzet e tetë milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, zëri “Kosto lokale”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë.
8. “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë  të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, në bashkëpunim me “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a., Korçë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË TË MJEDISEVE TË ISH-GODINËS SË MINISTRISË SË MJEDISIT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të mjediseve të ish-godinës së Ministrisë së Mjedisit, për mjedise pune, për zhvillimin normal të veprimtarisë administrative të këtij institucioni.
2. Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’a tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.