V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.612, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 108 e 109, të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 1, “Përkufizime”, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. “Prodhim”, përdorimi i makinave, mjeteve dhe punës në njësi të tilla si: rafineri, kombinate, uzina, fabrika, punishte, për të shndërruar materialin (lëndë e parë, përbërës etj,) në produkte akcize.”.
Neni 2
Paragrafi i tretë, i pikës 1, të nenit 3, “Regjistrimi i pritësit të regjistruar/licencimi i përfaqësuesit fiskal”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kërkuesi aplikon për regjistrim pranë zyrës doganore mbikëqyrëse. Zyra doganore mbikëqyrëse, pas vlerësimit të plotësimit të kushteve të përcaktuara në këtë vendim për marrjen e statusit të pritësit të regjistruar, dërgon dokumentacionin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në rast se kërkesat e parashikuara konsiderohen të plotësuara, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave lëshon autorizimin përkatës sipas aneksit 21, të këtij vendimi.”.
Neni 3
Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 4, “Kushtet për regjistrim si pritës i regjistruar dhe për licencim si përfaqësues fiskal”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Pritësi i regjistruar duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
i. Të jetë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe të paraqesë ekstraktin historik nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR);
ii. Të depozitojë një garanci të nevojshme për të mbuluar veprimet e lëvizjes së produkteve të akcizës me pezullim të detyrimeve, vetëm në rast se kërkuesi do të kërkojë të garantojë lëvizjen;
iii. Të paraqesë dëshmi penaliteti të përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit;
iv. Të paraqesë dëshmi që nuk ka detyrime të pashlyera ndaj administratës doganore;
v. Të japë një përshkrim të produkteve të akcizës që do të trajtojë;
vi. Të paraqesë të dhëna për kapacitetin maksimal mbajtës të ambientit/ve të stokimit.”.
Neni 4
Në pikën 4, të nenit 17, “Rastet e përjashtimeve”, përcaktimi “3-fishi” zëvendësohet me “5-fishi”.
Neni 5
Pas pikës 14, të nenit 20, shtohet pika 15, me këtë përmbajtje:
“15. Detyrimet e pikës 3, të këtij neni, lindin edhe në rastin kur një subjekt peshkimi furnizohet me gazoil jashtë Republikës së Shqipërisë, si furnizim bordi. Sasitë e blera jashtë Republikës së Shqipërisë regjistrohen nga autoriteti doganor.”.
Neni 6
Neni 21 shfuqizohet.
Neni 7
Në pikën 1, të nenit 23, “Mangësitë/diferencat”, hiqen fjalët “… Për qëllime të pikës 1, të nenit 11, të ligjit, …”.
Neni 8
Në pikën 6, të nenit 25, “Humbjet aksidentale dhe avaritë në magazinën fiskale”, fjalët “… Qendra operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave …” zëvendësohen me “… Drejtoria e Analizës së Riskut dhe Monitorimit dhe Drejtoria e Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave …”.
Neni 9
Në nenin 37, “Kërkesa për rimbursim ose shuarje”, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, shfuqizohen.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Rimbursimi i akcizës nuk mund të kërkohet nëse produkti i akcizës nuk është përdorur/konsumuar deri në 1 vit nga data e pagesës së akcizës. Paraqitja e kërkesës për rimbursim, në çdo rast, duhet të respektojë kushtëzimet e përcaktuara në nenet specifike të rimbursimit për këtë qëllim.”.
Neni 10
Pikat 2 dhe 3, të nenit 39, “Rimbursimi në eksport”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Zyra doganore territorialisht kompetente miraton ose refuzon fillimin e procedurës së eksportit me rimbursim të akcizës.
3. Nëse procedura miratohet, kërkuesi depoziton pranë zyrës doganore territorialisht kompetente dokumentin DAV për eksport.”.
Neni 11
Në nenin 43, “Rimbursimi për serrat me ngrohje dhe prodhimet industriale dhe agro-industriale”, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të pikës 4 shtohen fjalët “… të muajit paraardhës …”.
2. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Mbas verifikimit dhe konfirmimit të rregullsisë së dokumentacionit të kërkuar, zyra doganore mbikëqyrëse, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kryen llogaritjet për rimbursimin e akcizës, bazuar në aneksin 10 “Tabela referuese e normativave të harxhimit të lëndës djegëse”.”.
Neni 12
Pika 1, e nenit 44, “Rimbursimi për biokarburantet”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Do të konsiderohen biokarburante dhe lëndë të tjera djegëse të rinovueshme për transport, bazuar në proceset e ndryshimeve teknologjike, produktet e mëposhtme, me kushtin që të prodhohen në Republikën e Shqipërisë nga njësitë për prodhimin e biokarburanteve, sipas përcaktimit të nenit 5, të ligjit nr.9876, datë 14.2.2008, “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, të ndryshuar:
Produktet që klasifikohen në kodin 27 10 20 të NK, në rastet kur produkti BIO i përzier me karburant përbën më pak se 30% të volumit;
Produktet që klasifikohen në kodin 38 26 00 të NK kur produkti BIO i përzier me karburant përbën më shumë se 30% të volumit.”.
Neni 13
Neni 46, “Procedura e rimbursimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 46
Procedura e rimbursimit
1. Dalja e produktit biokarburant nga regjimi pezullues i magazinës fiskale bëhet me dokumentin DSHA me detyrime të paguara.
2. Depozituesi i miratuar, me përfundimin e procesit të prodhimit, magazinon në një depozitë të veçantë, pjesë e magazinës fiskale, gjithë sasinë e biokarburantit të prodhuar nga njësia e prodhimit, sipas përcaktimeve të shkronjës “dh”, të pikës 1, të nenit 14, të ligjit, dhe njofton zyrën doganore mbikëqyrëse, sipas modelit 1 “Njoftim për prodhim biokarburanti”, të aneksit 24, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Zyra doganore mbikëqyrëse, brenda 1 (një) dite pune nga data e marrjes së njoftimit, paraqitet te depozituesi i miratuar dhe verifikon sasinë e produktit, merr mostrat e nevojshme dhe plumbos depozitën ku është magazinuar biokarburanti i prodhuar. Në përfundim të këtij procesi, nga punonjësit e autorizuar të zyrës doganore mbikëqyrëse mbahet një procesverbal sipas modelit 2 “Procesverbal verifikimi”, të aneksit 24, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, dhe, brenda 2 (dy) ditësh pune dërgohen mostrat për analizim në Laboratorin Doganor.
4. Laboratori Doganor, brenda 3 (tre) ditësh pune nga data e marrjes së mostrave, i njofton rezultatin e analizave laboratorike zyrës doganore mbikëqyrëse.
5. Depozita ku është magazinuar biokarburanti qëndron e plumbosur dhe nën mbikëqyrjen doganore. Çdo dalje biokarburanti nga kjo depozitë bëhet nën mbikëqyrjen e zyrës doganore duke plotësuar dokumentin DSHA sipas përcaktimit të pikës 1 dhe duke përshkruar llojin e produktit në përputhje me të dhënat e certifikatës së analizave dhe numrin e certifikatës. Për çdo dalje nga magazina plotësohet njëkohësisht modeli 3 “Kartelë inventari produkti” e aneksit 24, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Në rast se autoritetet doganore konstatojnë dëmtim të plumbçeve doganore apo mosrakordim të sasive, bllokojnë depozitën, vendosin plumbçet e reja dhe nuk lejojnë dalje të mëtejshme të produktit. Autoritetet doganore kryejnë të gjitha verifikimet dhe veprimet e mëtejshme për të përcaktuar shkaqet dhe evidentuar përgjegjësitë në përputhje me ligjin. Për sasinë e produktit gjendje në depozitë rikryhen procedurat e përcaktuara në pikat 3 dhe 4.
7. Një herë në muaj depozituesi i miratuar paraqet kërkesë për rimbursim të akcizës për sasitë e produktit BIO të trupëzuar në sasitë e karburanteve të deklaruara për konsum, shoqëruar përkatësisht me dokumentin DSHA me detyrime të paguara dhe me modelin 3 “Kartelë inventari produkti”, të aneksit 24 dhe certifikatën e Laboratorit Doganor.
Autoritetet doganore, pasi shqyrtojnë kërkesën duke krahasuar të dhënat e deklaruara me rezultatet e Laboratorit Doganor, brenda 10 ditësh pune, autorizojnë ose refuzojnë rimbursimin duke dhënë arsyet në rast refuzimi.
Në rast se gjatë kontrollit rezulton se ka pasur pasaktësi ose pavërtetësi të dokumenteve, subjekti përfitues i rimbursimit duhet të kthejë të gjithë shumën e rimbursuar dhe ndaj tij zbatohen masat dhe penalitetet e përcaktuara nga ligji.”.
Neni 14
Në nenin 50, “Personat që ushtrojnë aktivitetin e depozituesit të miratuar”, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “ç”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) operatorët që rafinojnë apo përpunojnë produkte energjetike në rafineri apo stabilimente të tjera prodhimi.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për qëllime të pikës 1, të këtij neni, konsiderohen depozitues të miratuar joprodhues personat që blejnë, presin, dërgojnë, mbajnë dhe shesin produkte që i nënshtrohen akcizës. Këta depozitues i mbajnë produktet e akcizës me synim për t’i dërguar, eksportuar, rieksportuar apo shitur.”.
Neni 15
Pas nenit 50 shtohet neni 50/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 50/1
Statusi i operatorëve që administrojnë veprimtarinë e pullave fiskale
Për qëllime të neneve 40-43, të seksionit 8, të kreut V, të ligjit, operatorët ekonomikë, për të cilët Këshilli i Ministrave ka ofruar me koncesion pjesë apo të gjithë veprimtarinë që lidhet me pullat fiskale, duhet të marrin statusin e depozituesit të miratuar prodhues/përpunues.”.
Neni 16
Në nenin 51, “Procedurat e aplikimit dhe të autorizimit të magazinave fiskale”, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Kërkesës tip duhet t’i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme:
a) Ekstrakti historik nga QKR-ja;
b) Prokura e përfaqësuesit ligjor për marrjen përsipër të përgjegjësive të shoqërisë, për rastet kur nuk përcaktohet në ekstraktin e QKR-së;
c) Dëshmi penaliteti e përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit;
ç) Planimetria e ambienteve të planifikuara për magazinë fiskale, të shoqëruara me foto për çdo plan si brenda ashtu edhe jashtë;
d) Plani dhe përshkrimi i instalimeve të ndryshme që do të jenë pjesë e magazinës fiskale (instalime, depo, rezervuarë, tubacione etj.);
dh) Akti i kalibrimit të kontejnerëve (depozitave, sillosa etj.) nga DPM-ja, në rastet kur do të depozitohen lëngje apo materiale rifuxho. Për rastet kur marrja e certifikatës së kalibrimit është në proces, të depozitohet kërkesa e aplikimit shoqëruar me certifikatat e kalibrimit të disponueshme në momentin e prodhimit/importit;
e) Certifikimet përkatëse për instrumentet dhe pajisjet matëse nga DPM-ja;
ë) Deklarata për natyrën dhe pozicionin tarifor të produkteve që priten, dërgohen, mbahen dhe në rastin e magazinave të prodhimit edhe të lëndëve të para dhe produkteve të prodhuara;
f) Karta teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë;
g) Vlerësimi i sasive të produkteve të akcizës të prodhuara, të përpunuara dhe të depozituara/të stokuara për një periudhë të caktuar (vjetore apo që mbulon aktivitetin nëse është sezonale);
gj) Dokumenti i garancisë;
h) Informacioni për sistemin kontabël që përdor shoqëria, si dhe masat e kontrollit të brendshëm e metodat e kontrollit që ajo përdor;
i) Konfirmimi se shoqëria nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj administratës doganore në momentin e aplikimit.”.
2. Pikat 8, 9 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“8. Në rast se plotësohen të gjitha kërkesat e parashikuara, lëshohet autorizimi përkatës, pasi të jenë gjeneruar në sistemin informatik kodet fiskale specifike, sipas modelit në aneksin 12. Autorizimet lëshohen pa afat kohor.
9. Në autorizimin e magazinës fiskale, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përcaktohen elementet specifike të magazinës fiskale, në varësi të natyrës dhe proceseve që do të kryhen në të si dhe përcaktohet edhe zyra doganore mbikëqyrëse.”.
“11. Çdo ndryshim apo modifikim, që lidhet me depozitat, rezervuarët, instalimet, kushtet e shfrytëzimit të magazinës fiskale dhe çdo ndryshim në dokumentacionin e dorëzuar për marrjen e autorizimit, duhet të jetë objekt i një informacioni paraprak për zyrën doganore mbikëqyrëse, e cila, pas kontrollit, verifikimit dhe vlerësimit, përcjell këto ndryshime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson dhe pasqyron ndryshimet apo modifikimet në autorizimin fillestar.”.
Neni 17
Në nenin 60 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 2, referenca “… të shkronjës “h”, të pikës 6, …” zëvendësohet me “… të shkronjës “ë”, të pikës 6, …”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3, 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“3. Me konstatimin e njërit prej rasteve të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ë”, të pikës 6, të nenit 20, të ligjit, dhe në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 6, të nenit 20, të ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr vendim për pezullimin e autorizimit, për një afat deri në 30 ditë. Ky vendim paraqet arsyet e këtij pezullimi dhe u njoftohet operatorit ekonomik dhe zyrës doganore mbikëqyrëse, e cila merr të gjitha masat e duhura për të siguruar që gjatë këtij afati kohor operatori ekonomik të mos kryejë asnjë aktivitet tregtar në magazinën fiskale.
4. Kur operatori ekonomik nuk ka mundur të rregullojë situatën brenda 30 ditëve, por siguron që kushtet mund të përmbushen nëse afati i pezullimit zgjatet, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të shtyjë afatin e pezullimit edhe për 30 ditë të tjera.
5. Nëse brenda afatit të pezullimit operatori ekonomik plotëson kushtet dhe kriteret që duhet të plotësohen sipas ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave anulon pezullimin dhe informon operatorin ekonomik dhe zyrën doganore mbikëqyrëse lidhur me këtë vendim.”.
3. Pika 3 bëhet pika 6 dhe ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Nëse brenda këtij afati kohor, të përcaktuar në pikat 3 dhe 4, operatori ekonomik nuk plotëson mangësitë që kanë çuar në pezullimin e autorizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr vendim për revokimin e autorizimit:
a) duke njoftuar zyrën doganore mbikëqyrëse dhe depozituesin e miratuar në lidhje me vendimin e revokimit;
b) duke përcaktuar detyrat e zyrës doganore mbikëqyrëse për procedurat e mëtejshme;
c) duke përcaktuar detyrimet e depozituesit të miratuar për procedurat e mëtejshme;
ç) duke përcaktuar të drejtën e depozituesit të miratuar për t’u ankimuar dhe organin pranë të cilit ushtrohet ky ankimim”.
Neni 18
Shkronja “a”, e nenit 65, “Përdorimi i dokumentit shoqërues të akcizës (DSHA)”, shfuqizohet.
Neni 19
Pika 10, e nenit 68, “Procedurat e inventarizimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Procesverbali i inventarizimit rimerr vetëm faktet e konstatuara gjatë kontrollit. Ky procesverbal është i ndryshëm nga procesverbali i verifikimit të shkeljeve, i cili miratohet me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, por përbën bazën për hartimin e këtij të fundit.”.
Neni 20
Shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 69, “Tepricat dhe mangësitë në inventarizim”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) Në fund të inventarizimit, për tepricat kryhet regjistrimi në rubrikën ‘Hyrje të kontabilitetit të stokut’, me përshkrimin ‘Tepricë e evidentuar nga kontrolli’, si dhe shënohen ekstremitetet e procesverbalit të përcaktuar në shkronjën “c”, të kësaj pike. Të gjitha këto veprime duhen kryer përpara kryerjes së veprimeve të tjera hyrëse.”.
Neni 21
Në nenin 75 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 1, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) shuma e garancisë që duhet paraqitur nga operatorët që administrojnë veprimtarinë e pullave fiskale, të referuar në nenin 50/1, është në vlerë fikse prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Shuma e garancisë vlerësohet dhe llogaritet nga zyra doganore mbikëqyrëse nga llogaria e detyrimeve për produktet e akcizës sipas shtojcës 1 të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.”.
Neni 22
Në nenin 123 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 1, fjalët “… procedurën e përgjithshme …” zëvendësohen me “… me denatyrues të njohur në shtete të tjera, të ndryshme nga denatyruesit e përcaktuar në nenet 124 dhe 125 …”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, këtë përmbajtje:
“3. Operatorët ekonomikë, të cilët, pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në pikën 1, nuk deklarojnë se do të kryejnë operacione rikuperimi apo rigjenerimi, duhet të depozitojnë pranë zyrës doganore të importit një garanci e cila duhet të mbulojë shumën e plotë të detyrimit të akcizës që paguhet në rast se ky mall do të rikuperohet apo do të rigjenerohet dhe duhet të mbulojë një afat jo më të vogël se një vit.
4. Zyra doganore e importit procedon me verifikimin e zinxhirit tregtar deri në destinacionin e fundit të produktit të hedhur për konsum. Pas verifikimit nëpërmjet kontrollit pas zhdoganimit se alkooli i denatyruar nuk është rikuperuar apo rigjeneruar, zyra doganore në fjalë çliron garancinë.”.
Neni 23
Në nenin 124 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… që i nënshtrohet denatyrimit …” shtohen “… brenda vendit …”.
2. Në pikën 4, përcaktimi “ (98.90C)” zëvendësohet me “(78.90C)”.
Neni 24
Në nenin 133 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1, shkronjat “d” e “f” zëvendësohen me shkronjat “ç” e “dh”.
2. Në pikën 2, shkronja “d” zëvendësohet me shkronjën “ç”.
Neni 25
Në nenin 135 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “d” zëvendësohet me shkronjën “ç”.
2. Në fund të fjalisë, togfjalëshi “… depozituesit të miratuar …” zëvendësohet me “… pritësit të regjistruar …”.
Neni 26
Në nenin 136 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, shkronja “e” zëvendësohet me shkronjën “d”.
2. Në pikën 2, shkronja “h” zëvendësohet me shkronjën “ë”.
Neni 27
Në pikat 1 dhe 2, të nenit 137, shkronja “f” bëhet “dh”.
Neni 28
Në nenin 138, shkronja “g” bëhet “e”.
Neni 29
Në pikën 1, të nenit 139, shkronjat “g”, “i” dhe “j” zëvendësohen, përkatësisht, me shkronjat “e”, “f” dhe “g”.
Neni 30
Shkronja “a”, e nenit 147, shfuqizohet.
Neni 31
Në nenin 149 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Pritësit e regjistruar”.
2. Pika 3 shfuqizohet.
3. Pika 4 bëhet pika 3 dhe referenca “… në pikat 2 dhe 3 …” zëvendësohet me “… në pikën 2 …”.
Neni 32
Në pikën 2, të nenit 155, “Procedurat e përjashtimit”, fjalët “… brenda 3 (tri) ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve …”.
Neni 33
Në pikën 2, të nenit 156, “Procedurat e rimbursimit”, fjalët “… brenda 3 (tri) ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve …”.
Neni 34
Në nenin 157, “Dispozitat tranzitore”, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. a) Për subjektet e akcizës, që u janë pranuar e proceduar nga administrata tatimore kërkesat për shkatërrimin e produkteve të akcizës para datës 1 tetor 2012, sipas ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe të gjitha akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, administrata tatimore vijon këto procedura deri në përfundimin e tyre dhe informon Ministrinë e Financave për vlerën totale të detyrimit të akcizës së paguar, e cila do t’u rimbursohet subjekteve nga administrata tatimore si detyrim i prapambetur në bazë të vendimit nr.50, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”. Ky proces të përfundojë brenda datës 30 qershor 2015.
b) Për subjektet e akcizës, që kanë bërë kërkesa për nisje të procedurës për shkatërrimin e produkteve të akcizës para datës 1 tetor 2012 dhe kjo procedurë nuk ka nisur si pasojë e mosngritjes së komisionit të përcaktuar në pikën 50.2, shkronja “d”, të udhëzimit nr.7, datë 16.6.2003, të ministrit të Financave, “Për akcizat”, të ndryshuar, apo ka mbetur e papërfunduar për shkaqe të tjera që nuk varen nga subjekti i akcizës, procedura do të fillojë/do të vijojë të ndiqet nga administrata tatimore sipas ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe të gjitha akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
Për trajtimin e kërkesave për shkatërrim sipas kësaj pike, të cilat janë administruar deri në datën 1 tetor 2012, do të ngrihet nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve një komision “ad-hoc” dhe me përbërje sipas përcaktimeve të akteve ligjore e nënligjore të përmendura më sipër.
Në përfundim të kësaj procedure, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informon Ministrinë e Financave për vlerën totale të detyrimit të akcizës së paguar, e cila do t’u rimbursohet subjekteve nga administrata tatimore si detyrim i prapambetur në bazë të vendimit nr.50, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”. Ky proces të përfundojë brenda datës 30 qershor 2015.
c) Brenda 10 ditëve nga data e përfundimit të procedurave sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet raportin përkatës te ministri i Financave.”.
2. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Për subjektet e akcizës, që kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, para datës 1 tetor 2012 ose do të sjellin edhe mbas kësaj date pulla akcize të dëmtuara deri në datën 1 tetor 2012, administrata tatimore do të zbatojë procedurat e pikës 50, të udhëzimit nr.7, datë 16.6.2003, “Për akcizat”, të ndryshuar, dhe në përfundim të tyre i dërgon administratës doganore në rrugë zyrtare informacion për sasinë e pullave të akcizës, ndërsa akciza do t’u rimbursohet subjekteve nga administrata tatimore si detyrim i prapambetur në bazë të vendimit nr.50, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”. Këto procedura të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2015.”.
Neni 35
Aneksi 4 zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 36
Në aneksin 16, pjesa “Shënime shpjeguese” zëvendësohet me tekstin me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Neni 37
Aneksi 20 shfuqizohet.
Neni 38
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.17, DATË 13.1.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E AFATEVE TË PËRDORIMIT TË ARMËVE, TË TEKNIKËS E TË PAJISJEVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE TË RREGULLAVE PËR TRAJTIMIN E TYRE PAS HEQJES NGA ARMATIMI DHE PËRDORIMI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tabelat nr.1 dhe nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.17, datë 13.1.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen me tabelat me të njëjtët numra, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.614, DATË 7.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË NORMAVE TË TRAJTIMIT ME UNIFORMË TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “f”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.614, datë 7.9.2011, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:
1. Pasqyra nr.1, “Normat e artikujve të uniformave ushtarake për oficerët”, të zëvendësohet me pasqyrën me të njëjtin numër dhe emërtesë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pasqyra nr.2, “Normat e artikujve të uniformave ushtarake për nënoficerët”, të zëvendësohet me pasqyrën me të njëjtin numër dhe emërtesë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Në pasqyrën nr.3 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në titullin e pasqyrës, fjala “…profesionistë…”, hiqet;
b) Në fund të pasqyrës nr.3, në rubrikën “Shënim”, pika 2 ndryshon dhe bëhet:
“2. Ushtarët/Detarët që transferohen nga një forcë/njësi në tjetrën, me përjashtim të atyre të Policisë Ushtarake, nuk e ndërrojnë uniformën, por mbajnë atë të origjinës.”.
4. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.599, DATË 23.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAGESAVE QË KRYHEN NË AKEP, PËR CAKTIMIN DHE PËRDORIMIN E FREKUENCAVE, TË NUMRAVE DHE SERIVE NUMERIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 3, e 119, pika 2, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.1, të vendimit nr.599, datë 23.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, tabela nr.1, në pikën 2.1, dhe tabela nr.3, në pikën 2.3, zëvendësohen, përkatësisht, me tabelën nr.1 dhe tabelën nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE TË NUMRIT TË PUNONJËSVE, NDËRMJET MINISTRISË SË MBROJTJES DHE AGJENCISË SË PROKURIMIT PUBLIK, PËR VITIN 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes pakësohet me 5 veta dhe bëhet, gjithsej, 8996 punonjës.
2. Numri i punonjësve të Agjencisë së Prokurimit Publik shtohet me 5 veta dhe bëhet 28 punonjës, ndërsa numri i përgjithshëm i punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare bëhet 395 punonjës.
3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE ME SHQIPËRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administrator i fondeve grant, të siguruara nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për Fondin e Besimit Nr.TF072239, për projektin e shërbimeve mjedisore me Shqipërinë, me një grant në shumën 7 960 000 (shtatë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) dollarë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PER
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE TË POSAÇME DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të posaçme dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBROJTJEN E SHTRESAVE NË NEVOJË, PER EFEKT TE HEQJES SE FASHES SE KONSUMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE DERI NE 300 KWh NE MUAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 1, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin e diferencës së çmimit të energjisë elektrike, për efekt të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Kwh në muaj, për:
a) familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
c) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
d) të verbërit;
dh) personat paraplegjikë e tetraplegjikë.
2. Kompensimi, për familjet që do të kompensohen, sipas pikës 1, të këtij vendimi, bëhet vetëm për 1 (një) kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, të cilët kanë pagë nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.
3. Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 Kwh, sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi.
4. Përfituesi i kompensimit, në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, detyrohet ta kthejë përfitimin e padrejtë dhe përjashtohet, përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.
5. Masa e kompensimit, për çdo përfitues, është 648 (gjashtëqind e dyzet e tetë) lekë në muaj dhe efekti financiar të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, miratuar për ndihmën ekonomike.
6. Rregullat e veçanta të përfitimit të pagesës dhe të zbatimit të skemës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave, ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
7. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2015.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Aneksi bashkëlidhur vendimit nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, emërtohet “Aneksi 1” dhe në fund të tij shtohen kodet, sipas aneksit I/I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2015.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN, NGA TOKË BUJQËSORE NE TOKE URBANE, TRUALL, TË SIPERFAQES PREJ 27.9 ha, NË ZONËN KADASTRALE NR.1101, KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin, nga tokë bujqësore në tokë urbane, truall, të sipërfaqes prej 27.9 (njëzet e shtatë pikë nëntë) ha, në zonën kadastrale nr.1101, Korçë, sipas të dhënave në listën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, të Qarkut Korçë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimin e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë urbane, truall, për sipërfaqen prej 27.9 (njëzet e shtatë pikë nëntë) ha, sipas listës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E AKADEMISË SË ARTEVE, SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 41, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Akademisë së Arteve, Shkodër, në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015.
2. Studentët e regjistruar në Akademinë e Arteve, Shkodër, kanë të drejtë të transferohen në Universitetin e Arteve, Tiranë, pas përfundimit të semestrit të parë ose në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, të ofruara nga institucioni i arsimit të lartë.
3. Studentët që do të vijojnë studimet e tyre deri në përfundim të vitit akademik 2014-2015, pranë Akademisë së Arteve, Shkodër, transferohen në vitin akademik 2015 – 2016, në programe të njëjta ose të ngjashme, në Universitetin e Arteve, Tiranë, ose në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
4. Akademia e Arteve, Shkodër, detyrohet që brenda afateve, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përgatisë dosjen për çdo student që do të kërkojë të transferohet, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
5. Akademia e Arteve, Shkodër, të vijojë veprimtarinë akademike, deri në përfundim të vitit akademik 2014 – 2015, për ato programe studimi për të cilat do të ketë studentë të pa transferuar.
6. Universiteti i Arteve, Tiranë, të regjistrojë studentët që kërkojnë transferim, sipas pikës 2, të këtij vendimi.
7. Për studentët që përfundojnë vitin e fundit të studimeve të ciklit të parë dhe kanë shlyer të gjitha detyrimet e parashikuara për programin përkatës të studimeve, Akademia e Arteve, Shkodër, të mundësojë diplomimin e tyre brenda vitit akademik 2014 – 2015.
8. Me mbylljen e veprimtarisë, Akademia e Arteve, Shkodër, të hartojë pasqyrat financiare, për vitin financiar 2015 dhe, pas konfirmimit të tyre në Degën e Thesarit, Shkodër, të dorëzojë të gjithë dokumentacionin administrativ dhe financiar në Arkivin e Shtetit. Një kopje e tyre duhet të dorëzohet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
9. Me mbylljen e veprimtarisë akademike, të gjitha pasuritë e luajtshme të Akademisë së Arteve, Shkodër, transferohen në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.
10. Akademia e Arteve, Shkodër, të shlyejë të gjitha detyrimet e prapambetura me palët e treta, deri në përfundim të vitit akademik. Asaj i ndalohet prokurimi i mallrave dhe shërbimeve për vijimin e veprimtarisë operacionale nëse kontrata nuk është mbuluar 100% nga buxheti i vitit 2015.
11. Stafi aktual, pa rekrutuar staf të ri të brendshëm apo të jashtëm, do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të veprimtarisë akademike. Stafi aktual, pas kësaj periudhe, të integrohet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, sipas nevojave të këtij universiteti.
12. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Akademia e Arteve, Shkodër, universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, dhe Universiteti i Arteve, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E BASHKIMIT EVROPIAN PER PUNESIMIN DHE INOVACIONIN SOCIAL (EASi)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian për punësim dhe inovacion social (EaSI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT DHE KUSHTET PËR DHËNIEN, TRANSFERIMIN DHE PËRSËRITJEN E LICENCËS SË KONCESIONIT PËR RAFINERI PËR KRYERJEN E VEPRIMTARISË SË PËRPUNIMIT TË NAFTËS BRUTO PËR PRODHIMIN E NËNPRODUKTEVE TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 2, e 18, pika 3, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Çdo person juridik, i krijuar sipas dispozitave të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe i organizuar në formën e shoqërisë aksionare, mund të aplikojë për marrjen e një Licence Koncesioni për Rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto për prodhimin e nënprodukteve të saj, në përputhje me rregullat që përcaktohen në këtë vendim, në bazë të parimeve të mosdiskriminimit, të trajtimit të barabartë dhe të transparencës.
2. Licenca e Koncesionit për Rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto për prodhimin e nënprodukteve të saj merret nga personat juridikë të interesuar, pas pajisjes së tyre me miratimin paraprak sikurse parashikohet në kreun II dhe pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në kreun III, të këtij vendimi.
II. KUSHTET DHE PROCEDURAT PËR PAJISJEN ME MIRATIM PARAPRAK
1. Personat juridikë, që kërkojnë të pajisen me Licencë Koncesioni për Rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto për prodhimin e nënprodukteve të saj, përpara fillimit të ndërtimit dhe vënies në funksionim të rafinerive, paraqesin në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet një kërkesë për t’u pajisur me një miratim paraprak me qëllim vazhdimin e procedurës, të shoqëruar me këto dokumente:
1.1. Ekstraktin e regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku vërtetohet se personi juridik është i organizuar në formën e shoqërisë aksionare dhe ku të ketë të përcaktuar në objektin e veprimtarisë së tij përpunimin e naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj dhe se statusi i personit juridik është aktiv.
1.2. Skemën dhe projektin teknologjik për secilin impiant, që do të aplikohen për ndërtimin e rafinerisë dhe ambienteve të infrastrukturës, që sigurojnë një funksionim normal të saj, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes ndaj zjarrit, projektin e trajtimit të mbetjeve teknologjike, bilancin material dhe parashikimin e treguesve financiarë.
1.3. Skemën e furnizimit me lëndë të parë dhe atyre ndihmëse.
1.4. Studimin paraprak të fizibilitetit për veprimtarinë që do të realizojë personi juridik.
1.5. Deklaratën mjedisore në përfundim të procedurës se thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis, lëshuar nga ministri përgjegjës për mjedisin, sipas legjislacionit në fuqi.
1.6. Genplanin e vendit ku parashikohet të ndërtohet rafineria si dhe paraqitjen e dokumentacionit përkatës që provon marrëdhënien e aplikuesit me truallin ku parashikon të ndërtojë rafinerinë (certifikatë pronësie, kontratë blerjeje ose kontratë qiraje etj. për një periudhë jo më të vogël se vlefshmëria e licencës së koncesionit për rafineri).
1.7. Dokumentin që vërteton se përdorimi i tokës ku do të ndërtohet rafineria është parashikuar për ndërtimin e objekteve të kësaj natyre në një nga instrumentet e planifikimit të territorit sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
1.8. Dokumentacionin që vërteton përvojën në fushën e ndërtimit dhe vënies në funksionim të rafinerive.
1.9. Dokumente në formën e një letre interesi, marrëveshjeje paraprake kreditimi ose çdo dokument tjetër, që vërtetojnë mbështetjen financiare të projektit nga institucionet financiare ose bankat vendase a të huaja, ku shprehen qartë vlerat monetare për financimin dhe struktura e financimit (financim i vetë aplikuesit, kredi bankare, donacione apo financime të tjera) për ndërtimin e rafinerisë.
1.10. Deklarimin për vlerën e bonusit të nënshkrimit të licencës që ofron personi juridik në rastin e pajisjes me Licencë Koncesioni për Rafineri. Vlera e bonusit të ofruar në çdo rast nuk duhet të jetë më pak se 1 000 000 (një milion) lekë. Në këtë rast, deklarimi duhet të shoqërohet me një garanci financiare bankare për vlerën e plotë të bonusit, në bazë të së cilës garantohet pagesa e këtij bonusi menjëherë me nënshkrimin e Licencës së Koncesionit për Rafineri.
1.11. Vlerën e bonusit vjetor të trajnimit që ofron personi juridik në rastin e pajisjes me Licencë Koncesioni për Rafineri.
1.12. Dokumentin që vërteton së personi juridik nuk është dënuar me vendim të formës së prerë, që lidhet me aktivitetin e shoqërisë, lëshuar nga gjykata.
1.13. Dokumentin që vërteton se përfaqësuesi i personit juridik nuk ndodhet në ndjekje penale, lëshuar nga prokuroria.
1.14. Dokumentin që vërteton se personi juridik i ka plotësuar detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore.
1.15. Dokumentin që vërteton se personi juridik i ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore.
1.16. Dokumentin që vërteton kryerjen e pagesave të energjisë elektrike për çdo ambient ku shoqëria aplikuese ushtron aktivitetin.
Dokumentet vërtetuese duhet të jenë të përpiluara në gjuhën shqipe, origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për dokumentet e përkthyera në gjuhën shqipe vërtetimi i nënshkrimit të përkthyesit bëhet nga noteri.
2. Për vlerësimin e kërkesave dhe të dokumentacionit shoqërues, të paraqitura nga personat juridikë për t’u pajisur me miratimin paraprak për vazhdimin e procedurës për pajisjen me Licencë Koncesioni për Rafineri, pranë ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet, krijohet një komision vlerësimi, me urdhër të ministrit përgjegjës, i cili përcakton dhe mënyrën e tij të funksionimit.
2.1. Komisioni i vlerësimit duhet të ketë në përbërje përfaqësues nga:
– ministria përgjegjëse për sektorin hidrokarbur, 3 (tre) anëtarë;
– ministria përgjegjëse për zhvillimin urban dhe turizmin, 1 (një) anëtar;
– ministria përgjegjëse për ekonominë, 1 (një) anëtar;
– ministria përgjegjëse për mjedisin, 1 (një) anëtar;
– ministria përgjegjëse për pushtetin vendor, 1 (një) anëtar.
2.2. Komisioni i vlerësimit të kërkesave vlerëson kërkesat dhe dokumentacionin e paraqitur nga personi juridik, sipas përcaktimit të pikës 1, kreut II, të këtij vendimi.
Në rast se për të njëjtën sipërfaqe toke ka më shumë së një person juridik që plotëson kushtet për dhënien e miratimit paraprak për vazhdim procedure për pajisjen me Licencë Koncesioni për Rafineri, si kriter për përzgjedhje, komisioni të përdorë vlerën e bonuseve që ofron secili person juridik në dispozicion të buxhetit të shtetit dhe projektin teknologjik që do të aplikohet për ndërtimin e rafinerisë. Në këtë rast, në bazë të kritereve të vlerës së bonuseve të ofruara dhe projektit teknologjik, komisioni i vlerësimit shqyrton të gjitha aplikimet dhe i propozon ministrit përgjegjës për hidrokarburet dhënien e miratimit paraprak për aplikuesin, që propozon zgjidhjen më të mirë.
3. Komisioni i vlerësimit të kërkesave mblidhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, bën verifikimin e dokumentacionit përkatës të aplikimit dhe vepron, si më poshtë vijon.
a) Kur pas verifikimit rezulton se dokumentacioni i paraqitur nga personi juridik është i rregullt, komisioni pranon kërkesën dhe, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e mbledhjes, i paraqet ministrit përgjegjës për hidrokarburet propozimin për miratimin paraprak për vazhdim të mëtejshëm të procedurës për plotësimin e dokumentacionit teknik dhe ekonomik për objektin në zonën dhe sipërfaqen e kërkuar dhe për realizimin e praktikave përkatëse deri në marrjen e Licencës së Koncesionit për Rafineri.
b) Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe verifikimet e kryera në institucionet e tjera dhe/ose në terren rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni harton një raport dhe njofton subjektin aplikues për dokumentacionin që mungon dhe të drejtën e tij për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet përkatëse jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e dërgimit fillestar të njoftimit.
Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit. Komisioni mblidhet dhe merr vendim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e depozitimit të dokumentacionit të plotësuar ose brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e përfundimit të afatit të depozitimit nëse subjekti aplikues nuk ka bërë plotësimin e dokumentacionit.
c) Kur pas verifikimit përfundimtar rezulton se dokumentacioni i paraqitur nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 1, të kreut II, të këtij vendimi, komisioni refuzon kërkesën dhe, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e mbledhjes, i kthen personit juridik dokumentacionin përkatës, ku argumentohet vendimi i marrë. Personi juridik ka të drejtën e riaplikimit pas plotësimit e saktësimit të dokumentacionit.
ç) Kur personi juridik nuk është dakord me vendimin e komisionit, ai ka të drejtën e ankimimit brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e vendimit, pranë ministrit përgjegjës për hidrokarburet.
4. Miratimi paraprak duhet të përmbajë të paktën këto të dhëna:
a) Emrin e personit juridik që paraqet kërkesën dhe NIPT-in;
b) Të drejtën për përgatitjen e dokumentacionit të plotë në zonën përkatëse, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për marrjen e Licencës së Koncesionit për Rafineri nga Këshilli i Ministrave;
c) Afatin kohor të vlefshmërisë së miratimit për vazhdim procedure, brenda të cilit duhet të përfundojë përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e Licencës së Koncesionit për Rafineri deri në paraqitjen e tij në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet për procedim të mëtejshëm.
Në çdo rast, ky afat nuk mund të jetë më shumë se dy vjet.
III. PROCEDURAT PËR PAJISJEN ME LICENCË KONCESIONI PËR RAFINERI
1. Personi juridik, i pajisur me miratim paraprak për vazhdim procedure, duhet të paraqesë në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi, dokumentacionin për marrjen e Licencës së Koncesionit për Rafineri. Ky dokumentacion duhet të përmbajë:
1.1. ekstraktin e regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të personit juridik, ku të ketë të përcaktuar në objektin e veprimtarisë së tij përpunimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj dhe se statusi i personit juridik është aktiv;
1.2. lejen e mjedisit të veprimtarisë, të lëshuar nga organi përgjegjës;
1.3. lejen e zhvillimit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”;
1.4. projektin e detajuar teknologjik për ndërtimin e rafinerisë dhe të ambienteve të infrastrukturës, që sigurojnë një funksionim normal të rafinerisë, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes ndaj zjarrit, projektin e trajtimit të mbetjeve teknologjike, bilancin material dhe treguesit financiarë. Projekti teknologjik duhet të jetë i miratuar dhe nga Inspektorati Shtetëror përgjegjës;
1.5. studimin e fizibilitetit për veprimtarinë që do të realizojë personi juridik;
1.6. kartën teknologjike me parametrat e punës dhe produktet përfundimtare të përfituara në përputhje me standardet në fuqi, të miratuar nga Inspektorati Shtetëror përgjegjës;
1.7. kontratën e punësimit të drejtuesit teknik që do të ndjekë realizimin e projektit të rafinerisë dhe vënien në përdorim të saj;
1.8. genplanin e vendit ku parashikohet të ndërtohet rafineria si dhe dokumentacionin përkatës që provon marrëdhënien e aplikuesit me truallin ku parashikon të ndërtojë rafinerinë (certifikatë pronësie, kontratë blerjeje ose kontratë qiraje etj. për një periudhë jo më të vogël se vlefshmëria e licencës së koncesionit për rafineri);
1.9. dokumentin që vërteton se personi juridik nuk është dënuar me vendim të formës së prerë, që lidhet me aktivitetin profesional, lëshuar nga gjykata;
1.10. dokumentin që vërteton së përfaqësuesi i personit juridik nuk ndodhet në ndjekje penale, lëshuar nga prokuroria;
1.11. dokumentacion në formën e një letre interesi, marrëveshjeje paraprake kreditimi ose çdo dokument tjetër, që vërtetojnë mbështetjen financiare të projektit nga institucionet financiare ose bankat vendase a të huaja, ku shprehen qartë vlerat monetare për financimin dhe struktura e financimit (financim i vetë aplikuesit, kredi bankare, donacione apo financime të tjera) për të përballuar ndërtimin e rafinerisë.
2. Licenca e Koncesionit për Rafineri përgatitet nga struktura përgjegjëse për hidrokarburet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet në bashkëpunim me personin juridik kërkues ose përfaqësuesin ligjor të tij.
3.Licenca e Koncesionit për Rafineri, së bashku me të gjitha dokumentet e përgatitura sipas këtij vendimi, përfshirë kopje të miratimit paraprak për vazhdim procedure, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.
4. Licenca e Koncesionit për Rafineri duhet të përmbajë të paktën këto të dhëna:
a) Emrin dhe selinë e personit juridik;
b) Koordinatat dhe vendndodhjen e rafinerisë;
c) Numrin dhe datën e vendimit të Këshillit të Kombëtar të Territorit për miratimin e lejes së zhvillimit;
ç) Llojin e licencës së tregtimit dhe afatin e saj, nëse personi juridik është pajisur me këtë licencë;
d) Afatin e vlefshmërisë së licencës së koncesionit si dhe të drejtën për rinovimin e kësaj licence nëpërmjet paraqitjes së kërkesës nga personi juridik sipas procedurave të përcaktuara në kreun V, të këtij vendimi;
dh) Afatin e përfundimit të ndërtimit të rafinerisë, afatin e vënies në përdorim si dhe rastet kur do të lejohet shtyrja e afatit të ndërtimit apo vënies në përdorim;
e) Të drejtën e organeve dhe institucioneve shtetërore, të ngarkuara me ligj, për kontrollin e zbatimit të projektit sipas kushteve dhe afatit të përcaktuar në projekt;
ë) Të drejtën e Këshillit të Ministrave për revokimin e kësaj licence kur nga kontrollet e ushtruara nga organet dhe institucionet shtetërore, të ngarkuara me ligj, konstatohet dështimi i përmbushjes së kërkesave të Licencës së Koncesionit për Rafineri, në zbatimin e parametrave teknikë, në afatin e realizimit të projektit dhe të normave mjedisore;
f) Kapacitetin dhe kategorinë e produkteve që do të prodhojë rafineria;
g) Detyrimet financiare, që personi juridik ka ndaj shtetit në lidhje me licencën e koncesionit;
gj) Detyrimin për zbatimin e kërkesave të neneve 9 dhe 12, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, për mbajtjen e rezervës së sigurisë, ndryshimet në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të rafinerisë, si dhe për markën e cilësinë e nënprodukteve të naftës të prodhuara nga rafineria;
h) Të dhënat që duhet të paraqesë personi juridik në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet, brenda afateve në zbatim të urdhrit të ministrit.
Në Licencën e Koncesionit për Rafineri, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, mund të përfshihen edhe përcaktime të tjera ose detyrime të ndërsjella.
5. Licenca e Koncesionit për Rafineri hartohet në tri kopje, nga të cilat një kopje mbahet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet dhe nga një kopje u përcillet zyrtarisht personit juridik të cilit i jepet licenca e koncesionit dhe Këshillit të Ministrave.
6. Dhënia e Licencës së Koncesionit për Rafineri për ndërtimin e rafinerisë për përpunimin e naftës bruto dhe funksionimin e saj bëhet kundrejt pagesës së tarifës prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh nga personi juridik, shumë e cila derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
7. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të revokojë licencën e koncesionit kur gjatë kontrolleve të ushtruara nga organet dhe institucionet shtetërore, të ngarkuara me ligj, konstaton shkelje ose mosrespektim të kërkesave të Licencës së Koncesionit për Rafineri, moszbatim të parametrave teknikë të projektit dhe mosrespektim të afatit të realizimit të projektit të normave mjedisore dhe detyrimeve të tjera të parashikuara në licencë që përcaktohen nga legjislacioni në fuqi.
8. Personi juridik i pajisur me licencë koncesioni, në përputhje me afatet dhe kushtet e përcaktuara në këtë licencë, paraqet kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për marrjen e lejes së ndërtimit të objektit në përputhje me procedurat e përcaktuara në ligjin nr.107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Në përfundim të ndërtimit të rafinerisë, personi juridik paraqet kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për marrjen e certifikatës së përdorimit të objektit në përputhje me ligjin nr.107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
IV. PROCEDURAT PËR TRANSFERIMIN E LICENCËS SË KONCESIONIT PËR RAFINERI
1. Transferimi i licencës së rafinerive të naftës nga personi juridik i pajisur me Licencë Koncesioni për Rafineri tek një person tjetër juridik bëhet vetëm nëse personi juridik ka plotësuar detyrimet ligjore dhe financiare ndaj organeve shtetërore dhe pas miratimit nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Transferimi i Licencës së Koncesionit për Rafineri bëhet pasi personi juridik, tek i cili transferohet, përmbush kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin, në bazë të të cilit është dhënë fillimisht licenca e koncesionit, përveç rasteve kur këto kërkesa u referohen kushteve që nuk janë më të nevojshme të përmbushen. Në çdo rast, në dokumentacionin e paraqitur nga personi juridik, tek i cili transferohet licenca, duhet të garantohet se do të zbatohen parametrat teknikë të projektit, do të respektohet afati i realizimit të projektit, normat mjedisore dhe detyrimet e tjera të parashikuara në Licencën e Koncesionit për Rafineri.
3. Mbajtësi i Licencës së Koncesionit për Rafineri dhe personi juridik, tek i cili do të transferohet, paraqesin në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet një kërkesë të përbashkët për transferim, të shoqëruar me dokumentacionin e subjektit tek i cili kërkohet që të transferohet licenca e koncesionit, që provon përmbushjen e kërkesave të parashikuara në pikat 1.1, 1.2, 1.4, 1.6, 1.7, 1.9 e 1.10, të pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi, si dhe çdo dokumentacion tjetër që provon mbështetjen financiare për subjektin tek i cili realizohet transferimi.
Dokumentet vërtetuese duhet të jenë të përpiluara në gjuhën shqipe, origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për dokumentet e përkthyera në gjuhën shqipe vërtetimi i nënshkrimit të përkthyesit bëhet nga noteri.
Struktura përgjegjëse për hidrokarburet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet bën verifikimin e dokumentacionit e të plotësimit të kushteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij kreu.
4. Kur dokumentet janë të plota dhe të rregullta, ministri përgjegjës për hidrokarburet miraton transferimin e licencës përkatëse të koncesionit sipas kushteve dhe procedurave të këtij vendimi.
5. Afati për verifikimin e dokumentacionit, si dhe përfundimin e praktikës procedurale dhe administrative për transferimin e licencës përkatëse të koncesionit nuk mund të jetë më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e mbërritjes së kërkesës së përbashkët të dy personave juridikë.
6. Kur nga vërtetimi i të dhënave dhe i treguesve rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuara, dokumentet e paraqitura u kthehen subjekteve, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e mbërritjes së kërkesës. Personat juridikë mund t’i riparaqesin dokumentet pas plotësimit të tyre brenda një periudhe jo më shumë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e njoftimit për plotësimin e dokumentacionit.
Në rast se personat juridikë nuk paraqesin dokumentacionin e kërkuar brenda periudhës së përcaktuar prej 90 (nëntëdhjetë) ditësh, ministria përgjegjëse për hidrokarburet refuzon këtë kërkesë.
Personat juridikë kanë të drejtë të paraqesin ankesë në gjykatën kompetente, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e refuzimit të kërkesës.
7. Licenca e Koncesionit për Rafineri, pas miratimit të transferimit, përmban të dhënat që përcaktohen në pikën 4, të kreut III, të këtij vendimi, duke ndryshuar informacionin që lidhet me subjektin juridik përfitues të lejes së koncesionit.
Licenca e Koncesionit për Rafineri, pas miratimit të transferimit, është një dokument me të njëjtin numër, por me fraksion, i dokumentit të mëparshëm të licencës së koncesionit që ka marrë personi juridik. Licenca e Koncesionit për Rafineri hartohet në tri kopje, nga të cilat një kopje mbahet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet dhe nga një kopje u përcillet zyrtarisht personit juridik së cilit i jepet licenca e koncesionit dhe Këshillit të Ministrave.
V. PROCEDURAT PËR PËRSËRITJEN E LICENCËS SË KONCESIONIT PËR RAFINERI
1. Personi juridik i pajisur me Licencën e Koncesionit për Rafineri ka të drejtë për rinovimin e saj, nëpërmjet paraqitjes së kërkesës nga personi juridik, jo më vonë se 1 vit para përfundimit të afatit të licencës.
2. Mbajtësi i Licencës së Koncesionit për Rafineri paraqet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet kërkesën për përsëritje të licencës, të shoqëruar me dokumentacionin e përcaktuar në pikat 1.1, 1.2, 1.4, 1.6, 1.7, 1.9 e 1.10, të pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi.
Gjithashtu, subjekti duhet të paraqesë vërtetimin së janë respektuar kushtet dhe normat teknike, në kuptimin e funksionimit të sigurt të rafinerisë, sigurisë në punë dhe të garantimit të cilësisë së nënprodukteve, lëshuar nga organi përgjegjës.
Dokumentet vërtetuese duhet të jenë të përpiluara në gjuhën shqipe, origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për dokumentet e përkthyera në gjuhën shqipe vërtetimi i nënshkrimit të përkthyesit bëhet nga noteri.
3. Kërkesa për përsëritjen e Licencës së Koncesionit për Rafineri së bashku me të gjitha dokumentet shqyrtohet nga struktura përgjegjëse për hidrokraburet në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet.
4. Përsëritja e Licencës së Koncesionit për Rafineri bëhet kundrejt pagesës prej 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekësh nga personi juridik, shumë e cila derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
VI. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Vendimi nr.553, datë 12.8.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejeve të koncesionit për ndërtimin dhe përdorimin e rafinerive, naftësjellësve e gazsjellësve”, të ndryshuar, shfuqizohet.
2. Dispozitat e vendimit nr.553, datë 12.8.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien e lejeve të koncesionit për ndërtimin dhe përdorimin e rafinerive, naftësjellësve e gazsjellësve”, të ndryshuar, zbatohen për procedurat e dhënies së licencave të koncesionit të rafinerive, aplikimet e të cilave janë depozituar në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AUTORIZIMIT TË NDËRTIMIT TË CENTRALIT ELEKTRIK FOTOVOLTAIK, DHËNË SHOQËRISË “MALËSIA SOLAR 1”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 34/1, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik fotovoltaik, dhënë shoqërisë “Malësia Solar 1”, sh.p.k., sipas tekstit dhe koordinatave të zonave të përcaktuara në hartën përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AUTORIZIMIT TË NDËRTIMIT TË CENTRALIT ELEKTRIK FOTOVOLTAIK, DHËNË SHOQËRISË “MALËSIA SOLAR 3”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 34/1, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik fotovoltaik, dhënë shoqërisë “Malësia Solar 3”, sh.p.k., sipas tekstit dhe koordinatave të zonave të përcaktuara në hartën përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AUTORIZIMIT TË NDËRTIMIT TË CENTRALIT ELEKTRIK FOTOVOLTAIK, DHËNË SHOQËRISË “MALËSIA SOLAR 2”, SH.P.K
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1e 2, të nenit 34/1, të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e autorizimit të ndërtimit të centralit elektrik fotovoltaik, dhënë shoqërisë “Malësia Solar 2”, sh.p.k., sipas tekstit dhe koordinatave të zonave të përcaktuara në hartën përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV ERSEKË-PËRMET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Ersekë-Përmet, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 2 439.74 (dy mijë e katërqind e tridhjetë e nëntë pikë shtatëdhjetë e katër) m², tokë bujqësore, pyll, arë, kullotë, vlerësuar në shumën prej 356 295.20 (treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë pikë njëzet) lekësh.
4. Fondi prej 356 295.20 (treqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë pikë njëzet) lekësh të përballohet nga fondet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të shpronësimit të përballohet nga OST, sh.a.-ja, si subjekti që garanton shpenzimet procedurale të këtij shpronësimi.
6. Shpronësimi të fillojë brenda muajit janar 2015.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Ersekë, Përmet, Korçë dhe Gjirokastër të marrin masat për pezullimin e të gjitha transaksioneve mbi këto pasuri, deri në përfundim të procesit të kalimit të pronësisë të pasurive të shpronësuara në favor të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
8. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, OST, sh.a.-ja, dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare” .
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “QUKËS-QAFËPLLOÇË, LOTI I (DEVIJIMI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Qukës-Qafëplloçë, loti I (Devijimi)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “arë” dhe “drufrutorë”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimit prej 6 313 446 (gjashtë milionë e treqind e trembëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e gjashtë) lekësh, nga të cilat:
a) për tokë “arë”, me sipërfaqe shpronësimi 26 894 (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e katër) m2, me vlerën 4 994 206 (katër milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e dyqind e gjashtë) lekë;
b) për “drufrutorë”, me vlerën 1 319 240 (një milion e treqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet) lekë.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 6 313 446 (gjashtë milionë e treqind e trembëdhjetë mijë e katërqind e dyzet e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2015, zëri “Detyrimet e prapambetura”.
5. Shpenzimet procedurale, në shumën 487 000 (katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA E SHËRBIME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 2, të tekstit “Rregullat e prokurimit publik”, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurave të prokurimit, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të poshtëshënuara:
a) Blerje automjetesh;
b) Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1 dhe karburantit për nevojat e bordeve të kullimit;
c) Blerje materialesh kancelarie;
ç) Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
d) Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
dh) Blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera, përbërëse të tyre;
e) Blerje këpucësh;
ë) Blerje pjesësh ndërrimi për automjete, për shërbimet profilaktike, përveç filtrave të automjeteve;
f) Blerje tonerash;
g) Blerje pajisjesh elektronike dhe telekomunikacioni;
gj) Shërbim gatimi dhe shpërndarjeje ushqimi;
h) Sigurim automjetesh;
i) Shërbim pastrimi;
j) Shërbim lyerje ndërtesash.
1.1. Përjashtimisht, lejohet Ministria e Mbrojtjes t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:
a) Blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
b) Blerje këpucësh.
1.2. Përjashtimisht për vitin 2015, lejohet Ministria e Integrimit Evropian t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:
a) Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
b) Blerje pajisjesh elektronike dhe telekomunikacioni;
c) Shërbim lyerjeje ndërtesash.
2. Ministria e Punëve të Brendshme të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuar për çdo institucion, për secilin nga mallrat dhe shërbimet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, brenda datës 31 janar, të dërgojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si organi qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për çdo prokurim.
4. Organi qendror blerës ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të mallrave e të shërbimeve, sipas artikujve të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi;
b) Të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
ç) Të shqyrtojë dhe të miratojë specifikimet teknike, të dërguara nga autoritetet kontraktore.
Nëse gjykohet se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimet publike ose mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, organi qendror blerës kryen rishikimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra.
d) Të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra.
dh) Të bashkërendojë punën për testimin e tregut për përllogaritjet e të dhënave sasiore për mallrat, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra.
e) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e
njoftimit të fituesit.
5. Organi qendror blerës, në raste përjashtimore, mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një autoritet a një grup autoritetesh kontraktore, që nuk janë përcaktuar në këtë vendim apo edhe për mallra a shërbime, që nuk janë përcaktuar në këtë vendim.
6. Organi qendror blerës, në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, verifikon arsyet e vonesës dhe vendos për shpalljen ose jo të procedurës së re të prokurimit për këto kërkesa.
7. Ngarkohet Agjencia e Prokurimit Publik të udhëzojë autoritetet kontraktuese për zbatimin e këtij vendimi.
8. Vendimi nr.53, datë 21.1.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Ministrisë së Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, i ndryshuar, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e vendimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.