Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 12 nëntor 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MMEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E ZHVILLIMIT TË EKSPORTEVE INDUSTRIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të eksporteve industriale, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.419, DATË 15.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË KONKURRUESHMËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 6, shkronjat “a”, “b”, “d”, “e”, e 7, pika 1, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, dhe të neneve 17 e 18, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.419, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Pagesa e subvencionit të bëhet 50% me miratimin e projektit dhe 50% në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit do të bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën totale të projektit.”.
b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë zbatohet për periudhën tre vjeçare 2013, 2014 dhe 2015. Për vitin 2013 ai ka vlerën prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, për vitin 2014 vlera e fondit do të jetë 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë dhe për vitin 2015 vlera do të jetë 28 000 000 (njëzet e tetë milionë) lekë.”.
2. Fondi prej 6 000 000 (gjashtë milionë) lekësh, që do të shtohet për vitin 2014, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes/AIDA-n, për vitin 2014.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INTEGRIMIT EVROPIAN, PËR PËRBALLIMIN E TVSH-SË, NË KUADËR TË PROJEKTIT “GREEN BOAT”, FINANCUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN, NËPËRMJET FONDEVE IPA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Integrimit Evropian, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin “Mbështetja institucionale për procesin e integrimit”, zëri “Shpenzime kapitale, kapitulli 04 (TVSH)”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 29 300 (njëzet e nëntë mijë e treqind) eurosh, për përballimin e kostos së TVSH-së për projektin “Green Boat”, të financuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet fondeve IPA, program i bashkëpunimit ndërkufitar Greqi-Shqipëri, me përfitues Komunën Pustec.
2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2014.
3. Ngarkohet Ministria e Integrimit Evropian për përgatitjen e dokumentacionit të akordimit dhe transferimit të shumës përkatëse Komunës Pustec, në zbatim të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Kulturës, për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit e AnsambliN Popullor, të objekteve dhe truallit funksional, me sipërfaqe të përgjithshme 11 754.2 m2, pjesë e pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe për një ndryshim në Vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Kulturës, për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit e Ansamblin Popullor, të objekteve nr.16, 17, 18 e 21 dhe truallit funksional, me sipërfaqe të përgjithshme 11 754.2 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër pikë dy) m2, pjesë e pronës nr.109, me emërtim “Sh.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për magazinimin dhe përpunimin e dekoreve të shfaqjeve.
2. Sipërfaqja e përgjithshme prej 11 754.2 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër pikë dy) m2, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Ministrisë së Kulturës, Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e Ansamblit Popullor u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e sipërfaqes së pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
4. Vendimi nr.634, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përdorim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit e Ansamblin Popullor, të objektit nr.19, “Godina e sinoptikës së vjetër”, pjesë e pronës nr.109, “Ish – Uzina e Artilerisë”, në Brar, Tiranë, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar me vendimin nr.198, datë 16.3.2011, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Kulturës, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LICENCIMIN PROFESIONAL TË INDIVIDËVE DHE SUBJEKTEVE JURIDIKE QË DO TË USHTROJNË VEPRIMTARI NË FUSHËN E STUDIMIT E TË PROJEKTIMIT NË NDËRTIM DHE MBIKËQYRJES E KOLAUDIMIT TË PUNIMEVE TË ZBATIMIT NË NDËRTIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, shkronja “a”, e 5, pika 3, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 7 e 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Çdo individ apo subjekt juridik, që kërkon të ushtrojë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim, duhet të pajiset me licencën profesionale përkatëse sipas përcaktimeve të rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Krijimin e komisionit, si strukturë e posaçme administrative, që ka autoritetin e vetëm për dhënien, ndryshimin apo revokimin e licencave profesionale të individëve apo subjekteve juridike, si dhe vendosjen e penaliteteve për veprimtari në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, i cili të ketë në përbërje:
– një përfaqësues i Kryeministrisë, i cili të jetë kryetar;
– dy përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit;
– një përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës;
– një përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë;
– një përfaqësues nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, të Universtitetit Politeknik të Tiranës;
– një përfaqësues nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i Universtitetit Politeknik të Tiranës.
Detyrën e sekretariatit teknik të komisionit e ushtron struktura përkatëse për licencimin pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
3. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.412, datë 15.9.1992, “Për krijimin e komisionit të posaçëm për dhënien e licencave profesionale”, e nr.613, datë 13.12.1993, “Për ushtrimin e veprimtarisë në ndërtim dhe projektim të shoqërive”, si dhe çdo akt nënligjor që bie ndesh me këtë vendim shfuqizohen.
4. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe komisioni i posaçëm për dhënien e licencave profesionale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.439, DATË 2.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË LEGALIZIMIT TË NDËRTIMEVE PA LEJE, SHTESAVE ANËSORE APO NË LARTËSI, TË NDËRTUARA NGA SHOQËRIA “HAWAI-ALB”, SH.P.K.”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 43/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 4, të vendimit nr.439, datë 2.7.2014, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 4.1 me këtë përmbajtje:
“4/1. Kur trualli mbi të cilin është ngritur objekti bazë ose shtesa anësore/në lartësi, apo një pjesë e tij, rezultojnë në pronësi shtetërore, sipas regjistrit të pasurive të paluajtshme, kalimi i pronësisë mbi sipërfaqen përkatëse kryhet pa pagesë, në mbështetje të neneve 3, pika 4, e 4, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 761, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË FONDIN E KOMPENSIMIT FIZIK, NË DISPOZICION TË AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE, TË SIPËRFAQES SË TOKËS BUJQËSORE PREJ 23 368.8 HA, NË PRONËSI SHTETËRORE, DHËNË NË PËRDORIM NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të nenit 14, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe shkronjës “c”, të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 23 368.8 (njëzet e tre mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë pikë tetë) ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore, sipas listës dhe materialit hartografik digital, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Njësive të qeverisjes vendore u shfuqizohet e drejta e përdorimit për pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe këshillat e qarqeve Elbasan, Korçë, Berat dhe Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KUOTAT E PRANIMIT DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT, NË PROGRAMET E SPECIALIZIMEVE AFATGJATA, TË CIKLIT TË TRETË TË STUDIMEVE, NË FUSHËN E MJEKËSISË, PËR VITIN AKADEMIK 2014 – 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 1.3.2, 34, pika 4, 35 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për programet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë të studimeve, me kohë të plotë, për vitin akademik 2014-2015, janë 365, të ndara si më poshtë vijon:
a) Kuota për kandidatët brenda territorit të vendit 340;
b) Kuota për kandidatët me kombësi shqiptare nga trojet jashtë kufijve të vendit 20;
c) Kuota për transferime 5.
2. Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit, të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, ndahen si më poshtë vijon:
a) Kuota të mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë 185;
b) Kuota të mbuluara nga Ministria e Drejtësisë 14;
c) Kuota të mbuluara nga Ministria e Mbrojtjes 15;
ç) Kuota të pambuluara nga Ministria e Punëve të Brendshme 1;
d) Kuota të pambuluara 125.
3. Kuotat e pranimit për programet e specializimeve afatgjata të ciklit të tretë të studimeve me kohë të plotë, të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në tabelën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Kuotat e pranimit për programet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë të studimeve me kohë të plotë, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, sipas programeve të studimit, të pasqyruara në tabelën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi. Këto kuota rishpërndahen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.
5. Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga prefekturat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, dhe u nënshtrohen të njëjtave procedura konkurrimi si dhe kandidatët shqiptarë brenda territorit të vendit. Pranimi i tyre në programin përkatës të studimit bëhet bazuar në kriterin e meritës, duke respektuar kuotat për këtë kategori kandidatësh.
6. Kuotat e pranimeve për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur edhe në kërkesën e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Studenti transferohet nga programe specializuese afatgjata të akredituara, të ofruara nga institucione të akredituara dhe licencuara në vendin përkatës, në programe të njëjta ose të ngjashme specializimi afatgjata, deri në vitin e dytë të programit përkatës specializues.
7. Aplikojnë për programe studimi specializuese afatgjata të gjithë kandidatët që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë.
8. Pranimet e studentëve në programin specializues afatgjatë, në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar në këtë vendim, bëhen sipas përcaktimeve në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit, rregullores së specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Arsimit dhe Sportit si dhe akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
9. Kuotat e paplotësuara rishpërndahen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
10. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, është 115,000 (njëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë. Studentët e shpallur fitues paguajnë/arkëtojnë, menjëherë, në llogarinë e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, 30% të tarifës vjetore të shkollimit. Këstet e tjera arkëtohen sipas rregullores së miratuar nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.
11. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës së plotë vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
12. Fakulteti që mbulon programin specializues afatgjatë siguron studentët për përgjegjësinë profesionale ndaj palëve të treta dhe për shëndetin e tyre, sipas përcaktimeve në rregulloren përkatëse të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, përpara fillimit të programit specializues dhe në vijim, në çdo fillim viti akademik, duke nisur nga data e skadencës së policës së lidhur një vit më parë.
13. Studentët që përfitojnë nga kuotat e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, lidhin kontrata, përkatësisht me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku përcaktohen detyrimet mes palëve si dhe penalitetet, në rastet e mosrespektimit të tyre. Modeli i kontratës dhe modalitetet e lidhjes së saj përcaktohen me urdhër të ministrit që mbulon fushën përkatëse dhe i bëhen të ditura kandidatit para hapjes së procesit të aplikimeve.
14. Kandidatët që përfitojnë nga kuotat e parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, duhet të paraqesin, në momentin e aplikimit, një shkresë mbështetëse nga ministria përkatëse.
15. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, pa efekte buxhetore shtesë.
16. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË PASURISË SË PALUAJTSHME, TË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE NR.8380, ME NUMËR PASURIE 6/145, PËR GJYKATËN KUSHTETUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të pasurisë së paluajtshme, të ndodhur në zonën kadastrale nr.8380, me numër pasurie 6/145, me sipërfaqe trualli 859 (tetëqind e pesëdhjetë e nëntë) m2, me sipërfaqe ndërtimi 518 (pesëqind e tetëmbëdhjetë) m2, me adresë: rruga “Reshit Çollaku”, Tiranë, në funksion të akomodimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas kartelës dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Objekti i sipërpërmendur të përdoret në funksion të qëllimit dhe të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.
3. Ministria e Drejtësisë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe as ta tjetërsojë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “QENDËR HISTORIKE” TË NJË ZONE NË QYTETIN MUZE TË BERATIT DHE MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MBROJTJEN, KONSERVIMIN E INTEGRUAR, ADMINISTRIMIN E “QENDRËS HISTORIKE” DHE ZONËS SË MBROJTUR TË QYTETIT TË BERATIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Qendër Historike” në qytetin muze të Beratit të zonës, sipas hartës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për mbrojtjen, konservimin e integruar dhe administrimin e “Qendrës Historike” dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Beratit”, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Vendimi nr.826, datë 28.12.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e “Qendrës Historike” të një zonë në qytetin muze të Beratit dhe miratimin e rregullores së administrimit të kësaj qendre”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe bashkia e Beratit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I VENDDEPOZITIMIT SANITAR TË MBETJEVE NË AFËRSI TË MALIQIT DHE RRUGËS HYRËSE, QARKU KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i venddepozitimit sanitar të mbetjeve në afërsi të Maliqit dhe rrugës hyrëse, qarku Korçë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të shoqërisë aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë arë dhe truall, me sipërfaqe të përgjithshme prej 149 596 (njëqind e dyzet e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 , si më poshtë vijon:
a) Për arë, me vlerën 31 302 436 (tridhjetë e një milionë e treqind e dy mijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë) lekë;
b) Për truall, me vlerën 2 895 070 (dy milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë) lekë;
c) Për kultura bujqësore, me vlerën 1 808 950 (një milion e tetëqind e tetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë;
ç) Për objekt, me vlerën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 36 021 456 (tridhjetë e gjashtë milionë e njëzet e një mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 36 021 456 (tridhjetë e gjashtë milionë e njëzet e një mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2014, nga programi buxhetor “Menaxhimi i mbetjeve urbane”, të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për vitin 2014.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 296 000 (dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të përballohen nga shoqëria aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a.
6. Shlyerja e pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë shoqërisë aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a.
8. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Në proces regjistrimi”, “Konfirmuar, bashkia Maliq”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë shoqërisë aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a.
9. Shoqëria aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a., të kryejë shlyerjet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, 7 dhe 8, të këtij vendimi.
10. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, në bashkëpunim me shoqërinë aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e projektit të objektit në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a., dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
11. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së projektit të objektit në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe shoqëria aksionare “Administrimi i mbetjeve të qarkut Korçë”, KRWM, sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
Kalimin në pronësi, pa shpërblim, nga Ministria e Mbrojtjes te Misioni i Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, të pronës nr.1218, me emërtim “Spitali dhe SHLU”, me vendndodhje në Pukë, si dhe për një ndryshim në Vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 4, e 4, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shteti”, të ndryshuar, dhe të nenit 761 e neneve në vijim, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, pa shpërblim, nga Ministria e Mbrojtjes te misioni i bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, të pronës së paluajtshme shtetërore nr.1218, me emërtim “Spitali dhe SHLU”, me vendndodhje në Pukë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas formularit standard të inventarizimit, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur nga misioni i bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, për banim dhe zhvillim të veprimtarisë së tyre në qytetin e Pukës.
2. Prona nr.1218, me emërtim “Spitali dhe SHLU”, me vendndodhje në Pukë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Misionit të bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës”, i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës nr.1218, me emërtim “Spitali dhe SHLU”, me vendndodhje në Pukë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe misioni i bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË DHËNIES SË KUJDESIT PËR SHËNDETIN MENDOR PËR PERSONAT QË GJENDEN NË INSTITUCIONET REZIDENCIALE TË PËRKUJDESJES SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të dytë të nenit 18, të ligjit nr.44/2012, “Për shëndetin mendor”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Personave që gjenden në institucionet rezidenciale të përkujdesjes sociale, me qëllim parandalimin apo trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor, u ofrohet kujdes për shëndetin mendor nga të gjitha nivelet e ofrimit të këtij kujdesi, parashikuar në pikën 1, të nenit 10, të ligjit 44/2012, “Për shëndetin mendor”.
2. Kujdesi i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, ofrohet sipas rregullave të përgjithshme të organizimit dhe të funksionimit të shërbimeve të shëndetit mendor në Republikën e Shqipërisë.
3. Personat që gjenden në institucionet rezidenciale të përkujdesjes sociale, në nivelin parësor të ofrimit të kujdesit për shëndetin mendor, mund të ndiqen nga mjeku i kontraktuar nga ky institucion por, në çdo rast, çdo rezident duhet të regjistrohet në qendrën shëndetësore që mbulon territorin e lokalizimit të këtij institucioni.
4. Ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor të përcaktojnë ngarkesën për çdo mjek familjeje të qendrave shëndetësore, të parashikuara në pikën 3, të këtij vendimi.
5. Shërbimi i specializuar për shëndetin mendor, për personat në nevojë për këtë shërbim, do të ofrohet nga qendrat komunitare të shëndetit mendor dhe, në mungesë të këtyre të fundit, nga mjeku specialist psikiatër/neuropsikiatër pranë poliklinikave në rrethet përkatëse.
6. Strukturat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe strukturat lokale të shëndetit publik institucionalizojnë bashkëpunimin, përmes miratimit të planeve të përbashkëta të punës, për dhënien e shërbimit shëndetësor konform përcaktimeve të këtij vendimi.
7. Shërbimi psiko-social i institucioneve rezidenciale të përkujdesjes sociale bashkëpunon ngushtësisht me shërbimin psiko-social pranë strukturave lokale të shëndetit publik, pjesë të ekipeve multidisplinare, pranë qendrave komunitare të shëndetit mendor.
8. Shërbimi i specializuar me shtretër, për shëndetin mendor, ofrohet vetëm me referim të qendrave komunitare të shëndetit mendor dhe, në mungesë të tyre, nga mjeku specialist psikiatër/neuropsikiatër i rrethit dhe vetëm atëherë kur janë shteruar të gjitha mundësitë e trajtimit ambulator/komunitar të pacientit, me qëllim shmangien e institucionalizmit të tij.
9. Personat me çrregullime të shëndetit mendor, të cilët kërkojnë vlerësimin e aftësisë për punë, do të paraqiten në komisionet mjekësore, të cilat do t’i rekomandojnë për dërgimin në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), sipas legjislacionit në fuqi.
10. Ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe ministria përgjegjëse për politikat sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE E TË KUSHTEVE PËR DHËNIEN E “LICENCËS SË PËRPUNIMIT” PËR IMPIANTET E PËRPUNIMIT TË NËNPRODUKTEVE TË NAFTËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12/1, 17 e 18/1, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndërtimi dhe funksionimi i impianteve të përpunimit të nënprodukteve të naftës bëhet nga personat juridikë, pasi ato të jenë pajisur me “Licencën e përpunimit”, të lëshuar nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet (Ministria), sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Personat juridikë, subjekte aplikuese, paraqesin në ministri kërkesën për t’u pajisur me “Licencën e përpunimit”, shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:
a) Ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, që vërteton se personi juridik është krijuar në formën e shoqërisë aksionare, ku në objekt të ketë të përcaktuar veprimtarinë për përpunimin e nënprodukteve të naftës;
b) Dokumentin që vërteton se subjekti nuk është në proces falimentimi, sipas parashikimeve të ligjit për falimentimin;
c) Projektin teknologjik që do të zbatohet për ndërtimin e impiantit të përpunimit dhe ambienteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes ndaj zjarrit, të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës. Projekti duhet të përmbajë të dhëna për bilancin material dhe treguesit financiarë të impiantit që do të ndërtohet;
ç) Kartën teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë. Karta teknologjike duhet të jetë e miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;
d) Studimin paraprak të fizibilitetit për veprimtarinë që do të realizojë shoqëria;
dh) Lejen e mjedisit të veprimtarisë, të lëshuar nga organi përgjegjës;
e) Dokumentet me të dhënat e nevojshme për vendin e ushtrimit të veprimtarisë, si skemë-ideja e genplani, dhe dokumente që provojnë raportin me truallin ku do të ushtrohet veprimtaria, si certifikatë pronësie, kontratë qiraje etj., për një periudhë jo më të vogël se koha e vlefshmërisë së “Licencës së përpunimit” për impiantin e përpunimit e magazinën që do të përdorë;
ë) Dokumentin që vërteton se vendi i parashikuar për ndërtimin e impiantit të përpunimit është i përcaktuar për ndërtimin e objekteve të kësaj natyre në një nga instrumentet e planifikimit të territorit, në përputhje me ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Në rast se aplikimi për licencim bëhet nga subjektet, të cilat kanë ndërtuar impiantin në një periudhë të mëparshme kohore, referuar kërkesave të nenit 15, të ligjit nr.71/2014, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, subjekti aplikues është i detyruar të paraqesë lejen përkatëse të ndërtimit të objektit në përputhje me legjislacionin në fuqi;
f) Skemën e funksionimit të impiantit të miratuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës;
g) Kontratën e punësimit të drejtuesit teknik që do të ndjekë realizimin e projektit të impiantit dhe vënien në përdorim të tij;
gj) Dokumente në formën e një letre komforti, marrëveshjeje paraprake kreditimi ose çdo dokument tjetër, që vërtetojnë mbështetjen financiare të projektit nga institucione financiare ose bankat vendase a të huaja, ku përcaktohen qartë vlerat monetare për financimin dhe struktura e financimit (financim i vetë aplikuesit, kredi bankare, donacione apo financime të tjera) për ndërtimin e impiantit të përpunimit;
h) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për aktivitetin e shoqërisë, lëshuar nga gjykata;
i) Dokumentin që vërteton se përfaqësuesi i subjektit aplikues nuk ndodhet në ndjekje penale, lëshuar nga prokuroria;
j) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka plotësuar detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore;
k) Dokumentin që vërteton se subjekti aplikues i ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore;
l) Të dhëna për kapacitetet depozituese në projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit. Për këtë, subjekti aplikues duhet të provojë se kapaciteti minimal i depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës që do të prodhojë impianti i përpunimit, duhet të jetë në përputhje me kërkesat për kapacitet më të vogël depozitimi që kërkohet për shoqëritë që pajisen me licencë tregtimi (me shumicë), sipas legjislacionit në fuqi.
Dokumentet vërtetuese duhet të jenë të përpiluara në gjuhën shqipe, origjinale ose fotokopje të noterizuara. Për dokumentet e përkthyera në gjuhën shqipe, vërtetimi i nënshkrimit të përkthyesit bëhet nga noteri.
3. Në bazë të parashikimeve të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, subjektet juridike, që aktualisht kanë ndërtuar impiante dhe operojnë në veprimtarinë e përpunimit të nënprodukteve të naftës, janë të detyruara:
a) të aplikojnë për licencim, duke plotësuar kushtet e përcaktuara në këtë vendim;
b) të paraqesin të gjithë dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përveç dokumentit të përcaktuar në shkronjën “gj”, po të pikës 2.
4. Për verifikimin e dokumentacionit dhe plotësimin e kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet ngrihet komisioni i shqyrtimit të aplikimeve, i përbërë nga 7 (shtatë) anëtarë me përvojë në fushën hidrokarbure, juridike dhe ekonomike.
5. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve shqyrton dokumentacionin brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes dhe, kur e çmon të arsyeshme dhe brenda afatit të shqyrtimit, ka të drejtë të kërkojë sqarime apo të dhëna shtesë nga aplikuesi, të realizojë verifikime të të dhënave pranë institucioneve të tjera, si dhe të verifikojë në terren elemente të caktuara të projektit e të vendndodhjes së impiantit që do të ndërtohet etj.
6. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe verifikimet e kryera në institucionet e tjera dhe/ose në terren rezulton se nuk plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport dhe njofton subjektin aplikues për dokumentacionin që mungon dhe të drejtën e tij për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet përkatëse jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga dërgimi fillestar i njoftimit.
Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit. Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve mblidhet dhe merr vendim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e depozitimit të dokumentacionit të plotësuar ose brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga dita e përfundimit të afatit të depozitimit, nëse subjekti aplikues nuk ka bërë plotësimin e dokumentacionit.
7. Në rast se subjekti aplikues nuk plotëson dokumentacionin dhe kushtet përkatëse brenda afatit të përcaktuar në pikën 6 ose kur dokumentacioni i plotësuar brenda afatit ka mangësi e, si pasojë, aplikimi nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport vlerësimi dhe i propozon ministrit refuzimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri i njofton subjektit aplikues refuzimin e aplikimit për dhënien e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve.
Në këtë rast, subjekti i interesuar ka të drejtë të paraqesë ankim në gjykatën kompetente, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes dijeni për refuzimin e aplikimit.
Subjekti aplikues ka të drejtë të riparaqesë në çdo kohë aplikimin me dokumentacionin e plotësuar.
8. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit të aplikimeve brenda afateve të përcaktuara në pikën 5 dhe, sipas rastit, në pikën 6, rezulton se plotësohen kushtet e kërkuara, komisioni i shqyrtimit të aplikimeve harton një raport vlerësimi dhe i propozon ministrit miratimin e licencës për aktivitetin e impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës. Ministri miraton “Licencën e përpunimit” të impiantit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e propozimit të paraqitur nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve.
9. Në dokumentin e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës përcaktohen:
a) numri dhe data e miratimit të licencës dhe e hyrjes në fuqi;
b) emri, selia e subjektit dhe të dhënat për regjistrimin si person juridik;
c) vendi ku ushtrohet veprimtaria e impiantit për përpunimin e nënprodukteve të naftës;
ç) emërtimi teknologjik dhe parametrat teknikë e teknologjikë të impiantit të përpunimit të nënprodukteve të naftës, si dhe standardet e përpunimit të nënprodukteve të naftës;
d) afati i përgatitjes së dokumenteve sipas pikës 10, të këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së “Licencës së përpunimit”, si dhe e drejta për rinovim të licencës.
dh) të dhënat që duhet të paraqesë periodikisht subjekti i licencuar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së përpunimit të nënprodukteve të naftës.
Në dokumentin e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve të naftës mund të përcaktohen edhe elemente të tjera, të cilat vlerësohen të arsyeshme dhe të argumentuara, sipas akteve juridike dhe përcaktimeve për teknologjinë e përpunimit të nënprodukteve të naftës, që janë në fuqi.
“Licenca e përpunimit” përgatitet në dy kopje, nga të cilat njërën e merr subjekti, ndërsa tjetra ruhet në arkivin e ministrisë, së bashku me të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga subjekti aplikues.
10. Personi juridik i pajisur me “Licencën e përpunimit”, që do të ndërtojë një impiant përpunimi, duhet të fillojë aplikimin për marrjen e Lejes Zhvillimore Komplekse sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe akteve nënligjore të nxjerra për zbatimin e tij, brenda një periudhe prej 1 viti nga data e miratimit të “Licencës së përpunimit” nga ministria. Me përfundimin e ndërtimit të impiantit sipas Lejes Zhvillimore Komplekse, subjekti duhet të pajiset me leje përdorimi në përputhje me parashikimet e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Për vënien në funksionim të impiantit merret vërtetimi teknik për respektimin e normave dhe kushteve teknike, si dhe të kapaciteteve të depozitimit dhe/ose magazinimit të nënprodukteve të naftës, që do të prodhojë impianti i përpunimit, lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Përgjegjës, sipas kritereve të përcaktuara nga ministri.
11. Formulari-tip, kërkesa-tip dhe dokumenti e formati tip i “Licencës së përpunimit” për impiantet e përpunimit të nënprodukteve të naftës miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet.
12. Në rast mosrespektimi të afateve dhe kërkesave ligjore të përcaktuara në pikën 10, të këtij vendimi, “Licenca e përpunimit” shfuqizohet.
13. Shoqëria e pajisur me “Licencën e përpunimit” ka detyrimin të njoftojë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike, ministrinë për çdo ndryshim, që i referohet dokumentacionit dhe kushteve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në bazë të të cilave është dhënë “Licenca e përpunimit”.
14. Impiantet e përpunimit janë të detyruara të zbatojnë normat dhe kushtet teknike të projektit. Ndryshimet në skemën dhe kartën teknologjike të funksionimit të impianteve të përpunimit bëhen vetëm me miratimin e ministrisë.
15.Transferimi i “Licencës së përpunimit” bëhet vetëm pas miratimit të ministrisë, sipas rregullave të veçanta të miratuara nga ministri përgjegjës për hidrokarburet dhe me kusht që personi juridik, tek i cili transferohet “Licenca e përpunimit”, duhet të plotësojë aftësitë e nevojshme teknike dhe financiare, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “f”, “gj”, “h”, “j”, “k”, të pikës 2, të këtij vendimi.
16. Dhënia e “Licencës së përpunimit” të nënprodukteve e naftës bëhet kundrejt pagesës nga subjekti aplikues të tarifës prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, ndërsa rinovimi i “Licencës së përpunimit” bëhet kundrejt pagesës së tarifës 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.
Të ardhurat, që realizohen nga pagesat e këtyre tarifave, derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit.
17. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.46, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT, PYJEVE DHE UJËRAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11 e 51, pikat 2 e 3, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 8, e kreut III, “Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të ISHMPU-së”, të vendimit nr.46, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Komisioni i ankimit ka në përbërjen e tij:
– Drejtorin e Inspektimit të Mjedisit;
– Drejtorin e Inspektimit të Pyjeve;
– Drejtorin e Inspektimit të Ujërave;
– Juristin e institucionit.
8.1. Komisioni mblidhet për shqyrtimin e ligjshmërisë së aktit ndaj të cilit është bërë ankim/kërkesë administrativ/e dhe merr vendim, në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe në ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
8.2. Në të gjitha rastet kur komisioni vlerëson pranimin e ankesës/kërkesës për shfuqizimin e vendimit administrativ, autoriteti përkatës, i cili ka marrë vendimin, me kërkesë të komisionit, duhet të jetë i pranishëm në mbledhjen e komisionit.
8.3. Për çdo vendim, komisioni njofton me shkrim zyrtarisht subjektin ankues/kërkues.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË SHËRBIMEVE NË QENDRAT SPITALORE UNIVERSITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
11. Shërbimi në qendrat spitalore universitare realizon funksione diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e spitalit universitar, si dhe funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë.
12. Bordi i qendrës spitalore universitare përcakton numrin e përgjithshëm të shërbimeve dhe llojin e shërbimeve unikale të qendrës spitalore universitare.
13. Shërbimi në qendrat spitalore universitare ka në përbërje të tij, të paktën, dy anëtarë efektivë si personel akademik për secilin specialitet, njëri prej të cilëve duhet të jetë, të paktën, me gradë shkencore “Doktor”.
14. Specialitetet me regjim të zakonshëm duhet të kenë shfrytëzim shtrati jo më pak se 85%, ndërsa specialitetet me regjim ditor duhet të kenë xhiro shtrati jo më pak se 85%. Shërbimi detyrohet, që, brenda katër viteve nga miratimi i këtij vendimi, të përmbushë këta tregues. Bordi miraton treguesit specifikë të organizimit të çdo shërbimi në qendrat spitalore universitare.
15. Numri i personelit mjekësor, që shërben në specialitetet e shërbimeve të ndryshme në qendrat spitalore universitare, miratohet çdo vit nga bordi i qendrës spitalore universitare.
16. Vendimi nr.771, datë 7.11.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve për përcaktimin e numrit të personelit dhe kapaciteteve të njësisë së shërbimit në qendrat spitalore universitare”, shfuqizohet.
17. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.637, DATË 21.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E TARIFAVE TË TRANSPORTIT QYTETAS TË UDHËTARËVE, TË MIRATUARA ME VENDIMIN NR.146, DATË 26.2.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, shkronja “c”, e 14, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, dhe të neneve 121, pika 1, e 124, pika 1, të ligjit nr.8485, datë 12.5.199, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.637, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetas të udhëtarëve, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar”.
2. Tarifat e miratuara me vendimin nr.637, datë 21.5.2008, të Këshillit të Ministrave, do të vazhdojnë të zbatohen deri në çastin e miratimit të tarifave nga këshilli bashkiak përkatës, në përputhje me nenet 10 e 14, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, por jo më shumë se një muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIN 2014, MIRATUAR PËR GJYKATËN KUSHTETUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Gjykatës Kushtetuese, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në zërin “Shpenzime kapitale”, t’i shtohet fondi 2 000 000 (dy milionë) lekë.
2. Efekti financiar i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi i kontingjencës.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Gjykata Kushtetuese për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.